Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vllaznia me besim në Europë/ Trajneri Martini e kapiteni Balaj optimistë para turit të dytë

Në kushtet që jemi arritën diçka të madhe.

Vllaznia kaloi turin e parë eliminator në Ligën e Konferencës pas fitores ndaj ekipit letonez, Daugavpils, por ritmi I futbollit veror nuk të lejon të festosh gjatë.

Këtë mbrëmje, skuadra shqiptare pret rivalin nga Islanda, Vikingur, një sfidë në stadiumin “Loro Boriçi” që nis në orën 20:30.

Ky është një rikthim pas çudisë tipike shqiptare, sepse Daugavpils u prit në “Elbasan Arenë”.

Trajneri Edi Martini komenton shanset e kuqebluve.

“Kemi përballë një ekip që është shumë i fortë fizikisht, është në fazën më të mirë të kampionatit. Kishin një ndeshje që luajtën me një lojtar mangët në pjesë të dytë, por sulmin dhe gjendjen fizike e kanë shumë të mirë. Janë prej të hënës në Shkodër që tregon edhe frikën e tyre karshi nesh. Janë më favoritë se ne, por ne do bëjmë maksimumin e mundshëm’

Si e pret Vllaznia këtë ndeshje?

“Përditë jemi më mirë, gjendja e lojtarëve. Por Qato nuk do jetë pjesë e ekipit, që na bën një dëm të madh. Të shohim edhe Salën, ka qenë me temperaturë, janë mungesa të rëndësishme”

Po kapiteni Bekim Balaj, çfarë mendon për këtë duel?

“Ndeshje e rëndësishme, kaluam turin e parë sigurisht me vështirësitë e veta por që kthehemi në Shkodër në Loro Boroci, edhe mbështetja e tifozëve do jetë një mbështetje e madhe për ne, shpresoj që t’ia dalim me sukses”/abcnews.al

Finalja është Spanjë-Angli/ Europiani i femrave, “furitë e kuqe” kalojnë Gjermaninë

Duan t’i shtojnë punës deri në fund.

Spanja jo më kot është kampione e botës në fuqi në futboll për femra, dhe këtë e tregoi në fitoren ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian.

Kjo sfidë në katërshe ishte një tabu e vërtetë për “Furitë e Kuqe”, pasi nuk kishin fituar asnjë ndeshje ndaj këtij kundërshtari në histori.

Kjo u ndje gjatë 120 minutave, pasi u deshën kohët shtesë për të përcaktuar fituesin.

E kuptueshme, sepse përballë patën një ekip që është 8 herë kampion I kontinentit.

Spanja luajti më mirë, mbajti topin plot 67 për qind, besnike e filozofisë së famshme iberike të zotërimit të lojës, siç ndodh edhe tek djemtë, një traditë e Barcelonës.

Edhe gjuajtjet ishin më shumë për kampionet e botës, 22 ndaj 15, e në kuadrat 9 me 4.

Gjithsesi, u deshën edhe pritet e portieres Kati që të shmangej humbja dhe eliminimi.

Në fushë, “Furitë e Kuqe” ishin me disa nga yjet më të rëndësishëm si Putejas apo Aitana Bonmati, që të dyja katalanase, dhe ishte pikërisht kjo e fundit që të shënonte golin e fitores në minutën e 113-të.

Finalja do të jetë Angli-Spanjë, ashtu siç ndodhi edhe në Kampionatin e fundit Botëror kur iberiket u shpallën kampione të planetit.

Ikja e dytë e Skëndër Gegës/ Trajneri jep dorëheqjen nga Partizani pas largimit nga Europa

Historia u përsërit, dhe siç është proverbi, në mënyrë më të pabukur.

Skënder Gega nuk është më trajner i Partizanit, pasi i paraqiti dorëheqjen presidentit Gazmend Demi, kërkesë që u pranua.

Tekniku 61-vjeçar ikën nga detyra vetëm një javë pas eliminimit të të kuqve nga Liga e Konferencës me ekipin nga Estonia, Kalju, por kjo duket se nuk ka lidhje me disfatën europiane.

Burime pranë klubit pohojnë se Gega ka pasur mosmarrëveshje me disa nga drejtuesit lidhur me transferimet e lojtarëve, sepse nuk kanë pranuar të marrin disa futbollistë të cilët ai I donte.

Kjo është hera e dytë që trajneri largohet, madje në mënyrë të papritur, ndërsa e para ndodhi në qershor 2019, pak ditë pasi fitoi titullin kampion në stolin e Partizanit, të parin pas plot 26 viteve.

Edhe në atë kohë u diskutua për një përplasje me drejtorin e atëhershëm sportiv, Olsi Rama.

Po flasim për një nga figurat më të dashura për tifozët partizanas, si ish-lojtar I viteve 80-të e 90-të.

Gega erdhi në detyrë në mars të këtij viti pas ikjes së trajnerit serb, Aleksandar Veselinovic.

Edhe Veselinoviç pati probleme me klubin pasi kritikoi politikën e transferimeve në janar, kur u larguan 4-5 titullarë dhe nuk u morën zëvendësues të denjë për ta.

Ende nuk dihet se kush do të ulet në stolin e të kuqve, ndërsa skuadra për momentin është pushim./abcnews.al

Egnatia e Dinamo provojnë fatin/ Dy skuadrat shqiptare e nisin jashtë aventurën europiane

Shpresojmë që ta marrin më shumë seriozisht. Egnatia, skuadra më e mirë e Shqipërisë dy sezonet e fundit, do të nisë sonte aventurën në Ligën e Konferencës, pasi dështoi në Champions.

Kampionia e vendit do të luajë në orën 20:45 në stadiumin e qytetit hungarez, “Mezokoveshd”, përballë kampiones së Bjellorusisë, Dinamo e Minskut.

Bjellorusët cilësohen vendas, pra ndeshja luhet në fushë asnjanëse për shkak të dënimit të vendit të tyre nga UEFA për shkak të rolit të Minskut në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Dinamo cilësohet favorite, ndonëse Egnatia padyshim që ka shanset e veta.

Skuadra nga Rrogozhina luajti shkëlqyeshëm e fitoi 1-0 në ndeshjen e parë të raundit të parë në Champions kundër kampiones së Islandës, Breidablik.

Suksesi duhej të kishte qenë më I thellë, por gjithçka u shkatërrua në kthim me humbjen 5-0.

Ekipi I trajnerit Edlir Tetova pësoi 4 gola që në pjesën e parë. Tashmë, shpresa është që të hyhet në fushë me mentalitet tjetër.

Ndërkaq po sot, në orën 16:00, Dinamo nis pjesëmarrjen në Europë, pasi u kualifikua direkt për në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Përballë bluve kryeqytetas në Andorrë do të jetë ekipi vendas, Atletik Klub Eskaldes./abcnews.al

 

Shqiptarët bëjnë ligjin/ Rubin fiton 2-0 në Grozni në startin e kampionatit rus

Ishte dita e tyre. Rubin i Kazanit ka disa lojtarë me origjinë shqiptare në përbërje, dhe ata e nderuan në nisje të Premier Ligës së Rusisë.

Skuadra nga Tatarstani fitoi 2-0 në fushën e Ahmatit në Grozni, dhe autorë të golave ishin ata.

Të parin e realizoi Dardan Shabanhaxhaj, lojtar me origjinë nga Kosova e që luan për Austrinë, ndërsa të dytin Veldin Hoxha, I cili ka pranuar të luajë për Kosovën.

Gjithsesi, nuk mund të mungonte Mirlind Daku.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare nisi aksionin e rrjetës së parë, dhe shërbeu asist me finte në të dytin.

Një rol I ri për të, të paktën në ndeshjen e parë, ndërsa duhet të justifikojë kontratën e re, që e bën lojtarin e tretë më të paguar në Rusi.

“Rubin e nisi me fitore sezonin, Daku sërish në qendër të vëmendjes, duke u bërë hero I javës së parë të kampionatit”, – shkruajnë mediat ruse.

Besohet se ambiciet e skuadrës së shqiptarëve, në të cilën bën pjesë edhe Marvin Çuni, gjithashtu I kombëtares kuqezi, janë që të hyjë në pesë më të mirat e kampionatit, ndonëse në kontratën e Dakut ekziston një klauzolë, sipas së cilës ai mund të fitojë 500 000 euro nëse ndihmon ekipin për t’u shpallur kampion.

Dyqind mijë euro të tjera I merr nëse fiton Këpucën e Artë, por për momentin po kënaqet duke dhënë asiste.

 

Liverpool, “mbret” i merkatos/ Kampionët anglezë kanë shpenzuar deri tani 300 milion euro

Liverpul është mbreti i merkatos së verës dhe duket e pamundur që deri në fund të këtij sesioni në tregun e transferimeve, ndonjë klub tjetër të mund ta zbresë nga froni.

Kampionët e Premier Ligës kanë shpenzuar deri tani 300 milion euro për blerjen e katër futbollistëve. I fundit është Hugo Ekitike, sulmuesi francez që transferohet nga Eintracht Frankfurt.
Pasi nuk arriti të merrte Alexander Isak, Liverpul ka paguar 81 milion euro për 23 vjeçarin.

Kësaj shifre i shtohet ajo rekord e Florian Virtz, si blerja më e shtrenjtë në historinë e Premier Ligës. Për ta marrë talentin gjerman nga Bajer Leverkusen, “The Reds” shpenzuan më shumë se 134 milion euro. Po ashtu, nga “Aspirinat”, kampionët anglezë blenë edhe Jeremi Frimpong.

Për shërbimet e holandezit u paguan 34.7 milion euro. Shpenzimeve të çmendura të Liverpul deri tani në tregun e verës iu shtohen edhe ato për Milos Kerkez. Për mbrojtësin hungarez u paguan te Bournemouth, 46.2 milion euro. Por nuk mbyllet me kaq.

Deri në fund të këtij sesioni të merkatos, kampionët anglezë kanë lënë të hapur mundësinë për të tjera transferime në mënyrë që të vendosin në dispozicion të trajnerit Arne Slot një skuadër me mision mbrojtjen e titullit në Premier Ligë dhe dominuese në Europë./abcnews.al

Kuqezinjtë mbyllin pushimet/ Disa lojtarë të Kombëtares nisin përgatitjet për sezonin

Pushimet përfunduan dhe nisi puna. Disa nga futbollistët e njohur të kombëtares shqiptare u paraqitën në skuadrat e tyre në fillimin e fazës përgatitore për sezonin e ardhshëm, e padyshim që kjo pjesë e verës do të jetë e vështirë.

Berat Gjimshiti po vazhdon për momentin tek Atalanta, tashmë me trajnerin e ri Ivan Juriç, që ka zëvendësuar Xhampiero Gasperinin tashmë tek Roma.

Kapiteni I kombëtares shqiptare, dhe njëri nga kapitenët e skuadrës bergamaske, është në formë mjaft të mirë, siç e tregoi edhe edicionin e kaluar duke qenë një nga më të mirët për ekipin që siguroi Championsin dhe pretendoi edhe për titull.

Ende nuk dihet nëse Gjimshiti do të mbetet tek Atalanta, apo do të shkojë diku tjetër, ndërsa ka pasur zëra për një kalim tek Al Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në krye të detyrës, veçse me fanelë tjetër, Ardian Ismajli. Mbrojtësi tjetër i kombëtares është tashmë pjesë e Torinos, me të cilën ka nisur seancat stërvitore.

Klubi piemontez vendosi të përgatitjet të ishin të hapura për tifozët, të cilët vërshuan për të parë skuadrën e zemrës.

Mes atyre që firmosi autografe apo bëri fotografi me publikun ishte edhe Ismajli. Së fundmi, Adrion Pajaziti, jo vetëm ka nisur stërvitjen me Hajdukun në Kroaci, por edhe është aktivizuar në një ndeshje përgatitore.

Futbollisti I kombëtares luajti që nga minuta e 66-të në miqësoren që skuadra nga Spliti e fitoi 1-0 ndaj rivalit modest Posushje./abcnews.al

Egnatia e “dreqos” në Islandë/ Champions, Breidablik shkatërron 5-0 skuadrën rrogozhinase

Frika ekzistonte, por nuk donim ta besonim. Gjithsesi, e keqja ndodhi dhe Egnatia u eliminua nga Championsi që në raundin e parë, dhe pasi pësoi një humbje të rëndë 5-0 në Islandë.

Kampionia e Shqipërisë, që pati shpresë për kualifikim pas suksesit 1-0 në ndeshjen e parë, u dorëzua plotësisht që në 45 minutat e para, kur pësoi 4 gola nga skuadra vendase, Breidablik.

Goli I parë u shënua që në minutën e 15-të nga Torsteinson, dhe Egnatia nuk e mori veten deri në pushim, ndërsa pësoi sërish gol në pjesën e dytë.

Rrjetat e tjera ishin nga Torsteinson në 27’, Einarson në 23’ e 38’ dhe Omarson në 69’.

U duk e pashpjegueshme mënyra sesi luajti skuadra nga Rrogozhina, e cila në fushën e saj tregoi një fytyrë krejt tjetër duke e dominuar plotësisht kundërshtarin.

Duhet thënë se ekipi ynë pati dy mungesa të rëndësishme si Ndrecën e dëmtuar dhe Lushkjen e pezulluar, por padyshim kjo nuk mund të vlejë si argument për një humbje të tillë pa bërë as rezistencën më të vogël.

Tashmë, kampionia e Shqipërisë do të vazhdojë në turin e dytë të Ligës së Konferencës në datat 24 e 31 korrik, e do të ndeshet me humbësen e çiftit të Championsit, Dinamo Minsk-Ludogorec.

 

Jesus, trajneri i ri i CR7/ Portugezi ulet për një vit në stolin e ekipit saudit, Al Nassr

Kontratën e rinovoi dhe idetë i ka tepër të qarta.

Kristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të dorëzohet as tani në moshën 40-vjeçare, dhe objektivat mund të realizohen sidomos me një trajner të zotin në krye të ekipit të tij, Al Nasr.

Klubi saudit njoftoi se ka arritur marrëveshje me teknikun portugez, Zhorge Zhezus, I cili është vërtet një veteran I profesionit, por e njehj mirë futbollin dhe Arabinë.

Mbi të gjitha, njihet mirë dhe pëlqehet nga Ronaldo, I cili duket se ka nxitur Al Nasrin për ta caktuar në detyrë.

Akordi mes tyre është njëvjeçar, pra deri në verën e vitit të ardhshëm, por padyshim me mundësi për t’u rinovuar.

Zhezus ka fituar shumë në karrierë, ndonëse nuk është se ka punuar me CR7-ën.

Me Benfikën u shpall tri herë kampion I Portugalisë si dhe fitoi kupa e Superkupa, me Bragën mori Kupën Intertoto, tek Sportingu fitoi Superkupën e Portugalisë dhe Kupën e Ligës, me Flamengon fitoi Kampionatin Brazilian dhe Kupën Libertadores, ndërsa në Arabinë Saudite u shpall kampion në 2024 me Al Hilalin, duke fituar edhe Kupën e Mbretit si dhe tri herë Superkupën e vendit.

Ronaldo ende nuk ka fituar ndonjë trofe të rëndësishëm dhe zyrtar tek Al Nasr, edhe pse ka shënuar gola pa fund.

Superylli portugez e synon titullin kampion si dhe Championsin e Azisë, si dhe që të arrijë nivelin mitik të 1000 rrjetave si futbollist profesionist./abcnews.al

Kampion edhe në financa/ Chelsea, përfitime rekord pas triumfit në Botërorin e Klubeve

Ka marrë edhe më shumë para, por jo vetëm për një muaj.

Çelsi është një skuadër angleze, në një Premier Ligë ku kampionia fiton plot 175 milionë paundë në sezon, por gjithsesi, paratë që u futën në xhep në Kupën e Botës për Klubet nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë.

Përkundrazi.

Blutë e Londrës, që fituan për herë të parë këtë trofe pas finales ndaj Paris SG në stadiumin “Metlajf” të Nju Xhersit, arkëtuan një shifër prej afërsisht 100 milionë eurosh.

BBC britanike e jep përfitimin në 84 milionë paundë, apo rreth 114 milionë USD, ndërsa televizioni amerikan CBS, shkruan se përfitimet ishin 103.5 milionë euro apo 121 milionë USD.

Në çdo rast janë shumë, aq më tepër për vetëm një muaj punë.

Për më tepër, sipas televizionit të mësipërm amerikan, Çelsi ka fituar në total nga aventura amerikane plot 154 milionë USD, duke përfshirë edhe të ardhura që nuk lidhen vetëm me pjesëmarrjen.

Të mos harrojmë se Blutë e Londrës morën 164 milionë paundë për vendin e katërt në Premier Ligë, që do të thotë 220 milionë USD.

Trajneri Enzo Mareska pritet të bëjë blerje të fuqishme, që skuadra e tij të pretendojë tituj të mëdhenj edicionin e ardhshëm, pse jo kampionatin anglez dhe Championsin.

Përse të mos I synojë një ekip që mundi Paris SG 3-0 në finalen e Botërorit të Klubeve duke merituar gjithçka?

Bundesliga “thërret” Brojën/ Mediat angleze: Leipzig dhe Stuttgart interesohen për sulmuesin

Pritshmëritë kanë qenë gjithmonë të mëdha, por asnjëherë nuk janë shpërblyer. Të tilla janë edhe në këtë sesion të merkatos së verës për Armando Brojën, që duhet të bëjë një zgjedhje të rëndësishme, ndoshta atë të karrierës.

Sulmuesi kuqezi do të largohet nga Chelsea. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Një tjetër gjë e sigurtë është se nuk do të ketë më huazim, ndërsa për t’u mësuar mbetet skuadra e ardhshme e Brojës.

Si gjithmonë në këtë periudhë, lajmet janë të shumta, por pista që është forcuar shumë gjatë ditëve të fundit është ajo e Bundesligës.

“The Athletic” në Angli ka zbuluar së fundmi për një interes të shtuar të dy klubeve të mëdhenj të kampionatit gjerman, Lajpcig dhe Stuttgart.

I pari ishte folur prej kohësh, ndërsa në garë është futur edhe një tjetër skuadër, që kërkon shërbimet e sulmuesin 24 vjeçar.

Bundesliga mund të jetë skena e duhur për Armando Brojën, pas sezoneve të fundit zhgënjyes, për shkak të dëmtimeve të rëndë.

Huazimi te Everton në edicionin e fundit të Premier League nuk shkoi si duhet për futbollistin shqiptar, që qëndroi për muaj të tërë jashtë fushe, ndërsa edhe pas rikuperimit i kishte minutat me pikatore.

Për këtë arsye, ashtu si Chelsea edhe vetë Broja kërkon një sistemim të përhershëm.

Këtë mision ia lehtësojnë kampionët e rinj të botës, që kanë vendosur të ulin ndjeshëm pretendimet financiare për kartonin e tij. Vlerësimi i parë është 20 milion euro, por Blutë e Londrës mund të zbresin më poshtë nëse iu vjen një ofertë serioze për sulmuesin shqiptar./abcnews.al

Hajduk prezanton Pajazitin/ Ylli i Shqiprisë, në konferencën e parë për shtyp: I lumtur e krenar, vij në një klub të madh

Momenti i madh erdhi. Adrion Pajaziti u prezantua si lojtar i Hajdukut, vetëm një ditë pasi u dha njoftimi zyrtar për arritjen e marrëveshjes.

Futbollisti I kombëtares shqiptare doli në konferencë shtypi përpara gazetarëvë në stadiumin “Poljud” në Split, në krah të drejtorit sportiv, Goran Vuçeviç, dhe të lojtarit tjetër të ri, Fran Karaçiç.

Drejtori I Hajdukut fillimisht u uroi mirëseardhjen dhe deklaroi se pret që ata ta justifikojnë besimin e dhënë nga klubi.

Vetë Pajaziti foli I dyti dhe nuk tha shumë fjalë.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar. Unë dhe gjithë familja ime. Ky është një klub shumë I madh dhe mezi po pres që të filloj. Një ditë më parë pata stërvitjen e parë me ekipin dhe dua që të shkoj përpara dhe që të kem një sezon sa më të mirë”.

Pajaziti luajti sezonin e kaluar te Gorica në Ligën e Parë të Kroacisë, duke qenë një nga zbulimet më të mëdha, me 3 gola e sidomos me ndikim të madh në lojë.

Disa klube si Hajduku, Olimpija e Ljubljanës apo Rijeka, kampionia e re kroate, patën konkurrenëcë për 23-vjeçarin shqiptar, I cili përfundimisht do të veshë fanelën e të bardhëve të Splitit në Dalmaci.

Diogo Jota, talenti pa “zhurmë”/ I preferuari i Klopp, vdiq në momentin më të mirë të karrierës

Pa shumë zhurmë, por me talentin dhe nuhatjen e tij për golin e kishte shtruar rrugën e tij në futbollin e madh botëror.

Por karriera e Diogo Jota është ndërprerë në mënyrën me tragjike të mundshme pas një sezoni, që ishte më i miri për të brenda dhe jashtë fushe.

Sulmuesi portugez, i cili humbi jetën bashkë me vëllain e vogël futbollist në një aksident rrugor në Spanjë, këtë të enjte, hodhi hapat e para në fushat e blerta në vendlindjen e tij në Portugali.

Skuadra e parë si profesionist ishte Pakos de Ferreira, përpara se të evidentohej dhe të transferohej te gjigandët e Porto në moshën 19 vjeçare.

Pas dy vitesh në “Dragao”, Diogo Jota u ble nga Atletiko Madrid. Në La Liga ishte kalimthi, pasi në të njëjtin sezon u transferua në Premier Lige te Volverhapton.

Kjo do të ishte lëvizja e duhur, ku edhe nisi ngjitja në karrierën e tij.

Sulmuesi tregoi të gjithë kualitetin me “Ujqërit”, duke tërhequr vëmendjen e Jurgen Klopp dhe Liverpool, që në vitin 2020 paguan 44.7 milion euro për të marrë shërbimet e tij.

Me “The Reds” portugezi luajti 182 ndeshje, duke shënuar 65 gola dhe dhënë 26 asiste.

Po ashtu, me skuadrën angleze fitoi 3 tituj kampion në Premier League, përfshirë edhe atë në sezonin e fundit.

I suksesshëm edhe me kombëtaren e Portugalisë, ku vetëm pak javë më parë festoi trofeun e Ligës së Kombeve.

Për fat të keq, ky do të ishte titulli i fundit për Diogo Jota, që një udhëtim i zakonshëm do të kthehej për të dhe familjen e tij në një tragjedi të vërtetë. Për ta thënë në gjuhën e futbollit, që ai i kushtoi gjithçka, Diogo Jota humbi sfidën më të rëndësishme, atë për jetën…

 

FSHF “hap thesin”/ Shifër rekord, 3 milionë euro për Superioren dhe Kategorinë e Parë

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njoftoi këtë vendim, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm, me të ardhurat që do të vijnë nga komercializimi.

“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, – u shpreh Presidenti Duka gjatë fjalës së tij në Asamble.

Mbështetja financiare do të shpërndahet gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe përbën një hap të rëndësishme për rritjen e standardeve në menaxhimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike./abcnews.al

Dy shqiptarë për titullin europian/ Weiper dhe Brajan Gruda, në finalen U21 me Gjermaninë

Ftesa u është bërë, ndonëse sinqerisht shpresa ka gjithnjë më pak.

Dy lojtarë me origjinë shqiptare, që kërkohen nga trajneri kuqezi Sylvinho, ishin protagonistë të mëdhenj për Gjermaninë në finalen e Kampionatit Europian U21.

Nelson Vajper dhe Brajan Gruda shëuan në gjysmëfinalen e fituar 3-0 ndaj Francës dhe tashmë objektivi i vetëm që mbetet është titulli kontinental.

Vajper, sulmues me nënë shqiptare dhe baba gjerman, ishte titullar dhe realizoi për 1-0 që në minutën e 8-të.

Gjermanët dyfishuan shpejt shifrat kur sulmuesi tjetër, Voltemade, realizoi në 14’.

Vajper u zëvendësua më pas, ndërsa Brajan Gruda hyri në fushë në minutën e 72-të duke lënë shenjën e tij.

Djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Bujar Gruda, vulosi rezultatin në minutën e tretë shtesë të gjysmëfinales.

Në të vërtetë, Franca luftoi fort dhe u përpoq shumë, por gjermanët ishin më të saktë në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Koshices në Sllovaki.

Në finalen e 28 qershorit në Bratislavë, ata do të kenë punë me kampionen në fuqi të Europës, Anglinë.

Shpresat angleze ishin më mirë sesa Holanda dhe fituan 2-1, ndonëse duhet të falenderojnë yllin e ri të Liverpulit, Harvej Eliot.

Njëzetedyvjeçari që ka 4 rrjeta në këtë Europian, shënoi të dy golat për “tre luanët” në minutat 62 e 85.

“Tulipanët” barazuan përkohësisht në 72’ kur Ohio shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes dhe të portierit.

Anglia dhe Gjermania janë nga tri herë kampionë të Europës, pra kush fiton finalen merr titullin e katërt, një më pak sesa Spanja që mban rekordin./abcnews.al

Asani: Më duan shumë skuadra/ Ylli kuqezi flet pas ndeshjes së fundit në Korenë e Jugut

Shenjat janë që të gjitha se ndryshimi do të ndodhë.Jasir Asani besohet se është shumë pranë transferimit te klubi I Jokohamës në Japoni, ndërsa mediat në Lindjen e Largme vazhdojnë të japin lajme për të.

Sipas atyre që shkruhen në Korenë e Jugut, kalimi I tij në Japoni mund të quhet diçka e përfunduar, ndërsa vetë lojtari I kombëtares shqiptare ka bërë komentin e tij.Asani ka deklaruar se atë e kërkojnë disa klube dhe jo vetëm Jokohama nga Japonia.

Edhe trajneri I tij tek skuadra Kuangju, Li Jung-Hjo, u pyet për këtë temë, dhe deklaroi se nuk ka dëgjuar asgjë konkrete, vetëm thashetheme, por nuk harroi të shtonte se “Asani kohet e fundit duket shumë I lumtur, dhe kjo duhet të ketë ndonjë arsye”.

Po sipas mediave, klubi ku ndodhet Asani, Kuangju, nga Koreja e Jugut, është dakord për transferimin, veçse në këmbim të 1 milionë dollarëve amerikanë, afërsisht 145 milionë jen japonezë.

Kuangju shpenzoi 700 000 euro për ta marrë nga Kishvarda e Hungarisë në janar të 2023, ndërsa ndodhet në pozita të vështira edhe sepse kontrata e shqiptarit përfundon në dhjetor të këtij vitit.

Jo vetëm kaq, por klubi koreanojugor është dënuar nga FIFA për shkelje financiare dhe, sipas mediave në vendin e tij, ka humbur deri tani afërsisht 1.7 milionë USD.Besohet se kjo është një tjetër arsye që Kuangju mund të bjerë dakord të humbasë lojtarin e vet më të mirë./abcnews.al

Më e forta në Botë/ Distria Krasniqi kalon gra e burra, në krye të klasifikimit në xhudo

Që ishte e fortë, kjo dihej. Por tani është me e forta në botë. Xhodoka e Kosovës, Distria Krasniqi është ngjitur në krye të renditjes botërore të xhudos, dukë lënë pas këdo, sportiste vajza të të gjitha kategorive, por edhe të gjithë sportistët meshkuj të kësaj disipline.

Me medaljen e argjendit të fituar në Botërorin e Budapestit, Krasniqi mori 1400 pikë, duke u ngjitur në kuotën e 7055 pikëve.

Askush si ajo jo vetëm në kategorinë deri në 52 kilogram ku garon, por edhe në peshat e tjera të xhudos për meshkuj dhe femra.

Në këtë mënyrë, sportisja nga Kosova le pas koleget e saj më të famshme si francezia medaliste olimpike Amandine Buchard, apo kampionen e botës në fuqi, japonezen Uta Abe.

Arritja e Distria Krasniqit bëhet më madhështore, duke parë që në renditjen e përgjithshme të përditësuar nga Federata Botërore e Xhudos, ajo mban me nder rripin e zi, ndërsa le pas emrat më të njohur të xhudos për meshkuj si rusin Inal Tasoev apo japonezin Sanshiro Murao.

Në moshën 29 vjeçare, Krasniqi kap kulmin pas një karriere fantastike, të kurorëzuar me shumë medalje dhe tituj ndërkombëtarë. Ajo ka fituar dy medalje olimpike, një ari në “Tokyo 2020” dhe një argjendi në “Paris 2024”. Po ashtu, Distria është shpallur dy herë kampione e botës dhe tre herë të tjera kampione Europe.

Tani me statusin e xhudokës më të fortë të botës, ajo kërkon të përsërisë triumfin me një tjetër medalje të artë në Lojrat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Champions League/ Hidhet shorti, Egnatia përballet me Breidablik në raundin e parë kualifikues

Egnatia do të përballet me Breidablik në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League.

Kampionët e Shqipërisë mësuan sot kundërshtarin e tyre, pas shortit të hedhur në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, ku goglat i vendosën përballë kampionëve të Islandës.

Ndeshjet e para të këtij turi do të zhvillohen më 8 dhe 9 korrik, ndërsa takimet e kthimit do të luhen më 15 dhe 16 korrik.

Ndeshja e parë do të luhet në “Egnatia Arena” në Rrogozhinë, ndërsa sfida e kthimit në Islandë.

“Provokacija” nis me stadiumin/ Federata Serbe: Ndaj Shqipërisë luhet në “Rajko Mitic”

Nuk do të kthehemi në “vendin e krimit”. Stadiumi i Partizanit, aty ku ndodhi skandali I tetorit të vitit 2014 është hequr nga lista për ndeshjen Serbi-Shqipëri, por gjithsesi, kuqezinjtë do të jenë sërish në Beograd.

Fillimisht, po mendohej që ndaj shqiptarëve dhe Anglisë të luhej në stadiumin e qytetit Leskovac, në Serbinë e Jugut, aty ku serbët fituan 3-0 ndaj Andorrës.

Gjithsesi, vendimi i Federatës Serbe të Futbollit ishte I ndryshëm, ishte që të luhet në 9 shtator kundër Anglisë dhe në 11 tetor përballë Shqipërisë në stadiumin “Rajko Mitiv” të Crvena Zvezdës.

Po flasim për impiantin më të madh të futbollit në vend, me kapacitet mbi 51 000 spektatorë.

Federata sqaron se u zgjodh stadiumi që tifozët e quajnë “Marakana” për arsye organizative dhe të sigurisë, jo vetëm për shkaqe sportive, dhe se gjithçka u bë në këshillim me UEFA-n.

Besimi është se rreth 50 000 spektatorë do t’i japin shumë më tepër mbështetje përfaqësueses serbe sesa 8 000 në Leskovac.

Gjithsesi, dashur pa dashur, gjithçka u politizua sepse për këtë vendim foli nga Praga edhe presidenti I Serbisë, Aleksandar Vucic.

“Dua që t’iu them sesi mundet që Federata jonë e Futbollit dhe të tjerët nuk munden të përballojnë 5 minuta presion nga ambasada angleze dhe nga të tjerët që kërkojnë që ndeshja me anglezët të luhet në Beograd, dhe pas dy ditësh presion e ndryshojnë vendimin që ndeshja të luhet në Beograd. Le të mbetet e shkruar që unë kam qenë që ndeshja të luhej në Leskovac, sepse njerëzit në Leskovac nuk vlejnë më pak sesa ata në Beograd. E mbështetën në mënyrë të jashtëzakonshme kombëtaren ndaj Andorrës, ndaj së cilës do të kishte pasur vetëm 300 tifozë në Beograd. Tani vijnë anglezët dhe na thonë se nuk u pëlqen në Leskovac. Mua nuk më bëhet vonë që atyre nuk u pëlqen të luajnë në Leskovac. Ne kemi marrë 10 kërkesa nga ambasada, por nuk I jam përgjigjur asnjërës”.

As kombëtarja shqiptare dhe as skuadrat tona të klubeve nuk kanë luajtur ndonjëherë në stadiumin “Rajko Mitiç”, por thuajse ekskluzivisht në stadimin e Partizanit.

Kështu në 12 nëntor 1967, kur Jugosllavia fitoi 4-0 në eliminatorët e Europianit, dhe në tribuna duken qartë shqiptarë nga Kosova me qeleshet e tyre.

Po aty në 14 tetor 2014, kur shpërtheu dhuna ndaj kuqezinjve, dhe ai është stadiumi ku Sokol Kushta shënoi golin e madh në 1987, që kualifikoi Flamurtarin ndaj Partizanit të Beogradit.

❌