Stadiumi i ri “Flamurtari” në Vlorë, Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit
TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Stadiumi “Flamurtari” pritet të kthehet në një arenë moderne sportive dhe një pikë referimi për jetën sportive, sociale dhe ekonomike të qytetit të Vlorës, si pjesë e një masterplani të gjerë zhvillimi.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu nëpërmjet një postimi sot në rrjetet sociale, nënvizoi se stadiumi do të jetë në funksion të qytetit, ndërsa theksoi rëndësinë e këtij projekti.
Sipas tij, veç stadiumit, plani përfshin ndërtimin e një pishine publike moderne dhe një pallati të ri të sportit për qytetin e Vlorës.
“Projekti i transformimit të Stadiumit ‘Flamurtari’ në një arenë tërësisht të re dhe moderne në funksion të qytetit, është pjesë e një masterplani i cili planifikon zhvillimin e një zone edhe më të gjerë se ajo e pronës publike dhe përveç stadiumit parashikon edhe një pishinë të re publike dhe pallatin e ri të sportit të qytetit të Vlorës”, nënvizoi Vengu.
Vengu shtoi se projekti sjell një harmoni të gjetur mes arkitekturës moderne dhe trashëgimisë historike.
“Projekti fitues i konkursit ndërkombëtar, në pronën publike, përfshin ndërtesa bashkëkohore që do ti japin një gjallëri të re jetës sociale e ekonomike të Vlorës, përmes konceptimit të bukur ariktektonik të XDGA | Consulting and Management Albania ltd | Jeshile Landscape | Bollinger + Grohmann Sarl | Ledia Kostandini, në një harmoni tejet të gjetur me trashëgiminë aq të pasur historike të këtij qyteti kaq të dashur nga të gjithë shqiptarët dhe bota mbarë”, shkruan Vengu.
/m.q//r.e/
The post Stadiumi i ri “Flamurtari” në Vlorë, Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.