“Berisha i lirë pavarësisht akuzave”, Meçe: Veliaj këmbëngul në pafajësi. Rama i fokusuar te hallet e qytetit
Në një analizë të drejtpërdrejtë në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Arben Meçe komentoi zhvillimet më të fundit që lidhen me përballjen ligjore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe solli në vëmendje raste të tjera të ngjashme në skenën politike shqiptare.
Meçe theksoi se ndryshe nga rasti i Jamarbër Malltezit, i cili ndodhet në fazë gjykimi për një vepër penale, apo Sali Berishës, që ndonëse përballet me akuza të rënda është ende i lirë, Veliaj po kalon një proces ku ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij.
Sipas Meçes, situata ndaj Veliajt është kthyer në një përplasje mes ligjit dhe perceptimit publik, ku shumë qytetarë shohin një lloj ndëshkimi nga ana e kryeministrit Rama, një ide që ai e hodhi poshtë, duke argumentuar se Rama po qëndron jashtë këtij procesi dhe është i përqendruar në menaxhimin e punëve të qytetit.
“Jamarbër Malltezi e kishte kaluar fazën e deklarimit të veprës penale dhe ishte në gjykim. Berisha është me vepër penale sot dhe është i lirë. Veliaj ka të drejtë të kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë. Erion Veliaj të gjitha deklaratat e i ka që unë jam i pafajshëm, ai nuk e pranon fajësinë. Ne jemi në një pistë ligjore dhe në një debat politik për Erion Veliajn. Jo më shumë se sa një orë më parë dy miqtë më takojnë dhe më thonë pse Edi Rama po dënon Erion Veliajn. Sepse kanë këtë perceptim, ndërkohë që Rama nuk është i përfshirë fare. Rama qëndron në distancë dhe është i fokusuar që të zgjidhë hallet që ka qyteti. Sali Berisha po paralizohet sepse prodhoi VKM dhe prodhuan korrupsion dhe normalisht duhet të pranojë që të japë dorëheqjen”, tha analisti./abcnews.al