Shqipëria pajiset me automjete të blinduara italiane LMV2, MM për ATSH: Pjesë e paketës së parë të ndihmës nga BE
TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Ushtria shqiptare do të pajiset për herë të parë me automjete të lehta shumëfunksionale ‘LMV2’, të prodhuara nga Iveco Defence Vehicles, divizioni ushtarak i kompanisë italiane Iveco.
“Një moment i ri historik për LMV2: Forcat e Armatosura Shqiptare do të pajisen me automjetet tona…”, shkruan ne postimin e saj në Linkedin, Iveco Defence Vehicles.
Njoftimi i saj po ashtu shpjegon se blerja e automjeteve ushtarake do të financohet nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian për Paqen, ndërsa zbatimi është marrë përsipër nga Agjencia italiane e Industrive të Mbrojtjes.
“Një moment i ri për LMV2: Forcat e Armatosura Shqiptare do të pajisen me automjete LMV2, në një program të rëndësishëm të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Fondit Evropian për Paqen dhe të zbatuar nga Agjencia Industriale e Mbrojtjes së Italisë.
Kjo dërgesë përfaqëson furnizimin e parë të IDV me LMV për Shqipërinë, duke konfirmuar më tej këtë automjet si një nga platformat tona më të besueshme dhe më të përhapura gjerësisht në nivel global, të përzgjedhur nga mbi 15 vende për mbrojtjen, shpejtësinë dhe përshtatshmërinë e tij me misionin’, thuhet në një njoftimin e bërë nga kompania italiane.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur për ATSH-në se, “Bashkimi Evropian, nëpërmjet Instrumentit Evropian të Paqes (European Peace Facility), i krijuar në mars 2021 dhe që synon forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendeve partnere si dhe rritjen e sigurisë rajonale e globale, ka mbështetur Shqipërinë me dy paketa ndihmash me një vlerë totale prej 28 milionë eurosh.
Projektet e miratuara do të mbështesin modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Paketa e parë e ndihmës, e miratuar në korrik 2024, parashikon pajisjen me mjete të lehta të blinduara (rreth 20 të tilla) me një vlerë prej 13 milionë eurosh.
Ndërsa paketa e dytë, e miratuar së fundmi, në vlerën e 15 milionë eurove, do të pajisë FARSh me mjete transporti dhe inxhinierike shumëfunksionale, me përdorim të dyfishtë si për mbështetjen e operacioneve të BE-së, ashtu edhe për përballimin e emergjencave civile në vend dhe rajon. I gjithë ky proces, nga pikëpamja buxhetore, prokuruese dhe proceduriale, drejtohet dhe ndiqet nga strukturat e BE-së.
Ndihma e re pasqyron përparimin e marrëdhënieve strategjike BE–Shqipëri, të konsoliduara pas nënshkrimit të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje në dhjetor 2024 dhe nisjes së Dialogut të parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në prill 2025. Ajo vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë si një partner i ngushtë dhe i qëndrueshëm i BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, si kontribuuese në operacionet e BE-së dhe njëkohësisht si aleate e NATO-s.
Sipas ecurisë dhe implementimit të projekteve, media dhe publiku do të mbahen të informuar. Parashikohet që mjetet e para të mbërrijnë në vendin tonë gjatë vitit 2026”.
LMV2 përfaqëson gjeneratën e fundit të modelit të suksesshëm LMV, tashmë i përdorur gjerësisht nga ushtritë e NATO-s.
Ky version sjell mbrojtje të rritur balistike dhe kundër minave, një motor të fuqishëm 220 kuaj fuqi me transmision automatik me 8 shpejtësi, si dhe sisteme të përmirësuara të amortizatorëve dhe rrotave, për t’iu përshtatur terreneve të vështira.
Kabina modulare ofron konfigurime të shumta, nga transporti i trupave deri te përdorimet si ambulancë ose qendër komandimi. Përveç kësaj, LMV2 është i pajisur me teknologji moderne komunikimi, navigimi dhe menaxhimi të betejës, duke siguruar një kombinim të lëvizshmërisë së lartë dhe mbrojtjes së avancuar.
Ky model, tashmë i testuar në misione ndërkombëtare përfshirë Afganistanin, ka zëvendësuar LMV-në e parë në ushtritë e disa vendeve evropiane si Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia. Përmirësimet e tij garantojnë mbijetesë më të madhe për ekuipazhin dhe përshtatshmëri të lartë ndaj skenarëve të ndryshëm operativë.
Për Shqipërinë, LMV2 përfaqëson një hap cilësor në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, veçanërisht krahasuar me flotën aktuale të automjeteve, si Humvee amerikan apo mjetet e pakta MRAP.
Ky zhvillim e vendos vendin në të njëjtin hap me fqinjët, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që tashmë kanë investuar në platforma moderne të ngjashme.
Në aspektin strategjik, furnizimi me LMV2 jo vetëm që rrit gatishmërinë dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura, por gjithashtu forcon partneritetin e Shqipërisë me NATO-n, BE-në dhe Italinë, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.
/gj.m//a.f/
The post Shqipëria pajiset me automjete të blinduara italiane LMV2, MM për ATSH: Pjesë e paketës së parë të ndihmës nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.