TIRANË, 23 korrik/ATSH/ SPAK përfundoi hetimet në lidhje me mashtrimet me mikrokreditë, duke dërguar për gjykim 16 persona dhe 4 persona juridikë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se personat në fjalë akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet të paligjshëm në fushën e mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare.
Ndër të tjera është vendosur sekuestrimi i llogarive bankare me mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro. Këto shuma monetare janë sekuestruar në llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.
Të pandehurit janë:
Arben Meskuti, Elda Ibro, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Rigels Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari.
Personat juridikë “Micro Credit Albania” sh.pk. dhe “ADCA” sh.p.k, akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi personin juridik “Final” sh.p.k. dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”.
Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se të pandehurit dhe shoqëritë e sipërcituara kanë vepruar si shoqëri e vetme me karakteristika të qarta të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, qëllimi i skemës ishte të shumëfishojë në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave ligjore të larta, deri 2% në ditë.
Të mblidhte detyrimin e detyrimit duke e kaluar këtë detyrim me metoda të paligjshme edhe tek familjarë apo të afërm të debitorëve që nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare. Përmes ristrukturimit të kredisë detyrimi kalonte tek familjarë që kishin mundësi pagese.
Të kalonin pasuri/prona të paluajtshme në ankande fiktive, në pronësi të institucioneve financiare jo banka: Micro Credit Albania sh.a/sh.p.k (MCA) dhe Final sh.p.k.
Për realizimin e qëllimit kriminal, punonjësit e këtyre shoqërive të urdhëruar nga drejtuesit apo organizatorët e kësaj skeme, kryen qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre. Dhjetëra – mijëra llogari bankare të qytetarëve u bllokuan dhe qëndruan të bllokuara në kundërshtim me ligjin për disa vite. Pasuri të paluajtshme u sekuestruan për vlera detyrimi minimale dhe u kaluan në pronësi të shoqërive MCA dhe Final me ankande fiktive. Përveç pasojave të kundraligjshme ekonomike, veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar kriminal, ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale.
Sekuestrimet
SPAk njoftoi se është vendosur sekuestrimi për subjektet financiare MCA dhe Final mbi të gjitha asetet si pasuri të luajtshme dhe te paluajtshme të këtyre shoqërive.
Janë sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro.
Këto shuma monetare janë sekuestruar në llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.
The post Mashtrimet me mikrokreditë, SPAK dërgon për gjykim 16 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.