Sekuestrohet “Lamborghini” i një 37-vjeçari nga Fieri, një vit më parë iu bllokuan 2 mln euro
TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në vijim të hetimeve në procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborghini Urus Mansory’, të shtetasit Arbër Muça.
Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Fierit raportoi se “automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10 korrik 2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.
Sekuestrimi i makinës luksoze u krye një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe paluajtshme me vlerë rreth 2 milion euro të shtetasit A.M.
/k.s/j.p/
The post Sekuestrohet “Lamborghini” i një 37-vjeçari nga Fieri, një vit më parë iu bllokuan 2 mln euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.