Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula dhe instrumentistët e njohur Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si edhe kori i fëmijëve “Okarina”, sollën sot një atmosferë magjike në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit përmes koncertit “Meloditë e Mesdheut”.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cilësoi këtë aktivitet, si një koncert mbresëlënës dhe një udhëtim me meloditë më të bukura të Mesdheut, që përcolli emocione të forta dhe përjetime të rralla për qytetarët dhe turistët e shumtë.

“Një event i veçantë ku u takuan muzika, arti dhe historia e që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut”, tha Sako.

Koncerti kishte në program këngët e meloditë më të bukura të pellgut të Mesdheut.

Sopranoja Inva Mula erdhi me këtë koncert pas MIK Fest në Korçë, ku u zhvillua edicioni i tij i tetë.

/e.i//r.e/

The post “Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Truku interesant që ndihmon fëmijët të ecin për herë të parë pa mbështetje

Për shumë prindër, momenti kur fëmijët e tyre fillojnë të ecin është një arritje e madhe. Edhe pse çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet dhe secili është unik, ekzistojnë disa mënyra që prindërit mund të ndjekin për t’i ndihmuar të rrisin vetëbesimin kur përpiqen të ecin pa mbështetje për herë të parë.

Njëra nga këto metoda u bë virale në TikTok, nga një grua, e cila tha se këshillën të cilën e mori nga një prind tjetër, i funksionoi plotësisht.

E njohur me llogarinë e saj, @beth86455 në TikTok, Beth tregoi se vendosja e objekteve të vogla në duar e ndihmoi vajzën e saj të ecte vetë.

@beth86455My baby actually walked!! Not took steps, she WALKED! 😭♬ original sound – xspeed.audiosxx

“Takova sot rastësisht një zonjë që më pyeti nëse vajza ime kishte filluar të ecte. I thashë jo, dhe ajo më tha: ‘Mbaje në këmbë, vendosi dy objekte në duar dhe ajo do të ecë’”.

“Nuk po u besoja syve të mi!!”, duke iu referuar videos që tregonte vajzën e saj duke ecur e sigurt nëpër dhomë.

Në komente, edhe prindër të tjerë që kishin pasur sukses me këtë truk ndanë historitë e tyre, duke sugjeruar objekte që mund t’u jepen fëmijëve, si për shembull karota.

Megjithatë, jo të gjithë kishin pasur të njëjtin rezultat dhe disa prindër kujtuan të tjerët që të mos shqetësohen nëse fëmija i tyre ka nevojë për më shumë kohë. /Telegrafi/

The post Truku interesant që ndihmon fëmijët të ecin për herë të parë pa mbështetje appeared first on Telegrafi.

Nga lëmosha te puna e detyruar: Fëmijët në situatë rruge, një plagë sociale

Autore: Fjona Çela | Citizens.al | Tiranë

Fëmijët që shesin lule, pastrojnë xhamat e makinave, kontrollojnë kazanët e mbeturinave apo kërkojnë lëmoshë janë pamje e zakonshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Të pambrojtur, pa arsim dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, ata shpesh detyrohen nga të rritur – përgjithësisht të afërm – të punojnë për të siguruar të ardhura për familjen.

Shpesh përballen me dhunë, abuzim apo dhe trafikim seksual. Të ardhurat e tyre vijnë me një kosto të lartë për ta: humbjen e fëmijërisë dhe së ardhmes.

Shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë është problem i thellë social, ekonomik dhe kulturor. Detyrimi i të miturve për të lypur, apo dhe punuar, është një formë trafikimi dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Sipas Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHMDF), prirja është në rritje. Të dhënat e raportit vjetor (2023) flasin për 2,163 raste në situatë rruge që janë menaxhuar nga ASHMDF, prej të cilave rreth 47.5% (1,027) ishin raste të reja – në vitin 2022 pati 987 të tilla.

Nga fëmijët në situatë rruge, grupmosha më e shpeshtë është 13-15 vjeç, ndjekur nga 16-18 vjeçarët. Djemtë përbëjnë shumicën e tyre ndërsa më të ekspozuar duken fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane – ndër komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri.

Raporti i ASHMDF-së nënvizon se fëmijët në situatë rruge janë nga “grupet më të cenueshme” teksa “mungesa e shërbimeve sociale e përkeqëson situatën”.

Prirja konfirmohet edhe nga Linja Kombëtare për Fëmijët (ALO 116 111). Kjo organizatë raportoi për vitin që shkoi 256 raste të shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve, që përfshinin 473 fëmijë (389; 2023).

Ndërkohë, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, u evidentuan 87 raste të reja, që preknin 190 fëmijë.

Prirja për të shfrytëzuar fëmijët është më e përhapur në qytetet e mëdha, por nuk mungon as në zonat rurale. Përgjithësisht, skuadra të posaçme terreni për ndërhyrjen në kohë reale ka vetëm kryeqyteti, ndërsa në qytetet e tjera raportimet kufizohen vetëm në polici apo te punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve (PMF).

Nga raportet, kuptohet se rastet shtohen sidomos gjatë sezonit veror, kur ka flukse të shtuara turistësh. Fëmijët shfrytëzohen për të lypur, shitur sende në rrugë, kryqëzime, plazhe apo zona me lëvizje të mëdha.

Belioza Çoku, nga Linja Kombëtare për Fëmijët, shpjegon se nën këtë dinamikë, ku shpesh shfrytëzimi vijon deri në orët e vona të natës, “fëmijët ekspozohen ndaj rreziqeve të shtuara, përfshirë këtu trafikimi, apo dhe abuzimi seksual.”

Ajo thotë se të rriturit që i detyrojnë këta fëmijë, përgjithësisht kanë mungesë ndërgjegjësimi dhe informacioni për pasojat dhe penalitetet e shfrytëzimit që u bëjnë fëmijëve.

“Sfida mbetet trajtimi i rasteve të përsëritura, të njohura prej vitesh, për të cilat nuk janë marrë masat e duhura,” shprehet Çoku.

Shumë raste të fëmijëve në rrugë marrin ndihmë (si: trajtim mjekësor, psikosocial, edukativ etj.), por disa prej tyre kthehen sërish në rrugë. Sistemi i mbrojtjes nuk rezulton i efektshëm sa duhet. Për këtë ndikojnë burimet e kufizuara njerëzore, mungesa e ndëshkimeve dhe mosbashkëpunimi mes institucioneve.

Qendrat e përkohshme nuk garantojnë rehabilitim afatgjatë, ndërsa arsimimi mbetet i pamundur për shumicën e tyre.

Sipas Altin Hazizajt, drejtor i “Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri” (CRCA/ECPAT), mungesa e zbatimit të ligjit Nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” është një nga arsyet kryesore për përkeqësimin e situatës. Ai thekson se “Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sa i përket të drejtave të fëmijëve, sidomos në qasjet ndaj fëmijëve që shfrytëzohen”.

ASHMDF është institucioni që mban barrën kryesore të përgjegjësisë për gjendjen e fëmijëve në situatë rruge. Kjo Agjenci qeveritare koordinon sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe promovon të drejtat e tyre. Ajo ka pas një zinxhir institucionesh të tjera, por që sfida kryesore e tyre mbetet veçanërisht ndjekja penale e autorëve të shfrytëzimeve.

Në një kërkesë për informacion, ASHMDF tha për Citizens.al se gjatë vitit 2024 u ndoqën penalisht 23 të rritur që shfrytëzonin fëmijë, kjo pas referimeve të njësive të mbrojtjes së fëmijëve (NJMF).

Bashkitë kanë gjithashtu rol domethënës në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në situata rruge, por sipas Hazizajt puna e tyre “lë për të dëshiruar”.

Për të adresuar këtë problem kompleks, nevojitet një qasje më e kujdesshme dhe e integruar, që përfshin ngritjen e shërbimeve të specializuara për këta fëmijë, mbështetje për familjet e tyre, përmirësim të shërbimeve psiko-sociale në shkolla dhe forcim të kapaciteteve të punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve.

Paralelisht nevojitet ndërlidhje më e qëndrueshme dhe koordinim efektiv mes institucioneve, sistemit arsimor dhe sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, fushata ndërgjegjësimi për strukturat që ofrojnë ndihmë, plane me buxhete të mjaftueshme për strehim dhe punësim të familjeve në nevojë etj.

Edhe pse qeveria ka promovuar bashkëpunimin me organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për përmirësimin e situatës, përfshirë programe për integrimin e viktimave të trafikimit, shumë mbetet për t’u bërë.

The post Nga lëmosha te puna e detyruar: Fëmijët në situatë rruge, një plagë sociale appeared first on Citizens.al.

Birësimi në Shqipëri: Sistemi që “mban peng” fëmijët e braktisur

Autore: Ina Allkanjari | Citizens.al | Tiranë

Në dhjetor të vitit 2018, në maternitetin e Shkodrës u lind E.G. Menjëherë pas ardhjes në jetë, gjykata e shpalli të miturën të braktisur për shkak të problemeve të shëndetit mendor të nënës së saj biologjike. Ajo u dërgua në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër, ku kaloi vitet e para të jetës.

Pesë vite më vonë, Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) miratoi kërkesën për birësimin e saj nga një familje në Fier. Procesi u finalizua pa probleme deri në fund të vitit 2023, por pas vetëm disa muajsh, nëna birësuese, për shkak të vështirësive të hasura në prindërim, kërkoi që vajza të rikthehej në Shtëpinë e Fëmijës.

Rasti i E.G. është një nga shembujt që theksojnë dështimet në procesin e birësimit në Shqipëri. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në auditimin për vitin 2024, vuri në dukje mungesa të theksuara në vlerësimin e aplikantëve, monitorimin e periudhës së provës dhe mungesën e mbështetjes për familjet birësuese.

Raporti tregon se KSHB nuk reagoi në kohë për të ndjekur ecurinë e pas-birësimit në rastin e E.G dhe ka ndjekur procedurat në mënyrë formale, pa garantuar ndërtimin e një lidhjeje të vërtetë emocionale mes fëmijës dhe prindit birësues.

Komiteti i tha Citizens.al se çdo familje birësuese nënshkruan një marrëveshje pasbirësimi, ku përcaktohet monitorimi për dy vite, përmes katër raporteve të realizuara nga stafi i institucionit.

Sipas avokatit Gentjan Sejrani, ligji shqiptar për birësimin nuk përputhet me standardet e Bashkimit Evropian. Ai vë në dukje mungesën e kritereve të qarta për aplikantët, përfshirë gjendjen ekonomike, moshën dhe qëndrueshmërinë në marrëdhëniet familjare.

Ligji shqiptar i konsideron të braktisur fëmijët që nuk kanë kontakt me prindërit biologjikë për një periudhë prej 6 muajsh. Nën këtë cilësim ata futen në procesin e marrjes së statusit të jetimit.

Por sipas KLSH-së, mungesa e verifikimeve të rregullta nga KSHB ka krijuar pasiguri në procesin e marrjes së këtij statusi duke krijuar mundësi për keqkuptime dhe gabime.

Mangësitë në procesin e birësimit

KSHB mbikëqyr procesin e birësimit në Shqipëri që prej vitit 1993. Prej asokohe e deri më tani ky Komitet ka ndjekur 1,857 birësime, duke përfshirë edhe birësimet përtej kufirit.

Por në periudhën 2019–2024 birësimet janë ulur. Për këtë periudhë janë realizuar gjithsej 140 birësime, me vetëm 12 raste në vitin 2024 (6 djem dhe 6 vajza të moshës 1-4 vjeç). Kjo tregon një rënie të ndjeshme krahasuar me dy dekadat e para të funksionimit të KSHB-së.

Aktualisht, 27 institucione rezidenciale (9 publike dhe 18 jo-publike) ofrojnë përkujdesje për fëmijët, por cilësia e shërbimeve të tyre mbetet shqetësuese.

Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) thekson nevojën për mbylljen e institucioneve dhe kalimin në një sistem alternativ familjar të mirë-strukturuar. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një ligj të fortë për kujdesin familjar alternativ, duke përfshirë përkujdesjen përmes familjeve kujdestare të trajnuara dhe të mbështetura nga shteti.

“Asnjë fëmijë nuk duhet vendosur në institucion, ndaj ato të gjitha duhen mbyllur menjëherë,” thekson Hazizaj.

Ndërkohë, të dhënat e bëra me dije kreu i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve, Ilir Çumani, falsin për rreth 31 mijë fëmijë që konsiderohen jetimë, por shumë pak prej tyre kanë përfituar zyrtarisht statusin ligjor të jetimit. Kjo vonesë i pengon ata të futen në procesin e birësimit.

Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), raportoi në janar se gjatë vitit të shkuar statusin e kanë përfituar 255 jetimë (26 nga mungesa e të dy prindërve, 228 si të lindur jashtë martese etj.).

“Gjithashtu janë rinovuar rreth 500 statuse jetimi,” vijon SHSSH teksa Komiteti i tha Citizens.al se në pritje për birësim janë 30 aplikantë.

Hazizaj thekson se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve sociale dhe institucioneve të birësimit është një nga pengesat kryesore për një sistem funksional. Ai kritikon qasjen tepër të centralizuar të birësimit dhe sugjeron një reformim të thellë të sistemit.

“Ministria e Shëndetësisë ka pasur prioritete të tjera,” kujton Hazizaj teksa përmend se prej 5 vitesh organizata e tij ka ofruar praktikat më të mira të Britanisë.

“Çështja e ligjit dhe krijimit të familjeve për kujdes alternativ, njohur si ‘foster care’, është urgjencë kombëtare, ne kemi bërë gati dhe projekt-ligjin dhe shpresoj që tani ministria të jetë gati për këtë hap të madh.” tha Hazizaj sipas së cilit Shqipëria ka një sistem të centralizuar të ngjashëm me atë të periudhës së diktaturës.

“Birësimet ndërvendase” dhe mbështetja e mangët e familjeve kujdestare

Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) kryen dy lloje procedurash birësimi: vendas dhe ndërvendas. Ndërvendas cilësohen rastet ku fëmijës i duhet të shpërngulet nga vendi i origjinës në një vend pritës.

Nga viti 2019 deri më 2024 janë kryer 42 raste birësimi ndërvendas dhe KLSH ka zbuluar se 9 nga këto janë realizuar në shkelje të ligjit përmes agjencive të huaja ndërmjetësuese me licenca të skaduara dhe pa mbikëqyrje nga KSHB-ja duke u mjaftuar me raportet pasbirësuese të dërguara prej këtyre agjencive.

“KSHB nuk ka ushtruar asnjëherë mbikëqyrje të veprimtarisë së këtyre agjencive në vendin tonë,” thuhet në raportin e KLSH-së.

Në këtë kontekst, Altin Hazizaj nga CRCA shpreh shqetësimin për vijimin e birësimeve ndërvendase dhe apelon që ato të ndalohen deri sa të ndërtohet një sistem i ri. Nga ana tjetër avokati Gentjan Sejrani e sheh të domosdoshëm një monitorim më të rreptë të sistemit nga institucionet ligjzbatuese.

“Është e nevojshme monitorimi i institucioneve ligjzbatuese në rastet që vërehen abuzime të tilla. Ka nevojë për ndryshime ligjore në aspektin e monitorimit të jetës së të miturit pas birësimit,” thotë Sejrani.

Të dy, si Hazizaj dhe Sejrani, shohin si problematikë tjetër mungesën e mbështetjes së familjeve kujdestare. Ata theksojnë se ndihma që jepet nga shteti për këto familje është e pamjaftueshme duke i lënë ata vetëm në përballjen me vështirësi emocionale dhe financiare.

Sipas drejtuesit të CRCA sistemi vuan nga burokracia ku “non-sensi i madh është vendosja e një institucioni kujdesi shoqëror në varësi të ministrisë së Drejtësisë dhe jo ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.

Institucionalizmi dhe trauma e braktisjes

Një raport i Avokatit të Popullit ka konstatuar se shumica e fëmijëve që kalojnë në institucione përkujdesjeje sociale mbeten atje për periudha të gjata 1-7 vjet.

Një tregues shqetësues ky pasi nuk përputhet me parimin e interesit më të lartë të fëmijës duke shkaktuar shfaqjen te ta të sjelljeve agresive, vonesave të zhvillimit konjitiv, emocional për integrim social.

“Nga vlerësimi i informacionit të gjeneruar, koha e gjatë e qëndrimit të fëmijëve në institucion është problematike dhe mund të konsiderohet një formë neglizhence”, thuhet në raport teksa transferimi i vazhdueshëm nga një institucion në një tjetër theksohet si problem që thellon traumën.

Psikologia Ermela Shllaku, thotë për Citizens se trauma e braktisjes dhe qëndrimi i gjatë në institucione kanë pasoja serioze për zhvillimin psikologjik të fëmijëve. Sipas saj mungesa e një figure kujdestare të qëndrueshme ka ndikim negativ në aftësinë e fëmijës për të ndërtuar marrëdhënie të sigurta dhe për të zhvilluar vetëbesimin.

“Braktisja nuk është një ngjarje e izoluar, ajo krijon një zhvillim të brendshme që fëmija mund ta përjetojë si refuzim personal dhe ndjenjë pavlefshmërie”, shpjegon Shllaku.

Për këtë, për të ndihmuar fëmijët të përballojnë traumën e braktisjes, psikologia sugjeron përfshirjen e terapive të specializuara kognitivo-biheviorale, të njohura si CBT.

Përveç pasojave psikologjike, edhe kalimi nga institucioni në familje birësuese ose kujdestare është një fazë delikate që kërkon mbështetje dhe përgatitje të duhur për familjet. Mungesa e kësaj mbështetjeje dhe përgatitjeje mund të çojë në dështim të lidhjes familjare. Sipas Shllakut një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë psikologët.

The post Birësimi në Shqipëri: Sistemi që “mban peng” fëmijët e braktisur appeared first on Citizens.al.

Asnjë bazë për operacionin e lirimit të 2100 fëmijëve në ShBA

Pretendimi: 2100 fëmijë u shpëtuan nga kafazet nën bazën ushtarake të Liqenit China në Kaliforni, ShBA

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Një lajm i hatashëm që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se marinsat amerikanë shpëtuan 2100 fëmijë nga kafazet nën bazën ushtarake të Liqenit China në Kaliforni, ShBA.

Megjithatë, një kërkim me fjalë kyçe nuk rezulton ndonjë raportim nga media të besueshme, vendase apo ndërkombëtare. Një ngjarje kaq e pazakontë detyrimisht do të ishte raportuar në masë, nëse do të ishte e vërtetë.

Nga kërkimi rezultoi gjithashtu se ky ‘lajm’ ka qarkulluar dhe më parë në rrjet, të paktën që nga viti 2021.

Në asnjë nga këto postime nuk ofrohet ndonjë provë e besueshme për këtë pretendim të pazakontë. Për të mbajtur këtë sekret, qindra, nëse jo mijëra, personel civil/ushtarak duhet të kenë qenë të përfshirë në këtë komplot dhe mbulimin e tij. 

Ligji amerikan, për më tepër, nuk do të lejonte Pentagonin të dërgonte trupa për të trajtuar një krim jo-ushtarak. Kjo do të shkelte rregullin Posse Comitatus. Forcat për të kapur një rrjet pedofilësh do të duhej të ishin nga FBI ose një forcë policore shtetërore ose e qytetit, por jo Pentagoni. 

Postimi i mësipërm i referohet si burim “Task Forcës së Pentagonit kundër Pederastisë.” Kjo duket se është një keqpërkthim i Pentagon Pedophile Task Force, një grup që promovon teori konspirative rreth trafikimit dhe abuzimit të fëmijëve në ShBA, një projekt i gazetarit amerikan Timothy Holmseth.

Pretendimi se Marinsat Amerikanë shpëtuan 2,100 fëmijë nga bazat dhe bunkerët nëntokësorë në Kaliforni e ka origjinën në një video të Holmseth nga viti 2019, i cili pretendonte se informacioni vinte nga një burim anonim në Pentagon.

Holmseth është një gazetar investigativ nga Minnesota, i cili ka përhapur teori të pabaza rreth zhdukjes së fëmijëve dhe rrjeteve të trafikimit për vite me radhë. Holmseth pretendoi se ishte anëtar i “Task Forcës së Pentagonit për Pedofilët”, por sipas një zëdhënësi të Departamentit të Mbrojtjes të ShBA, nuk ekziston një departament i tillë në Pentagon. Për më tepër, në gusht 2018, Holmseth tha për VICE se ai ndan vlerat e QAnon. Informacioni për fëmijët e rrëmbyer që torturohen në tunelet nën qytete në të gjithë botën është pjesë e teorisë së konspiracionit të QAnon.

Sipas teorisë konspirative të QAnon, bota sundohet nga dishepujt kanibalë të Satanit, të cilët udhëheqin një rrjet trafikimi fëmijësh në shkallë globale. Mbështetësit e kësaj lëvizjeje besojnë se presidenti i ShBA, Donald Trump, po kryente operacione sekrete kundër pedofilëve që adhuronin Satanin dhe kujdestarëve të tyre, të cilët, sipas tyre, janë grumbulluar në qeverinë, biznesin dhe median amerikane. Siç pretendon QAnon, po zhvillohen operacione sekrete për të ndihmuar fëmijët në tunele.

Marc Klaas, një aktivist për fëmijët e zhdukur dhe babai i një vajze të vogël që u rrëmbye dhe u vra, Polly Klaas tha për Lead Stories:

“Sapo pashë emrin Timothy Holmseth, më nxiti të flas sepse në të kaluarën ai më akuzoi se kisha mbuluar vrasjen e Polly-t. Sipas kontakteve të mia në websleuths dhe Levi Page, Holmseth, udhëheqësi i të ashtuquajturës Task Forcë Pedofile të Pentagonit, është aktualisht një njeri i kërkuar i cili ka shkelur vazhdimisht një urdhër ndalimi kundër avokates nga Florida, Kim Picazio.”

Në vitin 2009, Kim Picazio përfaqësoi nënën e fëmijës së zhdukur Haleigh Cummings. Holmseth akuzoi Picazio për pjesëmarrje në vrasjen e Haleigh. 

The post Asnjë bazë për operacionin e lirimit të 2100 fëmijëve në ShBA appeared first on Faktoje.al.

Nis rikonstruksioni i plotë i Bibliotekës së Fëmijëve në Korçë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, njoftoi përmes rrjeteve sociale se një projekt i rëndësishëm po fillon.

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e plotë dhe rivitalizimin e Bibliotekës së Fëmijëve, e dhuruar për qytetin nga filantropi Thoma Turtulli. Biblioteka e Fëmijëve është një nga objektet më të rëndësishme të Korçës për sa i përket kujtesës historike dhe vlerave arkitekturore që mbart si objekt unikal dhe i realizuar me shumë dashuri e kujdes nga mjeshtrit e kohës.

“Pres me padurim që, pasi projekti të përfundojë, mbi 600 fëmijë të moshës deri në 15 vjeç, frekuentues të kurseve të teknologjisë dhe inovacionit, së bashku me qindra bashkëmoshatarë të tyre, frekuentues të librit, të kenë një ambient komod dhe dinjitoz dhe që amaneti i Thoma Turtullit, për një rini larg kafeneve dhe pranë dijes, të vazhdojë të përmbushet në përjetësi”, u shpreh kryetari i Bashkise Korçë.

Projekti për restaurimin dhe rijetëzimin e saj, i pari në këtë shkallë ndërhyrjeje që nga ndërtimi i objektit, është realizuar nga Bashkia Korçë me konsulencën e specialistëve të restaurimit dhe është miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Restaurimi synon të nxjerrë në pah vlerat e degraduara në vite, si dhe të krijojë ambient komod pa ndryshuar funksionin aktual, për t’i shërbyer fëmijëve, duke ndërthurur leximin e librit tradicional me elementet e teknologjisë dhe inovacionit.

Objekti është në fazën e përgatitjes së kantierit për fillimin e punimeve ndërtimore, si dhe ka filluar puna për restaurimin e disa elementeve identitarë të objektit, siç është portoni hyrës. /j.p/

1 nga 2

The post Nis rikonstruksioni i plotë i Bibliotekës së Fëmijëve në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Okulistja: Ekranet po dëmtojnë shikimin e fëmijëve

Numri i fëmijëve me syze optike po shtohet dita ditës. Mjekët okulist fajësojnë për këtë rritje ekspozimin përpara ekraneve qoftë të telefonave smart phone por edhe kompjuteri apo televizori.

Në një kohë kur fëmijëve ju kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i vitit shkollor mjekja ka një apel për prindërit.

Për të kapur në kohë problematikat e lidhura me shikimin, Ministria e Shëndetësisë po aplikon në shkollat programin kombëtar të depistimit.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024, i vizituan mbi 87 mijë fëmijë prej të cilëve  9711 nxënës janë referuar për vizitë tek mjeku specialist si pasojë e problematikave të shfaqura.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Okulistja: Ekranet po dëmtojnë shikimin e fëmijëve appeared first on Euronews Albania.

Konsumimi i ushqimeve jo të shëndetshme nga fëmijët, nutricionistja tregon pasojat

Puntata e radhës në Health O’Clock ju kushtua fëmijëve, me rastin e 1 Qershorit.

E ftuar në këtë episod ishte nutricionistja Albana Daka, e cila foli në lidhje me ushqyerjen dhe ndikimin që ajo ka në shëndetin e fëmijëve.

Nutricionistja Daka renditi dëmet që shkaktohen nga konsumimi i ushqimeve jo të shëndetshme.

Ajo theksoi se përveç problematikave që sjellin për shëndetin e fëmijës, këto ushqime ndikojnë edhe në shtimin e rasteve me mbipeshë, por pa përjashtuar edhe rastet e nënpeshës.

“Dëmet nga konsumimi i ushqimeve jo të shëndetshme te fëmijët prekin sistemin imunitar. Kur themi ‘sistem imunitar i dobët’, kjo reflektohet me një sëmundshmëri më të lartë, probleme me lëkurën si dermatitet, dhe shqetësime në traktin tretës. Një fëmijë që konsumon çdo ditë, ose disa herë në ditë, produkte me përmbajtje të lartë sheqeri apo kafeine, reflekton këto ndikime edhe në sjellje – bëhet më i irrituar, hiperaktiv dhe nuk i përgjigjet mirë kërkesave të të rriturve”, tha Daka.

Ajo shtoi se përthithja e elementeve ushqyes që vijnë nga ushqimi cilësor ulet ndjeshëm kur konsumohen produkte të përpunuara.

“Zorra dëmtohet nga sasitë e larta të konservantëve, gjë që sjell përthithje të ulët të hekurit dhe mineraleve të tjera. Kjo pasqyrohet me raste të anemisë, dhimbje barku, apo çrregullime në jashtëqitje. Këto shenja, edhe pse të vogla në fëmijëri, thellohen me kalimin e viteve dhe ndikojnë në adoleshencë – ku fëmijët rrezikojnë të kalojnë në mbipeshë ose nënpeshë,” – u shpreh ajo.

Daka vuri në dukje se në zonat rurale, konsumi i ushqimeve të paketuara është më i lartë, çka e përkeqëson gjendjen ushqyese të fëmijëve të moshës 0 deri në 5 vjeç.

“Kequshqyerja në këtë moshë çon në dëmtime të sistemit imunitar, e për pasojë, këta fëmijë kur të arrijnë moshën adulte, nuk do të jenë aq të shëndetshëm sa duhet,” – përfundoi Daka.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Konsumimi i ushqimeve jo të shëndetshme nga fëmijët, nutricionistja tregon pasojat appeared first on Euronews Albania.

Dita e fëmijëve/ 1 Qershori, jo vetëm lodra e argëtim, por edhe kërkesa

Fëmijët festojnë 1 Qershorin.  Kjo është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e vogëlushëve bëhet me lojëra festive.

Në 1 qershorin e tyre, fëmijët luajnë dhe argëtohen me njëri tjetrin, ndërsa atmosferën e tyre e ndjekin nga afër me emocion prindërit.

Mes lojërave dhe kërcimeve, përcjellin urimet e sinqerta për njëri tjetrin.

Në ditën e festës së tyre, kërkesat për prindërit i kanë të qarta.

Kjo ditë kujton rëndësinë që institucionet dhe shoqëria në tërësi të punojë për të siguruar një të ardhme të sigurt për të vegjlit, duke garantuar të drejtën e tyre për jetë të lumtur, arsim cilësor, mbrojtjen nga dhuna dhe barazi e dashuri./abcnews.al

 

“Ec me fëmijët” mbush rrugët e Prishtinës me ngjyra e gëzim në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Në Prishtinë sot u festua Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve me një atmosferë festive, përplot ngjyra, kreativitet dhe energji pozitive.

Parada “Ec me fëmijët”, e organizuar në zemër të qytetit, mblodhi rreth 230 fëmijë që morën pjesë me punime artistike, performanca dhe aktivitete të ndryshme argëtuese.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh i emocionuar nga pjesëmarrja dhe entuziazmi i fëmijëve.

“Gëzimi i fëmijëve sot e mbushi zemrën e Kryeqytetit! Parada ‘Ec me fëmijët’ solli ngjyra, kreativitet e energji të pastër nëpër rrugët e qytetit tonë,” shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Rama theksoi se Prishtina është qytet i së ardhmes, dhe se kjo e ardhme ka fytyrën e qeshur të fëmijëve.

“Kjo ditë u shndërrua në një festë të vërtetë për fëmijërinë,” u shpreh ai, duke shtuar se ky është vetëm një nga hapat drejt krijimit të një qyteti më të gëzueshëm dhe gjithëpërfshirës për të vegjlit. /Telegrafi/

The post “Ec me fëmijët” mbush rrugët e Prishtinës me ngjyra e gëzim në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve appeared first on Telegrafi.

Infektimi i fëmijëve me salmonelë në Gramsh/ PD: Bashkia nuk mban përgjegjësi, kompania e përfshirë në korrupsion vazhdon të fitojë ende tendera

✇Albeu
By: V K

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, ka reaguar lidhur me skandalin e infektimit të fëmijëve me bakterin salmonela në çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Gramshit, duke akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë, Besion Ajazi, për fshehje të të vërtetës dhe shpërdorim të fondeve publike.

Genta Vangjeli, theksoi se kryebashkiaku ka mashtruar opinionin publik kur tha se; “nuk kishte dijeni për emrin e kontraktorit”, “nuk dinte vlerën e tenderit” dhe se “nuk mund të dinte gjithçka për një kontratë të prokurimit”.

PD thekson se kompania fituese, ‘Nelsa shpk’, ka një të kaluar problematike. Sipas saj, në vitin 2018 kjo kompani ishte pjesë e një çështjeje të njohur për korrupsion në tenderat publikë dhe u përfshi në një vendim penal të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.

Deklarata e Vangjelit:

Kur gazetarët e pyetën për kontraktorin që zbatonte kontratën lidhur me fenomemin e infektimit të fëmijëve me bakterin salmonella në Gramsh, kryetari i kësaj bashkie ndër të tjera tha se … nuk e kishte idenë të thoshte emrin, por ishte një kompani që rezultoi fituese nga procedura e prokurimit … nuk mund të dinte kryetari i bashkisë sa është vlera e tenderit… dhe se ndonjë prind po shfrytëzonte rastin e fëmijës së tij për të bërë politikë….

E vërteta është që në zbatim të nenit 73 të VKM nr.281/2021 i ndryshuar për miratimin e rregullave të PP, në cilësinë e titullarit të AK , Kryetari i Bashkisë e di mirë vlerën e tenderit sepse ka firmosur Urdhërin e Prokurimit, miraton raportin pёrmbledhёs të procedurës së prokurimit dhe adresimin e çështjeve apo problematikave që mund të dalin nga ky raport, e di mirë se kush është kontraktori sepse ekziston një kontratë e nënshkruar për këtë qëllim në datën 12 Dhjetor 2023 ndërmjet Bashkisë Gramsh dhe kontraktorit ‘Nelsa shpk’ me objekt Blerje mallra ushqimore për plotësimin e nevojave të çerdheve, kopshteve dhe konviktit të shkollës së mesme me afat 24 muaj.

Kujtojmë se në vitin 2018, një tender i ngjashëm për blerje ushqimesh ka qenë shkaku i dënimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, për korrupsion në tenderat e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ish drejtorine e burgjeve dhe të tjerë biznesmenë përfshirë kompaninë Nelsa shpk e cila në atë kohë kishte pronar babain e zonjës që mban pronësinë aktuale.

Edhe pse subjekt i dënimit nga gjykata, sipas spending data, dëshmohet se autoritetet kontraktore kanë kualifikuar dhe lidhur kontrata me këtë operator në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik neni për kriretet detyruese për skualifikim pika 1/b ( LPP Nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar neni 45 pika 1/b, dhe LPP aktual nr.162, datë 23.12.2020 i ndryshuar, neni 76 pika 1/b) .

Sipas opencorporates.al, ky operator ka regjistruar 8.5 mil euro kontrata publike përfshirë edhe periudhën pas dënimit gjyqësor të formës së prerë.

Duke kujtuar Kryetarin Besjon Ajazi se mban përgjegjësi menaxheriale përfshirë edhe përdorimin e fondeve publike sipas nenit 8 dhe 9 të ligjit NR. 10296, DATË 8.7.2010, ‘Për menaxhimin financiar dhe kontrollin’ i ndryshuar, apelojmë organet ligjzbatuese të identifikojnë dhe penalizojnë përgjegjësit konkretë të kësaj ngjarjeje.

Fëmijët nuk mund të jenë të pasigurt…. shqiptarët nuk mund të jenë të pasigurt për papërgjegjshmërinë e shtetit.

The post Infektimi i fëmijëve me salmonelë në Gramsh/ PD: Bashkia nuk mban përgjegjësi, kompania e përfshirë në korrupsion vazhdon të fitojë ende tendera appeared first on Albeu.com.

Kryeministri Rama uron 1 qershorin, Ditën e Fëmijëve

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme në mbarë botën festohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.

Përmes një postimi të shkurtër në llogarinë e tij personale në “Facebook”, kryeministri Edi Rama, e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele, me një urim shumë të veçantë për fëmijët.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, u shpall më 1925-ën nga Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve, në Zvicër.

Kjo ditë synon t’u kujtojë të rriturve të mbrojnë fëmijët nga çdo lloj abuzimi dhe t’u krijojë atyre mundësitë për të ngritur të ardhme të paqtë.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve kremtohet në fillim të qershorit, kryesisht në vendet e ish- bllokut komunist, ndërsa shumë vende të tjera të botës e kremtojnë në 20 nëntor, që përkon me Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.

Në disa shtete nuk ka një ditë feste, por plot një javë festime, duke e quajtur Java e Fëmijëve.

 

The post Kryeministri Rama uron 1 qershorin, Ditën e Fëmijëve appeared first on Albeu.com.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Fëmijët festojnë sot ditën e tyre Ndërkombëtare ndërsa të rriturit i bashkohen kësaj dite me ndërgjegjësimin për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar.

Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.

Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.

Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

The post Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron 1 qershorin, Ditën e Fëmijëve

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Në mbarë botën festohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.

Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë fëmijët përmes një mesazhi në rrjetet sociale së bashku me foton me dy fëmijë.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shpall më 1925-ën nga Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve, në Zvicër.

Kjo ditë synon t’u kujtojë të rriturve të mbrojnë fëmijët nga çdo lloj abuzimi dhe t’u krijojë atyre mundësitë për të ngritur të ardhme të paqtë.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve kremtohet në fillim të qershorit, kryesisht në vendet e ish- bllokut komunist, ndërsa shumë vende të tjera të botës e kremtojnë në 20 nëntor, që përkon me Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.

Në disa shtete nuk ka një ditë feste, por plot një javë festime, duke e quajtur Java e Fëmijëve. /j.p/

The post Rama uron 1 qershorin, Ditën e Fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, si lindi historia e 1 qershorit

✇Albeu
By: V K

Çdo vit, më 1 qershor, vende nga e gjithë bota festojnë Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, një ditë e veçantë që i kushtohet më të vegjëlve të shoqërisë sonë.

Kjo ditë nuk është vetëm një moment për lojë dhe argëtim, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi të drejtat, mirëqenien dhe mbrojtjen e fëmijëve kudo në botë.

Fëmijët e të gjitha moshave, në këtë ditë, duan të ndihen të lumtur, të dashur dhe të festojnë së bashku me familjen dhe bashkëmoshatarët e tyre.

Në qytete e fshatra, organizohen aktivitete të shumta festive nga koncerte, paradat e fëmijëve, lojëra të ndryshme deri te ekspozita dhe aktivitete sensibilizuese.

Megjithatë, Dita e Fëmijëve nuk është thjesht një festë. Ajo ka edhe një mision më të thellë: të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi.

Është dita kur vetë fëmijët mund të ngrejnë zërin për të drejtat e tyre, duke e bërë këtë në mënyrën më të bukur që njohin – përmes lojës dhe festës.

Historia e 1 Qershorit si Dita e Fëmijëve

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u vendos më 1 qershor në kujtim të Konferencës Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve, mbajtur në Gjenevë më 1925.

Në të njëjtën ditë, në San Francisko, konsulli i përgjithshëm i Kinës organizoi një festë për një grup fëmijësh jetimë në kuadër të Festivalit të “Anijes së Dragoit”. Këto ngjarje simbolike shënuan fillesën e një feste që do të merrte përmasa globale.

Që nga viti 1927, kjo ditë filloi të festohej zyrtarisht në shumë vende të botës, për të vijuar deri më sot si një nga datat më të dashura për fëmijët dhe familjet.

Edhe në Shqipëri, 1 Qershori është një ditë plot ngjyra, ku fëmijët janë në qendër të vëmendjes. Institucionet arsimore, bashkitë dhe organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve organizojnë aktivitete të shumta për t’u dhuruar fëmijëve një ditë të paharrueshme.

Nga panairet me lodra dhe libra, deri te shfaqjet teatrale, konkursët artistikë dhe mesazhet sensibilizuese – gjithçka përqendrohet në një qëllim të vetëm: të bëjmë fëmijët të ndihen të sigurt, të dashur dhe të rëndësishëm.

The post Sot Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, si lindi historia e 1 qershorit appeared first on Albeu.com.

Sot 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Sot të gjithë fëmijët gëzojnë festën e tyre, 1 Qershorin. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjithë qytetet.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre! / KultPlus.com

Ajo çfarë na mësoi fëmijëria jonë për prindërimin

Nga Albert Vataj Pavarësisht se janë shkruar libra të panumërt, janë krijuar vepra arti në të gjitha gjinitë dhe zhanret, janë endur histori e janë modeluar sjellje prindërore, gjithçka e thënë dhe e bërë rezulton e pamjaftueshme. Sepse nuk ka një formulë të përkryer për të rritur dhe edukuar një fëmijë, as për të qenë një prind ideal. Gjithsesi, mësuesi më i pagabueshëm është përvoja…

Source

“Pas verifikimeve zyrtare…”/ Helmimi i fëmijëve në Gramsh, reagon AKU: Postimet e shpërndara, nuk janë të sakta

Sipas AKU-së, mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve, si dhe te furnizuesi që ka shpërndarë produktin në institucionin parashkollor, kanë rezultuar negative për praninë e bakterit Salmonelë. Po ashtu, edhe ferma e shpendëve e cila ka prodhuar vezët është testuar gjatë muajit maj 2025 dhe është konfirmuar se shpendët janë të shëndetshëm.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar zyrtarisht me rezultatet e verifikimeve dhe analizave laboratorike në lidhje me vezët e kontaminuara me slamonelë që solli edhe helmimin e fëmijëve në një kopsht në Gramsh.

Në të kundërt, mostrat e marra në ambientet e Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar pozitive për Salmonelë, çka sugjeron se kontaminimi ka ndodhur brenda vetë institucionit dhe nuk lidhet me vetë produktin ushqimor.

AKU nënvizon se deri në këto momente, nuk ka pasur raste të tjera të ngjashme në subjekte të tjera ushqimore, dhe se komunikimi ndër-institucional po vijon për monitorimin e situatës.

Njoftimi i plote i AKU:

Në lidhje me situatën e ndodhur në Kopshtin Nr. 1, në qytetin e Gramshit sqarojmë opinionin publik se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas verifikimeve zyrtare të gjurmueshmërisë për produktin VEZË konfirmon:

Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp. Gjithashtu nga komunikimi me Shërbimin Veterinar Rajonal pranë AKU është bërë e ditur se ferma e shpendëve është testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë, rezultati i së cilës ka qenë negativ (shpendë të shëndetshëm).

Mostrat e marra në subjektin e furnizuar nga prodhuesi dhe njëkohësisht furnizues i Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp.

Mostrat e marra në subjektin Kopshti Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelë spp.
Nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve ne Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë).

Vlen të theksohet se nga komunikimi me njësitë e NjKVSh nuk kemi pasur raste të tjerë problematikë me Salmonelë spp, për të cilët jemi në komunikim të vazhdueshëm ndër-institucional.

Nga ana tjetër, postime të shpërndara në rrjete të caktuara sociale, të ndryshme nga ky njoftim zyrtar i AKU, nuk janë te sakta dhe në vetvete përbëjnë dezinformim publik

Kjo për arsye se komentet mbi ngjarjen dhe rezultatet e analizave në fjalë nuk mund të ndalen vetëm në komentimin e analizave të mostrave te Kopshtit Nr. 1 Gramsh, subjekt i ngjarjes.

Në zbatim të Ligjit Nr. 9863 “Per Ushqimin” (i ndryshuar), VKM 760, datë 16.09.2015 “Për Kërkesat Për Gjurmimin dhe Ushqimit Për Kafshë Përgjatë Zinxhirit Ushqimor” saktëson proceset e gjurmueshmërisë për rastet kur produkti ushqimor rezulton i dëmshëm.

Kushdo që ndjen nevojën e komenteve në raste të tilla duhet të jetë në pritje për sa kohë procesi i gjurmueshmërise dhe analizat respektive nuk kanë dalë për të gjitha hallkat e procesit të gjurmueshmërisë, i cili kalon nga subjekti i ngjarjes, tek furnizuesi dhe deri tek prodhuesi.

Duhet mbajtur parasysh se në të ardhmen kushdo që do të bëjë deklarata të papërgjegjshme apo të pasakta mund të jetë objekt i një procedimi penal.

Analizat e konfirmuara sipas ketij informimi publik te AKU në lidhje me rezultatet negative për Salmonelë spp tek subjekti prodhues dhe tek subjekti furnizues, nxjerrin në pah pasaktësinë e postimeve të caktuara në rrjete sociale.

Në zbatim të detyrimit ligjor, me angazhimin e vet të drejtpërdrejtë dhe në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, AKU do të mbetet në komunikim të vazhdueshëm në vijim.

The post “Pas verifikimeve zyrtare…”/ Helmimi i fëmijëve në Gramsh, reagon AKU: Postimet e shpërndara, nuk janë të sakta appeared first on Sot News | Lajme.

Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Gramshit,vezët dyshohen të kontaminuara me salmonelë

Helmimi i të miturve në një kopsht në Gramsh mësohet ka ndodhur për shkak të vezëve me salmonelë. Burime thonë se vezët e përdorura në kopshtin nr 1 në Gramsh kanë qenë të kontaminuara. Analizat e AKU-së nxorën se mishi i pulës dhe qumështi rezultuan negativ.

Skandali i salmonelës në kopshtin e fëmijëve në Gramsh u identifikua kur disa fëmijë shfaqën simptoma të njëjta të sëmundjes duke nxitur dyshime te mjekët të cilët kërkuan analiza të mëtejshme.

ISHP kreu analizat për 79 persona të këtij kopshti, ku 17 prej tyre rezultuan pozitiv me virusin e rrezikshëm, 16 fëmijë dhe psikologia e kopshtit. AKU ka marrë masën e pezullimit të aktivitetit të Kopshtit nr.1 në Gramsh deri në përfundimit e të gjithë analizave dhe dezinfektimeve të mëtejshme. Ndaj këtij rasti tashmë ka nisur dhe një hetim nga prokuroria e Elbasanit për zbardhjen e rrethanave të infektimit.

 

The post Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Gramshit,vezët dyshohen të kontaminuara me salmonelë appeared first on Lapsi.al.

‘Crescendo’ sjell për herë të parë në Kosovë Festivalin e Koreve të Fëmijëve

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Kishën Katolike “Shën Ndou” , është mbajtur edicioni i parë i Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, me pjesëmarrjen e koreve “White Voices”, “Amadeus”, “Siparantum Kids” dhe “Okarina”, shkruan KultPlus.

Si asnjëherë më parë, ky aktivitet ka grumbulluar dhjetëra talentë të rinj të cilët i dhanë një dimension tjetër artit koral, të kultivuar ndër vite nga shpirti artistik i dirigjentëve Artan Jerliu, Vehbi Shosholli, Memli Kelmendi dhe Elikonë Hysaj- Shala.

Kori i fëmijëve “White Voices” ishin të parët që interpretuan në këtë mbrëmje plot magji. Si një burim i pastër në eter ky kor emetonte frekuenca të lehta, të brishta dhe plotë dashuri me veprat: “Canon of Praise from “Kanon” Johann Pachelbel” nga Hal H. Hopson dhe “Solfege Simphony” nga Cristi Cary Miller. Ndërkaq, vepra “Trim Vigan Pjetër Bogdani” nga Gjon Gjevelekaj që himnizonte kontributin e këtij personaliteti zgjonte krenari dhe një dhimbje njëkohësisht, të cilat zbuteshin në ndjenja melankolie vetëm nga interpretimi i “zërave të bardhë”.

Përmes tre këngëve të tjera në skenën me akustikë të jashtëzakonshme u prezantua edhe kori i fëmijëve “Amadeus”. Këngët për arbëreshë dominuan në këtë paraqitje fantastike të korit, emri i të cilit lidhet ngushtë me gjeniun e madh të artit muzikor “Moxart”, talentin hyjnor dhe pasionin artistik. Valë- valë deri në palcë përcillej malli shpirtëror shekullorë i këtij komuniteti ndaj atdheut të tyre përmes veprave “Këndojmë me mall” dhe “Kushtrimi Arbëresh”- Rauf Dhomi. Kurse, vepra “O sole mio” nga Eduardo di Capua dëshmonte nivelin e lartë interpretativ të fëmijëve edhe në vepra të njohura botërore.

Kori i fëmijëve “Siparantum Kids” përmes paraqitjes së tyre i dhanë skenës një energji më gjallëruese. Zëri i tyre plotë jetë i kombinuar së bashku me lëvizjet trupore shpërfaqte në plotni natyrën fëminore plot energji, gaz, hare dhe ëndërra. Me veprën Fruit Canon (Mango Mango Mango) fëmijët morën me vete në interpretim edhe publikun në sallë, që gjatë tërë mbrëmjes ndiqte performancat me admirim. Në koncert u interpretuan edhe veprat “Pranvera” nga Enver Stafai dhe “The Rhym of Life” nga Cy Colman, që zbërtheheshin në emocione për të shpërthyer në duartrokitje më pas.

Kurse, kori i fëmijëve “Okarina” me këngën “Nothing else matters” nga Metallica me zërin e tyre kristal përmes një refreni emocional perifrazonin në mënyrën më të qiltër të mundshme se asgjë tjetër nuk ka rëndësi përveq asaj që njeriu e ndien. “Revolting Children”- Musical “Matilda” u dha po ashtu në skenën që mbante përplot talente. Kurse, kënga labe “Janinës ç’i panë sytë” me solisten Tuana Krasniqi përmes një timbri të fuqishëm që shpërfaqte guxim shpërthente në sfond me dhetëra zëra të butë okarinash, duke i dhënë origjianlitet këngës labe dhe fuqi potencialit të tyre artistik.

Në këtë mbrëmje të veçantë me vepra klasike, bashkëkohore dhe tradicionale, si korepetitorë u prezantuan: Etrita Hasani, Anjeza Namligjiu dhe Agron Shujaku.

Pas koncertit, në një prononcim për KultPlus drejtoresha Diana Toska ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që ka arritur të jetësojë ëndërrën e saj, atë të organizimit të një festivali të koreve të fëmijëve.

“Me shumë krenari dhe mirënjohje të thellë mund të them që sot ishte dita më e lumtur e jetës sime, sepse arritëm të realizojmë një ëndërr, e cila dal nga dal po vjen në jetë. Është Festivali i Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, një festival i cili i ka munguar vendit tonë, e që është pritur jashtëzakonisht mirë si ide. Të gjithë dirigjentët kanë bërë një punë të palodhshme me disiplinë dhe përkushtim duke na sjell sonte një repertoar shumë të pasur me vepra shqiptare dhe ndërkombëtare. I falënderoj nga zemra të gjithë ata të cilët e mbështetën këtë iniciativë”, ka thënë drejtoresha Toska, duke potencuar edhe planet  për zgjerimin e festivalit, për t’i përfshirë edhe shkollat dhe institucionet tjera kulturore të cilat ekzistojnë në vend.

Kurse, dirigjenti i korit “Amadeus”, Vehbi Shosholli krijimin e Festivalit “Crescendo” e ka cilësuar si një nismë të spikatur, e cila sipas tij do të ishte mirë të zgjerohej edhe më.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur për iniciativën dhe për themelimin e këtij festivali, shumë i lumtur që po krijohen festivale ku performanca bëhet nga fëmijët. Kemi pak festivale të tilla, mjerisht. Por, kjo është një shtytje për artistët tjerë që të krijojnë festivale të tjera, ku performues janë fëmijët. Ishte një përvojë shumë e mirë, një ambient shumë i këndshëm. Publiku është jashtëzakonisht i interesuar për performanca të tilla. Ne jemi ndarë shumë të kënaqur”, ka thënë Shosholli duke potencuar edhe rëndësinë e investimit në artin koral dhe jo vetëm. 

“Ne duhet të investojmë në mënyrë që të krijojmë gjenerata të reja për të ardhmen. Pra këta fëmijë që interpretuan sot në skenë si koristë të rinj, kanë potencial të jenë anëtarë të korit të Filharmonisë. E njëjta gjë do të vlente edhe për ndonjë festival të orkestrave të fëmijëve, të cilët pas disa vitesh do të mund të ishin anëtarë të Filharmonisë në instrumente të ndryshme. Nëse ne kontribuojmë dhe japim gjithçka nga vetja për këta fëmijë, do të jetë e sigurtë edhe e ardhmja në aspektin e muzikës”, ka thënë dirigjenti Shosholli.

Ndërkaq, dirigjentja Elikonë Hysaj- Shala ka thënë se arsimimi i mirëfilltë në rrafshin e artit dhe kulturës do të kontribuonte në ngritjen e shoqërisë dhe të komunitetit në përgjithësi.

“Çdo herë është emocionuese kur diçka iu dedikohet fëmijëve. Kjo gjë duhet të vazhdojë dhe të bëhet traditë, në mënyrë që fëmijët të marrin edukimin e duhur, që iniciativat të jenë në ngritje, me një sukses të tillë. Unë i përgëzoj organizatorët e festivalit “Crescendo”, ka qenë një nismë e mbarë dhe mëse e nevojshme për Kosovën. Dihet që në Kosovë ka një traditë për kore të fëmijëve dhe të rriturve, por ky festival i ka munguar skenës sonë. Shpresoj që ky festival të ketë rrugë të gjatë të suksesit” ka thënë dirigjentja Hysaj- Shala.

Kurse, dirigjenti Memli Kelmendi duke ndarë përvojën e tij nga arena ndërkombëtare, i ka përgëzuar organizatorët për një organizim sipas tij të shkëlqyer.

“Nisur nga përvoja ime edhe nga ato që i shoh gjithandej nëpër botë, konsideroj që është një nismë që i është dashur vendit tonë shumë më herët. Unë dua ta përgëzoj për këtë iniciativë Dianën, Artanin dhe tërë stafin për një nismë kaq të suksesshme. Organizimi i këtij edicioni për nga profesionalizmi ngjason me një edicion të 10-të. Kanë bërë një punë shumë të mirë, diçka që i motivon fëmijët, ndonëse nuk ishte garues, megjithatë kjo tregon potencialin që ka vendi jonë për të vënë në skenë artistë dhe për të zhvilluar artin koral. Besoj që ky organizim do t’i motiovjë edhe organizatorë të tjerë për të formuar kore të reja. Kjo e ndihmon edhe vendin tonë për një zhvillim kulturor në të ardhmen” ka thënë dirigjenti Kelmendi.  

Në fund, dirigjenti Artan  Jerliu i cili është edhe drejtor artistik i festivalit ka thënë se ndihet i lumtur që gjithçka është realizuar ashtu siç është paraparë nga angazhimi disamujor i stafit të “Crescendo”.

“Mendoj se shkoi gjithçka ashtu siç është paraparë. Fëmijët e kanë mirëpritur organizimin e këtij festivali. Po ashtu edhe prindërit. Audienca është ndarë jashtëzakonisht e kënaqur, kështu që gjithçka ishte në nivel. Si proces i punës ka zgjatur diku rreth 4-5 muaj për të organizuar Festivalin “Crescendo”, ku së bashku me pjesën tjetër të stafit jami angazhuar për të sjellë këtë performancë që është prezantuar sonte. Vështirësi kemi pasur në aspektin e sigurimit të një ambienti të përshtatshëm për të realizuar këtë koncert të veçantë. Në fund vendosëm që ta realizojmë në Kishën Shën Ndou për shkak të akustikës së duhur”, ka përfunduar dirigjenti Jerliu./ KultPlus.com

❌