Zjarret/ Berisha: Qytetarët të braktisur, ushtria konfiskon kompjuterët e gazetarëve
Në konferencën e sotme për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj situatës së zjarreve që kanë përfshirë vendin, duke e cilësuar atë “emergjencë kombëtare jashtë kontrollit”.
Kryedemokrati u shpreh se në dy ditët e fundit Shqipëria ka përjetuar dëmet më të rënda nga flakët në historinë e saj, me mijëra hektarë pyje, kullota dhe pemë frutore të djegura, dhjetëra shtëpi të shkatërruara, gjë të gjallë të humbur dhe viktima.
Sipas Berishës, ‘qytetarët nga jugu në veri janë lënë të pambrojtur nga shteti, ndërsa zona si Delvina, Fushë-Arrëzi dhe Gramshi ndodhen në rrethim flakësh’.
Krydemokrati akuzoi qeverinë se, në vend të mobilizimit për shuarjen e zjarreve dhe mbrojtjen e popullatës, ‘po përdor forcat e armatosura dhe policinë për të marrë pajisjet e gazetarëve’.
Berisha pretendoi se mjetet e ushtrisë nuk po përdoren për evakuime, por për “plaçkitje” të mjeteve të punës së mediave. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë përgjegjësie dhe shpërdorim fondesh, duke përmendur 21 milionë euro të shpenzuara për udhëtime me çarter, 7 milionë euro për “Giro d’Italia”.
Sipas tij, këto fonde do të mjaftonin për blerjen e avionëve zjarrfikës dhe dhjetëra mjeteve të reja për emergjenca, ndërsa aktualisht po përdoren vetëm pajisje të blera 15-20 vite më parë.