Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zjarri në malin e Dukatit, asfiksohen tre zjarrfikës, transportohen në spital

Tre zjarrfikës në Vlorë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Kjo për shkak se kanë pasur probleme me frymëmarrjen, asfiksi për shkak të tymit që ka përfshirë zonën si pasojë e zjarrit të rënë në malin e  Dukatit.

Tre zjarrfikësit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, raportohet se janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Zjarri në Dukat vijon prej tri ditësh dhe në vend janë të angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura si edhe 17 efektivë të zjarrfikësve por edhe punonjës të emergjencave civile Vlorë dhe të pyjores.

/abcnews.al/

Berisha mbron skadimin e Kushtetueses/ Kreu i PD mbron gruan e drejtorit të Syrit. Sulmon Presidentin

Loja në Gjykatën Kushtetuese dhe koha e kryetares Holta Zaçaj dhe anëtares Sonila Bejtja po mbaron. Këtë e verteton shqetësimi i Sali Berishës që mbrojti publikisht dy gratë e Kushtetueses me mandat të skaduar.

“Këtu gjithçka bëhet që të unifikohet, të shuhet përfundimisht një mendim që gjithnjë është pakicë aty, por që është në favor të Kushtetutës, dhe që nuk arrin të mposhtin, ta blejnë, ta intimidojnë zërin e saj, mendimin e saj.”

Për Holta Zaçajn, KED ka rinisur procedurat e zëvendësimin. Si herën e parë, me kandidatë, por nuk dihet nëse Gjykata e Lartë kësaj radhe e ka seriozisht, apo një lojë të dytë. Doktori kuptohet nuk heq dorë. Lojë apo jo, ai duhet të jetë pjesë e saj.

“Konstatimi i militant Sadushit është nul, është antikushtetues, nuk ka asnjë vlerë. Fakti që ai ndërmerr një hap të tillë, ai përbën një puç kundër Gjykatës Kushtetuese, në fakt kundër shtetit.”

Por hallin më të madh, doktori dukej se e kishte jo te kryetarja Zaçaj, por anëtarja Bejtja. Ajo në fakt ka më shumë kohë, pasi Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancë interpretimi me kërkesë të Presidencës më 16 tetor. Por megjithëse Kreu i Shtetit ka qenë në rregull me procedurën, kur vjen puna për të mbrojtur gruan e drejtorit editorial të televizionit Syri, Berisha tregohet me Begajn, edhe më i ashpër se me Sadushin.

“Nuk ka aty, ku ekziston ai. Ai ekziston në letër”/abcnews.al

GJKKO përgënjeshtron Berishën/ Gjykata: Nuk kemi asnjë përplasje me SPAK

Gjykata e Posaçme ka përgënjeshtruar çdo pretendim apo aludim për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përgënjeshtruar në këtë mënyrë deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në një reagim zyrtar, sqaron se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale.

Po ashtu sqarohet se marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Reagimi i plotë:

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.

Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

Eurostat, Shqipëria e para në Evropë, 166% rritje të fluturimeve në qershor krahasuar me para pandeminë

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e pushuesve të huaj, veçanërisht pas periudhës së pandemisë. Turizmi duket se është një ndër sektorët me rritjen më të shpejtë në vend. Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë zhvillim është vendosja e linjave ajrore “low-cost”, ashtu si në shumë vende të tjera të Europës, çka ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve komerciale.

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave, për muajin qershor të vitit 2025 Shqipëria ka arritur një rezultat shumë pozitiv. Krahasuar me të njëjtin muaj para fillimit të pandemisë, numri i fluturimeve është rritur me plot 166.4% duke kryesuar Europën dhe rajonin. Kjo rritje e ndjeshme e trafikut ajror tregon jo vetëm rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik, por edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe ofertës turistike të vendit. Vetëm gjatë muajit qershor, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur rreth 1.15 milionë pasagjerë. Gjatë këtij muaji janë kryer 6,830 fluturime, që kanë lidhur Tiranën me 103 destinacione në 31 shtete, përmes 27 linjave ajrore që operojnë në këtë aeroport.

Po si paraqitet situata në rajon? Pas Shqipërisë, vendi me rritjen më të lartë të fluturimeve komerciale është Bosnja dhe Hercegovina, me një rritje prej 64.7%. Edhe Serbia ka shënuar një trend pozitiv, me një rritje prej 41.4%. Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje më të moderuar prej 21.8%, ndërsa Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit që ka regjistruar një rënie në këtë drejtim, me -3.3%.

Çfarë ndodh në pjesën tjetër të Europës? Në rang europian, Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të numrit të fluturimeve, e ndjekur nga Islanda, me një rritje prej 106.9%. Më pas renditen Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Polonia.

Megjithatë, jo të gjitha shtetet kanë ruajtur një bilanc pozitiv. Sipas të dhënave, Letonia ka shënuar rënien më të madhe të fluturimeve komerciale, me -30.7%. Situata paraqitet gjithashtu negative për Suedinë (-23.6%), Finlandën (-22.3%) dhe Slloveninë (-21.7%).

UEFA Conference League/ Hidhet shorti, Egnatia, Vllaznia & Dinamo City njohin rivalët e mundshëm

Është hedhur sot në Nion të Zvicrës shorti për turin e tretë kualifikues të Conference League, ku Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City janë njohur me rivalët e mundshëm në rast kalimi të turit të dytë.

Kampionia e Shqipërisë, Egnatia nëse do të arrijë të kualifikohet ndaj Dinamo Minsk, do të përballet me fituesin e duelit Olimpija (SVN) – Inter Escaldes (AND).

Vllaznia ka përballë skuadrën Víkingur Reykjavík në raundin e dytë dhe në rast kualifikimi do të luajë në turin e tretë me ekipin fitues të H. Bóltfelag (FRO) – Brøndby (DEN).

Dinamo City në rast se kalon me sukses Atletic Escaldes, do të përballet në raundin e tretë me fituesin e çiftit Zire (AZE) – Hajduk Split (CRO).

Ndeshjet e para në turin e tretë të UEFA Conference League do të luhen më 7 gusht, ndërsa ato të kthimit më 14 gusht.

Ndihmë për e-Albania nëpër bashki/ Balluku në Patos, monitorohen sportelet ku ofrohet shërbimi

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është ndalur në Patos, ku edhe ka monitoruar sportelet ku ofrohet shërbimi.

Balluku u shpreh se nëpërmjet E-Albania janë shmangur shumë burokraci. Ndërsa nënvizoi se qytetarët t’i drejtohet sporteleve nëpër bashki ku ofrohet shërbimi për çdo paqartësi.

Në këto zyra, theksoi Balluku, ofrohen të gjitha shërbimet, përfshirë edhe shërbimet e Postës, së “IdentiTek” për marrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave, ashtu si edhe shërbimet që lidhen me bashkitë.

“Të gjitha shërbimet e e-Albania, veçanërisht për moshat e treta që e kanë më të vështirë përdorimin e teknologjisë, ofrohen falas nëpërmjet zyrave me një ndalesë. Çdo zyrë avokatie apo noterie që ofron këto shërbime me pagesë është në shkelje të plotë të ligjit”, theksoi Balluku.

Këto zyra synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimet digjitale për të gjithë qytetarët, duke ndihmuar në mënyrë të veçantë ata që hasin vështirësi teknologjike.

/abcnews.al/

Tërheqja amerikane nga punët e brendshme të Shqipërisë (dhe të botës)

Nga Skënder Minxhozi

Në vazhdën e zgjedhjeve relativisht të qeta të 11 majit, sipas standartit shqiptar të zgjedhjeve, një temë e mbajti ndoshta më shumë se të tjerat të tendosur debatin postelektoral për shumë ditë. Ishte “heshtja që fliste” e ambasadës amerikane në Tiranë në lidhje me rezultatin, fitimtarët dhe humbësit. Më saktë, heshtja e autoriteteve amerikane që nuk po dërdonin ende mesazhet e rastit për rezultatin e votimeve dhe mënyrën sesi u zhvilluan ato. Një mesazh i tillë i prerë dhe i paapelueshëm ka qenë tradicionalisht këto 34 vite gongu i mbarimit të garës zgjedhore në vendin tonë.

Gjerësisht qëndrimi amerikan është pranuar si standarti i vlerësimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Aq sa pala humbëse e ka pasur përherë të vështirë ta hedhë poshtë ose ta anashkalojë atë, ashtu si edhe pala fituese është kujdesur me fjalët dhe reagimet kur deklarata nga Uashingtoni kishte vërejtje apo tërheqje veshi.

Ky vit do të jetë i ndryshëm. Ashtu si shumë e shumë gjëra kanë qenë të ndryshme pas 20 janarit për të gjithë globin, kur në Zyrën Ovale hyri për herë të dytë Donald Trump. Nuk mërzitet vetëm Berisha me heshtjen amerikane, mërziten edhe evropianët me aleatin e madh që vendos tarifa, mërziten të dyja hemisferat dhe mbi 170 shtete që jetojnë në to për modifikimet e politikës së jashtme amerikane. SHBA ka premtuar të ndryshojë politikën e saj të jashtme, duke ribërë piketat historike të diplomacisë së saj që e shtynin të ishte kudo dhe të fliste, e disa herë të vendoste, për gjithçka.

Pa i hyrë thellë këtij procesi që pritet të jetë i gjatë dhe tejet kompleks, media amerikane njoftoi së fundi se administrata Trump ka marrë vendimin për të hequr dorë nga linja ndërhyrëse në proceset elektorale në botë, duke marrë një pozicion asnjanës dhe protokollar. “Departamenti i Shtetit do të ndërhyjë në zgjedhjet e huaja vetëm kur të ketë një interes të qartë dhe të fuqishëm për SHBA-në, duke u fokusuar në rëndësinë strategjike dhe jo në përhapjen e vlerave demokratike”, shkruan networku i madh Fox News.

Dhe një provë të vogël të këtij e patëm edhe ne shqiptarët që në 11 maj, në këtë cep të Evropës. Ndërsa administrata Biden ishte e kudondodhur para, gjatë dhe pas zgjedhjeve me deklarata e qëndrime disa herë edhe urgjente e kritike, ambasada e SHBA në Tiranë qëndroi gjatë në heshtje teksa rezultati i zgjedhjeve merrte formë. Aq sa, duke e vënë përballë këtë qëndrim të pazakontë me shifrat e zhurmshme të socialistëve, opozita nuk vonoi të krijonte një re tymi sa i përket asaj që e quajti “pakënaqësi amerikane në lidhje me zgjedhjet shqiptare”. “E shihni që s’i kanë uruar, prisni kur t’i heqin vizën. Është çeshtje orësh” – sa e sa orë televizive, shkrime dhe komente e analiza janë derdhur në eterin shqiptar si variacion i këtij kumti pas 11 majit, çka ishte de facto e fundit komardare shpëtimi që i mbeti Sali Berishës përballë 83 mandateve të Edi Ramës.

Prognoza e opozitës për pakënaqësinë amerikane rezulton e pavërtetë, teksa lexon shkrimin e Fox News. SHBA kërkon të ndryshojë kursin e diplomacisë së saj misionare, duke u fokusuar tek një pozicion pragmatist dhe në përputhje të ngushtë me interesat e saj strategjike. Jo më përhapje e demokracisë në çdo cep të globit si në kohën e republikanëve të G.W.Bush, as edhe një predikim i përbotshëm vlerash apo lista porosish ndaj një morie shtetesh, si çka ndodhur me administratat e Obamës apo Biden. Kjo linjë duket se ka marrë fund, në këmbim të një pozicionimi më të ftohtë e më pak paternalist në këto tema.

Tërheqje apo një riformatim i protagonizmit të shtuar të dekadave të fundit, kjo është diçka që do të marrë formë në muajt dhe vitet e ardhshme. Një gjë ama është e sigurt qysh në krye të herës: Donald Trump ka alergji nga leksionet demokratike kur vjen puna tek zgjedhjet. Shumëkush kujton sesi kontestimi që ai i bëri humbjes përballë Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, degjeneroi në sulmin ndaj Capitol Hill në 6 janar 2021 ku pati të vrarë dhe të lënduar. Tema e zgjedhjeve është për Trump një nerv i zbuluar dhe me shumë gjasë pozicioni i ri i Departamentit të Shtetit e reflekton edhe në kursin e vet diplomatik këtë rrethanë konkrete që lidhet me Amerikën e pas vitit 2021.

Një tjetër temë irrituese për Presidentin Trump është ajo e drejtësisë. Edhe në këtë aspekt qëndrimi amerikan në lidhje me drejtësinë shqiptare ka reflektuar gradualisht dhe indirekt humorin e prishur të presidentit Trump me gjykatat e prokurorët e SHBA, të cilët hodhën mbi të një mal prej mbi 90 akuzash para zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Heshtja e amerikanëve gjatë muajve të fundit ndaj SPAK dhe përgjithësisht ndaj reformës në drejtësi, ka “folur” në mënyrë mjaft elokuente pa e hapur gojën. Jo më deklarime në mbështetje të drejtësisë së re shqiptare, jo më takime e foto protokollare me përfaqësues të saj, por thjesht një pajtim në heshtje me qëndrimet evropiane në lidhje me këtë temë. Ka rënë në sy muajt e fundit fjala vjen, që takimet e diplomatëve amerikanë me krerë të drejtësisë së re janë kryer në ambasadat britanike ose evropiane, por jo në ambasadën amerikane siç ndodhte rëndom.

Është logjike të mendohet se kjo ftohje e Uashingtonit ndaj këtij projekti të financuar me para amerikane dhe të mbështetur fort qysh në ditët e para pas vitit 2015, ka të bëjë me një qëndrim të ndryshuar të administratës Trump ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Të cilin vetë Donald Trump e ka akuzuar si një repart inkuizitor që godet në mënyrë selektive dhe tendencioze kundërshtarët politikë.

Këto modifikime të politikës amerikane ndaj Shqipërisë shënojnë një kthesë që do të prodhojë efektet e saj në skenën shqiptare. Për mirë ose për keq kjo mbetet të shihet. Ne duhet të fillojmë ta mësojmë veten se nuk do të kemi më mbi krye arbitrin e përjetshëm amerikan, që na thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Kjo është një mundësi për të krijuar pjekurinë dhe pavarësinë tonë, ashtu siç mund të jetë edhe një rrethanë që do ta përkeqësojë, të paktën në hapat e parë, situatën në lidhje me zbatimin e ligjit, standartet demokratike dhe soliditetin e shtetit. Megjithatë për amerikanët kjo tashmë ka pak rëndësi. Ata kanë përqafuar platformën “America First” (Amerika më e para) dhe kjo nënkupton heqjen dorë nga shumë prej spaletave që kanë mbajtur në skenën botërore. Kemi hyrë në një botë të re bashkë me shumë të tjerë rrotull nesh, apo edhe në cepat më të largëta të globit. Duhet të mësojmë të notojmë vetë!

Takim i nivelit të lartë, vendet perëndimore koordinojnë armatimin e Ukrainës

Anëtarët e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), të kryesuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, do të takohen për të diskutuar planet e presidentit të SHBA-së Donald Trump që aleatët e NATO-s t’i sigurojnë Ukrainës armë.

UDCG – i njohur edhe si formati Ramstein – vjen pasi Trump tha se dërgesat e armëve, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, mund të mbërrijnë në Ukrainë brenda ditësh.

Trump javën e kaluar tha se ai nënshkroi një marrëveshje me aleatët e NATO-s që do të çonte në dërgesa armësh në shkallë të gjerë në Ukrainë, duke përfshirë sistemet Patriot – të konsideruara si një nga më të mirat në botë për zbulimin dhe kapjen e një game të gjerë objektivash ajrore që vijnë.

“Ne do të dërgojmë Patriot në NATO dhe më pas NATO do t’i shpërndajë ato”, tha Trump.

“Aleanca do të paguajë për sistemet”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, duke folur së bashku me shefin e NATO-s Mark Rutte, tha se armët do të paguhen nga aleatët evropianë dhe se dërgesat fillestare do të mbërrijnë “brenda disa ditësh”.

Kuptohet që kombet evropiane do t’i transferojnë armët – të mbledhura nga rezervat ekzistuese ose nga ato të reja të blera nga SHBA, në Ukrainë. Zëvendësimet do të blihen nga SHBA.

Nuk është ende e qartë nëse janë bërë transferime armësh në Ukrainë, me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Gjeneralin Alexus Grynkewich, i cili tha se përgatitjet për dorëzimin e armëve ishin “në proces”.

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, tha se nuk mund të jepte një afat kohor. Ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ishte i bindur se Gjermania së shpejti do të arrinte një marrëveshje me SHBA-në për dorëzimin e Patriotëve.

“Negociatat midis ministrave të mbrojtjes ishin konkrete dhe dorëzimi i tyre ishte çështje ditësh, ndoshta javësh”, tha Merz.

Raportohet se Forcat e armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr, do të dorëzojnë dy nga nëntë sistemet e saj të mbetura Patriot dhe do të marrin zëvendësime nga SHBA.

Ky veprim vjen pavarësisht planeve fillestare për të blerë dy sisteme Patriot nga SHBA dhe për t’i dërguar ato direkt në Ukrainë.

Sisteme të tjera mund të dorëzohen nëpërmjet Zvicrës, ministria e mbrojtjes e së cilës njoftoi gjithashtu se ishte informuar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së për të “ripërcaktuar përparësitë e dorëzimit” të pesë sistemeve të porositura më parë për të mbështetur Ukrainën.

Një zyrtar i lartë i NATO-s deklaroi se aleanca po koordinon dorëzimin e mbështetjes shtesë ushtarake, duke përfshirë municione dhe predha artilerie, ndërsa Ukraina pret mbërritjen e sistemeve Patriot.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se zyrtarët e tij kanë propozuar një raund të ri bisedimesh për paqe që do të zhvillohen këtë javë.

Elbasan, dorëhiqen nënkryetarët e Bashkisë/ E paqartë nëse i binden urdhrit të Ramës apo pas hetimit për inceneratorin

Dy drejtorë i janë përgjigjur kërkesës së kryeministrit Rama për të dhënë dorëheqjen! Konkretisht ish-drejtori i ASHPR dhe ASHPRU kanë dhënë dorëheqjen brenda afatit.

Nga bashkia Elbasan theksohet se gjithashtu është dorëhequr kryetari i njësisë administrative që ka nën menaxhim varrezat e qytetit pas kritikave të kryeministrit Rama për keqmenaxhimin me mbetjet!

Sa i takon drejtorive të tjera drejtuesit vijojnë punën normalisht.

Vetëm pak më parë nga bashkia e Elbasanit bëhet me dije se janë dorëhequr nënkryetarët e këtij institucioni por mbetet e paqartë nëse dorëheqjet kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të banesave nga Prokuroria e Elbasanit apo në vazhdën e dorëheqjeve të kërkuara nga kreu i qeverisë.

“Zvarritja e gjyqit nuk është më surprizë”/ Meçe për dosjen “Partizani”: Po tejkalohen të gjitha afatet ligjore

Vijon zvarritja e gjyqit ndaj Berishës. Edhe në seancën e dytë për aferën “Partizani” avokatet shkuan me një strategji të qartë.

Analisti Arben Meçe në një intervistë në “News Line” në ABC News tha se zvarritja e gjyqit të Berishës, tashmë nuk aspak surprizë. Më tej nënvizoi se me dosjen “Partizani” po tejkalohen të gjitha afatet ligjore.

“Artifica e përdorur sot është një absurditet i madh. Të arrijë një person që ka status të pandehur tashmë dhe të rrëzojë gjithë sistemin, të dali individi dhe të kundërshtojë prezencën e institucionit, çfarë mund të thuash? Kjo është një gjë që duhet dalluar mirë në pozicionin politik e ligjor. Berisha kur nuk njohu vendimin e SPAK e procedura. Berisha ka hapur një precedent tjetër që thotë nuk njoh Kushtetuesen. Të bëhen ankimime të kësaj natyre që të goditet rendi kushtetues, më duket absurde. Por mendoj që sistemi ynë i drejtësisë do të mbajë një qëndrim ndaj këtij precedenti”, tha ai.

Shtyerjen e gjyqit, Meçe e ka konsideruar një “show” të ish-kryeministrit Berisha, Gjithashtu nënvizoi se kërkesa për rrëzimin e trupës gjyqësore sipas tij është qesharake.

Berisha po mbijeton dhe të gjitha këto ngjarje në analizë, nuk janë ngjarje. Pritshmëria e Berishës është që sa më shpejt të prodhohet një ngjarje që më pas të kapet me të. Shumë funksionarë shtetërore që kanë kaluar në SPAK, fitoren më të madhe të tyre e kanë daljen në kauzë të PD. Të dalë i pandehur dhe të kërkojë rrëzimin e Gjykatës, kjo është absolutisht e paligjshme dhe e penalizueshme që në pretendim”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

Vrasja e Santiago Malkos/ Prokuroria e Posaçme kërkon 57 vite burg për vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka

Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të Leonard Dukës për vrasjen e ish-policit Santiago Malko dhe dënimin e tij me 32 vite burg dhe vëllait të tij Erlis Duka me 25 vite burg.

Për Fatmir Hysenin dënimi me 32 vite burg. Dënimin e Aleksandër Manxhakut me 22 vite burg. Oltian Loga me 23 vite burg, ndërsa Dritan Agai me 23 vite burg.

Santiago Malko u ekzekutua ne gusht te vitit 2019-te  teksa lëvizte me një automjet në rrugën “Xhanfize Keko” ne Tirane.

Si u ekzekutua Santiago Malko?

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”. Malko u ekzekutua me breshëri automatiku në automjetin e tij  BMW X5, ku sapo kishte dalë nga një lavazh.

Leonard Duka dhe Erlis Duka, vëllezër me njëri-tjetrin, të dy dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht, Santiago Malkon, ish-oficer policie.

Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja.

Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volksëagen’, golf ishin Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.

Sipas hetimeve, Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre.

Ata janë kthyer dhe janë ndaluar në rrugën “Xhanfize Keko” ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi./abcnews.al

Not, Popoviç me rekord europian/ Kampioni rumun vendos kohën 46”71 në turneun U23

Njihet si djaloshi i artë i Ballkanit. David Popoviç mund të jetë vetëm 20 vjeç, por prej kohësh është një yll i njohur në të gjithë botën, ndërsa po thyen rekorde të notit njërin pas tjetrit.

Notari i shquar rumun theu rekordin europian në 100 metra stil i lirë, padiskutim gara më e shquar dhe më klasike e këtij sporti, ndonëse mori pjesë thjesht në Kampionatin Europian U23.

Në turneun në pishinën e qytetit Shamorin në Sllovaki, Popoviç dha kohën 46”71.

Rivalët nuk patën asnjë shans, me 20-vjeçarin që arriti rezultatin e dytë më të mirë në histori për të gjitha kohët.

Ai ka qenë më parë rekordmen botëror, ndërsa padyshim që do të synojë ta thyejë rekordin që tani e mban kinezi Pan Çan Le me 46”40, pra 31 të qindat më pak se rumuni.

Popoviç mban rekordin botëror për të rinjë në 100 metra, ndërsa në 2022 doli kampion i botës në 100 e 200 metra stil i lirë, i pari notar që ia del në të njëjtin kampionat që nga viti 1973.

Edhe pse nuk shkëlqeu siç duhet në Lojrat Olimpike në Paris vitin e kaluar, rumuni është tepër i ri dhe prej tij priten rekorde dhe medalje të arta të tjera.

Shqiptarët bëjnë ligjin/ Rubin fiton 2-0 në Grozni në startin e kampionatit rus

Ishte dita e tyre. Rubin i Kazanit ka disa lojtarë me origjinë shqiptare në përbërje, dhe ata e nderuan në nisje të Premier Ligës së Rusisë.

Skuadra nga Tatarstani fitoi 2-0 në fushën e Ahmatit në Grozni, dhe autorë të golave ishin ata.

Të parin e realizoi Dardan Shabanhaxhaj, lojtar me origjinë nga Kosova e që luan për Austrinë, ndërsa të dytin Veldin Hoxha, I cili ka pranuar të luajë për Kosovën.

Gjithsesi, nuk mund të mungonte Mirlind Daku.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare nisi aksionin e rrjetës së parë, dhe shërbeu asist me finte në të dytin.

Një rol I ri për të, të paktën në ndeshjen e parë, ndërsa duhet të justifikojë kontratën e re, që e bën lojtarin e tretë më të paguar në Rusi.

“Rubin e nisi me fitore sezonin, Daku sërish në qendër të vëmendjes, duke u bërë hero I javës së parë të kampionatit”, – shkruajnë mediat ruse.

Besohet se ambiciet e skuadrës së shqiptarëve, në të cilën bën pjesë edhe Marvin Çuni, gjithashtu I kombëtares kuqezi, janë që të hyjë në pesë më të mirat e kampionatit, ndonëse në kontratën e Dakut ekziston një klauzolë, sipas së cilës ai mund të fitojë 500 000 euro nëse ndihmon ekipin për t’u shpallur kampion.

Dyqind mijë euro të tjera I merr nëse fiton Këpucën e Artë, por për momentin po kënaqet duke dhënë asiste.

 

Nuk është vetëm Pogaçar/ Etapën numër 15 në Tour e fitoi shoku i tij i ekipit, Vellens

Një nga arsyet që fiton është edhe skuadra. Tadej Pogaçar është padyshim talenti më i madh i çiklizmit në botë sot për sot, një njeri që mund të guxojë rekordet e Edi Merksit, por gjithsesi ekipi UAE është më shumë se një yll.

Kjo u duk në etapën e 15-të të Turit të Francës, të cilën e fitoi shoku i ekipit i sllovenit, Tim Velens. Çiklisti belg realizoi një shkëputje të guximshme, pasi u lejua që të luftonte për fitoren individuale.

Veterani 34-vjeçar la pas grupin kryesor që 55 km para finishit, dhe në fund u shkëput edhe nga disa çiklistë të tjerë të arratisur si ai. Kjo ishte fitorja e parë e etapës nga Velens në Turin e Francës, pasi më parë e kishte bërë në Xhiron e Italisë dhe Vueltën e Spanjës.

Pogaçar pati një itinerar të qetë në terrenin kodrinor nga Myre në Karkasone, me gjatësi 169 kilometra. Kampioni në fuqi ruajti diferencën prej 4’13” nga ndjekësi dhe rivali I tij kryesor, Jonas Vingegard.

Danezi do të ketë mundësi të sulmojë që nga kjo e martë, kur nisin etapat malore në Alpet franceze, ndonëse përmbysja duket e vështirë. Mbeten edhe 6 etapa dhe Pogaçar duket se po shkon drejt titullit të tij të katërt në Tur, një më pak se legjendat Merks, Ankëtil, Ino e Indurain./abcnews.al

Thompson, “çmenduri” tripikëshash/ Veterani 35-vjeçar realizon 72 kosha radhazi nga distanca

Ishte njëri nga ata që njiheshin si “Vëllezërit Splesh”.

Klej Tompson, së bashku me binjakun e tij të parketit, Stef Kërri, kanë shkruar historinë e basketbollit amerikan, duke u shpallur katër herë kampionë të NBA-së, e po ashtu duke qenë të shquar si bombardues nga distanca.

Njëri nga lojtarët me gjuajtjet më të sakta tripikëshe për të gjitha kohët, realizoi një tjetër heroizëm të jashtëzakonshëm.

Në një video të hedhur në rrjet, Tompson shihet duke shënuar 72 kosha për tri pikë radhazi.

Kjo, gjatë një stërvitjeje tek skuadra e tij, Dallas Maveriks.

Forma e veteranit 35-vjeçar duket e shkëlqyer, madje shumë kohë përpara nisjes së sezonit, që pritet të fillojë si zakonisht në tetor.

Po flasim për një basketbollist që mban rekordin për më shumë kosha tripikësh në një ndeshje në NBA, 14 të tillë, dhe si rekordmeni I tripikëshave gjatë plej ofit, 98, baraz me Stef Kërrin.

Gjatë karrierës së gjatë te Golden Stejt Uorriërs, “vëllezërit” Splesh fituan 4 tituj kampion, po aq sa ka mbreti Lebron Xhejms, dhe dy më pak se Majkëll Xhordan.

Gjithsesi, 72 kosha tripikësh radhazi nuk janë një rekord, dhe këtë e mban pikërisht Stef Kërri.

Në dhjetor të vitit 2020, ai shënoi për pesë minuta radhazi nga distanca, duke arritur në 105 kosha tripikësh radhazi, pa asnjë gabim.

❌