Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 August 2025Citizens.al

Pushime në trafik, sa kohë humbëm rrugëve gjatë verës? Ndaj përvojën tënde!

25 August 2025 at 16:14

Citizens.al po punon për një artikull që do të nxjerrë në pah gjendjen e rrugëve në Shqipëri dhe trafikun e krijuar gjatë periudhës së verës, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.

Nëse keni një përvojë që mendoni se ka vlerë në këtë raportim, ju ftojmë të plotësoni pyetësorin.  



The post Pushime në trafik, sa kohë humbëm rrugëve gjatë verës? Ndaj përvojën tënde! appeared first on Citizens.al.

Zjarret, pasojat dhe sfidat për vendin

25 August 2025 at 15:31

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Shumë zjarre shkaktohen nga pakujdesia apo qëllimisht për përfitime afatshkurtra, duke lënë pas pasoja të mëdha natyrore, ekonomike dhe sociale. Mungesa e infrastrukturës, braktisja e zonave të thella dhe politikat e dobëta të menaxhimit i kanë thelluar dëmet. Zgjidhja kërkon një vizion të ri për mbrojtjen e pyjeve, përfshirjen e komunitetit, reformim të institucioneve dhe nxitjen e pyllëzimeve si pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Prolog mbi zjarret

Zjarret, ashtu si përmbytjet, tërmetet janë forca madhore të natyrës, ndaj vigjilenca, masat mbrojtëse parandaluese duhet të jenë maksimale, në çdo kohë dhe rrethanë. Po aq maksimale duhet të jetë dhe kuraja dhe solidariteti mes nesh nga i vogli tek i madhi. Zjarrvënia mund të jetë pakujdesi, por në shumë raste është edhe dorë kriminale!

Për këtë kërkon ndëshkimin maksimal ndaj kujtdo që shkakton zjarr. Kjo për të ruajtur jetën, pronën por dhe mjedisin. Një verë e nxehtë si në këto vite me thatësirë të tejzgjatur e me temperatura të larta kërkon masa mbrojtëse parandaluese maksimale, të rrepta, të mirorganizuara, sidomos për zonat e thella rurale të vendit. Falë përpjekjeve të forcave të ndërhyrjes (zjarrfikësit, rendi, vendorët etj.), por dhe falë ndryshimit të motit dhe shirave, shumë vatra zjarresh fatmirësisht u asgjësuan.

Megjithatë nga të dhënat duket se Shqipëria sivjet zë vendin e parë në rajon për përmasat e zjarreve në pyje, gjë e cila duhet të shqetësojë shumë shoqërinë tonë, vendimmarrjen dhe politikëbërjen. Shumë kurajo dhe shumë frymë bashkëpunuese dhe ndihmë për gjithë zonat e dëmtuara! Kush mundet dhe kush ka në dorë edhe më shumë!

Zonat e thella të vendit kanë humbur dukshëm gjallërinë

Dëmet më të mëdha nga zjarret ndodhin në zonat e thella rurale, në pyjet dhe shkurretat rreth tyre. Shumë fshatra sot janë shpopulluar nga forcat aktive, rinia, inteligjenca, shkollat dhe gjithë institucionet e tjera social-kulturore. Këto zona ndihen të braktisura, të harruara.

Për rrjedhojë, mungon thuajse fare organizimi i vogël i komunitetit, dhe fuqia e tyre mbrojtëse në raste fatkeqësish. Në këto zona, mungojnë shpesh rrugët, uji, shkolla, qendra shëndetësore, një dyqan… E megjithatë duhet thënë se fshatrat në zonat rurale për shekuj kanë qenë djepi i historisë, qëndresës dhe mbijetesës së shqiptarisë, dhe fshehin ende brenda tyre shumë vlera të traditave, dokeve, të historisë dhe kulturës sonë të lashtë.

Këtë verë ishim në Senicë, fshati im i lindjes, fshat i vogël e plot tradita, i njohur si Ballkoni i Rrëzomës. Një javë më pas u shkrumbua nga zjarri që përcëlloi gjithë zonën e Rrëzomës deri në Delvinë. Në gjithë këto vite fshati e ka humbur gjallërinë e dikurshme, ashtu si shumë fshatra të tjera në zona të tilla të thella të vendit.

Shumë nga banorët kanë mërguar në Sarandë, në Tiranë, e jashtë vendit në rajon dhe nëpër botë, gjithmonë për një jetë më të mirë. Pak familje kanë mbetur, dhe të tjerë e frekuentojnë fshatin më shumë gjatë verës. Të tjerë janë plot dëshirë dhe shpresë për t’u rikthyer…

Por ata pak banorë që jetojnë aty janë vërtet heronj që munden të ‘mbajnë zjarrin ndezur’, me shumë mundim e sakrificë, me atë pak bujqësi e blegtori, dhe me atë jetë të thjeshtë e tepër modeste që ende na lidh me rrënjët e hershme. Ne të tjerët themi shyqyr që gjejmë një derë të hapur kur shkojmë në vendlindje.

Çmallja nuk mund të jetë vetëm me gurët e sokakut dhe shtëpitë e braktisura, por me njerëzit që të ftojnë me zemër të hapur për një kafe a raki siç ndodh rëndom në këto vende ende larg botës vezulluese dhe të rreme në të cilën ecën sot jeta jonë.

Mbështes në parim nismën e qeverisë që synon të nxisë investimet dhe të rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit (Paketa e Maleve). Por kjo nuk duhet kurrsesi të bëhet e mbështetur në struktura betoni në kurriz të dëmtimit të mbulesës bimore, të pyjeve dhe shkurreve rurale.

Shqipëria është shumë e vonuar në ndjekjen e rrugës së Turizmit të Shtëpive të Mysafirëve / Turizmit të Bujtinave që gjithë vendet e rajonit kanë vite që e zbatojnë. Por asnjëherë nuk është vonë për të përqafuar rrugë që japin një zhvillim ndryshe, shumë më të qëndrueshme dhe plot shpresë!

Zjarret mbjellin veçse varfëri dhe mjerim, edhe për vetë zjarrvënësin!

Zjarret nuk ndizen asnjëherë vetë, me përjashtim kur ka rrufe afër tokës. Shumë prej zjarreve shkaktohen nga dora e njeriut, me dashje ose pa dashje. Kur bie një zjarr dhe nuk merren menjëherë masa shuarjeje, zjarri del jashtë kontrollit, përhapet ku të mundë, djeg çfarë i del përpara.Dëmi që shkaktohet është vështirë të përllogaritet, si në aspektin ekonomik, të mirëqenies së komuniteteve, por dhe në aspektin natyror. Pasojat mund të kenë shtrirje afatshkurtër deri dhe afatgjatë.

Po përmend shkurt disa prej tyre:

-Në aspektin ekonomik, në komunitetet rurale, vendore, zjarrvënia ndikon shpesh shumë rëndë në humbje të pronës (banesa, shërbime, frutikulturë, ullishta, vreshta, agrume, fidanishte, bagëti, bletë, etj.), madje deri në humbje jete. Kjo pa diskutim ndikon në uljen e mirëqenies në përgjithësi dhe rrit varfërinë, kjo edhe për vetë zjarrvënësin, cilido ai qoftë! Pa folur për pasojat negative natyrore.

-Duhet thënë se zjarrvënia në zonat rurale ndihmon vetëm ata pak blegtorë që kanë bagëti të imëta për të ‘pastruar’ shpatet kodrinore-malore nga shkurret, gjembat dhe ferrat, dhe për të shtuar hapësira për kullotjen sa më lirshëm të bagëtive. Ndoshta kjo do të ishte dhe një ndër arsyet për zjarrvënien, por jo vetëm… Megjithatë, nëse shihet në interesin e përgjithshëm përfitimi që mund të kenë disa blegtorë është thuajse minimal, krahasuar me pasojat e rënda që zjarret i shkaktojnë vendit!

-Por duhet ta pranojmë se nga sa shohim zjarret paraprijnë ndërhyrjet për të hapur vende të reja ndërtimi në zonat tona bregdetare, por kjo dhe në zonat e thella rurale. Një pjesë e mbulesës pyjore dëmtohet nga ndërhyrjet për të përftuar tokë bujqësore, ullishte, vreshta, kjo edhe në shpate të brishta dhe me bimësi tepër të veçantë, nga ana ekologjike (shkurreta mesdhetare), mbi burimet ujore etj. Vëmë re në brigjet lumore të Vjosës, por dhe gjetkë që fermerët shtyjnë kufirin e tokës bujqësore deri në buzë të lumit, duke shkatërruar bimësinë ripariane me rrepishte dhe shelgjishte që mbron brigjet e lumit, por mbron dhe vetë pronën e fermerit (tokën, banesën). Është këmbëngulur shpesh se baraspesha mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës dhe sidomos pyjeve është sot sfidë në mbarë botën, dhe duhet të jetë e tillë edhe për Shqipërinë.

-Pavarësisht nga qëllimi, me dashje apo pa dashje, zjarrvënia nxitet sot nga temperaturat e larta në rritje (ngrohja globale); nga mungesa e reshjeve për muaj të tërë; nga shpërfillja dhe lënia në harresë e pyjeve dhe kullotave; mungesa e stafit përgjegjës dhe mungesa e vigjilencës në sektorin e pyjeve dhe kullotave; nga infrastruktura dhe mjetet e pakta për shuarjen e zjarreve; nga braktisja zonave të thella rurale nga popullsia aktive dhe lënia në harresë nga pushteti qendror dhe vendor; nga grykësia që duket se kanë ‘investitorë’ të caktuar vendas për të hapur vende të reja ndërtimi. Por e gjitha kjo shoqërohet shumë dhe nga padija, edukimi, arsimimi dhe ndërgjegjësimi minimal i gjithë shoqërisë sonë, sidomos i kësaj shtrese të popullsisë në zonat rurale!

Majtas, Pamje natën e zjarrit në shpatet malore të Parkut/Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit (Kategoria IV e mbrojtjes sipas IUCN), Vlorë, Korrik-Gusht 2021. Djathtas, pamje nga zjarri në pyllin e Pishë Poros, Fier, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (Kategoria e V e mbrojtjes); në tetor 2023 u shkrumbuan 800 ha me pyll pishe nga një shkak ende i pashpjeguar! (pamja nga NOA.al).

-Në aspektin natyror, zjarret dëmtojnë rëndë mbulesën bimore, shkurre, pyje, dhe bashkë me to gjithë larminë bimore dhe shtazore që ato strehojnë. Mbulesa bimore, pyjet dhe shkurretat, sigurojnë në radhë të parë kapjen e dyoksidit të karbonitnga atmosfera, formimin e lëndës organike, dhe çlirimin në atmosferë të oksigjenit, nëpërmjet fotosintezës. Kjo është baza ku mbështetet jeta e gjallesave bimore dhe shtazore që pyjet dhe shkurretat strehojnë që kur ka lindur jeta; por edhe vetë mbijetesa e njeriut shpëtimin e ka gjetur në pyjet dhe shkurretat, qoftë për ushqim, lëndë drusore, për mbrojtje, për çlodhje dhe ajër të shëndetshëm etj. 

Kurse zjarri vetëm në pak çaste kthen gjithçka në rrënojë, në shkretëtirë dhe dyoksid karboni. Ky lloj ‘pastrimi’ që i bëhet shpatit nga zjarri ndikon në ashpërsimin e klimës, thellon ngrohjen globale, ul cilësinë e ajrit, nxit gërryerjen e shpateve (erozionin). Sipas Arnold & Gibbons (1996), në një zonë të zhveshur dhe të degraduar, ujërat në sipërfaqe të tokës dhe ujërat nëntokësore zvogëlohen ndjeshëm (deri në 15%); avullimi në atmosferë zvogëlohet deri në 30%; deri në 55% e reshjeve shkojnë në përrenj dhe lumenj!

Pra zjarret tërthorazi ashpërsojnë mikroklimën, duke krijuar kushte tepër të ashpra për jetën, përfshirë dhe atë të vetë njeriut; kjo mund të përfshijë ndryshime të temperaturës, nivele lagështie, varfërim dhe ulje të cilësisë së ujërave etj. Zjarret nxitin humbjen e tokës dhe shkaktojnë uljen e prurjeve ose deri tharjen e burimeve etj.

Tërthorazi zjarret nxitin përmbytjet, edhe kjo përsëri me pasoja në humbje të pronës; e nxitur kjo dhe nga reshjet e çrregullta dhe shpesh të dëndura në kohët e fundit. Edhe ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore (burimeve) rritet pas zjarreve (koliformë dhe streptokokë fekalë, metale të rëndë, pesticide dhe mikroplastika).

Pas zjarrit, ringjallja është tepër e ngadaltë, tej jetëgjatësisë së njeriut

Një pyll apo shkurretë e djegur kërkon vite të shkojë në klimaksin normal. Sipas Këshillit Arktik, koha e ripërtëritjes për një pyll të djegur ndryshon ndjeshëm, duke filluar nga disa vite deri në shekuj, kjo në varësi të disa faktorëve; në përgjithësi, fidanët e parë shfaqen brenda 10 viteve të para, por kalimi në një pyll të rritur që të ngjajë me gjendjen e arritur para zjarrit mund të zgjasë 50 vjet ose më shumë.

Shpejtësia dhe natyra e ripërtëritjes varen nga faktorë si ashpërsia e zjarrit, madhësia e zonës së djegur dhe lloji i ekosistemit pyjor. Pas një zjarri të egër, një pyll i djegur fillon ripërtëritjen nëpërmjet një procesi ekologjik të caktuar; fillimisht, mikroorganizmat dhe bimët më rezistente, të njohura si lloje pioniere, kolonizojnë zonën e djegur; këto shpesh transportohen në zonën e djegur edhe nga era.

Këto lloje pioniere ndihmojnë në pasurimin e tokës me lëndë ushqyese, duke hapur rrugën për një jetë më të larmishme bimore. Duhet thënë se edhe disa fara bimësh, sidomos për lloje invazive (pushtuese), që flejnë në tokë nxiten nga zjarri për të mbirë.

Për Shqipërinë, ringjallja e pyjeve dhe shkurretave zgjatet shpesh në pafundësi pasi në shumë zona të vendit zjarret përsëriten herë pas here. Kjo në sinergji nga kullotja pa kriter (sidomos nga dhitë), nga prerjet për lëndë drusore, shpyllëzimet pa kriter për urbanizim etj. Në shpatet tona kodrinore-malore ripërtëritja varet edhe nga shkëmbi amnor, është më e lehtë në shpatet e buta, por jo në ato shëmbore, sidomos ato magmatike.

Nuk duhet harruar se pyjet tona natyrore janë ekosisteme të brishta, sidomos pyjet tona kodrinore-malore që përbëjnë thuajse shumicën e hapësirave tona pyjore dhe shkurrore; kjo ndikohet shumë nga klima e theksuar mesdhetare, me rreshje të rrëmbyera, nga tabani i gërryeshëm i tokës, nga ripërtëritja mjaft e ngadaltë që kalon kufijtë e jetës së njeriut.

Gjendja në pyje dhe sfidat për Shqipërinë

Në 70 vitet e fundit të zhvillimit të saj Shqipëria ka humbur rreth 1 milionë ha pyje. Kjo pa dyshim ka shkaktuar varfërim llojesh, si bimore dhe shtazore. Numri i llojeve të rralla e të kërcënuara është i lartë dhe prirja është në rritje. Lista e Kuqe e mbrojtur ligjërisht (2013) ka shkuar deri në 400 lloje bimore dhe 575 lloje shtazore. Fuqia gërryese e shpatit në mbarë vendin është shumë e lartë, rreth 25-30 tonë/ha/vit; edhe përmbajtja e lëndëve të ngurta pezull (TSS – Total Suspended Solids) në ujëra shkon deri 3-9 herë më shumë se vlera kufi prej 25 mg/L të Direktivës së BE-së 2000/60 (WFD) për ujërat sipërfaqësore.

Nga të dhënat duket se Shqipëria këtë verë (Janar-Gusht 2025) ka humbur mbi 4.6% të sipërfaqes pyjore; bëhet fjalë mbi 5,530 ha pyje të djegura, nga 1,197,000 ha pyje që ka gjithsej Shqipëria, mbështetur në të dhënat e Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje Në këtë mënyrë, Shqipëria sivjet zë vendin e parë në rajon për përmasat e zjarreve në pyje, gjë e cila duhet të shqetësojë shumë shoqërinë tonë, vendimmarrjen dhe politikëbërjen.

Kuptohet që shumë nga shërbimet e ekosistemeve pyjore, qoftë ato të karakterit ekonomik dhe natyror, ka kohë që janë dëmtuar rëndë. Moratoriumi 10-vjeçar (Ligji 5/2016) që ndaloi prerjet në pyje ishte mjaft i dobishëm. Por jo gjithçka mbaron këtu! Kthesa në pyje nuk vjen vetë!

Por vetëm nga një vizion ndryshe i gjithë shoqërisë sonë, i vendimmarrjes, qeverisë qendrore dhe asaj vendore, si dhe i gjithë forcave të gjalla në vend. Kjo është sfidë për Shqipërinë. Nuk duhet të harrojmë se kemi qenë shumë më të varfër, por pyjet i kemi ruajtur si të shenjtë.

Shumë pyje dhe shkurreta e ripërtërijnë vetveten; por duhen masa të rrepta për të lejuar ripërtëritjen, ku të ndalohen rreptësisht prerjet, të kontrollohen zjarret dhe të dënohen shkaktarët. Kullotja e tepruar, sidomos e dhisë është shpesh me dëme të mëdha në ripërtëritjen e pyjeve dhe shkurretave (!).

Ekonomia pyjore (e qëndrueshme!) nuk mundet kurrë të mbështetet te vjelja pa mëshirë e drurit, sidomos te pyjet e mbetura natyrore të lashta. Po ashtu dhe vjelja e nënprodukteve të pyjeve dhe kullotave (p.sh. e kullotjes dhe ushqimit për bagëtinë, e bimëve aromatiko-mjekësore, e kërpudhave, e gjojeve).

Këshillohet shumë reformimi, fuqizimi dhe mirëpajisja e inspektoriatit pyjor. Duhet një strukturë reale dhe funksionuese për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave, për mbarështimin e tyre. Ende nuk dihet mirë gjendja e reale e tyre, sipërfaqja, kadastrimi, shqetësimet, etj. Po kjo edhe për pyjet e ulëta dhe shkurretat.

Kjo situatë e vështirëson tepër zotërimin dhe vlerësimin e pasurive pyjore, të faunës së egër, të bimëve mjekësore dhe etero-vajore, të prodhimeve të dyta pyjore, etj. Për gjithë këtë periudhë, nuk është bërë ndonjë studim real apo analizë ekonomike se sa të ardhura vijnë nga pyjet, kullotat dhe nënproduktet e tyre.

Përsëris si shumë herë të tjera se duhen filluar seriozisht programe reale pyllëzimi, duke filluar nga fidanishtet dhe fidanët e llojeve të vendit (Mullaj et al., 2017) që thuajse janë shteruar, e deri te nxitja e vullnetarizmit për pyllëzimin. Ftoj këtu edhe biznesin e vendit që të kthejnë vemëndjen nga investimi në pylltari dhe pyje. Shumë nga fuqia e biznesit në Shqipëri shkon sot në sektorin e ndërtimit, infrastrukturë urbane, turistike, në bregdet, por dhe edhe në zona të thella malore.

Shumë nga ekspertët dhe mjedisorët vendas dhe ndërkombëtarë mendojnë se kjo është e tepruar dhe dukshëm edhe në dëm të pyjeve dhe cilësisë së jetës. Për pyllëzimet duhet mobilizuar rinia, sidomos ajo e shkollës! Në shumë vende kjo bëhet me këtë mënyrë, si domosdoshmëri jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për më shumë oksigjen, më shumë vlera ekonomike, më pak erozion, më pak përmbytje, më shumë ujëra në lumenj dhe në burime, më pak ndotje, mikroklimë më të butë, më shumë hijeshi peizazhesh, më shumë vlera turistike etj.

Pylltaria është art dhe shkencë! Pylltaria moderne merret sot me shumë çështje jetike për njeriun, si: të sigurojë lëndë të parë druri, të ruajë habitatet natyrore, të ruajë cilësinë e ujërave sipërfaqësore, të krijojë mjedise çlodhëse, por të hapë dhe vende të reja pune, të mbrojë peizazhet dhe komunitetin; pylltaria merret sot dhe me arkitekturë peisazhi, me mbrojtjen e biodiversitetit, menaxhimin e pellgjeve ujëmbledhëse, me kontrollin e erozionit, kontrollin e përvetimit të dyoksidit të karbonit dhe çlirimin e oksigjenit, me ngrohjen globale etj.

Nga sa më sipër, do të këshilloja fort që pylltaria të vendoset ndër përparësitë e zhvillimit ekonomik në të ardhmen në Shqipëri, ku të synohet qoftë në aspektin praktik të mbarështimit të pyjeve dhe kullotave dhe në atë kërkimor (prodhim fidanësh të shëndetshëm, luftë ndaj sëmundjeve, inventarizim etj.).

The post Zjarret, pasojat dhe sfidat për vendin appeared first on Citizens.al.

Before yesterdayCitizens.al

Porti i Durrësit: Planet vazhdojnë mes paqartësisë dhe përfitimeve për pak njerëz

21 August 2025 at 16:00

Projekti për rindërtimin e Portit të Durrësit ka një sërë dritëhijesh dhe qytetarët shqiptarë mund të jenë ata që do të paguajnë çmimin. Një nga propozimet më kontroverse është financimi i një pjese të projektit duke shitur apartamente para se ndërtimi të nisë.

Më 9 janar të 2021, një video e publikuar në Instagram, nga faqja zyrtare e  restoranteve luksoze “Nusret” në Dubai, ndezi reagime të forta në Shqipëri. Kjo për shkak se nga pamjet dalloheshin ish – zëvendës kryeministri (por edhe Ministër i Shtetit për Rindërtimin i asaj kohe) Arben Ahmetaj, Belinda Balluku Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, këshilltari i kryeministri Endri Fuga, si edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, biznemeni Samir Mane, nën shoqërinë e një prej emrave me më ndikim në Lindjen e Mesme Mohamed Alabbar. Ai është themeluesi dhe ish-kryetari i kompanisë Emaar Properties, një nga zhvilluesit më të mëdhenj dhe prestigjiozë të pasurive të patundshme në botë, e cila njihet për projekte ikonike si Burj Khalifa në Dubai, ndërtesa më e lartë në botë, dhe kompleksi Downtown Dubai.

Nën furtunën e komenteve se qeveritarët shpërdorojnë taksat e qytetarëve, Mazniku replikoi se “as menunë nuk e pamë, darka ishte e porositur dhe e paguar nga kompania” dhe ishte pjesë e një misioni zyrtar për të prezantuar investorin Emirat në projektet e portit, përfshirë “revitalizimin e portit të Durrësit”.

Kjo mendohet se është hera e parë që audienca shqiptare u njoh me faktin se një plan gjigand po luhej për fatin e një nga porteve më të rëndësishme dhe më antik të rajonit.

Më 30 janar 2023, qeveria shqiptare dhe kompania “Eagle Hills Real Estate Development” nënshkruan një marrëveshje për një investim prej 2 miliardë eurosh, që synon të shndërrojë Durrësin në një qytet me dy porte, një për pasagjerë dhe një tjetër turistik e për jahtet. Porti aktual do të spostohet në zonën e Porto Romanos, ndërsa në hapësirën e portit ekzistues do të zhvillohet projekti “Durrës Yachts & Marina”.

“Projekti gjigand, i cili do të shtrihet në 450 hektarë dhe do të çelë përgjatë gjithë zhvillimit të tij 12 mijë vende të reja pune”- citohet ndër të tjera në postimin publik në faqen zyrtare të kryeministrisë referuar projektit “Durrës Yachts & Marina”.

Në projektin “Durrës Yachts & Marina” parashikohet të ndërtohen në total rreth 13 mijë apartamente, 850 dhoma hoteliere dhe 280 vende për jahte. Projekti do të zhvillohet në dy faza kryesore: Faza e parë përfshin ndërtimin e 4,000 apartamenteve, hoteleve dhe zonave tregtare, me një afat realizimi prej 5–7 vitesh dhe një investim prej 595 milionë eurosh. Faza e dytë zgjeron më tej projektin me marina për jahte, më shumë apartamente dhe hotele, duke shtrirë kohëzgjatjen totale të investimit deri në 20 vjet.

Për shkak të statusit si projekt strategjik, kompania zbatuese përfiton lehtësira të mëdha fiskale, si përjashtim nga tatimi mbi fitimin, TVSH-ja dhe taksat doganore, si dhe procedura të përshpejtuara për marrjen e lejeve brenda 150 ditëve. Marrëveshja garanton gjithashtu që kushtet fiskale dhe marrëveshja nuk do të ndryshohen për 99 vjet, duke mbrojtur interesat e investitorit.

Eduard Halimi, i cili shërbeu si Ministër i Drejtësisë nga viti 2011 deri në vitin 2013, në një analizë për median ngriti shqetësimin se 60% e kompanisë Eagle Hills ishte në pronësi të një rrjeti prej pesë kompanish, të cilat, sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), janë të regjistruara në Ishujt Kajman.

Por kjo nuk ka qenë ndër kritikat e vetme që kanë marrë financuesit e këtij projekti nga zërat opozitarë.

Më 27 korrik 2022, Autoriteti Portual i Durrësit themeloi shoqërinë aksionare publike “Albanian Seaports Development Company” (ASDC) për të menaxhuar dhe koordinuar investimin strategjik të projektit “Durrës Yachts & Marina”. Kapitali fillestar i ASDC-së në momentin e themelimit ishte dhjetë milionë lekë (rreth 103,000 euro), ndërsa në qershor 2024 u rrit në 21,9 milionë lekë (rreth 225,000 euro) për të mbështetur punën dhe për të zgjeruar rolin e kompanisë si një aktor publik i përfshirë në projekt.

Në janar 2023, ASDC themeloi një filial të quajtur “Durrës Marina”, në të cilin zotëron 100% të kapitalit. Filiali është përgjegjës për menaxhimin e zbatimit të projektit dhe bashkëpunimin me partnerët strategjikë.

Shteti shqiptar, përmes ASDC, zotëron 33% të aksioneve në projektin “Durrës Yachts & Marina”, i cili ka një vlerë totale investimi prej rreth 2 miliardë eurosh dhe parashikohet të gjenerojë të ardhura prej 3.2 miliardë eurosh. Në përputhje me këtë pjesë, shteti pritet të përfitojë rreth 281 milionë euro nga fitimet neto të projektit.

“Pasi tha 3 vjet se do të vijë Emaar, Emaar, do të bëjmë Dubain në Evropë, bëhet marrëveshja midis shteteve dhe tani na del që Emaar nuk është asgjëkund. Pra ka tre vjet që thotë do të vijë kompani e madhe, prandaj nuk po e japim, prandaj po bëjmë një ligj special, dhe zbulojmë tani që marrëveshja nuk po bëhet me Emaar, por me një individ, i cili, para një viti krijoi disa kompani të ndryshme, që janë praktikisht bosh, pa kapital, pa të punësuar, pa historik”- është shprehur kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.

Punë në zhvillim në portin e Durrësit

Projekt pa garë dhe jo transparent

Në nëntor të 2022, 37 deputetë të opozitës çuan në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Portin e Durrësit, duke e cilësuar atë një mega aferë korruptive. Pretendimet e opozitës u hodhën dy herë poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndër të tjera u shpreh se  menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të “Marrëveshjes Kuadër” duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.

Sipas Pano Soko, ekonomist dhe ish-bashkëkryetar i partisë “Nisma Thurrje”, pavarësisht vendimit të gjykatës, ky lloj investimi nxit pabarazinë.

Soko identifikon tre çështje kritike kryesore të lidhura me projektin: mungesa e mundësive të barabarta, kushtet dhe termat nën të cilat është negociuar dhe skema e rrezikshme e shitjes së apartamenteve para se të fillojë ndërtimi.

“Jo më kot marrëveshja e stabilizim – asocimit  e përcakton qartë këtë dhe jo më kot dhe Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar, në mos hapjen e një gare publike, ndërkombëtare për zhvillimin e këtij projekti, sepse në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, shtetasit janë të barabartë para ligjit, është aksiomë absolute që duhet respektuar me rigorozitet, e cila u shkel në rastin e Durrës Marinës”- tha Soko.

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i është përgjigjur letrës së kreut të grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, ku pranoi shqetësimin e Bashkimit Evropian në lidhje me këtë projekt.

“Të gjitha prokurimet dhe koncesionet, përfshirë dhe marrëveshjet mes shteteve apo palëve të treta, duhet të ngrihen mbi parimet e transparencës, garës, trajtimit të barabartë dhe jo diskriminimit” – ishin fjalët e Oliver në letër.

Problemi i dytë sipas Sokos, është se shteti shqiptarë rrezikon të dal me humbje. Sipas tij vetëm zhvendosja e Portit të Durrësit mund të kushtoj diku te 2 miliardë dollarë, taksat e falura të projektit, por edhe toka që është diku te gati një milionë metër katrorë, me një çmim 100 euro m2, që mund të jetë më shumë shkon 150 milionë euro.

“Pra ne po dalim me këpucë të kuqe nga ky projekt!”- nënvizon ai.

Së fundmi ai ngre dhe shqetësimin për shitjen në gropë të apartamenteve, proces i cili sipas ekspertit ndodh vetëm në vende të botës së tretë.

“Kjo ishte dhe kuota bazë e financimit, përveç shifrës që u parashikua të financoheshin nga Albbari dhe nga kredia që do të merrej, pjesa e investimit do të mbulohej nga paratë që do të vinin nga shitja në gropë e apartamenteve. Pra do të shitej ajri dhe me këto do të mbusheshin 2 miliardë dollarë të investimeve” – vijon Soko.

Ai nënvizon se Alabbar ka pasur projekte të ngjashme dhe në Beograd dhe në Bjellorusi, që nuk kanë pasur një fund të mirë, e për këtë arsye Shqipëria në vend të tregohej e kujdesshme, u tregua shumë e hapur.

“Pse u tregua shumë e hapur Shqipëria? Pikërisht se u mendua që financuesit kryesorë, apo paratë që do të financonin këto projekte, apo blerjen e këtyre apartamenteve, do të vinin nga paratë e pista!”- përmbyll eksperti i ekonomisë.

399 milionë euro nga buxheti shtetit për Portin në Porto Romanos

Ndryshe nga projekti “Durrës Yachts Marina” për të cilin nuk u hap asnjë garë, për ndërtimin e portit të ri në Porto – Romano u zhvilluan dy procedura tenderimi. Osservatorio Balcani ju drejtua Autoriteti Portual Durres (APD), i cili i konfirmoi se investimi për Portin e ri në Porto – Romano do të jetë rreth 399 milionë euro dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit.

“Gjatë periudhës së spostimit të operacioneve portuale nga Terminali aktual i kontejnerëve drejt Terminalit të ri, bizneset që varen nga trafiku i mallrave nëpërmjet portit të Durrësit mund të përballen me nevojën e riorganizimit të operacioneve”- konfirmon APD, në lidhje me ndikimet që do të sjell ky transferim.

APD gjithashtu pretendon se do të gjenerohen të ardhura shtesë, pasi APD do të funksionoj si një autoritet me dy porte, ku porti ekzistues do të vazhdoj funksionimin i transformuar si një Marinë Turistike.

Procedura e tenderimit për ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano ka kaluar një proces të gjatë dhe të ndërlikuar. Fillimisht e shpallur në korrik 2024 me një fond limit rreth 390 milionë euro, ajo u anulua disa muaj më vonë për shkak të mungesës së ofertave të përshtatshme. Në dhjetor të po atij viti, tenderi u rihap me dokumentacion të përmirësuar dhe pa ndarje në lote, duke tërhequr sërish interesin e kompanive ndërkombëtare. Pas dy raundeve të parakualifikimit dhe shqyrtimit të ankesave, aktualisht procedura ndodhet në fazën përfundimtare të vlerësimit të ofertave financiare, ku dy konsorciume janë në garë për fitimin e kontratës.

I pari është bashkimi midis kompanisë holandeze Van Oord dhe gjigandit belg Besix, ndërsa konsorciumi i dytë përfshin kompaninë greke Archirodon, në partneritet me Deme Dredging NV dhe Societa Italiana Dragaggi S.p.A. Të dyja konsorciumet kanë kaluar fazat teknike të kualifikimit dhe aktualisht janë në pritje të vlerësimit të ofertave financiare, që do të përcaktojë fituesin e kontratës për projektin strategjik.

Aranita Brahaj, drejtuese e platformës e të dhënave Open Data (organizatë që synon transparencën e të dhënave), në lidhje me parregullsi për tenderin e hapur për këtë projekt, tha për Osservatorio Balcani se ekziston një problematikë që lidhet me përgatitjen e dokumentacionit dhe projektit të tenderit.

“Ka pasur një mungesë të dukshme transparence në përzgjedhjen e biznesit të huaj që ka kryer përgatitjet”-shprehet Aranita.

Ajo vijon se fillimisht u parashikua që kjo vepër të realizohej me financim të huaj, por më pas, për shkak të mungesës së garancive për fonde të jashtme, mbeti që Porti të ndërtohej me investime të brendshme.

“Kjo tregon një mungesë besimi nga partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur projektin”- përmbyll Brahaj.

Rezistencë e vakët lokale

Ndryshe nga Mali i Zi, ku vendasit dhe aktivistët kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të Alabbar në Ulqin duke organizuar protesta, në Shqipëri rezistenca ka qenë shumë e dobët, pothuajse inekzistente. Propaganda e përhapur gjerësisht në Shqipëri, që e paraqet Durrësin si ‘Dubain e Mesdheut’, ku vlerat e pronave dhe punësimi do të rriteshin në mënyrë eksponenciale, duket se ka funksionuar në mënyrë efektive.

Zërat e ekspertëve dhe aktivistëve lokalë pothuajse janë inekzistente, ndryshe nga raste të tjera në Durrës, përmendim kundërshtitë të veprave infrastrukturore, për shembull objekti i Velierës.

Urbanisti nga Durrësi, Artan Kacani, shpjegon për Osservatorio Balcani se Porti i Durrësit është një vepër inxhinierike unike dhe se është bërë me kolona lundruese, pluskuese në ujë, pra gjithë dyshemeja e kontejnerëve kur vinë dallgët lundron mbi ujë.

Kacani thekson se relievi i Durrësit është argjiloz dhe shumë i vështirë për të pasur një stabilitet. Dhe sipas tij, ky ka qenë problemi gjithmonë në antikitet i Portit të Durrësit, pra gjithmonë ka qenë territore jo të qëndrueshme për të zhvilluar një port infrastrukture të madhe.

“Të marrësh këtë port, këtë zgjidhje gjeniale inxhinierike dhe ta konvertosh duke hedhur materiale të ndryshme, jo vetëm ke ndryshuar sizmologjinë e tokës, por mbi të gjitha ke krijuar një budallallëk në ujë, sepse është territor sizmologjik shumë i fortë dhe këtë e vërteton historia e Durrësit” – thotë ai.

Kacani shprehet se e njëjta vështirësi haset edhe në Porto – Romano, ku do të zhvendoset Porti i ri, pasi  Porto – Romano shtrihet në buzët e pllakave tektonike.

“Është e njëjta sfidë si dhe ura nëpërmjet Italisë dhe Sicilisë që shumë politikanë thonë do ta bëjmë por asnjë inxhinierë nuk e hedh firmën sepse janë bashkimet e pllakave tektonike dhe në të ardhmen ato mund të krisen dhe të lëvizin. Nuk ka asnjë lloj garancie” – thekson Kacani.

Një tjetër arkitekt nga Durrësi, Enea Papa thotë se nuk është ndarë akoma, nëse duam qytet historik, turistik, apo çfarë të dalë. Ai tregon për Osservatorio Balcani se Durrësi nuk ka as infrastrukturën e duhur për të gjithë këtë ngarkesë urbane që pritet të mikpresë.

“Durrësi ka dy orë ujë në ditë, si pretendon që do sjellësh gjithë ato rezidentë e turistë, do të thotë të sjellësh një qytet të dytë. Nuk jemi gati! Është sikur të bësh dasmë në një shtëpi dy plus një, nuk e bën dot, se s’ke ku ul njerëzit! Do kurajo të madhe të bësh diçka të tillë!”- analizon Papa.

Rasti i Portit të Durrësit përfaqëson shumë më tepër se një projekt ndërtimi; ai është një pasqyrë e mënyrës se si konceptohet zhvillimi urban, qeverisja ekonomike dhe raporti i qeverisë me publikun në Shqipëri. Mungesa e transparencës, shmangia sistematike e garës, përjashtimi i qytetarëve dhe specialistëve nga vendimmarrja, dhe dyshimet mbi interesat e përfshirë pas një projekti kaq të madh, e kthejnë këtë histori në një studim rasti për keqmenaxhimin e hapësirës publike dhe sfidat e demokracisë funksionale.

Përtej retorikës politike dhe premtimeve për investime miliarda-euroshe, mbetet pyetja themelore: Kujt i shërben ky projekt? Dhe çfarë humbasim si qytet dhe si shoqëri kur vendimmarrja për të ardhmen urbane e vendit kalon pa konsultim, pa analizë reale dhe pa llogaridhënie?

Nëse kjo histori do të vazhdojë të përsëritet edhe me projekte të tjera strategjike apo aeroportet, rrezikojmë të ndërtojmë një Shqipëri që nuk është për qytetarët e saj, por për interesa të ngushta, të padukshme dhe afatshkurtra.

The post Porti i Durrësit: Planet vazhdojnë mes paqartësisë dhe përfitimeve për pak njerëz appeared first on Citizens.al.

Shansi i fundit i Drilonit: “Beton apo UNESCO”

20 August 2025 at 14:40

Edhe pse Komiteti i Trashëgimisë Botërore i dha një vit shtesë qeverisë maqedonase dhe shqiptare për të zbatuar masa korrigjuese për liqenin e Ohrit, kjo duket se nuk po i ndal projektet e ndërtimit në këtë zonë, të paktën në vendin tonë.

Ndërtime pranë Zonave të Mbrojtura

“Ndodhur pranë parkut të Drilonit. Pusho pranë natyrës!” – është thirrja e kompanisë së ndërtimit “Kontakt” që fton blerësit të zgjedhin me një klikim apartamentet në projektin “Pyjet e Drilonit”.

“Rezervoni shtëpinë tuaj të pushimit në zemër të Tushemishtit për vetëm 1,000€” – shkruhet në një tjetër reklamë në rrjet, shoqëruar me rendera garsonieresh, apartamentesh 1+1, ose 2+1. Por sipas Bashkisë së Pogradecit në zonën në fjale nuk ka nisur asnjë ndërtim.

Bashkia Pogradec u përgjigj zyrtarisht se nuk disponon asnjë të dhënë apo dokumentacion të lidhur me këtë projekt, po ashtu edhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) i konfirmoi Citizens.al se nuk e njeh projektin në fjalë.

“Parku i Drilonit, ndodhet në zonën Peizazh i Mbrojtur Ujor/Tokësor, shpallur me VKM-në Nr. 597, datë 25.09.2024 të Liqenit të Pogradecit”. Gjithashtu kjo zonë është edhe Zonë e Trashëgimisë Kulturore Botërore UNESCO” – thekson përgjigja e AKZM.

Ndërsa Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) u shpreh se për projektin “Pyjet e Drilonit, kompleks me godina banimi 1-9 dhe 12 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë’, me zhvillues shoqërinë “KONTAKT” SHPK është depozituar një aplikim për leje ndërtimi më datë 08.02.2025.

“Aktualisht, nuk ka ende një vendimmarrje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) për këtë aplikim” – i tha AZHT Citizens.al.

Citizens.al kontaktoi kompaninë “Kontakt”, e cila refuzoi të japë informacion mbi projektin. Një përfaqësues i “Kontakt” i tha Citizens se “nuk ka të drejtë ta bëjë këtë artikull” dhe se projekti është miratuar nga UNESCO.

Në të vërtetë, UNESCO nuk ka mandat të miratojë ose refuzojë projekte infrastrukturore në zonat e shpallura Trashëgimi Botërore, kjo është detyrë e institucioneve shqiptare, të cilat u shprehën zyrtarisht se nuk kanë miratuar një leje për këtë projekt. Megjithatë rezervimet për shitje kanë nisur.

Ekonomisti Pano Soko shpjegon se fenomeni i shitjeve të apartamenteve “në ajër” ndodh në vende ku zbatimi i ligjit apo disiplina shoqërore nuk është e fortë: “Risku është shumë i madh. Ti paguan por ti nuk e di nëse ndërtuesi e mbaron ndonjëherë pallatin apo nuk e mbaron, i respekton afatet apo jo. Ka pasur raste të riskut ekstrem, ku ti paguan lekët dhe ai nuk e ndërton asnjëherë pallatin”.

“Po thahen burimet e Drilonit”

Inxhinieri Arian Merolli, një nga ambientalistët që ka punuar për përfshirjen e liqenit të Ohrit në UNESCO, thotë se ne nuk kemi seriozitet ne dokumentet që çojmë në Paris.

“Ne çdo vit duhet të raportojmë si është gjendja me anë të një dokumenti standart, “state conservation report” dhe ne i kemi thënë Unescos se nuk ka ndërtime, edhe pse e dinë (grupi raportues) që këto iniciativa ekzistojnë”, tregon ai për Citizens.

Sipas tij, në misionin e fundit të UNESCO në vitin 2020, në Tushemisht nuk kishte asnjë ndërtim, kur erdhi misioni monitorues në vitin 2022, gjeti një grup prej 6 ndërtimesh paralele që ishin bërë brenda dy vitesh.

“Mirë këto ndërtime që ishin bërë, por këto që ramë dakord që nuk do bëheshin, pse u bënë?”- pyet Merolli.

Ai thekson se kaosi i ndërtimeve ka sjellë tharjen e burimeve të  Drilonit në disa vende, si dhe shumë shpejt ky ekosistem mund të shkoj drejt zhdukjes.

“Zona ka status trashëgimi natyrore, n.q.s. ti ndërton ngjitur me zonën që quhet trashëgimi botërore, ti ke prishur vlerat universale që ka rajoni. Ky është elementi që e përcakton si trashëgimi botërore”- përmbyll Meroli.

“Shansi i fundit për veprim

Kjo ishte hera e tretë, që u parashtrua propozimi për përfshirjen e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë në Rrezik, gjatë sesionit të 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që u zhvillua në korrik 2025.

“Zhvillimet ne infrastrukture , ndotja e vazhdueshme nga shkarkimet ne liqen kane çuar ne degradim te biodiversititeti vit pas viti ne Liqenin e Ohrit”- tha për Citizens Margarita Buxhaku nga Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore (ACEG).

Më shumë se 40 organizata të shoqërisë civile nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ballkani Perëndimor dhe vende të tjera të Evropës, të cilat nënshkruan një letër të përbashkët drejtuar Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pikat kyçe të letrës përfshinin : Moszbatimin e rekomandimeve të përsëritura nga misionet monitoruese të UNESCO-s që nga viti 1998; Zhvillim të dëmshëm infrastrukturor, si ndërtimi i Autostradës A2 pa vlerësime strategjike mjedisore; Dështimin për të zbatuar 19 rekomandimet e misionit monitorues të vitit 2017 etj.

Edhe pse kishte bazë që rajoni të futej menjëherë në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, Komiteti vendosi të mos e bëjë këtë tani. UNESCO i dha 12 muaj shtesë qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të zbatuar masa korrigjuese konkrete.

Autoritetet e të dy vendeve (Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut) duhet të dorëzojnë një raport të detajuar mbi gjendjen dhe përparimin deri më 1 shkurt 2026. Vendimi final për futjen ose jo në listën e vendeve në rrezik do të merret në Sesionin e 48-të të Komitetit në vitin 2026.

Liqeni i Ohrit shtrihet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me sipërfaqe rreth 358 km² dhe thellësi maksimale 288 metra, duke e bërë një nga liqenet më të thellë dhe më të vjetër në Evropë. Ai ka një biodiversitet unik, me shumë specie endemike të faunës dhe florës, dhe rreth tij ndodhen qytete historike, përfshirë qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut.

The post Shansi i fundit i Drilonit: “Beton apo UNESCO” appeared first on Citizens.al.

Kamza: Nga shpresa për një shtëpi, në dëshirën për të ikur

15 August 2025 at 15:13

Gjeografikisht Kamza etiketohet si periferia e Tiranës, por në realitet ajo ka ndërtuar identitetin e saj, si një arkivë e gjallë përpjekjesh sociale, politike dhe kulturore.

Në këtë mozaik urban me mbi 96 mijë banorë, historitë individuale kthehen kolektive si rezultat i sfidave të njëjta të migrimit të brendshëm.

Një nga këto histori është ajo e familjes së Luke Balës, e cila la Pukën për t’u vendosur në Kamëz rreth tre dekada më parë.

Por përpjekja e tyre për një jete më të mirë duket se vazhdon: nga migrimi i brendshëm, te emigrimi jashtë vendit. Familja e Bala po përballet me të njëjtën situatë si tre dekada më parë në një valë të dytë mërgimi teksa dy djemtë e saj janë zhvendosur në Gjermani dhe Itali.

“Vendimin e mori burri që më ka vdekur, se iku kooperativa ishim dy familje, dy kurora, dhe ishte jeta e papërballueshme. Ka ardhur burri, ka marrë një tokë, ka bërë një barakë, pastaj na ka marrë neve, katër fëmijë dhe mua,” tregon Lukja.

Në vitet pas rënies së diktaturës shumë familje si e Lukes u zhvendosën nga zonat rurale drejt rrethinave të Tiranës.

Rasti i saj, ndihmon për të kuptuar zhvillimin e Kamzës si qytetin e atyre njerëzve që mbërritën dhe e ndërtuan ngadalë pa pasur infrastrukturë dhe garanci ligjore. Shumë nga ndërtimet e asaj vale migrimi mbeten informale edhe sot.

S’kisha gjithçka unë këtu. Ujë s’kishte drita s’kishte, një dhomë barake ishte, thashë ‘Paskam qenë mirë atje!’, kur erdhëm fillimisht. Fëmijët ishin të vegjël, më i madhi 13 vjeç, më i vogli 2 vjeç,” kujton Lukja.

“Filluam, mora lopën, mora delet, pulat e gjërat që ishin aty, tokë kishte boll, kishim nga të kullosnin, burri iku roje atëherë punonte te lumi ngarkonin makina me gurë,” vijon Lukja teksa thekson se djali i madh emigroi teksa ishte vetëm 13 vjeç.

“13 vjeç më ka ikur i madhi, edhe ashtu nga pak, nga pak e bëmë këtë shtëpi” shprehet ajo.

Për Luken zhvendosja në Kamëz erdhi me shumë vështirësi, që nga ndërtimi i shtëpisë e deri në ditët e sotme ku ajo vuan ende mungesën e legalizimit.

“Kemi 19 vite që i kemi futur letrat edhe nuk janë bërë ende legalizimet, na thonë shko këtu, shko atje, do bëhen, do vinë, asgjë…” shprehet ajo e revoltuar.

“Nuk ka lënë zyrë burri dhe unë pa shkuar, do dalin tani, do dalin me këto zgjedhje, erdhën dhe këto zgjedhje, nuk na dolën, se s’bën do dalin në 2028, ne dikur do vdesim thashë, ato s’po dalin,” vijon Lukja.

Sakrifica që ajo së bashku me bashkëshortin e saj bënë vite më parë duke lënë Pukën, nuk e ndaloi dot emigrimin e fëmijëve të saj, për të cilët edhe pse e keqardhur që janë larguar, ajo thotë se janë e vetmja garanci që ajo ka, pasi pensioni nuk i del as për ilaçet.

“Ka kohë që as ilaçet nuk më dalin, 130 mijë lekë, vetëm që janë fëmijët, djali atje në Gjermani, se për pension kur të duash je e vdekur, shkon 50-60 dritat, edhe 20 ujë, ikin 80, edhe nga një shishe qumështi 25 mijë lekë,” llogartit kostot e jetës Luke Bala.

Historia e Lukes është e ngjashme me një nga mijëra banorë të Kamzës, njerëz që emigruan brenda vendit për një jetë më të mirë, investuan jetën e tyre në ndërtimin e shtëpive, por u përballën me pamundësi për t’u integruar plotësisht, probleme ligjore dhe një valë të dytë emigrimi.

Lexoni gjithashtu:

The post Kamza: Nga shpresa për një shtëpi, në dëshirën për të ikur appeared first on Citizens.al.

“Një jetë në lëvizje”: Sfidat e rikthimit nga emigrimi

15 August 2025 at 15:12

Emigrimi e ka shoqëruar historinë e Shqipërisë ndër vite. Mijëra familje janë larguar që nga vitet ’90, në kërkim të një jete më të mirë. Disa janë larguar në heshtje. Të tjerë janë kthyer me zhgënjim, për të nisur nga e para një migrim tjetër brenda vendit.

Ky është rasti i Alta Kolecit, një grua e cila ka përjetuar atë që shumë e përshkruajnë si “një jetë në lëvizje”. Fillimisht nga Puka drejt Athinës, më pas drejt kthimit të vështirë në Shqipëri: në Kamëz, një qytet që u ngrit nga historitë e mërgimtarëve.

Historia e Altes nuk është thjesht një rrëfim për largimin apo kthimin. Ajo flet për sakrificën mes dy realiteteve, mundësinë e humbur dhe vendosmërinë për të bërë përpara bazuar te shpresa se e nesërmja do të jetë ndryshe.

“Ka qenë një situatë shumë e vështirë se ka qenë 96-ta. Kanë qenë ato trazirat, që po fillonin, që ishte pak vështirë me një fjalë. Njerëzit po emigronin, pastaj ika direkt për Greqi, për Athinë. Vitin e parë nuk është se punoja shumë, kishim një të njohur në katin e sipërm dhe ajo më merrte me vete, ishte një familje greke, thjesht më shumë që të mësoja gjuhën, të ambientohesha, se ishte e vështirë dhe atëherë aty nuk ka pasur shumë emigrantë, që të thuash që të kishe komunikim” kujton Alta.

Sipas Eurostat, në vitin 2023 rreth 49,000 shqiptarë emigruan drejt vendeve të BE-së, një eksod i ngjashëm me vitin 2015.

Census 2023 zbuloi se popullsia e Shqipërisë është zvogëluar me 14.5 % që nga 2011, duke reflektuar largimin e rreth 490,000 personave në rreth një dekadë.

Por mes vështirësive për t’u ambientuar në shtetin e huaj, Alta dhe bashkëshorti vendosin që të ardhurat e fituara në emigrim t’i investonin në Shqipëri, kështu që mes vështirësish vendosën të kthehen dhe ta ndërtojnë jetën këtu.

“E menduam rikthimin, sepse ne çdo fitim që kishim i sillnim në Shqipëri, dhe për një biznes që e kishim të hapur bashkë me një tjetër, gjithë ai mundimi jonë, ishte aty,” tregon Alta për vështirësitë.

Vendimi për t’u kthyer duket se ndikoi jo pak te Alta. Ajo shprehet se e pati të vështirë të ambientohej me kthimin pasi kishte nisur të mësohej me realitetin e ri në Greqi në një fazë ku sapo ishte bërë familjare.

Mendimi se si mund të kishin shkuar gjërat nëse nuk do të ishin kthyer, e ka ndjekur për një kohë të gjatë atë. Edhe pse emigrantë, edhe pse të huaj, jeta në Greqi duket se ofronte diçka që Shqipëria s’e kishte: sigurinë dhe stabilitetin.

Alta shprehet se i mungon çdo gjë nga Greqia, pavarësisht se atje ata ishin të huaj.

“Edhe kur u kthyem këtu, prapë të huaj,” kujton ajo me zhgënjim, “Pastaj këtu nuk ka as park për fëmijët, as spitalet, as rregull, asgjë.”

“Erdhëm me shpresën se këtej do të ishte më mirë me një fjalë, sepse Shqipëria është shumë vend i bukur, thjesht nuk janë drejtuesit të rregullt, që të eci përpara.” vijon ajo teksa rrëfen se po të ishte për të, ajo do të ikte sërish për në Greqi.

Por edhe pse e mendon largimin si opsion, Alta ka arritur që ta fitojë pavarësinë, me gjithë vështirësitë që ka, sidomos për një grua. Prej shtatë vitesh ka hapur një sallon parukerie dhe shprehet e kënaqur për këtë sipërmarrje të cilën e ka nisur që në Greqi kur ishte emigrante.

“Shkollën për parukeri e kam mbaruar në Greqi, nuk është se fillova këtu,” tregon Alta, “Kam bërë dhe punë të tjera, por pastaj duhet të punësohesha sepse doja të punoja, të isha e pavarur, dhe fëmijët i kisha të vegjël, 8-10 vjeç”.

Për të, shqetësimi kryesor pas kthimit ka qenë shkollimi i fëmijëve, pasi ndryshe nga Greqia sistemi arsimor shqiptar nuk ka orare fleksibël që t’i ndihmojë prindërit për të vijuar rregullisht punën, ndërsa Kamza shtëpi e shumë familjeve të rikthyera nga emigrimi, është një zonë e re urbane që nuk ka shumë shkolla dhe mësimi në disa prej tyre bëhet me turne.

Por si shumë qytete të Shqipërisë, që po zbrazen, edhe Kamza nuk po i bën dot ballë emigracionit. Brezi i dytë i familjeve që e ngritën jetën në Kamëz, i kanë sytë drejt emigrimit.

“Akoma i kam me studime, por edhe fëmijët, mendimi është për jashtë, që të lëvizin. Unë nuk u them që të ikin, thjesht është mënyra e jetesës këtu, është goxha e vështirë,” shprehet Alta, e cila pohon se gjërat kanë ndryshuar në Shqipëri, por që sipas saj vijohet të ketë mangësi.

“Që nga transporti, që nga vështirësitë për fëmijët, shkollat që janë (me turne) jo paradite, jo pasdite, fëmijët kush do t’i marrë, kush do t’i çojë, me një fjalë, gratë kanë shumë vështirësi te pjesa e familjes. Nuk kanë një park, i mungojnë shumë gjëra Kamzës,” përfundoi ajo.

Lexoni gjithashtu:

The post “Një jetë në lëvizje”: Sfidat e rikthimit nga emigrimi appeared first on Citizens.al.

Organizatat dënojnë sulmin ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë

15 August 2025 at 14:56

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënuan të premten gjuhën e rëndë ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), anëtarëve të bordit dhe drejtuesit të saj, Isa Myzyraj.

Një artikull me gjuhë denigruese u publikua pas reagimeve të AGSH-së për situatën në “News 24”. Artikulli anonim linçonte Asociacionin dhe drejtuesin e saj, gazetarin Myzyraj, me gjuhë ofenduese dhe homofobe.

Portali që botoi artikullin njihet për qasje në shkelje të të gjitha rregullave të etikës. Përgjithësisht shkrimet janë pa autor, teksa nuk ka asnjë emër publik se kush qëndron pas në redaksinë e saj.

Një vit më parë, ky portal linçoi edhe njerëz të tjerë aktivë në advokimin për lirinë e medias në Shqipëri.

Ngjashëm janë linçuar drejtuesja e qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV), Blerjana Bino, dhe drejtuesi i “Këshillit Shqiptar të Medias” (KSHM), Koloreto Cukali, por dhe anëtarët e bordit të KSHM-së, sikurse edhe gazetarja Ola Xama.

Prej 9 gushtit, punonjësit e “News24” dhe rrjetit të mediave të lidhur me të, nuk kanë mundur të vijojnë punën, për shkak të ndërprerjes së sinjalit dhe marrjes së godinës nga policia.

ECPMF shprehu shqetësim për vendosjen e AGSH-së në shënjestër, duke e cilësuar sulmin pasojë të punës së saj për dokumentimin e ngjarjeve që përfshijnë mosmarrëveshjen e pronësisë mes qeverisë dhe kompanisë “Focus Media Group”, e cila ka lënë pa punë dhjetëra gazetarë.

Safe Journalists, e cilësoi gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe theksoi se sulmet e tilla synojnë të diskreditojnë punën e gazetarëve dhe të nxisin klimë armiqësore ndaj gazetarisë së lirë në Shqipëri.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut”, theksoi rrjeti.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e quajti këtë akt një përpjekje për intimidim dhe denigrim, duke theksuar se përdorimi i stereotipeve dhe paragjykimeve cenon jo vetëm etikën, por është edhe i dënueshëm me ligj.

Komisionieri tha se po vlerëson nisjen e një hetimi për gjuhën që prek identitetin e individëve dhe pakicave shoqërore.

Rasti i fundit tregon se tensionet mes autoriteteve, pronarëve të mediave dhe gazetarëve po thellohen.

Sulmet verbale ndaj përfaqësuesve të medias përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për lirinë e shprehjes dhe transparencën publike.

Më herët, më 11 gusht, një faqe e rreme në rrjetet sociale e cila shfaqej me logo të njëjtë por me emrin “Asociacioni Gazetarëve Shqiptarë”, përhapi dizinformim në lidhje me qëndrimet e drejtuesit të AGSH-së dhe disa prej anëtarëve të saj që kishin të bënin gjithashtu me çështjen e “News24”.

Lexoni gjithashtu:

The post Organizatat dënojnë sulmin ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë appeared first on Citizens.al.

Kurdaria frymëzon rezistencën kundër hidrocentraleve në Mat

14 August 2025 at 20:13

Bar-kafe “Kadiu” në fshatin Kurdari të Matit ishte mbushur plot mëngjesin e së martës. Banorët e zonës ishin mbledhur për të ndarë shqetësimet e tyre të dy muajve të fundit: ndërtimi i hidrocentralit “Doma” dhe shoqërimet e vazhdueshme në polici të atyre që kundërshtojnë punimet.

Rrufitjet e kafeve shoqëroheshin në sfond nga gurgullima e ujit në kanalin vaditës krah rrugës së shtruar gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ndryshe, çezma e lokalit nuk kishte ujë.

“Nuk kemi ujë të pijshëm, jo më ujë për të ndërtuar HEC-e në këtë zonë,” tregoi për Citizens.al Erind Saliaj, banor, njëherësh administrator i njësisë administrative Suç të bashkisë Klos, e cila përfshin pesë fshatra.

Në lumin e Lusës, që kalon mes tre prej këtyre fshatrave – Kurdari, Skënderaj dhe Kurqelaj – parashikohet të hapet 4.4 kilometra trase rruge dhe rrjedha e lumit të futet në tuba.

Ardhja e makinerive të kompanisë “Global Interprise Group”, e cila do të ndërtojë hidrocentralin ka trazuar banorët. Ata i kanë pritur me protesta pasi e shohin projektin me rrezik për jetesën e tyre, të përqendruar kryesisht te bujqësia dhe blegtoria.

“A nuk është gjynah ta kthesh në shkretëtirë, ku asnjë lloj gjallese të mos ekzistojë. Fshati që është në Kurqelaj, dil matanë është HEC, ec në këtë anë është HEC, ku t’i kullosë delet dhe dhitë ai?”, shprehet i revoltuar Abdulla Abdullaj, banor i fshatit.

Erindi tregon se tentativat e para për hidrocentrale në këtë zonë kanë qenë që nga vitet 2006 e 2013, me dokumente të plotësuara më pas në vitin 2018. Ai thotë se ato janë shoqëruar pa dëgjesa publike dhe me kontrata të nënshkruara pa transparencë.

Rexhep Kuleni, gjithashtu banor, i angazhuar që në fillim kundër projektit, thotë se procesverbalet e dëgjesave janë manipuluar.

“Në listën me 19 veta të dëgjesës së vitit 2018 figurojnë edhe dy 14-vjeçarë që s’kanë firmosur as vetë,” kujton ai teksa shton se Drejtoria e Mjedisit Dibër e pati cilësuar dëgjesën me shumicë “pro”, pavarësisht se të paktën 12 prej pjesëmarrësve ishin shprehur “kundër”.

Vonesa në konkretizimin e projektit bëri që kompanisë t’i përfundonte leja dhe për këtë ajo provoi sërish të merrte një leje të re duke thirrur një dëgjesë tjetër në korrik të vitit 2020. Por kësaj here falë angazhimit të banorëve, kompania mori një refuzim masiv prej 613 personash.

“Unanimisht e kanë refuzuar kompaninë për të ardhur dhe për të ndërtuar HEC-et,” u shpreh Erindi.

Mirëpo, pavarësisht këtij refuzimi, kompania u kthye sërish në vitin 2023 duke iu shmangur dëgjesave me pjesëmarrje të gjerë.

Rexhepi thotë se dëgjesat e reja u bënë pa praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe pa një prezencë të zgjeruar të banorëve prej qindra vetash si në rastin e vitit 2020.

“Unë nuk e di, ata që kanë firmosur… të besosh katër-pesë persona pa dëgjesë dhe të mos besosh një popull që kanë thirrur mbi 1,450 vetë kundër, vetëm pesë pro,” kujton i revoltuar Rexhepi.

Banorët i kanë ndaluar makineritë e kompanisë “Global Interprise Group” të hyjnë në fshat. Disa prej tyre janë shoqëruar në polici, mirëpo ata theksojnë se do të vijojnë të rezistojnë dhe nuk do ta lejojnë hidrocentralin që të ndërtohet.

“Nuk do ta lejojmë,” këmbënguli Enver Dara, banor, i cili theksoi se dëgjesat publike do të kishin shmangur përplasjet me kompaninë.

“Të vijë të na pyesë, nëse e jep populli, edhe nëse 51%, i 52-ti do jem unë, do t’ia jap unë vetë ta bëjë, dhe unë do rri në shtëpinë time, nuk do të dal më as në protestë, asgjë.”

Kabina e hyrjes së kantierit të hidrocentralit në anën perëndimore të lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

Ikja e ujit, shpërngulje e banorëve

Për Ferik Topallin, futja e ujit në tuba është “vdekje për fshatin”. Ai paralajmëron shpërngulje masive dhe e argumenton këtë me faktin se shumica e banorëve merren me bujqësi dhe blegtori.

“Duhet të porosisim 200 arkivolë dhe të zhduket njerëzimi këtu në Kurdari”, tha ai, ndërsa shtoi se përpiqet prej kohësh për të siguruar të ardhmen pa u larguar nga vendi.

“Këta duan të na marrin pikën e ujit, të na marrin shpirtin, të na masakrojnë. Duan të na telendisin!”, vijoi Feriku.

Sipas Erind Saliajt, zona është “hambari i Matit”, me prodhim bujqësor që furnizon tregjet e Burrelit, Klosit e Bulqizës.

“Të gjitha produktet tona bujqësore dhe blegtorale ne i hedhim në treg. Kemi disa hektarë vreshta, plantacione me pemë frutore dhe ka shumë që merren me kopshtari, me zarzavate dhe perime. Punojnë në tokën e tyre, shfrytëzojnë këtë ujë që na ka falur natyra dhe nxjerrin një ndihmë të vogël për familjet e tyre”, tregon Erindi.

Enver Dara na shoqëroi përmes tokave të tij duke na treguar trasetë e rrugëve të hapura anës rrjedhës së lumit. Ai na tha se kompania nisi të punojë në dy drejtime të ndryshme, lindje-perëndim për të shpejtuar në vendosjen e tubave.

“Jo ai, por askush me qenë, edhe Edi Rama s’ka për të kaluar në tokën time, është e imja ajo. Ai mund të më marrë dhe shpirtin se është shteti, por unë nuk e lej”, theksoi Enveri.

Reduktimi i ujit të zonës duket se rrezikon edhe rezervuarin kryesor të Kurdarisë, i prekur ndjeshëm nga thatësira e verës së këtij viti.

“Sot kalojmë lumin me këpucë, jo më me çizme,” kujton Abdulla Abdullaj, teksa na tregon për situatën.

Beteja e komunitetit të Matit kundër HEC-eve

Pesë fshatrat e Njësisë Administrative Suç: Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj, Suç e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u përfundua.

Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.

Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.

Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë.

Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e komunitetit”.

Makineritë e kompanisë bllokuar në anën lindore të lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mos realizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u rikthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim, por ata refuzuan ta zhvillojnë takimin.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja në përgjigjen për Citizens.al.

Në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit.

Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.

Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Pesë vite më pas situata duket shqetësuese për banorët. Kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende. Ata pretendojnë se nuk janë pyetur dhe për këtë po shqyrtojnë ngritjen e një padie për ta ndjekur edhe në rrugë ligjore pretendimin e tyre.

Por deri atëherë, ata zotohen se nuk do ta lënë kompaninë të vijojë punimet.

Lexoni gjithashtu:

The post Kurdaria frymëzon rezistencën kundër hidrocentraleve në Mat appeared first on Citizens.al.

Injorohet vendimi i gjykatës, gazetarëve të News24 u pengohet sërish puna

14 August 2025 at 17:56

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës, gazetarëve të News24 dhe Panorama vijohet t’u ndalohet qasja në pajisje dhe hyrja në mjediset e një prej dy godinave të grupit mediatik.

“Prej pesë ditësh po zhvillohet një situatë absurde, e cila duket se qëllimi final ka për t’i mbyllur gojën News24, BalkanWeb, Panorama TV, Gazetës Panorama, Panorama Sport dhe Gazetës Shqiptare”, u tha në rrjetin social zyrtar të televizionit “News24”.

Sipas “Nesw24”, media e tyre, ende sot, 14 gusht, është e rrethuar nga forcat e Policisë dhe Ushtrisë, por dhe punonjës të KAYO-s (Kompanisë Shtetërore të Prodhimit të Armëve), duke u trajtuar si një zonë ushtarake, ndërkohë që brenda godinës ndodhen vetëm kompjuterë pune dhe materiale të stafit mediatik që po kryejnë detyrën e tyre.

“U bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore të zbatojnë menjëherë dhe plotësisht vendimin e gjykatës, në përputhje me të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri”, ishte reagimi i  organizatës “Safe Journalists Albania” të enjten.

Të martën, 12 gusht, Gjykata e Tiranës vendosi që brenda 48 orëve autoritetet policore dhe ushtarake të kryenin identifikimin dhe inventarizimin e sendeve të luajtshme dhe pajisjeve të sekuestruara nga mjediset e grupit mediatik të “News 24” dhe sipas rastit t`i vendoste në ruajtje apo t’ua lejonte gazetarëve t’i tërheqin.

Por deri më sot materialet e sekuestruara nuk u janë kthyer gazetarëve.

Pajisjet u sekuestruan me arsyetimin e boshatisjes së godinës së “News 24”, e cila sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) nuk ka paguar qiranë për godinën që prej shkurtit 2017 dhe se aktualisht detyrimet e saj “përllogariten mbi 2 milionë euro”.

“Përmbaruesi shtetëror, na thotë që për të hyrë në godinë, duhet të lini jashtë telefonat personalë. Është tallje ndaj vendimit të gjykatës, pasi Përmbarimit mund t’i teket të thotë që do hyni edhe pa brekë!”, përshkroi me ironi situatën gazetari Osman Stafa në rrjetet e tij sociale.

Kompjuterët dhe sendet personale të gazetarëve janë të vendosura momentalisht pranë Rezervave të Shtetit, në Rrugën “Bajram Tusha” në Shkozet, Durrës. Sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i vetmi person i autorizuar për tërheqjen e materialeve dhe sendeve të sekuestruara është administratori i “Fokus Media Group”.

Për bllokimin e punës së “News24” ka reaguar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Delegacioni theksoi se po e monitoron nga afër situatën dhe kërkon një zgjidhje ligjore, duke rikujtuar se liria e gazetarëve është thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe  për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Shqipëri.

Gazetarët e “News24” nuk e kanë ndërprerë punën e tyre në asnjë moment, duke transmetuar në qiell të hapur, me një kamera dhe pa montazh.

Lexo gjithashtu:

The post Injorohet vendimi i gjykatës, gazetarëve të News24 u pengohet sërish puna appeared first on Citizens.al.

Shqipëria mes flakëve

13 August 2025 at 16:27

Shqipëria është përfshirë nga zjarre të mëdha ditët e fundit. Situata paraqitet e vështirë në disa zona ku janë urdhëruar shpërngulje teksa të paktën një person ka humbur jetën.

Zjarret dolën nga kontrolli në Gramsh pasditen e së martës dhe po kështu ditën e sotme duke nxitur autoritetet të largonin banorët e tetë fshatrave: Nartë, Skënderbegas, Kullolas, Bletëz, Menkollarë, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.

Në mbrëmje situata u bë kritike edhe në Delvinë, ku u urdhërua gjithashtu largimi i banorëve. Njësoj, në Poliçan u urdhëruan edhe banorët e fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, pesë helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve, tre në Gramsh, dy në Delvinë.

Ministria e Mbrojtjes raportoi të mërkurën për 10 mijë forca në terren duke u përballur me 24 vatra aktive zjarresh të 24 orëve të fundit.

Shqipëria në flakë

Temperaturat e larta dhe thatësia e gjatë e kësaj vere ka ndihmuar në përhapjen e zjarreve, ku në disa raste ato kanë qenë edhe të qëllimshme.

Vatrat e para u raportuan më 12 qershor në Qeparo, pasuar nga mali i Krastës më 18 qershor.

Vetëm gjatë atij muaji, sipas ministrisë së Mbrotjjes pati 134 raportime zjarresh në të gjithë vendin: Tiranë, Durrës, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.

Në korrik, numri u trefishua në 373 dhe prirja e lartë e zjarreve vijoi edhe gjatë muajit gusht, favorizuar edhe nga temperatura ekstreme mbi 40 gradë celsius.

Deri të mërkurën, 13 gusht, situata u cilësua kritike me rreth 210 vatra zjarri, ndërsa pati edhe një viktimë në fshatin Skënderbegas, ku zjarri dogji edhe shtëpi.

Ministri i Brendshmëm Ervin Hoxha deklaroi se gjatë muajit gusht ka pasur 59 zjarre të mëdha dhe 961 të vogla.

Kodi Penal në fuqi, përkatësisht neni 206/a parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale.

Ndërkaq, kur vënia e zjarrit të qëllimshëm ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg”, thuhet në Kodin Penal.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2025, deri më tani policia ka proceduar 120 persona për zjarrvënie të qëllimshme dhe ka arrestuar vetëm 21 persona.

Shqipëria pa kapacitete për parandalimin e zjarreve

“Janë rreth 10 mijë forca të angazhuara në terren”, u shpreh Ministri i Brendshëm Hoxha të martën nga Gramshi, ndërsa ishte në ndjekje të situatës së renduar nga zjarret.

Përpos premtimeve për të zgjeruar kapacitete për emergjencat civile, Shqipëria nuk ka në dispozicion avionë për fikjen e zjarreve. Në terren janë vetëm zjarrfikësit dhe skuadrat e emergjencës, të cilat vuajnë nga mungesa e mjeteve dhe veshjeve të duhura.

Edhe këtë vit, Shqipëria është mbështetur në Mekanizmin Evropian, duke marrë ndihmë përmes avionëve “Canadair”, të posaçëm për fikjen e zjarreve.

Ky shqetësim është përcjellë edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një komunikimi në rrjetin social Twitter e relativizoi situatën me vendet e tjera fqinje.

“Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, […] i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se çdo vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?”, u shpreh Kryeministri në Twitter.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme

Në fshatrat e Gramshit, të cilat u përfshinë nga flakët janë djegur rreth 40 banesa, ndërsa dëme të konsiderueshme ka edhe në kullota dhe fonde pyjore.

Sipas legjislacionit shqiptar ka dy raste kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme: kur kemi cenim të rendit publik dhe kur kemi emergjence civile në territore të caktuara.

Edhe pse vendi ynë ka përjetuar situata të vështira për shkak të situatave që lidhen me zjarret apo përmbytjet, asnjëherë qeveria nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Shpallja e saj do të aktivizonte të gjitha strukturat shtetërore dhe mund të kërkonte rishikim të buxhetit.

Përvoja e përmbytjeve në Shkodër tregon se mungesa e shpalljes pengon dëmshpërblimin e qytetarëve.

Në një situatë të ngjashme me zjarret, ku dëmet dhe pasojat janë të rënda për qytetarët që gjithçka kanë është shtëpia dhe bagëtia, mosbesimi se do të dëmshpërblehen qëndron aty.

The post Shqipëria mes flakëve appeared first on Citizens.al.

Zhavorri i festivalit Keinemusik, te Parku i Liqenit, hiqet dy muaj me vonesë

13 August 2025 at 15:07

Dy muaj e gjysmë pas festivalit “Keinemusik”, zona jugore e Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë po pastrohet nga zhavorri.

Rreth 1.7 ha tokë u mbushën me inerte nga kompani të kontraktuara nga artisti Rigels Rajku – njohur me nofkën Noizy, – i cili ishte organizator i festivalit të 31 majit.

Sipas lejes së bashkisë, pastrimi duhej të ishte mbyllur më 8 qershor, por realisht nisi fundjavën e shkuar. Zyrtarisht nuk ka një afat për rikthimin e zonës në gjendjen e mëparshme teksa mjedisorët dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për keqmenaxhimin e kësaj zone të gjelbër të qytetit.

Qytetarë raportuan për makineri të rënda që po lëviznin gjatë fundjavës në zonën e parkut pranë “Unazës së Madhe”. Citizens ishte në terren nga ku dëshmoi për praninë e një ekskavatori privat, i cili nuk mbante logo të bashkisë apo Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR).

Punonjësi nuk pranoi të tregonte emrin e kompanisë. Ai tha se kishte tre ditë që ishte angazhuar për të lëvizur inertet, sipas një udhëzimi nga një inxhinier, të cilin tha se e kishte parë vetëm një ditë në zonë.

Udhëzimi ishte që të gërmonte deri në shtresën e fundit të zhavorrit. Ai tha se nuk kishte dijeni se ku do të dërgoheshin inertet.

Heqja e zhavorrit u konfirmua edhe nga APR, e cila i tha Citizens.al se po i vëzhgonte punimet. Për këtë ajo nisi dy foto me email. Megjithatë APR nuk tha se kush ishte kompania private që po punonte me makineri të rënda brenda parkut, apo se ku do të vendosen inertet.

Citizens.al raportoi në qershor për vonesat në pastrimin e zonës. Rasti ngjalli debate mbi mënyrën e menaxhimit të hapësirave publike nga aktivitetet private si dhe faktit se Parku i Madh i Liqenit Artificial nuk mbrohet me ligj me një status të caktuar mjedisor.

Lexoni gjithashtu:

The post Zhavorri i festivalit Keinemusik, te Parku i Liqenit, hiqet dy muaj me vonesë appeared first on Citizens.al.

Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve

12 August 2025 at 17:19

Dy ditë pas fikjes së sinjalit të News 24, ndërhyrja ndaj “Fokus Media Group” ka përshkallëzuar. Forca ushtarake, me mbështetjen e “Policisë së Shtetit” ndërhynë në godinën e sekuestruar të televizionit (nr. kadastral 10/300), duke marrë materialet dhe sendet personale nga redaksitë e gazetarëve.

“Grabitje e redaksisë”

Të paprecedentë, e kanë cilësuar vetë gazetarët e News 24, mësymjen e forcave policore dhe ushtarake në boshatisjen e ambienteve të një prej godinave të “Fokus Media Group”.

Gazetari Osman Stafa ka raportuar ditën e djeshme, pasditen e 11 gushtit, sesi kamionë të mbuluar kanë sekuestruar materiale private, kompjuterë dhe sende personale në redaksitë e gazetareve.

“Rrezikohet të dekonspirohen burimet, duke i vënë këta të fundit në rrezik, së bashku me familjet e tyre”, u shpreh Stafa.

Forcat policore në nisje të operacionit janë konfliktuar me gazetarët, teksa këta të fundit kërkonin bazën ligjore me të cilën po veprohej.

“Ilir Proda duhet të mbajë përgjegjësi që punonjësit e tij nuk tregojnë bazën ligjore mbi të cilën po veprojnë”- u shpreh gazetari dhe kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) Isa Myzyraj.

Redaksia e televizionit News 24 i është drejtuar gjithashtu ambasadave të huaja, institucioneve ligjzbatuese, deputeteve të Parlamentit dhe kryetareve të partive politike, që të ndërhyhet menjëherë për të ndaluar konfiskimin e materialeve nga redaksitë.

Në reagimin zyrtar redaksia theksoi se në pajisjet kompjuterike ndodhen informacione të rëndësishme nga investigime mbi korrupsionin, të cilat jo vetëm që përbëjnë prova të mundshme kundër abuzimeve, por edhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e gazetarëve.

“Te godina e parë janë materialet e emisioneve investigative, si përshembull emisioni “Veting”, apo “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala”- tregon gazetari Klevin Muka për Citizens.al.

Ai thotë se zyrtarisht nuk i është komunikuar asnjë njoftim për ndonjë orar apo hapësirë, ku gazetarët mund të merrnin sendet personale.

“Nuk e dimë as çfarë po ndodh te godina e dytë, sepse është fushëpamja e zënë dhe ambienti është i rrethuar. Nuk kemi akses as atje!”- përmbyll ai.

Osman Stafa tregon për Citizens se sipas njoftimit të marrë nga kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO, materialet e sekuestruara janë zhvendosur në Rrashbull, në afërsi të një strukture që përmban rezerva shtetërore.

Të papaguar, por me shpresë për rikthim

Edhe pse gazetarët e News 24, dhe mediave të grupit “Focus”, kanë disa muaj pa paga dhe sigurime, ata nuk e kanë ndalur misionin e tyre të informimit qytetar.

Momentalisht News24 po vijon operimin në qiell të hapur, duke transmetuar në kushtet më minimale materiale bruto nga një kamera.

“Teknikët kanë gjetur një format që të jemi në kanalin e News 24, por duke mos pasur asnjë lloj aksesi për editim, por vetëm transmetojmë live” – shpjegon gazetari Osman Stafa.

Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës e cilësoi sot si të paligjshëm ndërprerjen e punës dhe vendosi shoqëria KAYO duhet t’i garantojë punonjësve aksesin në godinën e gazetës Panorama, e cila ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2033, si edhe t’i kthejë me inventar të gjitha materialet e marra nga godina e sekuestruar, përfshirë sendet personale të gazetarëve dhe kompjuterët e punës brenda 48 orëve.

Përshkallëzimi i ngjarjes ka sjellë reagimin edhe të Irfan Hysenbelliu, pronari i “Focus Group” i News24 dhe Panorama TV, Gazeta Panorama dhe Panorama Sport, Panorama Online, Gazeta Shqiptare Online. Ai e ka cilësuar jo një “incident të zakonshëm”, por një akt brutal dhe që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.

“News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket”- u shpreh Hysenbelliu.

Ndërsa Hysenbelliu nuk ka komentuar në lidhje me pagat e prapambetura të stafit të tij, gazetarët e News 24 e kanë artikuluar këtë problematikë edhe në protestën e mbajtur dje, 11 gusht, protestë e thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).

“Një media e lirë nuk mund të ekzistojë pa gazetarë të mbrojtur në ambientin e tyre të punës, me sigurime dhe paga korrekte për punën e tyre”- tha gazetari Endri Xhafo gjatë fjalës së tij.

Ai përmbylli se protesta, nuk është vetëm për të kundërshtuar një veprim policor, por dhe për të thënë se të drejtat bazike të punonjësve të medias duhet të mbrohen çdo ditë, nga vetë gazetarët në radhe të parë, përpara se të arrihet në momente si ky.

Ekspertët: “Situata më shqetësuese që kemi parë ndonjëherë”

Kryetari  i “Këshillit Shqiptar te Medias” Koloreto Cukali e cilëson konfiskimin e materialeve të gazetarëve të News 24 të papranueshëm, por dhe si situatën më shqetësuese prej shumë kohësh.

“ Unë di që kur dikush nxirret nga përmbarimi jashtë ndërtesës, të gjitha objektet nxirren në oborr. Nuk merren dhe cohen nëpër vende që s’dihet se ku, aq më tepër kur janë materiale sensitive” – shprehet Cukali.

Cukali thekson se ende nuk dihet nëse ka pasur ndonjë procesverbal të mbajtur për materialet e marra.

“Nuk është problemi te një media, apo një kompjuterë, apo 40 dosje, por te çfarë vjen më mbrapa. Kjo është një demonstrim i hapur force, që ja ç’të gjen kur i kundërvihesh kryeministrit” – shton ai.

Sipas tij problematike është dhe mos mbulimi i kësaj çështje nga mediat e tjera dhe kjo tregon kryekëput një media tradicionale të kapur.

“Kur mediat injorojnë këtë lajm, kjo është një shenjë e keqe jo për median, kjo është një shenjë e keqe për publikun shqiptarë dhe kjo na lë të kuptojmë shumë qartë dinamikat pas kësaj” – përmbyll Cukali.

Ngjarja është denoncuar edhe nga 27 organizata ndërkombëtare dhe kombëtare të lirisë së medias, të cilat me anë të një deklarate të përbashkët kanë adresuar problematikat dhe kërkesat jo vetëm ndaj grupit “Focus Media Group”, por edhe ndaj institucioneve shqiptare.

Ndërhyrjen e 11 gushtit, organizatat e kanë cilësuar  “mbi baza ligjore të paqarta”, ku ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtij veprimi policor vendosen seriozisht në pikëpyetje.

Lexo gjithashtu:

Policia ndalon punën e News 24: Godina e saj do të jepet për fabrikë armësh

Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24”

The post Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve appeared first on Citizens.al.

Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24”

11 August 2025 at 14:14

Dhjetëra gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës protestuan sot para radiotelevizionit “News24” për mbylljen e sinjalit të transmetimit që iu bë nga policia asaj dhe mediave të tjera të lidhura me të. Prej 9 gushtit mjediset e këtij grupi mediatik nuk qasen dot nga rreth 230 punonjës pasi qeveria ia ka kaluar ndërtesën një kompanie shtetërore të prodhimit të armëve.

“Demokracia vdes në errësirë” ishte thirrja e Asociacionit  të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) për protestën që u mbajt sot përpara godinës së “News24”. Kreu i AGSH, Isa Myzyraj, kërkoi ndalimin e veprimeve nga ana e IKMT-së, Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të përfshira, duke paralajmëruar se “sot është News24, nesër mund të jetë çdo media tjetër”.

Drejtoresha e përgjithshme e News24, Anila Jole, u shpreh e tronditur nga ndërprerja e sinjalit, duke e quajtur ngjarjen jo vetëm goditje profesionale, por edhe personale.

“Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni. Liria e medias është themeli i demokracisë”, tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe kolegëve gazetarë të mos lejojnë shuarjen e zërit të lirë.

Konteksti dhe dinamika e zhvillimit të çështjes

Radiotelevizioni “News24” dhe mediat e tjera të lidhura me të si “Gazeta Shqiptare” apo “BalkanWeb”, zotërohen nga “Focus Media Group”, e themeluar nga një ortakëri sipërmarrësish italian në vitin 2002.

Prej vitit 2003 “Focus Media Group” u vendos si qiramarrëse në mjediset e ish-Uzinës së Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve, njohur ndryshe si ish-“Uzina e Autotraktorëve”. Ajo mori godinën që ndodhet në anë të rrugës me numër kadastral 10/300.

Në vitin 2011 “Focus Media Group” u ble për rreth 6 milionë euro nga një ortakëri e kryesuar nga familja Hysenbelliu, e cila zotëron edhe kompaninë “Panorama Group”, që boton gazetat “Panorama” dhe “Panorama Sport”.

Prej vitit 2013 grupi mediatik mori me qira edhe një godinë tjetër pas selisë së “News 24”, e cila përdorej kryesisht për studiot e emisioneve. Godina ndodhet në pasurinë 10/304 e pretenduar nga qeveria.

Mëngjesin e së shtunës, datë 9 gusht, mjediset e radiotelevizionit “News24” dhe mediave të tjera të lidhura me të u rrethuan nga forca të shumta të policisë. Ata deklaruan se kishin urdhër për boshatisjen e godinës në pronën 10/300.

Rreth 230 gazetarë dhe punonjës të mediave u ndaluan të hynin në zyra. Ndërtesës iu shkëput energjia elektrike e për rrjedhojë televizioneve iu mbyll sinjali i transmetimit. Ata deklaruan se aksioni ishte pa paralajmërim dhe nuk u dha kohë për zhvendosjen e sistemit të transmetimit në godinën tjetër.

Opozita, organizata të medias dhe shoqërisë civile dënuan aksionin policor si të paprecedentë dhe cenim të lirisë së medias.

Në mesditë, Avokatura e Shtetit lëshoi një deklaratë për shtyp, në të cilën tha se kontrata e qirasë me familjen Hysenbelliu kishte përfunduar prej majit 2022 dhe se për çdo pretendim të ngritur gjykatat janë shprehur në favor të shtetit.

Avokatura tha se prej marsit 2025 godina i ishte dhënë përmes një vendimi të qeverisë kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve “KAYO”. Deklarata për shtyp (foto) nuk u gjend më online në faqen e Avokaturës, sot e hënë.

Harta kadastrale e botuar nga MEKI për situatën e pronësisë së News24.

Familja Hysenbelliu kundërshtoi këto pretendime duke i cilësuar “keqinformuese” dhe “të pavërteta”. Ajo i kërkoi Avokaturës të bënte publike vendimin e gjykatës që kërkon lirimin e ambientit, teksa denoncoi “ndërprerjen e dhunshme të aktivitetit mediatik” nga policia dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si të paprecedentë.

Rreth orës 17:00 në mjediset e “News 24” u vendosën forcat e ushtrisë, teksa në rrjetet sociale u botua një version i kontratës së qirasë, që linte të nënkuptohej se ajo ishte e vlefshme deri në vitin 2033.

Por, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) u shpreh se kontrata në fjalë, ishte për pronën tjetër në zonën 10/304. Grupi mediatik u kundërpërgjigj duke thënë se kontrata lidhej me godinën ku operon “Panoarama TV”, që gjithashtu ishte mësyrë nga ushtria dhe ajo mund t’i lejohej për ta vazhduar punën.

Në një deklaratë tjetër, pasditen e së dielës, MEKI tha se familja Hysenbelliu nuk ka paguar qiranë për godinën që prej shkurtit 2017 dhe se aktualisht detyrimet e saj “përllogariten mbi 2 milionë euro”.

MEKI e shoqëroi deklaratën e radhës me një hartë kadastrale në të cilin shpjegohej ndarja e pronave të ish-Uzinës mes “Ndërmarrjes Industriale Nr.1” në varësi të saj dhe kompanisë “KAYO” në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Lexoni gjithashtu:

The post Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24” appeared first on Citizens.al.

Policia ndalon punën e News 24: Godina e saj do të jepet për fabrikë armësh

9 August 2025 at 11:09

Televizioneve News 24 dhe Panorama iu ndërpre sot sinjali i transmetimit ndërsa policia ndaloi gazetarët e tyre të hyjnë në zyra me arsyetimin se ishin urdhëruar të lironin godinën. Organizatat e medias dhe shoqërisë civile e dënuan rastin si pengim të punës së gazetarëve dhe cenim të lirisë së shprehjes.

Policia ndalon punën e gazetarëve

Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit, policia rrethoi selinë e televizioneve News 24, Panorama dhe mediave të tjera të lidhura me to. Gazetarë, operatorë dhe teknikë u nxorën jashtë dhe u ndaluan të hyjnë, më pas godinës iu ndërpre energjia dhe sinjali i transmetimit.

Në godinën që dikur ka qene “Uzina e Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve” në Shkozë kanë zyrat edhe “BallkanWeb”, “Panorama”, “Panorama Sport” dhe “Gazeta Shqiptare”, pjesë të “Media Focus Group” dhe “Panorama Group” të familjes Hysenbelliu.

Lajmi u bë publik nga vetë gazetarët në rrjetet sociale. Osman Stafa shkroi në Facebook se askush nga stafi nuk u lejua të hynte në vendin e punës apo të transmetonte ngjarjen.

“Kam ardhur për të nisur lajmet dhe gjeta një dyzinë policësh që na penguan të punojmë”, tha përmes një videoje postimi gazetari Klevin Muka.

Drejtoresha e Përgjithshme e News 24, Anila Jole e konsideroi aksionin policor një “sulmi brutal i paprecedentë”. Ajo tha se gazetarët “u trajtuan si kriminelë”.

Konteksti ligjor dhe reagimi i organizatave

Një vendim i qeverisë i datës 12 mars 2025 i kaloi godinën e ish-Uzinës kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, e cila drejtohet nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Objekti ku ndodhet “News 24” dhe mediat e tjera duket se do të shndërrohet në fabrikë mjetesh dhe logjistike ushtarake. Por procedura e kalimit të pronësisë ka qenë jo-transparente dhe për pretendimet e tyre, palët u janë drejtuar gjykatave.

Televizioni ka qenë qiramarrës prej vitit 2003 në këtë hapësirë.

Aksioni policor i ndërmarrë sot u dënua nga opozita dhe organizatat e medias. Në deklarata të ndryshme përfaqësues të opozitës e konsideruan atë një sulm.

Ndërkohë, “SafeJournalist Albania” paralajmëroi se ky veprim rrezikon lirinë dhe pavarësinë e medias.

“Ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksi dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar. Ne po e ndjekim nga afër situatën dhe do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet,” deklaroi SafeJournalist Albania.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kërkoi ndërprerjen e veprimeve policore që pengojnë gazetarët.

“Institucionet shtëtërore të mos bllokojnë dhe aq më keq të ndërpresin punën e gazetarëve dhe ndërprerjen e punës raportuese të kanalit të rëndësishëm informuese në hapësirën kombëtare,” u tha në deklaratën e Unionit.

Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) theksoi se policia nuk paralajmëroi mediat, duke i lënë pa kohë për të marrë masa. AGSH kërkoi negociata urgjente që të garantojnë një tranzicion të butë pa ndërprerë punën e rreth 200 punonjësve të medias.

Organizata “Qëndresa Qytetare” kërkoi transparencë mbi operacionin dhe paralajmëroi se liria e medias në vend është në rënie të ndjeshme, kjo e reflektuar prej disa vitesh edhe nga raportet ndërkombëtare.

“Një vend që cenon lirinë e medias është gati të bëjë kurban lirinë e qytetarit”, paralajmëroi ndër të tjera organizata.

Lexo gjithashtu:

The post Policia ndalon punën e News 24: Godina e saj do të jepet për fabrikë armësh appeared first on Citizens.al.

“Energjia e së ardhmes” mbi djersën e blegtorëve të Taçit të Ersekës

8 August 2025 at 17:47

Banorët e një fshati të Ersekës ankohen se kullotat e tyre po ua zë një kompani private, e cila ka fituar të drejtën për zhvillimin e një centrali fotovoltaik.

Fshatrat që po thahen nën hijen e paneleve diellore

Të enjten e parë të gushtit, në dalje të Ersekës, Petrit Zeqo na priti në fshatin e tij, Taç i Sipërm, rreth 2.5 kilometra larg qytetit.

Pavarësisht atmosferës së braktisjes, fshati kishte peizazh unik, shtëpi të grumbulluara dhe toka të punuara, ndërsa më në brendësi, një burim i vogël uji shërbente si çezmë publike.

“Këtë e ka sjellë një ushtar, për një vajzë të fshatit”, na tregoi Petriti simbolin e dashurisë së një periudhe tjetër, dëshmi që i ka qëndruar fshatit edhe sot.

Petriti na shoqëroi më tutje, pranë hijes së një arre të madhe ku po na priste një grup banorësh me vështrimin hedhur përballë makinerive të rënda që po sheshonin tokën.

Banorët e fshatit Taç/Citizens.al

Kullota, që banorët e përdornin për bagëtitë dhe si shteg për t’u lidhur me arat e tyre tanimë është shkretuar me dherat e dystuara mbi të.

Një central fotovoltaik, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike do të zërë vend pak muaj më vonë. Punonjësit në terren, të shqetësuar nga prania jonë si media, hezitojnë të tregojnë edhe emrin e kompanisë, me justifikimin se “janë veçse punëtorë”.

“Të tëra sinoret, ku kanë qenë e ku janë tani akoma, janë të fshatit me vendim gjykate”, tha për Citizens.al Rrushan Byrekasi, 77-vjeç.

Ndërsa renditi me emra se kujt i përkasin të gjitha ngastrat e tokave të fshatit, Rrushani na tregoi se me kërkesë të pleqësisë dhe një vendim gjyqësor të fillim viteve 2000, kjo kullotë i ka kaluar në bashkëpronësi banorëve të fshatit.

Vendimin na e tregoi Petriti, i cili e kishte printuar si dokument.

“Na jepte të drejtë që kjo pronë që aktualisht këta po e marrin, po e tjetërsojnë, është e jona. Domethënë penalizojnë një fshat dhe favorizojnë privatin. Kjo është e jona, me qitap e me të tëra”, theksoi ai.

Sipas vendimit të 26 tetorit 2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kolonjë, 37 banorëve të fshatit ju takon secilit nga 1/37-ta pjesë e barabartë e rreth 522 hektarëve kullota (340.5 ha) dhe pyje (181.8 ha).

“Këtu, ku po bëhet ky punim është baza e blegtorisë që del blegtoria jonë, baza e ujit që marrim, edhe ujë të pijshëm edhe ujit vaditës. Këta po e shkatërrojnë. Jemi të detyruar të shpërngulemi, por s´dimë ku të vemi”, u shpreh i revoltuar Ferdinand Agolli.

Përbri tokës, ku tanimë po kryhen punime për sheshimin e saj, 150 krerë bagëtish të imëta kalojnë njëra pas tjetrës të ndjekura nga një zonjë e fshatit.

“Bëni diçka, nuk kemi ku të çojmë bagëtitë, me këto mbahemi”, na tha ajo, ndërsa ndaluam ta përshëndesnim.

Bashkëshorti, Rakip Agolli, na tregoi se ka 30 vite që merret me blegtori dhe se ky zanat është e vetmja mënyrë jetese për zonën. Centralin fotovoltaik, ai e ndjen si kërcënim për t’u larguar, për aq kohë sa nuk ka hapësira ku të kullosin bagëtitë.

“Kam pasur 300 krerë, tani 150, mot mund të kem dhe 30. Në fillim ishte mirë, nuk kishte vështirësi, kishte hapësirë, kullosnin. Tani ka vështirësi, vetëm me këtë dëmin që po na bëhet, me këtë diellorin, po na vjen në prag të shtëpisë, tani do detyrohemi të ikim,” tha Rakipi.

Sipas kryeplakut të fshatit, Ibrahim Byreku, ky shqetësim është ndjekur edhe në polici dhe pushtetin vendor, mirëpo sipas dokumenteve, kompania ndërtuese është në rregull.

“Kemi disa vendime gjyqi që i kemi pasur me sinore, por aktualisht sot, me dokumentacion (kullotat) nuk janë tonat. Kam vërtetuar dhe firmat dhe të tëra dhe për kaq sa di, ata zotërinjtë e kanë më vulë, me firmë me të tëra”, u shpreh i prerë Ibrahimi.

Në fshat ora kishte mbetur. Tek-tuk shikoje ndonjë shtëpi të re, të ndërtuar nga remitancat e emigrantëve, kryesisht në Amerikë dhe Kanada, ndërsa shërbimet e bashkisë zor se dalloheshin.

Vendgrumbullimi i mbeturinave në fshatin Taç/Citizens.al

Kjo kuptohej nga kodrat e krijuara me plehrat, të cilat sipas banorëve herë pas here digjen, pasi askush nuk vjen t’i marrë.

Ndërhyrjet e makinerive për të sistemuar kullotën për parkun e energjisë diellore dukej se kishin shkaktuar dëme në kanalin vaditës të fshatit.

“Vit për vit pastrohej nga ana e bashkisë, tani nuk na vjen më uji. Kopshtet që mbillnim një domate, një piperkë, sivjet e kemi problem për ujin. Kjo ka ardhur nga devijimi i punimeve që kanë bërë atje”, tregoi Rakip Agolli.

Procedura jo transparente për parqet diellore

Trokitjes sonë për informacion nisur nga shqetësimet e banorëve, bashkia Kolonjë iu përgjigj: “Nënkryetarja është në mbledhje dhe nuk mundet të përgjigjet”, ndërsa na referoi ti adresonim pyetjet me shkrim.

Të dhënat e shqyrtuara nga Citizens.al tregojnë se 27.6 hektarë kullota të fshatit Taç u proceduan për t’u dhënë me qira në kohën kur vendi ishte në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Më 3 maj 2023, Bashkia Kolonjë i propozoi Këshillit Bashkiak dhënien e tyre me qira për projekte energjetike. Po atë ditë u shqyrtuan edhe dy kërkesa të tjera po për qëllime energjetike për kullotat dhe pyjet në Rehovë dhe Selenicë, duke e çuar totalin në 127 hektarë.

Punimet për centralin fotovoltaik në kullotat e fshatit Taç/Citizens.al

Afati i përdorimit u vendos 10 vjet, me qira minimale 2,100 euro për hektar në vit – rreth 60 mijë euro në vit për parcelën në fshatrat Taç-Agalli.

Sipas të dhënave të Open Data Albania, tenderi i 12 qershorit 2023 pati vetëm një ofertues: kompania “Get Solar Solution”, e cila ofroi pikërisht çmimin dysheme dhe fitoi, pavarësisht mungesës së konkurrencës.

E njëjta praktikë u ndoq edhe për rreth 100 hektarë kullota në Rehovë dhe Selenicë, të cilat iu dhanë kompanive MET Invest dhe Kail Energy.

Më 30 prill 2025, qeveria miratoi projektin e “Get Solar Solution” për central fotovoltaik me kapacitet 24 MW dhe afat operimi 49 vjet.

The post “Energjia e së ardhmes” mbi djersën e blegtorëve të Taçit të Ersekës appeared first on Citizens.al.

Dezinformimi dhe AI, sa të përgatitura janë mediat?

7 August 2025 at 10:59

Një televizion shqiptar përdori inteligjencën artificiale (AI) për të gjeneruar titullin e një lajmi, por pa ia bërë të ditur publikut. Sidoqoftë kjo praktikë i doli zbuluar pasi në tekstin e artikullit, padashur, përfundoi edhe vetë kërkesa e bërë.

“Më jep një titull për këtë: Skema e re e bonusit të bebes, nga viti që vjen pritet të ndryshojë, duke nisur pagesa mujore deri në moshën 5-vjeçare,” ishte hyrja e lajmit në fjalë ku dallonte kërkesa. Artikulli u korrigjua pak kohë më vonë pas botimit.

Raste të tilla, ku artikujt shkruhen apo asistohen me AI, po bëhen më të shpeshta.

Ndërsa AI po transformon rrënjësisht mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet informacioni mediat shqiptare, por jo vetëm, ndodhen në një moment kyç përballë sfidave: etike, të cilësisë së informacionit dhe luftës kundër dezinformimit.

Oliverda Allmuca, gazetare pranë televizionit MCN tha për Citizens.al se e ka përdorur AI-në për të marrë informacion apo përpunuar të dhëna.

“Në rastet kur ka raporte voluminoze, përmbledhja e të dhënave sasiore, pra shifra dhe statistika bëhet me vlerë dhe kursen kohë”, tha ajo.

Megjithatë, për rastin në fjalë Oliverda tha se nuk e kishte vendosur në dijeni publikun, pasi materialin e publikuar nuk e kishte zhvilluar tërësisht me AI.

“…sepse nuk kam formësuar pjesë të informacioenve përfundimtare, por vetëm ndihmë në procesin e kuptueshmërisë për mua”, saktësoi gazetarja.

Ngjashëm edhe Ledina Elezin, gazetare pranë televizionit SCAN, tha për Citizens.al se nuk e përdorte shpesh AI-në për të shkruar artikuj.

“Të vetmet raste që e përdor është kur kam ndonjë koncept teknik dhe dua që të ma bëjë më të qartë mua, pra ta kuptoj unë. Në shumë raste bën gabime, prandaj përpiqem të mos e përdor”, theksoi Ledina.

Ndryshe, Isa Myzyraj, gazetar pranë televizionit Ora News, flet me mbresa për përvojën me AI-në, pavarësisht se ai thekson se zakonisht nuk e përdor për punë.

“Po e kam përdorur në dy raste, hera e parë ka qene sapo doli, për provë kryesisht, dhe herën e dytë për një titull lajmi. Le të tregohem i sinqertë, kam mbetur i mahnitur me rezultatin”, u shpreh Isa.

Duke komentuar rreth kësaj çështjeje për Citizens.al, gazetari dhe studiuesin e medias Lutfi Dervishi, thotë se në radhët e gazetarëve ka hipokrizi.

“AI përdoret, por fshehurazi. Si struci!” theksoi Dervishi, sipas së cilit inteligjenca artificiale kërkon që të jesh i përgatitur pasi është “një terren që ndesh të reja çdo ditë”.

“Ka kureshtje padyshim, ka dhe keqpërdorim, por mungojnë dijenitë dhe nuk ka debat se deri ku mund të përdoret”, vijoi ai.

Sipas Dervishit nuk ka kufi të qartë mes “asistentit virtual” dhe “skllavit” që zbaton çdo urdhër që ti i jep.

“Hapi i parë është që duhet pranuar se po e përdorim, më pas të nisë debati si? Deri ku? Cilat janë kufijtë? Përfitimet? Rreziqet? Protokollet?”, analizoi Dervishi.

Zakonisht pas përpunimit të një teksti, apo materiali gazetaresk, AI i pyet përdoruesit nëse dëshirojnë që ta ripërpunojë më tej me një mesazh të ngjashëm si:“Nëse dëshiron, mund të ta përgatis ketë në format revistash, ese akademike, ose version të shkurtuar për botime edukative. Si dëshiron ta përdorësh këtë material?”

Dervishi tregoi se kishte hasur plot raste ku edhe redaksive serioze të vendit, në fund të shkrimeve të botuara, u kishin shpëtuar kërkesa të tilla të AI-së për përmirësimet e teksteve.

Mungesa e rregulloreve dhe transparencës me publikun

Përtej zhvillimit të teknologjisë dhe mundësisë së përdorimit të AI-së për të thjeshtuar procese apo për të shkurtuar kohë pune, redaksitë e mediave shqiptare duket se nuk janë dhe aq miqësore me të.

“Platforma si ChatGPT ose të ngjashme, janë bllokuar në serverët e kompjuterëve redaksionalë. Sipas udhëzimit, procesi i përdorimit të inteligjencës artificiale shkakton dëm serioz në memorie dhe dobëson kreativitetin”, tha Oliverda për redaksinë e MCN-së.

Sipas saj, në politikat e ndjekura në këtë televizion, AI nuk mund të zëvendësojë gazetarin, stilistikën e tij dhe rolin e tij kritik. Për këtë arsye, ajo e përdor AI-në vetëm në punë jashtë redaksisë.

Situata përshkruhet e njëjtë edhe në televizionin SCAN nga Ledina Elezi.

“Nuk kemi ndonjë udhëzim ose rregullore në redaksi, por ekziston një lloj stigme në rast se përdoret”, tha Ledina.

Ajo solli në vëmendje edhe rastet kur kolegë të saj e kishin përdorur për të gjeneruar foto për webin.

“Në ato raste nuk është vënë në dijeni publiku. U përdor vetëm tre herë dhe jo më, sepse kolegu mori kritika nga drejtori”, u shpreh më tej Ledina.

Edhe Isa tregoi se në redaksinë e Ora News nuk ka një rregullore apo udhëzim për përdorimin e AI-së si për tekstet, edhe për fotot apo videot, ndërsa shprehet se ka vënë në dijeni publikun kur e ka përdorur për materiale të postuara në llogaritë e tij sociale, apo punë jashtë televizionit.

Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM), është e vështirë të besohet se, përpos halleve dhe streseve të përditshme, ndonjë media shqiptare t’i ketë kushtuar kohë hartimit të një udhëzuesi.

“Edhe pse besoj ka media dhe e di që ka media që mund ta kenë diskutuar nëpër redaksi, nuk besoj se ka një rregullore të mirëfilltë”, theksoi ai për Citizens.al.

Sipas Cukalit, është shumë e rëndësishme që të ketë transparencë nga mediat për publikun, sa herë përdoret AI.

“Standardi që po përdoret dhe që po promovohet gjerësisht në media ndërkombëtare është që kur ka një tekst të përkthyer me AI duhet të bëhet i ditur në fund, duhet treguar që është bërë me ndihmën e AI-së” vijoi drejtuesi i KSHM-së.

Megjithatë, edhe për këtë lloj transparence ka disa nivele, sipas Cukalit.

“Nëse ti e përdor inteligjencën artificiale vetëm për të bërë kërkime, por shkrimin e ke bërë vetë, sigurisht që nuk është e nevojshme ta vësh, sepse ti nuk ke përdorur ‘searching’ e Google-it, por ke përdorur AI-në për të bërë kërkime për dokumente të ndryshme”, vijoi Cukali.

Për Lutfi Dervishin, përdorimi i AI-së nuk mund të shihet si armik.

“Mund ta rrisë cilësinë nëse përdoret me mend: kërkim më i shpejtë, përmbledhje informacioni/dokumentesh, transkriptime, vizualizime të dhënash, ide për këndvështrime të reja, korrigjim të tekstit për gabime ortografike”, shtjellon Dervishi.

Megjithatë, sipas tij cilësia vritet kur ia dorëzon filtrin editorial “makinës”.

“Duke huazuar një koncept të Yuval Hararit, algoritmi ka zëvendësuar redaktorin. Ti konsumon jo atë që ka përzgjedhur redaktori, por atë që të shfaq algoritmi. Sfida është që kontrolli përfundimtar të jetë në dorë të njeriut dhe jo të AI-së”, përfundoi Dervishi.

Krijimtaria artificiale sipas AI-së.

Dezinformimi dhe sfida e përballjes me një realitet të ri

Koloreto Cukali shpjegon se dezinformimi nuk është diçka e re, përpos terminologjisë që mund të jetë e tillë. Sipas tij nevojitet që krahas zhvillimeve të përgjithshme të zhvillohet edhe vetë publiku “për mënyrën se si e merr, kërkon dhe jep informacionin”.

Për këtë, ai argumenton se nëse nuk rregullohen disa marrëdhënie, nuk mund të ketë një përmirësim apo adresim të kësaj prirjeje.

“[…] ca marrëdhënie që kanë të bëjnë me ekonominë e mediave së pari, me kontributin e publikut në këtë ekonomi së dyti, dhe me edukimin e publikut, për të kuptuar se si funksionon etika në lajme dhe se si funksionojnë të gjithë këto elementë të dezinformimit, unë nuk pres ndonjë përmirësim ose adresim të këtij fenomeni”, argumentoi Cukali.

Për gazetarët, përballja me materiale të rreme të gjeneruara me AI-në është tanimë e përditshme. Ky ekspozim duket se ka bërë që ata të fitojnë përvojë për t’i kuptuar më mirë.

“Nëse ka personazhe, shoh kryesisht duart ose këmbët, ku zakonisht janë gabimet më të zakonshme të AI-së. Mund të kontrolloj edhe aspektin fizik, pra hijet, mund të kontrolloj kohën kur është realizuar, ose nëpërmjet platformave që bëjnë ‘check AI’, kontrolloj burimin e fotografisë”, u shpreh Oliverda.

E njëjta përballje me fotot apo videot e gjeneruar me AI vjen edhe për Ledinën.

“Në rastin e fotove, zakonisht cepat janë më të lëmuar, qoftë në rastin e njerëzve ose të objekteve dhe mund të ketë ndonjë deformim të vogël ose diçka që nuk bën sens në foto” thotë ajo.

Ndërsa për tekstet sipas Ledinës, ka disa fjalë tipike që përdoren vazhdimisht.

“Ndodh që të përdorë edhe shumë mbiemra cilësorë. Shpjegimi është gjithashtu i ndarë në pika kryesore” vijon Ledina.

Për Oliverdën, kur vjen puna te të dalluarit të tekstit, është më komplekse.

“Zakonisht përpiqem të shoh burimin nga vjen ky material, sa i besueshëm është ose nëse është një personazh, kërkoj për profile zyrtare”, tha Oliverda.

Isa kujton raste të përdorimit të AI-së gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet qendrore të 2025-ës. Sipas tij ajo që i dallonte ishte një mënyrë e përdorimit të fjalëve, sintaksës, apo pikësimit që të linte ta kuptoje se “nuk është shkruar nga një njeri”.

Sipas tij AI ka një potencial të madh për të përhapur dezinformim në mënyrë masive dhe të sofistikuar.

“Teknologjitë si gjenerimi automatik i teksteve, imazheve dhe videove mund të krijojnë përmbajtje bindëse e të vështirë për t’u dalluar nga ajo autentike. Në duar të gabuara, kjo mund të shfrytëzohet për të manipuluar opinionin publik, për të krijuar narrativë të rreme ose për të ndikuar procese demokratike”, u shpreh Myzyraj.

Për Oliverdën, përballja me dezinformimin është sfidë e përditshme në punën si gazetare, por edhe si një publik që konsumon informacione në rrjet. Ndërsa sipas saj mungon edukimi për median.

Ndërkohë, Lutfi Dervishi është i mendimit se AI e ka bërë gënjeshtrën, manipulimin dhe propagandën më të lirë, më të shpejtë dhe më të personalizuar.

“Kemi ‘deepfake’ audio e video, profile sintetike dhe tekste që duken ‘gazetareske’”, shprehet ai.

Sipas Dervishit, në Shqipëri problemi shumëfishohet nga tregu i vogël, presioni i klikimeve dhe mungesa e redaktoreve.

“Sot po shikoja disa komente të përdoruesve në TikTok që habiteshin sa mire ‘flet’ një bebe dhe çfarë logjike ka dhe nuk e kuptonin se video ishte përgatitur me AI”, u shpreh Dervishi, ndërsa shtoi se audienca në Shqipëri nuk është edukuar për AI-në.

Këtë këndvështrim e ndan edhe Koloreto Cukali, ndërsa shprehet se shtimi i kapaciteteve të reja për të krijuar dezinformim e ndërlikon më tepër situatën dhe rrezikun.

“Publiku është i papërgatitur për t’u mbrojtur dhe të mos harrojmë që ndërkohë kemi një publik që ishte shumë vulnerabël, shumë i brishtë ndaj dezinformimit”.

AI dhe nevoja për të ndërhyrë në Kodin e Etikës

Duke pasur në vëmendje ndryshimet teknologjike dhe ndikimin e tyre në punën e gazetarëve, një grup ekspertësh janë duke ndërhyrë në Kodin e Etikës së gazetarit për ndërtimin e një udhëzuesi për përdorimin etik të inteligjencës artificiale.

Sipas Koloreto Cukalit, përdorimi i AI-së kërkon një manual se sa një rregullim etik.

“Një doracak për të treguar se si duhet përdorur, për të përcaktuar disa rregulla të përdorimit nga ana e gazetarëve. Është një fushë që është akoma në eksplorim e sipër meqenëse edhe vet AI është në zhvillim të vazhdueshëm. Edhe etika në raport me të është në evolucion”, u shpreh ai.

Në pikën dedikuar AI-së në Kodin e Etikës ku tanimë po ndërhyhet, thuhet se gazetarët dhe redaksitë e lajmeve mund ta përdorin AI-në në mbledhjen, krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve duke respektuar transparencën, përgjegjësinë, masat mbrojtëse etike dhe duke pasur një mbikëqyrje njerëzore.

Sipas Lutfi Dervishit, shtimi i kësaj pike në Kodin e Etikës u bë pasi mungonte detyrimi i qartë për transparencë, kur përdoret AI-ja ndaj duhej ndalimi i manipulimeve që mund të mashtrojnë publikun.

“Na duhej një kornizë për privatësinë, burimet dhe përgjegjësinë editoriale. Pra pyetja/dilema  e vjetër: (di)kush mban përgjegjësi!? Apo jo?”, u shpreh Dervishi.

Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm hapi i parë, pasi hapi i radhës është zbatimi.


Shënim: Titulli i artikullit është sugjeruar nga AI.

The post Dezinformimi dhe AI, sa të përgatitura janë mediat? appeared first on Citizens.al.

Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese

6 August 2025 at 11:29

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm para Prefekturës në Vlorë për të kërkuar largimin e dy termocentraleve (TEC) lundruese nga porti i peshkimit. Kjo është e disata herë që protestohet për këtë çështje që prej vitit 2022.

Protesta, e thirrur nga mjedisori Lavdosh Ferruni, nisi me thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.

“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, apo “SPAK ndalo peshkaqenët me kravatë!” ishin disa nga pankartat e grupimit qytetar të quajtur “Aleanca për Vlorën”.

“Këto TEC-e nuk duhen për Shqipërinë, sepse nuk ka nevojë, ka energji hidrike, energji djellore, ere, këto duhen që të shkojnë në Itali, Greqi, pra Shqipëria të punojë për vendet e tjera,” tregoi Ferruni për Citizens.al, teksa theksoi se kjo qasje është një lloj kolonializmi ndaj shtetit shqiptar.

“Protestoj për të mirën e Vlorës, për pastërtinë e saj dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ekonominë e tyre, sepse këto përbindsha korruptues tërheqin para nga buxheti i shtetit,” u shprej aktivistja Lela Qejvani për Citizens.al

Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, apo përfaqësues tjetër, por nuk mori përgjigje pozitive.

Pas kësaj ata marshuan drejt portit të peshkimit ku janë ankoruar dy TEC-et lundruese. Njësoj, edhe atje, qytetarët nuk u pritën nga asnjë përfaqësues i kompanive, pavarësisht thirrjeve.

Historia e TEC-eve lundruese

Dy TEC-et e mbiquajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Gjirin e Vlorës në janar 2022. Ato u ankoruan në portin e peshkimit, njohur edhe si Triport, që ndodhet në Pyllin e Sodës, pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

Ardhja e tyre nga Bangladeshi u justifikua nga qeveria si zgjidhje për krizën energjetike që parashikohej të kaplonte Evropën pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, premtoi se dy anijet e marra me qira për dy vite nga kompanitë Excelerate Energy dhe Renco do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar krizën. Në media u raportua se marrëveshja u mbështet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas marrëveshjes, qiraja dhe mirëmbajtja kushtojnë përkatësisht 63,000 dhe 31,500 dollarë në ditë, për një total prej 94,500 dollarësh çdo ditë, edhe nëse nuk prodhojnë energji.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka deklaruar se pagesat do të nisnin vetëm pas “komisionimit të suksesshëm” të pajisjeve, por ajo nuk ka publikuar ndonjë verifikim zyrtar nëse ky moment është arritur apo jo.

Ndërkohë, dy ndezje prove janë raportuar deri më sot: në gusht 2024 dhe shkurt 2025, por në asnjërën prej tyre nuk është raportuar prodhim energjie për rrjetin, teksa mjedisorët kanë ngritur shqetësim për mungesë transparence për procedurën.

Sipas Ferrunit, pagesat kanë nisur prej shtatorit 2024. Për këtë ai i referohet një dalje televizive të ministres Balluku, pas “komisionimit” të TEC-eve. Prej asokohe, sipas tij, qeveria paguan sistematikisht qiranë.

“Çdo muaj bëhet një pagesë ‘off-shore’ rreth 3 milionë euro,” u shpreh Ferruni për Citizens.al.

Mjedisorë dhe qytetarë të Vlorës e kanë paditur marrëveshjen e TEC-eve në gjykatë dhe seanca e radhës, e cila pritet të jetë përfundimtarja, parashikohet të zhvillohet më 22 shtator.

Ilustrim grafik nga protesta kundër TEC-eve lundruese, Vlorë/Citizens.al

Rreziku mjedisor dhe paditë ndaj aktivistëve

Aktivistët dhe organizatat mjedisore kanë denoncuar që në fillim potencialin ndotës të TEC-eve lundruese, të cilat funksionojnë me naftë të rëndë dhe ndodhen pranë vijës bregdetare.

Sipas tyre, bloza e sedimentuar në tokë rrezikon Pyllin e Sodës, po ashtu edhe produktet bujqësore të fshatrave pranë.

Mjedisori Lavdosh Ferruni ka shprehur shqetësimin e impaktit që TEC-et mund të kenë edhe në botën e gjallë ujore, pasi uji që përdoret për ftohjen e motorëve të anijeve shkarkohet në det. Kjo mund të shtojë temperaturën e ujrave duke rrezikuar faunën detare në një hapësirë të gjerë.

Nuk e japim Vlorën! apo TEC fosil, largohu! kanë qenë disa nga thirrjet e para të protestave, të cilat kanë qenë të vazhdueshme që pas projekteve me rrezikshmëri të ngjashme si Petrolifera apo dhe vetë TEC-i i Vlorës, i cili ndodhet rreth 500 metra larg portit të peshkimit.

Por, përveç shqetësimeve mjedisore, disa prej aktivistëve janë përballur edhe me sulme personale dhe paditje.

Në vitin 2022, Ferruni u padit nga kompania italiane Renco për shpifje, pas një artikulli ku ai ngrinte shqetësime për lidhje të mundshme të kompanisë me struktura mafioze në Itali.

Por në vitin 2024, gjykata vendosi në favor të Ferrunit, duke e shpallur të pabazë padinë ndaj tij.

Lexoni gjithashtu:

The post Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese appeared first on Citizens.al.

Sa kushtojnë pushimet? Ndani përvojën tuaj

5 August 2025 at 14:07

Citizens po përgatit një raport mbi kostot e pushimeve në bregdetin shqiptar.

 Sa kanë mundësi të pushojnë shtresat e ndryshme sociale sot në Shqipëri,  si pensionistët apo punonjësit me të ardhura të ulëta? Sa janë rritur kostot e pushimeve krahasuar me vitet e mëparshme dhe sa të përballueshme janë çmimet në raport me pagat?

Nëse keni një përvojë që mendoni se ka vlerë për këtë raportim, ju ftojmë të plotësoni pyetësorin më poshtë.

The post Sa kushtojnë pushimet? Ndani përvojën tuaj appeared first on Citizens.al.

“Zëra”, Episodi 4: Emirjon Senja analizon formësimin e realitetit përmes Inteligjencës Artificiale (AI)

4 August 2025 at 17:18

Në serinë e katërt të sezonit të katërt të podkastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu trajton me gazetarin dhe studiuesin e medias Emirjon Senja formësimin e realitetit ku jetojmë përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.

Në bisedë trajtohen çështje sikurse dezinformimi dhe se si duhet të mësohemi ta dallojmë atë dhe të mbrohemi prej tij; si mund gazetarët dhe punonjësit e medias të përdorin AI pa ndikuar në origjinalitetin dhe etikën e informacionit dhe po ashtu u sollën raste konkrete ku foto apo video të pavërteta të gjeneruara me AI kanë spikatur në narrativën publike.

Emirjon Senja, i angazhuar prej vitesh si gazetar dhe njohës i fushës së medias sjellë në bisedë një perspektivë personale sa i takon përdorimit të AI, por edhe të përgjithshme kur bëhet fjalët për mënyrën se si ne si qytetarë duhet ti qasemi informacionit ditët e sotme.

Sipas Senjës nëse më herët flisnim për foto të manipuluara, sot kemi video me figurë dhe zë të manipuluar.

“Unë besoj që e gjithë shoqëria nuk është ende gati për t’u përballur me këtë fluks të madh informacioni në radhë të parë, informacioni të manipuluar në radhë të dytë dhe me këtë potencial të jashtëzakonshëm që ka AI e bashkangjitur edhe me potencialin që kanë algoritmet në rrjetet sociale për të targetuar në mënyrë të shpejtë audienca të mëdha”, u shpreh Emirjon Senja në bisedën në “Zëra”.

Sipas tij me përdorimin e AI edhe format e dezinfomimit janë sofistikuar, duke ndikuar në vendimmarrje, votë apo krijimin e një perceptimi të gabuar për një çështje të caktuar. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të dyshojmë gjithçka lexojmë dhe shikojmë.

“Gjithmonë për këtë sugjeroj bërjen e një liste të shkurtër të mediave që ti i beson. Dy media, tre media”, u shpreh Emirjon Senja.

Sipas Senjës, duhet të ndajmë informacionin që kemi parë në rrjetet sociale me atë që kemi lexuar në një media të caktuar, qoftë në televizon apo edhe online.

“Jo gjithçka që del në ekran është domosdoshmërisht e vërtetë. Pra nuk jemi më në kohën që e pashë ne televizor dhe kjo është e vërtetë”, deklaroi Senja.

Në kohën kur inteligjenca artificiale është bërë pjesë e pandashme, media ka një rol t shtuar në verifikimin e informacionit dhe në qartësimin e tij për publikun.

“Me Institutin e Medias kemi bërë një udhëzim për mënyrën se si duhet të përdoret përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe një ndër pikat është që media duhet të vendosë një shënim në foto ose në tekst kur kemi të bëjmë me një përmbajtje të prodhuar e inteligjencë artificiale”, tha Emirjon Senja në “Zëra”.

Sot, edhe vetë platformat janë përshtatur me zhvillimet teknologjike.

“Edhe nëse mediat sot nuk duan ta bëjnë këtë gjë, vetë platformat, rasti më i fundit është META , në momentin që percepton që një imazh, një përmbajtje është prodhuar me AI, nuk të lejon që ti ta publikosh nëse nuk bën një shënim atje që imazhi i prodhuar me AI dhe e shënon këtë gjë”, solli në vëmendje Senja.

Në radhët e gazetarëve, përdorimi i AI tanimë është i pashmangshëm, mirëpo Senja e sheh si një mjet që ndihmon në punën e tyre, duke kërkuar që të respektohen parimet e etikës, transparencës dhe mbikëqyrjes njerëzore.

Ndiq gjithashtu:

The post “Zëra”, Episodi 4: Emirjon Senja analizon formësimin e realitetit përmes Inteligjencës Artificiale (AI) appeared first on Citizens.al.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë “godet” planin e Melonit për emigrantët

4 August 2025 at 16:31

“Do të funksionojnë, do të funksionojnë!” deklaronte kryeministrja italiane Giorgia Meloni në fund të vitit të kaluar, duke iu referuar kampeve për emigrantët e paligjshëm në Gjadër. Por përmes një vendimi të marrë më 1 gusht në Luksemburg, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) i ka vënë në pikëpyetje themelet ligjore të këtij projekti të dakordësuar me qeverinë Shqiptare të Edi Ramës.

Vendimi paraprak, u bë me dije nga Kreu i Gjykatës, Koen Lenaerts. Ai pritet të zbardhet ditët në vijim.

Në çështjet e bashkuara “C‑758/24 Alace dhe C‑759/24 Canpelli” GJED i referohet caktimit të një vendi origjine si “i sigurt”, një koncept kyç në procedurat e përshpejtuara të azilit, të përdorura nga Italia për dëbimin e emigrantëve të dërguar në Shqipëri.

Sipas gjykatësve evropianë, çdo shtet anëtar ka të drejtë të hartojë një listë të vendeve të sigurta të origjinës, por kjo vendimmarrje nuk është absolute. Ajo duhet të mbështetet në të dhëna të qarta, të dokumentuara dhe të aksesueshme, dhe të jetë e kontrollueshme nga proceset gjyqësore.

“Për të justifikuar përjashtimin e një aplikimi për azil si të papranueshëm, shpallja e një vendi si i sigurt duhet të bazohet në informacion të aksesueshëm dhe të kontrollueshëm, si nga kërkuesi i azilit, ashtu edhe nga gjykata,” thuhet në deklaratën për shtyp të GJED.

“Qeveria e harton listën. Gjykatat e verifikojnë”, theksohet në përmbledhjen e vendimit të lexuar nga kreu i gjykatës Koen Lenaerts.

Rasti nga Bangladeshi dhe reagimet për GJED-në

Rasti që çoi në këtë vendim të GJED-së kishte të bënte me dy shtetas nga Bangladeshi, të transferuar në Gjadër pasi kishin kërkuar azil në Itali, por që kërkesa iu ishte refuzuar përmes procedurave të përshpejtuar.

Refuzimi bazohej në një vendim të vitit 2024, ku qeveria italiane e kishte përfshirë Bangladeshin në listën e vendeve të sigurta. Por vendimi nuk i specifikonte burimet e përdorura për të vlerësuar nivelin e sigurisë në atë shtet.

Kjo sipas GJED pengoi kërkuesit e azilit dhe gjykatat të verifikonin besueshmërinë e listës së qeverisë italiane, duke e bërë procedurën jo të drejtë nga ana ligjore.

Vendimi i GJED-së shkaktoi reagime të forta politike në Itali. Kryeministrja Meloni, nga një takim në Turqi, akuzoi gjykatën evropiane për tejkalim të kompetencave:

“Sërish gjyqësori, kësaj here ai evropian, pretendon hapësira që nuk i përkasin, për çështje që janë ekskluzivisht politike”, thuhej në deklaratën e kryeministres italiane.

Ndërkohë, opozita reagoi me akuza për dështim të projektit “Meloni-Rama” dhe keqmenaxhim të fondeve.

Elly Schlein, kryetare e Partisë Demokratike të Italisë, e quajti investimin në kampet e Shqipërisë “shpërdorim të 800 milionë eurove” që, sipas saj, mund të ishin përdorur për shëndetësinë.

Giuseppe Conte, i Lëvizjes 5 Yjet (M5S), e cilësoi vendimin “të parashikueshëm” dhe kritikoi Melonin për “propagandë boshe” dhe “viktimizim të qëllimshëm”.

Vendimi i GJED-së do të ketë efekt deri më 12 qershor 2026, kur pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re e BE-së si pjesë e Paktit për Migracionin.

Edhe pse për momentin ndikimi real është i kufizuar – rreth 150 emigrantë janë sjellë në total në Gjadër nga viti i shkuar, – kjo vendimmarrje ngre dyshime serioze për ligjshmërinë afatgjate të modelit italo-shqiptar për “përpunimin e shpejtë të kërkesave për azil”.

Lexoni gjithashtu:

The post Gjykata Evropiane e Drejtësisë “godet” planin e Melonit për emigrantët appeared first on Citizens.al.

❌
❌