Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shitjet e makinave elektrike rriten në nivel global, dominon Kina

Shitjet globale të makinave elektrike po përshpejtohen, të nxitura nga rritja e fortë në Kinë dhe vrulli i ripërtërirë në Evropë.

Në gjysmën e parë të vitit, mbi 5.9 milionë automjete elektrike me bateri (BEV) u regjistruan në të gjithë botën, një rritje prej 37% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Në krahasim, shitjet vjetore në vitin 2024 ishin rritur vetëm me rreth 14%.

Kina mbetet forca dominuese në treg, me mbi 3.7 milionë BEV të reja të shitura, një rritje prej 47% nga viti në vit.

Ndërkohë, Evropa ka parë gjithashtu një “rilindje” në miratimin e automjeteve elektrike, me 1.2 milionë BEV të shitura në rajon, një rritje prej 25% dhe një rekord të ri për gjysmën e parë të vitit.

Analistët thonë se shtrëngimi i kufijve të CO2 për flotat ka të ngjarë të ketë kontribuar në këtë rritje.

Vdekjet nga kequshqyerja në Gaza në rritje/ Britania njofton dërgimin e ndihmave nga ajri

Dërgimi i ushqimeve nga ajri në Gaza, mund të jetë një ndihmë, por është e pamjaftueshme, për të shmangur plotësisht krizën humanitare që ka prekur vendit.

Një ditë më parë, Izraeli deklaroi se vendet e huaja do të lejohen të dërgojnë ndihma me parashutë, megjithatë është ende e paqartë se si do të mund të arrihet të realizohet.

Ndonëse fëmijë të rritur të moshuar po përballen me kequshqyerjen. Sipas programit Botëror të Ushqimi pothuajse një në tre persona në Gaza nuk janë ushqyer për ditë të tëra.

Britania e Madhe ndërkohë ka nisur planifikimin për ndihma nga ajri në Gaza.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ka mundësi për të dërguar ndihma nga ajri në Gaza.

Starmer tha gjithashtu se “njohja e një shteti palestinez duhet të jetë një nga ato hapa që do të ndihmojë për të arritur paqen në rajon, megjithëse “duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë që në fund të fundit rezulton në një zgjidhje me dy shtete dhe siguri të qëndrueshme për palestinezët dhe izraelitët”.

Edhe më parë Mbretëria e Bashkuar ka dërguar ndihma nga ajri. Nga ana tjetër edhe presioni me Izraelin duket se po rritet, ndërsa imazhet e fëmijë të dobësuar dhe rrëfimet e njerëzve që vuajnë nga uria në Gaza kanë tronditur mbarë botën.

/abcnews.al/

Tragjedi në Peru/ Aksidenti përfundon në përrua, 15 të vdekur

Të paktën 15 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën, pasi një autobus u aksidentua dhe përfundoi në një përrua.

Në autobus ishin më shumë se 60 persona. Autobusi po udhëtonte nga Lima në La Merced në Amazonë. Në Peru aksidentet rrugore janë të zakonshme, shumica për shkak të shpejtësisë apo edhe gjendjes së keq të infrastrukturës.

/abcnews.al/

Detaje nga krimi në Fier/ Policia arrestoi bashkëpunëtorin, 26-vjeçarja në lidhje dashurie me 55-vjeçarin

Vrasja e Anesti Ramës në fshatin Frashër në Fier merr një tjetër kthesë të rëndë.

Konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së Fierit se ka pasur një lidhje mes 26 vjeçares dhe 55-vjeçarit Çlirim Dogani.

Kjo është edhe konfirmuar nga vetë 26-vjeçarja. Megjithatë 55-vjeçari nuk ka pranuar që të ketë marrë pjesë na vrasjen e Anesti Ramës.

Ndërkohë është konfirmuar se Anesti Rama është dhunuar sistematikisht prej vitesh nga vajza dhe gruaja e tij. Ndërkohë hetimet vijojnë për të zbardhur shkakun që kanë sjellë këtë ngjarje të rëndë.

/abcnews.al/

VIDEO/ Zjarri në Selenicë, forcat e ushtrisë të angazhuar në terren, ndërhyhet edhe me helikopter

Një vatër zjarri e cila përbën rrezik është përhapur këtë të shtunë në rrethin e Vlorës është ajo e Selenicës.

Zjarri që nisi dy ditë më parë në fshatin Pllocë ka kaluar shpatin e malit dhe është përhapur në fshatrat fillimisht Velcë dhe Ramicë, ndërsa tashmë pasi ka djegur sipërfaqe të mëdha tokë në disa fshatra ka përfunduar në fshatrat Verbas dhe Matogjinë. Aty ka rrezik edhe për banesa në zonë.

Për shkak të rrezikut të kësaj vatre aty kanë shkuar sot forcat e ushtrisë që po luftojnë me flakët jo vetëm kaq, por nga ajri po veprojnë edhe helikopter Couger që po hedhin ujë nga ajri për ta shuar.

/abcnews.al/

Zjarret/ 29 vatra në 24 orët e fundit, 13 ende aktive. Ministria e Mbrojtjes qytetarëve: Njoftoni autoritetet në çdo rast, strukturat në terren

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 13 vatra janë ende aktive dhe 6 vatra janë në monitorim.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Delvinë, Selenicë, Elbasan, Peqin, Dimal, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Tiranë, Fier e Kukës.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri, ku është përqendruar edhe puna e forcave operacionale:

–       Qarku Vlorë. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat. Në perimetrin e djegur ka prezencë të vogël tymi, pasi digjen trungje brenda tij dhe kjo vatër mbahet në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e plotë të zjarrit nga 7 efektivë të MZSH Vlorë dhe 4 forca të pyjores.

–       Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, njësia administrative Vergo, bashkia Delvinë, ka vazhduar puna për zjarrin e rënë në kullota. Ditën e djeshme ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 60 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së dhe gjithashtu janë asistuar nga helikopterë të FA-së dhe ata Hungarez.Gjatë operacionit pati djegie Shefi Komisariatit Delvinë, Agim Troci, si dhe 5 persona patën probleme nga asfiksia. Zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe janë përshkuar 10 banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Mbi fshatin Ploç, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë vazhdon aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurredhe ndodhet në një vijë të gjatë shtrirje të përhapur në kodrat në afërsi të fshatrave Velc – Ramic – Verbas – Matogjin të njësisë administrative Brataj. Ka prezencë të forcave operacionale, por për shkak të terrenit nuk mund të ndërhyjnë. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

–       Qarku Gjirokastër. Zjarri i rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, njësia administrative Cepo, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, për shkak se ishte në lartësi të madhe, forcat operacionale nuk mundën të ndërhyjnë ditën e djeshme dhe e mbajtën situatën në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale, pasi zjarri është afruar pranë tunelit të Skërficës.

–       Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Zjarri ka përshkuar mbi 350 ha sipërfaqe. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit . Në terren operuan 16 forca vendore dhe 30 efektivë nga FA, mbështetur edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Ditën e sotme zjarri zhvillohet në një perimetër me një shtrirje mbi 13 km, me zhvillime në tre kahe. Në njërin kah po zhvillohet nga Masdeja, ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje. Në njërin kah në vendin e quajtur Qafa e Tolle, ku rrezikohet një banesë, si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe, ku rrezikohen tre banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Në fshatin Ulëz, vatra e zjarrit është në monitorim dhe drejt izolimit të plotë. Sot janë angazhuar mbi 15 forca operacionale, të cilat po punojnë që të mos lejohet zhvillimi i zjarrit në vatra të ndezura brenda vatrës.

–       Vazhdon aktive, por me zhvillime të pakta, vatra e zjarrit të rënë në Livadhet e Peladhisë, e cila ka kaluar mbi fshatin Krajkë të bashkisë Bulqizë. Zjarri ka përshkuar mbi 40 ha sipërfaqe. Ditën e djeshme janë angazhuar në operacion 16 forca të bashkisë Bulqizë dhe zjarri është mbajtur nën monitorim për të ndaluar përhapjen e mëtejshme. Sot kjo vatër po vendoset nën kontroll nga 10 forca të bashkisë.

–       Qarku Elbasan. Nëz onën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë. Në terren u angazhuan rreth 50 forca, ku nga këta 20 janë forca ushtarake të FA-së dhe 30 forca janë të MZSH Elbasan, forca bashkiake dhe forca të pyjores. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Qarku Lezhë. Në zonën e Shkopetit. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth. Ditën e djeshme janë angazhuar 39 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë dhe 50 forca ushtarake të ndihmuar edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Nuk ka rrezik për banesat. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Qarku Korçë. Në fshatin Dishnicë. Vatra e zjarrit mbetet aktive, por me intensitet të ulët. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Zjarri në vendi i quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku është kjo vatër zjarri është i veshur me barishte e shkurre. Në vendngjarje ndodhen forcat operacionale, që po punojnë për neutralizimin e saj

–       Vatra në fshatin Strelcë, bashkia Maliq vijon në drejtim të Veriut. Vatrat e tjera janë të neutralizuara  dhe po mbahen në monitorim për të mos lejuar riaktivizim.

–       Po punohet për shuarjen e zjarrit  në fshatin Kriçkovë, njësia administrative Proptisht, bashkia Pogradec.

–       Qarku Berat. Në fshatin Muzhakë. Terreni është malor, pyll lisi dhe bimësi të dendur dhe vështirëson ndërhyrjen e punonjësve të zjarrfikëses, por situata është nën kontroll.

–       Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal. Zjarri është në kufi të dy bashkive Dimal dhe Berat (në fshatin Mbreshtan dhe Galinë). Gjatë natës zjarri ka përparuar në drejtim të fshatrave Mbjeshovë, dhe Bistrovicë. Dje është ndërhyrë edhe me 1 helikopter Hungarez H225M. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Në fshatin Zgërbon, bashkia Poliçan po vijon puna për shuarjen e flakëve nga forcat operacionale.

–       Qarku Kukës, në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë. Për shkak të terrenit të vështirë dhe largësisë, punonjësit e AdZM-së nuk kanë mundur të izolojnë vatrën e zjarrit. Ditën e sotme janë angazhuar 7 punonjës të AdZM Kukës, për shuarjen e zjarrit.

–       Në Malin me Gropa, saktësisht në vendin e quajtur Fusha e Stanëve, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një terren me barishte të buta. Sipërfaqja e djegur e raportuar është më shumë se 10 ha. Sot kjo vatër zjarri vazhdon të jetë aktive dhe po punohet me 30 forca operacionale MZSH dhe 11 forca AdZM.

Në total nga zjarret janë djegur mbi 450 hektarë sipërfaqe me bimësi, rrënjë ullinj e pemë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 485 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 140 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura e 2 helikopterë hungarezë.

Nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), sot nuk priten reshje shiu.

Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në të gjitha qarqet. Ndërsa temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 43 gradë celsius në zonat e ulëta.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara në të gjithë territorin e vendit, në ndjekje të situatës së krijuar nga zjarret. Në këto ditë me temperatura ekstreme, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast të konstatimit të vatrave të zjarrit.

Dy të lënduar nga zjarret/ Përveç shefit të Delvinës, pëson djegie në trup dhe një 42-vjeçar

Agim Troci, shefi i komisariatit të policisë së Delvinës pësoi djegie të shumta në trup, gjatë përpjekjes për të shpëtuar disa të moshuar në fshatin Vergo.

Agim Troci po kurohet në qendrën spitalore universitare nënë tereza, për trajtim më të specializuar mjekësor.

Siç shihet edhe në këto pamje, Agim Troci ka marrë plagë kryesisht në gjymtyrë dhe në pjesën e barkut.

Si fillim Troci mori shërbim mjekësor në spitalin e Sarandës, më pas u nis me helikopter për mjekim më të specializuar në Tiranë.

Në QSUT, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, vizitoi në urgjencë shefin e Komisariatit të Delvinës.

Presidenti vlerësoi aktin e guximshëm dhe përkushtimin e komisar Trocit.

“Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta. Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi – parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës.Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë”

Përveç shefit të komisariatit të Delvinës, i lënduar nga djegiet ka mbetur edhe një 42-vjeçar. Apostol Zhupa nga Kopaçeza pësoi djegie në përpjekjet për të shuar zjarrin që ra në fshat. Plagët I ka kryesisht në pjesën e gjoksit dhe shpatullës. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, 42-vjeçari u nis mbrëmjen e së premtes me ambulancë drejt Tiranës.

Vajza vrau babain në Fier, arrestohet bashkëpunëtori i 26-vjeçares

Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.

Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Çlirim Dogani 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Starmer nën presion për të ndjekur shembullin francez, mbi 200 deputetë letër për të njohur shtetin palestinez

Kryeministri britanik Keir Starmer është nën presion të vazhdueshëm për të njohur shtetin palestinez. Presioni është shtuar edhe më shumë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron i cili theksoi se Franca do ta njohë.

Rreth 221 deputetë kanë nënshkruar një letër duke kërkuar që Starmer të njohë shtetin palestinez.

Siç raportojnë mediat britanike, letra është organizuar nga deputetja e Partisë Laburiste, Sarah Champion e cila është gjithashtu edhe kryetare e Komitetit të Zhvillimit Ndërkombëtar.

“Njohja britanike Palestinës do të ishte veçanërisht e fuqishme duke marrë parasysh rolin e saj si autore e Deklaratës së Balfourit dhe Ish –Fuqia Mandatore në Palestinë. Që nga viti 1980 ne kemi mbështetur një zgjidhje me dy shtete. Një njohje e tillë do t’i jepte këtij qëndrimi substancë, si dhe do të përmbushte një përgjegjësi historike që kemi ndaj popullit nën atë Mandat.”, thuhet në letër.

Ndërkohë Starmer një ditë më parë deklaroi se situata në Gaza ka kaluar kufijtë e normale duk i quajtur “skena të tmerrshme dhe të pamëshirshme” pamjet dhe krizën humanitare që ka përfshirë vendin atje.

/abcnews.al/

Zjarrfikësit të angazhuar për shuarjen e zjarreve në Gjirokastër, po punohet për izolimin e vatrave edhe mbi tunelin e Skarficës

Situata me zjarret në Gjirokastër vijon të mbetet shqetësuese . Forcat zjarrfikëse janë angazhuar që prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e zjarreve.

Në terren janë angazhuar 17 punonjës të MZSH, 32 punonjës të shërbimeve publike dhe 14 pjesëtarë te (FA), të ndarë në dy grupe në fshatin Fushë Bardhë, për ndërprerjen e vijës së zjarrit që po avancon drejt zonës së banuar nga Delvina.

Një tjetër grup ndodhet mbi tunelin e Skërficës, ku po punohet për izolimin e vatrave të zjarrit të ardhura një ditë më parë nga Delvina, me synim bllokimin e përhapjes së flakëve në drejtim të Gjirokastrës.

Autoritetet lokale gjithashtu po ndjekin nga afër situatën dhe vijojnë koordinimin e plotë të forcave në terren.

Ekspertët: Ekonomia e Gjermanisë nuk duhet të nënvlerësohet

Kriza është dëgjuar shpesh si fjalë për ekonominë gjermane, po Gjermania ka bazë të fuqishme që i bën ekspertët të besojnë në fuqinë e ekonomisë më të madhe të BE. Ajo ka shanse të rikthehet fuqishëm.

Çfarë e bën Gjermaninë kaq të veçantë? Jörg Krämer, Kryeekonomist në Commerzbank, pohon: “Gjermania është e larmishme”. Ai thotë se Gjermania ka korporata të mëdha globale që kanë selinë e tyre këtu. Pothuajse edhe më të rëndësishme për të janë ndërmarrjet e shumta të vogla dhe të mesme.

Krämer i quan ato shtylla kurrizore e ekonomisë gjermane. “Ato janë fleksibël, kanë krijuar shumë vende pune në të kaluarën dhe paguajnë paga të mira.” Këto janë shpesh kompani inovative që janë liderë të tregut global në sektorët e tyre të specializuar.

Për dekada të tëra, këto kompani kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga globalizimi. Motoja ishte prodhimi “pikërisht në kohë”. Shumë – qofshin korporata globale apo kompani të mesme – e kanë përsosur këtë model. Problemi është që tani më kjo nuk funksionon pa probleme.

Energjia është bërë më e shtrenjtë, zinxhirët globalë të furnizimit janë ndërprerë. Konkurrentë të rinj po hyjnë në treg, duke vendosur standarde të tjera.

“Ne shohim pothuajse çdo ditë se si po ndryshon roli i superfuqive”, thotë ekonomisti Martin Lück. “Kjo është natyrisht e rëndësishme për shumë vende që janë veçanërisht të përfshira në tregtinë globale”.

Gjermania është një prej tyre. Prandaj, nuk është për t’u habitur që kompanitë industriale gjermane tani po përballen me vështirësi. Shumë organizata dhe institute kërkimore janë bërë pesimiste vitet e fundit. OECD, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashikon se Gjermania do të rritet më ngadalë se çdo vend tjetër i industrializuar në vitin 2025.

Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, beson se të paktën një rritje e vogël është e mundur këtë vit. “Për ekonominë gjermane, fundi i periudhës së gjatë të krizës është afër”, tha ai. Por situata mbetet sfiduese.

Megjithatë, ajo që po ndodh tani nuk është aq e pazakontë. “Gjithmonë ka pasur trazira dhe rivalitete ekonomike”, shkruan historiani ekonomik me bazë në Frankfurt, Werner Plumpe. Nuk keni pse të shikoni aq larg prapa: Në vitet 2008/2009, pati krizë financiare globale. Në vitin 2012, euro filloi të lëkundej.

Më vonë, efektet e pandemisë së koronavirusit rrënuan shumë kompani. Tani, konfliktet tregtare në rritje po bëhen problem. Krizat janë pjesë e ekonomisë dhe proceseve. Kompanitë reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj krizave, modelet ekonomike janë gjithmonë në sprovë. Ato tani po riorientohen dhe po rishikojnë proceset. E proceset e këtilla nuk janë të lehta dhe ndikojnë në prodhim por edhe në punësime./DW/

Britanikja emocionon duke kënduar shqip, Rama: Shqiptar bëhesh edhe me zemër, siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë

Britanikja Sara Payman ka emocionuar me zërin e saj duke kënduar këngë shqiptare. Video është ndarë nga kryeministri Edi Rama në Facebook.

Bashkangjitur videos së publikuar Rama shprehet se Sara Payman na kujton se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për Shqipërinë.

“MIRËMËNGJES dhe me emocionet e muzikës shqipe që buron nga britanikja Sara Payman, e cila i këndon këngët si të ishin të gjakut të saj, duke na kujtuar se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për këtë vend siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë, ju uroj një të shtunë të bukur”, shkruan Rama.

NASA njofton largimin e 20% të stafit të saj

Rreth 20% e fuqisë punëtore të agjencisë kombëtare të aeronautikës dhe hapësirës amerikane do të pushohet nga puna. Ky vendim është njoftuar nga një zëdhënës i NASA-s.

Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare rreth 3,870 punonjës pritet të largohen, por ky numër mund të ndryshojë në ditët dhe javët në vijim, sipas të njëjtit burim, i cili tha se numri i punonjësve në agjenci do të reduktohet në rreth 14,000.
/abcnews.al/

 

VIDEO/ Dëmtime të rënda dhe rrezik për sigurinë, mbyllet Ura e Milotit

Ura e Milotit është mbyllur plotësisht për qarkullimin rrugor, për shkak të dëmtimeve të rënda që rrezikonin sigurinë e përdoruesve të rrugës dhe qëndrueshmërinë e saj strukturore.

Vendimi u mor pas një vlerësimi paraprak të situatës nga një grup inxhinieresh të universitetit politeknik të Tiranës, të shoqëruar nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ata kanë qenë në terren për të shqyrtuar mundësinë e një zgjidhjeje të përkohshme, si dhe për të përcaktuar hapat për ndërhyrjen afatgjatë.

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Lezhës, Valmir Nikolli, bëri të ditur se për shkak të rëndësisë që ka kjo urë për qarkullimin, autoritetet janë në gatishmëri për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe se momentalisht mund të përdoret segmenti dytësor Lezhë-Milot-Rubik- rruga e kombit për të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt verilindjes dhe veriut te vendit si dhe drejt Kosovës.

Si pasojë e mbylljes së urës dhe fluksit të lartë të pushuesve drejt bregdetit të Shëngjinit dhe Velipojës, është krijuar trafik i rënduar në aksin Lezhë–Milot, por Nikolli sqaron se mbyllja ishte për të rritur sigurinë e përdoruesve të rrugës qe kalonin mbi urën e Milotit.

Nga vlerësimi teknik i bërë mbi urën, e cila ka një gjatësi prej 788 metrash, është konstatuar se ajo paraqet një rrezik serioz për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse. Këto dëmtime janë shkaktuar nga erozioni i theksuar dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit në shtratin e lumit Mat.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundimin e ndërhyrjes emergjente, e cila po realizohet në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe do të nisë në ditët në vijim.

Ndërkohë, ndërtimi i urës së re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, që realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

“National Geographic”: Zbuloni thesaret bregdetare të Rivierës Shqiptare

Plazhet e Shqipërisë do të kthehen në “hit” këtë verë. Vendi ballkanik shkëlqen me një thesar plazhesh kilometra të gjata të fshehura midis mbetjeve arkeologjike, shkruan Ana María González Franco në një artikull të botuar në botimin spanjoll të “National Geographic”.

Dalëngadalë, ky vend i bukur ballkanik po shfaqet si parajsa e pazbuluar e Mesdheut.

Sidoqoftë, ajo që është e qartë është se Shqipëria ka gjithçka që i nevojitet për t’u bërë destinacioni më i lakmuar evropian, me plazhe spektakolare për çdo turist.

Riviera Shqiptare shtrihet përgjatë një bregdeti të mrekullueshëm, me vende arkeologjike, histori interesante, veçori kulturore dhe kuzhinë të pasur – të cilat mund të gjenden në plazhet më të mira në Shqipëri.

Plazhi i Ksamilit: Një sintezë e plazhit të Rivierës Shqiptare

Nëse Shqipëria do të përmblidhej në një plazh të vetëm, fituesi do të ishte Ksamili.

Plazhi me të njëjtin emër dallohet për me rërën e bardhë si borë në një vijë bregdetare të thyer të përshkuar nga katër ishuj (Ishulli Binjak, Ishulli Smerald, Ishulli i Vogël dhe Ishulli i Gurit).

Gjenden disa plazhe të bukura me rërë të bardhë në Ksamil, megjithëse shumica janë private dhe drejtohen nga restorantet.

Fakti që ndodhet në jug të Sarandës, përballë ishullit të Korfuzit, e bën atë një destinacion shumë tërheqës si për shqiptarët ashtu edhe për turistët e huaj – që kalojnë kufirin jugor të vendit ose kalojnë me traget nga Italia ose Greqia.

Sikur të mos kishte arsye të mjaftueshme për të qenë një nga plazhet më të mira në Shqipëri, Ksamili është  vendi ideal për të eksploruar atraksione të tjera shqiptare si Syri i Kaltër dhe Parku Natyror i Butrintit, i shpallur Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Plazhi i Borshit: Disa kilometra i gjatë dhe me ujëra ngjyrë bruz

Rreth një orë larg me makinë nga Saranda përgjatë bregdetit Jon ndodhet plazhi më i gjatë në të gjithë Rivierën Shqiptare, Borshi.

Ky plazh është mbi 6 kilometra i gjatë dhe, përveç madhësisë së tij, shquhet për ujërat e tij të kristalta dhe malet gjigante me bimësi të harlisur që rrethojnë detin blu.

Kjo enklavë njihet për qetësinë dhe karakterin e saj të egër, duke e bërë atë plazhin e preferuar për turistët që kërkojnë të shpëtojnë nga turizmi masiv dhe “i civilizuar” i plazheve fqinje.

Megjithatë, ekzistojnë disa bare dhe restorante aty pranë, si dhe një parking i madh.

Plazhi i Gjipesë: Thesari i egër i Shqipërisë

Një nga thesaret më të çmuara në Rivierën Shqiptare është Plazhi i Gjipesë, një vend panoramik që magjeps me mjedisin e tij të egër natyror dhe perëndimet e diellit dhe lindjet ëndërrimtare, si dhe ujërat e tij të kaltra.

Pavarësisht se është një nga plazhet më të lakmuara, për të arritur atje, vizitorët duhet të ecin për rreth gjysmë ore, duke kaluar midis bunkerëve, duke kapërcyer shpatin e pjerrët dhe duke shmangur shkëmbinjtë e mëdhenj.

I vendosur në fund të kanionit me të njëjtin emër, gjiri i vogël është i rrethuar nga shkëmbinj gjigantë, duke e bërë atë një nga plazhet më piktoreske të Shqipërisë.

Plazhi i Dhërmiut: Urban, natyral dhe lokal

Si një nga plazhet më të mëdha urbane të Shqipërisë, Dhërmiu mirëpret vendasit dhe turistët e huaj që kërkojnë të gjitha lehtësitë që u nevojiten për të kaluar një ditë në plazh.

Qendra e qytetit është e ngritur dhe pranë detit, plazhi dhe shëtitorja janë qendra e aktivitetit veror, me bare dhe restorante, të cilat ofrojnë gjithashtu shezlongje dhe çadra me qira, pasi ka zona publike dhe private.

Drejt veriut, plazhi bëhet më shkëmbor dhe në periferi, mund të vizitoni gjire dhe shpella, duke përfshirë Drimadhes, një gji i bukur me rërë të bardhë me shkëmbinj, i arritshëm duke ndjekur një shteg midis pemëve të ullirit.

Plazhi i Jalës: Dita dhe nata

Në një vendndodhje strategjike midis Himarës dhe Dhërmiut, përtej fshatit Vuno, shtrihet plazhi i Jalës, një nga parajsat e bregdetit Jon, i fshehur midis kodrave të mbushura me ullishte dhe shtëpi.

Shkëmbinjtë e lartë rrethojnë gjiret e vogla të këtij cepi të Mesdheut, ku uji merr ngjyra të papërshkrueshme.

Bukuria e Jalës perceptohet për herë të parë nga kodra e lartë.
Përtej të qenit një vend ideal për t’u çlodhur apo për të praktikuar zhytje dhe sporte ujore, Jala është një destinacion i preferuar për turistët që kërkojnë jetën e natës.

Gjithashtu ka një numër të madh restorantesh dhe baresh aty pranë ku mund të provoni gatimet lokale.

Plazhi i Lukovës: Relaks në Rivierën Shqiptare

Lukovea është ideale për të shijuar qetësinë e Rivierës Shqiptare, pasi ndodhet në një mjedis natyror të pabesueshëm larg vendeve më të lakmuara bregdetare.

Kjo nuk do të thotë që plazhi i saj, Plazhi i Shpellës nuk ofron të gjitha lehtësitë, duke përfshirë qiranë e shezlongjeve dhe çadrave dhe një gamë restorantesh që ndërthurin kuzhinën mesdhetare me peizazhin marramendës.

Kushdo që kërkon një përvojë natyrore duhet vetëm të ngrejë sytë dhe të humbasë në ujërat kristalore dhe kontrastin e tyre me kodrat e gjelbra që ngrihen përreth.

Plazhi i Kakomesë: Gjysmëhëna shqiptare

Plazhi i Kakomesë është një mrekulli natyrore në formën e një gjysmëhëne të rrethuar nga bimësi e harlisur.

Peizazhi dominohet nga ujërat e tij mahnitëse. Përveç kësaj pamjeje idilike, Plazhi i Kakomesë – praktikisht i shkretë – ofron qetësi dhe mundësi për të shijuar panoramën madhështore.

Turistët mund të vizitojnë edhe Manastirin e Shën Marisë së Kakomës, një kompleks bizantin i shekullit XVI.

Porto Palermo: Gjeografikisht unik

Porto Palermo është padyshim një nga vendet më unike në Shqipëri.
I vendosur midis fshatrave të Himarës dhe Qeparosë, ai rrethohet nga një ishull i lidhur me bregdetin.

Pranë tij ndodhet Kalaja e Ali Pashës, nga ku mund të shijoni pamjet më spektakolare të zonës përreth.

Edhe pse bregdeti i Porto Palermos është shumë shkëmbor, ka plazhe të vogla me guralecë ku mund të hyni në ujë pa pasur nevojë të kaloni shkëmbinjtë.

Pavarësisht se është një nga vendet më të njohura në Rivierën Shqiptare, Porto Palermo nuk është prekur ende nga turizmi masiv, duke ruajtur karakterin e egër që e bën të gjithë këtë bregdet një sekret të madh… për momentin.

Plazhi i Qeparosë, shëtitja ideale

Plazhi i Qeparosë ofron disa nga perëndimet e diellit më të bukura në vend.

Është një vend ideal për t’u çlodhur, për të bërë zhytje ose për të notuar, si dhe për të bërë një udhëtim me varkë në shpellat dhe shkëmbinjtë përreth, apo për të ecur  deri në Majën e Çikës – nga ku mund të shijoni pamjet spektakolare.

Plazhi është i rrethuar nga një shëtitore, ku do të gjeni restorante dhe të gjitha lehtësitë për një ditë në plazh.

“Ngërçi politik”, afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do t’iu drejtohen sërish sot ulëseve të tyre në përpjekjen e radhës, e pesëdhjetë e treta, për të konstituuar Legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Vazhdimi i radhës mbahet nga ora katërmbëdhjetë, për herë të parë në më pak se 48 orë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela e 27 korrikut, deri më 8 gusht.

Kuvendi sipas kësaj mase të përkohshme do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30 -ditor, por nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht. Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK.

Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i takon pozita e kryeparlamentarit, mirëpo partitë tjera politike, ose nuk pajtohen për emrin e propozuar për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, ose për mënyrën e ndryshimit të votimit për të, nga të hapur në të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit.

Pas dështimit të tentativës së 52-të të premten, diplomatët perëndimorë, të pranishëm në seancë, shprehën shqetësim për krizën institucionale.

Kriza humanitare/ Një e katërta e fëmijëve dhe nënave në Gaza janë të kequshqyer

Njëzet e pesë përqind e fëmijëve të moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji, janë të kequshqyer, deklaroi organizata ”Mjekët pa Kufij (MSF).

Në klinikën e MSF-së në qytetin e Gazës, numri i njerëzve që vuajnë nga kequshqyerja është katërfishuar që nga maji, me 25 pacientë të rinj të pranuar çdo ditë.

Shkalla e kequshqyerjes së rëndë tek fëmijët nën pesë vjeç është trefishuar në dy javët e fundit.

MSF raporton se jo vetëm pacientët, por edhe stafi i kujdesit shëndetësor, “po fillojnë të vuajnë nga mungesa e ushqimit. Kjo nuk është vetëm uri, por uri e qëllimshme, e shkaktuar nga autoritetet izraelite”.

E shtunë e nxehtë, temperatura mbi 40 gradë celsius gjatë ditës

Vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme me temperatura që do të shkojnë mbi 40 gradë Celsius në disa qytete.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, por pa përjashtuar kalime të pakta të vranësirave në relievet malore në verilindje.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë 7-12 m/s.

 

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

DASHI

Një fundjavë veçanërisht dinamike dhe energjike për shumë prej jush. Yjet favorizojnë takime interesante për beqarët, ndërsa ata në një lidhje do mund të zgjidhin një keqkuptim të fundit.

DEMI

Marrëdhëniet do të jenë në qendër të vëmendjes gjatë orëve në vijim: mund t’ju duhet të sqaroni disa çështje me partnerin tuaj. Për sa i përket punës, është më mirë të shmangni zgjedhjet impulsive. Thjesht nuk është koha e duhur.

BINJAKËT

Momente qetësie dhe argëtimi do të karakterizohen këtë fundjavë. Kini kujdes, megjithatë, të mos bëni angazhime që absolutisht nuk mund t’i mbani.

GAFORRJA

Yjet ju sugjerojnë t’i kushtoni më shumë kohë jetës tuaj të dashurisë. Ata që janë vetëm mund të kenë një takim të veçantë. Sa i përket punës, do të duhet durim gjatë orëve në vijim. Shumë durim.

LUANI

Një fundjavë me mundësi të mëdha, veçanërisht për ata që kërkojnë stimuj të rinj pune. Në dashuri është më mirë të shmangni debatet e kota me partnerin. Kafshoni gjuhën para se të bëni dëm.

VIRGJËRESHA

Yjet favorizojnë relaksimin dhe reflektimin në këtë kohë të vitit. Është një kohë e mirë për të rimbushur bateritë dhe për të bërë atë që doni pa shumë shqetësime.

PESHORJA

Harmonia do të jetë protagonisti i këtyre ditëve në fund; një lajm i shkëlqyer për ata që kërkojnë stabilitet në dashuri. Për sa i përket punës, një vendim i rëndësishëm mund të sjellë përfitime në disa fusha.

AKREPI

Ditë me emocione të mëdha intensive. Mund të shfaqen disa tensione në familje apo me partnerin, por me qëndrimin e duhur gjithçka do të zgjidhet për mirë.

SHIGJETARI

Yjet favorizojnë udhëtimet dhe përvojat e reja gjatë orëve të ardhshme. Një kohë e shkëlqyer për t’u përfshirë, si në dashuri ashtu edhe në punë.

BRICJAPI

Parashikimi tregon nevojën për të gjetur një ekuilibër midis detyrave dhe relaksimit. Dëgjoni instinktet tuaja për të marrë vendimet më të mira. Bëje tani. Guxim!

UJORI

Ditë që do ja kushtoni kreativitetit dhe socialitetit. Njohuritë e reja mund të jenë interesante për të ardhmen.

PESHQIT

Dashuria do të jetë protagonistja e këtyre ditëve. Ata që kanë përjetuar pasiguri të fundit do të jenë në gjendje të sqarojnë çdo dyshim dhe të gjejnë qetësinë e humbur. Bëhu i zënë. Asgjë nuk vjen pa “punë”.

Ndërkombëtarët të zhgënjyer nga Kosova: Erdhëm me shpresë, por politika po zhgënjen popullin

Ambasadorët e shteteve perëndimore në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre pasi dëshmuan dështimin për të konstituuar Kuvendin për herën e 52-të.

Ambasadori i BE në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës se Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin.

“Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE”, tha Orav.

Një qëndrim të ngjashëm pati edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde, i cili tha se klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha ai.

Ambasadori britanik në Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një postimi në Facebook bëri thirrje që deri ditën e shtunë liderët politikë të gjejnë konsensusin për të kaluar këtë situatë.

“I lutem politikanëve të Kosovës të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe Kosova po hyn në territor të pashkelur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin domethënës politik dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, BE, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca ishin të pranishëm në seancën e së premtes, e cila dështoi.

/abcnews.al/

❌