Rama: Gjyqtari Demiri bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun”, s’do tolerojmë asnjë që pengon programe në interes të publikut
TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me vendimet e gjykatësit Klarent Demiri, i cili ka penguar ekzekutimin e vendimeve të çlirimit të hapësirave publike të zëna.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë theksoi se, qeveria nuk do të tolerojë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.
“Një gjë është pak po e sigurtë: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut”, nënvizoi Rama.
Kryeministri u shpreh se edhe për këtë gjykatës qeveria do t’i drejtohet organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit.
“Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajën e tyre”, theksoi Rama.
/gj.m//a.f/
The post Rama: Gjyqtari Demiri bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun”, s’do tolerojmë asnjë që pengon programe në interes të publikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.