Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ruajtja e kulturës arbëreshe, inaugurohen instalacionet artistike në Casalvecchio di Puglia

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti Çepe, mori pjesë në inaugurimin e veprave artistike dhe instalacioneve të skulptorit me famë ndërkombëtare, Helidon Xhixha, një artist që me mjeshtëri bashkon artin dhe identitetin.

Në këtë aktivitet që u zhvillua në qytezën arbëreshe Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia), morën pjesë autoritete lokale dhe përfaqësuesve të diasporës.
Instalacionet artistike nga artisti Helidon Xhixha janë pjesë e projektit Land Art.

Gjatë këtij aktiviteti, zëvendësministrja Çepe theksoi mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqiptare për ruajtjen e gjuhës, kulturës, artit dhe zakoneve arbëreshe, të cilat përbëjnë një dëshmi të rrallë të rezistencës shekullore.

“Ato përfaqësojnë ura të rëndësishme lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe një hap të fuqishëm drejt një Evrope më të bashkuar, përmes rrënjëve të përbashkëta kulturore”, theksoi ajo. /j.p/

1 nga 5

The post Ruajtja e kulturës arbëreshe, inaugurohen instalacionet artistike në Casalvecchio di Puglia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: Mbështetje për zgjerimin e aktivitetit bujqësor

Tiranë, 21 korrik/ATSH/ Bujqësia është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare, e cila ofron mundësi punësimi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe luan një rol kyç në furnizimin e tregut me produkte ushqimore vendase.

Sherbet Harziti, një fermer nga Baldushku me përvojë 15-vjeçare në bujqësi, ka ndërtuar një fermë model ku prej 8 vitesh kultivon me kujdes domate të vogla cilësore, të njohura për shijen e tyre të veçantë, freskinë dhe konkurrueshmërinë në treg.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri me dije se Harziti është përfitues i Skemës Kombëtare të Mbështetjes prej disa vitesh, përfshirë masat për mbështetjen e naftës dhe investime në sera. Kjo mbështetje i ka mundësuar atij të zgjerojë aktivitetin bujqësor, duke ulur kostot dhe rritur qëndrueshmërinë ekonomike të fermës së tij.

“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, ku ofrohet një grant prej 50%, si dhe mbështetje nga Kredia e Butë e kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2%, me mbulim kolateral deri në 70%”, theksoi ministrja Denaj.

Për të mbështetur fermerët dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike, qeveria shqiptare ka krijuar Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët. Kjo skemë përfshin subvencione të ndryshme, përfshirë mbështetjen për naftën bujqësore, investime në sera dhe kredi me kushte të favorshme, me qëllim nxitjen e modernizimit të fermave dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në treg. /j.p/

The post Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: Mbështetje për zgjerimin e aktivitetit bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Beci: 41 pika kritike në Shkodër bllokojnë hyrjen e mjeteve të emergjencave

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bëri të ditur sot se janë identifikuar 41 pika kritike në qytet, ku ndërtime të ngritura mbi 30 vite më parë bllokojnë hyrjen e mjeteve të zjarrfikëses dhe krijojnë rrezik në rast emergjencash.

Sipas Beci, bashkia e Shkodrës ka nisur ndërhyrjet në këto zona problematike, duke filluar me një nga rastet më shqetësuese pranë kryqëzimit të spitaleve, ku hapësira për kalimin e mjeteve emergjente mungonte totalisht.

Ai theksoi se përveç rrezikut që paraqesin për mjetet zjarrfikëse dhe ambulancat, këto bllokime kanë shkaktuar vështirësi të përditshme për banorët në lëvizjen e lirë dhe sigurinë urbane.

“Paralelisht me lirimin e hapësirave publike, do të vijojnë ndërhyrjet edhe në këto zona problematike, për t’i çliruar dhe për të shmangur çdo rrezik për qytetarët”, u shpreh kryebashkiaku Beci.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është në përputhje me fushatën e ndërmarrë në mbarë vendin, ku bashkitë po identifikojnë dhe ndërhyjnë në ndërtimet pa leje ose penguese, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurinë në zonat urbane.

Në Shkodër, ky proces pritet të vijojë me një plan të detajuar ndërhyrjesh, në bashkëpunim me strukturat e tjera të shtetit, për të garantuar akses të lirë për mjetet e emergjencës dhe rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve. /j.p/

The post Lirimi i hapësirave publike, Beci: 41 pika kritike në Shkodër bllokojnë hyrjen e mjeteve të emergjencave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndryshimet e drejtorëve, domosdoshmëri për angazhim të të rinjve

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndryshimet e drejtorëve në bashkive kryesore të vendit janë një domosdoshmëri për të dhënë një impuls të ri dhe për të adresuar problematikat që nuk lidhen vetëm me buxhetin, por edhe me përkushtimin dhe vëmendjen ndaj zhvillimit të këtyre bashkive.

Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se gjithsesi nuk duhet të futen të gjithë në një “thes”.

“Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë një nevojë urgjente për të dhënë një impuls të ri dhe për të shkundur mekanizmat e topitura të disa bashkive. Kjo është e domosdoshme për të adresuar problematikat që nuk lidhen me buxhetet e mëdha, por me vëmendjen dhe përkushtimin që duhet të kenë drejtuesit e këtyre bashkive”, u shpreh Kryeministri.

Ai përmendi gjithashtu ndryshimet pozitive që po ndodhin në disa bashki, si ato në Vlorë, ku ka pasur një rritje të menjëhershme të performancës, jo për shkak të buxheteve, por për shkak të vëmendjes së shtuar.

“Vlora është një shembull i qartë për ndryshimin e menjëhershëm që po ndodh në një kohë të shkurtër, jo për shkak të shtimit të buxhetit, por për shkak të vëmendjes të shtuar. Këtu janë angazhuar të gjithë deputetët, së bashku me kryetarin e bashkisë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se është hapur një proces, janë ftuar të rinjtë, djem dhe vajza, nga të gjitha rrugët e jetës, që të bëhen drejtues të rinj të bashkive.

“Asnjë prej atyre që kanë drejtuar më parë nuk duhet të qëndrojë për vite të tjera aty. Ndërkohë ka të tjerë që kanë vite që mendojnë se duhet t’u vijë radha dhe duhet ta kenë këtë mundësi, kudo në të gjitha bashkitë e mëdha. Nuk po flasim vetëm për bashkitë e vogla, ku burimet njerëzore janë më të kufizuara”, u shpreh Rama. /j.p/

The post Rama: Ndryshimet e drejtorëve, domosdoshmëri për angazhim të të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Bankers Petroleum” i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka fituar një arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila tani i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.

Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se “Bankers” ka qenë një prej ndërmarrjeve që ka shkaktuar probleme të mëdha për vendin.

“Ne kemi fituar me “Bankers” një arbitrazh dhe “Bankers” na detyrohet 240 milionë euro. Ka ardhur dita që Prokuroria të hetojë në mënyrë të pavarur. I heq kapelen Prokurorisë përkatëse që ka bërë hetimin në këtë rast dhe uroj që të nxjerrë ‘ujin e zi’ në këtë ndërmarrje ku realisht ka pasur shumë problematika”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se koncesioni i “Bankers Petroleum” është një nga shumë kontratat që janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme dhe që kanë sjellë kosto të larta për buxhetin e shtetit.

“Është kosto e një koncesioni të bërë para se unë të merrja detyrën”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se ka pasur shumë diskutime për koncesionet që qeveria e tij ka dhënë, por u shpreh se do t’i ribënte të gjitha ato, pasi janë në shërbim të popullit shqiptar.
“Është folur dhe stërfolur për koncesionet që kemi dhënë ne. Po t’i rikthehesha 100 herë, të gjitha nuk do t’i lija pa i ribërë, sepse janë të gjitha në shërbim të popullit shqiptar. Por koncesionet që kemi trashëguar janë “vrimat e zeza””, tha Rama.

Në lidhje me projektet koncesionare të qeverisë së tij, ai përmendi disa nga investimet më të rëndësishme, si rruga e Arbrit, pastrimi urban dhe sterilizimi i pajisjeve mjekësore, të cilat nuk kanë pasur kosto për qytetarët.

“Pavarësisht se në ndonjë rast mund të ketë pasur ndonjë problem, koncesionet apo partneritetet publike-private (PPP) kanë mundësuar ndërtimin e rrugës së Arbrit pa asnjë kosto për qytetarët. Po kështu, kemi bërë të mundur pastrimin e qyteteve tona pa asnjë barrë financiare për publikun, krahasuar me koston e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në vendet e tjera, ku as që fillon puna nën 30 euro për ton, ndërsa në shumë vende të tjera shkon mbi 100 euro për ton”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Rama theksoi përmirësimet në sektorin shëndetësor.

“Kemi bërë të mundur sterilizimin e të gjithë instrumenteve mjekësorë dhe kemi sjellë një rënie drastike të infeksioneve pas operacioneve. Kemi garantuar analiza laboratorike të një game të gjerë në të gjitha spitalet tona, pa kosto për publikun. Askush nuk paguan për një analizë apo shërbim spitalor bazik, ndryshe nga më parë”, tha ai.

Rama shtoi se nuk ka asnjë problem personal me ndonjë emër të caktuar kompanish.

“Nuk kam asnjë problem për sa i përket ‘Bankers’, kush e ka bërë ‘Bankers’-in apo çfarëdo emri tjetër që mund të gjesh nëpër rrugët e historisë ekonomike të Shqipërisë”, deklaroi ai. /j.p/

The post Rama: “Bankers Petroleum” i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon me intensitet edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur sot se një nga zonat ku po zhvillohet ky aksion është edhe Shkëmbi i Kavajës, një ndër destinacionet më të frekuentuara në bregdetin e Adriatikut.

“Lirimi i hapësirave publike garanton akses të barabartë për të gjithë pushuesit dhe përmirëson cilësinë e shërbimit”, u shpreh Kumbaro.

Ky proces është pjesë e një politike kombëtare për të siguruar plazhe të pastra, të organizuara dhe të hapura për të gjithë, duke shmangur zënien e padrejtë të hapësirës publike nga subjektet private.

Kontrollet dhe ndërhyrjet në terren po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, IKMT dhe strukturat vendore.

/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Pse tani e jo më parë”, Rama nesër drejtpërdrejt në “Sy m’sy”

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të zhvillojë një komunikim të drejtpërdrejtë, në orën 8:30 të mëngjesit të së hënës, për t’u dhënë përgjigje të gjitha diskutimeve dhe pyetjeve të ngritura nga qytetarët, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.

“Ca thonë pse tani e jo më parë? Ca pse tani e jo më vonë? Kurse unë them: pse jo nesër një SY M’SY? NESËR pra, që në mëngjes, live padyshim, KËTU ku tjetër?”, shkruan Rama.

Ky komunikim vjen në një moment kur strukturat shtetërore po zhvillojnë aksione të gjera në gjithë vendin për të liruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme, kryesisht në zonat bregdetare dhe në qytetet kryesore.

/r.e/

The post “Pse tani e jo më parë”, Rama nesër drejtpërdrejt në “Sy m’sy” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu nga Dukati: Në gatishmëri të plotë për kontrollin e zjarrit dhe mbrojtjen e Llogaras


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Mbi 80 efektivë nga Forcat e Armatosura, strukturat e emergjencave civile dhe ekipet zjarrfikëse janë angazhuar në vijën e parë të betejës për kontrollin e zjarrit në Dukat, në një aksion të koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte sot në Dukat, ku deklaroi se për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë, është angazhuar një përbërje shumëplanëshe forcash nga ajri dhe toka.

“Jemi në kushte të vështira, pasi përpjekja zhvillohet në lartësitë e Dukatit. Besojmë se mund të parandalojmë përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër. Në operacion janë përfshirë një helikopter në zonën e Dukatit dhe tre të tjerë në zona të tjera të vendit”, tha ministri Vengu.

Ai nënvizoi se kjo është një javë intensive me shumë vatra zjarri në rajonin e Mesdheut dhe Shqipëria nuk ka qenë e përjashtuar nga kjo valë përvëluese.

“Niveli i gatishmërisë është rritur në të gjithë mekanizmin kombëtar të emergjencave civile. Të gjitha forcat në terren janë në gjendje gatishmërie për të përballuar situatën dhe për të mbrojtur jetën, pronën dhe pasuritë natyrore”, deklaroi ministri.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako bëri të ditur se vatra e zjarrit në Dukat u shua dy ditë më parë, por u aktivizua për shkak të erërave.

Sipas tij, sfidë është mbajtja e zjarrit nën kontroll, pasi terreni është i vështirë.

Operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë në mënyrë intensive edhe në ditët në vijim.

/r.e/

The post Vengu nga Dukati: Në gatishmëri të plotë për kontrollin e zjarrit dhe mbrojtjen e Llogaras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla në Kretë: Sipërmarrësi grek vlerëson kontributin e shqiptarëve në ekonomi

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Gjatë një vizite në Kretë, ministri i Shtetit pë Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau një moment domethënës me një sipërmarrës grek, i cili vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve në ekonominë greke.

Në një video të publikuar nga ministri, sipërmarrësi grek thekson se pa shqiptarët, ekonomia do të kishte ndalur.

“Në çdo investim të ri në Kretë ka shqiptarë, sepse janë punëtorë të shkëlqyer. Po të mos kishin ardhur shqiptarët, ekonomia jonë me të vërtetë do të kishte pasur probleme”, u shpreh sipërmarrësi grek.

Balla komentoi se ky është realiteti që shumë grekë e pranojnë: shqiptarët janë krah pune i fortë dhe mbajnë mbi shpatulla një pjesë të rëndësishme të ekonomisë greke, veçanërisht në turizëm dhe ndërtim. Ai shtoi se kjo marrëdhënie ka krijuar një lidhje të qëndrueshme mes Greqisë dhe komunitetit shqiptar atje.

Balla tha se ky reagim vjen si një tjetër dëshmi e vlerësimit në rritje për rolin e shqiptarëve në ekonominë greke, sidomos në sektorët ku ata përbëjnë një forcë të rëndësishme pune.

/r.e/

The post Balla në Kretë: Sipërmarrësi grek vlerëson kontributin e shqiptarëve në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lirimi i hapësirave publike, çlirim për komunitetin dhe rritje e cilësisë së shërbimit


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje dhe strukturat abuzive është një çlirim i madh për komunitetin, këmbësorët dhe klientët e shërbimeve në zonat urbane.

“Çlirim i madh, jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, por edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit”, theksoi Rama, në një reagim në rrjetet sociale.

Ai paralajmëroi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të përkohshme.

“Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të gjitha do ikin, por bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shtoi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Lirimi i hapësirave publike, çlirim për komunitetin dhe rritje e cilësisë së shërbimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon operacioni “Siguria Detare” përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe lumore, me kontrolle intensive nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare për të garantuar siguri në ujë gjatë sezonit turistik.

Gjatë javës janë kontrolluar 431 mjete lundruese dhe janë bllokuar 30 prej tyre për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mungesë dokumentacioni.

Mjetet e ndaluara përfshijnë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji.

12 mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë secili.

Po ashtu, janë realizuar 7 ndërhyrje për të shpëtuar 13 shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ndodheshin në rrezik në det për shkak të dallgëve të forta ose defekteve në mjete.

Policia Kufitare bën apel për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe përdorimin e mjeteve lundruese vetëm në zonat e lejuara dhe me pajisje të plota shpëtimi. Qytetarët dhe pushuesit ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/r.e/

The post Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi pa leje në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari


TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në të gjithë bregdetin vijon operacioni “Plazhi i lirë” për lirimin e hapësirave publike dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private.

Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Policinë Bashkiake, konstatoi ndërtimin pa leje të një objekti “beach bar” dhe ushtrim aktiviteti me çadra e shezlongë, pa leje në plazhin e Radhimës.

Si rezultat, u shpall në kërkim shtetasi Sh. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa djali i tij 17-vjeçar u procedua penalisht në gjendje të lirë. Po ashtu u sekuestruan 90 çadra dhe shezlongë në cilësinë e provës materiale.

Policia deklaron se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës për të garantuar hapësira të lira dhe interesin publik.

/r.e/

The post Ndërtoi pa leje në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihmonte emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet 31-vjeçari në Shkodër

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë (Shkodër) finalizuan operacionin “Borders 2”, duke arrestuar një 31-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Shtetasi N. B., banues në Kamzë, u kap në flagrancë në fshatin Hot teksa transportonte gjashtë shtetas të huaj, 4 nga Nepali dhe 2 nga Pakistani, me qëllim kalimin ilegal të kufirit nga Mali i Zi drejt Greqisë, kundrejt pagesës 350 euro për person.

Gjatë operacionit u sekuestruan një automjet dhe një telefon celular.

Policia bën të ditur se po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

/r.e/

The post Ndihmonte emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet 31-vjeçari në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Velipoja, një nga plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, vazhdon të jetë një ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Velipojës, duke theksuar gjallërinë dhe numrin në rritje të pushuesve në këtë zonë të njohur për rërën me efekte kurative dhe peizazhin natyror të veçantë.

Me mbi 14 kilometra vijë bregdetare, Velipoja ofron një ndërthurje të rrallë mes detit, lumit, deltës me ishuj, kodrave, pyllit, lagunës dhe fushave, që e bëjnë atë tërheqëse për vizitorët në çdo stinë.

Shtimi i hapësirave publike dhe menaxhimi më i mirë i plazheve kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve këtë vit.

Rreth 60% e plazheve në bashkinë e Shkodrës janë publike dhe po mirëmbahen në kuadër të operacionit kombëtar “plazhe të pastra”, që zhvillohet për të katërtin vit radhazi me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

/r.e/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibë e Poshtme, ndërtohet shkolla e re “Mersin Duqi” për 150 nxënës

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon me intensitet puna në kantierin e shkollës së re 9-vjeçare dhe të mesme të bashkuar “Mersin Duqi” në Ibë të Poshtme, Bërzhitë, një investim që synon të ofrojë mjedise të sigurta dhe të denja për një arsimim cilësor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njëkohësisht deputete e sapozgjedhur në qarkun e Tiranës, deklaroi se shkolla e re do të krijojë kushte bashkëkohore për rreth 150 nxënës, si dhe për fëmijët e kopshtit dhe të nivelit parashkollor.

Investimi pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përfshirjen e komunitetit lokal në zhvillim të qëndrueshëm.

/r.e/

The post Ibë e Poshtme, ndërtohet shkolla e re “Mersin Duqi” për 150 nxënës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Verë dhe shampanjë pa fatura, arrestohet 42-vjeçari në Portin e Durrësit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në kuadër të kontrolleve intensive në hyrje dhe dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, bazuar në analizën e riskut dhe në funksion të goditjes së paligjshmërive në kufi, ushtruan kontroll ndaj një kamioni që drejtohej nga shtetasi Sh. G., 42 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit, u zbuluan disa arka me verë dhe shampanjë, të dyshuara për kontrabandë, pasi nuk u paraqit asnjë dokument blerjeje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 42-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa verërat, shampanjat, kamioni, pasaporta dhe telefoni i tij u sekuestruan si prova materiale.

Autoritetet deklarojnë se kontrollet në hyrje të territorit do të vijojnë me intensitet të lartë për të parandaluar dhe goditur çdo tentativë për kontrabandë dhe veprimtari të paligjshme.

/r.e/

The post Verë dhe shampanjë pa fatura, arrestohet 42-vjeçari në Portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks udhëtarësh në Kakavijë, mbi 7700 shtetas kalojnë kufirin në 24 orët e fundit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Pika kufitare e Kakavijës ka shënuar një fluks të shtuar udhëtarësh gjatë 24 orëve të fundit, teksa autoritetet raportojnë për 7761 shtetas që kanë kaluar kufirin.

Nga këta, 4407 persona kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 3342 kanë dalë drejt Greqisë.

Njëkohësisht janë përpunuar edhe 2544 mjete, nga të cilat 1444 në hyrje dhe 1098 në dalje.

Për të përballuar këtë volum të lartë lëvizjeje dhe për të shmangur radhët apo pritjet e gjata, Policia e Kufirit po operon me 6 sportele aktive, 3 për hyrje dhe 3 për dalje. Nga ana tjetër, autoritetet greke po punojnë me 4 sportele, përkatësisht 2 në hyrje dhe 2 në dalje.

Fluksi më i lartë i hyrjeve është regjistruar në orët e para të mëngjesit.

Ndërkohë, situata në pikën tjetër kufitare “Tre Urat” në Përmet, paraqitet e qetë dhe pa probleme.

Gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar 308 shtetas, nga të cilët 169 në hyrje dhe 139 në dalje, si dhe 160 automjete, nga të cilat 84 në hyrje dhe 76 në dalje.

Autoritetet kufitare mbeten në gatishmëri të plotë për të përballuar fluksin në rritje gjatë sezonit turistik, kur pritet që lëvizjet në pikat kufitare të intensifikohen ndjeshëm.

/r.e/

The post Fluks udhëtarësh në Kakavijë, mbi 7700 shtetas kalojnë kufirin në 24 orët e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në vend, 32 vatra në 24 orët e fundit, ndërhyrje nga ajri në Parkun e Llogorasë

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Situata e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese, me një numër të lartë vatrash të përhapura në disa zona.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.

Disa prej tyre ndodhen në zona të mbrojtura dhe me terrene të vështira, ku përhapja e flakëve po rrezikon pyje dhe sipërfaqe të mëdha me bimësi.

Zjarret janë regjistruar në bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.

Ndër vatrat ende aktive, në Dibër e Lurës, në zonën e “Liqenit të Luleve”, janë dy vatra, një në “Fusha e Pelave” dhe një tjetër mbi fshatin Gurë-Lurë që ndodhet nën monitorim.

Në Bulqizë, në njësinë Zerqan, një vatër është aktive në zonën e fshatit Krajkë, ku ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.

Në Mat, në zonën e Zall Gjoçajt, Përroi i Zi, flakët janë përhapur në një zonë të mbrojtur me pisha dhe ah, ndërsa ndërhyrja është e kufizuar për shkak të relievit të thepisur.

Në fshatin Dovolan të Maqellarës, zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonave përreth Drinit të Zi.

Në Mallakastër, në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga zona e Drenovës vijon të jetë aktiv.

Në Vlorë, në “Qafën e Shën Gjergjit” mbi Dukat, është riaktivizuar një vatër në majen e Paliskës, ku janë angazhuar forca vendore, Forcat e Armatosura dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri, pasi flakët po rrezikojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Në Tepelenë, në zonën pranë Beçishtit, afër antenave celulare, zjarri është nën monitorim.

Në Kurbin, në Shkopet të Milotit, pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur ende izolimi i plotë i flakëve, ndërsa janë djegur rreth 65 hektarë pyje.

Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq të Librazhdit, një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një pyll me gështenja.

Në total është djegur një sipërfaqe prej mbi 90 hektarësh, kryesisht me shkurre dhe bimësi të ndryshme.

Për shuarjen e vatrave janë angazhuar 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale.

Vetëm gjatë ditës së sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër situatën dhe bëjnë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët në këtë periudhë me temperatura të larta dhe rrezik të lartë zjarresh.

/r.e/

The post Zjarret në vend, 32 vatra në 24 orët e fundit, ndërhyrje nga ajri në Parkun e Llogorasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Saranda, destinacioni i preferuar i fundjavës, Rama ndan pamje nga plazhet plot me turistë


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga plazhet e Sarandës, ku fundjava ka sjellë një tjetër fluks të lartë vizitorësh, vendas dhe të huaj.

Saranda vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të sezonit veror, falë ujërave të kristalta, shërbimeve turistike në rritje dhe mikpritjes që e karakterizon prej vitesh.

Fluksi i turistëve në qytetin jugor dëshmon jo vetëm për popullaritetin në rritje të Rivierës shqiptare, por edhe për ndikimin pozitiv që turizmi po sjell në ekonominë vendase.

Vitet e fundit Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në mediet ndërkombëtare për sa i përket klasifikimit të vendit si një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët huaj, ku spikatin qytetet si Ksamili, Saranda dhe Vlora.

/r.e/

The post Saranda, destinacioni i preferuar i fundjavës, Rama ndan pamje nga plazhet plot me turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga “Zall” në Kërrabë drejt transformimit, Denaj: Nxitje bujqësisë dhe turizmit


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në zonën e Skuterit, Kërrabë, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Zall”, një aks kyç që lidh lagjen me rrugën kryesore dhe me një nga atraksionet më të veçanta natyrore të zonës, Syrin e Ciklopit.

Projekti i ri infrastrukturor synon përmirësimin e aksesit dhe sigurisë për banorët dhe vizitorët, përmes ndërtimit të rrugës me standarde të plota, përfshirë ndriçimin dhe vendosjen e bordurave.

Punimet për ndërtimin e rrugës pritet të përfundojnë brenda dy muajve e gjysmë, ndërsa është realizuar tashmë edhe sistemi i menaxhimit të ujërave të përroit, një element thelbësor për qëndrueshmërinë e investimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi se ky është më shumë se një projekt infrastrukture.

“Rruga është hapi i parë drejt një transformimi të plotë të zonës, nga një ish-minierë, në një destinacion të qëndrueshëm me potencial të madh për agroturizëm dhe zhvillim bujqësor”, u shpreh Denaj.

Ajo theksoi se për të gjithë banorët, është i nevojshëm një plan i integruar zhvillimi, ku të gërshetohen bujqësia, turizmi dhe iniciativat lokale, duke krijuar një ekonomi funksionale dhe të qëndrueshme për zonën.

“Banorët duhet të jenë pjesë aktive e këtij transformimi, për të krijuar rentabilitet ekonomik dhe për të rritur cilësinë e jetës së tyre”, shtoi ministrja.

Ky projekt pritet të jetë një model i zhvillimit rural të orientuar drejt qëndrueshmërisë dhe vlerësimit të potencialeve natyrore dhe kulturore të zonave periferike.

/a.gj//r.e/

The post Rruga “Zall” në Kërrabë drejt transformimit, Denaj: Nxitje bujqësisë dhe turizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌