MM: 2 vatra zjarri ende aktive dhe 4 në monitorim
TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e sotme për situatën e zjarreve në vend.
Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, prej orës 09:00, deri në orën 20:00 të ditës së sotme janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë shuar, 2 vatra janë aktive, dhe 4 vatra janë në monitorim.
Vatrat e izoluara dhe shuara plotësisht janë: Lagjja numër 1, Rrogozhinë; Fshati Ahmataj, njësia administrative Tropojë e Vjetër, bashkia Tropojë; Fshati Llugaj, njësia administrative Llugaj, bashkia Tropojë; Fshati Sohodoll, njësia administrative Kastriot, bashkia Dibër; Lagjja numër 3, Vlorë dhe fshati Durisht, njësia administrative Petrelë, bashkia Tiranë.
Aktualisht, është aktive vatra në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, në bashkinë Fushë-Arrëz. Situata është e qetë dhe vatra e zjarrit është pothuajse e izoluar plotësisht. Në disa pjesë ka ende riaktivizime të vogla brenda perimetrit, por ato po mbahen nën kontroll dhe po eliminohen nga punonjësit e shërbimit pyjor.
Në fshatrat Damjan, Fortuzaj dhe Isufaj në bashkinë e Tiranës, vatra e zjarrit është minimizuar dhe po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Në terren janë angazhuar 5 efektivë me 1 automjet zjarrfikës nga MZSH Tiranë, 4 forca policore dhe 3 forca bashkiake.
Pranë tunelit të Kërrabës në bashkinë Tiranë është regjistruar një vatër e re zjarri në orët e pasdites. Në vendngjarje ka mbërritur Shërbimi Vendor Zjarrfikës, të cilët po punojnë për izolimin e flakëve.
Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, të rënë në 11.08.2025. Në terren po punojnë forcat bashkiake, për të shmangur riaktivizimin e vatrës. Ditën e sotme situata duket e qetë dhe forcat operacionale po mbajnë nën monitorim terrenin.
Vijon aktiv zjarri i rënë më datë 19.08.2025, ora 17:05, në afërsi të Fabrikës së Çimentos, njësia administrative Fushë-Krujë, ku u arrit të izolohen 5 vatra zjarri në total, ndërsa zjarri ka vazhduar me intensitet të ulët. Dendësia e pyllit e vështirësoi ndërhyrjen, por forcat operacionale arritën ta shuajnë vatrën, e cila tashmë po mbahet në monitorim nga zjarrfikësit Krujës.
Gjithashtu është riaktivizuar zjarri i rënë më datë 19.08.2025 në një sipërfaqe me shkurre në fshatin Lapardha, njësia administrative Kotë. Në vendngjarje ka shkuar Shërbimi Zjarrfikës i Selenicës. Me gjithë punën e forcave operacionale, zjarri vijon të mbetet aktiv.
/gj.m/r.e/j.p/
The post MM: 2 vatra zjarri ende aktive dhe 4 në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.