Masakër në kampin e zhvendosurve në Sudan/ 1 mijë e 500 civilë të vrarë nga forcat paraushtarake
Më shumë se 1 mijë e 500 civilë dyshohet se janë masakruar gjatë një sulmi të zhvilluar në prill mbi kampin më të madh të zhvendosurve në Sudan, në një nga krimet më të rënda të luftës që nga fillimi i konfliktit shkatërrues në vend
Një hetim i gazetës britanike The Guardian për sulmin 72-orësh të forcave paraushtarake të Rapid Support Forces (RSF) mbi kampin Zamzam në Darfurin Verior kampi më i madh për personat e zhvendosur nga lufta ka dokumentuar dëshmi të shumta për ekzekutime masive dhe rrëmbime në shkallë të gjerë. Qindra civilë ende rezultojnë të zhdukur
Përmasat e viktimave të dyshuara e bëjnë këtë sulm të dytin më të rëndë për nga numri i të vrarëve në këtë luftë, pas një masakre etnike të ndodhur në Darfurin Perëndimor dy vite më parë.
Lufta ndërmjet RSF-së, e udhëhequr nga arabë, dhe ushtrisë sudaneze shpërtheu në prill të vitit 2023 dhe ka qenë e shoqëruar nga mizori të përsëritura, që kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe kanë shkaktuar krizën më të madhe humanitare në botë.
Deri tani, raportimet për sulmin në Zamzam (11–14 prill) flisnin për rreth 400 civilë jo-arabë të vrarë. Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se “qindra” janë vrarë.
Megjithatë, një komitet i ngritur për hetimin e numrit të viktimave thotë se ka dokumentuar deri më tani mbi 1 mijë e 500 të vrarë, një shifër që mund të rritet ndjeshëm, pasi shumë trupa ende nuk janë nxjerrë nga rrënojat në kampin që aktualisht kontrollohet nga RSF.
“Trupat ndodhen brenda shtëpive, në fusha dhe nëpër rrugë,” deklaroi për The Guardian Mohammed Sharif, pjesë e administratës së mëparshme të kampit.
Një ekspert i krimeve të luftës me përvojë dekadash në Darfur, i cili ka intervistuar dhjetëra të mbijetuar nga Zamzam, beson se numri i të vrarëve mund të arrijë deri në 2 mijë. Duke folur në kushte anonimiteti, ai theksoi se niveli i dhunës ishte i pashembullt, madje edhe krahasuar me masakrat ndaj grupeve etnike afrikane gjatë viteve 2000 nga milicitë arabe që më vonë formuan RSF-në.
“Çdo person që ka arritur të shpëtojë, ka humbur një anëtar familjeje. Diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë,” shtoi ai.
Sipas Abdallah Abugarda, nga Shoqata e Diasporës së Darfurit në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 4 mijë e 500 anëtarë të organizatës së tij njohin personalisht dikë mik apo të afërm që ka humbur jetën në sulm. Ai tha gjithashtu se të paktën 2 mijë banorë të Zamzam mbeten të zhdukur.
“Masakra në Zamzam një vendstrehim për të zhvendosurit për më shumë se 20 vjet është një nga krimet më të rënda në historinë e fundit të njerëzimit. Megjithatë, bota është treguar e heshtur,” theksoi Abugarda
Zëvendësshefjа për emergjencat në Médecins Sans Frontières (MSF), Claire Nicolet, deklaroi se sulmi goditi “një nga popullsitë më të pambrojtura në planet”. Sipas saj, të mbijetuarit janë përballur me “plaçkitje të përhapura, dhunë seksuale dhe kushte të mjerueshme në vendet e tranzitit”.
Një numër i madh grash janë rrëmbyer dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Mohammed Sharif tha se të paktën 20 prej tyre janë dërguar në qytetin Nyala, një nga bastionet e RSF-së, rreth 160 km nga Zamzam./abcnews.al