Protagonistët e komedisë “Pallati 176” në kinemanë verore të DPA-së
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Komedia brilante e Adelina Balashit, “Pallati 176”, u shfaq mbrëmjen e djeshme në kinemanë verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Megjithëse ka regjistruar një numër rekord shfaqjesh, pjesëmarrja e publikut tejkaloi parashikimet. Në aktivitetin e zhvilluar në oborrin e DPA-së, mes të tjerësh ishin të pranishëm edhe vetë aktorët protagonistë: Eva Alikaj, Gëzim Rudi, Elida Janushi, si edhe Edon Qesari, i biri i regjisorit të ndjerë Andon Qesari, dhjetëra qytetarë dhe dashamirës të filmit.
Nëndrejtoresha e përgjithshme e DPA-së, Marinela Ndria theksoi rëndësinë e vlerësimit të kontributit të artistëve shqiptarë, nëpërmjet risjelljes së realizimeve që i kanë rezistuar kohës. “Në këto dy sezone, asnjëherë kjo kinema verore nuk është mbushur kaq shumë. Falenderoj të gjithë kastin, të gjithë ato yje që i kemi lart në qiell sot”, tha Ndria.
Në vijim, e mori fjalën aktorja Janushi, e cila përshëndeti angazhimin e DPA-së lidhur me përzgjedhjen e kësaj shfaqjeje teatrale, në kuadër të sezonit artistik kushtuar komedisë. “Më bëhet qejfi që vitet kanë kaluar dhe “Pallati 176” mbetet në vëmendjen tuaj”, u shpreh Janushi.
Më tej, mbajti një fjalë rasti edhe aktorja Eva Alikaj, që nënvizoi se Ilir Bezhani (aktori që interpretonte Sandrin) e kishte parashikuar se kjo do të ishte një shfaqje që do të mbushte teatrin. “Jo vetëm që kishte të drejtë, por kjo i kaloi parashikimet e të gjithëve. Është kthyer në një kult”, tha Alikaj.
Në nderim të regjisorit Andon Qesari ishte i ftuar i biri, Edon Qesari, i cili tha se kjo vepër e mbajtur mend përmendësh, prapë vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut artdashës. “Krijuesit janë të pandërgjegjshëm se ç’janë duke bërë. Vetëm spektatorët arrijnë t’i ndërgjegjësojnë ata. Besoj se ky është rasti klasik se një vepër artistike jep përjetësinë”, vlerësoi Qesari.
Në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Kinemaja Verore e DPA-së, e cila ka një kapacitet prej 140 ulësesh, i adresohet veçanërisht nxënësve dhe studentëve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Së bashku me sallën e leksioneve dhe të trajnimeve, “Auditorin” dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore bashkëkohore.
/r.e/
The post Protagonistët e komedisë “Pallati 176” në kinemanë verore të DPA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.