Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 July 2025Main stream

Durmishi prezantoi programin për punë të dobishme komunale, parashikohet të përfshihen 300 persona të papunë

24 July 2025 at 19:20

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi prezantoi masën e re të Planit operativ për vitin 2025 – Programi Punë e dobishme -komunale, me të cilin parashikohet angazhim i 300 personave të papunë për të siguruar shërbime sociale dhe shëndetësore në nivel lokal.

Siç sqaroi Durmishi, programi nuk është i dedikuar për punë komunale, por për mbështetje të drejtpërdrejtë të kategorive të rrezikuara të qytetarëve, duke përfshirë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, si dhe fëmijët nga familjet e rrezikuara sociale.

Shërbimet e parashikuara përfshijnë kujdesin ditor, ndihmën në kushte shtëpiake, mbështetjen për jetesë të pavarur, si dhe asistentët arsimorë dhe personalë për fëmijët.

“Thirrja publike zgjat deri më 8 gusht të vitit 2025 dhe është i dedikuar për komunat dhe Qytetin e Shkupit. Të papunët që do të përfshihen do të marrin kompensim bruto prej 28.000 denarë në muaj për një periudhë prej 18 muajsh, me atë që gjashtë muajt e parë do të financohen nga shteti dhe pjesa tjetër nga vetëqeverisja lokale”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Ministri Durmishi, thuhet në njoftim, informoi edhe për rritjen e buxhetit për masat aktive të punësimit nga 16,08 milionë euro në 23,57 milionë euro, si dhe për përfshirjen e rritur të përdoruesve – për 815 persona të rinj në programet e vetëpunësimit.

The post Durmishi prezantoi programin për punë të dobishme komunale, parashikohet të përfshihen 300 persona të papunë appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Perinski: Realizimi i projekteve nga thirrja e dytë fillon pasi komunat të bëjnë ribalancin e buxhetit

23 July 2025 at 13:14

Komunat duhet të bëjnë ribalancin e buxhetit dhe ndryshime në Planin për furnizimet publike, pas së cilës menjëherë mund të hapin procedurat për zgjedhjen e kontraktorëve të projekteve me të cilat kanë aplikuar për përdorimin e fondeve nga thirrja e dytë nga kredia hungareze, theksoi sot ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllato Perinski.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se kur komunat do të mund të përdorin paratë nga thirrja e dytë, për të cilën disa ditë më parë kryetarët e komunave nënshkruan marrëveshje me ministrat në Qeveri, Perinski theksoi se afati për implementim nuk mund të parashikohet në këtë moment.

“Kemi projekte të cilët janë në nivel më pak se një milion denarë, por, kemi edhe projekte që janë mbi 150 milionë denarë dhe dinamika e kryerjes së punëve, vërtetë varet shumë nga madhësia e projektit. Pres dhe është në interes të qytetarëve dhe të vetë kryetarëve të komunave, që dinamika nga thirrja e dytë të realizohet në përputhje me rrethanat, në mënyrë të ngjashme me atë si është realizuar implementimi i mjeteve nga thirrja e parë”, tha Perinski.

I pyetur se sa projekte janë realizuar nga thirrja e parë nga kredia hungareze, Perinski u përgjigj se më shumë se gjysma e projekteve të para të paraqitura nga thirrja e parë janë realizuar.

Ministri pret që këto projekte të japin një ndikim pozitiv në cilësinë e jetës së qytetarëve. Bëhet fjalë për një shumë prej mbi 19 miliardë denarësh, ndërsa numri i përgjithshëm i projekteve është 1.116.

Kryeministri Hristijan Mickoski më 17 korrik, kur u nënshkruan marrëveshjet për projektet për përdorimin e fondeve nga thirrja e dytë e kredisë hungareze, tha se me rreth 14 miliardë denarë ose 225 milionë euro do të financohen 828 projekte në komunat.

Pjesa më e madhe e projekteve (589) janë nga fusha e transportit, për të cilat do të ndahen mbi tetë miliardë denarë, pas çka pasojnë projektet nga fusha e mjedisit (143), për të cilat do të investohen mbi 2,4 miliardë denarë, arsimi (48), për të cilat do të investohen 1,6 miliardë denarë, ndërsa ka edhe projekte në fushat e kulturës, sportit dhe politikës sociale.

The post Perinski: Realizimi i projekteve nga thirrja e dytë fillon pasi komunat të bëjnë ribalancin e buxhetit appeared first on Telegrafi.

Gruaja që ndryshoi mënyrën si i shohim shimpanzetë – dhe vetë qenien njerëzore

23 July 2025 at 11:56

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 14 korrik 1960, plot 65 vjet më parë këtë javë, një grua e re angleze, pa formim shkencor apo kualifikime formale, zbriti nga një varkë në Rezervatin Natyror Gombe në Tanzani, për të nisur një studim që do të shndërrohej në një qasje pioniere në vëzhgimin e shimpanzeve të egra. Zbulimet e saj nuk revolucionarizuan jo vetëm kuptimin tonë mbi sjelljen e kafshëve, por riformësuan edhe mënyrën se si e përkufizojmë veten si qenie njerëzore.

Edhe pse ishte vetëm 26 vjeçe në atë kohë, Jane Goodall kishte ëndërruar prej kohësh të studionte dhe të jetonte me kafshët. “Mesa duket, qëkur isha rreth një vjeçe e gjysmë apo dy vjeçe, studioja insektet, çfarëdo gjëje, dhe kjo gradualisht u zhvillua dhe u rrit, e pastaj lexova librat si Doktor Doulitël dhe Tarzani, dhe atëherë vendosa që Afrika duhej të ishte qëllimi im”. i tha ajo prezantuesit Terry Wogan, në emisionin e tij në BBC më 1986.

Pasi përfundoi shkollën, Goodall ndoqi një kurs sekretarie në kohën kur punonte si kameriere dhe asistente në prodhimet filmike – për të financuar ëndrrën e fëmijërisë. Deri në vitin 1957, më në fund kishte kursyer mjaftueshëm para për të udhëtuar dhe për të vizituar një shoqe në Nairobi të Kenisë. Gjatë qëndrimit atje, ajo arriti të organizonte një takim me paleoantropologun e njohur keniano-britanik, profesorin Louis Leakey – me shpresën për të biseduar me të për kafshët. Leakey, sekretarja e të cilit sapo ishte larguar, u impresionua aq shumë nga vendosmëria e qetë e Goodallit dhe njohuritë e saj të gjera, të fituara nga vetë ajo për faunën afrikane, saqë i ofroi një punë si asistente e tij në muzeun e historisë natyrore.

Leakey u bë më pas mentori i saj. “Ishte ai që tha: ‘Jam duke kërkuar dikë që të studiojë shimpanzetë, për shkak të dritës që sjell sjellja e tyre në kuptimin e sjelljes njerëzore në kohët më të hershme’”, i tha ajo Woganit. Leakey e pa mungesën e një formimi akademik shkencor si përparësi, jo si pengesë, duke besuar se vëzhgimet e saj nuk do të kufizoheshin nga teoritë e gatshme shkencore.

Goodall nuk ishte e vetme në udhëtimin drejt Rezervatit Gombe. Për të përmbushur rregullat e kohës të sigurisë koloniale, nëna e saj, Vanne, udhëtoi me të si shoqëruese. “Fillimisht nuk më lejonin të isha vetëm”, i tha ajo BBC-së. “Qeveria britanike, ashtu siç ishte atëherë, tha: ‘Jo, është pothuajse amorale që një vajzë e re të dalë vetëm në xhungël’. Kështu që më duhej të zgjidhja një shoqëruese, dhe nëna ime qëndroi me mua për tre muaj”.

Muajt e parë ishin jashtëzakonisht të vështirë, si për Goodallin ashtu edhe për nënën e saj, të cilat fituan malarien ndërsa qëndronin në një tendë ushtarake të përdorur më parë. Edhe kur Goodall ishte mjaftueshëm e shëndetshme për të hyrë në rezervat, mund të shkonte vetëm me një shoqërues lokal – dhe shpesh, sapo shimpanzetë dëgjonin hapat që afroheshin, fshiheshin menjëherë në shkurre. Por, ndërsa ajo mësoi shtigjet e pyllit dhe u ambientua me lëvizjen përmes terrenit të dendur, “autoritetet vendosën që, mirë, isha e çmendur, por isha në rregull”, ka thënë ajo.

Pasi nisi të ecën vetëm nëpër kodrat me pyje, ajo filloi të shihte primatët e pakapshëm përmes dylbive nga një majë që mbikëqyrte dy lugina. Ishte koha kur Jane Goodall filloi të ndiqte një qasje të pazakontë dhe të thellë. Çdo ditë ajo afrohej përherë e më shumë drejt zonës së ushqimit të tyre, me shpresën se do të mund të ulej mes shimpanzeve dhe t’i studionte nga afër në habitatin e tyre natyror.

“Vishja të njëjtat rroba me të njëjtën ngjyrë çdo ditë dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme ishte që kurrë nuk e teprova”, i tha ajo BBC-së në programin Witness History në vitin 2014. “Kurrë nuk përpiqesha të afrohesha shumë. Prisja pranë një peme me fruta, ku e dija se do të vinin shimpanzetë, dhe kur largoheshin, nuk i ndiqja. Të paktën jo në fillim, sepse ndihesha se po e sforcoja fatin. Kështu, gradualisht filluan të më pranonin si të padëmshme”.

Ndërsa majmunët humbnin frikën ndaj saj, Goodall ishte në gjendje të ulej me orë të tëra, duke vëzhguar me durim sjelljen e tyre dhe sistemin e tyre të ndërlikuar shoqëror dhe deri atëherë të panjohur. Ajo zbuloi se shimpanzetë nuk ishin vegjetarianë, siç ishte besuar më parë, por se hanin gjithçka dhe se komunikonin me njëri-tjetrin për të gjuajtur mish. Ajo pati mundësinë të vëzhgonte afërsinë e lidhjeve familjare dhe se si individualiteti i çdo kafshe ndikon në sjelljen e tyre.

“Në shoqërinë e shimpanzeve, një femër mund të çiftohet me të gjithë meshkujt, ose mund të shkëputet dhe të mbahet vetëm nga njëri – dhe meshkujt kanë lidhje shumë të afërta mes vete”, i tha ajo Woganit. “Ata patrullojnë kufijtë e territorit të komunitetit, mbajnë të huajt larg, sjellin femra të reja si ‘gjak i ri’ dhe të gjithë sillen si baballarë të dashur, të duruar, të butë dhe mbrojtës ndaj të gjithë këlyshëve brenda atij komuniteti”.

Në vend që të përdorte një sistem numerik për subjektet e saj, siç ishte zakon në projektet kërkimore, Goodall u dha atyre emra, duke njohur personalitetin unik të çdo kafshe: një mashkull shimpanze e quajti David Greybeard. Ishte pikërisht duke e vëzhguar David Greybeardin kur ajo e vërejti, për herë të parë, duke krijuar dhe përdorur vegla ata – veprimtari që deri atëherë mendohej se ishte ekskluzivisht njerëzore. Në fakt, në atë kohë, krijimi i veglave – që kërkon mendim abstrakt për të parashikuar përdorimin e një mjeti në një situatë të ardhshme – konsiderohej një tipar përcaktues i qenies njerëzore.

“[Shimpanzetë] përdorin më shumë objekte të ndryshme, si mjete, sesa çdo krijesë tjetër – përveç vetes sonë. Për shembull, një degëz të vogël nga e cila i heqin gjethet – kështu e modifikojnë – për të ngrënë termite”, i tha ajo Woganit. “Një shkop të gjatë nga i cili heqin lëkurën për t’u ushqyer me një specie milingonash shumë të egra që kafshojnë, dhe ata i përtypin. Fletët për të pirë ujë nga një vrimë e vogël kur nuk arrijnë me buzë, ose për të fshirë gjakun nga trupi. Dhe, armë: gurë të cilët i hedhin, degë të mëdha të cilët i përdorin për frikësim ose për goditje”.

Në atë kohë, kjo ide ishte revolucionare dhe sfidonte dekada të tëra të mendimit konvencional shkencor. Që atëherë, studimet kanë përjetuar dëshmi të përdorimit të veglave në mbarë botën shtazore – nga oktapodi indonezian që përdor guaskat e hedhura të kokosit, nga njerëzit, si mburojë ndaj grabitqarëve, e deri te sorrat e Kaledonisë së Re që përkulnin degëzat dhe telat me sqepin për të krijuar grepa për të nxjerrë larvat nga lëvorja e pemëve.

Ndërsa Goodall rrinte e heshtur duke vëzhguar shimpanzetë, filloi të kuptojë se sa të ngjashme ishin lidhjet e tyre familjare dhe komunikimi joverbal me ato të njerëzve. “Nëse shimpanzetë takohen pas një ndarjeje, ata kapen për dore, përqafohen, puthen”, tha ajo. Kjo gjë e përbashkët me njerëzit shtroi “pyetje të reja për mënyrën se si po i rrisim fëmijët tanë në Perëndim”, i tha ajo Woganit.

“Epo, nëse e lëmë një fëmijë të qajë natën, nëse e lëmë për orë të gjata në karroce, nëse e çojmë në një qendër të kujdesit ditor ku ka lëvizje të vazhdueshme të personelit, mund të rrisim një fëmijë shumë inteligjent. Por, nga përvoja jonë me shimpanzetë që kanë pasur rritje të vështira, ka të dhëna që tregojnë se ai fëmijë, kur të rritet, mund të ketë vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të afërta me të tjerët – mund ta ketë më të vështirë përballimin e situatave stresuese. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha ajo.

Goodall kuptoi thellësisht se si sjelljet rituale dhe emocionet e shimpanzeve ngjajnë me ato të njerëzve. Dhe, ashtu si te njerëzit, edhe tek ata impulset shkatërruese dhe të dhunshme mund të çojnë në vrasje brutale. “Pas dhjetë vjetëve të parë zbuluam se, megjithëse shimpanzetë ishin shumë të ngjashëm me ne në sjelljen e tyre miqësore, ata ishin gjithashtu si ne në faktin që mund të bëheshin shumë agresivë. Zbuluam se në disa rrethana mund të ndodhte kanibalizmi dhe ndërveprimet midis komuniteteve – që në një farë mënyre i ngjajnë një forme primitive të luftës njerëzore”, tha ajo.

Në vitin 1962, me inkurajimin e Leakeyt, edhe pse nuk kishte një diplomë baçelor, ajo filloi studimet e doktoratës të bazuara në zbulimet e saj shumë të detajuara. Po atë vit, Shoqata Kombëtare Gjeografike [National Geographic Society] dërgoi fotografin dhe kineastin e njohur holandez të jetës së egër, Hugo van Lawick, për të dokumentuar punën e saj – që u përmblodh në dokumentarin e vitit 1965, Zonja Gudël dhe shimpanzetë e egra [Miss Goodall and the Wild Chimpanzees]. Me narracionin e lexuar nga Orson Welles, filmi ndihmoi që zbulimet e saj të bëheshin të njohura për publikun e gjerë. Van Lawick u bë burri i saj i parë dhe, në vitin 1967 – një vit pasi ajo fitoi titullin doktor – ata sollën në jetë një djalë të cilin e quajtën Hugo, por e thërrisnin Grub. Ata ndërtuan për të një strehë mbrojtëse, që t’i mundësonin Goodallit të qëndronte pranë tij dhe ta mbante atë të sigurt, ndërkohë që vazhdonte punën në terren.

“Shimpanzetë janë gjuetarë ashtu si ne”, i tha ajo Woganit. “Gjuajnë në mënyrë bashkëpunuese, gjuajnë gjitarë të përmasave mesatare. Ka pasur raste të dokumentuara kur kanë gjuajtur fëmijë njerëzorë, njësoj siç njerëzit kanë gjuajtur shimpanzetë. Dhe, kështu, kur djali ishte ende shumë i vogël dhe ende nuk ecte, ai qëndronte në një lloj verande të rrethuar, dhe gjithmonë duhej të kishte njerëz me të”.

Kërkimi i guximshëm i Goodallit në primatologji solli prova se njerëzit nuk janë të ndarë nga pjesa tjetër e mbretërisë shtazore, por se Homo Sapiensi dhe shimpanzetë ndajnë një paraardhës të përbashkët. Studimet që prej atëherë kanë treguar se shimpanzetë janë jashtëzakonisht të afërt, në aspektin gjenetik, me njerëzit – ndajnë rreth 98.6 për qind të ADN-së tonë.

“Kjo është thelbësorja”, ka thënë Goodall. “Sjelljet që shohim sot te njeriu dhe te shimpanzetë ka shumë gjasa të kenë qenë të pranishme edhe te paraardhësi ynë i përbashkët. Dhe, për këtë arsye, mund ta imagjinojmë njeriun e Epokës së Gurit që kishte marrëdhënie të gjata e miqësore me anëtarët e familjes, që përdorte degëza të vogla për të ngrënë, dhe që përqafohej me të tjerët. Më pëlqen ta mendoj kështu”. /Telegrafi/

 

The post Gruaja që ndryshoi mënyrën si i shohim shimpanzetë – dhe vetë qenien njerëzore appeared first on Telegrafi.

Mbi 1200 shkelje në trafik për dy ditë, 305 gjoba për tejkalim të shpejtësisë

23 July 2025 at 11:25

Gjatë dy ditëve të para të punës të kësaj jave (21 dhe 22 korrik 2025) si pjesë e kontrolleve të intensifikuara të trafikut në rrugët në të gjithë vendin, oficerët e policisë nga të gjitha sektorët e punëve të brendshme regjistruan gjithsej 1293 urdhërpagesa bazuar në shkelje të ndryshme të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, dhe në një masë më të vogël në bazë të Ligjit për Automjetet.

Nga MPB thonë se gjatë kontrolleve u vendosën 305 sanksione për shpejtësi të papërshtatshme, 340 masa për parkim të papërshtatshëm, ndërsa 97 shoferë u larguan nga trafiku për shkak se nuk kishin patentë shoferi.

“Gjithashtu, u vendosën sanksione ndaj 47 përdoruesve të rrugës për mospërdorim të rripit të sigurimit, 49 personave u sanksionuan për përdorim të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit dhe 85 personave të tjerë për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse. Përveç kësaj, u regjistruan 18 raste të kalimit të semaforit të kuq, dhe u lëshuan plot 122 urdhërpagesa kundërvajtëse për këmbësorët, ndërsa 11 shoferë u larguan nga trafiku për drejtim të automjetit me sasi të tepërt alkooli”.

“Në përputhje me Ligjin për Automjetet, në tre ditët e treguara të kësaj jave, janë lëshuar 12 kundërvajtje në bazë të automjeteve me defekte teknike dhe 22 në bazë të automjeteve që nuk ishin të regjistruara”, thonë nga MPB.

Më tej shtojnë se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të kontribuojnë së bashku për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.

The post Mbi 1200 shkelje në trafik për dy ditë, 305 gjoba për tejkalim të shpejtësisë appeared first on Telegrafi.

Mucunski: Marrëveshjen për Partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar hapen mundësi të reja

22 July 2025 at 21:57

Me Marrëveshjen për Partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar hapen mundësi të reja për projekte reale që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve: hekurudhë me shpejtësi të lartë, spitale të reja, rrugë dhe infrastrukturë teknologjike më të mirë, tha, ndër të tjera, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili në një video të postuar në rrjetet e tij sociale flet për përfitimet specifike nga Marrëveshja.

“Fjalët nuk janë të mjaftueshme. Rezultatet janë ato që vlejnë: puna, zhvillimi, jeta më e mirë”, tha Mucunski.

Ai theksoi se nuk premtojnë, por i përmbushin, duke theksuar se qëllimi përfundimtar është që të rinjtë të qëndrojnë në vend, që të hapen mundësi të reja për investitorët dhe që qytetarët të fitojnë një cilësi më të mirë jetese.

“Kjo nuk është politikë, kjo është çështje për të ardhmen”, tha Mucunski.

The post Mucunski: Marrëveshjen për Partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar hapen mundësi të reja appeared first on Telegrafi.

Kryeministri japonez zotohet se do të qëndrojë në detyrë pavarësisht humbjes elektorale

By: Rovena
21 July 2025 at 22:19

Koalicioni qeverisës në Japoni ka humbur shumicën në Dhomën e Lartë të Parlamentit, por kryeministri Shigeru Ishiba ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga detyra, pavarësisht rezultatit të pafavorshëm.

Zgjedhjet e zhvilluara të dielën u mbajtën në një klimë të shtuar pakënaqësie publike, të nxitur nga rritja e kostos së jetesës dhe tensionet në rritje në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Pas përfundimit të procesit të votimit, kryeministri Ishiba pranoi se rezultati ishte “i ashpër” dhe “i rëndë”, por nënvizoi se qeveria e tij do të vijojë punën për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe avancimin e negociatave tregtare.

Koalicioni i përbërë nga Partia Liberale Demokratike (LDP) dhe partnerja e saj, Komeito, kishte nevojë për të paktën 50 mandate për të ruajtur shumicën në dhomën me 248 vende. Në fund të procesit zgjedhor, arriti të siguronte vetëm 47 vende.

Ndërkohë, Partia Demokratike Kushtetuese, opozita kryesore, fitoi 22 mandate, duke u renditur si forca e dytë më e madhe politike në këto zgjedhje.

Në këtë proces u votua për gjysmën e vendeve në Dhomën e Lartë, anëtarët e së cilës zgjidhen për mandate gjashtëvjeçare. Humbja e fundit për koalicionin qeverisës vjen pas një tjetër disfate të rëndësishme në vitin e kaluar, kur humbi kontrollin edhe në Dhomën e Ulët, gjë që pritet të ndikojë ndjeshëm në axhendën legjislative të qeverisë./abcnews.al

Banka Popullore: Ulen kompensimet për kryerjen e pagesave në vend dhe në SEPA

16 July 2025 at 22:48

Në kuadër të aktiviteteve për modernizimin e sistemit të pagesave dhe inkurajimin e pagesave elektronike, Këshilli i Bankës Popullore në seancë miratoi vendim për një model krejtësisht të ri për tarfifimin e bankave për kryerjen dhe nivelizimin e pagesave në Sistemin Ndërbankar të Pagesave të Maqedonisë

Modeli, siç informojnë nga Banka Popullore, bazohet në parimet dhe praktikat e bankave qendrore në Eurosistem për kompensime fikse dhe të parashikueshme sipas vëllimit të transaksioneve, të cilat, thonë, krijohet një hapësirë për thjeshtim dhe ulje të kompensimeve që bankat i paguajnë nga klientët për kryerjen e pagesave elektronike përmes sistemeve të pagesave në vend.

“Në të njëjtën kohë, Këshilli i Bankës Popullore vendosi tarifë për pagesat e organeve shtetërore në euro me vendet nga SEPA në një shumë fikse prej 3 euro për transaksion për urdhëresat e iniciuara në mënyrë elektronike dhe 5 euro për urdhëresat e iniciuara në letër. Kompensimet e ulëta dhe fikse për transaksion, krahasuar me tarifat e ndryshueshme në varësi të shumës së transaksionit që imponohen nga marrëveshjet komplekse korresponduese me bankat e huaja, do të çojnë në kursime të konsiderueshme për shtetin gjatë kryerjes së pagesave ndaj organeve shtetërore me vendet evropiane, thuhet në kumtesën e sotme nga Banka Popullore.

Vendimi, i marrë në seancën e djeshme, thonë nga Banka, është marrë në kontekstin e anëtarësimit të vendit tonë në SEPA dhe fazës së vazhdueshme të harmonizimit me standardet evropiane, ndërsa me të cilëm krijohet bazë për një ulje më të gjerë të shpenzimeve të pagesave ndërkufitare në euro, si nga Banka Popullore për organet shtetërore ashtu edhe nga bankat për klientët e tyre.

“Banka Popullore edhe më tej do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive për thjeshtimin dhe uljen e shpenzimeve të pagesave në vend dhe në vendet e SEPA-s me qëllimin përfundimtar të ofrimit të shërbimit më të mirë për qytetarët dhe një mjedisi të favorshëm afarist për kompanitë”, thekson Banka Popullore.

Në të njëjtën seancë, Këshilli i Bankës Popullore miratoi edhe Raportin për rreziqet në sektorin bankar për tremujorin e parë të vitit 2025.

Këshilli i Bankës Popullore e miratoi edhe Vendimin për vendosjen e një sistemi të ri për mbledhjen dhe dorëzimin e të dhënave nga bankat dhe kursimoret. Sistemi i ri ISIDORA do të mundësojë të dhëna më gjithëpërfshirëse dhe me cilësi më të lartë për statistikat monetare, mbikëqyrjen dhe stabilitetin financiar, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Me zbatimin në faza, sistemi do të zëvendësojë praktikën aktuale dhe do të kontribuojë në raportim më efikas, fleksibël dhe më të thjeshtë.

The post Banka Popullore: Ulen kompensimet për kryerjen e pagesave në vend dhe në SEPA appeared first on Telegrafi.

Pensionistët në protestë, kërkojnë një rritje lineare të pensioneve

15 July 2025 at 22:56

Disa pensionistë dolën sot në protestë para qeverisë dhe kërkuan pensione më të larta. Rritje lineare në vend të asaj me përqindje është kërkesa e tyre kryesore sepse ata besojnë se si një numër pensionistësh ata janë në numër të madh, duke kujtuar se janë një numër i madh i organit theksues.

Ata kërkuan gjithashtu takim me kryeministrin për t’ia përcjellë kërkesat e tyre atij personalisht.

Sipas tyre, modeli i propozuar i rritjes së përqindjes favorizon ata me të ardhura më të larta, ndërsa më të prekshmit mbeten me rritje pothuajse të padukshme.

Ata njoftuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre derisa të dëgjohet zëri i tyre.

The post Pensionistët në protestë, kërkojnë një rritje lineare të pensioneve appeared first on Telegrafi.

Dita Botërore e Aftësive të Rinisë

15 July 2025 at 07:45

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ 15 korriku njihet nga OKB si Dita Botërore e Aftësive të Rinisë (WYSD).

Tema e këtij viti fokusohet në fuqizimin e të rinjve përmes AI dhe aftësive dixhitale.

“Ndërsa AI riformëson botën tonë, të rinjtë duhet të shihen jo vetëm si nxënës – por si bashkë-krijues të një të ardhmeje dixhitale më të drejtë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-se, Antonio Guterres.

Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 15 korrikun si Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, për të festuar rëndësinë strategjike të pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.

Ndërsa Revolucioni i Katërt Industrial riformëson ekonomitë përmes Inteligjencës Artificiale (AI), Arsimi dhe Trajnimi Teknik dhe Profesional duhet të evoluojë për t’i pajisur të rinjtë me aftësi të gatshme për të ardhmen. Inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si jetojmë, mësojmë dhe punojmë – por gjithashtu paraqet rreziqe serioze nëse nuk zbatohet në mënyrë të barabartë.

Në Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, Kombet e Bashkuara ftojnë të bashkohemi për të njohur fuqinë e të rinjve si nxitës të ndryshimit dhe të angazhohemi për t’i pajisur ata me AI dhe aftësi dixhitale për të trajtuar sfidat e sotme dhe për të formuar një të ardhme më paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Sipas të dhënave të bëra publike nga OKB, rreth 450 milionë të rinj (7 nga 10) janë të paangazhuar ekonomikisht, për shkak të mungesës së aftësive adekuate për të pasur sukses në tregun e punës.

86% e studentëve nuk ndihen të përgatitur në mënyrë adekuate për një vend pune të mundësuar nga AI.

Në vitin 2022, mbi 40% e të rinjve nuk ishin në punësim, arsim apo trajnim (NEET). Ndërsa 40.3% e të rinjve ishin parashikuar të punësoheshin, vetëm 27.4% e të rejave kishin akses në mundësi punësimi.

90% e vajzave adoleshente dhe grave të reja në vendet me të ardhura të ulëta janë “jashtë loje”. Edhe në vendet më të pasura të botës, vetëm 1 në 10 15-vjeçarë përdorin pajisje dixhitale për të mësuar më shumë se një orë në javë.

Në nivel global, vetëm 16% e vendeve kanë miratuar ligje që adresojnë bullizmin kibernetik në arsim, me 38% të atyre të miratuar që prej pandemisë COVID-19. /j.p/

The post Dita Botërore e Aftësive të Rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voziti 114 kilometra në orë në vend ku shpejtësia e lejuar ishte 50, ndalohet shoferi nga Bogovina

14 July 2025 at 13:29

MPB Maqedoni njofton se dje (13.07.2025) në orën 18:05 në rrugën kryesore Kërçovë – Ohër, në afërsi të fshatit Drugovë të Kërçovës, policia e ka ndaluar personin K.T. (44) nga fshati Bogovinë.

Gjatë kontrollit të trafikut rrugor, oficerët e policisë përcaktuan se i njëjti po drejtonte automjetin e pasagjerëve “Folkswagen Golf” me targa të Shkupit në një zonë të populluar me shpejtësi prej 114 kilometrash në orë, në vend ku shpejtësia maksimale është 50 kilometra në orë.

“Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, kundër tij do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 297-a të Kodit Penal – “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik””, thonë nga MPB.

The post Voziti 114 kilometra në orë në vend ku shpejtësia e lejuar ishte 50, ndalohet shoferi nga Bogovina appeared first on Telegrafi.

Prokuroria Publike e Prilepit jep detaje për vrasjen e trefishtë

13 July 2025 at 11:35

Prokuroria Publike e Prilepit ka dhënë informacione të reja zyrtare lidhur më vrasjen e trefishtë që ka ndodhur ditën e djeshme në një lagje në afërsi te qendrës së qytetit, informon Telegrafi Maqedoni.

Siç thuhet në njoftimin e prokurorisë, viktimat janë një fëmijë 11 vjeç, dhe dy meshkuj të moshës 43 dhe 63 vjeç.

“Sipas informacioneve të para, 63-vjeçari së pari e ka privuar nga jeta nipin e tij nga motra dhe vëllain e tij, për shkak të keqkuptimeve familjare dhe çështjeve pronësore të pazgjidhura. Pas kryerjes së veprës, motivet për veprën e kryer i ka publikuar në një nga rrjetet sociale, kurse më pas është vetëvrarë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori publik ka dhënë urdhër për obduksion të të vdekurve.

Grumbullimi i të gjitha gjurmëve, armëve dhe municionit të gjetur në vendin e ngjarjes, do të jenë lëndë e ekspertizës. /Telegrafi/

The post Prokuroria Publike e Prilepit jep detaje për vrasjen e trefishtë appeared first on Telegrafi.

Situatë e vështirë për Drilon Islamin te CFR Cluj, largimi mund të jetë afër

11 July 2025 at 15:57

Situata e Drilon Islamit te CFR Cluj po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, pasi mesfushori nga Kosova është lënë jashtë listës së skuadrës edhe në dy ndeshjet e para zyrtare të sezonit.

Fillimisht, 24-vjeçari mungoi në finalen e Superkupës së Rumanisë kundër FCSB, ku Cluj u mposht 2-1.

Mungesa e tij u komentua si një vendim taktik nga trajneri Dan Petrescu, por edhe në ndeshjen e djeshme (e enjte) ndaj Paks në raundin e parë të Ligës së Konferencës, e cila përfundoi 0-0 në Hungari), Islami nuk u përfshi as në listën prej 24 lojtarësh.

Islami në stërvitje te Cluji

Ndërkohë, mesfushorët tjerë nga Kosova, Meriton Korenica dhe Lindon Emerllahu u aktivizuan si titullarë në të dyja sfidat, duke treguar se Petrescu aktualisht u beson më shumë atyre.

Sipas burimeve të Telegrafit, Islami ende nuk ka arritur të bindë stafin teknik, dhe nuk përjashtohet një largim i mundshëm gjatë këtij afati kalimtar veror.

Islami gjatë një ndeshje miqësore para-sezonale

Konkurrenca në mesfushë është e madhe, dhe pavarësisht pritshmërive të larta nga transferimi i tij nga Prishtina, lojtari për momentin mbetet jashtë planeve.

Në javët në vijim pritet të sqarohet më qartë e ardhmja e tij në Cluj – me opsionin e një huazimi apo transferimi të përhershëm që gjithnjë e më shumë po përmendet në prapaskenë. /Telegrafi/

The post Situatë e vështirë për Drilon Islamin te CFR Cluj, largimi mund të jetë afër appeared first on Telegrafi.

Demografia në RMV me shifra shqetësuese, Velkovski: Për t’i mbajtur të rinjtë në vendlindje duhen vende të sigurta pune dhe paga më të mira

10 July 2025 at 18:50

Shfrytëzimi i potencialit demografik për zbatimin e politikave të përgjegjshme familjare duhet të jetë prioritet kryesor i shtetit. Kështu u shpreh zëvendësministri i Politikës Sociale dhe Demografi, Gjoko Vellkovski, në debatin e kushtuar kësaj problematike. Për t’i mbajtur të rinjtë në vendlindje dhe për të përmirësuar demografinë e vendit, nevojitet të zbatohen politika të përgjegjshme familjare, të harmonizuara me politikat e punës, duke u ofruar çdonjëri shërbime dhe kushte më të mira të jetesës, tha ai.

“Të rinjtë që janë produktiv dhe kreativ janë faktori kryesor në gjithë këtë proces. E gjithë këtë mund ta bëjmë nëse kemi vende të sigurta të punës, paga të mira, siguri në sistemin ku jetojnë duke filluar nga gjyqësori, prokurori e deri tek kopshtet për të pasur ata ku t’i vendosin fëmijët e tyre brenda orarit të punës. Pra, të mos ketë lista të gjata të pritjeve për pranim të fëmijëve. Andaj themi se duhet të përfshihen më shumë segmente”, deklaroi zëvendësministri i Punës Sociale dhe Demografi, Gjoko Vellkovski.

Me rastin e ditës botërore të popullsisë – 11 korriku, përfaqësuesit e UNFPA-së në Shkup thanë se trendet demografike tashmë sfidojnë jo vetëm vendin, por të gjithë rajonin dhe botën. Andaj në këto momente nevojitet të zbatohen politika të përgjegjshme gjinore dhe politika transformuese gjinore.

“Qëllimi i demografisë është që e gjithë popullsia të vendoset në qendër të gjithçkaje që po bëhet në shtet, pavarësisht se a bëhet fjalë për shërbime shëndetësore, sociale, arsimore ose për zhvillim ekonomik. Çfarë do që të jetë, është më rëndësi njerëzit, jo vetëm se sa janë ata në numër, por edhe në strukturën e tyre, ku ata po ndodhen, si është gjinia e tyre, çfarë niveli arsimor kanë dhe cilat janë nevojat e tyre. Andaj themi se është më rëndësi që të shfrytëzohet potenciali i çdo njëri që e kemi në vend, por më pas dhe të tërheqim njerëz tanë të cilët kthehen në vendlindje”, tha shefja e Zyrës së UNFPA-së në Shkup, Afrodita Shala.

Këto politika duhet të përfshijnë edhe masa afatmesme dhe afatgjata, të cilët do të përfshijnë sektorin privat duke ofruar kushte më të mira të të punësuarve, e në veçanti grave të cilat do të kenë mundësi të zgjedhin se sa fëmijë ata dëshirojnë të krijojnë, pa iu rrezikuar vendi i punës dhe njëkohësisht nevojiten politika, të cilat do të shfrytëzojnë potencialin e moshës së tretë në tregun e punës.

The post Demografia në RMV me shifra shqetësuese, Velkovski: Për t’i mbajtur të rinjtë në vendlindje duhen vende të sigurta pune dhe paga më të mira appeared first on Telegrafi.

Propozimi për interpelancën ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese sot para deputetëve

9 July 2025 at 08:39

Kuvendi sot duhet ta fillojë seancën e re të 59-të në të cilën si pikë e parë e rendit të ditës është interpelanca për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, e parashtruar nga grupi parlamentar Fronti Evropian.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun javor me gazetarët theksoi se në koordinimin e së hënës me koordinatorët e grupeve parlamentare mbizotëroi perceptimi se nuk është mirë që Kuvendi të bëjë interpelancë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

“U hap çështja për interpelancën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ne e vendosëm këtë si pikë në rendin e ditës. Ka pasur diskutime nëse kemi vepruar drejtë, nëse është në rregull apo jo, që është normale. Dilema jonë dhe e imja, si Kuvend, si kabinet dhe si shërbim. Ne jemi udhëhequr sipas nenit 72 të Kushtetutës dhe 47 të Rregullores së Kuvendit ku thuhet “interpelanca mund të ngritet për çdo bartës të funksionit publik”. Tani ne si Kuvend duhet ta procesojmë këtë. Nga ana tjetër flasim për pushtetin gjyqësor dhe kjo mbetet temë që do ta shohim. Ndoshta disa nga deputetët do të kërkojnë që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës. Kryesisht, në koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare mbizotëroi perceptimi se nuk është mirë që si Kuvend të bëjmë interpelancë ngaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Do të shohim si do të vendosë plenumi”, tha Gashi.

Ai informoi se do të kërkojë nga Komisioni kuvendor për Çështje të Rregullores dhe të Mandatit-Imunitetit të organizojë një seancë publike për definimin e fjalës “bartës i funksionit publik”.

“Do t’i kërkoj Komisionit për Çështje të Rregullores dhe të Mandatit dhe Imunitetit të mblidhet dhe të vazhdojë të zhvillojë debat publik për të përcaktuar më saktë fjalën ‘bartës i funksionit publik’, sepse këtu përfshihen presidenti i shtetit, kryetarët e komunave, veçanërisht gjykatat. Mendoj se duhet ta sqarojmë ligjërisht në mënyrë që të mos mbetet në vullnetin e kryetarit të Kuvendit apo të ndonjë individi, por të lëmë një gjurmë institucionale se si të veprohet ndaj këtyre nismave”.

Gashi theksoi se parashtruesit e nismës për Konstandinovskin, gjegjësisht BDI-ja, nuk morën pjesë në koordinimin e sotëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare. Propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës.

“Parashtruesi i nismës për interpelancë, gjegjësisht BDI, nuk ishte në koordinim sot. Doja të propozoja nëse do të hiqej, por atëherë do të kishte reagime pse e hoqëm, dhe plus koordinatori i BDI-së nuk ishte aty, kështu që nuk do të vendosnim në emër të tyre. Votimi do të mbahet në vetë seancën nëse do të hiqet. Kushtetuta thotë vetëm ‘bartës i funksionit publik’. Për shembull, atëherë BDI reagoi ndaj interpelancës për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, dhe tani po e propozojnë vetë”, tha ai.

Gashi njoftoi se Kuvendi i ka ndjekur të gjitha afatet dhe deri te Konstandinovski është dërguar interpelancë. Theksoi se ai ka pasur afat të përgjigjet, por nuk është përgjigjur. Potencoi se Konstandinovski ka treguar se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare ku do të diskutohet për interpelancën e tij. Gashi tha se është e drejta e tij.

Deputeti i Frontit Evropian, Ilir Hasani, në konferencën për mediat shpjegoi se interpelanca është paraqitur për punën e Kostadinovskit në bazë të nenit 72, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës. Sipas Hasanit, Kostadinovski ka shkelur qëllimisht Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe nenin 101 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

“Dua të theksoj se kjo nismë nuk ka për qëllim të ushtrojë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, për dallim nga interpelancat e mëparshme që ishin qartazi me natyrë politike, por ka ndikim social dhe mediatik. Qëllimi ynë është të nisim një debat institucional për funksionimin e këtij institucioni dhe rolin e kryetarit të saj në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, Kostandinovski ka paragjykime ndaj gjuhës shqipe.

“Në arsyet për interpelancën mund të përmendet një intervistë që është dhënë për agjencinë e lajmeve AIM në gusht të vitit 2024, ku ai theksoj “se politika që krijoi atë ligj krijoi një lloj kaosi të ligjshëm që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilemë. Është fakt se ligji po zbatohet dhe po krijon probleme me implementimin e tij”. Kjo deklaratë ngre disa pyetje: Në bazë të cilit nen të Kushtetutës ose ligji konkret kryetari i Gjykatës Kushtetuese mund të karakterizojë një ligj si burim të kaosit politik dhe juridik, dhe nëse është në kompetencën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë problemet në zbatimin e ligjit dhe të parashikojë ndërhyrje legjislative? Deklarata të tilla i zvogëlojnë kufijtë e kompetencave të përcaktuara me ligj dhe krijojnë një seri dyshimesh për paanshmërinë e kryetarit të Gjykatës në raste që janë ende në fazën e shqyrtimit”, tha Hasani.

Në reagimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë përmes një komunikate, u theksua se Kostadinovski nuk do të komentojë asnjë deklaratë politike.

“Kushtetuta e RMV-së nuk parashikon mundësinë e shkarkimit të një gjykatësi kushtetues, as nga ana legjislative dhe as nga ana e ekzekutivit. Gjykata Kushtetuese, si organ i Republikës që mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë, nuk i nënshtrohet parimit të ndarjes së pushtetit. Krijuesi i Kushtetutës e ka vendosur Gjykatën Kushtetuese mbi tre pushtetet, sepse ajo është kontrolluesi i procedurave, akteve dhe veprimeve të tyre. Pavarësia dhe autonomia e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatësve kushtetues kanë garancinë më të fortë kushtetuese. Kushtetuta nuk i lejon Kuvendit që me aktet ligjore të ndikojë në kompetencat, mënyrën e zgjedhjes dhe të mbarimit të mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kompetenca e Kuvendit përfundon në momentin e zgjedhjes së gjykatësve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në seancën e 59-të, në rend të ditës u propozuan 31 pika, në mesin e të cilave edhe Propozimi për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, nga bashkësia rome, propozim ligjin për të punësuarit në sektorin publik, në lexim të dytë, propozim ligjin për nëpunësit administrativë, propozim ligjin për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë në lexim të dytë, propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës, propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore, propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontributet e sigurimeve shoqërore të detyrueshme.

Me procedurë të shkurtër janë parashtruar Propozimi i ligjit për plotësimin e Ligjit për siguri në komunikacion në rrugë dhe Propozimi i ligjit për ndryshimin e Ligjit për aviacion.

The post Propozimi për interpelancën ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese sot para deputetëve appeared first on Telegrafi.

Vijon pagesa e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve

4 July 2025 at 19:00

Ministria e Politikës Sociale Demografisë dhe të Rinjve informon se prej sot ka filluar pagesa e të drejtave sociale, të fëmijëve dhe mbrojtjes civile për muajin qershor 2025.

Siç theksohet në kumtesën, përfituesit e të drejtave në të holla që posedojnë kartelë debitore do të mund të tërheqin paratë në bankomatet e bankave, t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesa në rrjetin e shitjeve ose përmes bankingut elektronik dhe mobil që sot, 04 korrik 2025.

Për të shmangur turmat para bankave dhe brenda ambienteve të bankave gjatë pagesës së të drejtave, për përfituesit që nuk shfrytëzojnë kartela, pagesa do të kryhet në 2 grupe në të gjitha filialet dhe ekspoziturat e bankave, në përputhje me orarin e përcaktuar sipas renditjes alfabetike, sipas shkronjë së parë të mbiemrit, përkatësisht sot A, B, V, G, D, GJ, Е, ZH, Z, X; I, Ј, К, L, LL, ndërsa të hënën М, N, NJ, О, P, R, S, Т, Q, U, F, H, C, Ç, XH, SH, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.

The post Vijon pagesa e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve appeared first on Telegrafi.

Rriten të ardhurat nga pikë pagesat, kanë mbushur buxhetin e RMV-së për mbi 30 milionë euro

4 July 2025 at 12:36

Në gjysmën e parë të këtij viti, nga taksat rrugore u mblodhën 1.900.255.930 denarë (30,89 milionë euro), 78 milionë denarë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e regjistruar në mbledhjen elektronike të taksave rrugore pritet të rritet me rimbushjen e pajisjeve elektronike – M-card dhe M-tag – përmes një rrjeti të gjerë pikash shitjeje me pakicë në të gjithë vendin, për të cilat Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) së shpejti do të shpallë thirrje për zgjedhjen e një operatori.

Deri më tani, në sistemin “Open Balkan” janë regjistruar 5077 etiketa të RMV-së, ndërsa 8500 etiketa serbe.

“NPRRSH ka shënuar rritje të vazhdueshme të të ardhurave nga mbledhja e taksave rrugore. Që nga fillimi i vitit 2025, të ardhurat totale për gjysmën e parë të vitit kanë qenë 1.900.255.930 denarë, ose 78.000.000 denarë më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Sa i përket metodës së pagesës, përdorimi i mbledhjes elektronike të taksave ENP po rritet ndjeshëm, dhe kjo tregon një trend të rritjes së digjitalizimit dhe rrjedhës më të shpejtë të trafikut në pikat e pagesës”, tha për AIM-n Koce Trajanovski, drejtor i NPRRSH.

Mbledhja është 99.6 përqind, që, siç theksoi Trajanovski, do të thotë se përqindja e të ashtuquajturve “mospagues” po zvogëlohet gjithashtu./Telegrafi/

The post Rriten të ardhurat nga pikë pagesat, kanë mbushur buxhetin e RMV-së për mbi 30 milionë euro appeared first on Telegrafi.

Operacion surprizë në Fier/ Policia ‘zbarkon’ në zyrat e kompanisë, në pranga drejtuesit kryesorë (Emrat)

2 July 2025 at 16:49

Një operacion i befasishëm i Policisë së Fierit ka çuar sot në arrestimin e dy drejtuesve të kompanisë së njohur të naftës, “Bankers Petroleum”.

Në pranga kanë rënë CEO aktual me kombësi kineze Hongping Xiao, si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo.

Sipas burimeve, oficerët e policisë kanë hyrë me forcë në zyrat qëndrore të kompanisë, ndërsa veprimet hetimore janë ende aktive.

The post Operacion surprizë në Fier/ Policia ‘zbarkon’ në zyrat e kompanisë, në pranga drejtuesit kryesorë (Emrat) appeared first on Sot News | Lajme.

Zyrtare: Lindon Selahi transferohet te Widzew Lodz në Poloni

2 July 2025 at 08:47

Mesfushori shqiptar Lindon Selahi është bërë me skuadër të re, pasi kontrata e tij me Rijekën ka përfunduar më 30 qershor.

Karrierën e tij ai do ta vazhdojë në kampionatin polak, duke u bashkuar me skuadrën e njohur Widzew Lodz.

Widzew ka fituar garën për nënshkrimin e Selahit përballë interesimit të madh nga Hajduku i Splitit, ndërsa në ekipin e ri ai do të gjejë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë: Julian Shehun dhe Dion Gallapenin.

Pas prezantimit zyrtar, Selahi ka dhënë edhe deklaratat e para si lojtar i Widzew.

“Kisha nevojë për një sfidë të re dhe isha shumë i interesuar për idenë e ekipit që po krijohet këtu. E njoh shumë mirë edhe trajnerin, me të cilin kam punuar më parë dhe kemi folur shumë për Widzew. Së pari luajta kundër tij kur ai drejtonte Goricën, pastaj ishim bashkë në Rijeka. Patëm një bashkëpunim të mirë atje dhe një sezon të suksesshëm”, tha mesfushori shqiptar.

“Në fushë jam një mesfushor qendror modern që mund të luaj si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Jam i mirë me topin dhe në luftën për të, agresiv në mbrojtje, por gjëja më e rëndësishme është që të jap gjithçka nga vetja në çdo ndeshje. Kjo do të jetë e dobishme në përfaqësimin e ngjyrave të Widzew dhe në lojën për tifozët e saj”.

Selahi pritet të jetë një përforcim me peshë për skuadrën polake në sezonin e ri. /Telegrafi/ 

The post Zyrtare: Lindon Selahi transferohet te Widzew Lodz në Poloni appeared first on Telegrafi.

Sot hyn në fuqi ndalesa për lëvizje nëpër pyje, gjoba arrin deri në dy mijë euro

1 July 2025 at 17:44

Nga sot e deri më 31 gusht vendoset ndalesë e plotë për lëvizje në pyje. Siç njoftohet, ndalesa vendoset për shkak të rrezikut të shtuar nga shfaqja dhe përhapja e zjarreve në hapësira të hapura.

Lëvizja do të lejohet vetëm me leje të shkruar të lëshuar nga degët e NP “Pyjet nacionale” – Shkup, për zonat që i menaxhojnë.

Për mosrespektimin e kësaj ndalese, personat fizikë që kapen duke lëvizur në pyll do të gjobiten me 1500 deri në 2000 euro në kundërvlerë në denarë.

 

The post Sot hyn në fuqi ndalesa për lëvizje nëpër pyje, gjoba arrin deri në dy mijë euro appeared first on Telegrafi.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, Kostadinovski: Gjykata Kushtetuese nuk mund të vlerësojë propozim-ligjet

1 July 2025 at 15:38

“Gjykata Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktin e gjykatës është kompetente që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve, ndërsa jo të propozim-ligjeve. Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata Kushtetuese, nga aspekti i kontrollit abstrakt, është kompetente për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e së drejtës pozitive, gjegjësisht rregulloret e përgjithshme dhe aktet e përgjithshme që janë pjesë e rendit juridik dhe kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e tyre”.

Këtë e thekson në letrën me shkrim kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dërguar si përgjigje e kërkesës së kandidateve të pavarur nga dhjetëra komuna që Gjykata të reagojë ndaj Propozim-ligjit të ri për ndryshimet në Kodin zgjedhor.

“Është e pakontestueshme se në përputhje me nenin 13 dhe 91 nga Akti i gjykatës, Gjykata Kushtetuese ndjek realizimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërinë dhe lirinë e të drejtave të njeriut dhe qytetarit të përcaktuara me Kushtetutë dhe mund të miratojë raport të posaçëm në të cilin do të tregojë nevojën për të marrë masa për realizimin dhe mbrojtjen e tyre dhe do t’ia paraqesë atë organit kompetent, gjegjësisht në bazë të të dhënave dhe njoftimeve të marra më parë, Gjykata Kushtetuese mund të nxjerrë vendim të posaçëm me të cilin do të vërtetoj se vendimi i saj nuk është zbatuar dhe njofton prokurorinë publike kompetente, si dhe organin që emëroi ose zgjodhi udhëheqësin e organit ose trupit të cilin nuk arriti të zbatojë vendimin e Gjykatës”.

“Por, në lidhje me kërkesën tuaj për miratimin e raportit të posaçëm për Propozim-ligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin zgjedhor, me procedurë të shkurtër, ju informoj se Gjykata Kushtetuese, raporti nga aspekti i Nenit 13 nga Akti i gjykatës, mund të miratojë raport ekskluzivisht për një ligj i cili është pjesë e urdhrit parësor”, theksohet në letrën me shkrim të Kostadinovit, informojnë nga Gjykata Kushtetuese.

Letra, siç informojnë nga Kushtetuesja është dërguar deri te këshilltarët e pavarur për Karposhin – Për mbrojtjen e Karposhit në komunën e Karposhit; Këshilltarët e Pavarur nga Qyteti i gjelbër human në Qytetin e Shkupit; Këshilltarë të pavarur nga “Shansa” për Qendër në komunën Qendër; Këshilltarë të pavarur nga “Më ndryshe” në Komunën e Manastirit; Ish këshilltarët e pavarur nga Më mirë për Tetovën në Komunën e Tetovës, Iniciativa Qytetare Të Gjelbrit nga Gazi Baba etj.

The post Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, Kostadinovski: Gjykata Kushtetuese nuk mund të vlerësojë propozim-ligjet appeared first on Telegrafi.

❌
❌