Vrau policin në Fier, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Azgan Mërnica, i akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë Novruz Cenalia.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024 në Fier, ku sipas hetimeve, konflikti nisi pas një manovre të rrezikshme që i pandehuri Mërnica kreu me automjetin e tij.
Efektivi Cenalia, i cili ndodhej në automjetin e tij privat dhe ishte nisur për në detyrë, i tërhoqi vëmendjen Mërnicës për mënyrën e gabuar të drejtimit.
Kjo ndërhyrje dyshohet se solli irritimin e Mërnicës, i cili zbriti nga automjeti me një çantë ku mbante armën e zjarrit.
Pasi iu afrua makinës së viktimës, ai nxori armën e llojit pistoletë dhe qëlloi në drejtim të fytyrës së efektivit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme ndërsa në momentin e ngjarjes, viktima ishte i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes penale nr. 689/2024, këtë të enjte, më 10 korrik 2025, Prokuroria paraqiti konkluzionet përfundimtare dhe kërkoi deklarimin fajtor të Azgan Mërnicës për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit Azgan Mërnica për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg. I dhe 291 të Kodit Penal, kryer ndaj viktimës Novruz Cenalia.
Nga hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.
Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg. I i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Zoti para”- Momenti kur Azgan Mërnica duke qeshur i vetëdorëzohet Policisë (VIDEO)
- “U trembën kur panë snajperat”- Softa: Pse familjarët e dorëzuan Mërnicën në polici
The post Vrau policin në Fier, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën appeared first on Euronews Albania.