Linjë e re 35 kV dhe riparim nënstacionesh në Elbasan, 599 milionë lekë investim i OSSH-së
TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Një projekt i rëndësishëm energjetik që parashikon ndërtimin e një linje të re 35 kilovolt dhe rikonstruksionin e disa nënstacioneve në rajonin e Elbasanit pritet të vihet në zbatim së shpejti.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë shpalli kontratën për realizimin e këtij investimi, i cili kap vlerën e 599 milionë lekëve.
Projekti përfshin ndërtimin e një linje të re 35 kV me shtylla 110 kV dhe dy qarqe, që do të nisë nga nënstacioni Radio-Elbasan, duke kaluar nëpër Banjë, Cërruje dhe Gramsh, për të përfunduar në Mjekës-Elbasan.
Në të njëjtën kohë do të fuqizohen dhe riparohen nënstacionet Gramsh, Cërruje dhe Banjë, duke i pajisur me trakte të reja 35 kV.
Ky investim synon përshtatjen e rrjetit me zhvillimet e reja në terren, sidomos me shtimin e burimeve të reja gjeneruese të energjisë si hidrocentralet dhe impiantet fotovoltaike në zonë.
Linja do të ndërtohet në trasë të re dhe parashikohet të jetë me dy qarqe 35 kV.
Qarku i parë do të lidhë nënstacionin Radio me Banjën, Cërrujen dhe përfundon në Gramsh, ndërsa qarku i dytë do të nisë nga Gramshi drejt nënstacionit Banjë, për të vazhduar më pas deri në nënstacionin Mjekës-Elbasan, ku do të lidhet me linjën ekzistuese.
Në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen trakte të reja hyrje-dalje në nënstacionet Gramsh dhe Cërruje, me cela të brendshme 35 kV, ndërsa në nënstacionin Banjë do të ndërtohet një portal dhe ndarës i ri 35 kV.
Qarku i dytë do të përfshijë gjithashtu ndërlidhjen me rrjetin ekzistues në nënstacionin Mjekës-Elbasan. /j.p/
The post Linjë e re 35 kV dhe riparim nënstacionesh në Elbasan, 599 milionë lekë investim i OSSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.