Kurdaria frymëzon rezistencën kundër hidrocentraleve në Mat
Bar-kafe “Kadiu” në fshatin Kurdari të Matit ishte mbushur plot mëngjesin e së martës. Banorët e zonës ishin mbledhur për të ndarë shqetësimet e tyre të dy muajve të fundit: ndërtimi i hidrocentralit “Doma” dhe shoqërimet e vazhdueshme në polici të atyre që kundërshtojnë punimet.
Rrufitjet e kafeve shoqëroheshin në sfond nga gurgullima e ujit në kanalin vaditës krah rrugës së shtruar gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ndryshe, çezma e lokalit nuk kishte ujë.
“Nuk kemi ujë të pijshëm, jo më ujë për të ndërtuar HEC-e në këtë zonë,” tregoi për Citizens.al Erind Saliaj, banor, njëherësh administrator i njësisë administrative Suç të bashkisë Klos, e cila përfshin pesë fshatra.
Në lumin e Lusës, që kalon mes tre prej këtyre fshatrave – Kurdari, Skënderaj dhe Kurqelaj – parashikohet të hapet 4.4 kilometra trase rruge dhe rrjedha e lumit të futet në tuba.
Ardhja e makinerive të kompanisë “Global Interprise Group”, e cila do të ndërtojë hidrocentralin ka trazuar banorët. Ata i kanë pritur me protesta pasi e shohin projektin me rrezik për jetesën e tyre, të përqendruar kryesisht te bujqësia dhe blegtoria.
“A nuk është gjynah ta kthesh në shkretëtirë, ku asnjë lloj gjallese të mos ekzistojë. Fshati që është në Kurqelaj, dil matanë është HEC, ec në këtë anë është HEC, ku t’i kullosë delet dhe dhitë ai?”, shprehet i revoltuar Abdulla Abdullaj, banor i fshatit.
Erindi tregon se tentativat e para për hidrocentrale në këtë zonë kanë qenë që nga vitet 2006 e 2013, me dokumente të plotësuara më pas në vitin 2018. Ai thotë se ato janë shoqëruar pa dëgjesa publike dhe me kontrata të nënshkruara pa transparencë.
Rexhep Kuleni, gjithashtu banor, i angazhuar që në fillim kundër projektit, thotë se procesverbalet e dëgjesave janë manipuluar.
“Në listën me 19 veta të dëgjesës së vitit 2018 figurojnë edhe dy 14-vjeçarë që s’kanë firmosur as vetë,” kujton ai teksa shton se Drejtoria e Mjedisit Dibër e pati cilësuar dëgjesën me shumicë “pro”, pavarësisht se të paktën 12 prej pjesëmarrësve ishin shprehur “kundër”.
Vonesa në konkretizimin e projektit bëri që kompanisë t’i përfundonte leja dhe për këtë ajo provoi sërish të merrte një leje të re duke thirrur një dëgjesë tjetër në korrik të vitit 2020. Por kësaj here falë angazhimit të banorëve, kompania mori një refuzim masiv prej 613 personash.
“Unanimisht e kanë refuzuar kompaninë për të ardhur dhe për të ndërtuar HEC-et,” u shpreh Erindi.
Mirëpo, pavarësisht këtij refuzimi, kompania u kthye sërish në vitin 2023 duke iu shmangur dëgjesave me pjesëmarrje të gjerë.
Rexhepi thotë se dëgjesat e reja u bënë pa praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe pa një prezencë të zgjeruar të banorëve prej qindra vetash si në rastin e vitit 2020.
“Unë nuk e di, ata që kanë firmosur… të besosh katër-pesë persona pa dëgjesë dhe të mos besosh një popull që kanë thirrur mbi 1,450 vetë kundër, vetëm pesë pro,” kujton i revoltuar Rexhepi.
Banorët i kanë ndaluar makineritë e kompanisë “Global Interprise Group” të hyjnë në fshat. Disa prej tyre janë shoqëruar në polici, mirëpo ata theksojnë se do të vijojnë të rezistojnë dhe nuk do ta lejojnë hidrocentralin që të ndërtohet.
“Nuk do ta lejojmë,” këmbënguli Enver Dara, banor, i cili theksoi se dëgjesat publike do të kishin shmangur përplasjet me kompaninë.
“Të vijë të na pyesë, nëse e jep populli, edhe nëse 51%, i 52-ti do jem unë, do t’ia jap unë vetë ta bëjë, dhe unë do rri në shtëpinë time, nuk do të dal më as në protestë, asgjë.”

Ikja e ujit, shpërngulje e banorëve
Për Ferik Topallin, futja e ujit në tuba është “vdekje për fshatin”. Ai paralajmëron shpërngulje masive dhe e argumenton këtë me faktin se shumica e banorëve merren me bujqësi dhe blegtori.
“Duhet të porosisim 200 arkivolë dhe të zhduket njerëzimi këtu në Kurdari”, tha ai, ndërsa shtoi se përpiqet prej kohësh për të siguruar të ardhmen pa u larguar nga vendi.
“Këta duan të na marrin pikën e ujit, të na marrin shpirtin, të na masakrojnë. Duan të na telendisin!”, vijoi Feriku.
Sipas Erind Saliajt, zona është “hambari i Matit”, me prodhim bujqësor që furnizon tregjet e Burrelit, Klosit e Bulqizës.
“Të gjitha produktet tona bujqësore dhe blegtorale ne i hedhim në treg. Kemi disa hektarë vreshta, plantacione me pemë frutore dhe ka shumë që merren me kopshtari, me zarzavate dhe perime. Punojnë në tokën e tyre, shfrytëzojnë këtë ujë që na ka falur natyra dhe nxjerrin një ndihmë të vogël për familjet e tyre”, tregon Erindi.
Enver Dara na shoqëroi përmes tokave të tij duke na treguar trasetë e rrugëve të hapura anës rrjedhës së lumit. Ai na tha se kompania nisi të punojë në dy drejtime të ndryshme, lindje-perëndim për të shpejtuar në vendosjen e tubave.
“Jo ai, por askush me qenë, edhe Edi Rama s’ka për të kaluar në tokën time, është e imja ajo. Ai mund të më marrë dhe shpirtin se është shteti, por unë nuk e lej”, theksoi Enveri.
Reduktimi i ujit të zonës duket se rrezikon edhe rezervuarin kryesor të Kurdarisë, i prekur ndjeshëm nga thatësira e verës së këtij viti.
“Sot kalojmë lumin me këpucë, jo më me çizme,” kujton Abdulla Abdullaj, teksa na tregon për situatën.
Beteja e komunitetit të Matit kundër HEC-eve
Pesë fshatrat e Njësisë Administrative Suç: Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj, Suç e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u përfundua.
Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.
Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.
Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë.
Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e komunitetit”.

Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mos realizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u rikthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim, por ata refuzuan ta zhvillojnë takimin.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.
“Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja në përgjigjen për Citizens.al.
Në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.
Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit.
Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.
“Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.
Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.
Pesë vite më pas situata duket shqetësuese për banorët. Kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende. Ata pretendojnë se nuk janë pyetur dhe për këtë po shqyrtojnë ngritjen e një padie për ta ndjekur edhe në rrugë ligjore pretendimin e tyre.
Por deri atëherë, ata zotohen se nuk do ta lënë kompaninë të vijojë punimet.
Lexoni gjithashtu:
- “Të gjithë kundër hidrocentraleve”; Institucionet vijojnë miratimin e lejeve
- Banorët refuzojnë zhvillimin e dëgjesës për një tjetër hidrocentral
The post Kurdaria frymëzon rezistencën kundër hidrocentraleve në Mat appeared first on Citizens.al.