Kryebashkiaku Ajazi: Situatë emergjente në pyjet e Gramshit
TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Kryebashkiaku i Gramshit, Besian Ajazi ka reaguar për situatën e zjarreve në pyjet e Gramshit duke e cilësuar atë emergjente.
“Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Mukaj të Sojnikut, njësia administrative Kukur ndërsa tani në mesdrekë është ndezur një vatër e re zjarri më e madhe dhe më agresive mbi fshatin Sojnik i cili është përhapur deri në fshatin Snosëm, duke rrezikuar edhe banesa”, u shpreh Ajazi.
Ai theksoi se, dyshohet se shkaku është veprimtaria kriminale e piromanëve, që me papërgjegjshmëri të tmerrshme po rrezikojnë jetën, natyrën dhe pronën publike.
“Pavarësisht angazhimit maksimal të shërbimit tonë zjarrfikës, shërbimit pyjor, drejtorisë së shërbimeve, vullnetarëve dhe ndihmës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile – me 20 efektivë në terren dhe dy helikopterë në operacion – zjarri vijon të jetë aktiv dhe i vështirë për t’u vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë, temperaturave të larta dhe erës të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve”, shtoi Ajazi.
“Dënojmë me forcë aktet barbare të zjarrvënies së qëllimshme. Autorët do të përballen me ashpërsinë më të madhe të ligjit dhe me zemërimin e një komuniteti që nuk lejon askënd të dëmtojë pasurinë e përbashkët”, nënvizoi Ajazi, në një postim në rrjetet sociale.
“Jemi në monitorim të pandërprerë dhe do të vijojmë betejën për të mbrojtur pyjet dhe banorët tanë”, theksoi kryebashkiaku i Gramshit.
/gj.m/r.e/
The post Kryebashkiaku Ajazi: Situatë emergjente në pyjet e Gramshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.