Protestë për Palestinën në sheshin “Skënderbej”
TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Pasditen e sotme, në sheshin “Skënderbej” u organizua protesta në emër të kauzës për vuajtjet e popullit palestinez në Gaza, për shkak të konfliktit me Izraelin.
Protesta nisi në orën 18:00 dhe u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”. Në këtë protestë, u bashkuan edhe qytetarë të shumtë, mes tyre edhe aktivistja e njohur suedeze Greta Thunberg, e cila bëri thirrje në shqip: Liri për Palestinën!
Në fjalën e saj, Thunberg tha se arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjenocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar.
Sipas medieve, aktivistja tha se “Gaza ka hyrë në fazën e 5 të kequshqyerjes, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit mijëra kamionë me ndihma ushqimore presin për të hyrë. Kjo është pasojë direkte e heshtjes së botës që e lejoi Izraelin të kryente këtë gjenocid. Kjo është në vazhdim të politikave të paligjshme të Izraelit, që ka shkatërruar furrat e bukës për të vazhduar fushatën e urisë në Gaza. Shterimi i resurseve natyrore, ndryshimi klimatik shkojnë dorë më dorë për me shtypjen dhe palestinezët po dëshmojmë këtë në radhë të parë”.
/e.i//r.e/
The post Protestë për Palestinën në sheshin “Skënderbej” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.