Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Berisha: Integrimi me meritë, jo për gjeopolitikë, është në interesin jetësor të qytetarëve

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se Shqipëria është boshatisur nga shqiptarët, të cilët, sipas tij, janë detyruar të largohen nga vendi.

Berisha iu adresua sot me një fjalë konferencës “The Western Balkan Paradigm” që zhvillohet në Tiranë nga Fondacioni i Partive Popullore Europiane – Martens Centre dhe Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD) i PD-së.

Sipas tij, “Shqipëria është kthyer në një vend që prodhon refugjatë dhe emigrantë”.

Duke folur për procesin e integrimit europian, Berisha tha se “nëse i jepet përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, kjo i hap rrugën autokracisë”.

“Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik. Por edhe për BE-në në vetvete nuk është vetëm një problem i rëndë moral me vendet kandidate, por gjithashtu do të thotë të vendosësh një virus në themelet e veta pa ditur se cilat do jenë pasojat për të ardhmen”, shtoi ai.

Për Berishën “një proces i bazuar në meritë është në interesin jetësor të qytetarëve të vendeve kandidate”.

Kjo sipas tij, “është mënyra më e mirë për të ndihmuar këto vende që të shkëputin lidhjet me të kaluarën”.

Berisha theksoi se “Shqipëria nisi negociatat e aderimit në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter përveçse gjeopolitikës”.

“Kur ne nisëm negociatat, ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia. Shqiptarët po ikin nga territori. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, përsëri sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme. Vendi është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh”, shtoi ai.

Edhe pse pranoi se ka një lodhje nga zgjerimi i BE-së, Berisha theksoi se “nuk është ky shkaku i vonesave të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Është e vështirë që ka qenë një çast kur lindi ideja për t’i ofruar një partneritet Ballkanit Perëndimor, por zgjati shumë pak, dhe Procesi i Berlinit synonte që t’i afronte sa më pranë BE-së. Problemi është se autokratët e rajonit, filluan me projekte të reja. Shpeshherë ne mendonim se as Rama dhe as Vuçiç nuk ishin të interesuar për integrimin. Ata shanin dhe hidhnin fajin lodhjes dhe shpikën ‘Ballkanin e Hapur’. Kërcënuan opsione të tjera, dhe nuk respektuan parimin thelbësor të integrimit në BE, që nuk është lodhja e BE-së e cila kishte ngadalësuar procesin e integrimit të Ballkanit”, shtoi ai.

/m.m/j.p/

The post Berisha: Integrimi me meritë, jo për gjeopolitikë, është në interesin jetësor të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Qendër Rajonale e Emergjencave Civile në Bushat

TIRANË, 16 korrik/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në Bushat, ku ish-reparti i ndërlidhjes do të rindërtohet tërësisht për t’u shndërruar në Qendrën Rajonale të Emergjencave Civile për të gjithë Qarkun e Shkodrës.

I shoqëruar nga prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ministri Vengu inspektoi nga afër ambientet të cilat do të përdoren për ngritjen e kësaj qendre.

“Jemi duke vlerësuar një sërë asetesh të amortizuara të Forcave të Armatosura për qëllime civile dhe ushtarake. Këtu kemi përcaktuar këtë repart për të zhvilluar një funksion të ri të një Qendre Rajonale të Emergjencave Civile”, informoi ai.

Emergjencat civile, sipas ministrit Vengu janë një kompetencë e përbashkët e disa institucioneve ndaj për ta përforcuar më shumë kapacitetin e bashkive po ndërtohet kjo qendër rajonale.

Vengu theksoi se Qendra Rajonale e Emergjencave Civile do t’i shërbejë zonës së Shkodrës dhe Lezhës.

“Qendra rajonale ka të gjithë kapacitetet për të mbështetur të dyja qarqet sidomos në zonën midis Shëngjinit dhe Velipojës ku kemi një turizëm gjithëvjetor në mënyrë që jo vetëm t’i japi, mundësi bashkive të reagojnë për fatkeqësi të tilla siç janë zjarret gjatë sezonit veror, por edhe të përballemi me kërkesa shtesë shtesë që vijnë nga fluksi i turizmit gjithëvjetor”, shtoi ai.

Vengu bëri të ditur se ky repart ishte lënë në harresë prej vitesh dhe tani është momenti për ta vënë në funksion.

“Sa herë kërkohet mbështetje nga ajri detyrohen mjetet ajrore që të rikthehen për furnizim në bazat e tyre. Me këtë i japim mundësinë mjeteve ajrore që të furnizohen në këtë qendër”, shtoi ai.

Nga ana e saj, prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni vlerësoi këtë nismë, e cila sipas saj sjell më afër kapacitetet e ndërhyrjes në raste emergjencash. /j.p/

The post Vengu: Qendër Rajonale e Emergjencave Civile në Bushat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kos: Bisedimet e anëtarësimit në BE me Shqipërinë po përparojnë më shpejt se kurrë


TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos vlerësoi se bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë po përparojnë më shpejt se kurrë.

Duke sjellë pjesë nga fjala e mbajtur javën e kaluar në Parlamentin Evropian, Kos përsëriti se “përparimi në negociata është një shenjë e qartë e angazhimit të Shqipërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian”.

Sipas saj, “përfshirja e të gjithë shoqërisë do të jetë thelbësore për të arritur qëllimin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027”.

“Negociatat e pranimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paparë, siç dëgjuam, me disa momente të rëndësishme të përmbushura tashmë në muajt e fundit dhe më shumë që do të vijnë”, vlerësoi komisionerja Kos.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin u shpreh se “Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja i përmbush premtimet duke pritur qasjen e bazuar në meritë”.

“Ne vazhdojmë të ruajmë fokusin shumë të fortë në reformat në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Shqipëria pritet të konsolidojë më tej përparimin shumë të mirë në këtë fushë”, shtoi ajo.

Përparimi i shpejtë në negociatat e pranimit, sipas komisioneres Kos, “është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë me Shqipërinë dhe jemi vërtet të përkushtuar për të shënuar një rrugë të qartë për pranimin në BE”.

“Zgjerimi është një projekt i tërë shoqëror dhe do të nevojitet një pjesëmarrje e plotë e të gjithë shoqërisë shqiptare për të arritur ambiciet e Shqipërisë. Qëllimi realist i mbylljes së të gjithë kapitujve negociues është deri në fund të vitit 2027”, shtoi ajo.

/m.m/j.p/

The post Kos: Bisedimet e anëtarësimit në BE me Shqipërinë po përparojnë më shpejt se kurrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit në Dibër, Duka: Në pranga dy shtetas

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka informoi sot mbi rezultatet e operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, të finalizuar pas një hetimi njëjavor, me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç.
Trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin nga banesa.
Gjatë konferencës për shtyp, Duka u shpreh se menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale.
“Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D.”, shtoi ai.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, u vunë në pranga shtetasit P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”; F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B..
Duka sqaroi se nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.
Sipas tij, 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
“Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve”, shtoi ai.
Duka theksoi se grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
/m.m/j.p/

The post Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit në Dibër, Duka: Në pranga dy shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekuestrohen 62 çadra dhe shezlongë në Darzezë, procedohet penalisht pronari

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier nisën procedimin penal për shtetasin E. G., 41 vjeç, banues në Fier, pronar i një subjekti në plazhin e Darzezës.

Nga kontrollet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike, u konstatua se ky shtetas kishte vënë në bregdet, pa lejen përkatëse, 62 çadra dhe shezlongë, të cilët u hoqën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Po ashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 40 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë nisën procedimin penal për shtetasin S. Gj., 34 vjeç, banues në Kolonjë, pasi dyshohet se zjarri që ka ndezur për të djegur mbeturinat, ka dëmtuar hambarin me jonxhë të një shtetasi tjetër.

/m.m/j.p/

The post Sekuestrohen 62 çadra dhe shezlongë në Darzezë, procedohet penalisht pronari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Korrupsion në zgjedhje dhe rrjedhje informacioni sekret, SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal në ngarkim të tre shtetasve të pandehur për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje.

SPAK dërgoi për gjykim shtetasit Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri të akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Përkrahje e autorit të krimit”  dhe “Korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje”.

Nga aktet e administruara për këtë procedim penal, ka rezultuar e provuar se të pandehurit; Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”. I pandehuri Altin Hajri ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.

Nga tërësia e veprimeve të kryera hetimore, ka rezultuar e provuar se të pandehurit në 8  episode të ndryshme, gjatë periudhës 1 maj 2020 deri në datë 8 mars 2021, janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Këto informacione që u siguruan nga të pandehurit, u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa, komunikimet që të pandehurit kanë zhvilluar me bashkëbiseduesit e tyre, përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyEcc”, u kanë shërbyer si një e dhënë e rëndësishme për të qëndruar të fshehur dhe për t’i shpëtuar kapjes apo arrestimit nga strukturat e policisë, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale, “Përkrahje e autorit të krimit”.

Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).

Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.

I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Nga ana tjetër, i pandehuri Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.

Për interesa të këtij procedimi penal është bërë e mundur ekzekutimi i letërporosisë drejtuar autoriteteve të drejtësisë holandeze për disa përdorues të platformës së enkriptuar “Matrix”.

Nga analizimi i disa prej komunikimeve, ka rezultuar e provuar se gjatë periudhës tetor – dhjetor 2024, i pandehuri, Altin Hajri dhe bashkëbiseduesit e tij, diskutojnë lidhur me momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit personal ndaj të pandehurve: Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha, (datë 20 tetor 2024 dhe në vijim).

Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim.

Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se funksionarë publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 8 raste, kanë zbuluar akte, të përcaktuar si “sekret shtetëror” nga ligji, pasi me përmbajtjen e tyre, rezulton se janë vënë në dijeni edhe të pandehurit objekt gjykimi, duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe të funksionarëve publikë, të cilët kanë zbuluar akte të përcaktuar nga ligji si “sekret shtëtor”, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal të vitit 2024 në procedimin e vitit 2025. Hetimet rreth këtij procedimi vijojnë.

SPAK falënderoi po ashtu autoriteteve të drejtësisë franceze, holandeze, belge, Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK për këtë procedim penal.

/m.m/j.p/

The post Korrupsion në zgjedhje dhe rrjedhje informacioni sekret, SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama i ftuar nderi në festivalin në Bavari: Të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e Europës


TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar i nderit nga qeveria e Bavarisë, për të mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.

Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se “ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore”.

“Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor”, shtoi ai.

Rama kujtoi se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Por sipas tij, “Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim”.

“Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin. Sot, muzikantët gjermanë interpretojnë në Tiranë. Tani fëmijët tanë rriten pa ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Europa që bën atë për të cilën është krijuar: të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit”, tha Rama.

Ndërsa kujtoi vizitën e vitit 1984 në Shqipëri të Franz Josef Strauss, figurës madhore e Bavarisë, Rama tha se “Bavaria qëndroi e hapur kur Shqipëria ishte e mbyllur, ndërsa tani Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse”.

“Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore nuk janë të kundërta — janë binjake, se begatia pa poezi është e zbrazët, se pushteti pa kujtesë është i verbër, se Europa pa shpirt, nuk është më Europë. Dhe nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet, njëkohësisht, të rishpikim veten, për të mbrojtur shpirtin e Europës”, shtoi kryeministri Rama.

Kryeministri Rama falënderoi po ashtu kryeministrin Markus Söder, ndërsa u shpreh se “Shqipëria e vlerëson zërin e tij, vizionin e tij për Bavarinë dhe respektin e tij për larminë europiane”.

Më poshtë fjala e plotë e kryeministrit në këtë ceremoni:

“Të gjendesh këtu, në ishullin Herrenchiemsee, nën harqet e një pallati që lindi jo nga politika, por nga një ëndërr — një ëndërr për bukurinë, vetminë dhe përtejshmërinë — do të thotë të ndjesh diçka më të madhe se arkitektura, më të qëndrueshme se guri. Do të thotë të përqafosh një ide që është bërë e përjetshme. Dhe të ftohesh këtu, përpara jush, në këtë rast të posaçëm, nuk është thjesht nder, është një privilegj i rrallë, që do ta mbart me vete për gjithë jetën.

Mbreti Ludvig II, sovrani bavarez që ndërtoi këtë vend, u quajt i marrë. I çmendur sepse harxhonte pasuri jo për ushtri, por për Vagnerin. Jo për pushtime, por për përsosjen e së bukurës. I marrë, me fjalë të tjera, sepse zgjodhi shpirtin jo shpatën. Dikur, ai tha: “Dua të mbetem një enigmë e përjetshme për veten dhe për të tjerët.” E ashtu, ai u bë diçka tjetër — romantiku i fundit i madh i pushtetit. Njeriu që nuk sundoi me dekrete, por me ëndrra.

Ja ku jemi sot, në zemër të asaj ëndrre, në një kohë kur Europa, shtëpia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë kolektive, gjendet edhe njëherë e rrethuar nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë.

Sonte, muzika na bën ftesë të kujtojmë. Të kujtojmë se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën. Një mënyrë për të besuar, siç besonte Ludvigu, se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por një mënyrë të jetuari.

Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore. Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor. Rezistencë ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor.

Ne, në Shqipëri, e dimë ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra, jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë, të shkëputur nga simfonitë dhe sonatat që mbushnin sallat e koncerteve të Europës së lirë. E megjithatë, edhe atëherë, muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret.

Dhe e mbaj mend, si fëmijë, herën e parë që pashë “Ludwig”, kryeveprën tronditëse të Luchino Viscontit. Jo në kinema. As me ngjyra. Por bardhezi, përmes një kutie të vogël me ekran, kapur nga një antenë e paligjshme, e bërë me tel rrobash, që sfidonte ndalimin nga regjimi të televizioneve të huaja. Ai film, ajo kredhje poetike thellë në shpirtin e një mbreti që dashuronte tepër dhe bukur, la gjurmë tek unë, jo vetëm si shikues, por si qytetar i ardhshëm i një Europe që ende nuk e kisha parë dhe që, të them të drejtën, as e imagjinoja që do e shihja në të gjallët e mi.

Po sot? Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin. Sot, muzikantët gjermanë interpretojnë në Tiranë. Tani fëmijët tanë rriten pa ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Europa që bën atë për të cilën është krijuar: të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit.

E si të mos e kujtoj këtu në Bavari një gjest të guximshëm nga kjo tokë, të cilin historia gati e ka harruar, po ne jo. Në vitin 1984, kur Shqipëria ishte ende e mbyllur për botën, Franz Josef Strauss, figura madhore e Bavarisë, erdhi në Shqipëri. Nuk erdhi me kërcënime, por me oferta. Jo për të lajkatuar regjimin e egër, por për të hapur një dritare për popullin shqiptar. Ai i zgjati dorën një vendi, që nuk dinte si ta pranonte. Regjimi tha, “jo”. Historia, për fat të mirë, tha, “prit”. Sot, ajo dorë ndihet ende.

Bavaria qëndroi e hapur kur Shqipëria ishte e mbyllur. Tani Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse. Ai moment ka vlerë, sepse dëshmon se urat nuk ndërtohen vetëm kur kalimi është i lehtë. Ndonjëherë, ndërtohen në heshtje, në pritje që të shfaqet ana tjetër.

Më lejoni të flas sinqerisht: Europa që unë ëndërroj nuk është ajo ku flasim të gjithë të njëjtën gjuhë apo besojmë të njëjtat gjëra. Është një Europë ku një mbret bavarez që shkon me ngulm pas bukurisë mund t’i flasë përtej shekujve një kryeministri shqiptar të kohëve moderne dhe të bien dakord. Është një Europë ku një përpjekje e harruar nga një burrështetas bavarez mund të bëhet rrënja e një miqësie të sotme.

Mikpritësve tanë në Bavari u them faleminderit me gjithë zemër, jo vetëm për këtë ftesë, por për shembullin që vazhdoni të jepni. Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore nuk janë të kundërta — janë binjake, se begatia pa poezi është e zbrazët, se pushteti pa kujtesë është i verbër, se Europa pa shpirt, nuk është më Europë. Dhe nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet, njëkohësisht, të rishpikim veten, për të mbrojtur shpirtin e Europës.

Më lejoni të falënderoj edhe Kryeministrin tuaj, Markus Söder, jo vetëm si një burrështetas me bindje dhe qartësi, por si mik. Shqipëria e vlerëson zërin e tij, vizionin e tij për Bavarinë dhe respektin e tij për larminë europiane. Dhe unë, personalisht, vlerësoj ngrohtësinë dhe mirëkuptimin që ka shfaqur Kryeministri juaj, të cilat, më besoni, nuk janë aq të zakonshme sa duhet në qarqet e larta të kontinentit tonë.

Le të bëjë sonte muzika që do të dëgjojmë atë që fjalimet nuk mundin e le t’i shtojë bukuria e këtij pallati atë që fjalët s’e bëjnë dot. Le ta mbartë shpirtin e Europës, atë që Ludvigu e dëgjoi, kur të tjerët nuk dëgjonin asgjë. Atë që duhet ta mbrojmë jo vetëm në traktate dhe jo thjesht me ushtarë, por në rrugët tona, në klasat e fëmijëve tanë dhe skutat e heshtura të ëndrrave.

Le të jemi siç ishte Ludvigu, pak të çmendur, të paktën një grimë, ndoshta jo edhe aq sa ai. Të çmendur deri aty sa të besojmë në bukuri, të marrë deri aq sa ta mbrojmë. Të çmendur mjaft aq sa ta bëjmë bukurinë sërish zemrën e Europës. Ju faleminderit!”

 

1 nga 5

/m.m/

The post Rama i ftuar nderi në festivalin në Bavari: Të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e Europës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 4.76 milionë vizitorë të huaj në gjashtë muajt e parë të 2025

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Bukuritë e Shqipërisë, që nga majat e Alpeve të thepisura, brigjet magjepsëse të rivierës shqiptare dhe të Adriatikut, sitet e trashëgimisë në UNESCO, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe natyrorë, parqet kombëtare, fshatrat e bukur turistikë nga veriu në jug, kulinaria dhe prodhimet tradicionale tërhoqën 4.76 milionë të huaj gjatë 6 muajve të këtij viti.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se këto shifra janë tregues i një rritjeje të stabilizuar të flukseve hyrëse dhe ekuilibrave të qëndrueshëm në menaxhimin e ofertës turistike.

“Ndërsa 1.32 milionë vizitorë të huaj vetëm gjatë qershorit janë fryt i një pune të suksesshme dhe përgjegjësi e shtuar për të gjithë në monitorimin e sezonit turistik veror”, vlerësoi kryeministri.

Konkretisht në qershor 2023 Shqipërinë e vizituan 1 007 033 turistë të huaj, ndërsa në qershor 2024 vendi u vizitua nga 1 244 967 të huaj.

Ndërkohë në qershor 2025 Shqipërinë e vizituan 1 329 204 turistë të huaj ose 7% më shumë krahasuar me qershor 2024.

Për periudhën janar-qershor 2023 janë regjistruar 3 396 932 turistë të huaj, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 ishin 4 547 896.

Ndërkohë për periudhën janar-qershor 2025 rezultojnë 4 761 648, ose 5% më shumë krahasuar me periudhën janar-qershor 2024.

/m.m/j.p/

The post Rama: 4.76 milionë vizitorë të huaj në gjashtë muajt e parë të 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Dajçi në breg të Bunës, destinacion tërheqës për turistët e huaj


TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në brigjet e lumit Buna, në zonën e Dajçit të Shkodrës, ndodhet një plazh i vogël që po kthehet në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

I rrethuar nga gjelbërimi dhe ujërat e pastra të Bunës, ky plazh ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se Dajçi, në breg të Bunës, është shndërruar tashmë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët e huaj.

Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionin e dy prej tyre që vinin nga Malta dhe Spanja për të pushuar  pranë brigjeve të Bunës.

“Jam nga Malta, është hera e dytë që vij. Ma kanë sugjeruar miqtë e mi që janë shqiptarë. Më së shumti më pëlqen natyra këtu dhe temperaturat të cilat nuk janë shumë të larta dhe janë më të përshtatshme se ato në vendin prej nga vij. Sidomos për muajin korrik dhe gusht Malta është shumë e nxehtë”, u shpreh një turist.

Ai tha se fillimisht do të qëndrojë këtu për dy javë dhe në vijim do të qëndrojë më shumë në veri të vendit.

“E rekomandoj shumë Shqipërinë. Është një vend fantastik, me natyrë të mrekullueshme, njerëz shumë mikpritës dhe ushqim fantastik”, tha ai.

“Jam nga Spanja dhe më pëlqen shumë këtu plazhi. Uji është krejtësisht i pastër dhe më pëlqen që mund të bëj padel”, tha një tjetër.

Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale, plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.

/m.m/j.p/

The post Rama: Dajçi në breg të Bunës, destinacion tërheqës për turistët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Forcojmë sistemin e kujdesit alternativ dhe familjeve kujdestare

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se po punohet për një kuadër të ri ligjor, të përafruar me direktivat e BE-së, që forcon sistemin e kujdesit alternativ dhe familjeve kujdestare.

Kuadri i ri ligjor, sipas ministres Koçiu do të ketë kritere të qarta, mbështetje institucionale dhe vlerësim të vazhdueshëm profesional.

Koçiu zhvilloi sot një vizitës në Vlorë, ku takoi vogëlushen Sabrina, e cila sot rritet me dashuri në familjen kujdestare Fezaj.

“Nga një institucion përkujdesi rezidencial në Vlorë, në një shtëpi të ngrohtë ku merr mbështetje emocionale, ndjek shkollën dhe rritet mes dashurisë familjare, historia e saj është një shembull i prekshëm i transformimit përmes reformës së deinstitucionalizimit”, u shpreh ministrja.

Koçiu nënvizoi se synimi është që “të kemi gjithnjë e më shumë histori si ajo e Sabrinës, fëmijë që rriten me dashuri, siguri dhe shpresë për një të ardhme më të mirë”.

/m.m/j.p/

The post Koçiu: Forcojmë sistemin e kujdesit alternativ dhe familjeve kujdestare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkëpunim me policinë greke, arrestohet 39-vjeçari me qëllim ekstradimi në Shqipëri

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët grekë u mundësua lokalizimi në Greqi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri i një shtetasi shqiptar.
Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për sigurimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Policia ndaloi D. M. alias D. M., 39 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 9 shkurt 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Shtetasi D. M. akuzohet se më datë 4 shkurt 2025, në qytetin e Korçës, ka tentuar të vrasë shtetasin E. Sh., 40 vjeç, duke e goditur me mjet prerës (thikë).
Interpol Tirana dhe Interpol Athina do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
/m.m/

The post Bashkëpunim me policinë greke, arrestohet 39-vjeçari me qëllim ekstradimi në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpejtësi mbi normat, Policia Rrugore penalizon dhjetëra drejtues mjetesh

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Policia Rrugore po vijon monitorimet intensive me poliscanë në akset nacionale, me fokus në ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore.

Dhjetëra drejtues automjetesh janë evidentuar nga poliscanët, vetëm në një hark kohor prej një ore duke lëvizur me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar.

Me shpejtësi gati dyfish mbi normën e lejuar ata janë kthyer në rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Rrugore paralajmëron se sjellje të tilla përbëjnë rrezik real për përfshirje në aksidente me pasoja për jetën e vetë drejtuesve, pasagjerëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Zbato rregullat e qarkullimit rrugor. Mos rreziko jetën”, është apeli i Policisë Rrugore ndaj drejtuesve të mjeteve.

1 nga 3

/m.m/j.p/

The post Shpejtësi mbi normat, Policia Rrugore penalizon dhjetëra drejtues mjetesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria uron Francën për Ditën Kombëtare: Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Francës po rritet me projekte të reja në inovacion, turizëm dhe arsim, ndërkohë që partneriteti strategjik vazhdon të forcohet dhe të konkretizohet në fushën e mbrojtjes.

Ambasada e Shqipërisë në Francë ndau sot momente nga vizitat e nivelit të lartë, të cilat kulmuan me vizitën e dytë në Shqipëri të presidentit Emmanuel Macron.

“Franca feston këtë vit 14 Korrikun me moto kryesore reziliencën, angazhimin, unitetin dhe solidaritetin, por edhe duke përkujtuar 85-vjetorin e thirrjes së 18 Qershorit të gjeneralit De Gaulle. Me këtë rast, u shprehim miqve francezë urimet më të mira për unitet dhe prosperitet, teksa riafirmojmë lidhjet e thella dhe historike që bashkojnë Shqipërinë dhe Francën”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës së Shqipërisë në Francë.

Në vitin 2025, marrëdhëniet mes dy vendeve njohën një hap tjetër të madh përpara me vizitën e dytë në Shqipëri të presidentit Emmanuel Macron, me vizitën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në Paris dhe atë të ministrit francez për Evropën Benjamin Haddad në Tiranë.

“Mbështetur në angazhimin e përbashkët ndaj vlerave evropiane, bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Francës po rritet me projekte të reja në inovacion, turizëm dhe arsim, ndërkohë që Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet dhe të konkretizohet në fushën e mbrojtjes”, shprehet Ambasada shqiptare në Francë.

/m.m//r.e//a.f/

The post Shqipëria uron Francën për Ditën Kombëtare: Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Nis pastrimi i inerteve në Theth, Rama: Rilindja Urbane 2.0, jetike për Shqipërinë 2030

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Në Theth ka nisur sot, me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aksion, ndërsa siguroi se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje, nga ato me mure, tek ato me kontruksion metalik e me dru, në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT-së dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale”.

“Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh kryeministri Rama.

1 nga 2

/m.m//r.e//a.f/

The post Nis pastrimi i inerteve në Theth, Rama: Rilindja Urbane 2.0, jetike për Shqipërinë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas dorëheqjeve, Bashkia Shkodër njofton hapjen e konkursit për vakancat

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Bashkia Shkodër ftoi sot të gjithë profesionistët të bëhen pjesë e administratës vendore.

Përmes një thirrjeje të hapur, kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh se “sot, dyert e bashkisë janë të hapura për të gjithë, për arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, zjarrfikës apo efektivë të Policisë Bashkiake”.

“Të gjithë ata që besojnë se mund të japin kontributin e tyre për të ndërtuar së bashku qytetin tonë, njësitë administrative dhe të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër, janë të ftuar të bëhen pjesë e një procedure të thjeshtë dhe të shpejtë: Dërgoni një email me CV-në tuaj në adresën info@bashkiashkoder.gov.al”, tha Beci.

Po ashtu ai u shpreh se të interesuarit mund të aplikojnë për një pozicion konkret, në vendet vakante që janë të hapura për të gjithë në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër: www.bashkiashkoder.gov.al.

“Bashkia e hapur për profesionistët dhe për të gjithë ata që e duan Shkodrën”, tha Beci.

Pas analizës së performancës së institucioneve vendore dhe një sërë dorëheqjesh nga pozicione të ndryshme, në bashkinë e Shkodrës ka nisur tashmë edhe procesi i rekrutimit për vendet vakante.

/m.m//a.f//r.e/

The post Pas dorëheqjeve, Bashkia Shkodër njofton hapjen e konkursit për vakancat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Wanderlust in Albania 2” promovon trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të jugut

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ I shtrirë buzë detit Jon dhe shpateve të maleve, Dhërmiu ofron  po ashtu edhe trashëgiminë historike dhe kulturore me objektet e shumta monument kulture.

Në vijim të promovimit të potencialeve turistike të vendit, “Wanderlust in Albania 2” përcolli fotografinë me titull “Chapel”, realizuar nga Harry Waite nga Mbretëria e Bashkuar.

E shkrepur në perëndim të diellit, kjo vepër paraqet një nga kishat karakteristike të fshatit të vjetër të Dhërmiut.

Fotografia ishte pjesëmarrëse në kategorinë Arkitekturë të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video “Reels”, duke ofruar një vështrim artistik mbi trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të jugut të Shqipërisë.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

/m.m//a.f//r.e/

The post “Wanderlust in Albania 2” promovon trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të jugut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Terminali i autobusëve në Sarandë, investim që përmirëson qarkullimin e mjeteve

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Punimet për ndërtimin e terminalit të ri të autobusëve në Sarandë po ecin me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i Stacionit të Autobusëve në Sarandë, një investim që do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.

Ndërsa e cilësoi si “Qendrën e Mirëseardhjes”, Rama u shpreh se “terminali do të përmirësojë qarkullimin dhe mikpritjen në hyrje të qytetit”.

Terminali i ri i autobusëve garanton hapësira për parkim për makina, si dhe zona të dedikuara për autobusë, taksi dhe mjete elektrike.

Po ashtu ky terminal do të ketë edhe hapësira të posaçme për motorë e biçikleta, si dhe zyra shërbimi për vizitorët.

I vendosur në një strukturë me tre kate, terminali ka një sipërfaqe prej 3700 m² për çdo kat.

Terminali i autobusëve është shumë i rëndësishëm për Sarandën, pasi fluksi i turistëve dhe numri i autobusëve që hyjnë dhe dalin në Sarandë është shumë i madh, sidomos gjatë sezonit veror.

/m.m//r.e//a.f/

The post Rama: Terminali i autobusëve në Sarandë, investim që përmirëson qarkullimin e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U shpall në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet në policinë e Himarës ish-shefi i krimeve Erjon Dani

11 July 2025 at 19:52

Ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë Erjon Dani është vetëdorëzuar në policinë e Himarës, pasi është informuar nga mediat se ndaj tij kishte një urdhër arresti të firmosur nga SPAK.

Klodiana Lala raporton se Erjon Dani dyshohet për veprat penale ndikimi të paligjshëm dhe shpërdorim të detyrës gjatë kohës që ndodhej në radhët e policisë së shtetit.

SPAK goditi ditën e sotme një grup kriminal që operonte në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.

Në pranga përfunduan 8 persona, përfshi dhe Erjon Danin që u vetëdorëzua ndërsa 5 të tjerë mbeten në kërkim. Grupi kriminal u godit nga zbërthimi i komunikimeve në SKYECC.

The post U shpall në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet në policinë e Himarës ish-shefi i krimeve Erjon Dani appeared first on Sot News | Lajme.

Sfida, probleme familjare dhe thyrje zemrash, Chrysanthi Kalogeri flet per jave te ‘frikshme’

11 July 2025 at 19:37

Java që pason sjell ndryshime dhe sfida të rëndësishme për të gjitha shenjat e zodiakut, pasi Mërkuri që kthehet në prapavijë në datën 18 në Luan ndjell nevojën për reflektim dhe kujdes në komunikim.

Sipas astrologes Chrysanthi Kalogeri dhe parashikimit të saj në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kjo vlen sidomos në fushat e krijimtarisë, financave dhe marrëdhënieve personale.

Datat 18 dhe 19 janë vendimtare për takime të papritura, rifillimin e kontakteve nga e kaluara dhe mundësi për të stabilizuar disa çështje në familje, punë dhe marrëdhënie. Kujdesi dhe durimi janë të domosdoshëm në fundjavë për të shmangur keqkuptimet dhe tensionet.

Dashi – Mërkuri që kthehet në datën 18 në prapavijë në Luan sjell pengesa në projektet krijuese për jetën e të ardhmen, me fëmijët, por mund të rikthejë dikë nga e kaluara nga i cili prisni një telefonatë ose mesazh.

Këtë javë jeni të ndikuar të lindurit në mes të shenjës. Përfitoni nga data 18-19 për të udhëtuar, për të komunikuar lidhur me realizimin e planeve, mund të keni takime që s’i prisnit dhe të afërm që s’i keni parë prej kohësh. Në këtë datë, kujdes të lindurit në fund të shenjës në çështjet që lidhen me familjen, prindërit, shtëpinë ose gjërat që kanë të bëjnë me jetën personale. Kujdes në punë dhe përditshmëri në fund të javës.

Demi – Jeni në një periudhë ku keni shanse për sferën financiare. Mërkuri që kthehet në prapavijë në Luan krijon shanse të afroheni me prindërit, familjen, të mblidheni rreth një tryeze dhe të hapni biseda për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me shtëpinë dhe do të keni ndihmë dhe mbështetje financiare nga familjarët, të afërmit, ose do të shpenzoni për disa rregullime. Është një periudhë erotike sepse me Marsin në Virgjëreshë keni një atmosferë komunikimi. Kujdes në fund të javës sepse mund të rrezikohen marrëdhëniet personale ose një projekt krijues. Kini kujdes nga ana psikologjike sepse mund të keni disa presione nga rrethi juaj.

Binjakët – Jeni në një fazë ku me Uranin në shenjën tuaj, të lindurit në dy ditët e para të shenjës shikojnë që diçka po ndryshon ose ju vetë keni nevojë për liri. Afërdita në shenjën tuaj krijon shanse për të arritur me lehtësi ato që doni, por kalimi i Mërkurit në prapavijë në Luan krijon një antitezë. Mund të bini në mendime, të jeni më të tërhequr dhe të rishikoni disa plane. Keni mundësi të thelloheni, të bëni plane e mendime që mund të shihni ndryshe disa gjëra. Në datën 18-19 keni mundësi për takime të këndshme me njerëz nga e kaluara që mund t’ju japin këshilla të dobishme. Lëreni për më vonë atë që keni ndërmend dhe mos blini gjëra të reja. Kujdes me këmbënguljen dhe kokëfortësinë.

Gaforrja – Fokusoheni te vetja, por edhe te sfera profesionale e sociale. Gjatë kësaj periudhe, me Mërkurin në prapavijë do të merreni me financat dhe mund të keni pengesa. Jo se s’doni të merrni para, por mund të keni disa vonesa. Mund të merrni detyrime nga të tjerët ose do të detyroheni të shlyeni dikë. Data 18-19 sjell mbështetje ekonomike për një plan ose synim. Këtë do ta keni nga miqtë ose të afërmit. Kujdes me udhëtimet në fundjavë, mund të keni një pengesë.

Luani – Mërkuri në prapavijë në shenjën tuaj ju fton të rishikoni gjërat, të bëni introspektivë, të ndryshoni disa plane që nuk shkojnë dhe duhet të jeni më të tërhequr, të punoni me veten dhe t’i realizoni gjërat më mirë. Është momenti të krijoni sepse do të keni frymëzim. Evitoni keqkuptimet, mos reagoni menjëherë. Data 18-19 sjell shanse për të takuar miq ose njerëz të dobishëm që do t’ju ndihmojnë në realizimin e synimeve që do t’i vini në zbatim. Kujdes me financat në fundjavë.

Virgjëresha – Gjëra shumë interesante në sferën profesionale dhe sociale. Ka një antitezë në këtë periudhë, nga një anë Marsi në shtëpinë tuaj ju bën shumë aktivë, me punë e të vraponi, nga ana tjetër, Afërdita në shtëpinë e dhjetë që ka të bëjë me karrierën, anën sociale, Urani ju krijon një periudhë me aktivitet, por Mërkuri në prapavijë ju bën të zbrazët ose t’i mendoni gjërat më thellë. Kjo s’është e keqe, por është momenti të rishikoni gjërat dhe të mos reagoni menjëherë. Mendohuni dy herë para se të flisni. Evitoni bisedat e tepërta që të tjerët mund t’ju japin shkas për të thënë gjëra pas shpine. Vazhdoni të jeni të kujdesshëm në sferën financiare dhe në detyrimet që kanë të bëjnë me të tjerët.

Peshorja – Do të keni shanse të afroheni me miqtë nga e kaluara, të takoni njerëz në rrjetin social që mund t’ju ndihmojnë, madje nëse ju ka premtuar për diçka në të kaluarën dhe s’e ka realizuar, mund t’ia rikujtoni. Me Mërkurin në prapavijë është mirë të mos firmosni, të konsultoheni, por të prisni derisa të kalojë në kurs të drejtë. Është periudhë shumë e mirë ku do të afroheni me miqtë, do të udhëtoni dhe do të rishikoni planet e së kaluarës.

Akrepi – Me Mërkurin në prapavijë duhet të fokusoheni në jetën tuaj sociale, kështu që çështjet e së shkuarës, në punë, në jetën sociale, në karrierë mund të dalin në pah. Mund të keni pengesa kështu që mund të ikni në pushime. Lini mbresa sa më të mira në jetën sociale që të evitoni çdo keqkuptim. Fokusohuni te një ndihmë financiare që doni për punën, të cilën do ta gjeni në datën 18-19. Kujdes në marrëdhëniet miqësore në fund të javës.

Shigjetari – Është periudhë shumë interesante për fushën e marrëdhënieve personale ku keni kaluar në një fazë të re dhe ndikohen të lindurit në ditët e para të shenjës. Kini kujdes në punë, karrierë, jetën sociale ku mund të arrini shumë gjëra por pa konflikte me të tjerët në fund të javës. Mund të përfitoni nga data 18-19 për t’u afruar me të dashurit, të udhëtoni ose të njihni dikë. Mund të shkoni në vende që keni qenë dikur dhe sigurohuni të jeni organizuar gjithçka që të mos vraponi në momentin e fundit.

Bricjapi – Me Mërkurin në prapavijë, fokusohuni te sfera financiare dhe detyrimet ndaj të tjerëve, ndaj bankave, tatimeve dhe mos firmosni për një hua që keni kërkuar. Rishikoni nevojat në kombinim me dëshirat më të thella dhe do të korrigjoni përditshmërinë në harmoni me anën financiare që të jetë sa më rezultative. Mund të udhëtoni dhe të keni takime të rëndësishme, të takoni njerëz që do të lënë gjurmë në jetën personale dhe ndryshimin e planeve që keni për të ardhmen.

Ujori – Kryesorja është fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve. Nga njëra anë mund të keni keqkuptime e largime, nga ana tjetër rikthimin e klientelës, bashkëpunimeve ose ish-it. Më 18-19 janë ditë shumë të mira për të riparuar një krizë në çift, të flisni me fëmijët dhe të zgjidhni problemet. Kini kujdes me financat në fund të javës dhe në mënyrën sesi i perceptoni gjërat brenda jush, nevojat dhe dëshirat më të thella.

Peshqit – Një fazë e mirë dhe kontradiktore. Nga ana tjetër, shtëpia e pestë me Jupiterin dhe diellin krijon shanse shumë të mira për t’u afruar me të dashurin, nga ana tjetër Marsi ju fut në konflikte me bashkëpunëtorët, bashkëshortin etj. dhe duhet të keni kujdes, sidomos të lindurit në fund të 10-ditëshit të dytë dhe fillim të 10-ditëshit të parë, kryesisht në fund të javës sepse disa acarime mund të shkojnë deri në ndarje, qoftë edhe të përkohshme. E hëna është një ditë ku mund të ndiheni optimistë, të martën të keni disa acarime, ndërsa në datën 18-19 mund të përfitoni për të rregulluar gjërat që lidhen me shtëpinë, familjen dhe të përfitoni lidhur me organizimin e përditshmërisë që të jetë sa më e dobishme për ju

The post Sfida, probleme familjare dhe thyrje zemrash, Chrysanthi Kalogeri flet per jave te ‘frikshme’ appeared first on Sot News | Lajme.

Tërmeti i fortë ‘shkund’ këtë vend, ja sa ishte magnituda

11 July 2025 at 19:31

Një tërmet me magnitudë 5 ndodhi pranë brigjeve të Zakinthos në perëndim të Peloponezit në orën 19:24 të premten, (ora lokale)

Sipas Institutit Gjeodinamik, tërmeti ishte me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte 60 kilometra në perëndim, në jugperëndim të Strofades dhe thellësia fokale ishte 10.8 kilometra. Deri tani nuk raportohet për viktima.

 

The post Tërmeti i fortë ‘shkund’ këtë vend, ja sa ishte magnituda appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌