Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Monitorim i plazheve publike për një sezon turistik të pastër dhe të rregullt

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Agjencia Kombëtare e Bregdetit, agjencitë rajonale dhe strukturat e tjera janë çdo ditë në terren për të monitoruar garantimin e një sezoni turistik të pastër dhe të rregullt.  

Rama ndau në rrjetet sociale momente nga inspektimet e kryera në Sarandë, Zvërnec, Darzezë, Radhimë e Ksamil. 

Kryeministri Rama tha se “respektimi i parcelave publike siç parashikohet në rregulloren e re të menaxhimit të plazheve, ku dyfishimi i aksesit në plazhet publike, shton edhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen, pastrimin dhe modelin qytetar në respektimin e hapësirave të përbashkëta”. 

Këtë vit rregullorja e re re menaxhimit të plazheve bazohet në parimin kryesor se shezlonget në vetvete nuk mund të jenë model parësor biznesi, por duhen trajtuar vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese. Në çdo një kilometër plazh këtë vit ka 300 metra plazh publik.

Momente nga inspektimet e kryera në Sarandë, Zvërnec, Darzezë, Radhimë e Ksamil
1 nga 19

/e.i//r.e/

The post Rama: Monitorim i plazheve publike për një sezon turistik të pastër dhe të rregullt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çmimet e reja të referencës, MF publikon hartat

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministria e Financave publikoi sot për konsultim publik projektvendimin për metodologjinë, rregullat dhe procedurat për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, si dhe për llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj.

Në projektvendim propozohen ndryshimet e çmimeve të referencës për të gjitha qarqet e Shqipërisë, përjashtuar 32 zonat kadastrale të Tiranës dhe njësitë administrative, çmimet e të cilave ndryshuan në muajin korrik 2023.

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme është një nga burimet më të rëndësishme të financimit për njësitë e qeverisjes vendore, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.

Në Shqipëri, kjo taksë ka një rol të veçantë për bashkitë, por të ardhurat që ajo gjeneron mbeten ende të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe me vendet e zhvilluara.

Aktualisht, taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfaqëson vetëm 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja rajonale është 0,8% dhe ajo e vendeve të OECD-së shkon në 1,1%.

Për të përballuar sfidat që lidhen me mbulimin e kostove në rritje të shërbimeve publike dhe për të forcuar autonominë financiare të bashkive, Ministria e Financave thotë se ka ndërmarrë këtë reformë për përmirësimin e sistemit të taksimit mbi ndërtesat.

Kjo nismë, sipas saj, synon ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe të drejtë të taksimit të pasurive të paluajtshme, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave vendore dhe zhvillimin më të balancuar urban.

“Reforma është në linjë me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare si FMN dhe partnerë të tjerë zhvillimi, të cilët kanë theksuar rëndësinë e kësaj takse për drejtësinë fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të qeverisjes vendore”, thekson MF.

Që prej vitit 2018, në Shqipëri taksa mbi ndërtesat llogaritet mbi bazën e vlerës së pronës (sistem ad valorem), çka përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm drejt një sistemi më të drejtë dhe më të barabartë për taksapaguesit. Megjithatë, në praktikë, ky sistem përballet ende me sfida serioze, përfshirë administrimin e dobët, mungesën e të dhënave të sakta dhe mospërputhjen mes çmimeve referuese dhe atyre reale të tregut.

Për të adresuar këtë situatë, është përgatitur një projektvendim për përditësimin e çmimeve mesatare referuese për banesat në 12 qarqe të vendit, pa përfshirë bashkinë Tiranë. Këto çmime janë rezultat i një pune të koordinuar nga një grup ndërinstitucional i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili synon të afrojë çmimet referuese me realitetin e tregut. Gjatë kësaj pune, qytetet janë ndarë në zona të ndryshme dhe janë hartuar harta përkatëse ku përcaktohet çmimi mesatar për metër katror banimi për çdo zonë. Ky përditësim synon të sigurojë një bazë më të saktë për llogaritjen e taksës mbi ndërtesat dhe do të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi më të drejtë dhe më të miradministruar të taksimit të pasurisë së paluajtshme.

Procesi i përcaktimit të çmimeve është bazuar në një metodologji të qartë dhe të detajuar. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka mbledhur të gjitha kontratat e shitblerjeve të apartamenteve dhe ndërtesave për periudhën 2022-2024, duke përfshirë të dhëna si zona, numri i pasurisë, sipërfaqja në metra katrorë, vlera e kontratës dhe data e saj. Vlerat e shprehura në monedhë të huaj janë konvertuar në lekë me kursin mesatar të periudhës përkatëse dhe për çdo kontratë është llogaritur çmimi për metër katror. Më pas, të dhënat janë organizuar sipas bashkive dhe ndarë në blloqe, që janë njësitë më të vogla me të dhëna digjitale të disponueshme. Nga analiza janë përjashtuar kontratat me vlera jo realiste apo nën çmimin referencë.

Përpunimi ka përfshirë edhe analizën e të dhënave hartografike, duke përdorur harta digjitale të regjistrimit fillestar të zonave dhe duke i lidhur me të dhënat alfanumerike përmes numrit të bllokut. Rezultatet janë paraqitur në formate digjitale (.shp dhe .kmz), ku për çdo bllok që përmban transaksione pasqyrohen numri i kontratave dhe çmimi mesatar për metër katror.

Ndarja zonale për përcaktimin e çmimeve është bërë në bazë të disa kritereve që marrin në konsideratë karakteristikat e qyteteve dhe ndikimin që kanë në çmimin e banesave. Afërsia me qendrën e qytetit, që lidhet me kërkesën më të lartë për prona dhe zhvillimin ekonomik më të përqendruar, është një ndër kriteret kryesore. Po ashtu janë marrë në konsideratë edhe afërsia me polet e zhvillimit strategjik, si zona ku priten investime të rëndësishme që mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve. Një tjetër faktor është afërsia me rrugët kryesore të aksesit në qytet, që ndikon në vlerën e pasurive për shkak të lidhjeve më të mira të transportit. Zonat historike, për shkak të vlerave arkitekturore dhe urbanistike, gjithashtu përbëjnë një element të rëndësishëm në ndarjen zonale. Për qytetet bregdetare është marrë në konsideratë afërsia me vijën bregdetare, duke qenë se këto zona kanë potencial më të lartë turistik dhe prirje më të lartë për zhvillim të tregut imobiliar.

1 nga 5

/r.e/

The post Çmimet e reja të referencës, MF publikon hartat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelje e rregullave të qarkullimit, katër drejtues mjetesh të arrestuar e 1958 masa administrative nga Rrugorja Shkodër

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia Rrugore e Shkodrës njoftoi sot se gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar katër drejtues mjetesh, ndërsa janë vendosur 1958 masa administrative.  

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur gatishmërinë dhe vigjilencën, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, gjatë sezonit veror. 

Gjithashtu, Policia bën me dije se monitorohen pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si dhe parkimet e gabuara që bëhen pengesë për qarkullimin. Janë ushtruar kontrolle dhe janë ndëshkuar me masë administrative edhe drejtuesit e motomjeteve elektrike, të cilët bëhen burim aksidenti duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.  

Sipas Policisë Rrugore Shkodër, gjatë këtyre dy javëve, janë arrestuar 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vënë gjithsej 1958 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 166 masa për mosvënien e rripit të sigurimit; 155 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse; 39 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 28 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit; 13 masa për xhama të errësuar; 260 masa për parakalime të gabuara; 501 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar; 94 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 702 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. 

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore. 

Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.  

/e.i/r.e/

The post Shkelje e rregullave të qarkullimit, katër drejtues mjetesh të arrestuar e 1958 masa administrative nga Rrugorja Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TOKIO – Von der Leyen: BE-ja dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për politikat tregtare

23 July 2025 at 17:32

TOKIO, 23 korrik /ATSH/ – Bashkimi Evropian dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare, tha sot për gazetarët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sipas Reuters.

Deklaratat e von der Leyen vijnë pas një samiti BE-Japoni me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba, në një kohë kur BE-ja po has vështirësi në përfundimin e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetëm një ditë para takimeve të mundshme sfiduese me udhëheqësit kinezë.

Ndërkohë, Japonia arriti  dje një marrëveshje tregtare me SHBA-në, e cila ul tarifat për importet e makinave në këmbim të investimeve dhe huave drejt SHBA-së.

Von der Leyen tha se BE-ja dhe Japonia do të synojnë forcimin e sigurisë ekonomike.

“Do të punojmë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare”, tha ajo. “Ne besojmë në konkurrencën globale dhe ajo duhet të sjellë përfitime për të gjithë”, shtoi von de Leyen.

Nga ana e tij, Ishiba u tha gazetarëve se BE-ja dhe Japonia do të punojnë për të ruajtur dhe forcuar një rend ekonomik të lirë, të drejtë dhe të bazuar në rregulla.

Ai shtoi se BE-ja dhe Japonia kanë rënë dakord të punojnë për forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe të nisin bisedimet për një marrëveshje sigurie informacioni.

“Në fushën e sigurisë, ramë dakord të bashkëpunojmë për të nisur një dialog mbi industrinë e mbrojtjes me qëllim forcimin e bazës industriale të mbrojtjes, që është një përparësi për të dyja palët, dhe për të filluar negociatat zyrtare për një marrëveshje sigurie informacioni midis Japonisë dhe BE-së”, tha Ishiba. /Ad.Ab/

The post TOKIO – Von der Leyen: BE-ja dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për politikat tregtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STAMBOLL – Turqia blen avionë “Eurofighter” pas marrëveshjeve me BM-në dhe Gjermaninë

23 July 2025 at 17:30

STAMBOLL, 23 korrik /ATSH-DPA/- Turqia arriti sot disa marrëveshje me aleatët e NATO-s, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilat i hapin rrugën blerjes së dhjetëra avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon”, që Ankaraja i ka kërkuar për të forcuar mbrojtjen në rajonin gjithnjë e më të paqëndrueshëm, sipas “Reuters”.

Turqia dhe Britania e Madhe nënshkruan sot një marrëveshje paraprake që i lejon Ankarasë të përdorë avionët “Eurofighter Typhoon”, ndërsa Gjermania miratoi dorëzimin e 40 avionëve.

Turqia, anëtare e NATO-s, është mbështetur në projektet e saj të industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë avionët vendas, dhe blerjet e huaja për të forcuar mbrojtjen.

Përveç avioneve “Eurofighters”, ajo është në bisedime me Uashingtonin për të blerë 40 avionë F-16.

“Qeveria gjermane ka hapur rrugën për dorëzimin e 40 avionëve “Eurofighter Typhoon” në Turqi – pas një vendimi pozitiv nga Këshilli Federal i Sigurisë”, raportoi sot revista “Spiegel”.

Ankaraja ka qenë në bisedime që nga viti 2023 për të blerë 40 avionë “Eurofighter Typhoon”, të cilët janë ndërtuar nga një konsorcium i Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Spanjës, i përfaqësuar nga “Airbus”, “BAE Systems” dhe “Leonardo”.

Ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler, gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve së bashku me sekretarin britanik të Mbrojtjes, John Healey, në Stamboll, tha se ato do të forconin lidhjet dypalëshe dhe do të rrisnin fuqinë ajrore të aleancës së NATO-s, duke mbështetur njëkohësisht aftësitë ajrore të Ankarasë. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Qeveria gjermane ka hapur rrugën për eksportin e avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon” në Turqi, duke hequr një pengesë kyçe për një marrëveshje të madhe armësh që përfshin Britaninë e Madhe.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius konfirmoi në Berlin të mërkurën se Ministria e Mbrojtjes i ka dërguar autorizim me shkrim Ankarasë. Qeveria turke tani duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me porosinë, tha ai.

Ky veprim vjen pas një njoftimi të mëparshëm të mërkurën nga Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia, të cilat nënshkruan një letër qëllimi për të çuar përpara një marrëveshje të mundshme për shitjen e 40 Eurofighters.

Avionët luftarakë montohen në Britani si pjesë e një konsorciumi shumëkombësh që përfshin Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën, që do të thotë se të katër vendet duhet të miratojnë çdo marrëveshje eksporti.

Ministria Britanike e Mbrojtjes e quajti marrëveshjen një “hap të rëndësishëm përpara”, duke thënë se do të forconte aftësitë parandaluese të NATO-s dhe do të mbështeste mijëra vende pune në mbrojtje.

Sekretari Britanik i Mbrojtjes John Healey e përshkroi marrëveshjen potencialisht multimiliardë paundëshe si një “arritje të madhe”.

The post STAMBOLL – Turqia blen avionë “Eurofighter” pas marrëveshjeve me BM-në dhe Gjermaninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE përgatit planin e tarifave hakmarrëse kundër eksporteve amerikane me vlerë 95 miliardë euro

23 July 2025 at 17:13

BERLIN, 23 korrik /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian po kërkon dritën jeshile nga shtetet anëtare të BE-së për të vendosur tarifa importi ndaj mallrave amerikane – me një vëllim të përgjithshëm tregtar prej rreth 95 miliardë eurosh (111,4 miliardë dollarë) – nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dështojnë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi së fundmi se do të vendosë tarifa prej 30% ndaj importeve të bllokut që nga 1 gushti.

BE-ja ende shpreson të gjejë një zgjidhje të negociuar në mosmarrëveshjen me Uashingtonin mbi çekuilibrat e dyshuara tregtare dhe kërcënimin për rritje të tarifave.

Pavarësisht se synon të shmangë vendosjen e kundër-tarifave, një zëdhënës i Komisionit Evropian njoftoi sot se një sërë kundërmasash do t’u paraqiten vendeve anëtare për miratim.

Masat përfshijnë dy lista të paraqitura dhe të ndryshuara më parë të mallrave të synuara, duke përfshirë produktet industriale dhe bujqësore.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic ka planifikuar të zhvillojë një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, përpara se të takohet me ambasadorët e BE-së në Bruksel për të diskutuar sot pasdite zhvillimet e fundit. //a.i/

The post BRUKSEL – BE përgatit planin e tarifave hakmarrëse kundër eksporteve amerikane me vlerë 95 miliardë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: Bashkëpunim mes organeve të rendit dhe institucioneve të drejtësisë kundër trafikimit të qenieve njerëzore

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri bëri të ditur sot se, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, mbetet një sfidë globale e nxitur nga krimi i organizuar dhe emigracioni i paligjshëm.  

Në konferencën përmbyllëse të projektit “Të Drejtat e Viktimave Nuk Kanë Çmim”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, McKenzie Louw, së bashku me zbatuesin e projektit, qendrën Psiko-Sociale Vatra, dhe partnerët nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Lartë dhe forcat shqiptare të zbatimit të ligjit, theksuan nevojën për bashkëpunim mes organeve të rendit, institucioneve të drejtësisë dhe komuniteteve për të çmontuar rrjetet e trafikantëve dhe për të mbështetur viktimat. 

Në njoftimin e Ambasadës, thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në luftën kundër trafikimit, sigurimin e kufijve dhe çmontimin e rrjeteve kriminale ndërkombëtare që shfrytëzojnë individët më të cenueshëm”.

Konferenca përmbyllëse e projektit “Të Drejtat e Viktimave Nuk Kanë Çmim”, mbështetur nga Ambas...
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Ambasada e SHBA: Bashkëpunim mes organeve të rendit dhe institucioneve të drejtësisë kundër trafikimit të qenieve njerëzore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMA diskuton tek “Antikorrupsioni” draftin për financimin e partive politike

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë sot në takimin konsultues, të thirrur nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, mbi ndryshimet në kuadrin ligjor për financimin e partive politike. 

Drejtuesja e AMA-s, u shpreh se në këtë takim u diskutua, ndikimi i palëve të treta në fushatat zgjedhore, përfshirë reklamat digjitale dhe lobimin, mungesa e një regjimi efektiv për monitorimin e financimit nga palë të treta dhe për fushata online, si dhe çështje të tjera të parashtruara në analizën mbi rregullimin e financimit të partive politike në Shqipëri, hartuar nga ky Komision. 

Sipas Krasniqit, që prej vitit 2021, AMA është angazhuar me monitorimin e mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të.  

“Të dhënat që mblidhen nga ky monitorim, i cili kryhet bazuar në Metodologjinë e hartuar dhe miratuar nga KQZ, i raportohen Komisionit të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.  

Gjatë tryezës së konsultimit të draftit paraprak të projektligjit “Për financimin e partive politike”, palët u shprehën se financimi i partive politike mbetet një çështje tejet e rëndësishme pasi lidhet me shtyllën antikorrupsion dhe është përcaktuar si prioritet në Planin e Veprimit që ka Shqipëria në kuadrin e procesit të negociatave.

AMA në takimin konsultues me Komisionin e Posaçëm Parlamentar
1 nga 6

/e.i//r.e/

The post AMA diskuton tek “Antikorrupsioni” draftin për financimin e partive politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz pret Macron-in për darkë në Berlin

23 July 2025 at 16:48

BERLIN, 23 korrik /ATSH -DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz do të presë sot në mbrëmje presidentin francez Emmanuel Macron për një takim pune dhe darkë në Berlin.

Kjo do të jetë vizita e parë e Macron-it në Gjermani që kur qeveria e Merz-it mori detyrën më 6 maj.

Vetëm një ditë pas zgjedhjes së tij, Merz udhëtoi në Paris për të sinjalizuar një “fillim të ri” në marrëdhëniet franko-gjermane, të cilat ishin ftohur ndjeshëm gjatë mandatit të ish-kancelarit Olaf Scholz.

Tani, të dy liderët synojnë të thellojnë bashkëpunimin “në të gjitha nivelet”.

Temat kryesore të diskutimit përfshijnë përpjekjet për të forcuar pavarësinë e Evropës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diskutimet për një mburojë bërthamore evropiane, një koncept që ish – kancelari Scholz, thuhet se e kishte kundërshtuar me skepticizëm të madh.

Megjithatë, mes dy vendeve ekzistojnë ende mospajtime të rëndësishme. Parisi po insiston për  një borxh të përbashkët evropian me qëllim forcuimin e industrinë së mbrojtjes, një propozim që Berlini e refuzon.

Franca gjithashtu mbështet përdorimin e energjisë bërthamore, ndërsa Gjermania e ka ndërprerë plotësisht atë.

Mospajtime ka edhe në zhvillimin e përbashkët të armëve. Në projektin FCAS, sistemi ajror i luftës i zhvilluar bashkë me Spanjën, të dy vendet ende kanë qëndrime të ndryshme mbi përfshirjen përkatëse në projekt.

Nga këndvështrimi francez, qëllimi i darkës së sotme është përgatitja për mbledhjen e Këshillit ministro-shtetëror franko-gjerman, që do të mbahet në Francë në fund të gushtit.

Në fokus do të jenë konkurrueshmëria evropiane, siguria dhe mbrojtja, si dhe reformat ekonomike dhe sociale.

Darka do të zhvillohet në Villa Borsig, një rezidencë buzë liqenit Tegel, që dikur i përkiste familjes industriale Borsig dhe që sot shërben si shtëpi pritjeje e Ministrisë së Jashtme gjermane. /Ad.Ab./

Bottom of Form

 

The post GJERMANI – Merz pret Macron-in për darkë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rivlerësimi i pronës në 2026-n me tatim 5%, procedura që duhet ndjekur

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Qeveria ka propozuar një projektligj të ri “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, i cili parashikon një periudhë të re për rivlerësimin e pronave nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, me tatim të reduktuar 5% mbi vlerën e rivlerësuar.

Kjo përqindje është më e ulët se normat standarde të tatimit që aplikohen në mungesë të rivlerësimit, dhe ka si qëllim të nxisë formalizimin e tregut dhe deklarimin real të vlerave gjatë shitblerjes së pronave.

Përmes këtij procesi, qytetarët dhe subjektet juridike do të kenë mundësinë të përshtatin vlerën e pronave të tyre me çmimet aktuale të tregut, duke shmangur kështu ndryshimet e mëdha midis vlerës së regjistruar dhe asaj reale.

“Përfitues janë qytetarët që posedojnë pasuri të regjistruara ose në proces regjistrimi, subjektet juridike që duan të përshtasin pasqyrat financiare me vlerat reale të pasurive të tyre, si dhe pronarët që planifikojnë shitjen e pronës dhe duan të reduktojnë barrën tatimore”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit.

Procesi i rivlerësimit do të jetë i thjeshtuar dhe do të zhvillohet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pronarët do të duhet të dorëzojnë kërkesën për rivlerësim brenda afatit të përcaktuar, të sigurojnë një vlerësim të pronës bazuar në çmimet referuese ose nga ekspertë të licencuar, dhe më pas të kryejnë pagesën e tatimit prej 5% mbi diferencën e krijuar nga rivlerësimi. Vetëm pas pagesës, vlera e re do të regjistrohet zyrtarisht.

Kjo nismë synon të përmirësojë ndjeshëm saktësinë e regjistrave të pasurive të paluajtshme, të rrisë transparencën në transaksionet e pasurive, dhe të shmangë fenomenin e deklarimeve fiktive të vlerave të ulëta në momentin e shitblerjes.

Sipas Ministrisë së Financave, përvoja e mëparshme nga aplikimi i ligjeve të ngjashme, ka treguar se ekziston një interes i lartë nga qytetarët për të përfituar nga mundësia e rivlerësimit të pasurisë, çka është reflektuar në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve dhe transaksioneve të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkohë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se çmimet e banesave, në rang vendi, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 16,9%, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë me 23,6%.

“Kjo tendencë rritëse, krahasuar me periudhën e fundit të rivlerësimeve në vitin 2022, e bën të domosdoshëm një përditësim të vlerës së pasurive të paluajtshme në përputhje me realitetin e tregut”, thuhet në relacion.

Ky projektligj do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit, përmes rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi rivlerësimin i cili propozohet të jetë në normën 5%, pa patur nevojë për ndryshime të normave tatimore ekzistuese. Kjo e bën atë një instrument efikas dhe të qëndrueshëm për politikën fiskale.

Kjo është hera e katërt që po zbatohet rivlerësimi i pronave me norma të reduktuara.

1 nga 2

/r.e/

The post Rivlerësimi i pronës në 2026-n me tatim 5%, procedura që duhet ndjekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Varfëria po thellohet, ushqimet bazë më shtrenjtë se në BE

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi sot për nivelin e varfërisë në vend, ndërsa u shpreh se “numri i familjeve të rrezikuara nga varfëria pritet të rritet ndjeshëm këtë vit”.

Në një deklaratë për mediet, Blushi theksoi se “rritja e kostos së jetesës për qytetarët shqiptarë, më të varfërit në Europë, vijon me ritme dramatike të pandalshme”.

“Sipas Eurostat, për vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 100.1% e mesatares së vendeve të BE-së, që do të thotë se qytetarët shqiptarë i blejnë ushqimet bazë të jetesës me shtrenjtë, jo vetëm se të gjithë fqinjët në rajon, por paguajnë më shumë edhe se qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian”, theksoi ai.

Rritja e kostos së jetesës, sipas Blushit, nuk është shoqëruar me rritjen e të ardhurave të në të njëjtën masë.

“Sipas të dhënave të Eurostat, ndërkohë që çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 32 pikë përqindje relativisht me mesataren e BE-së, të ardhurat për frymë janë rritur me 7 pikë për qind. Që do të thotë se shqiptarët i paguajnë ushqimet njësoj me vendet e BE-së, ndonëse të ardhurat i kanë 3 herë më të ulëta se europianët”, shtoi ai.

Kostot e larta të jetesës bazë dhe rritja thuajse e papërfillshme e të ardhurave, sipas Blushit “i mbajnë familjet shqiptare të mbërthyera në shpenzimet e mbijetesës”.

“Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka sot, përqindjen më të lartë të familjeve të rrezikuara nga varfëria. Ndaj dhënia fund e këtij modeli të dështuar ekonomik, të orientuar drejt industrisë së ndërtimit, importeve dhe shërbimeve, është më shumë se kurrë një emergjencë kombëtare, jo vetëm që prodhimi vendas të mos përfundojë në kanal, por në tezgat dhe kuzhinat e shqiptarëve, por edhe që ekonomia familjare të marrë frymë lirisht”, theksoi ai.

Blushi tha se “modeli ekonomik që i duhet Shqipërisë, janë 5 prioritetet e Partisë së Lirisë, për 4 milion shqiptarë plus, që jo vetëm i japin fund dramës së madhe të shpopullimit, por edhe e shndërrojnë Shqipërinë në fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon”.

/m.m/j.p/

The post Blushi: Varfëria po thellohet, ushqimet bazë më shtrenjtë se në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Konsultimet e komisionit Xhafaj, antikushtetuese

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot ndaj mbajtjes së tryezës për draftin e projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike si dhe për financimin e partive politike, organizuar nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion.

Tabaku reagoi së pari ndaj mbajtjes së tryezës kur sesioni parlamentar ka përfunduar dhe komisionet e përhershme nuk zhvillojnë më aktivitet, gjë që sipas saj, tregon se shumica ka zgjedhur t’i hapë dyert antikushtetutshmërisë dhe antiligjshmërisë.

“Në mënyrë të paprecedent, është thirrur një dëgjesë për dy nisma që prej vitesh mbahen peng nga kjo shumicë: ligji për konfliktin e interesit dhe ai për partitë politike. Dhe kush tjetër përveç Komisionit të mirënjohur të Xhafajt do ta merrte përsipër këtë shkelje?”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.

“Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen në një kohë pushimi institucional, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin. Shqipëria sot nuk ka një emergjencë ligjore që justifikon thirrjen e komisioneve”, vijoi ajo.

Sipas Tabakut, kjo sjellje është një “paralajmërim i qartë për atë që na pret në sesionin e ardhshëm parlamentar: një tentativë për të përdorur integrimin europian si armë kundër opozitës dhe për ta kapur për fyti këtë proces jetik për shqiptarët”.

The post Tabaku: Konsultimet e komisionit Xhafaj, antikushtetuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Antikorrupsioni” diskuton draftin për konfliktin e interesit, Xhafaj: Rekomandim nga BE

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Parandalimi i konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike ishte në fokus të një tryeze të organizuar sot nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion.

Projektligji i ri i prezantuar në këtë tryezë zëvendëson ligjin e vjetër të vitit 2005, dhe sipas propozuesve forcon integritetin e zyrtarëve dhe institucioneve publike.

“Ky projektligj i rëndësishëm, përkon edhe me një rekomandim të BE-së. Është ligj prioritar që duhet t’i kalojë shteti shqiptar. Asistohemi nga Këshilli i Evropës”, tha kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj.

Drafti është ende në hapat paraprakë, dhe ekspertët kërkuan jo pak rregullime të draftit. Një prej tyre solli në vëmendje se ligji nuk parashikonte adresimin e konfliktit të interesit për kreun e SPAK.

“Pse nuk është vendosur drejtuesi i SPAK”, pyeti Juelda Lamçe, këshilltare Ligjore e Kabinetit në SPAK. “Do të plotësohet, drejtuesi i SPAK, çështje harrese”, sqaroi ekspertja e Komisionit Anti-Korrupsion, Migena Leskoviku.

“Ky ligj duhet të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe dinjitetin e zyrtarëve”, tha Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Aldo Merkoci, këshilltar në Ministrinë e Pushtetit vendor tha se ”kufizimi kaq ekstrem demotivon ata që janë të suksesshëm në jetën e tyre e që duan të japin kontribut, ndërsa një tjetër rrezik është që i shtyn zyrtarët ‘shkelës të ligjit’ drejt fshehjes së konfliktit të interesit”.

Pasi të konsultohet me të gjitha grupet e interesit, projektligji do të jetë një nga prioritetet e legjislaturës së re të Kuvendit në muajin shtator.

Drafti i projektligjit “Për parandalimin e Konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” përcakton se konflikti i interesit duhet të deklarohet 30 ditë nga data e fillimit të detyrës pranë ILDKPKI.

Ai vendos kufizimet për zyrtarët e lartë, që nga deputeti, Kryeministri, të zgjedhurit vendorë apo njerëzit e drejtësisë, të cilët me marrjen e detyrës nuk mund të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese të organizatave jofitimprurëse, të ushtrojnë̈ veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e tregtarit, shoqërisë tregtare, apo të çdo forme tjetër.

Po ashtu ata nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare të çdo forme etj, si dhe përcakton vlerat e gjobave me të cilat zyrtarët do të përballen në rast të shkeljes së këtij ligji.

/m.m/j.p/

The post “Antikorrupsioni” diskuton draftin për konfliktin e interesit, Xhafaj: Rekomandim nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Mbështetje maksimale nga Kuvendi për paraqitjen e pozicionit negociues të Shqipërisë me BE

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ftesa e Presidencës Daneze për paraqitjen e pozicionit negociues për grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave për Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përshëndeti ftesën e Presidencës Daneze, duke garantuar mbështetjen e institucionit që drejton për ecurinë e procesit.

“Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.

The post Spiropali: Mbështetje maksimale nga Kuvendi për paraqitjen e pozicionit negociues të Shqipërisë me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Kujtoni përgjithmonë Ozzy Osbourne me këto 10 këngë

NJU JORK, 23 korrik /ATSH/ – Historia është e mbushur me figura pioniere muzikore, por pas tyre vjen Ozzy Osbourne, vokalisti i madh i ”Black Sabbath”, mitologjia personale e të cilit eklipsohet vetëm nga forca dhe pavdekësia e këngëve të tij.

Fuqia e ”heavy metal”, Osbourne vdiq dje në moshën 76-vjeçare, vetëm disa javë pas performancës së tij të fundit.

Zëri idiosinkratik dhe i ngjirur i ikonës angleze paraqiti breza të tërë metalistësh, si përmes punës së tij ashtu edhe përmes karrierës së tij solo.

Për të përkujtuar jetën dhe trashëgiminë e Osbourne, më poshtë janë 10 këngë, nga ato me melodi të përjetshme deri te ato me ide progresive dhe liberale.

1970: “Iron Man” Black Sabbath

Do të ishte një sfidë të përmendnim një kitarë tjetër më të njohur, sesa ajo që lançon megahitin e vitit 1970 të Black Sabbath, “Iron Man”. Ajo tejkalon zhanrin metal, një këngë e të gjitha kohërave, e dëgjuar në të gjithë botën dhe në dyqanet e kitarave.

1970: “War Pigs” Black Sabbath

Një nga këngët e mëdha të protestës kundër Luftës së Vietnamit, “War Pigs” e Black Sabbath është një moment i rrallë ku hipitë dhe metalistët mund të bien dakord. “Politikanët fshihen / Ata vetëm sa e filluan luftën / Pse duhet të dalin për të luftuar?”, këndon Osbourne.

1971: “Children of the Grave” Black Sabbath

Performancat më të mira të Osbourne i detyrohen të paktën pjesërisht basistit dhe tekstshkruesit të Black Sabbath, Terry “Geezer” Butler, dhe ndoshta nuk ka shembull më të mirë se “Children of the Grave,” kënga nga albumi i vitit 1971 i grupit, “Master of Reality”. “A duhet të jetojë bota në hijen e frikës atomike?”

1973: “Sabbath Bloody Sabbath,” Black Sabbath

Black Sabbath ishin në një rutinë krijuese në periudhën kohore që çoi në “Sabbath Bloody Sabbath,” kënga hapëse nga albumi i tyre i vitit 1973 me të njëjtin emër. Është pothuajse e vështirë të besohet tani, pasi refreni i saj përmban disa vokale vërtet ngjitëse.

1980: “Crazy Train” Ozzy Osbourne

A do ta dinte bota se si tingëllon një vibraslap, pa hyrjen menjëherë të dallueshme të këngës së parë solo të Osbourne, “Crazy Train?” Ajo ka një melodi që të bën të varur, e plotë me kitarat që të çmendin dhe frikën e epokës së Luftës së Ftohtë.

1980: “Z. Crowley” Ozzy Osbourne

Një tjetër këngë klasike nga albumi i parë solo i Osbourne, “Blizzard Of Ozz” — i publikuar një vit pasi Osbourne u pushua nga Black Sabbath për teprimet e tij legjendare, — himni i rokut në arenën “Z. Crowley” i bën homazh okultistit të famshëm anglez Aleister Crowley.

1981: “Diary of a Madman” Ozzy Osbourne

Kjo këngë zgjat më shumë se gjashtë minuta, përmban instrumente të fuqishme me tela dhe një kor aq teatral sa tingëllon sikur po shkruajnë muzikë për një film mesjetar lufte.

1991: “Mama, I’m Coming Home” Ozzy Osbourne

Kjo është një baladë e fuqishme me tekste të shkruara nga vokalisti i ndjerë i ”Motörhead”, Lemmy.

1992: “I” Black Sabbath

Kur të vjen ndërmend Black Sabbath, shumica e fansave kalojnë te një seri albumesh të pamohueshme në vitet ’70 dhe fillim të viteve ’80. “I” është albumi i parë i Sabbath që paraqet këngëtarin Ronnie James Dio dhe bateristin Vinny Appice.

2019: “Take What You Want” Post Malone me Ozzy Osbourne dhe Travis Scott

Në fund të jetës, Ozzy Osbourne ishte bujar me kohën dhe talentin e tij duke bashkëpunuar shpesh me interpretues më të rinj që e adhuronin legjendën e metalit. Një shembull i tillë është “Take What You Want” i Post Malone, ku paraqitet edhe reperi Travis Scott./ a.jor.

The post MUZIKË – Kujtoni përgjithmonë Ozzy Osbourne me këto 10 këngë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO kthen për rigjykim çështjen ndaj Alqi Bllakos

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar prishi vendimin e Shkallës së Parë ndaj ish-deputetit Alqi Bllako që e ka dënuar me 4 vite burg, duke e rikthyer çështjen për rigjykim.

Bëhet fjalë për dosjen hetimore të Inceneratorit të Tiranës. Apeli i Posaçëm e dha vendimin pasi shqyrtoi ankimimin e SPAK dhe të vetë Alqi Bllakos, pas vendimit të Shkallës së Parë.

Në apelimin e vendimit të Shkallës së Parë, Alqi Bllako kishte kërkuar pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuzë e tillë.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani kryesuese dhe më anëtare Miliana Muça dhe Tereza Merkaj shpalli vendimin mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri Alqi Bllako ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Apeli vendosi prishjen e vendimit të 11 marsit 2025 duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.

The post Apeli i GJKKO kthen për rigjykim çështjen ndaj Alqi Bllakos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shiste online mallra të kontrabanduara, arrestohet 26-vjeçari në Gjirokastër

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Si rezultat i një hetimi shtatëmujor, të ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për goditjen e një rasti të kontrabandimit të mallrave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Marketing”.

Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi A. A., 26 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë babai i tij, shtetasi F. A., 51 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.

26-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, duke transportuar me automjet dhjetra parfume pa fatura blerjeje. Më tej, nga kontrolli në banesën e 2 shtetasve, u gjetën mallra të tjera, për të cilat ata gjithashtu nuk kishin fatura. Nga hetimet dyshohet se mallrat ishin kontrabanduar dhe mbajtur në banesë, me qëllim shitjen online.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.

The post Shiste online mallra të kontrabanduara, arrestohet 26-vjeçari në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj pret ministrin irlandez, në fokus zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të bujqësisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti në një takim ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne.
Në një postim në rrjetet sociale, Denaj tha se gjatë takimit me Byrne biseduan mbi zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë, si pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në prag të Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së në vitin 2026, vlerësuam mbështetjen e palëkundur të Irlandës dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në sektorin bujqësor”, theksoi Denaj.
Ministrja Denaj tha se “Irlanda ka ndërtuar një model të suksesshëm përmes bashkimit të fermerëve në struktura të fuqishme, të cilat furnizojnë një pjesë të rëndësishme të tregut evropian me produkte cilësore, një model që përputhet me vizionin tonë “Bujqësia 2030”’.
1 nga 5
/k.s/j.p/

The post Denaj pret ministrin irlandez, në fokus zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të bujqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet grupkapitulli i fundit BE-Shqipëri

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Shqipëria po shkon drejt përmbylljes së hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.

Ky zhvillim i rëndësishëm i hap rrugën organizimit të Konferencës Ndërqeveritare në muajt në vijim, duke përmbyllur hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave për Shqipërinë.

Ky vendim konfirmon vlerësimin e BE-së për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe angazhimin e saj ndaj perspektivës evropiane.

Rëndësia e Grupkapitullit 5 është thelbësor për ekonominë shqiptare, pasi përfshin fusha kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, mbështetjen e fermerëve dhe peshkatarëve, dhe sigurinë ushqimore.

Grupkapitulli 5 përbëhet nga 5 kapituj: Kapitulli 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural); Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare); Kapitulli 13 (Peshkimi); Kapitulli 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe
Kapitulli 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore).

Negociatat e këtij Grupkapitulli do të nxisin reforma për modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e standardeve të prodhimit ushqimor dhe forcimin e politikave të kohezionit.

Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë vitit 2025 dhe të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

/m.m/j.p/

The post Hapet grupkapitulli i fundit BE-Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu takim me homologun turk Güler: Thellim i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u takua me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, gjatë vizitës së tij në Turqi, në kuadër të pjesëmarrjes në Panairin e 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes – IDEF 2025.

Në këtë takim mes dy ministrave u diskutuan tema kyçe për forcimin e partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Ministri Vengu vlerësoi gjatë bisedës mbështetjen e Turqisë në forcimin e aftësive mbrojtëse të Shqipërisë.

Sipas ministrit Vengu, duke u mbështetur në vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Hagë, Shqipëria synon të ndajë burime shtesë për zbatimin e objektivave ushtarake kryesore.

“Në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë, përparësi do t’i jepet gatishmërisë operacionale të forcave ajrore, zhvillimit të industrisë ushtarake dhe infrastrukturës kritike, duke zbatuar një qasje shumëpërdorimëshe dhe shumëqëllimëshe”, tha Vengu.

Temë e veçantë e bisedimeve ishte zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar për t’a shndërruar këtë sektor në një pjesë të qëndrueshme dhe konkurruese të industrisë kombëtare. Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë mundësi konkrete për bashkëpunim me kompanitë turke të mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin dhe transferimin e teknologjisë. Prania në IDEF 25 shërben si një platformë reale për të avancuar këto synime”, tha  Vengu.

/k.s/j.p/

The post Vengu takim me homologun turk Güler: Thellim i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌