TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Në përkujtim të 8 Dhjetorit 1990, Ditën e Rinisë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike marshoi për të nderuar aktin heroik të studentëve që ndezën flakën e demokracisë në Shqipëri.
Marshimi nisi nga Qyteti Studenti për të vijuar drejt Kryeministrisë.
Marshimit iu bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në fjalën e tij në Qytetin Studenti, Berisha u shpreh se, regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë.
Berisha shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë pjesëmarrësve në këtë marshim.
“Mirënjohjen më të thellë ndaj jush që, keni ardhur sot këtu për të nderuar veprën e pavdekshme të studentëve liberatorë dhe tribunit legjendar të tyre, Azem Hajdari, më 8 dhjetor të vitit 1990”, tha Berisha.
“Ne kemi patur një histori të dhimbshme dhe të vështirë. Në vitin 1912, u shpall Pavarësia e kombit dhe liria e tij. Në vitin 1944, më 28 nëntor, populli ynë u çlirua nga një pushtim i jashtëm, për të rënë po atë ditë me një pushtim të brendshëm barbar, më mizorin që kohërat kanë njohur, në diktaturën staliniste të Enver Hoxhës”, theksoi kreu i PD.
Kjo diktaturë, shtoi Berisha, “në 46 vite të ekzistencës së saj vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër që ata kishin njohur në tërë historinë. Vendosi diktaturën më të thellë të izolimit të tyre, sa kurrë ndonjëherë në histori. Vendosi tiraninë e urisë dhe skamjes që, shqiptarët s’e kishin njohur kurrë më parë nëpërmjet hiperkolektivizimit”.
Berisha tha se, “rënia e Murit të Berlinit dhe revolucionet demokratike të vitit 1989, pavarësisht prej tyre, Shqipëria mbetej siç e cilësonte partia staliniste dhe diktatori i fundi, si bastioni ose ‘kështjella buzë Adriatikut’ e socializmit”.
“Regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë. Dhe jo vetëm i ekzekutonte, por i sillte dhe i zvarriste kufomat e tyre në qytetet: Shkodër, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, vetëm e vetëm për të terrorizuar popullatën”, u shpreh ai më tej.
Pikërisht, në këto rrethana, nënvozoi Berisha, “34 vite më parë, një grup studentësh dalin në darkë në këtë shesh dhe nisin protestën e parë studentore në historinë e vendit”.
Berisha u shpreh se, studentët ndanë epoka me lëvizjen e tyre.
“Ata ndanë epoka me lëvizjen e tyre. Ndarjen e epokave rrallë i takon njerëzve t’i përjetojnë. Ata vërshuan në mbarë vendin dhe mbollën kudo pemën e pluralizmit, themeluan PD. Organizuan grevën epike të urisë, po në këtë qytetet në atë ndërtesë që sot e bllokon diktatura”, tha Berisha.
“730 e studentëve u ngujuan për të çliruar shqiptarët nga kurthi më i keq që ata kishin përjetuar në të gjitha kohërat, kurthi i Enver Hoxhës, dhe fituan”, theksoi Berisha.
Berisha gjithashtu u shpreh në fjalën e tij se, PD do të shkojë në zgjedhjet e 11 majit e sigurtë në fitore.
“PD, kaloi një kalvar, por nuk u mposht, por qendruam të pamposhtur. Qendruam të pamposhtur për vlerat që besonim. Sot, muajin e fundit, ju keni marrë, Opozita shqiptare ka marrë, shqiptarët kanë marrë mbështetjen ndërkombëtare të jashtëzakonshme në tërë historinë e tyre”, tha Berisha.
“Në mbarë botën është denoncuar Shqipëria, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë. Shqipëria, vendi me të cilat të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu. Shqipëria, vendi në të cilin, shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët. Shqipëria, vendin në të cilin procesi elektoral është shndërruar në fasadë elektorale”, u shpreh ai.
Pra, shtoi Berisha, “maskat ranë. Kërkohet nga ne sulm, sulm dhe vetëm sulm. Le të ngrihemi ne, në lartësinë e idealeve të atyre që shembën diktaturën komuniste për të shembur diktaturën më të keqe që kanë njohur shqiptarët, diktaturën e drogës, krimit dhe vjedhjes së tyre”.
Berisha garantoi se, “ky pushtim me sulmin tuaj do shkrihet si bora para diellit të nxehtë dhe ne do shkojmë në zgjedhje të 11 majit të sigurtë në fitoren, të sigurtë se do pastrojmë shtëpinë tonë që Zoti të hyjë brenda në këtë shtëpi”.
“Shqipëria është ‘Toka e Zotit’ dhe nuk mund të dalë kurrë prej duarve të tij. Ndaj dhe, të vazhdojmë mosbindjen civile, të vazhdojmë betejën. Është radha jonë! Garantoj çdo të ri dhe të re se, qeveria e PD në programin e saj në epiqendër do kenë të rinjtë shqiptarë, shkollimin, punësimin, rolin e tyre” theksoi Berisha.
Pas fjalës së tij, të rinjtë marshuan drejt Kryeministrisë. Parulla kryesore e tyre ishte “Lindëm në demokraci, jetojmë në diktaturë”.
Rruga e tyre u shoqërua me thirrje të ndryshme si ato të studentëve të Dhjetorit ’90. “Liri demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishin disa nga brohorimat e tyre.
Me mbërritjen para kryeministrisë ato u shndërruan me kërkesën kryesore të Partisë Demokratike gjatë mosbindjes civile të nisur kohët e fundit. Të rinjtë kërkuan qeveri teknike.
Marshimi i tyre u shoqërua edhe me disa manekinë ku ishin vendosur fotot e kryeministrit Edi Rama, por edhe disa prej ministrave dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Berisha kujton takimin e Azem Hajdarit me Alinë: “Nuk po protestojmë për një gotë çaj, po protestojmë për fatet e lirisë”
“Duke kuptuar se, beteja me studentët, ishte beteja më e vështirë për të, alarmoi diktatorin, i ftoi ata në mesnatë t’i presë në një sallë të universitetit”, kujtoi sot Berisha.
Azem Hajdari me një grup syresh u paraqitën në takim.
“Për cfarë po protestoni?” – i pyeti, Ramiz Alia.
“Nuk po protestojmë për një gotë çaj, z. President, – iu përgjigj Azem Hajdari. – Po protestojmë për fatet e lirisë.”
Më datën 9, ora 8 të mëngjesit, kujtoi Berisha, studentët iu bashkuan vendimit solemn për t’i pushtuar regjimit sheshin e pushtetit, sheshin qendror të Tiranës dhe u nisën drejt tij.
Ai tha se së bashku me shkrimtarin e njohur, Besnik Mustafaj dhe kinoastin, Kujtim Çashku, mësuan se ishin nisur drejt qytetit dhe u nisën drejt tyre. U gjetën përballë tyre në rrugën e Elbasanit, segmentin midis Liceut Artistik, dhe sot, rezidencës së ambasadorit italian. Ishin shumë afër, pak metra.
“Azem Hajdari, ngrihej mbi supet e tyre me thirrjet: poshtë dinastia, poshtë diktatura, liri demokraci!”, kujtoi Berisha.
Ndërkohë, ata djem dhe vajza ishin të rrethuar nga forca sambiste, polici, gardë, ushtri. Shumë e shumë herë më numerikë, sesa ishin ata.
/r.e/
The post Berisha marshim me të rinjtë e FRPD-së: Protestë për fatin e lirisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.