Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras
TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit, Bashkia Himarë është përballur me një situatë të vështirë zjarresh në zonat Borsh, Piqeras dhe Sasaj, me rrezik të lartë për banesat dhe jetën e qytetarëve.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo njoftoi sot se aktualisht ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.
Sipas Tavos, situata mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Tavo njoftoi se gjatë gjithë natës, në një front të gjerë dhe kompleks, të gjitha kapacitetet tona janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve.
“Efektivët e MZSH të Bashkisë Himarë, të mbështetur nga Forcat e Armatosura, Sektori i Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor, si dhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, punuan në koordinim të plotë për të përballuar flakët, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të shmangur dëmet materiale në banesa e prona”, tha Tavo.
Tavo tha se “falë përpjekjeve të palodhura, u neutralizuan dy fronte të rrezikshme në Sasaj dhe Piqeras, duke evituar përhapjen e zjarrit në zona të banuara”.
“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, për shkak të ndryshimit të erës, një fron i fuqishëm kaloi rrugën nacionale në fshatin Borsh (lagjja Vonja – drejt Shkallës). Ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e djegies së banesave. Për arsye sigurie, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u evakuuan rreth 40 qytetarë nga zonat më të rrezikuara”, njoftoi Tavo,
Bashkia Himarë shprehu mirënjohje ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, për gatishmërinë dhe mbështetjen e menjëhershme, veçanërisht për ndërhyrjen nga ajri me helikopterët e Forcave të Armatosura, që ka qenë vendimtare në kontrollin e fronteve aktive të zjarrit dhe në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
/m.q/j.p/
The post Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.