TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik, projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”.
Projektligji është hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore dhe synon të krijojë një mekanizëm ligjor dhe financiar për mbulimin e humbjeve që mund t’i pësohen pronarëve të banesave nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet, duke garantuar kompensimin e shpejtë dhe efikas të tyre.
Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se hartimi i këtij projekligji mbështetet në përvojat e suksesshme të disa vendeve dhe ka si qëllim zvogëlimin e ndikimeve financiare, fiskale dhe ekonomike që mund të shkaktojnë fatkeqësitë natyrore.
Sipas relacionit të projektligjit, modeli i sigurimit të detyrueshëm është mbështetur mbi praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm koston fiskale dhe ekonomike që shkaktojnë katastrofat natyrore.
Projektligji përcakton krijimin e Fondit për Tërmetet, si person juridik publik me formë shoqërie aksionare, me pavarësi operacionale dhe financiare, nën pronësinë e Ministrisë së Financave, si dhe rregullat për shpërndarjen dhe likuidimin e tij. Gjithashtu, parashikohet që në rast sigurimi të dyfishtë, dëmshpërblimi kryhet fillimisht sipas sigurimit detyrues, ndërsa pjesa që tejkalon mbulohet nga sigurimi vullnetar.
Projektligji parashikon që subjekte të ndryshme, përfshirë banesat sociale me qira, banesat në proces legalizimi dhe njësitë e vetqeverisjes vendore, janë të detyruara të lidhin kontrata sigurimi në përputhje me dispozitat përkatëse, duke financuar pagesën e primit nga buxhetet e tyre.
Sigurimi detyrueshëm nga tërmetet mbulon vetëm dëmet materiale në pronën e siguruar gjatë periudhës së vlefshmërisë së policës, duke përjashtuar dëmtimet trupore, dëmet jopasurore, sendet brenda banesës, shpenzimet për pastrimin e mbetjeve dhe humbjet financiare.
Gjithashtu, është përcaktuar shuma maksimale e dëmshpërblimit për sigurimin e detyrueshëm të banesës, si dhe mënyra e përcaktimit të saj dhe niveli i pjesës së zbritshme që mbulohet nga i siguruari për çdo dëm të shkaktuar nga tërmeti.
Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve sipas këtij ligji, do të përballen me masa shtrënguese, të cilat përfshijnë: mospërfitimin e shërbimeve kadastrale, mospërfitimin e shërbimeve nga platforma e-Albania, dhe mospërfitimin e shërbimeve nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Këto masa synojnë sigurimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për sigurimin nga tërmetet.
Dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.
Implementimi i këtij ligji, sipas MF-së, pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke siguruar një mbrojtje më të mirë financiare për qytetarët dhe duke reduktuar barrën fiskale mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike.
Shqipëria është një vend i ekspozuar dhe i prirur ndaj fatkeqësive natyrore, ku rreziqet kryesore që prekin territorin janë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut. Sipas Raportit të Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende në bazë të kapaciteteve përballuese dhe shkallës së ekspozimit, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në vend të 61-të në nivel botëror, duke theksuar kështu vulnerabilitetin e lartë të vendit ndaj katastrofave natyrore.
Vlera totale e aseteve tregtare, industriale dhe bujqësore që janë në rrezik nga përmbytjet dhe tërmetet arrin rreth 17,6 miliardë dollarë.
Humbjet potenciale financiare për fatkeqësi me periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2,08 miliardë euro për tërmetet dhe 1,18 miliardë euro për përmbytjet, sipas të dhënave të Bankës Botërore (2014).
Shqipëria është goditur nga tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete të tilla. Më i fundit dhe më shkatërruesi ishte tërmeti i nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200 000 njerëz në 11 bashki, përfshirë qytetet kryesore si Tirana dhe Durrësi. Ky tërmet shkaktoi një dëm të konsiderueshëm ekonomik, me kosto të drejtpërdrejta që përfaqësonin rreth 7,5% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Pjesa më e madhe e dëmeve u fokusua në sektorin rezidencial, ku u prekën 18% e njësive të banimit, duke sjellë nevojën emergjente për rindërtim dhe ndihmë financiare.
Në përballje me pasojat e këtij tërmeti, qeveria shqiptare ndërmori masa të menjëhershme për të siguruar fonde emergjente, të cilat u përdorën për rindërtimin e banesave të dëmtuara dhe për mbështetjen e familjeve të prekura.
Kjo situatë evidentoi ngarkesën e madhe financiare që fatkeqësitë natyrore shkaktojnë dhe nevojën urgjente për një model të qëndrueshëm dhe sistematik për menaxhimin e riskut dhe mbrojtjen sociale.
/r.e/
The post Hidhet për konsultim publik projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.