Në Lufaj të Mirditës uji mungon për shkak të një hidrocentrali
Në Lufaj të Mirditës, banorët detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar pavarësisht burimeve natyrore që kanë. Shkak për këtë është bërë devijimi burimeve nga hidrocentrali i kompanisë “Seka Hidropower”. Ata thonë se kompania nuk respekton kontratën, e cila parashikon që të lëshojë ujë për nevojat e tyre. Prandaj, paralajmërojnë përshkallëzim në protesta nëse situata nuk ndryshon.
“Zoti dhe po na ndihmoi SPAK-u, te ata kemi pak shpresë” tha Jorgji Loci, i cili në mes të nxehtit të 24 korrikut mbushi bagazhin e kamionçinës me shishe uji të blerë dhe u nis drejt fshatit. Atje e prisnin banorë të tjerë për një protestë të thirrur për lirimin e rrjedhës së ujit, bllokuar nga hidrocentrali.
Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Përgjatë saj, Jorgji ndaloi disa herë për të treguar burimet ujore, të cilat për të ishin shënjuese, pasi i kujtonin se dikur nga atje mund t’ia dëgjoje gurgullimën ujit, ndërsa tani rrjedha është futur në tuba.
“Këtu nuk ka asnjë pikë ujë, mbahet nga HEC-i,” tha ai teksa paralelizoi me enët e gjakut, që nëse një njeriu i bëhej një prerje në krah, gjaku nuk ka si t’i shkojë më në parakrah.
Fshati Lufaj i përket njësisë administrative Selitë. Bashkë me fshatrat e tjerë të kësaj njësie sikurse Bardhaj, Lëkundë, Zajs, Kthëllë e Sipërme, Kurbnesh, Mërkuth e Kumbull ofrojnë një potencial të lart natyror dhe bujqësor.

Hidrocentrali i Sekës ka filluar punën prej vitit 2017, por banorët thanë se edhe kur u ndërtua, nuk ishin pyetur.
“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor i zonës.
Gjet Loci kujton se si zona mbante qindra banorë dhe mijëra bagëti teksa mbahej me grurë dhe misër.
“Tani nuk ka gram ujë”, tha ai i revoltuar teksa mungesa e ujit ka detyruar disa familje që të largohen.
Fatjon Gjinaj, i cili punon si gazetar në Tiranë, por që ka ende familjen në këtë zonë, tregoi se kompania nuk e ka respektuar kontratën, e cila e detyron që veçanërisht gjatë verës të lëshojë rrjedhë uji për në lumin e Urakës.
“Këtu është bërë një masakër,” tha ai teksa tregoi se kompania kishte abuzuar me zhvendosjen e dherave nëpër përrenj, “Është bërë një kontratë për ujin e pijshëm për të gjithë banorët, por zero! Asnjë ditë në 12 muajt e vitit nuk kalon.”
Sipas tij, pasuritë dhe puna e banorëve në këtë zonë në blegtori e bujqësi nuk është për të përfituar të tjerët në kurriz të tyre.
“Kemi kulla, kemi lumenj, kemi përrenj, kemi blegtori, kemi bujqësi. Kemi bagëti. Për çfarë? Për të fituar dikush në kurriz të të gjithëve ne të tjerëve?!”, vijoi Gjinaj.
Ai kërkoi që ky organizim i banorëve të merrej si ultimatum për kompaninë dhe organet përgjegjëse, që të zbatojnë detyrimet ligjore ndaj komunitetit dhe natyrës.
Jorgji Loci tregoi se kishte shpenzuar nga të ardhurat personale për t’i sjellë ujë fshatit nga burime të largëta. Ai e konsideroi këtë sakrificë “për të shmangur konfliktet me kompaninë”, por që edhe ky burim ishte ndërprerë.
“E kam çuar ujin në fshat me 8,500 metra zorrë vetëm që mos të hyj në sherr, dhe edhe atë ujë e kanë ndërprerë,” tregoi Loci.
Banorët e Zall-Gjocajt në solidaritet me Lufajn
Fshati Zall-Gjoçajt i përket Matit, mirëpo ndodhet pranë Lufajt, me të cilën ndan dhe burime të përbashkëta ujore. Njëjtë sikurse Lufaj, lumi Flim në Zall-Gjoçaj është futur në tubacionet e hidrocentralit të kompanisë “Seka Hidropower”.
Adem Gjokolaj, një ndër aktivistët më të zëshëm të mbrojtjes së burimeve ujore të Zall-Gjoçajt, duke qenë edhe Park Kombëtar kishte marrë rrugën për t’iu bashkuar banorëve të Lufajt.
“Në këto dy lumenj, lumin Flim dhe lumin Urakë, para ca kohësh kanë qenë mbi 2,500 bagëti që pinin ujë, mbi 2,000 bletë dhe të gjitha gjallesat mbi dhe nëntokësore po ngordhin, sepse nuk ka asnjë pikë ujë”, theksoi ai përmes megafonit.
Gjokolaj kërkoi nga të gjithë banorët që të mos ndalojnë së kërkuari të drejtën e tyre themelore për të pasur ujë të rrjedhshëm për shtëpitë dhe bagëtitë e tyre.
Sikurse Ademi, në mbështetje të banorëve të Lufajt ishte edhe Dhimitër Koleci, që bashkë me të tjerë banorë të Zall-Gjoçajt enden nëpër gjykata për të drejtën e ujit.
“Kemi për të njëjtin problem, për të njëjtin ujë, për të njëjtat HEC-e, për të njëjtit oligarkë, për të njëjtë mashtrues që kanë mashtruar të gjithë zonën,” theksoi ai teksa shtoi se rreth 80 kilometra katrorë tashmë janë kthyer në shkretëtirë.
“Kanë marrë ujë nga Parku Kombëtar Zall Gjoçaj, duke devijuar me tunele duke e sjellë në lumin e Urakës me një tunel tjetër e duke marrë edhe ujin e Urakës se nuk ngopen me lumenjtë, duke e nxjerrë këtu”.
Ai shprehu solidaritet me banorët, duke sjellë në vëmendje situatën e tyre ndër vite, punën e vështirë dhe pasojat shëndetësore në minierën e bakrit të Kurbneshit.
“Gjithë banorët e zonës që dikur kanë punuar me selikozën e bakrit në Kurbnesh dhe iu kalbën mushkëritë sot po iu thahen veshkat për ujë”, u shpreh Koleci.
Dhimitri solli në vëmendje edhe situatën në Parkun Kombëtar Zall-Gjocaj, ku gjatë ditëve të nxehta të korrikut ka pasur vatra zjarri. Sipas tij, futja e ujit nëpër tubacione, nuk bën gjë tjetër veçse përkeqëson situatën.
Paketë malesh, por pa ujë
Jorgji Loci ka një banesë në fshatin Lufaj dhe vjen shpesh për të qëndruar aty, ndërsa gjatë verës edhe më gjatë, kur fëmijët e tij janë me pushime. Ai punon në Durrës, por e ka menduar shpesh të investojë në fshatin e tij.
“Më ka rritur babai dhe unë nuk e lëshoj këtë vend, e lëshoj vetëm kur të iki te babai”, u shpreh ai për të atin, që tanimë nuk jeton më.
Jorgji tregoi se kishte dëgjuar shumë për “Paketën e Maleve”, një nismë e diskutueshme e qeverisë Rama për investimet në zonat malore dhe do të dëshironte të investonte në tokat e tij. Por, mungesa e ujit ia bën të pamundur këtë dëshirë.
“Unë jam i gatshëm të bëj fermë, jam i gatshëm të bëj bujtinë, por unë nuk kam asnjë pikë uji në fshat, është e gjitha shkretëtirë”, theksoi Jorgji për Citizens.al.
Edhe Gjet Loci, një tjetër banor i zonës shprehu dëshirën për të investuar në tokën e tij, por duke parë kushtet ka frikë të ndërmarrë një hap të tillë.
“Ne duam të vijmë të investojmë këtu, kam shtëpinë aty poshtë, ne nuk i investojmë dot. Gjendja e këtij fshati tani pas hidrocentralit që është bërë, ka mbledhur burimet e ujërave dhe tani nuk ka ujë fare”, u shpreh ai.
The post Në Lufaj të Mirditës uji mungon për shkak të një hidrocentrali appeared first on Citizens.al.