Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

Zjarri në malin e Dukatit, asfiksohen tre zjarrfikës, transportohen në spital

21 July 2025 at 15:48

Tre zjarrfikës në Vlorë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Kjo për shkak se kanë pasur probleme me frymëmarrjen, asfiksi për shkak të tymit që ka përfshirë zonën si pasojë e zjarrit të rënë në malin e  Dukatit.

Tre zjarrfikësit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, raportohet se janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Zjarri në Dukat vijon prej tri ditësh dhe në vend janë të angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura si edhe 17 efektivë të zjarrfikësve por edhe punonjës të emergjencave civile Vlorë dhe të pyjores.

/abcnews.al/

Mbytet në një kanal vaditës 65-vjeçari në Cërrik

21 July 2025 at 15:30

Cërrik- Një 65-vjeçar është gjetur i pajetë. Dyshohet se është mbytur në një kanal vaditës në fshatin Shtërmen.

Trupi i pajetë është dërguar për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

GJKKO përgënjeshtron Berishën/ Gjykata: Nuk kemi asnjë përplasje me SPAK

21 July 2025 at 15:09

Gjykata e Posaçme ka përgënjeshtruar çdo pretendim apo aludim për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përgënjeshtruar në këtë mënyrë deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në një reagim zyrtar, sqaron se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale.

Po ashtu sqarohet se marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Reagimi i plotë:

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.

Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

Ndihmë për e-Albania nëpër bashki/ Balluku në Patos, monitorohen sportelet ku ofrohet shërbimi

21 July 2025 at 14:50

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është ndalur në Patos, ku edhe ka monitoruar sportelet ku ofrohet shërbimi.

Balluku u shpreh se nëpërmjet E-Albania janë shmangur shumë burokraci. Ndërsa nënvizoi se qytetarët t’i drejtohet sporteleve nëpër bashki ku ofrohet shërbimi për çdo paqartësi.

Në këto zyra, theksoi Balluku, ofrohen të gjitha shërbimet, përfshirë edhe shërbimet e Postës, së “IdentiTek” për marrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave, ashtu si edhe shërbimet që lidhen me bashkitë.

“Të gjitha shërbimet e e-Albania, veçanërisht për moshat e treta që e kanë më të vështirë përdorimin e teknologjisë, ofrohen falas nëpërmjet zyrave me një ndalesë. Çdo zyrë avokatie apo noterie që ofron këto shërbime me pagesë është në shkelje të plotë të ligjit”, theksoi Balluku.

Këto zyra synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimet digjitale për të gjithë qytetarët, duke ndihmuar në mënyrë të veçantë ata që hasin vështirësi teknologjike.

/abcnews.al/

Elbasan, dorëhiqen nënkryetarët e Bashkisë/ E paqartë nëse i binden urdhrit të Ramës apo pas hetimit për inceneratorin

21 July 2025 at 13:43

Dy drejtorë i janë përgjigjur kërkesës së kryeministrit Rama për të dhënë dorëheqjen! Konkretisht ish-drejtori i ASHPR dhe ASHPRU kanë dhënë dorëheqjen brenda afatit.

Nga bashkia Elbasan theksohet se gjithashtu është dorëhequr kryetari i njësisë administrative që ka nën menaxhim varrezat e qytetit pas kritikave të kryeministrit Rama për keqmenaxhimin me mbetjet!

Sa i takon drejtorive të tjera drejtuesit vijojnë punën normalisht.

Vetëm pak më parë nga bashkia e Elbasanit bëhet me dije se janë dorëhequr nënkryetarët e këtij institucioni por mbetet e paqartë nëse dorëheqjet kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të banesave nga Prokuroria e Elbasanit apo në vazhdën e dorëheqjeve të kërkuara nga kreu i qeverisë.

“Zvarritja e gjyqit nuk është më surprizë”/ Meçe për dosjen “Partizani”: Po tejkalohen të gjitha afatet ligjore

21 July 2025 at 13:36

Vijon zvarritja e gjyqit ndaj Berishës. Edhe në seancën e dytë për aferën “Partizani” avokatet shkuan me një strategji të qartë.

Analisti Arben Meçe në një intervistë në “News Line” në ABC News tha se zvarritja e gjyqit të Berishës, tashmë nuk aspak surprizë. Më tej nënvizoi se me dosjen “Partizani” po tejkalohen të gjitha afatet ligjore.

“Artifica e përdorur sot është një absurditet i madh. Të arrijë një person që ka status të pandehur tashmë dhe të rrëzojë gjithë sistemin, të dali individi dhe të kundërshtojë prezencën e institucionit, çfarë mund të thuash? Kjo është një gjë që duhet dalluar mirë në pozicionin politik e ligjor. Berisha kur nuk njohu vendimin e SPAK e procedura. Berisha ka hapur një precedent tjetër që thotë nuk njoh Kushtetuesen. Të bëhen ankimime të kësaj natyre që të goditet rendi kushtetues, më duket absurde. Por mendoj që sistemi ynë i drejtësisë do të mbajë një qëndrim ndaj këtij precedenti”, tha ai.

Shtyerjen e gjyqit, Meçe e ka konsideruar një “show” të ish-kryeministrit Berisha, Gjithashtu nënvizoi se kërkesa për rrëzimin e trupës gjyqësore sipas tij është qesharake.

Berisha po mbijeton dhe të gjitha këto ngjarje në analizë, nuk janë ngjarje. Pritshmëria e Berishës është që sa më shpejt të prodhohet një ngjarje që më pas të kapet me të. Shumë funksionarë shtetërore që kanë kaluar në SPAK, fitoren më të madhe të tyre e kanë daljen në kauzë të PD. Të dalë i pandehur dhe të kërkojë rrëzimin e Gjykatës, kjo është absolutisht e paligjshme dhe e penalizueshme që në pretendim”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

Vrasja e Santiago Malkos/ Prokuroria e Posaçme kërkon 57 vite burg për vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka

21 July 2025 at 13:23

Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të Leonard Dukës për vrasjen e ish-policit Santiago Malko dhe dënimin e tij me 32 vite burg dhe vëllait të tij Erlis Duka me 25 vite burg.

Për Fatmir Hysenin dënimi me 32 vite burg. Dënimin e Aleksandër Manxhakut me 22 vite burg. Oltian Loga me 23 vite burg, ndërsa Dritan Agai me 23 vite burg.

Santiago Malko u ekzekutua ne gusht te vitit 2019-te  teksa lëvizte me një automjet në rrugën “Xhanfize Keko” ne Tirane.

Si u ekzekutua Santiago Malko?

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”. Malko u ekzekutua me breshëri automatiku në automjetin e tij  BMW X5, ku sapo kishte dalë nga një lavazh.

Leonard Duka dhe Erlis Duka, vëllezër me njëri-tjetrin, të dy dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht, Santiago Malkon, ish-oficer policie.

Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja.

Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volksëagen’, golf ishin Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.

Sipas hetimeve, Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre.

Ata janë kthyer dhe janë ndaluar në rrugën “Xhanfize Keko” ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi./abcnews.al

Forcat izraelite nisin sulmet tokësore dhe ajrore në Gazën Qendrore

21 July 2025 at 10:25

Siç edhe paralajmëruan një ditë më parë, Forcat izraelite kanë nisur një sulm tokësor dhe ajror në qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore.

Kjo ka shkaktuar valë të reja zhvendosjeje të civilëve.

Operacioni filloi herët të hënën, vetëm disa orë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime për evakuim për banorët e gjashtë blloqeve të banimit në pjesën jugperëndimore të qytetit.

Zona është aktualisht e mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur nga Rafah dhe Khan Younis, në Gazën jugore.

/abcnews.al/

Zjarri në Shkopet përfshin sipërfaqe të mëdha, pritet ndërhyrja me helikopter

21 July 2025 at 09:39

Zjarri që ka përfshirë Shkopetin është përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po vijon të përhapet në pyje.

Ndërkohë Forcat zjarrfikëse dhe ato të Ushtrisë ndodhen në terren, por izolimi i vatrave të zjarrit është i pamundur për shkak të terrenit.

Ndërkohë pritet edhe mbërritje e helikopterit të Ushtrisë për të shuar flakët.

/abcnews.al/

“Inceneratori”, operacion në Elbasan, kontrolle në dhjetëra banesa

21 July 2025 at 09:34

Prokuroria dhe Policia e Elbasanit kanë ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të së hënës një operacion të zgjeruar kontrollesh, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e qytetit.

Në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar kontrolle në 14 banesa të personave që dyshohet se kanë lidhje me këtë çështje.

Veprimet janë ndërmarrë në kuadër të procedimit penal nr. 1417, i vitit 2024, i cili është regjistruar fillimisht për veprën penale të “zjarrvënies”, pasi fusha e mbetjeve urbane në Elbasan u përfshi nga flakët në vitin 2024. Gjatë hetimeve të thelluara, Prokuroria ka evidentuar elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës, çka ka zgjeruar natyrën dhe objektin e hetimeve.

Operacioni është shtrirë në të gjithë qarkun e Elbasanit, ndërsa kontrollet e kryera kanë pasur për qëllim grumbullimin e provave të reja dhe ndriçimin e plotë të veprimtarive të dyshimta që lidhen me ndërtimin, funksionimin dhe administrimin e inceneratorit.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ka persona të ndaluar apo masa të tjera procedurale ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet vijojnë në mënyrë intensive.

/abcnews.al/

“Thethi nuk është vendi për resorte e hotele të mëdha”/ Rama: Kapitulli i ri i hapësirës publike, fillimi i një punë kolosale

21 July 2025 at 09:18

Kryeministri Edi Rama ka ritheksuar edhe njëherë se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas aksionit të zhvilluar më herët për lirimin e hapësirave të zaptuara. Rama nënvizoi se Thethi nuk është vendi për resorte me hotele të mëdha, ndërsa shtoi se “kapitulli i ri i hapësirave publike”, është fillimi i një pune kolosale katër vjeçare.

“Në Theth nuk do të ketë zhvillime pas atij pastrimi përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty. Nuk është Thethi vendi për resorte me hotele të mëdha apo histori që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi. Ky kapitull i i ri i hapësirës publike, nuk është një përsëritje e një kapitulli të vjetër, por fillimi i një punë kolosale katër vjeçare, por do të jenë elementë të tjerë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës”, tha mes të tjerash Rama.

Po ashtu Rama nënvizoi se turizmi duhet të ketë vëmendje të shtuar për shkak se fokusi duhet të jetë edhe tek cilësua estetike e shërbimeve, duke nënvizuar se është koha që të marrin zgjidhja edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e ujit, apo kontrollit të sigurisë ushqimore.

“Nëse nuk japim cilësi estetike shërbimeve tona, mund të humbasim bastin e madh për turizmin. Dhe ky është momenti që t’i japim më shumë zgjidhje, cilësisë së ujit, kontrollit të sigurisë ushqimore, janë piketa që janë kyçe për mandatin e katërt dhe që lidhin drejtpërdrejt me anëtarësimin në BE”, tha ai.

/abcnews.al/

 

Rama: Transformimi i administratës publike, një nga pikat më të forta

21 July 2025 at 09:00

“Një nga pikat më të fortat tonat është transformimi i administratës publike”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në komunikimin e zhvilluar këtë të hënë me ndjekësit e tij në “Facebook”.

“Një nga pikat tona më të forta është transformimi i administratës publike. Akoma sot në 2025 ku turistët të ndërtojnë pa leje këtë duhet ta mendojnë vetë ngelen apo jo pa një të ardhur unë dhe ne jemi këtu për të menduar për 99 % të shqiptarëve që jo vetëm nuk ndërtojnë pa leje, por edhe i kanë zët. Sa për rastin në fjalë, duhet ta dini të gjithë që nuk kemi dhënë asnjë dëmshpërblim për atë rast. Kur të vijë në pushtet Luli le të ja bëjë vetes, por sa të jem unë këtu kjo nuk do të ndodhë sepse ka plot të tjerë përpara që meritojnë të dëmshpërblehen përpara Lulit”, tha ai.

/abcnews.al/

 

Veliaj në burg/ Rama: Tirana në një situatë jo të zakonshme, i mungon drejtimi, por jemi riorganizuar

21 July 2025 at 08:56

Kryeministri Edi Rama është rikthyer në bashkëbisedimin me ndjekësit në “Facebook” duke iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve të ndryshme.

I ndalur tek aksioni për zaptimin e hapësirave publike, Rama tha se ishte e domosdoshme dhe se ishte kërkesë e vazhdueshme e komunitetit. Megjithatë nuk la pa theksuar se Tirana është në një situatë jo të zakonshme pasi prej kohësh i mungon drejtimi. Megjithatë siç nënvizoi ai fokusi aktualisht është te punët për qytetarët

“Kemi pasur në Tiranë një situatë, ju e dini shumë mirë, jo të zakonshme. Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet. Kemi riorganizuar tërësisht veten duke vendosur deputetët në pozicion më kërkues, për sa i përket pikërisht për të qëndruar afër dhe për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre. Ka qenë absolutisht nga të katërt anët e kryeqytetit e qartë kërkesa nr 1 që na çlironi hapësirat publike”, tha Rama.

/abcnews.al/

Aksioni për lirimin e hapësirave publike/ Rama në “Sy më Sy”: Kërkesë e komunitetit sepse ishte baza e shqetësimeve

21 July 2025 at 08:44

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sërish diskutimet në “Sy më SY” në Facebook ku është ndalur gjerësisht në aksioni për lirimin e hapësirave publike.

“Si pjesë e skuadrës së Tiranës kam pasur një seri të gjatë takimesh dhe kam kaluar në shumë territore të Tiranës që nuk i kisha parë prej kohësh pasi nuk më kishte çuar puna. Kam vënë re dy gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje, nga njëra anë transformimet e mëdha pozitive dhe nga ana tjetër edhe negative, për një zgjerim të kufijve të veprimtarisë të njësive të shërbimit. Kjo ishte si të thuash baza e një shqetësimi. Më pas nëse  keni vënë re, ne nuk kemi ndenjur rehat, por pak ditë, pasi zgjedhjet përfunduan me një rezultat që ishte i jashtëzakonshëm, por që vjen edhe me një përgjegjësi kemi diskutuar për domosdoshmërinë që të kthehemi në territore dhe të shohim shqetësimet që ka komuniteti. Pra deputetët e PS kanë qenë në territor në mënyrë të vazhdueshme në Tiranë, në Vlorë kam ndjekur vetë. Në kushtet kur kemi pasur në Tiranë edhe një situatë jo të zakonshme, Tiranës praktikisht i mungon drejtimi dhe kjo është histori tjetër. Kemi riorganizuar veten duke vendosur deputetët në një pozicion edhe më kërkues. Ka qenë absolutisht nga të katër anët e qartë kërkesa numri një e komunitetit, na çlironi hapësirat publike. Tani ka lloj-lloj qasjesh dhe duhet ta prekja një pikë që e shoh të rishfaqur shpesh. Ka një problematikë dhe ne na duhet të rikthehemi herës pas here sepse ka ende punë që duhet bërë, por jo sepse gjërat janë në situatën që ishin më parë. Kjo nuk është çështje vetëm inspektorësh, por e vendosjes në një nivel tjetër të kontrollit përmes teknologjisë dhe jemi shumë afër në këtë aspekt”, tha ndër të tjera ai.

Humbi zgjedhjet, por kryeministri i Japonisë zotohet të qëndrojë në detyrë

21 July 2025 at 08:05

Koalicioni qeverisës i Japonisë ka humbur shumicën në Dhomën e Lartë të Parlamentit, por kryeministri Shigeru Ishiba ka thënë se nuk ka plane të japë dorëheqjen.

Qytetarët votuan të dielën. Pasi qendrat e votimit u mbyllën të dielën, kryeministri japonez tha se ai pranon “solemnisht” “rezultatin e ashpër”, por nënvizoi se fokusi i tij ishte te negociatat tregtare.

Duke humbur tashmë shumicën në dhomën e ulët më të fuqishme të Japonisë vitin e kaluar, humbja do të minojë ndikimin e koalicionit.

/abcnews.al/

Sulm masiv kibernetik kundër “Microsoft”/ Mijëra servera në të gjithë botën në rrezik

21 July 2025 at 07:37

Softueri i serverëve të “Microsoft Corp” është sulmuar masivisht nga hakerat. Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë për shkelje të përhapura të sigurisë në të gjithë botën.

Kompania e softuerëve me seli në Redmond, Uashington, tha se ka publikuar një përditësim të ri sigurie që klientët e saj mund ta instalojnë në serverët e tyre SharePoint “për të shmangur sulmet aktive që synojnë serverët lokalë”.

Gjithashtu, Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) tha se ishte në dijeni të cenueshmërisë, e cila mund t’u lejojë hakerave të fitojnë akses në skedarë dhe cilësime të brendshme të sistemit, si dhe të ekzekutojnë kod në rrjet dhe po punon për këtë çështje.

Firmat e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar se një numër i madh organizatash në të gjithë botën mund të preken nga shkelja.

/abcnews.al/

Aksident tragjik në Ekuador, të paktën 9 viktima, mes tyre edhe 2 fëmijë

21 July 2025 at 07:26

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën, pas një aksidenti tragjik të ndodhur në Ekuador.

Mes viktimave raportohet se janë edhe dy fëmijë të moshës 6 dhe 11 vjeç.

Aksidentet rrugore në Ekuador janë shqetësuese dhe një ndër shkaqet e numrit të lartë të vdekshmërisë.

Nga janari deri në muaji maj u regjistruar mbi 4 700 aksidente me mbi 656 viktima.

/abcnews.al/

Zjarri masiv në Devoll, flakët përhapen me shpejtësi drejt Kapshticës. Ekipet zjarrfikëse nga Korça, Maliqi e Pusteci në gatishmëri

21 July 2025 at 07:09

Devoll- Zjarri i përhapur gjatë natës në fshatin Verrnik, në drejtim të zonës kufitare dhe territorit grek, ka përfshirë një sipërfaqe të mëdha toke.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar gjatë natës, forcat zjarrfikëse të shërbimit pyjor, gjithashtu edhe vullnetarë.

Autoritetet njoftojnë se janë dakorduar edhe me palën greke në rastin se do të duhet ndihma e tyre që të ndërhyjnë në pikën kufitare.

Zjarri masiv është përhapur shumë pranë postës dhe policisë së doganës së Kapshticës. Siç shihet edhe nga pamjet që sjell ABC News, zjarrfikëse nga Devolli, Korça, Maliqi janë angazhuar për të mos lejuar më tej përhapjen e flakëve.

Edhe pse zjarri duket se ka marrë përmasa të mëdha i favorizuar edhe nga era e fortë.

Vënia në kontroll të plotë të flakëve është e vështirë jo vetëm për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit por edhe të terrenit të vështirë që e bën të pamundur futjen e mjeteve në zonë.

/abcnews.al/

❌
❌