Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 July 2025Main stream

Kriza humanitare/ Një e katërta e fëmijëve dhe nënave në Gaza janë të kequshqyer

26 July 2025 at 07:26

Njëzet e pesë përqind e fëmijëve të moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji, janë të kequshqyer, deklaroi organizata ”Mjekët pa Kufij (MSF).

Në klinikën e MSF-së në qytetin e Gazës, numri i njerëzve që vuajnë nga kequshqyerja është katërfishuar që nga maji, me 25 pacientë të rinj të pranuar çdo ditë.

Shkalla e kequshqyerjes së rëndë tek fëmijët nën pesë vjeç është trefishuar në dy javët e fundit.

MSF raporton se jo vetëm pacientët, por edhe stafi i kujdesit shëndetësor, “po fillojnë të vuajnë nga mungesa e ushqimit. Kjo nuk është vetëm uri, por uri e qëllimshme, e shkaktuar nga autoritetet izraelite”.

E shtunë e nxehtë, temperatura mbi 40 gradë celsius gjatë ditës

26 July 2025 at 07:15

Vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme me temperatura që do të shkojnë mbi 40 gradë Celsius në disa qytete.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, por pa përjashtuar kalime të pakta të vranësirave në relievet malore në verilindje.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë 7-12 m/s.

 

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

26 July 2025 at 07:00

DASHI

Një fundjavë veçanërisht dinamike dhe energjike për shumë prej jush. Yjet favorizojnë takime interesante për beqarët, ndërsa ata në një lidhje do mund të zgjidhin një keqkuptim të fundit.

DEMI

Marrëdhëniet do të jenë në qendër të vëmendjes gjatë orëve në vijim: mund t’ju duhet të sqaroni disa çështje me partnerin tuaj. Për sa i përket punës, është më mirë të shmangni zgjedhjet impulsive. Thjesht nuk është koha e duhur.

BINJAKËT

Momente qetësie dhe argëtimi do të karakterizohen këtë fundjavë. Kini kujdes, megjithatë, të mos bëni angazhime që absolutisht nuk mund t’i mbani.

GAFORRJA

Yjet ju sugjerojnë t’i kushtoni më shumë kohë jetës tuaj të dashurisë. Ata që janë vetëm mund të kenë një takim të veçantë. Sa i përket punës, do të duhet durim gjatë orëve në vijim. Shumë durim.

LUANI

Një fundjavë me mundësi të mëdha, veçanërisht për ata që kërkojnë stimuj të rinj pune. Në dashuri është më mirë të shmangni debatet e kota me partnerin. Kafshoni gjuhën para se të bëni dëm.

VIRGJËRESHA

Yjet favorizojnë relaksimin dhe reflektimin në këtë kohë të vitit. Është një kohë e mirë për të rimbushur bateritë dhe për të bërë atë që doni pa shumë shqetësime.

PESHORJA

Harmonia do të jetë protagonisti i këtyre ditëve në fund; një lajm i shkëlqyer për ata që kërkojnë stabilitet në dashuri. Për sa i përket punës, një vendim i rëndësishëm mund të sjellë përfitime në disa fusha.

AKREPI

Ditë me emocione të mëdha intensive. Mund të shfaqen disa tensione në familje apo me partnerin, por me qëndrimin e duhur gjithçka do të zgjidhet për mirë.

SHIGJETARI

Yjet favorizojnë udhëtimet dhe përvojat e reja gjatë orëve të ardhshme. Një kohë e shkëlqyer për t’u përfshirë, si në dashuri ashtu edhe në punë.

BRICJAPI

Parashikimi tregon nevojën për të gjetur një ekuilibër midis detyrave dhe relaksimit. Dëgjoni instinktet tuaja për të marrë vendimet më të mira. Bëje tani. Guxim!

UJORI

Ditë që do ja kushtoni kreativitetit dhe socialitetit. Njohuritë e reja mund të jenë interesante për të ardhmen.

PESHQIT

Dashuria do të jetë protagonistja e këtyre ditëve. Ata që kanë përjetuar pasiguri të fundit do të jenë në gjendje të sqarojnë çdo dyshim dhe të gjejnë qetësinë e humbur. Bëhu i zënë. Asgjë nuk vjen pa “punë”.

Yesterday — 25 July 2025Main stream

Ndërkombëtarët të zhgënjyer nga Kosova: Erdhëm me shpresë, por politika po zhgënjen popullin

25 July 2025 at 15:46

Ambasadorët e shteteve perëndimore në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre pasi dëshmuan dështimin për të konstituuar Kuvendin për herën e 52-të.

Ambasadori i BE në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës se Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin.

“Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE”, tha Orav.

Një qëndrim të ngjashëm pati edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde, i cili tha se klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha ai.

Ambasadori britanik në Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një postimi në Facebook bëri thirrje që deri ditën e shtunë liderët politikë të gjejnë konsensusin për të kaluar këtë situatë.

“I lutem politikanëve të Kosovës të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe Kosova po hyn në territor të pashkelur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin domethënës politik dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, BE, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca ishin të pranishëm në seancën e së premtes, e cila dështoi.

/abcnews.al/

Del në ankand kitara e Jimmy Page të ”Led Zeppelin”

25 July 2025 at 15:40

Një kitarë e dhuruar nga Jimmy Page i ”Led Zeppelin” si çmim konkursi më shumë se 50 vjet më parë mund të shitet për 50 000 stërlina (67 460 dollarë) në ankand.

Kitara elektrike ”Gretsch Chet Atkins 6120” e vitit 1957 ishte çmimi i një konkursi të mbajtur nga revista ”New Musical Express”.

Në një intervistë Page deklaroi se e bleu kitarën në Nashville, SHBA, për 200 stërlina në vitin 1972.

Kitara pritet të shitet midis 30 000 dhe 50 000 paund në ankandin ”Gardiner Houlgate” në Corsham, Angli.

Dyshohet se qëlloi me armë zjarri në ajër, shpallet në kërkim 21-vjeçari në Lezhë

25 July 2025 at 15:20

Lezhë- Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim policia.

Sipas policisë, dyshohet se i riu banues në Lezhë, para dy ditësh ka qëlluar me armë zjarri në ajër në zonën e Kunës.

Materialet procedurale për të gjitha rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/abcnews.al/

VIDEO/ Merr flakë automjeti në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër

25 July 2025 at 15:03

Një automjet ka marrë flakë në afërsi të daljes së Tunelit të Skërficës në aksin rrugor Sarandë – Gjirokastër.

Ekipet zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme në pjesën e përparme të mjetit.

/abcnews.al/

Më shumë turistë në qershor/ INSTAT: Mbi 1.3 milionë vizitorë, rritje me 7 për qind

25 July 2025 at 14:33

Mbi 1.3 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në vend vetëm gjatë qershorit, duke u rritur me mbi 7% në raport më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, për pjesën e parë të vitit sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka pritur mbi 4.7 milionë turistë të huaj, një rritje me gati 4.8% se kundrejt periudhës janar-qershor të vitit të shkuar.

Vizitorët nga Europa mbajnë edhe peshën kryesore me numrin më të lartë të hyrjeve në vend, teksa vërehet edhe një rritje e turistëve nga Amerika, Azia Lindore e Jugore si dhe turistëve nga Lindja e Mesme.

Paralelisht, statistikat e INSTAT tregojnë edhe një rritje të shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit gjatë qershorit. Muajin e kaluar, daljet e Shqiptarëve jashtë kryesisht për pushime arritën në mbi 710 mijë, mbi 10% më shumë se qershori i vitit të kaluar.

Parashikimet janë që Shqipëria të presë mbi 12 milionë vizitorë të huaj përgjatë këtij viti. Vendi vijon të promovohet edhe nga mediat ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira për pushime, jo vetëm për bregdetin por edhe bukuritë e tjera natyrore. Kjo ka bërë që turizmi gradualisht të shtrihet përtej sezonit veror.

/abcnews.al/

Maliq, zjarri përfshin sipërfaqe pyjore e kullota

25 July 2025 at 13:54

Një zjarr ka përfshirë një pyll dhe kullota në fshatin Strelcë të Njësisë Administrative Gorë në bashkinë e Maliqit.

Kanë qenë banorët të cilët kanë njoftuar zjarrfikësen, e cila është nisur me forca të shtuara drejt vendit ku ka rënë zjarri.

Drejt vatrës janë nisur edhe forca të tjera për ndihmë përfshirë këtu bashkinë dhe policinë.

/abcnews.al/

Shfrytëzonin fëmijët e mitur për të lypur/ Dy të proceduar në Durrës

25 July 2025 at 13:41

Durrës- Dy persona janë proceduar penalisht pasi dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur në zonën e plazhit.

Gjithashtu në Prokurori janë referuar për vlerësim pesë raste të lypjes nga shtetas të tjerë, moshave 21 – 40 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Kampioni në fuqi doli i dyti në etapën numër 18/ Çiklisti slloven la sërish pas rivalin e madh, Vingegaard

25 July 2025 at 13:02

Nuk fitoi as këtë herë, dhe as nuk qe nevoja. Tadej Pogaçar ka objektiv kryesor të fitojë Turin e Francës, dhe jo thjesht etapa individuale, dhe dhe ai iu afrua edhe më shumë suksesit përfundimtar pas segmentit të 18-të.

Ishte Ben O’Konor që kurorëzoi një shkëputje prej 16 kilometrash në rrugëtimin ndoshta më rraskapitës të këtij edicioni, të gjatë 171.5 km, dhe me 3 ngjitje ikonike, që janë të kategorisë maksimale të vështirësisë.

Diferenca në lartësi arriti 5 500 metra, ndërsa mbërritja në Kurshevel ishte në lartësinë 2 304 metra mbi nivelin e detit, më e madhe e Klasikes franceze këtë vit.

Pikërisht në ngjitjen finale, në Kodrën e famshme, Kol de la Loze, u luajt ndoshta drama vendimtare e Turit 2025.

Ndërsa australiani O’Konor shkoi I sigurt drejt fitores së etapës, Vingegard provoi për herë të parafundit shanset e tij, duke sulmuar Pogaçarin.

Kampioni në fuqi I rezistoi ofensivës së parë, po ashtu përballoi edhe mësymjen e dytë të danezit.

Kur erdhën metrat e fundit, çiklisti slloven bëri sulmin e tij duke lënë rivalin e tij të madh 9 sekonda prapa.

Ky ishte ndoshta konfirmimi përfundimtar që 26-vjeçari do ta fitojë Turin për herë të katërt, dhe do ta mbajë deri në fund të veshur Fanelën e Verdhë.

Pogaçar ka 4 minuta e 26 sekonda avantazh ndaj Vingegardit, ndërsa mbetet edhe etapa e fundit malore, më pas një itinerar kodrinor, si dhe shëtitja në bulevardet e Parisit të dielën e 27 korrikut.

Elbasan/ Zjarri aktiv prej ditësh, për shuarjen e vatrave angazhohen 90 forca operacionale

25 July 2025 at 12:21

Në zonën e Shmilit, një nga zonat malore më të mëdha në qarkun e Elbasanit, vijon puna nga ekipet zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit. Zjarri vijon të jetë aktiv që prej të shtunës dhe ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje, shkurre e masive me pemë frutore.

Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Elbasan, Ndriçim Sinani bëri me dije se edhe sot forcat operacionale janë në terren që prej orëve të para të mëngjesit duke u përballur me kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer, temperaturave mjaft të larta dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Në operacion janë angazhuar rreth 90 efektivë nga strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, forcat e ushtrisë si dhe punonjës të bashkisë.

Ndërhyrja është duke u zhvilluar në mënyrë të koordinuar me mjete zjarrfikëse dhe pajisje të specializuara , ndërsa në zona të paarritshme me automjete po punohet edhe me mjete rrethanore dhe forca fizike.

Sipas drejtorit të emergjencave civile në Bashkinë e Elbasanit në masivin pyjor Lugaxhi – Dritas prej 6 ditësh vazhdon  puna pa ndërprerje për izolimin e vatrave të zjarrit.

Terreni mjaft i vështirë  dhe era e fortë kanë penguar vazhdimisht punën e forcave zjarrfikëse, ushtrisë     agjencisë së shërbimeve publike, emergjencave civile dhe  punonjësve të shërbimit pyjor.

Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat apo jetën e banorëve, por po merren të gjitha masat për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve pasi gjatë kësaj jave flakët përparuan edhe në territorin e dy fshatrave të bashkisë Librazhd.

Puna për shuarjen e zjarrit do të vijojë deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të tij, ndërsa strukturat në terren janë në gatishmëri të lartë për çdo përkeqësim të situatës.

Situata me zjarret, Ministria bën bilancin: 29 vatra në 24 orët e fundit, 10 prej tyre ende aktive

25 July 2025 at 11:39

29 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, 10 prej të cilave janë ende aktive, ndërsa 4 janë në monitorim.

Vatrat më problematike janë regjistruar në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.

Ndërsa në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.

Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës.

Ndërkohë ekipet zjarrfikëse janë angazhuar edhe gjatë ditës së sotme për të neutralizuar vatra përfundimtare të zjarrit.

Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë,  ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.

Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.

Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.

Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit.

Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.

Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë  rreth 70 forca të strukturave operacionale. Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.

Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:

  • 52 automjete zjarrfikëse
  • 680 forca operacionale
  • 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
  • 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile

Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:

  • 140 efektivë të Forcave të Armatosura
  • 2 helikopterë nga Forca Ajrore
  • 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në

/abcnews.al/

Sekuestrohen pasuri të ish-ambasadorit/ Apartamente dhe llogari bankare në emër të Edmond Çaçës

25 July 2025 at 11:16

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë sekuestruar pasurit të ish-ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, Doha, Katar Edmond Çaça dhe bashkëshortes së tij, B.C.

“Hetimet mbi procedimin penal nr.1838 të vitit 2019, nisën pas referimit të materialit kallëzues nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKPI) për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim“ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “, parashikuar nga neni 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi Çaça ka kryer veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe “interesave privatë” të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të  parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal, pasi në periudhën e viteve 2014 – 2017 ka qenë subjekt deklarimi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar dhe ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe “interesave private”.

Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar kryesisht, procedimi pasuror nr. 07/R, i vitit 2025, në ngarkim të këtij shtetasi dhe personit të lidhur (B.C), bazuar në Ligjin nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.

Pas hetimit pasuror të kryer dhe bazuar në analizën financiare të realizuar nga audituesi ligjor, është arritur në konkluzionin se subjekti i hetimit pasuror E.Ç. dhe personi i lidhur, nuk justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme.

Sa më sipër, prokuroria kërkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, sekuestrimin e pasurive të paluajtshme/luajtshme si më poshtë:

  1. Pasuri e paluajtshme, “Truall“, Nr.2/279 në pronësi të E. Ç., e mbyllur, e cila aktualisht vijon në:
  2. a) Pasurinë nr.2/285, vol. 68, fq.71 dhe pasurinë nr 2/286, vol.68, fq. 72, Z.K. 8330.
  3. Pasurinë nr 2/371, vol. 61, fq. 153, Z.K. 8330.

Pjesa takuese e shtetases B.C. është 10/33 e pasurisë truall, me siperfaqe 8250 m2;

  1. Pasuri e paluajtshme, apartament, nr.146/46+1-34, vol. 54, fq. 194, ZK 3292, me sipërfaqe 65.5 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
  2. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/11, vol. 7, fq. 20, ZK 2380, me sipërfaqe 500 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
  3. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/20, vol. 6, fq. 232, ZK 2380, me sipërfaqe 300 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
  4. Pasuri e paluajtshme “Pyll” me sipërfaqe 10.000 m2 dhe e kufizuar në favor të E.Ç. dhe B. C. sipas Kontratës së Shitjes së Pasurisë së Paluajtshme me Rezervë me Kalim Pronësie Nr. 4094 Rep, Nr. 978 Kol datë 09.08.2020, me referencën nr. 3829; dhe
  5. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, nr 1/51+3-19, e zones kadastrale 2364 me siperfaqe 52.63 m2;
  6. Sekuestrimin e pasurive të luajtshme si më poshtë vijon:
  7. Llogari ndihmese interesi në “Credins Bank”, gjendje kreditore 90.093,76 euro, në emër të shtetases B.C.

Kërkesa e Prokurorisë u gjet e drejtë nga Gjykata e cila vendosi sekuestrimin e pasrive si më sipër, cituar, me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025.

Negociatorët iranianë dhe perëndimorë bisedime në Stamboll mbi programin bërthamor

25 July 2025 at 11:08

Delegacionet e diplomatëve nga Irani dhe grupi nga Gjermania, Franca dhe Britania po vazhdojnë bisedimet në Stamboll.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, takimi ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe do të mbahet në nivel zëvendësministrash të Jashtëm.

Berlini, Parisi dhe Londra synojnë që të shtojnë presionin mbi Teheranin. Kërkesat kryesore të evropianëve përfshijnë lejimin e inspektorëve të OKB-së për qasje në objektet bërthamore të Republikës Islamike dhe sqarimin e fatit të rreth 400 kilogramëve uranium të pasuruar 60%, i cili ka humbur që nga sulmet ajrore të SHBA-së në tre objekte kryesore iraniane në qershor.

/abcnews.al/

Akuzohet në Spanjë për kultivim droge, kapet në Gjirokastër 39-vjeçari

25 July 2025 at 09:58

GJIROKASTËR- Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Sabadell, Spanjë në muajin qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe për vjedhje të energjisë elektrike, vepra për të cilat në Kodin Penal të Spanjës, maksimumi i dënimit është 6 vjet burgim.

Ndërkohë Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët e Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë.

/abcnews.al/

VIDEO/ Vihen në kontroll zjarret që përfshinë fshatrat në Gjirokastër

25 July 2025 at 09:46

Janë vënë në kontroll flakët e zjarrit në fshatrat Plesat, Kardhiq, Prongji në Bashkinë Gjirokastër.

Zjarri është arritur të neutralizohet pas një operacioni të vështirë. Në operacion morën pjesë efektivë zjarrfikës, punonjës të bashkisë si edhe 15 forca të Ushtrisë.

Megjithatë grupet janë ende në terren dhe po bëjë monitorim të zonës për çdo riaktivizim të mundshëm.

/abcnews.al/

❌
❌