Barcelona po pret oferta për mbrojtësin e vlerësuar spanjoll
Barcelona pritet të miratojë disa largime nga skuadra në javët e fundit të afatit kalimtar veror në La Liga, në mënyrë që të finalizojë regjistrimet e lojtarëve për sezonin e ri.
Blaugranasit ndodhen në një situatë delikate, teksa trajneri Hansi Flick synon të regjistrojë transferimet verore Marcus Rashford dhe Joan Garcia, që të jenë të gatshëm për ndeshjen hapëse të sezonit më 16 gusht ndaj Mallorcas.
Rashford ka deklaruar se është i sigurt që klubi do ta zgjidhë çështjen në kohë dhe se kjo nuk do të ndikojë në debutimin e tij, ndërsa Garcia është ende në pritje të një vendimi për situatën e Marc-Andre Ter Stegen.
Barcelona pritet të marrë së shpejti lajme mbi mungesën e portierit gjerman pas ndërhyrjes kirurgjikale në shpinë.
Ter Stegen ka thënë vetë se do të mungojë vetëm për tre muaj, por nëse vlerësimi mjekësor nga La Liga e rrit këtë periudhë në katër muaj, atëherë Barcelona mund të aktivizojë një rregull që i lejon të lirojnë 80% të hapësirës së rrogës së tij për të regjistruar Garcian.
Ky do të ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme, por mjaftueshëm për të shmangur një tjetër siklet për Flick dhe klubin në lidhje me regjistrimet në Kataloni.
Ndër lojtarët që pritet të largohen është mbrojtësi i djathtë Hector Fort. Kjo pasi përpara tij në hierarki janë Jules Kounde dhe Eric Garcia, ndërsa në krahun e majtë mbulimi vjen nga Alejandro Balde, Gerard Martin dhe Jofre Torrents.
Skuadra e sapongjitur në Ligue 1, Paris FC, ka shfaqur interes për Fort, ndërsa sipas Mundo Deportivo, në garë për të janë edhe Milan, Borussia Dortmund dhe Ajax. /Telegrafi/
The post Barcelona po pret oferta për mbrojtësin e vlerësuar spanjoll appeared first on Telegrafi.