BM – Kryebashkiaku i Londrës kërkon njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez
LONDËR, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, ka shtuar presionin ndaj qeverisë britanike në lidhje me Izraelin, duke kërkuar nga ministrat që të “njohin menjëherë shtetin palestinez”.
Khan deklaroi se Britania e Madhe “duhet të bëjë shumë më tepër për të ushtruar presion ndaj qeverisë izraelite që të ndalë këtë vrasje të tmerrshme e të pakuptimtë”, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për uri masive në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë të publikuar sot në platformën X, Khan, që vjen nga Partia Laburiste, përmendi “fëmijë të uritur që kërkojnë ushqim mes rrënojave” dhe “anëtarë familjesh që vriten nga ushtarë izraelitë ndërsa kërkojnë ndihma ushqimore”.
“Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë qeverinë tonë, duhet të bëjë shumë më tepër për të ushtruar presion mbi qeverinë izraelite që të ndalojë këtë vrasje të pakuptimtë dhe të lejojë ndihmat jetike të hyjnë në Gaza”, shtoi ai.
“Britania duhet të njohë menjëherë shtetin palestinez. Nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete nëse nuk ka më një shtet të quajtur Palestinë”, tha Khan.
Kryepeshkopi i York-ut, Stephen Cottrell, figura më e lartë aktualisht në Kishën Anglikane, e quajti dhunën, urinë dhe çnjerëzimin ndaj popullsisë së Gazës nga qeveria izraelite si “të mbrapshtë dhe të pajustifikueshme”.
“Sanksionet, vonesat dhe fragmentimi nga ana e qeverisë izraelite nën një rrethim të plotë kanë krijuar kaos, uri dhe vdekje”, tha ai.
“Në emër të Zotit, ngre zërin kundër këtij sulmi barbar ndaj jetës dhe dinjitetit njerëzor. Është një njollë për ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe një shkelje e rëndë e ligjit humanitar ndërkombëtar,” tha ai.
Ai përsëriti thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve, dhe refuzoi çdo politikë që mund të çonte në spastrimin etnik të popullsisë palestineze nga Gaza. /Ad.Ab./
The post BM – Kryebashkiaku i Londrës kërkon njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.