Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Mirënjohje për zjarrfikësit, dënimin më të rëndë kujt ndez zjarre qëllimisht

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend duke falënderuar të gjitha forcat e angazhuar për shuarjen e tyre, ndërsa theksoi se zjarrvënësit duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga puna e trupave të angazhuara për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit ditët e fundit.

“Falënderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”.

Aktualisht situata mbetet kritike në Delvinë, ku zjarri ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë orëve të natës. Flakët vijojnë në kodrat përreth qytetit, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Edhe në Gramsh dje, por edhe sot situata është më e vështirë në fshatin Menkollar, ku të pranishme janë tre zjarrfikëse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, vullnetarë e banorë të shumtë të zonës si dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve.

/k.s/j.p/

 

 

The post Rama: Mirënjohje për zjarrfikësit, dënimin më të rëndë kujt ndez zjarre qëllimisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lezhë, procedohet penalisht shtetasi për pengim të qarkullimit rrugor

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Një shtetas në Lezhë u procedua penalisht, pasi pengoi qarkullimin, duke parkuar automjetin në një zonë me fluks lëvizjeje.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një rast të tillë në rrugën “Luigj Gurakuqi”.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin T. P., 29 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, për të mos penguar lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve.

DVP Lezhë tha se “shkeljet do të trajtohen me masa të menjëhershme penale dhe administrative”.

/k.s/j.p/

The post Lezhë, procedohet penalisht shtetasi për pengim të qarkullimit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

24 vatra zjarri aktive, mbi 10 mijë forca në terren, MM: Situatë më kritike në Finiq e Delvinë

13 August 2025 at 10:56

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.

Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.

Situata më problematike është në vatrat në qarkun Vlorë në bashkinë Delvinë dhe Finiq.

Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.

Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.

Në qarkun Elbasan në bashkinë Gramsh, në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.

Në qarkun Gjirokastër, në bashkinë Tepelenë, në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.

Në qarkun Shkodër, në bashkinë Fushë Arrëz, në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.

Në qarkun Tiranë, në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.

Në qarkun Dibër, në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.

Në qarkun Korçë, në bashkinë Kolonjë, në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.

Sa i përket parashikimit të motit dhe rrezikshmërisë për zjarre, sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.

 

/gj.m/

 

The post 24 vatra zjarri aktive, mbi 10 mijë forca në terren, MM: Situatë më kritike në Finiq e Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Autoritetet vazhdojnë të luftojnë me zjarret ndërsa temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius

13 August 2025 at 10:49

PARIS, 13 gusht /ATSH/- Zjarri më i madh në Francë i regjistruar në 75 vite, i cili ka djegur një sipërfaqe më të madhe se Parisi, do të digjet për disa ditë të tjera edhe pse është vënë nën kontroll, thanë sot autoritetet, sipas “Independent”.

“Më shumë se 2 000 zjarrfikës dhe 500 automjete zjarrfikëse vazhdojnë të jenë të vendosura në rajonin e Aude, së bashku me personelin e ushtrisë”, thanë zyrtarët.

Një grua ka vdekur dhe 13 persona, përfshirë 11 zjarrfikës janë plagosur, që kur zjarri shpërtheu pranë fshatit Ribaute në Francën jugore.

Avionët me cisterna uji kanë ndihmuar gjithashtu në përballimin e flakëve, të cilat kanë djegur më shumë se 17,000 hektarë tokë.

Autoritetet thanë se rrugët në zonë ishin shumë të rrezikshme për shkak të linjave të rrëzuara të energjisë elektrike dhe rreziqeve të tjera.

Tymi nga zjarret dhe sipërfaqe të mëdha toke të djegura nxjerrin në pah shkallën e shkatërrimit në të gjithë rajonin.

Banorëve u është kërkuar të mos kthehen në shtëpi ndërsa operacionet vazhdojnë, me 17 vende të përkohshme strehimi të hapura.

“Fshatrat në rajonin e Corbieres mbeten në gatishmëri të lartë”, sipas mediave franceze.

Zyrtarët thanë se ky është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.

Kryeministri francez François Bayrou e quajti atë një “katastrofë në një shkallë të paparë”.

Gjatë një vizite në rajonin Aude, Bayrou tha se zjarri ishte i lidhur me ngrohjen globale dhe thatësirën.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se të gjitha burimet e vendit ishin mobilizuar – ndersa u bëri thirrje njerëzve të tregonin kujdes maksimal. //a.i/

The post FRANCË – Autoritetet vazhdojnë të luftojnë me zjarret ndërsa temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania përshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius

13 August 2025 at 10:38

BERLIN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania po përballet sot me një valë të nxehti, me temperatura që po shkojnë mbi 30 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit.

Shërbimi meteorologjik gjerman (DWD) parashikon temperatura maksimale rreth 37 gradë, me përjashtim të bregdetit verior ku pritet të jetë disi më freskët. Vala e të nxehtit pritet të intensifikohet  nesër, duke arritur deri në 38 gradë.

Landi jugperëndimor i Baden-Württemberg regjistroi disa nga temperaturat më të larta, me 35,4 gradë pranë kufirit me Francën. Meteorologët theksuan se kulmi i valës së të nxehtit ende nuk ka ardhur.

“DWD” – ja ka paralajmëruar për “të nxehtë intensiv” që do të zhvendoset  sot në veri të Gjermanisë dhe  do të përhapet më tej në rajonet lindore.

Këto temperatura ekstreme paraqesin rreziqe serioze për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët pa akses në ambiente me ajër të kondicionuar.

Ekspertët thonë se shumë spitale dhe shtëpi kujdesi në Gjermani nuk janë të pajisura siç duhet për t’u përballur me të nxehtin.

Henriette Neumeyer, nënkryetare e Federatës Gjermane të Spitaleve (DKG), i tha grupit mediatik “RND” se shumica e spitaleve nuk kanë sisteme të plota ajri të kondicionuar për shkak të viteve të mospërkujdesjes në investime.

Federata e Spitaleve po kërkon një program investimi shumëvjeçar prej 31 miliardë eurosh (36.2 miliardë dollarë) për të rinovuar spitalet me teknologji miqësore me klimën. /Ad.Ab./

The post METEO – Gjermania përshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rehabilitimi i aksit Peshkopi-Degëzim Kuben, ARRSH: Përmirësim i shtresave asfaltike

13 August 2025 at 10:38

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se po vijojnë punimet për përmirësimin e shtresave asfaltike në aksin Peshkopi – Degëzim Kuben.

ARRSH thekson se, në kuadër të punimeve për rehabilitimin e aksit Peshkopi – Degëzim Kuben po punohet me mjete dhe punëtorë për përmirësimin e shtresave asfaltike përgjatë gjithë segmentit.

Sipas ARRSH, përfundimi i këtyre punimeve do të plotësohet me vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale duke sjellë rritjen e sigurisë rrugore dhe qarkullim më të shpejtë e të sigurt.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Rehabilitimi i aksit Peshkopi-Degëzim Kuben, ARRSH: Përmirësim i shtresave asfaltike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Conference League, Egnatia dhe Dinamo City luajnë nesër duelet vendimtare të turit të tretë

13 August 2025 at 10:34

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Egnatia dhe Dinamo City do të luajnë nesër duelet vendimtare të turit të tretë të UEFA Conference League, me objektivin e vetëm për t’u kualifikuar në fazën play-off.

Kampionët në fuqi të Shqipërisë janë më pranë se kurrë për ta arritur këtë objektiv dhe u mjafton edhe një fitore me rezultat minimal, pasi sfida e parë në Ljubljana, në stadiumin “Stožice”, u mbyll në barazim pa gola 0-0.

Gjithçka do të vendoset në Rrogozhinë, në “Egnatia Arena”, ku kampionët e Shqipërisë do të kenë mbështetjen e madhe të tifozëve për të siguruar një tjetër arritje historike. Ndeshja do të luhet në orën 21:00.

Në “Air Albania” do të zhvillohet superdueli Dinamo City – Hajduk Split. Blutë e Dinamos zhvilluan një ndeshje të mirë, shënuan të parët në transfertë, por u mundën 2-1.

Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur dhe kualifikimi do të vendoset në Tiranë. Sfida Dinamo City – Hajduk Split do të luhet në orën 20:45.

/gj.m/j.p/

 

The post UEFA Conference League, Egnatia dhe Dinamo City luajnë nesër duelet vendimtare të turit të tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohen dy shtetas për zjarrvënie në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Dy shtetas u arrestuan pasi ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë.

Policia e Shtetit informoi sot se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.

Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.

Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/k.s/j.p/

The post Arrestohen dy shtetas për zjarrvënie në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Patra përfshihet nga zjarri masiv, nisin evakuuimet

13 August 2025 at 10:27

ATHINE, 13 gusht /ATSH-ANA/- Një zjarr i ri shpërtheu dje në zonën Sychaina, në veri të Patras.

Policia po evakuon banorët nga Kamina dhe Tsoukaleika, në Akai.

Në 24 orët e fundit, Greqia ka përjetuar 82 zjarre, ndërsa 59 janë vënë nën kontroll menjëherë dhe 23 të tjerë janë ende aktivë.

Zëdhënësi i Brigadës së Zjarrfikësve Vassilis Varthakogiannis tha në një konferencë emergjente se forcat e zjarrfikësve iu përgjigjën dje 106 zjarreve, pasi disa fronte aktive zjarri kanë vazhduar që nga e hëna.

Brigada e Zjarrfikësve po lufton për të shuar zjarret që po shpërthejnë në shumë zona të Greqisë.

Zjarrfikësit, vullnetarët dhe avionët kanë luftuar pa u lodhur që nga mëngjesi i djeshëm për të mbrojtur njerëzit, për të shpëtuar shtëpitë dhe për të vënë nën kontroll zjarret.

Roja Bregdetare kreu dje dy operacione në Kios dhe Akai për të shpëtuar qytetarët në rrezik nga zjarret.

Në Kios, është duke u zhvilluar një operacion për të shpëtuar njerëzit nga plazhet e Limnia dhe Agia Markella në Volissos.//a.i/

 

The post GREQI – Patra përfshihet nga zjarri masiv, nisin evakuuimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Operacion i gjerë kundër zjarreve gjatë natës, tre helikopterë në Gramsh dhe dy në Delvinë

13 August 2025 at 10:14

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se, operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndalim gjatë gjithë orëve të natës për të kufizuar perimetrin e flakëve në afërsi të zonave të banuara dhe parqet kombëtare në mbarë Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale Vengu u shpreh se, tre helikopterë po operojnë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ndërsa qindra efektivë të emergjencave lokale dhe të Forcave të Armatosura po punojnë pa u ndalur në zonat më të nxehta: Fushë Arrëz, Gramsh, Tepelenë, Dropull, Delvinë dhe Finiq.

Më herët, gjatë mesditës së djeshme, situata u paraqit kritike edhe në disa fshatra të Gramshit.

Vengu theksoi se po punohet me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin.

Ministri gjithashtu shprehu mirënjohje për çdo forcë të angazhuar në këtë sfidë.

/gj.m/

 

The post Vengu: Operacion i gjerë kundër zjarreve gjatë natës, tre helikopterë në Gramsh dhe dy në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy foshnje vijnë në jetë përmes fertilizimit in vitro, Rama: Tashmë ofrohet në sistemin publik

13 August 2025 at 08:57

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot rastin e suksesit me lindjen e dy foshnjave të tjera përmes procedurës in vitro.

Dua dhe Mertoni janë dy foshnje që erdhën në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit.

“Dy gëzime të reja nga materniteti “Koço Gliozheni”, Dua dhe Mertoni që erdhën në jetë falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit, përmes procedurës in vitro që tashmë ofrohet në sistemin publik”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale se.

Sistemi shëndetësor publik ofron tashmë shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni ka ardhur në jetë në 17 dhjetor 2024, fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.

Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET).

Me buxhetin e këtij viti, rreth 150 çifte të reja po mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Dy foshnje vijnë në jetë përmes fertilizimit in vitro, Rama: Tashmë ofrohet në sistemin publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli hedh poshtë akuzat e OKB-së se forcat e tij kanë abuzuar seksualisht me palestinezët

13 August 2025 at 08:52

NJU JORK, 13 gusht /ATSH/- Shefi i OKB-së e paralajmëroi Izraelin se Kombet e Bashkuara kanë “informacion të besueshëm” për dhunë seksuale dhe shkelje të tjera nga forcat izraelite kundër palestinezëve të ndaluar, të cilat ambasadori i Izraelit në OKB i hodhi poshtë si “akuza të pabaza”, sipas AP.

Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres tha në një letër drejtuar ambasadorit Danny Danon se ishte “thellësisht i shqetësuar” për shkeljet e raportuara kundër palestinezëve nga ushtria dhe forcat e sigurisë izraelite në disa burgje, një qendër paraburgimi dhe një bazë ushtarake.

Guterres tha se po i njoftonte forcat izraelite se ato mund të listoheshin si abuzues në raportin e tij të ardhshëm mbi dhunën seksuale në konflikt – për shkak të shqetësimeve të konsiderueshme për modelet e formave të caktuara të dhunës seksuale që janë dokumentuar vazhdimisht nga Kombet e Bashkuara.

Danon, i cili shpërndau letrën dhe përgjigjen e tij, tha se akuzat “ishin të mbushura me botime të njëanshme”.

“OKB duhet të përqendrohet në krimet tronditëse të luftës dhe dhunën seksuale të Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve”, tha ai.

Danon po i referohej sulmit të papritur të grupit militant në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku rreth 1 200 persona u vranë dhe rreth 250 u morën peng.

Autoritetet izraelite thanë se gratë u përdhunuan dhe u abuzuan seksualisht. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Izraeli hedh poshtë akuzat e OKB-së se forcat e tij kanë abuzuar seksualisht me palestinezët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurohet rrethimi i Parkut Kombëtar të Butrintit sipas projektit të viteve `60

13 August 2025 at 07:45

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Butrintit përfundoi restaurimi i rrethimit.

Rrethimi ishte projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60. Pas më shumë se dy dekadash pa ndërhyrje të rëndësishme, ky element i infrastrukturës është rikthyer në gjendjen e tij të plotë funksionale dhe estetike.

Procesi është kryer duke përdorur materiale origjinale dhe duke respektuar konceptin arkitektonik fillestar. Parku Kombëtar i Butrintit theksoi në një postim në rrjetet sociale se ky projekt nuk është thjesht një punim restaurimi, por një homazh për mjeshtërinë e projektuesit dhe një investim në mbrojtjen e trashëgimisë së Butrintit për brezat që vijnë.

Parku Kombëtar i Butrintit renditet i pari ndër 5 institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Butrinti është vizituar gjatë këtyre muajve nga 150,178 vizitorë, vendas e të huaj. /j.p/

The post Restaurohet rrethimi i Parkut Kombëtar të Butrintit sipas projektit të viteve `60 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mirror”: Zbuloni Rivierën Shqiptare – nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara 

13 August 2025 at 07:34

LONDËR, 13 gusht /ATSH/- Me kasolle buzë detit, rërë të bardhë të valëzuar dhe ujëra bruz, destinacioni evropian është krahasuar me ishullin e bukur të Azisë Jugore – që është një “hit” për turistët.

Plazhet me rërë të bardhë e të pastër dhe ujërat kristalore në Rivierën Shqiptare konsiderohen nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”, shkruan Matt Jackson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.

Dhërmiu shquhet si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje rëre prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon.

Baret buzë detit ofrojnë birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.

Megjithatë, më në jug ndodhet Ksamili, i konsideruar si “Maldivet e Evropës” në mediet sociale.

Plazhet si Pema e Thatë janë bërë gjithashtu të njohura për turistët – falë kasolleve të ngritura në plazh.

Këto kasolle, të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, janë bërë një sensacion viral në TikTok.

Një amerikane që ëndërronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Evropë zbuloi një destinacion mahnitës të ngjashëm me Maldivet – ku birrat kushtojnë vetëm 1,50 paund.

Cepee Tabibian u largua nga Teksasi për në Spanjë kur mbushi 35 vjeç, por vetëm vitin e kaluar ajo zbuloi destinacionin e bukur evropian që ajo pretendon se shumë amerikanë nuk e njohin ende.

Artikulli i botuar në CNBC, zbulon se Cepee kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë përpara se të zgjidhte të kalonte një muaj në vendin ballkanik.

Cepee i kushtoi një muaj kryeqytetit, Tiranës, ndërsa eksploroi edhe vijën bregdetare të Shqipërisë.

Ndërsa Cepee pranon se Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, ajo këmbëngul se ky vend plotëson shumë kritere – për individët që duan të shkëmbejnë jetën në SHBA me Evropën.

Cepee e vlerësoi Shqipërinë për koston e përballueshme të jetesës dhe peizazhet mahnitëse.

“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje”, shkroi ajo.

Cepee tha se shpenzimet e ushqimeve, të të ngrënit jashtë dhe kujdesit mjekësor e bëjnë Shqipërinë një mundësi tërheqëse për personat që duan të punojnë si nomadë digjitalë apo pensionistët.

Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të zhvillojnë turne nëpër Alpe, si dhe në detin Adriatik në perëndim dhe në detin Jon në jug.

“Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia. Në një ditë të kthjellët, ju mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me target”, shtoi ajo.

“Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë”, tha Cepee.

Cepee, gjithashtu, vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit – pas izolimit të saj nën regjimin komunist deri në vitin 1992.  //a.i/

https://www.themirror.com/travel/woman-discovers-europes-most-overlooked-1323975

 

 

The post “Mirror”: Zbuloni Rivierën Shqiptare – nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Evropa po përvëlohet dhe po lufton me zjarret

13 August 2025 at 07:34

MADRID, 13 gusht /ATSH-AFP/ – Evropës iu mor fryma dje nën peshën e një vale të zgjatur të nxehti, një situatë e favorshme për zjarret, numri dhe intensiteti i të cilëve nxiten nga ngrohja globale dhe që po rriten veçanërisht në Gadishullin Iberik.

Alarme të kuqe për valë të nxehti janë lëshuar në Itali, Francë, Portugali, Ballkan dhe Spanjë, ku Agjencia Kombëtare Meteorologjike (AEMET) njoftoi se vala e të nxehtit “ndoshta” do të vazhdojë deri të hënën.

Në Spanjë, ku disa dhjetëra zjarre janë aktualisht aktive, një burrë vdiq nga djegiet gjatë natës së hënës ndaj të martës në një zjarr në Tres Cantos, një qytet i vendosur 25 kilometra në veri të Madridit, i cili shkatërroi rreth 1 500 hektarë.

“Ne jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje”, komentoi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez në rrjetin X.

Rreth 1 000 ushtarë nga Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), e cila i përgjigjet fatkeqësive natyrore, janë vendosur në të gjitha fatkeqësitë e mëdha.

Gati 6 000 banorë u detyruan të kalonin natën jashtë shtëpive të tyre, ndonjëherë me evakuime të nxituara.

Shumë prej tyre kanë filluar të kthehen në shtëpi falë situatës së përmirësuar.

Në Spanjën jugore, një tragjedi u shmang të hënën në mbrëmje kur një zjarr shpërtheu përsëri pranë Tarifës, në Andaluzi, një zonë turistike e njohur që ishte goditur tashmë javën e kaluar.

– “Kohë rekord” –

“Ne përjetuam momente rreziku ekstrem, sepse flakët po arrinin hyrjet e qyteteve”, shpjegoi Antonio Sanz, ministri i Brendshëm i qeverisë rajonale andaluziane, i cili shtoi se evakuimet u kryen “në kohë rekord”.

Nga afërsisht 2 000 persona të evakuuar në provincën e Cadiz, disa qindra u lejuan të ktheheshin në shtëpi të martën në mëngjes.

Në mënyrë të ngjashme, afërsisht 600 banorë të disa fshatrave të evakuuar për shkak të zjarrit që shkatërroi vendin natyror të Las Medulas, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në rajonin e Castile dhe Leon, ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi të martën në mëngjes, por disa zjarre mbetën aktive në të njëjtin rajon, veçanërisht pranë Zamorës.

Një burrë është arrestuar me dyshimin se ka ndezur qëllimisht një zjarr që shkatërroi 2 200 hektarë në provincën e Avilës.

– Kupola e nxehtësisë –

Në Portugalinë fqinje, vendi tjetër më i goditur nga zjarret, kambanat ranë këtë mëngjes për të ngritur alarmin në fshatin Trancoso, ndërsa një re e dendur tymi ngrihej në distancë.

Rreth 700 zjarrfikës dhe mjete ajrore janë në vendngjarje, por banorët janë mobilizuar, duke pastruar tokën përreth shtëpive të tyre me shpresën për të ngadalësuar përhapjen e flakëve.

Greqia i ka bërë thirrje mekanizmit të zjarrfikjes në pyje të Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur shpërthimeve të reja.

Më të rrezikshmet ndodhen në ishullin Zakynthos në detin Jon (perëndim), në Vonicë dhe Prevezë, qytete në Greqinë kontinentale perëndimore, dhe në prefekturën e Akaisë në Peloponezin perëndimor, ku janë kryer rreth 20 evakuime parandaluese.

Italia nuk është kursyer, me 11 qytete të vendosura në alarm të kuq për shkak të valës së të nxehtit, duke përfshirë praktikisht të gjitha qytetet më të mëdha të vendit (Romë, Milano dhe Torino).

Në Francë, ku një zjarr masiv që dogji 16 000 hektarë u vu nën kontroll të dielën në jug, disa zona në jugperëndim dhe në qendër të lindjes janë në alarm të kuq për valë të nxehti.

“Është mbytës, nuk ka ajër, vetëm beton”, thotë Andrea, 21 vjeç.

“Është tashmë shumë vapë”, ankohet Alain Bichot, 34 vjeç, i ulur herët në mëngjes në një tarracë në Dijon.

“Do të preferoja të shkoja në zyrë. Të paktën ka ajër të kondicionuar”, shton ai.

“Vala e të nxehtit që aktualisht prek Francën, Spanjën dhe vendet e Ballkanit nuk është për t’u habitur”, shpjegoi Akshays Deoras, një ekspert i meteorologjisë në Universitetin e Reading, Britani e Madhe.

“Shkaku është një kupolë nxehtësie që vazhdon mbi Evropën. Për shkak të ndryshimeve klimatike, tani jetojmë në një botë dukshëm më të ngrohtë dhe ky realitet po rrit si frekuencën ashtu edhe intensitetin e valëve të nxehtësisë”, vazhdoi ai.

Për shembull, Kosova përjetoi ditën e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në korrik, me një temperaturë prej 42,4°C.

Thatësira është bërë një realitet i përditshëm për më shumë se gjysmën e Evropës, kryesisht rreth Mesdheut, për disa muaj, një situatë që ofron terren ideal për zjarre.

Në një shenjë alarmuese të një fenomeni që kërcënon të gjithë Evropën, Agjencia e Mjedisit e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të martën se mungesa e ujit në Angli tani u klasifikua si “e rëndësishme në nivel kombëtar”.

Gjashtë muajt e parë të vitit ishin më të thatët që nga viti 1976, një vit i shënuar nga një thatësirë e rëndë në Evropë.

Një alarm për ndotjen e ajrit u lëshua në Londër nga këshilli i qytetit dhe trafiku hekurudhor u ndërpre.

Në juglindje të kontinentit, Ballkani është gjithashtu në vijën e parë, qoftë në Shqipëri, ku disa qindra zjarrfikës dhe ushtarë po luftojnë me flakët, apo në Mal të Zi dhe Kroaci./  a.jor.

The post KOMENT – Evropa po përvëlohet dhe po lufton me zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/8/2025

13 August 2025 at 07:33

BERLIN (Gjermani) – Takim virtual i presidentit amerikan, Donald Trump me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s përpara samitit me Putinin.

SHANGAI (Kinë) – Ekspozita Ndërkombëtare e Teknologjisë së Drejtimit Autonom.

KURU (Francë) – Nisja e misionit të dytë komercial ”Ariane 6”.

QYTETI I VATIKANI (Selia e Shenjtë) – Audiencë me papa Leone XIV.

PARIS (Francë) – IEA: Publikimi i raportit mujor të naftës.

KEJP TAUN (Afrika e Jugut) – Samiti i Investimeve në Ujë i Bashkimit Afrikan dhe IAFF.

UDINE (Itali) – Futboll – Superkupa UEFA midis Paris Saint-Germain (PSG)-Tottenham./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mërkurë 13 gusht, temperatura të larta deri në 41°C

13 August 2025 at 07:30

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta deri mesatare kalimtare në relievet malore në lindje dhe në zonën e jugut.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim- verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë 12 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 25/42 Diell
Kukës 19/38 Diell pak re
Lezhë 28/40 Diell
Dibër 19/38 Diell pak re
Durrës 21/38 Diell
Tiranë 26/41 Diell
Elbasan 26/40 Diell pak re
Berat 18/40 Diell pak re
Vlorë 22/36 Diell
Korçë 18/33 Diell pak re
Gjirokastër 16/41 Diell pak re
Sarandë 21/35 Diell

 

 

The post E mërkurë 13 gusht, temperatura të larta deri në 41°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga Donbasi

12 August 2025 at 23:09

KIEV, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ukraina nuk do të heqë dorë nga pjesa lindore e vendit, e pushtuar dhe e kontrolluar nga Rusia, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky.

”Ukrainasit nuk mund dhe nuk do të heqin dorë nga Donbasi, i cili kryesisht përbëhet nga provincat e Donetskut dhe Luhanskut. Donbasi do të ishte një trampolinë për rusët për të nisur një sulm të ri, të ardhshëm”, tha ai pak para samitit në Alaska midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Putin.

”Gadishulli i Krimesë, i pushtuar nga Rusia në shkelje të ligjit ndërkombëtar në vitin 2014, ishte tashmë 100 për qind një trampolinë për sulmin ndaj Ukrainës jugore”, theksoi ai.

”Për më tepër, Rusia nuk i ka vendosur forcat e saj në Donbasin e kontrolluar nga separatistët, por në vend të kësaj ka integruar dezertorët në ushtrinë ruse, tha presidenti ukrainas. Çdo tërheqje e njësive ukrainase nga pozicionet e tyre në Donbas do t’i lejonte Moskës të përgatitej për një sulm të ri”, shtoi ai.

”Putini do të kishte më pas një rrugë të qartë për të arritur në rajonet e Kharkivit, Zaporizhias dhe Dnipropetrovskut brenda pak vitesh”, sipas Zelenskyt. /os/

The post KIEV – Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga Donbasi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

MM: 27 vatra zjarri aktive, në Delvinë të angazhuar efektivë të FA dhe forca nga katër bashki

12 August 2025 at 22:48

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dha sot informacion mbi situatën e zjarreve në vend.

Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.

Në qarkun Vlorë, bashkia Delvinë, zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.

Sipas njoftimit, për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk ka rrezik për banesat.

Po ashtu në Delvinë i pranishëm është dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ai po  ndjek nga afër situatën.

Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.

Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.

Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.

Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.

Lagjja “15 Tetori”, Vlorë – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.

Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.

Në qarkun Dibër në Ternovë, Zerqan – Bulqizë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.

Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.

Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.

Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.

Në qarkun Berat, fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Në fshatin Vokopolë  u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.

Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.

Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.

Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.

Në qarkun Tiranë në Spanesh – Rrogozhinë, zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.

Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.

Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë-Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.

Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.

Në qarkun Gjirokastër në Hormovë – Tepelenë, zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.

Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.

Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.

Në qarku Elbasan në Kullollas – Gramsh, situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.

Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Në qarkun Shkodër në Xath – Fushë-Arrëz, po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.

Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.

Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.

Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.

Në qarkun Kukës në Gegaj – Tropojë, vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.

Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.

Në qarkun Korçë në Gërmenj – Leskovik, zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.

Në qarkun Fier në Gjonc-Selisht – Cakran, vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.

Bashkia Lushnjë – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës.

/gj.m/a.f/r.e/

The post MM: 27 vatra zjarri aktive, në Delvinë të angazhuar efektivë të FA dhe forca nga katër bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Evakuimi i banorëve nga fshatrat e Gramshit, 32 familje akomodohen në konviktin e qytetit

12 August 2025 at 22:45

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Familjet e evakuuara nga fshatrat e njësisë administrative Skënderbegas të Gramshit, kanë mbërritur në ambientet e konviktit të qytetit, ku janë marrë masa për akomodimin e tyre.

Po ashtu, po bëhen gati hotelet e zonës për të akomoduar njerëzit e prekur.

Tajar Bici, nënkryetar ibashkisë Gramsh, bëri me dije se kanë siguruar 120 shtretër nga konvikti dhe bizneset. Deri tani janë 32 persona të regjistruar për t’u akomoduar në konvikt.

Po ashtu janë marrë masa për ushqime. Aktualisht janë evakuuar drejt qytetit 32 banorë, ndërsa pjesa tjetër qëndrojnë përreth zonave për të shuar flakët, duke shpresuar deri në momentin e fundit.

Dy fshatrat Shëmbërdhenj dhe Bletas janë shkrumbuar plotësisht banesat. Ndërkohë rrezikohen fshatrat Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snisëm, Sojnik, Probat dhe Grabova e Poshtme.

Situata me zjarrin në disa fshatra të Gramshit është serioze, ndërsa një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të lënduar. /Top Channel/

The post Evakuimi i banorëve nga fshatrat e Gramshit, 32 familje akomodohen në konviktin e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌