Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

Policia Kufitare i vjen në ndihmë 12-vjeçarit të huaj, të dëmtuar në Gjirin e Gramës

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Policia Kufitare Dhërmi, në koordinim me ekipin e urgjencës mjekësore, i vjen në ndihmë një shtetasi të mitur, të dëmtuar në Gjirin e Gramës.

Gjatë ditës së sotme, Policia Kufitare u njoftua për një rast emergjent në Gjirin e Gramës, ku një shtetas i mitur ishte hedhur nga një shkëmb i lartë në det dhe për pasojë, kishte pësuar dëmtime në kokë, duke kërkuar ndihmë mjekësore të menjëhershme.

Menjëherë, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, u transportua me mjet lundrues ekipi mjekësor drejt vendit të ngjarjes, ku të miturit iu dha ndihma e parë mjekësore.

Shtetasi i mitur, 12 vjeç, me shtetësi të huaj, i shoqëruar nga prindërit e tij, u transportua më pas drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm, jashtë rrezikut për jetën.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe për të ofruar ndihmë në çdo situatë emergjente.

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Vlorë u bën thirrje pushuesve që frekuentojnë plazhet e jugut, në zona të thella e të izoluara, si Gjiri i Gramës, të tregojnë kujdes të shtuar, pasi këto vende janë të aksesueshme kryesisht me mjete lundruese dhe nuk kanë mbulim me rrjet celular në të gjitha rastet.

Në situata emergjente, ndërhyrja mund të kërkojë kohë. Rekomandohet të shmangen veprimet e rrezikshme dhe të merren masa paraprake për sigurinë personale.

/k.s/r.e/

The post Policia Kufitare i vjen në ndihmë 12-vjeçarit të huaj, të dëmtuar në Gjirin e Gramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrje emergjente në Pasarelën e Beçishtit në Tepelenë, Monument Kulture i Kategorisë I

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Pas konstatimit të dëmtimeve të rënda në Pasarelën e Beçishtit, shkaktuar nga kalimi i një automjeti të paidentifikuar, Shërbimet Publike të bashkisë Tepelenë kanë ndërhyrë menjëherë për të kryer riparimet e nevojshme dhe për të garantuar sigurinë e kalimtarëve.

“Ky veprim i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm, jo vetëm ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve, por ka shkaktuar dëmtime serioze në trupin e urës, një vepër me status monument kulture i kategorisë së parë, në shërbim të përditshëm të komunitetit të zonës”, theksoi bashkia Tepelenë, në një postim në rrjetet sociale.

Bashkia Tepelenë dënon me forcë çdo akt të tillë dhe u bën thirrje qytetarëve që në rast konstatimi të veprimeve të ngjashme, të njoftojnë menjëherë organet ligjzbatuese, në mënyrë që autorët të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.

Sipas bashkisë, dëmtimi i veprave me status të veçantë mbrojtjeje përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe nuk do të tolerohet.

Bashkia Tepelenë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurinë e infrastrukturës publike.

1 nga 5

/k.s/r.e/

The post Ndërhyrje emergjente në Pasarelën e Beçishtit në Tepelenë, Monument Kulture i Kategorisë I appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 August 2025Main stream

Universiteti i Tiranës: Regjistrimet për vitin e ri akademik, 29 gusht – 11 shtator

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Universiteti i Tiranës informoi sot se fazat për regjistrimin e studentëve do të kryhen nga data 29 gusht deri më 11 shtator.

Në një postim në rrjetet sociale, Universiteti i Tiranës u kujton maturantëve afatet kryesore për regjistrimin në Institucionet e Arsimit të Lartë për vitin akademik 2025-2026.

“Më 26 gusht do të kryhet publikimi i renditjes së aplikantëve në U-Albania. Më 27 gusht do të kryhen ankesat mbi renditjen”, theksoi UT.

Ndërsa nga 29 gushti deri më 11 shtator do të kryhet regjistrimi në Institucionet e Arsimit të Lartë, ku renditja do të jetë në kohë reale (në 7 faza brenda 48 orëve).

Sipas UT, më 12-13 shtator do të kryhet çregjistrimi nga raundi i parë.

UT informon maturantët ta ndjekin procesin e renditjes online në portalin U-Albania në “Këndin e Maturantit” me ID-në e tyre.

Universiteti i Tiranës vijon të mbetet institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm i arsimit të lartë në vend.

/k.s//r.e/

The post Universiteti i Tiranës: Regjistrimet për vitin e ri akademik, 29 gusht – 11 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raman ndan pamje nga Pogradeci: Hëna si poezi më vete mbi liqen

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet ndër më preferuarit për mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga mbrëmja në Pogradec në këto net vere.

“Hëna si poezi më vete mbi liqen”, shkruan Rama.

Përveç bukurive natyrore që ofron, investimet në infrastrukturë dhe hapësira publike kanë bërë që Pogradeci të jetë një zgjedhje kryesore për turizëm në të gjitha stinët e vitit.

I zgjedhur masivisht për qetësinë dhe freskinë që ofron në ditët e nxehta të verës, Pogradeci mbetet destinacion shumë i kërkuar edhe gjatë stinëve të tjera, ndërsa është rritur edhe numri i turistëve të huaj.

/k.s/r.e/

The post Raman ndan pamje nga Pogradeci: Hëna si poezi më vete mbi liqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta në Prishtinë, Spiropali: Rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha sot se protesta masive në Prishtinë rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike, si dhe mbështetjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali tha se “ish-drejtuesit e UÇK-së në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik e njerëzor, po mbahen të mbyllur në hapsanën e Hagës; një akt kundër të drejtës, kundër lirisë, në abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur e demokratik”.

“Drejtësia nuk mund të përmbyset, viktimat nuk mund të shpallen agresorë dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima”, tha Spiropali.

Mijëra qytetarë protestuan sot në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Protestuesit kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jo padrejtësi”.

/k.s/r.e/

The post Protesta në Prishtinë, Spiropali: Rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Mallakastër dhe Patos, Vengu: Vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Në fshatrat Lofkënd, Mallkastër dhe Drenie, Patos, po vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi nga afër situatën e zjarrit që ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur në zonën midis bashkisë Mallakastër dhe bashkisë së Patosit.

Vengu tha se duhet angazhim për mbajtjen në kontroll të vatrës në 24-orëshin e ardhshëm, pasi temperaturat do të rriten dhe duhet të jenë prioritet banesat.

Ministri Vengu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjitha forcave të angazhuara, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit është prioritet absolut.

Puna për neutralizimin e plotë të flakëve vijon me intensitet dhe koordinim të plotë ndërinstitucional.

Në terren janë angazhuar trupat e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e emergjencave civile të qarkut Fier dhe shërbimet zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione.

Në operacion po marrin pjesë 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 zjarrfikëse nga bashkia Patos, 1 zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër, 1 zjarrfikëse nga bashkia Lushnjë, 1 zjarrfikëse nga bashkia Fier, 2 mjete të kompanisë “Albpetrol” sh.a., 1 mjet zjarrfikës nga Roskoveci.

1 nga 3

/k.s/r.e/

The post Zjarret në Mallakastër dhe Patos, Vengu: Vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i IKMT Korçë: Rreth 370 subjekte cenojnë sigurinë kombëtare në akset rrugore të qarkut

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit Korçë në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar ka ngritur grupet e punës për evidentimin e subjekteve që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme përgjatë akseve rrugore.

Drejtori rajonal i IKMT Korçë, Edi Bitri tha në një prononcim për mediet se, “nga monitorimet e deritanishme në terren janë evidentuar rreth 370 subjekte që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme, duke rrezikuar sigurinë rrugore dhe kombëtare”.

Sipas tij, bëhet fjalë kryesisht për rrethime banesash, tabela të karburanteve, si dhe biznese të ndryshme që merren me servise apo automjete të çmontuara, të cilat kanë pushtuar pjesë të rrugëve.

“Të gjitha subjektet janë paralajmëruar të marrin masa për çmontimin vullnetar të strukturave që kanë zënë hapësirat, dhe është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e qytetarëve dhe bizneseve për të respektuar ligjin. Sipas direktivave të qeverisë, atyre u është lënë një afat deri më 31 korrik për të realizuar çmontimin vullnetar”, tha Bitri.

Ai shtoi se subjekteve u është lënë afat sipas direktivave të lëna nga qeveria për të liruar këto hapësira.

Prej fillimit të gushtit, ekipet e inspektimit kanë rifilluar monitorimet për të verifikuar nëse është nisur procesi i çmontimit.

“Në rastet kur nuk janë marrë masa, IKMT do të vijojë me penalitete, përfshirë gjoba dhe prishje me forcë të ndërtimeve apo strukturave të paligjshme”, tha Bitri.

Drejtori i IKMT Korçë informoi se deri tani nuk është vendosur asnjë masë administrative, pasi ekipet janë ende në terren dhe po monitorojnë situatën.

“Mungesa e fuqisë punëtore për ndërhyrjet ka sjellë vonesa të mundshme, por në rastet kur nuk është nisur asnjë veprim, do të merren masa sipas ligjit”, tha ai.

Bitri tha se “kryesisht janë rrethime të banesave, por edhe tabela karburantesh, servise të makinave që kanë edhe makina të çmontuara që kanë zënë rrugën, si dhe pika të përpunimit të mermereve, por këto të fundit janë të pakta”.

/k.s/r.e/

The post Drejtori i IKMT Korçë: Rreth 370 subjekte cenojnë sigurinë kombëtare në akset rrugore të qarkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, takim i strukturave të mbrojtjes civile në Lezhë

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Në vijim të takimeve rajonale të Grupit të Punës, i ngritur me urdhër të Ministrit të Brendshëm dhe drejtuesit të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, sot u zhvillua në Lezhë takimi i tretë me strukturat vendore të këtij qarku.

Në takim morën pjesë Prefekti i Qarkut, drejtues vendor të Policisë së Shtetit, shërbimeve zjarrfikëse të bashkive, njësive të emergjencave civile dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Në qendër të diskutimeve ishin vlerësimi i situatës aktuale në territor, përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, rritja e gatishmërisë për muajin gusht dhe nevojat për logjistikë dhe kapacitete më të mëdha në terren.

Ashtu si në Gjirokastër dhe Delvinë, u theksua rëndësia e ndërhyrjes së shpejtë, koordinimit të afërt mes nivelit qendror dhe atij vendor, si dhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar për të parandaluar zjarrvëniet e qëllimshme apo nga pakujdesia.

Nga ana tjetër, u vlerësua puna e gjithë atyre që janë çdo ditë në vijën e parë të përballjes me flakët, nga zjarrfikësit, policët, emergjencat civile, Forcat e Armatosura, deri te vetë banorët e zonave të prekura.

Përpjekja e përbashkët është çelësi për ta kaluar me sa më pak pasoja këtë sfidë sezonale.

/k.s/r.e/

The post Situata e zjarreve, takim i strukturave të mbrojtjes civile në Lezhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nis çlirimi i buzërrugëve kombëtare, asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Në të gjithë vendin ka nisur edhe çlirimi i buzërrugëve kombëtare, duke përcaktuar një kufi tërheqjeje të subjekteve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga aksioni që po kryhet për lirimin e këtyre hapësirave në akset kombëtare në qarkun e Durrësit.

Rama tha se “subjektet duhet të sigurohen se asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur”.

“Njëkohësisht, sipas kritereve të programit të ri të Rilindja Urbane 2.0 do të kontribuojnë me një sasi gjelbërimi, bashkërisht me qeverinë, duke e trajtuar hapësirën buzë e përballë akseve kombëtare si pjesë të shtëpisë sonë të përbashkët dhe jo si tokë të askujt”, theksoi Rama.

Ky aksion vjen paralelisht me atë për lirimin e hapësirave publike në qytete të ndryshme të vendit që ka nisur në fillim të muajit korrik.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

/k.s/r.e/

The post Rama: Nis çlirimi i buzërrugëve kombëtare, asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

DW Travel reportazh: Tirana, nga reliket komuniste në një nga destinacionet kryesore të Evropës

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Tirana po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj. Gazetarja e Deutsche Welle Travel, Gönna Ketels, ka realizuar një reportazh në kryeqytetin e Shqipërisë, ku prezanton të gjitha vendet që duhet të vizitohen për një ditë në Tiranë, së bashku me këshilla për ta bërë udhëtimin më të paharrueshëm.

Reportazhi i plotë i DW Travel:

Mirë se vini në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Është një qytet me kontraste midis të kaluarës komuniste dhe modernizmit, betonit dhe hapësirës së gjelbër, traditës dhe modës. Vetëm pak vite më parë, konsiderohej një destinacion për vizitorët vendas në Ballkan.

Tani është një nga destinacionet kryesore të Evropës. Jam këtu për t’u zhytur në historinë e Tiranës, përfshirë disa nga vendet e saj më të errëta dhe të fshehura. Dhe dua të zbuloj pse udhëtarët e duan qytetin. Dhe çfarë duhet të bëni patjetër vetëm në një ditë.

Ku ndodhet Tirana?

Shqipëria ndodhet në Evropën Juglindore, në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Tirana në qendër ka rreth 400 000 banorë.

Sheshi Skënderbej

Unë filloj nga sheshi Skënderbej. Është shumë mirë herët në mëngjes, pa turma. Këtë e quaj shesh unë! Princi Skënderbeu është një hero kombëtar dhe një simbol i pavarësisë së Shqipërisë. Ai udhëhoqi një rezistencë kundër osmanëve në shekullin XV. Ka shumë gjëra për të parë pranë sheshit. Por, një nga më të rëndësishmet, Muzeu Historik Kombëtar, është i mbyllur deri në vitin 2028. Tirana është më mirë të eksplorohet në këmbë. Shumica e gjërave për të parë janë në qendër.

Tregu i Pazarit të Ri

Destinacioni im i radhës është tregu i ri i Pazarit të Ri. Këtu mund të blini suvenire tipike, nga tradicionalet deri tek të veçantat: si magnete me ish-diktatorin e Shqipërisë, Enver Hoxha. Vendasit gjithashtu blejnë këtu. Unë zgjedh një suvenir të ëmbël: mjaltë shqiptar. Ky është vërtet i mirë. Më vjen keq. Ka shumë kafene dhe restorante përreth tregut. Provoj një specialitet shqiptar: byrek, brumë filo krokante me mbushje të ndryshme. Po ha kombinimin klasik të spinaqit dhe djathit. Ky është ushqimi më i mirë shqiptar që shërbehet në rrugë. Kushton 80 lekë, pak më pak se një euro.

Muzeu Bunk’art

Dua të mësoj më shumë rreth historisë së Shqipërisë. Vendi ishte nën sundimin komunist nga viti 1947 deri në vitin 1991, i udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Vizitoj një muze në një ish-bunker bërthamor në periferi të qytetit. Enver Hoxha ndërtoi shumë e shumë nga këto bunkerë në komunizëm. Dhe deri më sot Shqipëria është vendi me më shumë bunkerë në botë. Ky ka 106 dhoma, kështu që kam kureshtje ta shoh. Dyert e hyrjes janë bërë prej katër tonësh betoni të përforcuar dhe janë projektuar për t’i bërë ballë sulmeve të rënda. Kompleksi ishte selia nëntokësore e Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë. Muzeu i ҁon vizitorët nëpër dhomat origjinale, përfshirë atë të Hoxhës, me ekspozita historike dhe instalime multimediale. Paranojak për sulmet nga Blloku Perëndimor dhe Lindor, diktatori shpesh e izolonte Shqipërinë. Muzeu sjell atmosferën shtypëse të epokës.

Teleferiku Dajti Ekspres

Pas bunkerit të errët, kam nevojë për pak ajër të pastër dhe një ndryshim peizazhi. Stacioni i teleferikut ishte vetëm pesë minuta larg në këmbë. Tani le të shohim se çfarë lloj pamjesh mund të kemi. Dajti Ekspres ju çon në mbi 1 000 metra në 15 minuta. Një udhëtim vajtje-ardhje kushton 1 500 lekë. Kjo është rreth 15 euro.

Mali Dajti

Mali Dajti është një park kombëtar. Mund të ngjiteni në këmbë deri në majë ose thjesht të shijoni pamjen. Pak e mjegullt, por a nuk është romantike?
Shtëpia e Gjetheve

Pas pushimit tim, kthehem në qendër, në “Shtëpinë e Gjetheve”, ish-selinë e Shërbimit Sekret komunist.

Drejtoresha Etleva Demollari ndihmoi në ngritjen e muzeut. Tregohet se si regjimi i shtypte dhe monitoronte njerëzit. Ata hynin në shtëpitë e njerëzve. Për shembull, ata shihnin që kishe një lloj sendi në shtëpinë tënde. Ata vinin kur nuk ishe në shtëpi. Dhe e shkëmbenin me një tjetër me “ҁimkë” (përgjues). Dhe ktheheshin pas tre ditësh, sepse bateria zgjaste tre ditë. Kështu, që ata vinin pas tre ditësh dhe e merrnin përsëri.

“Ҁimkat” janë pajisje të vogla dëgjimi të fshehura mirë. Ato ishin futur në mure, telefona ose mobilie për të regjistruar biseda fshehurazi.

Janë disa dhoma në të cilat janë instaluar “çimka” përgjimi. Është po ashtu një dhomë e veçantë, ajo me numër 27. Nëse kishte vizitorë, përmes çimkave përgjoheshin se çfarë ata flisnin. Dhe, nëse shkojmë në dhomën me numër 27, mund të dëgjojmë se çfarë po thonë vizitorët e tjerë.

Ekspozita përmban informacion lidhur me persekutimin dhe burgosjen e mijëra njerëzve gjatë diktaturës komuniste. Koleksioni i pajisjeve dhe dokumenteve të saj pasqyrojnë mënyrën se policia sekrete “Sigurimi” punonte dhe funksiononte në zyrat e saj.

Ajo që më bën vërtet përshtypje është se këtu mund të shikoni të gjitha aspektet e përgjimit dhe si kanë funksionuar. Për shembull, kjo dhomë është vendi ku mblidhej dhe kontrollohej posta. Ata përdornin pajisje me avull për hapjen fshehtas të zarfave dhe pastaj përdornin ndriçim me rreze ultraviolet për të kontrolluar nëse njerëzit kishin përdorur bojë sekrete për mesazhe të fshehta.

Kjo ekspozitë e bën represionin e epokës komuniste vërtet të prekshëm. Është e frikshme të shikosh se sa pak privatësi gëzonin njerëzit dhe sa i përhapur ishte përgjimi ndaj tyre.
Është koha për të parë Tiranën moderne. Për këtë bëhem pjesë e një turi të shoqëruar me udhërrëfyes.

“Mirë se vini në Tiranë. Unë jam Erindi. Jam rritur në këtë qytet dhe, të themi, unë do të jem udhërrëfyesi juaj për sot. Bashkë do të zbulojmë disa prej atraksioneve kryesore të Tiranës, skenën e artit të rrugës dhe arkitekturën moderne të qytetit.

Ndërtesa të reja futuriste janë ngritur gjatë viteve të fundit. Kjo godinë mbresëlënëse në sheshin “Skënderbej” është frymëzuar nga heroi kombëtar, Skënderbeu.

“Është një projekt abstrakt me disa detaje që e bëjnë të ketë pamjen e një busti, apo koke. Mund të shikoni me sytë tuaj formën e hundës së dalë nga fasada e ndërtesës. Janë plot katër kate të saj që formojnë hundën, veshët në të dyja anët dhe pjesën e fytyrës. Gjysma e fytyrës është e harkuar në anën e djathtë, ndërsa gjysma tjetër është e sheshtë. Por do të thosha që është vërtet mbresëlënëse që njerëzit mund të mos dallojnë një fytyrë, mund të mos shohin një njeri aty, por mund të thuhet se gjithësesi dallohet forma e një koke”.
Që prej viteve 2000, arti i rrugës është në zhvillim të vazhdueshëm. Erindi na prezanton disa pikturave murale, që shpesh janë pasqyrim i ndryshimeve shoqërore dhe i banorëve të qytetit. Gjendet po ashtu sinjalistikë rrugore e riprojektuar në mënyrë krijuese, që është diçka e pamendueshme në disa vende të tjera.

A s’është problem kjo gjë me sinjalistikën? Pyes sepse nëse kjo do të ndodhte në Gjermani, bashkia s’do të pranonte kishte imazhe të tilla në tabelat e sinjalistikës rrugore?

-Nuk do të pranonte? Sigurisht, këto imazhe janë krijuar me një lejë përkatëse. Do të thosha se kjo është po ashtu gjithçka që ata mund të kenë nevojë të ndryshojnë që ne të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Nuk e di. Do ta shohim këtë.

Shqipëria është vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE që prej vitit 2014. Tani do të shkojmë në lagjen trendi të Tiranën.

“Tani gjendem te Blloku. Dikur ishte lagjja vetëm për elitën e regjimit diktatorial, por ku sot mund të shkojë kushdo dhe është një nga pjesët më të gjalla të Tiranës”.

Stomaku ka filluar të më gërryejë. Në “Bllok” gjen një koleksion të gjerë restorantesh. Por m’u desh pak kohë të gjeja një restorant me kuzhinë shqiptare.

“Po provoj një nga gatimet më të famshme shqiptare; fërgesa. Është gatim tradicional i Tiranës, i përgatitur me domate, speca të kuq, salcë kosi dhe, nganjëherë, me mish, por mund të jetë edhe gatim tërësisht vegjetarian”.
Kremoze dhe paksa djegëse. Më pëlqen.

Pikën kulmore të vizitës në Tiranë e kisha lënë për perëndimin e diellit: Piramida e Tiranës. E ndërtuar në vitin 1988 si muze për diktatorin Enver Hoxha, sot Piramida është qendër e inovacionit dhe kreativitetit. Pamja nga këtu pasqyron harmoninë mes të kaluarës dhe së tashmes së Tiranës.

Mendoj se Tirana është mjaftueshëm e madhe për t’u vizituar brenda një dite. Në këtë program ju kam treguar disa prej aspekteve të saj kryesore, nga historia e pasur te pjesa e saj moderne. Si gjithmonë, ka edhe shumë gjëra të tjera për t’u parë. Po ju? A do të dëshironit ta eksploronit vetë Tiranën?

 

/u.sh/p.s/k.s/a.f/

The post DW Travel reportazh: Tirana, nga reliket komuniste në një nga destinacionet kryesore të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Rikualifikimi i Ujërave Termale të Bënjës, duke ruajtur rregullat e një zone të mbrojtur

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Në kantierin e Ujërave Termale të Bënjës në Përmet vijojnë punimet për përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik dhe ndërhyrjeve rikualifikuese për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, inspektoi nga afër punimet shoqëruar nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kryetarët e bashkive Përmet e Këlcyrë, drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi dhe ajo e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.

“Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi nisur investimin e një kantieri rikualifikimi të të gjithë zonës si nevojë për të ndërhyrë në radhë të parë për të orientuar flukset, si të makinave që grumbullohen në hyrje të kësaj zone natyrore dhe turistike si dhe për të organizuar gjithë hapësirën, duke ofruar dhe shërbime. Këtu kemi mungesë totale të ujit dhe energjisë elektrike. Me këtë investim të qeverisë shqiptare, do ta kthejmë në një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse jemi në zonë të mbrojtur dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos kemi ndërhyrje të rënda”, tha Kumbaro.

Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.

Kumbaro kërkoi një bashkëpunim të ngushtë mes bashkisë Përmet dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për një menaxhim të suksesshëm të këtij atraksioni.

“Na duhet bashkëpunim me bashkinë për të gjetur një model të mirë të menaxhimit, me qëllim që të ruhet standardi, pastërtia dhe gjithë ky investim të mos degjenerohet. Kjo është arsyeja pse jemi të gjithë sot, bashkë me zyrën e administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe bashkitë Këlcyrë e Përmet që në hartën e tyre turistike e kanë një ndër stacionet më të preferuara këtë zonë”, tha Kumbaro.

Ky investim parashikohet të përfundojë në muajin mars të vitit 2026.

Ujërat Termale të Bënjës në Përmet konsiderohen si më të mirat në Evropë. Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26- 32°C.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës.

1 nga 3

/k.s//a.f/

The post Kumbaro: Rikualifikimi i Ujërave Termale të Bënjës, duke ruajtur rregullat e një zone të mbrojtur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Universiteti Politeknik me programe të reja studimi, Rektori Fundo për ATSH-në: Këtë vit, rreth 1800 kuota për të rinjtë

TIRANË, 6 gusht/ATSH-Klotilda Saraçini/ Universiteti Politeknik i Tiranës do të hapë këtë vit të ri akademik programe të reja studimi në Bachelor në bashkëpunim me Universitetin e Tekonologjisë së Compiegne të Francës.

Rektori i UPT-së, Prof. Dr. Akli Fundo tha në një intervistë për ATSH-në se “këtë vit hapim Kampusin e Universitetit të Teknologjisë së Compiegne të Francës në UPT që është një nga arritjet më të mëdha në arsimin e lartë shqiptar”.

“Kemi bërë një marrëveshje 5-vjeçare ndërmjet dy universiteteve që në fakt ka tre marrëveshje: marrëveshjen për hapjen e kampusit, marrëveshjen për hapjen e programeve të studimit dhe marrëveshjen e rregulloreve kurikulare. Përveç kësaj do ketë një marrëveshje kuadër ndërmjet dy qeverive (Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë franceze të Arsimit të Lartë dhe Shkencës)”, theksoi Fundo.

Për UPT-në, kjo kupton hapjen e dy programeve të përbashkëta Bachelor të studimit në vitin e parë.

Fundo bën të ditur se “një program që do të hapet është Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike dhe një në Sisteme Elektronike. Mësimi do të zhvillohet në UPT me profesorë shqiptarë dhe francezë. Në fund studentët do të marrin dy diploma një të UPT dhe një diplomë franceze të UTC. Ndërsa në vitin e tretë do hapet një program i ri Bachelor në Inxhinieri Mekatronike. E reja e këtyre  diplomave të dyfishta është që mësimi bëhet në Shqipëri”.

Prof. Dr. Fundo u shpreh se “pala franceze investon në 5 vjet rreth 1.6 milonë euro dhe pala shqiptare rreth 3.5 milionë euro. Kjo vjen pas 17 vjet pune dhe besim reciprok. Në nëntor 2024 bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilluam një vizitë në UTC ku vendosëm për të punuar për marrëveshjen”.

Rektori Fundo informoi gjithashtu se këtë vit hapet një program Bachelor në Inxhinieri Matematikë dhe Data Science (Shkenca e të Dhënave) dhe një Master në Aktuaristikë të dyja në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike”.

Sa i përket preferencave të të rinjve për degët e UPT-së, Prof.Dr. Fundo tha se “të gjitha degët në UPT janë shumë të kërkuara sidomos në Fakultetet e Teknologjisë së Informacionit, Arkitekturës dhe Urbanistikës, Inxhinierisë së Ndërtimit, Inxhinierisë Mekanike dhe Inxhinierisë Elektrike. Këtë vit janë rreth 1800 kuota njësoj sa vitin e kaluar në Bachelor dhe Master”.

Lidhur me ndërkombëtarizimin e universitetit, Prof.Dr. Fundo tha se “me Universitetin e Teknologjisë së Compiegne të Francës kemi filluar në 2017 me  diplomat e dyfishta në Master në Inxhinieri Informatike që u kthye më vonë në  diplomë e dyfishtë e delokalizuar, që do të thotë se mësimi zhvillohet në UPT me profesorë shqiptarë e francezë”.

“Kemi një Master në Inteligjencë artificiale e mbështetur me një Projekt Europian Erasmus Mundus (rreth 6 milionë euro) nga katër universitete, UPT, UTC, Universiteti i Katalonjës dhe Universiteti i Xhenovës ku mësimi zhvillohet në secilin Universitet nga 1 semestër. Këtë vit fillon viti i dytë i këtij Masteri”, tha Fundo.

Në kuadër të ndërkombëtarizimit, shtoi Fundo, gjithashtu kemi diplomë dyfishe në Bachelor në Inxhinieri Mekanike me Universitetin e Viterbos Itali, si dhe po punohet me Universitetin e Leces në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Sipas tij, diploma e parë e dyfishtë ka  filluar në 2009 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit me Ecole Speciale des Travaux Publice të Francës dhe po shtrihet në Inxhinieri Arkitekture.

“Po ashtu kemi dhe diplomë dyfishe në doktoratë në Arkitekturë me Universitetin e Firences dhe diplomë dyfishe në Arkitekturë me Universitetin Luav të Venecias. Po punohet për disa diploma dyfishe të reja me universitete prestigjioze evropiane. Kemi bashkëpunime me shumë Universitete perëndimore dhe projekte Erasmus pa fund”.

Fundo vuri në dukje se në takimin vjetor të Erasmus në Nancy Francë, Univeristeti Politeknik i Tiranës u përmend si rast suksesi.

Lidhur me konkursin e pranimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urabanistikës Fundo tha se “të gjithë ata kandidatë për studentë që synojnë Arkitekturën dhe Urbanistikën do të mund t’i zhvillojnë konkurset e pranimit më 20 gusht në Pallatin e Kongreseve”.

“Si çdo vit ky fakultet ka shume kërkesa”, tha Fundo.

/k.s//a.f/

 

The post Universiteti Politeknik me programe të reja studimi, Rektori Fundo për ATSH-në: Këtë vit, rreth 1800 kuota për të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anija “Bel Espoir” në Durrës, të rinjtë ndanë mesazhe shprese, dialogu e solidariteti

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Për herë të parë në vendin tonë mbërriti dy ditë më parë anija “Bel Espoir”, si pjesë e nismës frymëzuese MED25, “Një udhëtim drejt një Mesdheu më njerëzor”, mbështetur nga Selia e Shenjtë dhe Dioqeza e Marsejës.

Gjatë kësaj ndalese në Portin e Durrësit, 25 të rinj nga brigje të ndryshme të Mesdheut, përfshirë zona të prekura nga konflikte, ndanë me publikun shqiptar mesazhe shprese, dialogu e solidariteti.

Në bordin e kësaj “shkolle lundruese”, ata ndërtojnë ura miqësie përmes debateve, reflektimeve shpirtërore dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit, solli një mesazh për drejtësi dhe humanizëm në rajonin tonë, ndërsa Atë Alexis Leproux, drejtues i Takimeve të Mesdheut 2025, vlerësoi Shqipërinë si një qendër historike e bashkëjetesës ndërfetare dhe një shembull frymëzues për paqen mes popujve.

Nga 4 deri më 6 gusht, Durrësi dhe Tirana u bënë skena e aktiviteteve reflektuese dhe bashkëbisedimeve me të rinjtë për tema jetike si migracioni, bashkëjetesa dhe sfidat e përbashkëta mesdhetare.

Falë mikpritjes së Portit të Durrësit, Shqipëria u bë pjesë e këtij udhëtimi unik që synon të bashkojë mbi 200 të rinj nga e gjithë hapësira mesdhetare, në një rrugëtim 8-mujor drejt Triestes, ku do të mbahet Festivali i Rinisë Mesdhetare.

/k.s//a.f/

The post Anija “Bel Espoir” në Durrës, të rinjtë ndanë mesazhe shprese, dialogu e solidariteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMA bashkëpunim me platformën X, Krasniqi: Një mjedis i pastër digjital, prioriteti ynë

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur një rekord të ri bashkëpunimi me një nga platformat e mëdha online.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka njoftuar sot se është lidhur një urë bashkëpunimi me platformën X, për të mbikqyrur dhe ndjekur me prioritet çdo përmbajtje potenacialisht të dëmshme në gjuhën shqipe, që shpërndahet në këtë platformë.

Ky bashkëpunim parashikon një kanal të dedikuar për AMA-n në Platformën X, nëpërmjet të cilit do të komunikohet për çdo përmbajtje të dëmshme ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, me gjuhë urrejtje, përmbajtje që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut etj.

“Një mjedis i pastër digjital, pa dhunë e urrejtje dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve apo komuniteteve është prioritet për ne, ka shkruar Krasniqi, ndërsa ka shprehur falënderimet për këtë bashkëpunim të gjetur me X.

/k.s//a.f/

The post AMA bashkëpunim me platformën X, Krasniqi: Një mjedis i pastër digjital, prioriteti ynë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mokra n’Fest”, Rama: Më shumë se një festë, përjetim i rrënjëve

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videomesazhin e promovimit të festivalit “Mokra n’Fest’ që fton qytetarët më 16 gusht që të bëhen pjesë e aktiviteteve e të shijojnë një ditë ndryshe.

“Nga veriu në jug, muaji gusht është një kolazh festash në çdo qytet!

“Edhe këtë vit, më 16 gusht, rikthehet “Mokra n’Fest” në Pogradec – më shumë se një festë, një përjetim i rrënjëve me muzikë, gatime tradicionale, kanoe, kamping, aktivitete në natyrë, bashkë me koloni piktorësh dhe argëtim për të gjithë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Festa do të nisë nga orën 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale.

Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola e Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet karakteristike të zonës, përgatitur nga duart e nënave mokrare si lakror në saç, kulaç tradicional, mish në hell, të gjitha me shije shtëpie dhe shumë dashuri.

Ndër aktivitetet që pritet të mbahen janë edhe kanoe në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, koloni piktorësh, ekspozitë fotografike, argëtim për fëmijë dhe të rinj.

Ky festival folklorik është më shumë se një festë, është një kthim në rrënjë, një kujtesë e vlerave dhe identitetit tonë kulturor, dhe një ftesë për të jetuar nga afër shpirtin mokrar.

/k.s//a.f//m.q/

The post “Mokra n’Fest”, Rama: Më shumë se një festë, përjetim i rrënjëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat turistike të vendit vijojnë të ofrojnë kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët.

Një ndër këto qendra është edhe ajo në Tamarë të Shkodrës, ku mjekët dhe infermierët ofrojnë ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Në një postim në rrjetet sociale Agjencia për Median dhe Informacionin (MIA), bën të ditur se “kjo qendër është e hapur 24/7 për të garantuar kujdesin shëndetësor gjatë gjithë sezonit turistik”.

Stafi mjekësor i qendrës është i pranishëm çdo ditë për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët dhe turistët.

Esmerina Zekaj, infermiere në këtë qendër tha se “rritja e temperaturave ka bërë që fluksi të jetë mjaft i madh, pacientët vijnë për matjen e tensionit arterial, si dhe parametrave vitalë dhe për çdo shërbim që ata kanë nevojë”.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

/k.s//a.f/

The post Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Zogaj, fshati plot thesare turistike

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Fshati Zogaj, i ndodhur 3-4 km përtej Shirokës këtë sezon turistik veror po vizitohet nga turistë të shumtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Zogaj, duke e cilësuar një fshat, plot thesare turistike.

Zogaj këtë vit është në listën e 6 fshatrave që përfaqësojnë Shqipërinë në aplikimin për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine. Ai kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut.

/k.s//a.f/

The post Kumbaro: Zogaj, fshati plot thesare turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 643 teknikë të shkencave mjekësor dhe 167 mjekë u punësuan në janar-qershor

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Procesi i punësimit nëpërmjet portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” vijojnë të garantojnë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “nga janari deri në qershor, përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë rekrutuar: 643 teknikë të shkencave mjekësore, 167 mjekë dhe 8 psikologë”.

“Punësimi me meritë është garancia më e mirë për shërbime cilësore dhe besim më të madh te sistemi ynë shëndetësor publik”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Portali “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë janë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, duke garantuar që profesionistët e kualifikuar të kontribuojnë në kujdesin për pacientët.

Këto platforma garantojnë një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.

Procesi i testimit të kandidatëve është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.

/k.s//a.f/

The post Koçiu: 643 teknikë të shkencave mjekësor dhe 167 mjekë u punësuan në janar-qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC: Nga 8 vatra zjarri, 7 mbeten aktive

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 8 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 1 është shuar dhe 7 mbeten aktive.

Sipas AKMC-së është shuar zjarri në fshatin Vashtëmi, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq.

Ndërsa është aktive vatra  në Gurë-Lurë, bashkia Dibër (Parku Kombëtar Lurë). Mësohet se zjarri është drejt izolimit dhe nën kontroll.

Gjithashtu janë aktive vaztrat e zjarrit në Malin e Allushit, bashkia Klos, në Skërficë, bashkia Delvinë.

Aktualisht në Skërficë, efektivët zjarrfikës dhe trupat e FA janë të angazhuar në thellësi të zonës së djegur për të izoluar  vatra  të mundshme në trungje apo në shtresën e tokës.

AKMC  informon se vijon zjarri në  Bolenë, bashkia Himarë, Gumenicë, bashkia Selenicë, Dhorës, bashkia Skrapar dhe Lusën në bashkinë Kukës.

Në terren janë angazhuar mbi 25 efektivë të FA, forca zjarrfikëse, të shërbimit pyjor dhe mjete zjarrfikëse, në koordinim të plotë me autoritetet vendore.

AKMC i bën thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat.

/k.s/j.p/

The post AKMC: Nga 8 vatra zjarri, 7 mbeten aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtohen udhëtarët për sezonin veror, Jole për ATSH-në: Flukse normale në Kapshticë dhe Qafë Thanë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë dhe Qafë Thanë vijon të ketë fluks lëvizjesh të udhëtarëve që hyjnë në vendin tonë.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se “Në PKK Qafë Thanë ka fluks të shtuar si në hyrje dhe në dalje. Në hyrje punohet me 3 sportele dhe në dalje me 2 sportele, pasi pala maqedonase nuk ka punonjës policie për të hapur sportele të tjerë”.

“Ndërsa PKK Kapshticë ka ndjekur dinamikën ditore duke përballuar fluksin në hyrje dhe dalje. Aktualisht punohet me 4 sportele 2 në dalje dhe 2 në hyrje, ndërsa fluksi i udhëtarëve dhe mjeteve është normal”, tha Jole.

Prefekti Jole informoi se “gjatë 24 orëve të fundit sipas shifrave të Drejtorisë Vendore e  Kufirit dhe Emigracionit Korçë në pikën e kalimit kufitar Kapshticë kanë hyrë 3638 shtetas shqiptarë me 1086 mjete dhe 1566 shtetas të huaj dhe 615 mjete, ndërsa kanë dalë 2990 shtetas shqiptarë me 1130 mjete dhe 1387 shtetas të huaj dhe mjete 609”.

Jola tha se “në pikën e kalimit kufitar Qafë Thanë kanë hyrë 1705 shtetas shqiptarë dhe  667 mjete, kanë hyrë 1180 shtetas të huaj dhe 493 mjete, si dhe kanë dalë 3205 shtetas 1241 mjete, si dhe 3205 shtetas të huaj dhe 1104 automjete”.

Sipas tij në fundjavë pati një fluks të shtuar të hyrjes së shtetasve në Kapshticë dhe Qafë Thanë.

“Në Kapshticë kanë hyrë 7684 shtetas shqiptarë me 2482 mjete, nga të cilët 3216 të huaj me 1337 mjete. Ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 3423 shtetas shqiptarë me 1358 mjete, nga të cilët 6208 shtetas të huaj 6208 dhe 2148 mjete.

Në pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin janë marrë masa të shtuara për përballimin me sukses të fluksit të lartë përgjatë sezonit turistik, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

 

/k.s/j.p/

The post Shtohen udhëtarët për sezonin veror, Jole për ATSH-në: Flukse normale në Kapshticë dhe Qafë Thanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌