PRISHTINË, 18 gusht /ATSH/ Në Prishtinë është hapur sot edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare i cili do të vazhdojë deri më 29 gusht. Në këtë seminar do të marrin pjesë rreth 200 studiues nga vende të ndryshme.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ky seminar është ngjarja më jetëgjatë në jetën kulturore të Kosovës.
Kurti tha se entuziazmi për gjuhën, artin dhe kulturën shqiptare duhet të rritet, prandaj shprehu edhe mbështetjen për të gjitha institucionet që kanë këtë detyrë
“Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe imagjinatës dhe i kulturës, pra është komunikim qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore… Sido që të jetë pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore entuziazmi ynë për gjuhën shqipe në kulturën, artin dhe shkencat tona duhet vetëm të rritet e si kryeministër shpreh gatishmërinë time të mbështetjes së institucioneve që janë drejtpërdrejtë të lidhura me këtë qëllim fisnik e detyrë historike”, theksoi Kurti.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu tha se në edicionin e 43-të të këtij seminari do të marrin pjesë rreth 200 studiues e dashamirës të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Ai theksoi se qëllimi i këtij seminari është të ruhen rrënjët e gjuhës dhe kulturës shqipe.
Fillim të mbarë për këtë edicionin të seminarit uroi edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, i cili tha se Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare ka jetëgjatësinë më të madhe si ngjarje kulturore në gjitha trojet shqiptare.
“Ngjarja kryesore dhe kulturore me jetëgjatësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë, por në mbarë hapësirën shqiptare. Ka këtu akoma dëshmitarë siç jam unë dhe të tjerë si unë të atij fillimi të lartë të vitit 1974 kur Qendra e Studimeve për të huaj e mori emrin e seminarit, emër që e ka edhe sot… ne jemi të vetëdijshëm që edhe në punë të organizimit të seminarit, të mësimdhënies, dhe ligjërimit do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore siç do të jetë e nevojshme që dijet albanologjike përfshirë studimet gjuhësore dhe letrare të braktisin pozitivizmin dhe të zhvillojnë mendimin kritik, por në anën tjetër kam besim se edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër deri tani do të merrni me vete përshtypjet më të mira për mikpritjen dhe miqësinë”, theksoi Kraja.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdullah Rexhepi tha se ky seminar edhe këtë vit organizohet në përputhje me standardet më të larta akademike dhe kulturore.
“Duke qenë të vetëdijshëm për idealet e larta të themeluesve të seminarit, ne sot vazhdojmë të ndjejmë detyrimin që organizimi të jetë në përputhje me standardet më të larta akademike si dhe kulturore. Por edhe të jetë edhe me nevojat infrastrukturore të kohës… gjatë këtyre dy javëve krahas kurseve të gjuhës shqipe për pjesëmarrësit e ardhur nga vendet e ndryshme të botës do të zhvillohen edhe 11 ligjërata nga albanologë të shquar vendor dhe të jashtëm, 84 referime nga fusha të ndryshme të albanologjisë si dhe 50 kumtesa shkencore në kuadër të temave bosht të këtij seminari”, deklaroi Rexhepi.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se ky seminar nuk është thjesht aktivitet akademik, por platformës ku mësohet gjuha shqipe si gjuha më e vjetër në Evropës.
Drejtoresha e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturën Shqiptare, Lindita Sejdiu tha se seminari është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.
I pranishëm në hapjen e edicionit të 43-të të këtij seminari ishte edhe bashkëdrejtori i seminarit në Tiranë, Shezai Rrokaj.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiuese/studiues që merren me çështje të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht. Deri më tani, seminari ka zhvilluar gjithsej 42 sesione. /KosovaPress/
The post Hapet edicioni i 43-të i Seminarit të Gjuhës, pjesëmarrës rreth 200 studiues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.