Forcimi i partneritetit me shoqërinë civile, bashkia e Lezhës përfiton fonde nga BE
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Bashkia e Lezhës është shpallur fituese në thirrjen e programit “ReLOaD3”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Ky program synon të forcojë demokracinë vendore përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, duke rritur njëkohësisht pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
“Lezha, si një nga bashkitë që ka qenë pjesë edhe në fazat e mëparshme të ReLOaD, konfirmon sërish përkushtimin ndaj qeverisjes së mirë, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes përfshirjes qytetare”, thuhet në njoftimin për shtyp të bashkisë Lezhë.
Bashkia e Lezhës do të përfitojë mbështetje financiare, ndërtim kapacitetesh dhe asistencë teknike për të forcuar partneritetet me organizatat e shoqërisë civile, duke përdorur metodologjinë LOD – një model i suksesshëm për financim publik të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.
“Lezha vazhdon të jetë shembull i angazhimit për zhvillim lokal me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe organizatave lokale”, thuhet në njoftimin e bashkisë.
/m.m/r.e/
The post Forcimi i partneritetit me shoqërinë civile, bashkia e Lezhës përfiton fonde nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.