Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

‘Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue’

By: Kult Plus
31 July 2025 at 10:49

Poezi nga Luigj Gurakuqi 

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz shkonte jeta, s’m’epej kurr m’u ankue,
Kurr zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ia da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetër kend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prronit mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë e shtrijshe, e t’etshëm bukurije,
Syt sillshe rreth e rreth.

Rrjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte: vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë m’ m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron! /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit uron 70-vjetorin e artistit të shquar Nikolin Gurakuqi

By: Kult Plus
25 July 2025 at 21:30

Sot, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i uron ditëlindjen një prej figurave më të rëndësishme të operës shqiptare, këngëtarit, regjisorit dhe pedagogut Nikolin Gurakuqi, i cili prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar me pasion dhe përkushtim në zhvillimin e artit skenik shqiptar.

Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e TKOB-së, fillimisht si korist, për të vijuar më pas si solist në një sërë rolesh të spikatura. Ndër rolet që kanë lënë gjurmë në karrierën e tij përmenden: Gjergj Arianiti në operën “Skënderbeu”, Mateo në “Paja”, Komandanti në “Borana”, Deloja në “Nëna e trimave”, Il Marchese në “La Traviata”, Don Bartolo në “Il barbiere di Siviglia”, Colline në “La Bohème”, Ferrando në “Il trovatore” dhe shumë të tjera.

Ai ka interpretuar gjithashtu edhe jashtë vendit, në skena në Francë dhe Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua me sukses edhe regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike.

Ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, në Itali, Greqi, Kosovë. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut” e shumë të tjera.

Përveç regjisë, Gurakuqi është gjithashtu autor i skenografive, artikujve dhe botimeve që analizojnë regjinë dhe interpretimin në opera. Veçanërisht vihet në dukje libri i tij i fundit, Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor”, një botim unik që hedh dritë mbi regjinë operistike nga një këndvështrim profesional dhe të thelluar.

Si pedagog dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin e shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë, duke mbështetur emra tashmë të afirmuar si Josif Gjipali, Armand Likaj, Aurel Thëllimi, Dorina Selimaj, por edhe artistë të rinj në ngjitje si Bledar Domi.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Nikolin Gurakuqi është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, dhe është vlerësuar edhe nga shtypi ndërkombëtar si një artist me kulturë të gjerë europiane.

Në këtë ditë të veçantë të 70-vjetorit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i shpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka ka dhënë dhe vazhdon të japë për artin shqiptar dhe për gjurmën e pashlyeshme që ka lënë në historinë e operës në vendin tonë./KultPlus.com

Vatra e zjarrit në Labinot Mal aktive prej 4 ditësh, flakët përhapen në zonat pyjore të Gurakuqit dhe Orenjës

By: M C
22 July 2025 at 16:32

Vatra e zjarrit në pyjet e Labinot Malit vijon aktive prej 4 ditësh, ndërsa sot është zgjeruar drejt bashkisë Librazhd. Flakët kanë përfshirë zonat pyjore të Gurakuqit dhe Orenjës.

Bëhet me dije se ekipet zjarrfikëse të Librazhdit janë në terren prej orësh, me mjete të posaçme, për shkak se terreni i vështirë ka penguar hyrjen e automjeteve të mëdha.

Gjithashtu raportohet se autoritetet po përdorin dronë për të monitoruar situatën. Banorëve të zonës iu është bërë thirrje të shmangin çdo veprim që mund të nxisë përhapjen e zjarrit.

The post Vatra e zjarrit në Labinot Mal aktive prej 4 ditësh, flakët përhapen në zonat pyjore të Gurakuqit dhe Orenjës appeared first on Albeu.com.

Luigj Gurakuqi, përkujtohet me ekspozitë në Bari në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta

By: Kult Plus
18 June 2025 at 09:01

Në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare, Arkivi i Shtetit në Bari, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.

Ekspozita paraqet një ndërthurje të dokumenteve origjinale dhe materialeve të digjitalizuara, që hedhin dritë mbi kontributin e Gurakuqit në formësimin e shtetit shqiptar, nga Rilindja Kombëtare deri në përfshirjen e tij në jetën politike, kulturore dhe institucionale të vendit.

Ky aktivitet është pjesë e një serie të ngjeshur ngjarjesh që DPA ka zhvilluar në Itali, përfshirë Konferencën IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër, vizitën në komunitete arbëreshe në Kalabri dhe Pulja, si dhe bashkëpunime me institucione si Universiteti i Kalabrisë, Dioqeza e Rosanos dhe Arkivi i Barit.

Përmes kësaj ekspozite, Gurakuqi nuk përkujtohet vetëm si një figurë historike, por si një simbol i lidhjes së fortë kulturore e historike midis Shqipërisë dhe Italisë./atsh/ KultPlus.com

Luigj Gurakuqi, përkujtohet me ekspozitë në Bari në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare, Arkivi i Shtetit në Bari, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.

Ekspozita paraqet një ndërthurje të dokumenteve origjinale dhe materialeve të digjitalizuara, që hedhin dritë mbi kontributin e Gurakuqit në formësimin e shtetit shqiptar, nga Rilindja Kombëtare deri në përfshirjen e tij në jetën politike, kulturore dhe institucionale të vendit.

Ky aktivitet është pjesë e një serie të ngjeshur ngjarjesh që DPA ka zhvilluar në Itali, përfshirë Konferencën IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër, vizitën në komunitete arbëreshe në Kalabri dhe Pulja, si dhe bashkëpunime me institucione si Universiteti i Kalabrisë, Dioqeza e Rosanos dhe Arkivi i Barit.

Përmes kësaj ekspozite, Gurakuqi nuk përkujtohet vetëm si një figurë historike, por si një simbol i lidhjes së fortë kulturore e historike midis Shqipërisë dhe Italisë.

/r.e/a.f/

The post Luigj Gurakuqi, përkujtohet me ekspozitë në Bari në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Gjërat Tona”/ Dan Hutra-vrasësi i grave, dosja e plotë me dëshmitë e të mbijetuarve dhe të autorit të krimeve në seri

27 April 2025 at 20:55

“Më dënuat pa faj. Tani më dënoni tamam…” Këto ishin fjalët e para të Dan Hutrës, gjatë përballjes së tij me togat e zeza më 4 mars të vitit 2023, si i akuzuar për vrasjen e tri grave dhe plagosjen e tri të tjerave brenda ditës.

Ai nuk shprehu pendesë në asnjë moment, por rrëfeu gjithçka. Për secilën prej ngjarjeve që realizoi brenda 33 minutave, të mërkurën e 1 marsit 2023, ai kishte një motiv. Real ose jo, kjo nuk u mësua as pas dy vitesh nga realizimi i vrasjeve.

A thua se me një motiv mund të justifikonte krimet… Megjithatë ai tentoi, madje edhe këmbënguli duke thënë se gjithçka e kishte planifikuar.

Me tri vrasje brenda ditës dhe një të katërt të kryer në vitin 2007, Dan Hutra, sot 42 vjeç, konsiderohet vrasës serial. Ndërsa target i tij ishin femrat. Ndonëse ai vetë deklaroi se atë ditë do të vriste këdo, por rastisi që u përball me gratë.

Sinjalin ai e dha kur ishte 20 vjeç. Në këtë moshë kreu krimin e parë të dokumentuar, kundër dy grave. Mbajti peng dhe tentoi të përdhunonte kunatën në Devoll.

Ky ishte momenti ku Dan Hutra nisi serialin e tij të dhunës e vrasjeve me target femrat. E që nga ky moment ai konsiderohet përsëritës sa herë që realizon krime të tjera. Për rrjedhojë nuk duhej të kishte lehtësira as nga Prokuroria e as nga Gjykata.

Por në fakt ndodhi krejt e kundërta. Ai që shkaktoi terrorin 1 marsin e vitit 2023 në Tiranë nuk ishte thjeshtë një kriminel. Ai ishte një vrasës serial i prodhuar nga sistemi i drejtësisë.

Sot dosja penale në ngarkim të Dan Hutrës ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Tiranës i akuzuar për: Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare në dy raste dhe në dy raste të tjera e mbetur në tentativë, vrasje me paramendim dhe një tjetër vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, sigurim i kushteve për te kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Tri vrasje e tri plagosje në 33 minuta

Marsi i grave dhe vajzave u përgjak në vitin 2023. Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas së parë, kishte vetëm dy javë që ishte liruar nga qelia, ku mbahej për dhunë në familje që nga 16 qershori i vitit 2022.

E duket se aty, kishte thurur planin e tij të hakmarrjes. Hakmarrje ndaj atyre që e kallëzuan, sipas tij me të padrejtë dhe ndaj atyre që ai mendonte se kishin tentuar ta vrisnin në burg. Por më shumë se ndaj tyre, hakmarrjen e kishte me drejtësinë. Siç e tha edhe vetë pasi realizoi krimet, e kishin dënuar padrejtësisht, ndërsa tani mund ta dënonin ashtu siç duhet.

Më datën 1 mars 2023, nga ora 12:15 deri në orën 12:48 ai realizoi 3 vrasje e 3 plagosje në Tiranë. Të gjitha gra dhe vajza.

Nga “Pallati me shigjeta”, ku ka kryer plagosjen e Marjana Gurakuqit, ka vijuar rrugën për rreth 5.4 kilometra, duke shkuar në rrugën “Rrustem Haklaj”, në Kodër Kamzë. Aty ka vrarë Mevlute Hysën dhe Hasime Dafkun, si dhe ka plagosur Elena Hysën e Kujtime Hysën. Më pas, ka përshkuar edhe 3.4 kilometër deri në rrugën “Besëlidhja” në Bathore, ku ka vrarë Etleva Kurtin.

Pra distanca nga krimi i parë deri në atë të fundit është 8.8 kilometër. Ndërsa të gjitha ngjarjet Dan Hutra i ka realizuar për 33 minuta.

Ditën kur ndodhën ngjarjet, Prokurorinë e Tiranës mbi bazën e akteve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë, ka regjistruar procedimi penal nr. 1428 për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, të mbetur në tentativë, “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, “Vrasje me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prodhimi, mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas referimit të Policisë së Tiranës rezulton se, me 1 mars 2023 rreth orës 12:45 është marrë njoftim se në vendin e quajtur rruga “Adem Jashari”, Institut, Kodër Kamzë, janë vrarë me armë zjarri Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, si dhe janë plagosur Elena (Alketa) Hysa dhe Kujtime Hysa. Rreth orës 12:55 është marrë njoftim se në rrugën “Besëlidhja”, Kamzë, në banesën e Petrit Kurtit është vrarë me armë zjarri Etleva Kurti. Gjithashtu është marrë njoftim se në zonën e Astirit është plagosur Marjana Gurakuqi.

Për këtë ngjarje nga veprimet hetimore rezulton se autor i dyshuar është shtetasi Dan Hutra, 42 vjeç. Të njëjtin fakt ka pohuar edhe e plagosura, Elena Hysa, ish-bashkëjetuesja e autorit.

Dy të plagosurat, Elena Hysa është ish-bashkëjetuesja e personit të dyshuar, ndërsa Kujtime Hysa është nëna e Elenës. Ndërsa viktima Mevlute Hysa është motra e ish-bashkëjetueses së personit të dyshuar dhe Hasime Dafku është kunata, nusja e vëllait të Elena e Mevlute Hysa. Nga deklarimi që i është marrë Elena Hysës, rezulton se autor i kësaj ngjarje është Dan Hutra.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në zonën e Astirit janë kryer veprimet hetimore si këqyrja e vendit te ngjarjes nga ku është sekuestruar një thikë. Ndërsa i është marrë deklarim të plagosurës, Marjana Gurakuqi, e cila ka sqaruar se është plagosur me thikë nga Dan Hutra, me të cilin ka pasur një lidhje intime.

Rreth 6 orë pas realizimit të krimeve është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit Dan Hutra,  ku nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6 Tirane është përpiluar raport shërbimi.

Raporti

Mbi kapjen e shtetasit Dan Hutra, i cili është autor i dyshuar i vrasjes së shtetaseve Etleva Kurti, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, si dhe plagosjen e shtetaseve Elena Hysa, Kujtime Hysa, Marjana Gurakuqi, konkretisht nga ana jonë është marrë njoftim nga një burim konfidencial, i cili na ka informuar se është parë një person i ngjashëm me personin, i cili ka kryer këto vrasje, në vendin e quajtur Sharrë, në afërsi të landfillit.

Menjëherë pasi kanë marrë këtë informacion, nga ana e Policisë u bë organizimi i punës për kapjen e këtij personi. Në kodrën përballë landfillit të Sharrës, forcat e Policisë konstatuan një person pas një shkurre, i cili ishte i ulur. Pasi i janë afruar, i kanë bërë thirrje “Policia, duart lart… Prezantohu…”. Ai është prezantuar duke thënë se ishte Dan Hutra. Ka ngritur duart lart dhe në këtë moment është bërë prangosja e tij. Pranë këmbëve të tij, u gjet një automatik kallashnikov me dy karikatorë të lidhur me natriban transparant ku njëri prej tyre ishte i vendosur në fole, si dhe 3 pako me municion luftarak të mbështjella me letër.

Raporti

Pasi e intervistuam ky shtetas na tha që jam unë Dan Hutra kam kryer vrasjet e ditës së sotme dhe këtu jam për të prit shtetasit Rrahman Selaj për arsye se ka pasur një konflikt të vjetër me babain tim. U njoftua grupi hetimor dhe u kryen veprimet. Më pas vijoi intervistimi i këtij shtetasi për gjetjen e automjeti, i cili na dërgoi tek vendi ku kishte fshehur mjetin pranë depove të uji në fshatin Vaqarr.

Në bazë të deklarimeve të tij, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, ku u konstatua automjeti tip “Mercedens Benz”, me targë AA531UK . Shtetasi Dan Hutra me gjithë automjeti u shoqërua për në Drejtorinë e Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Deklarata e Policisë së Tiranës

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen Marjana Gurakuqi, 40 vjeçe, banuese në Astir. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij. Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe të pandërprerë të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit Dan Hutra, së bashku me armën e krimit të tipit kallashnikov.

Historia kriminale para 1 marsit 2023

Në vitin 2003, Dan Hutra vuri për herë të parë gjurmët e gishtave në sistemin daktiloskopik të Policisë Kriminale. Ai u arrestua më 20 maj të atij viti pasi mbajti peng njërën kunatë dhe përdhunoi kunatën tjetër. Ngjarja ndodhi në Devoll, kur autori ishte 21 vjeç. Ai u gjykua dhe u shpall fajtor për këtë ngjarje, i akuzuar për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Për këtë vepër penale, ligji parashikonte nga 3 deri në 10 vjet burg. Dan Hutra u dënua vetëm me 2 vjet heqje lirie.

Ky ishte precedent i tij i parë dhe deri diku konsiderohet e pranueshme nga ana ligjore që ai të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar. Por në çdo rast tjetër arrestimi dhe dënimi ai duhej konsideruar ashtu siç ishte, përsëritës.

Katër vite më vonë, Dan Hutra realizon vrasjen e parë.

Më 10 dhjetor të vitit 2007, në zonën e ish-parkut, rrugën “Stavri Themeli”, në Tiranë gjendet e vrarë në banesën ku jetonte me qira, 22-vjeçarja Dafina Havalja.  Vajza me origjinë nga Klosi ishte vrarë dy ditë para se të bëhej denoncimi në Komisariatin Nr.2. Rezultoi se autori i ngjarjes ishte bashkëshorti saj Dan Hutra, 25 vjeç, nga Kukësi. Babai i Dafinës, Abdulla Havalja, tregonte në atë kohë se e bija kishte telefonuar nënën e saj pak para se të vritej.  Vajza i kishte thënë se Dani e kishte mbyllur në dhomë e kishte frikë se do ta vriste.

Menjëherë pas kësaj telefonate ajo është vrarë.  Dan Hutra e ka marrë në telefon vjehrrën duke i thënë: “Të rroni vetë se vajzën ta vrava”. Ndërsa për ta ngatërruar rreth vendndodhjes i ka thënë se ishte në Greqi. Por pa kaluar ende një javë ai është arrestuar në Kukës.  Ai e kishte goditur 22-vjeçaren me thikë pranë zemrës dhe pasi i ka vendosur thikën në gjoks është larguar.

Babai i Dafinës tregonte se nuk ka pasur dijeni për dënimin e mëparshëm të dhëndrit për përdhunim.  E ka mësuar pas martesës, por sipas tij atëherë ka qenë vonë.

Abdulla Havalja

Jam kthyer në shtëpi pasdite dhe sa hyra në oborr dëgjova të qarat e gruas dhe vajzës tjetër. Mes të qarash me thanë se Dani ka vrarë Dafinën. Ai kishte telefonuar gruan time dhe me qetësi i kishte thënë se ka therur Dafinën dhe e kishte lënë të vdekur në shtëpi. Jetonin në një shtëpi me qira, diku afër fushës së vjetër të aviacionit, në të hyrë të Laprakës. Pas kësaj telefonate, ndonëse ishin trembur ato nuk e besuan plotësisht, ndaj lajmërova djalin e madh, Rolandin që ishte diku afër shtëpisë. Ai ka marrë në telefon Danin dhe ai ia ka konfirmuar dhe ja ka mbyllur. Unë nuk kam pasur dijeni për problemet e tij të mëparshme me ligjin. Shkesi nuk më kishte thënë gjë se ai kishte qenë i dënuar për përdhunim. I kërkova llogari por ishte vonë, pasi kur e mora vesh vajza kishte kohë që ishte martuar. Unë nuk kam pasur dijeni që vajza të kishte pasur probleme me Danin. Pas ngjarjes mësova se Dafina i kishte telefonuar vetëm pak minuta më përpara nënës së saj, ku i kishte thënë se Dani e ka mbyllur në dhomë dhe kishte frikë se do e vriste.

Për këtë ngjarje, në mars të vitit 2009 ai u dënua me 24 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, u dënua me 16 vjet heqje lirie.

Pasi përfundoi dënimin për vrasje Dan Hutra u arrestua edhe dy herë të tjera për vjedhje banesash në Durrës. Më 7 dhjetor 2021 dhe më 1 shkurt 2022. Për të dyja këto raste, edhe pse përsëritës, edhe pse kishte kryer edhe krime më të rënda, Dan Hutra ka marrë dënime minimale. Aq minimale sa 4 muaj pasi kishte kryer vjedhjen e dytë, ai ishte i lirë, duke qenë se më 16 qershor të vitit 2022 u arrestua sërish nga Policia e Tiranës.

Këtë herë ai u dyshua se dhunoi e kërcënoi bashkëjetuesen dhe familjen e saj. Dan Hutra u denoncua se kishte kërcënuar familjen e Elena Hysës duke u kërkuar edhe paratë e fejesës.  Në dosjen hetimore thuhet se Elena ka treguar disa episode ku është dhunuar fizikisht nga Hutra dhe se është trajtuar si skllave nga ana e tij.

Më pas përshkruhet se ai kishte besuar se fëmija që Elena priste nuk ishte i tij. E gjendur në këtë situatë, ajo është larguar nga banesa e tij duke shkuar tek prindërit e saj në Paskuqan. Për këtë episod Dan Hutra qëndroi në burg nga data 16 qershor 2022 kur u arrestua, deri më 16 shkurt 2023, dy javë para se të realizonte vrasjet në seri në Tiranë.

Rrëfimi i krimeve brenda ditës

Pas arrestimit, Dan Hutra ka treguar përgatitjet dhe gjithë dinamikën për vrasjen e tri grave dhe plagosjen e tri të tjerave mesditën e 1 marsit 2023. Ai ka pranuar të gjitha krimet por pa shfaqur në asnjë moment pendesë.

I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, Dan Hutra në prani të mbrojtësit ligjor të caktuar kryesisht, ka pranuar autorësinë e tri ngjarjeve duke shpjeguar mekanizmin e kryerjes së krimit, kohën, vendin mjetet e përdorura. Ai shprehet se nga viti 2007 deri në vitin 2021 ka qenë i dënuar me burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Dafina Havalja.

Dan Hutra

Në muajin maj të vitit 2022 jam njohur me Elena (Alketa) Hysën, duke u prezantuar dhe në familjet tona dhe kemi shkëmbyer vizita familjare. Më datë 1 apo 2 qershor 2022 kam bërë dasmën, por nuk kemi bërë celebrim. Pas dita ditësh nga kjo datë Elena më ka thënë se ishte shtatzënë dhe në vijim, të dy bashkë kemi kryer një vizitë mjekësore ku ka rezultuar se Elena ishte shtatzënë 45-ditëshe. Me datë 19 qershor e kam lënë Elenën në shtëpi dhe kur jam kthyer nuk e kam gjetur. Kam kërkuar në banesën e prindërve të saj, por edhe aty nuk ka qenë. Së bashku me nënën dhe vjehrrën kam shkuar në Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë për të bërë kallëzim për largimin e Alketës. Pas disa orësh jam njoftuar për kthimin e saj. Kemi debatuar dhe unë kam hequr unazën dhe ia kam kthyer Alketës në prezencë të familjareve të saj.

Një javë pas këtij momenti, ai tregon se është telefonuar nga familja e Alketës për t’u sqaruar për shtatzëninë e saj, por ai pretendon që sapo ka ardhur në Tiranë dhe ka hyrë të shtëpia e vjehrrit te tij, ka ardhur Polica, e ka shoqëruar dhe arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr.3. Dan Hutra pretendon se është arrestuar padrejtësisht dhe nuk i janë respektuar të drejtat gjatë burgimit.

Dan Hutra

Alketa ka tentuar të rregullojë marrëdhëniet me mua gjatë kohës që po vuaja dënimin, por e kam refuzuar pasi më ishte bërë padrejtësi. Më datë 16 shkurt 2023 jam liruar nga burgu. 3-4 ditë para se të dilja, Alketa ka lindur djalë për të cilin unë kam dyshime se nuk jam babai biologjik. Kam debatuar me Alketën mbi çështjen e atësisë. Nga debatet e ndodhura, kam vendosur që ta shuaj si familje Alketën dhe kam thurur planin. Me datë 26 shkurt 2023 kam marrë një automjet me qira, me targa AA531UK dhe një dite para ngjarjes kam shkuar në qytetin e Kukësit, ku kam marrë armën kallashnikov që e kisha fshehur prej disa vitesh.

Dan Hutra ka shpjeguar se ditën e ngjarjes, në fillim ka shkuar në zonën e Astirit, tek dyqani i Marjana Gurakuqit, të cilën thotë se e ka pasur të dashur. Ka dëshmuar se Marjanës ka dashur t’i presë kokën me biçak sepse nëse do e vriste me armë zjarri do tërhiqte vëmendje dhe nuk do e realizonte planin e tij deri në fund.

Dan Hutra

Pasi kam shkuar të dyqani, nxora biçakun për të prerë Marjanën, por ajo është vetëmbrojtur duke më goditur me xham në dorën e djathtë, Kur e kam goditur me biçak Marjanën, në dyqan është futur një person dhe në atë moment instiktivisht jam larguar. Gjatë përleshjes me Marjanën më ranë biçaku dhe syzet. Marjanën doja ta vrisja, pasi kam pasur marrëdhënie intime me të dhe kur kam dalë nga burgu herën e parë, në vitin 2021, i kisha dhënë 80 mijë euro për t’i ruajtur ajo. Marjana pas disa kohësh më ka thënë se lekët ia kishte gjetur bashkëshorti i saj dhe mua më ka kthyer vetëm 23 milionë lekë të vjetra. Por përveç kësaj, ajo ka tentuar të më helmojë nëpërmjet ushqimit kur në burg. Helmimi është tentuar nëpërmjet ushqimit me anë të shtetasit Vladimir Kurti, të cilin e kam pasur shok qelie në burg.

Është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, e plagosura Marjana Gurakuqi. Ajo ka treguar se më datë 1 mars 2023 ka dalë si çdo ditë në punë në dyqanin e saj rreth orës 08:30. Ka shpjeguar se me Dan Hutrën ka një njohje prej rreth 1 viti që nga muaji shkurt i vitit 2022 dhe komunikimet me të shpeshta i ka pasur nga muaji prill deri në muajin qershor të vitit 2022. Në muajin qershor të vitit 2022 Dan Hutra është arrestuar dhe ajo thotë se ka pasur komunikime me të rralla. Ndërsa gjatë kësaj kohe ai i ka kërkuar shuma monetare në formën e borxhit që e plagosura në kohë të ndryshme i ka dhënë në total rreth 23 milionë lekë të vjetra.

Marjana Gurakuqi

Më 1 mars Dan Hutra ka ardhur te dyqani im dhe si fillim ka komunikuar në mënyrë të qetë. Më pas ka filluar sulmin ku dhe më ka plagosur me thikë. Dan Hutra nuk më ka dhënë asnjë shumë monetare siç pretendon ai 80 mijë euro apo ndonjë shumë tjetër. Dan Hutrës i kam dhënë unë lekë borxh. Unë nuk e njoh dhe nuk ka pasur ndonjëherë kontakte me shtetasin Vladimir Kurti.

Megjithatë, Dan Hutra në dëshminë e tij pretendon se e ka dëgjuar Vladimir Kurtin duke folur në telefon në kabinën e burgut me Marjanën dhe kjo ka qenë pikënisja e konfliktit. Ata janë konfliktuar herë pas here dhe kanë ndryshuar qeli me njëri-tjetrin. Dan Hutra ka deklaruar se ka bërë disa përpjekje që të godiste Vladimir Kurtin në burg, por nuk ka mundur ta realizojë atë dhe i është shprehur Vladimirit se kur të dalë nga burgu, do i bëjë kurban një kokë.

Lidhur me këtë ngjarje është pyetur shtetasi Vladimir Kurti , vëllai i viktimës Etleva Kurti.

Vladimir Kurti

Aktualisht ndodhem në burgun 313, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kam qenë në një qeli me Dan Hutrën, me të cilin jam konfliktuar. Kam dyshime se vrasja e motrës time, Etleva Kurti është kryer nga shtetasi Dan Hutra për hakmarrje lidhur me konfliktin që kemi pasur.

Pasi plagosi me thikë Marjana Gurakuqin, Dan Hutra është nisur drejt banesës së ish-vjehrrit të tij, Zaim Hysa. Ka marrë automatikun dhe një thikë duke u drejtuar për tek banesa e tij. Sapo ka hyrë në oborr ka parë motrën e ish-bashkëjetueses së tij, shtetasen Mevlute Hysa dhe nusen e vëllait të saj. Ai ka drejtuar armën e zjarrit dhe ka tërhequr këmbëzën por arma është bllokuar. Për këtë arsye, autori ka nxjerrë thikën dhe ka goditur me thikë nusen e Fatos Hysës, ish-kunatit të tij, në pjesën e sipërme të trupit ku ajo është rrëzuar menjëherë në tokë. Ngjitur me automjetin që ndodhej në oborr, Mevlute Hysa menjëherë është futur brenda në automjet, por Dan Hutra e ka goditur me thikë në qafë dhe në trup duke sqaruar se e ka goditur disa herë pasi donte të sigurohej qe ka vdekur.

Dan Hutra

Më pas jam futur brenda në banesë dhe jam përballur me Alketa Hysen dhe nënën e saj, Kujtime Hysen. Fillimisht nuk kam vepruar, por kam kontrolluar në banesë për të gjetur ish-vjehrrin, Zaim Hysa, por ai nuk ishte. Jam kthyer në sallon dhe me majën e thikës që mbaja në dorë, kam zhbllokuar automatikun duke nxjerrë fishekët dhe e kam mbushur përsëri armën duke qëlluar në drejtim të ish-vjehrrës. Në këtë kohë më ka dalë përpara ish-bashkëjetuesja, Alketa Hysa. Me pas kam dalë në oborr, përpara automjetit ku ndodhej kufoma e Mevlutes dhe kam qëlluar me automatik në drejtim të kufomës dhe xhamit të parë. Jam larguar dhe gjatë largimit thikën e kam hedhur në rrugë, ndërsa armën e zjarrit në sediljen e parë të pasagjerit.

Janë pyetur në cilësinë e personit që kanë dijeni për veprën penale, vëllezërit e ish-bashkëjetueses së Dan Hutrës, shtetasit Erjon dhe Fari Hysa, të cilët kanë deklaruar se ditën kur ka ndodhur ngjarja ata kanë qene në Gjermani, ku kishin ikur që me datë 24 janar 2023. Për ngjarjen ata kanë deklaruar se janë njoftuar nëpërmjet një të afërmit të tyre, i cili i ka kontaktuar në telefon dhe me pas janë kthyer në Shqipëri. Erjon dhe Fari Hysa shprehen se me shtetasin Dan Hutra nuk kanë pasur asnjëherë komunikime dhe në lidhje me motrën e tyre Alketën, ata kanë respektuar vendimin e saj për të bashkëjetuar me Dan Hutrën.

 

Më tej, në dëshminë e tij, Dan Hutra tregon se është nisur në drejtim të banesës së Vladimir Kurtit. Pasi është afruar, ka parkuar pranë banesës së tij dhe me armë në dorë është afruar te muri rrethues të cilin e ka kapërcyer dhe është futur në banesë ku dyert ishin te hapura. Ai ka hyrë brenda dhe ka kontrolluar banesën që të gjente vëllain e Vladimir Kurtit dhe pasi nuk ka gjetur njeri në banesë, ka dalë në pjesën e pasme të oborrit ku ka vene re nënën e tij dhe rreth 5-6 metra i është shfaqur një vajze, të cilin e ka njohur si motrën e Vladimirit, por përsëri e ka pyetur: “Ti je motra e Ladit?” Dhe pas këtyre fjalëve ajo nuk ka folur, por ka tundur kokën duke aprovuar. Në këto momente Dan Hutra ka qëlluar me automatik rreth 5-6 herë në drejtim të saj.

Dan Hutra

Në momentin që kam gjuajtur në drejtim të saj, ajo ka qenë rreth 2 metër larg meje. Më pas jam larguar nga kjo banesë duke kapërcyer murin rrethues sërish. Me makinë kam shkuar në Vaqarr dhe jam futur rrugës se landfillit të Sharrës. Kam qëndruar në këtë vend pasi kisha shkuar për të vrare Rrahman Selën, për arsye se babai im është vrarë me pushkën e tij. Rrahman Sela i ka dhënë pushkën autorit që ka vrarë babanë tim në vitin 1999, në Durrës. Jam munduar të gjej banesën e Rrahmanit, por nuk kam arritur. I jam afruar dy banesave dhe kam thërritur në emër të Rrahmanit, por nuk më është përgjigjur njeri.

Më pas ai shpjegon se është larguar duke ndaluar në një dyqan të lagjes ku ka blerë ujë, molto dhe paketa duhani e me pas është ngjitur në një kodër ku është pozicionuar dhe ka sqaruar se ka qenë duke pritur deri të nesërmen në mëngjes me armë në dorë për të vrarë Rrahman Selën. Nga ky moment nuk ka vonuar shumë dhe aty ku po qëndronte kanë shkuar disa punonjës policie dhe i kanë bërë thirrje: “Policia, policia, hidhe armën që ke…”. Dan Hutra ka sqaruar se i është përgjigjur thirrjes duke mos bërë asnjë veprim dhe u ka treguar dhe ku ka parkuar automjetin më të cilin ka lëvizur. Me pas është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Ai ka sqaruar se ka pasur një aparat celular, të cilën e ka hedhur pasi ka kryer ngjarjen tek banesa e ish-vjehrrit të tij, Zaim Hysa.

Është marrë në pyetje, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Rrahman Sela, i cili është shprehur se shtetasin Dan Hutra e njeh që në kohën kur jetonte në fshatin Spitallë, të Durrësit pasi e ka pasur komshi dhe nuk ka njohur vetëm atë, por të gjithë familjen e tij.

Rrahman Sela

Me aq sa mbaj mend, në vitin 1999 babai i Dan Hutrës, shtetasi Riza Hutra është vrarë në oborrin e banesës së tij dhe për këtë ngjarje është arrestuar si autor i dyshuar nipi i shtetasit Riza Hutra, emrin e të cilit nuk e mbaj mend. Me këtë ngjarje nuk kam pasur asnjë lidhje apo të kem qenë i përfshirë. Nuk kam marrë ndonjë fjalë nga ndonjë familjar apo nga vetë Dan Hutra për këtë ngjarje. Me vëllezërit e tij kam pasur komunikime dhe marrëdhënie pune dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme. Në vitin 2000 jam shpërngulur me banim në Sharrë, në Tiranë dhe pak më vonë në Kodër Shkretë, pranë fshatit Sharrë është shpërngulur dhe familja e Dan Hutrës. Nuk e di arsyen se përse ai ka kërkuar të kryejë këtë veprim ndaj meje, duke dashur të më vrasë, pasi nuk kam pasur ndonjëherë kontakte me të dhe ndaj tij dhe familjes së tij nuk kam asnjë lloj haku apo hileje.

Por duket se për Dan Hutrën asgjë nuk kishte përfunduar me kaq. Të paktën kështu ka pretenduar Marjana Gurakuqi, e cila edhe pasi ai është arrestuar, është paraqitur tri herë në Polici duke bërë denoncim ndaj tij. Me datë 11 tetor 2023 ajo është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe ka bërë kallëzim ku ka sqaruar se ka ardhur për të dhënë shpjegime në lidhje me disa shqetësime që i kanë ardhur nëpërmjet telefonit. Konkretisht shqetësimet kanë filluar pas ngjarjes së datës 1 mars 2023 kur Dan Hutra, ka vrarë tre gra, si dhe ka tentuar të vrasë edhe Marjana Gurakuqin.

Marjana Gurakuqi

Në datën 10 prill 2023 rreth orës 13:30 – 14:00 në dyqan më ka ardhur një person, mashkull, rreth 35 – 40 vjeç, i dobët, me flokë të shkurtra, me mjekër, rreth 170 cm i gjatë, së bashku me një grua, e cila ishte e shëndoshe, rreth 160 – 170 cm e gjatë. Ky person më ka thënë se e ka dërguar Dan Hutra, sepse do të fliste me mua në telefon dhe më ka dhënë telefonin e tij. Pasi më dha telefonin kam folur me Danin, të cilin e kam njohur edhe nga zëri dhe më tha që t’i kërkoja falje që kishte bashkëpunuar me Vladimir Kurtin. Nëse do i kërkoja falje, do mi falte edhe paratë dhe të gjitha. Unë i thashë se s’kisha përse t’i kërkojë falje, pasi nuk kam marrë para nga ti, por ai ka marrë nga unë. “Do lekët ti?”- më tha dhe iu përgjigja që po, se ka ardhur mamaja jote i ka marrë. Pastaj i thashë secili në punën e vet. Por ai mu përgjigj: “Jo, nuk ka më punën time, punën tënde. Tani në jemi në hasmëri, me fëmijët e tu dhe fëmijët e fëmijëve të tu”. I thashë që ishte budalla, i çmendur. “Po i çmendur jam. Mi merr ato lekët e mi ço të shtëpia”, më tha. Ai pretendon se më ka dhënë 80 mijë euro. Nuk më ka dhënë asnjë lek, madje kishte ai për të më dhënë mua. Më tha që “po të vinte turp, ti nuk do t’i jepje Vladimir Kurtit 10 mijë euro për të më vrarë mua”.

Marjana Gurakuqi ka pretenduar në kallëzimin e saj se gjatë muajit prill të vitit 2023, e ka telefonuar një grua që i është prezantuar si avokatja e Dan Hutrës. I ka kërkuar të flisnim për shtëpinë që ai kishte nxjerrë në shitje, por ajo ka thënë i ke rënë gabim dhe e ka mbyllur telefonin. Më pas, deri në muajin shtator nuk ka pasur më shqetësime. Por në shtator të po atij viti e ka marrë dikush me videocall, por nuk ka arritur të shohë asgjë. E njëjta situatë ka vijuar, derisa personi që e telefononte në një moment i ka thënë që të bëjë kujdes nga Dan Hutra.  Më pas, më 10 tetor, është telefonuar sërish dhe i janë kërkuar 40 mijë euro. Madje kjo bisedë është dëgjuar edhe nga bashkëshorti i saj, i cili ka ndërhyrë.

Marjana Gurakuqi ka sqaruar se mendon se ky person është futur nga Dan Hutra. Ajo është pyetur se çfarë marrëdhënie ka pasur me shtetasin Dan Hutra dhe përse ai kërkon nga ajo 40 mijë euro.

Marjana Gurakuqi

Unë me Dan Hutrën kam pasur një lidhje të shkurtër, e cila ka filluar në vitin 2022, ku ai fillimisht ka ardhur në dyqan për të blerë dyer, dhe më pas kemi shkëmbyer numrat e telefonit, si dhe kemi krijuar një lidhje intime. Më pas ai ka rënë në burg, dhe kemi komunikuar nëpërmjet telefonit. Ai më ka pasë dhënë një telefon tjetër bashkë me numër dhe me atë kemi folur. Fillimisht pasi ka rënë në burg kemi pasur komunikim të mirë. Flisnim çdo ditë, gjithmonë me merrte ai në telefon. Në muajin nëntor të vitit 2022 jemi zënë më telefon me Danin, pasi ai më thoshte ti ke lidhje me Vladimir Kurtin, ma përmendte shumë herë, më thoshte që ti je e lidhur me dikë tjetër, i cili është shumë i pasur dhe donit të më helmonit mua.

Ajo ka sqaruar në Polici edhe paratë që Dan Hutra i ka përmendur herë pas here në deklarimet e tij, duke mohuar pretendimet e tij. Madje thotë se ka qenë ajo që i ka dhënë para borxh në tri raste.

Marjana Gurakuqi

Dua të sqaroj se gjatë kohës që ai ishte në burg, më ka kërkuar disa herë para borxh, dhe më thoshte që do të mi kthente pasi të dilte nga burgu. Gjatë muajit shtator dhe tetor i kam dhënë 2.3 milionë lekë të rinj. Tri herë nga 500 mijë dhe një herë 800 mijë lekë të rinj. Këto para ia kam dhënë njëherë motrës së Danit dhe herët e tjera nënës së tij. Herën e parë dhe herën e dytë ia kam dhënë me dëshirë, më pas nga frika, pasi kisha frike se nuk do mi kthente as të tjerat. Pasi ka dalë nga burgu në muajin shkurt 2023 ka ardhur disa herë te dyqani që kam në Astir, sillej ndryshe, më kërkoi falje, tentoi të afrohej në intimitet, por unë s’kam pranuar, as ai nuk ka këmbëngulur. Më premtoi që do më sillte paratë shumë shpejt. Pas disa ditësh me datë 1 mars 2023 erdhi në dyqan dhe ka tentuar të më vrasë, siç e kam shpjeguar dhe në deklarimet për ngjarjet e asaj dite. Unë mendoj që ai mi kërkon pasi i kam dhënë herët e tjera, dhe nga frika do t’i jap përsëri.

E pyetur mbi burimin e parave që i ka dhënë Dan Hutrës, ajo ka deklaruar se fillimisht 500 mijë i ka tërhequr nga llogaria e saj bankare, të cilat janë nga rroga e punës në një pastiçeri nga viti 2016 deri në vitin 2021. Herën e dytë, 500 mijë lekë ia ka marrë borxh vëllait të saj, duke i thënë që i duhen një shoqes së saj pasi kishte fëmijën e sëmurë. Herën e tretë dhe herën e katërt i ka marrë nga kursimet e shtëpisë, njëherë 500 mijë dhe njëherë 800 mijë, të cilat i kishin përfituar nga biznesi i shitjes së dyerve.

Telefonatat kanë vijuar deri në janar në vitit 2024 dhe Marjana Gurakuqi ka denoncuar sërish në Polici, duke pretenduar se janë persona që e marrin në emër të Dan Hutrës, por jo vetë ai, pasi atë do e njihte nga zëri. Mesazhi i fundit, i ka shkuar më datë 8 janar 2024, nga një person që i është prezantuar si shok i Dan Hutrës, i cili i ka thënë se i kishte mbaruar afati që duhej t’i jepte paratë Danit. Numri është identifikuar nga Policia dhe quhej Brian Agolli. Ai ka deklaruar se është njohur në burg me Dan Hutrën dhe ai i ka kërkuar që të telefonojë një numër që ia kishte dhënë dhe t’i prezantohej si shok i tij e të kërkonte borxhin.

I izoluar në burg por me mendjen jashtë

Pra, edhe pse i izoluar në burg, ai nuk ka qëndruar i qetë. Por sikur të mos mjaftonin akuzat për vrasje e plagosje, Dan Hutra i shtoi vetës edhe një të re. Duket se i bindur për vendimin final që e pret dhe me mendimin se do e kalojë gjithë jetën pas hekurave, ai tentoi lirinë. Mëngjesin e 4 janarit të vitit 2024, bashkë me tre të dënuar të tjerë, Dan Hutra tentoi të arratisej nga Burgu i Fierit, por ngjarja u parandalua në kohë.

Drejtoria e Burgjeve

Më datë 4 janar 2024, rreth orës 11:25, në IEVP Fier, si rezultat i ndjekjes, mbikëqyrjes, kontrollit dhe përdorimit të mjeteve teknike disa javore nga stafi i burgjeve, u kap në flagrancë duke tentuar për t’u arratisur i burgosuri me rrezikshmëri dhe histori kriminale, Dan Riza Hutra, autor i disa vrasjeve. Plani kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë. Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara.

Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht, një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara. Të dhënat paraprake tregonin për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje.

Të përfshirë në këtë ngjarje ishin:

Dan Hutra, 42 vjeç, me masë sigurie “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të vrasjes; Martin Kapllani, 22 vjeç me masë sigurie “arrest në burg”, për vjedhje; Geraldo Veizaj, 21 vjeç, me masë sigurie “arrest në burg”, për vjedhje; Feti Kovaçi, 29 vjeç, po ashtu me masë sigurie “arrest në burg” për vjedhje.

Për këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përgatiti dosjen me kërkesën për të izoluar Dan Hutrën në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Në fakt kjo nuk ishte tentativa e tij e parë për t’u arratisur nga burgjet. Të njëjtën gjë provoi edhe në vitin 2014, kur 7 të dënuar u arratisën nga Burgu i Drenovës. Një plan që sipas Prokurorisë së Korçës ishte organizuar nga Admir Tafili, por gjatë hetimeve doli në skenë edhe emri i Dan Hutrës, si person që kishte marrë pjesë gjatë organizimit të planit, pa çka se nuk kishte arritur të dilte nga burgu.

E duket se Dan Hutra mund të provojë gjithçka nëse nuk merren masat e duhura. Pasi një njeri që nuk ka asgjë për të humbur, i bindur që pjesën tjetër të jetës do e kalojë pas hekurave, do tentojë vazhdimisht të fitojë lirinë. Qoftë edhe duke u arratisur. Por një ngjarje e tillë, nuk është më thjeshtë cenim i sigurisë së burgjeve. Nëse një personazh si Dan Hutra, i pa penduar për krimet që ka kryer dhe ndoshta me plane të parealizuara, siç vetë ai ka deklaruar në dëshminë e tij, kthehet në rrezik për të gjithë ata që ai nuk mori dot hak në atë mënyrë që donte kur ishte i lirë. E mbase jo vetëm ata.

Por të paktën dy vrasje të tjera që ai ishte nisur t’i realizonte 1 marsin e vitit 2023, i dështuan. Dhe kjo e kthen atë në një vrasës serial potencialisht të rrezikshëm, që “hakmarrjen ndaj drejtësisë” siç e quan ai, e kryen në mënyrën më tragjike të mundshme.

Përkujtohet Shuk Gurakuqi, ish-ministri i Financave i persekutuar nga regjimi komunist

By: Kult Plus
28 March 2025 at 15:00

Shuk Gurakuqi lindi në Shkodër dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Ka punuar fillimisht si arkëtar në Doganën e Shkodrës, si administrator i disa firmave private ne Shkodër dhe gjatë pushtimit austro-hungarez, si shef i Seksionit te Financave në Bashkinë Shkodër.

Gjatë viteve 1920-24, zgjidhet dy herë si deputet i qarkut Shkodër e njëkohësisht, drejton organin e shtypit “Ora e Maleve” bashkë me Patër Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë. Ndonëse nuk merr pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, ai ishte një mbështetës i grupit antizogist dhe për këtë arsye mbetet në ekzil gjatë qeverisjes së Mbretit Zog.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe drejton firmën tregtare “Vllazën Prennushi”. Në qeverinë e Mustafa Krujës, Shuk Gurakuqi mbajti për dy vjet postin e ministrit të Financave. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gurakuqi arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special.

Në vitin 1949 dënimi iu ul në 20 vjet. Vuajti gjithsej 17 vjet burg, ku pjesën më të madhe e kaloi në burgun famëkeq të Burrelit. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri dhe lexime shkencore. Ndërroi jetë më 13 prill 1966 në Shkodër. / KultPlus.com

Luigj Gurakuqi më 1912: Shqiptarët nuk do të bëhen sllavë

By: Kult Plus
10 March 2025 at 14:03

“La Petite République” ka botuar të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen e tretë, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit dhënë gazetës “Neues Wiener Tagblatt”.

Shkrimi është si më poshtë:

“Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë. Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë”.

“Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të”./ KultPlus.com

100-vjetori i vrasjes së Luigj Gurakuqit, Spiropali në Itali: Ndër etërit themelues të Shqipërisë së pavarur

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbajti një fjalë në ceremoninë e organizuar sot në Bari (Itali), në 100-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit.

Në këtë veprimtari merrnin pjesë autoritete të larta të Barit, rajonit të Puljas, deputetët Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Pandeli Majko dhe Milva Ekonomi, kryetarë të bashkive, drejtues universitetesh dhe studiues shqiptarë dhe italianë.

Para fillimit të kësaj veprimtarie, kryetarja Spiropali u prit në takim nga kryetari i bashkisë, Leccese dhe i shprehu mirënjohjen bashkisë dhe Universitetit “Aldo Moro” të Barit, për organizimin e ceremonisë përkujtimore për patriotin dhe shkrimtarin Luigj Gurakuqi.

Spiropali dhe Leccese vendosën kurora dhe buqeta me lule në pllakën që përkujton vrasjen e Luigj Gurakuqit.

Në fjalën e saj, Spiropali, nënvizoi se “Luigj Gurakuqi e mbylli rrugëtimin e tij tokësor në këtë qytet që e ka dashur ndoshta më shumë se atdheun e tij, Shqipërinë. Delegat në Kuvendin e Vlorës, autori që shkruajti tekstin e Deklaratës së Pavarësisë dhe bashkëfirmëtar i saj, do të mjaftonin që Luigj Gurakuqin ta quajmë një ndër etërit themelues të shtetit shqiptar. Etërit themelues të Shqipërisë, u ndodhën në ato kohëra historike, përballë një lutjeje këmbëngulëse të popullit shqiptar: Bëni diçka për fatin e vendit tonë. Ata kanë dhënë jetën e tyre për Shqipërinë. Luigj Gurakuqi u vra në një periudhë të trazuar për Shqipërinë, në një kohë të turbullt për Italinë dhe në dekadë të mjegullt për Europën dhe botën”.

“Luigj Gurakuqi nuk ishte një figurë as rastësore dhe as episodike, por një personalitet me rol vendimtar për fatin e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar. Ishin vitet kur Shqipëria po bëhej dhe patrioti dhe shtetari, luftëtari dhe dijetari ynë i madh ishte gjithmonë aty. Ishte ndër më të spikaturit burra të Shqipërisë që i doli zot atdheut të vet me dije e me penë, por edhe me betejat e tij. Ishte jo vetëm një dijetar poliedrik, por edhe një luftëtar për pavarësinë e Shqipërisë. Luigj Gurakuqi nuk u bë ndër burrat më të shquar të Shqipërisë as në një ditë dhe as rastësisht. Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, i cili gjithashtu, për një koincidencë të trishtë, e kishte dhënë frymën e fundit, para gjashtë vjetësh, po në Itali, në Perugia”, theksoi Spiropali.

Kryeparlamentarja theksoi se “Gurakuqi ishte gjithashtu bashkëpunëtori më i ngushtë i demokratit liberal, Shkëlqesisë së Tij, Fan Noli, i cili shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë gjatë vitit 1924 dhe në qeverinë e të cilit Gurakuqi shërbeu si Ministër i Financave”.

“Si deputet i Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë dhe si një ndër udhëheqësit më të shquar të opozitës demokratike, gjatë viteve 1921-1924, luftoi për demokratizimin e shoqërisë shqiptare, lehtësimin e gjendjes së bujqësisë, zhvillimin ekonomik e progresin e kulturor dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin për një kohë të gjatë. Oratoria dhe aktiviteti parlamentar i Luigj Gurakuqit janë një referencë e çmuar për ne, parlamentarët shqiptarë”, tha Spiropali.

Sipas saj, Luigj Gurakuqi ishte një demokrat autentik dhe besonte se Shqipëria mund të qeverisej në mënyrë demokratike e liberale, por, për fat të keq, Shqipëria nuk kishte arritur në këtë fazë pjekurie shtetërore e demokratike.

“Një demokrat me ide të qarta mbi kohezionin fetar dhe social të Shqipërisë, duke kërkuar dhe argumentuar teorikisht ndarjen e besimeve fetare nga shteti dhe harmoninë mes besimeve e komuniteteve fetare, sipas parimit të artikuluar nga vetë ai: “Feja e lirë në shtet të lirë”. Në atë që do bëhej me kalimin e kohërave një ndër thesaret kulturore e kombëtare të Shqipërisë, bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë fetare, është edhe kontributi i Luigj Gurakuqit. Duke qenë një patriot e diplomat i shquar, ishte edhe një nxitës dhe mbrujtës i miqësisë mes popujve, dhe shërbeu si një një urë lidhëse e miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë, shqiptarëve, arbëreshëve dhe italianëve”, tha Spiropali.

Spiropali tha se “gjatë një shekulli, kjo qoshe dhe ky trotuar në Corso Vittorio Emmanuele, ku qytetarët e Barit kanë vendosur pllakën që përkujton vrasjen e patriotit dhe shkrimtarit shqiptar Lugj Gurakuqi, “kanë parë e kanë jetuar” shumë momente historike, të cilat kanë dëshmuar se miqësia mes Shqipërisë dhe Italisë, një ndër arkitektët e të cilëve ishte Luigj Gurakuqi është fuqizuar dhe u ka rezistuar sprovave të historisë”.

“Gjatë sfidave me të cilat historia i përballi gjatë një shekulli prej vrasjes së Luigj Gurakuqit shtetet e tyre, shqiptarët dhe italianët zgjodhën me mençuri e inteligjencë të ruajnë e të zhvillojnë miqësinë mes tyre. Kjo pllakë, sot në 100-vjetorin e vrasjes së këtij vigani liberator, siç do ta quante Fan Noli, shikon dhe konfirmon se ëndrra e Luigj Gurakuqit për një Shqipëri “në caqet e idealit të tij”, siç shprehej në përcjelljen e tij shqiptari tjetër i madh Hasan Prishtina, po realizohet”, përfundoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali në ceremoninë e organizuar në Bari në 100-vjetorin e vrasj...
1 nga 13

/k.s/r.e/a.f/

The post 100-vjetori i vrasjes së Luigj Gurakuqit, Spiropali në Itali: Ndër etërit themelues të Shqipërisë së pavarur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elegji për Luigj Gurakuqin

By: Kult Plus
2 March 2025 at 14:30

Poezi nga Fan Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. / KultPlus.com

100 vite pa Luigj Gurakuqin, u vra pabesisht nga djali i tezes së tij, Baljton Stambolla

By: Kult Plus
2 March 2025 at 11:00

Më 2 mars 1925, në Bari të Italisë u vra pabesisht nga djali i tezes së tij Baljton Stambolla, veprimtari i çështjes kombëtare, hartuesi dhe nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poeti, arsimtari, gjuhëtari, diplomati, deputeti dhe patrioti i madh shqiptar Luigj Gurakuqi.

Luigj Gurakuqi lindi më 20 shkurt 1879. Dora e tij shkroi edhe alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike.

Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar.

L. Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.

Gurakuqi ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme.

Është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit shqiptar.

Si krijues Gurakuqi pati marrëdhënie të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta, L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij vepren “Pika e voeset”. / KultPlus.com

Luigj Gurakuqi, ma i epërmi shëmbëllim i kombtarizmës, qytetarisë, dijes dhe përkushtimit

By: berti
2 March 2025 at 07:49

Nga Albert Vataj I pashoq ishte ai në vlerat e nalta të qytetarisë dhe dijes, kombtarizmës dhe përkushtimit. “Shqiptar i vlefshëm” do të mëtonte kësisoj At Gjergj Fishta. “Pionier i qytetërimit” ishte përcaktimi i klerikut, politikanit dhe veprimtarit të letrave, Fan Noli. Padër Anton Harapi për Gurakuqin do të shtonte: “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare…

Source

“Gjithmonë me Gurakuqin”, ekspozitë e Muzeut Historik Shkodër

27 February 2025 at 12:13

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Në mjediset e Muzeut Historik Shkodër u çel ekspozita “Gjithmonë me Gurakuqin”, kushtuar patriotit Luigj Gurakuqi në 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Ekspozita paraqet sende personale të veprimtarit të çështjes kombëtare, botime dhe dorëshkrime. Artefaktet e paraqitura janë një pjesë e vogël e veprimtarisë së jashtëzakonshme të Gurakuqit, njërit prej iniciatorëve të shpalljes së pavarësisë.

Përgjegjësi i Muzeut Historik Shkodër, Sokol Parmeza, u shpreh për mediat se, “kemi për detyrë jo thjesht t’i rikujtojmë këto figura, por ta kthejmë shoqërinë tonë në përditshmërinë e saj, në ato ideale për të cilat ata dhanë jetën”.

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së Pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar, linguist, ekonomist dhe personazh i politikës shqiptare çerekun e parë të shekullit të 20-të.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit. Mori pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Luigj Gurakuqi qe dhe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Udhëhoqi Revolucionin e Qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së Revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, u vra në atentat. /j.p/

The post “Gjithmonë me Gurakuqin”, ekspozitë e Muzeut Historik Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fan S. Noli dhe Luigj Gurakuqi në Bari më 1925 (FOTO)

By: Kult Plus
19 February 2025 at 23:41

Kjo është një fotografi historike pasi është fotografia e fundit e Fan S. Nolit dhe Luigj Gurakuqit, shkrepur në Bari të Italisë në vitin 1925.

Fotografia është realizuar në fillim të muajit janar vetëm dy muaj para vrasjes së Luigj Gurakuqit në Bari.

Pas vrasjes së Gurakuqit, Noli i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926, Berlin. / KultPlus.com

Elegji për Luigj Gurakuqin

By: Kult Plus
19 February 2025 at 18:02

Poezi nga Fan Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. / KultPlus.com

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

By: Kult Plus
28 November 2024 at 15:53

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com

The post Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO) appeared first on KultPlus.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Akademia e Shkencave, konferencë shkencore mbi leksikografinë

By: Kult Plus
21 October 2024 at 13:13

Në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, në bibliotekën universitare të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua konferenca shkencore “Leksikografia shpjeguese shqipe e viteve 1930- 1940”.

Veprimtaria u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, departamenti i gjuhësisë i këtij universiteti dhe Qendra e Studimeve Albanologjike pranë tij. Ky aktivitet i përbashkët erdhi në vazhdën e shumë bashkëpunimeve të tjera shkencore ndërmjet këtyre institucioneve.

Akademiku Valter Memisha ndau lajmin e mirë mbi punën që po bëhet për hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe. Konferenca u përshëndet edhe nga prof. dr. Blerta Dragusha, zëvendësrektore e Universitetit të Shkodrës. Në fjalët përshëndetëse u evidentuan disa nga sfidat dhe arritjet e leksikografisë shpjeguese shqipe gjatë viteve ‘30 – ‘40 të shek. XX, si dhe u vu në dukje fakti që dijetarë të trevës së Veriut luajtën një rol kyç në zhvillimet leksikografike të gjuhës sonë, duke i cilësuar ata si prijës.

Kumtesat e mbajtura në këtë tubim shkencor analizuan punën e asaj periudhe dhe vlerësuan trashëgiminë e saj në kontekstin e sotëm, duke u ndalur në prurjet leksikografike të N. Gazullit, P. Tases, L. Nosit, A. Sirdanit; në botime të lëndës leksikore nga dijetarë të tjerë, si: M. Kruja, K. Gurakuqi e A. Xhuvani; si dhe në probleme teorike të parashtruara nga studiues të kohës, si: F. Konica e L. Gurakuqi, duke përgatitur kështu truallin për leksikografinë shkencore njëgjuhëshe institucionale të Pasluftës II Botërore./atsh/KultPlus.com

The post Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Akademia e Shkencave, konferencë shkencore mbi leksikografinë appeared first on KultPlus.

❌
❌