Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Midis pluhurit dhe padrejtësisë”: Përballja me modelin urban Veliaj-Xoxa

Në një nga lagjet e vjetra të Tiranës, mes rrugëve Qemal Stafa, Hoxha Tahsin dhe Faik Tërnova, banorët që po i rezistojnë zhvillimit të vrullshëm urban, po përballen me mungesë të furnizimit me ujë, probleme me kanalizimet, ndotje akustike dhe pluhura nga ndërtimet.

Problemet nisën me hapjen e një rruge të re me porosi për tre pallate të reja, që sot janë bërë subjekt i hetimeve të SPAK. Citizens.al ka raportuar më herët për lidhjet e këtyre projekteve me interesat e familjes së Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Çështja është përfshirë në dosjen hetimore të SPAK ndaj çiftit Veliaj-Xoxa ku kryetari i Bashkisë, me këtë rast, dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën.

Tre pallatet e reja kanë rrethuar familjen Çoku, e cila mbetet e vendosur të ruajë shtëpitë tiranase të zonës, trashëguar brez pas brezi.

Pallati që i cenon më tepër pronën duket të jetë ai i ndërtuar pas vitit 2022 nga kompania “A&G Construction” mbi një pjesë të trojeve të familjes së Ajola Xoxës.

Lindita, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kthehet shpesh ne vendlindje për t’u kujdesur për pronat e familjes, shprehet e indinjuar për situatën e krijuar.

“Sa herë vij aty do të dalë ndonjë problem, sidomos që kur ka filluar të ndërtohet pallati aty”, tha ajo përmes një bisede telefonike. 

Sipas Linditës, gjatë ndërtimeve, në vitin 2024, një ekskavator ka çarë tubacionet dhe për këtë arsye shtëpia e saj përmbytet dhe vjen aromë te keqe. Ajo që e shqetëson më së shumti është fakti se me situatën “për nevojat bazike” përballen më së shumti prindërit e saj të moshuar, 77 dhe 86 vjeç.

Ajo ka trokitur në dyert e institucioneve, por nuk ka marrë zgjidhje.

“Pallati derdh të gjitha inertet aty dhe tubacionet janë bllokuar nga inertet, Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT), nuk përgjigjen dhe për këtë arsye jam ankuar”, tregon më tej Lindita, e cila e konsideron UKT-në një ndërmarrje “dembele që nuk merr përgjegjësi”.

Një tjetër banore e një prej pallateve të vjetra 5-katëshe tregon me fotografi se si ka ndryshuar lagjja që kur kanë nisur të ndërtohen aty tre pallatet. Sipas saj një rrugicë si “Faik Tërnova” nuk mund të përballonte flukset e lëvizjeve të makinerive të rënda për tre ndërtime njëherësh.

Të jetuarit përbri pallateve të reja që ngrihen çdo ditë e ka bërë jetesën për këta banorë të papërballueshme.

“Nuk hapim dot dritaret prej pluhurit dhe zhurmave, është bërë e papërballueshme”, thotë ajo teksa tregon se i gjithë pallati 5-katësh ka probleme me ujin për shkak të ndërtimit të tre pallateve në fjalë.

“Pallatet nuk heqin as inertet, imagjino për më tepër”, vijon ajo e revoltuar.

Inertet e lëna nga ndërtimi i pallatit/Foto nga banorët e zonës.

Çështja Çoku kundër çiftit Veliaj-Xoxa

Familja Çoku akuzoi kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, për manipulim të planeve urbanistike në favor të interesave personale.

Sipas Lindita Çokut, pas vitit 2019, familja Xoxa nisi zhvillimin e pronave të veta në zonën pranë rrugëve “Qemal Stafa”, “Hoxha Tahsin” dhe “Faik Tërnova” duke planifikuar ndërtimin e dy pallateve.

Për të shtuar vlerën e pronës, Bashkia Tiranë, në kundërshtim me procedurat ligjore dhe pa konsultim publik, miratoi në fund të vitit 2021 një Plan të Detajuar Vendor (PDV) që parashikonte ndërtimin e një rruge të re: rruga “Hajdar Kërçiku”, përmes truallit të familjes Çoku.

PDV-ja u rishikua me një vendim të dytë, në shkurt 2022, ku SPAK ka konstatuar rritje të intensitetit të ndërtimit nga 3.25 në 3.81.

Pas miratimit të PDV-së në zonë u regjistrua ky zhvillim pallatesh me leje nga Bashkia Tiranë:

  • 19 tetor 2022 iu dha leja pallatit 10-katësh me projekt nga “Atelier 4” dhe zhvillues “A&G Construction”
  • 27 dhjetor 2022 iu dha leja pallatit 10-katësh me projekt nga “StudioArch4” dhe zhvillues “Tirana-1 Konstruksion”.
  • 25 prill 2023 iu dha leja pallatit 8-katësh me projekt nga “Atelier 4” dhe zhvillues Artan Dumi dhe “Gramozi Ndërtim Projektim”.

Banorët, të cilët zbuluan se rruga ishte një justifikim për të krijuar akses për kompleksin e ndërtuar mbi një pjesë të pronave të trashëguara të Ajola Xoxës, reaguan me ankimime ligjore.

Ata fituan gjyqin ndaj bashkisë më 3 prill 2024, ku Gjykata Administrative rrëzoi PDV-në si të pabazuar dhe në konflikt interesi.

Gjykata vërtetoi se rruga e re ishte e panevojshme, pasi lidhja urbane ekzistonte përmes rrugës “Faik Tërnova”, ndërsa vendimi i Veliajt u shpall i pavlefshëm.

Prona e familjes Xoxa dhe zhvillimi që i dha Bashkia Tiranë zonës me tre leje ndërtimi.

Irena Dule, avokate pranë studios ligjore “Res Publica”, një nga përfaqësueset e zonjës Çoku, thotë se vendimi është apeluar nga bashkia dhe çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.

“Meqenëse PDV-ja shërben si bazë zhvillimore për dhënien e lejeve të ndërtimit, anulimi i saj vë në pikëpyetje ligjshmërinë e të gjitha lejeve të lëshuara mbi të,” tha avokatja Dule.

Ajo thotë se pronat që i shpëtuan prishjes për ndërtimin e rrugës së projektuar në mënyrë të sajuar me PDV-në, janë zhvlerësuar ndjeshëm.

“Për këtë dëm, përgjegjësia bie mbi bashkinë, si autoriteti që ka lëshuar lejet, por nuk përjashtohet as mundësia që përgjegjësia të bjerë personalisht mbi kryetarin e Bashkisë, nëse provohet përfshirja e tij në kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës,” vijon avokatja.

Nga ana tjetër, vendimet dhe projektet duket se i rrisnin ndjeshëm vlerën e truallit të mëparshëm të Ajola Xoxës, të shitur në 2020 për 140 mijë euro te kushëriri i saj Valmir Xoxa, i cili sipas SPAK, nuk ka burime të ligjshme për të justifikuar këtë transaksion.

Prokuroria e Posaçme dyshon se transaksioni ka qenë fiktiv, pasi në këtë mënyrë Veliaj mund t’i shtynte përpara miratimet e PDV-së dhe lejet e ndërtimit pa qenë në konflikt interesi.

SPAK i akuzon bashkëshortët Veliaj-Xoxa për pastrim parash, korrupsion dhe deklarim të rremë pasurie, me dyshimet se kanë përfituar qindra mijëra euro nga skema që përfshinte edhe OJF-të e Xoxës. Veliaj i ka mohuar akuzat, duke i konsideruar ato politike.

Rasti i rrugës “Hajdar Kërçuku” dhe tre pallateve të ndërtuara vrullshëm aty është kthyer në simbol të përplasjes mes interesit publik dhe kapjes së shtetit përmes rrjeteve klienteliste dhe familjare, në një qytet ku trashëgimia urbane po fshihet pas pallateve që ngrihen mbi pronat me histori.

Familja Çoku e përkufizon betejën e saj si mbrojtje e rrënjëve të qytetit dhe identitetit të komunitetit, përballë një modeli zhvillimi të bazuar në abuzim me pushtetin dhe klientelizëm.

The post “Midis pluhurit dhe padrejtësisë”: Përballja me modelin urban Veliaj-Xoxa appeared first on Citizens.al.

Kodi i ri Penal rrezikon lirinë e shprehjes

Një draft-propozim që supozohej të modernizonte Kodin Penal shqiptar, po kritikohet si kërcënim për të drejtat themelore.

Qeveria e quan reformë të domosdoshme, por shumë aktorë publikë, përfshirë opozitën, organet e drejtësisë, avokatët dhe organizatat të shoqërisë civile, ngrenë alarmin për mungesë transparence dhe rreziqe, sidomos në lirinë e shprehjes.

Proces i nxituar, përmbajtje e kontestuar

Drafti final i Kodit të ri Penal u prezantua të premten, datë 25 korrik nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Sipas tij, Kodi aktual që është në fuqi nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij krijon vështirësi për gjyqësorin, prokurorinë dhe vetë avokatët.

Kodi aktual, me 335 nene u miratua në janar 1995 dhe në 30 vite u ndryshua 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kodi i ri parashikon 952 nene bashkë me nenet e shfuqizimeve dhe hyrjes në fuqi.

Sipas ministrit Manja, Kodi Penal i ri synon t’i përshtatet normës ligjore të Bashkimit Evropian në kuadër të integrimit. Për këtë ai ftoi opozitën, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë që të kontribuojnë me opinionet e tyre gjatë fazës së konsultimit publik.

Por drafti nuk është pritur mirë. Kryeprokurori Olsian Çela e cilësoi atë “ngrehinë pa bazë” duke nënkuptuar këtu mungesën e konsultimeve të gjera me nevojat sociale dhe institucionale.

Sipas Çelës ky hap i qeverisë “nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e drejtësisë penale”.

Kryeprokurori ka shprehur shqetësim për formulimet e neneve, të cilat, sipas tij rrezikojnë të sjellin konfuzion te magjistratët duke sjellë një situatë ku për raste të ngjashme të aplikohen interpretime të ndryshme.

Në një takim me gazetarët, të enjten, 31 korrik, Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, (SPAK), Altin Dumani, tha se ata nuk ishin përfshirë në grupin e punës dhe as nuk ishin konsultuar për draftin.

“Në momentin që do të na e sjellin, do të kemi një qëndrim zyrtar,” tha Dumani i cili theksoi se personalisht pajtohej me qëndrimin e shprehur nga kryeprokurori Çela.

Dhoma e Avokatisë e përshkroi propozimin e qeverisë si draft “inkuizitor”, me mungesë transparence në përgatitje.

“Nuk kemi prezencën e nevojës, se përse duhet Kodi i ri, nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë,” theksoi në një konferencë për shtyp Maksim Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.

Ndërkohhë Partia Demokratike e quajti procesin të fshehtë dhe draftin si rezultat të një vullneti të njëanshëm politik.

Kodi mund të dënojë satirën

Qeveria ka propozuar ashpërsimin e ndëshkimeve për “përdhosjen e Republikës dhe simboleve të saj” duke përdorur një riformulim që mund të keqpërdoret për të kufizuar dhe ndëshkuar talljen apo dhe satirën publike.

Ndryshe nga kodi aktual – “Neni 268” – që sanksionon vetëm dëmtimin e flamurit ose stemës në institucionet shtetërore me gjobë ose burgim deri në tre muaj, projektligji i ri – “Neni 236” – zgjeron konceptin e përdhosjes duke përfshirë Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, gjykatat, forcat e armatosura dhe dëshmorët e atdheut. 

Për fyerje, përçmim apo tallje ndaj këtyre institucioneve parashikohet dënim me burgim deri në tre vjet, ndërsa për personat juridikë mund të vendoset edhe ndalim i veprimtarisë deri në pesë vjet.

Dispozita e re, e përfshirë në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura.

Termat e përdorur janë të gjerë dhe përfshijnë përçmimin, talljen apo përbuzjen, duke ngritur shqetësime për mundësinë e përdorimit të ligjit për të goditur kritikët, mediat dhe gazetarët, pasi me këtë nen mund të dënohet edhe satira.

Ky ndryshim e vendos në të njëjtin nivel mbrojtjeje ligjore flamurin dhe figurat institucionale, me dënime më të larta se ato aktuale.

Ndikimi mbi lirinë e medias dhe shprehjes

Kodi i ri Penal bën hapa prapa në raport me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, sidomos në kontekstin e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), të cilat kanë rekomanduar disa herë dekriminalizimin e shpifjes si kusht për ruajtjen e lirisë së medias dhe demokracisë funksionale.

Në kodin aktual shpifja trajtohet në “Nenin 120” dhe nenet “240”; “241” si shpifje për shkak të detyrës apo “Presidentit të Republikës”. Në to, përhapja e qëllimshme e thënieve apo informacioneve që cenojnë nderin apo dinjitetin e personit, dënohet me gjobë 50,000-500,000 lekë dhe nëse përsëritet dhe u drejtohet disa personave në grup, shkon deri në 3,000,000 lekë.

Në kodin e ri, “Nenin 865” e trajton sërish shpifjen si vepër penale me dënime disproporcionale më të larta: gjobë 500,000-1,500,000 lekë, deri në detyrim për falje publike.

Ky nen penalizon më rëndë ata që shprehen përmes medias apo rrjeteve sociale, duke goditur gazetarët dhe qytetarët kritikë. Për më tepër, kur “shpifja” u drejtohet funksionarëve publikë, dënimet dyfishohen, duke u dhënë atyre mbrojtje të veçantë përballë kritikës publike — në kundërshtim me parimet e një demokracie funksionale.

Por përveç këtij neni, “Neni 536”, i cili dënon me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet komentet për gjyqtarë dhe çështje në hetim, konsiderohet një kërcënim i hapur për transparencën publike.

Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SciDev), SafeJournalists dhe Asociacioni i Gazetarëve (AGSH) kanë kërkuar rishikimin e këtyre neneve, të cilat i konsiderojnë kërcënuese për lirinë e shprehjes pasi penalizojnë gazetarët dhe qytetarët aktivë.

Për drejtuesen e SciDev, Blerjana Bino, riformulimet për shpifjen jo vetëm nuk përmbushin rekomandimet e përsëritura nga ndërkombëtarët, organizatat e medias dhe shoqërisë civile, por shtojnë sanksionet penale me efekt frikësues ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.

“Riformulimi i shpifjes dhe ndikimi në pavarësinë e gjykatës janë shqetësuese për lirinë e shprehjes,” tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH për Citizens.al, sipas të cilit neni që ndalon komentet e gjyqësorit duhet fshirë i tëri.

“Gjithashtu, Neni 536, i cili penalizon ndërhyrjet në pavarësinë e gjykatës, paraqet rrezik të konsiderueshëm për gazetarët që raportojnë mbi procedurat gjyqësore, duke mos parashikuar përjashtime apo dispozita të qarta mbrojtëse për aktivitetin gazetaresk”, tha Bino për Citizens.

Drafti për Kodin e ri Penal duket se nuk ka kaluar një proces të gjerë konsultimi shoqëror dhe profesional. Mungesa e analizës së kontekstit dhe e transparencës rrezikon të prodhojë pasoja afatgjata për të drejtat themelore.

Në vend të një reforme gjithëpërfshirëse, aktualisht duket se kemi një dokument që nxit mosbesim dhe alarm nga shumë aktorë.

Rishikimi i thelluar, me pjesëmarrje të gjerë, duket i domosdoshëm për të shmangur dështime ligjore dhe politike.

The post Kodi i ri Penal rrezikon lirinë e shprehjes appeared first on Citizens.al.

Qeveria centralizon më tej vendimmarrjen e zhvillimit urban

Qeveria i ka rritur vetes kompetencat sa i takon zhvillimit urban duke kufizuar më tej rolet e bashkive në vendimmarrje për ndërtimet. Në një vendim që zhvendos më tej balancën e autonomisë vendore, Kryeministri grumbullon më tepër fuqi ekzekutive mbi territorin, mjedisin dhe ekonominë.

Në tre vitet e fundit lejet për ndërtime deri në 8 kate jepeshin nga bashkitë, por me vendimin e datës 23 korrik të Këshillit të Ministrave, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) – i cili drejtohet nga Kryeministri – e uli këtë kufizim për objekte deri në 6 kate.

Për më tepër, KKTU merr kompetencën për vendime për çdo ndërtim në zonat bregdetare, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit. Nga ana tjetër qeveria ka ndaluar ndërtimin apo shfrytëzimin si parkingje apo me rrethime të hapësirave të destinuara për të qenë publike.

Ndërtimi nën pushtetin e qeverisë

Para vitit 2015, KKTU (asokohe thjesht KKT) ishte menduar si organ mbikëqyrës për planifikimin urban kombëtar.

Fillimisht, miratonte planet vendore dhe shqyrtonte projekte të rëndësisë kombëtare. Por me ndryshimet në ligjin Nr.107/2014 dhe ndryshimet në VKM 408/2015, profili i Këshillit ndryshoi rrënjësisht.

Prej vitit 2024, KKTU vepron si autoritet që vendos dhe zbaton, pa pasur kufizime lokale apo mjedisore. Ky transformim i KKTU-së u bë teksa po debatohej ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Ky centralizim shqetësoi organizatat mjedisore të cilat e konsideruan KKTU-në “Zot të Zonave të Mbrojtura” pasi “rrëmben pushtetet dhe politikat për këto zona”. Kjo mund të shihet te kompetenca e përcaktimit si “zonë me prioritet ekonomik” edhe të pronave shtetërore duke anashkaluar shqyrtimin në nivel vendor.

KKTU kontrollohet nga qeveria dhe drejtohet nga kryeministri. Ajo përcakton zonat me prioritet ekonomik, turistik dhe industrial. Jep akses në prona shtetërore, me përjashtim të pyjeve, kullotave dhe tokave bujqësore.

Ka të drejtë të vendosë për shpronësime dhe konfiskime. Madje, mund të legalizojë objekte pa leje “për strehim social”.

Por, ky përqendrim kompetencash shtron pyetje serioze mbi balancën institucionale.

Për më tepër, KKTU merr vendime pa procese të hapura publike dhe shpesh pa konsultim me komunitetet lokale, apo banorët e zonave ku jepen lejet e zhvillimeve dhe ndërtimeve.

Citizens.al ka dokumentuar mungesën e transparencës në ndarjen e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për rreth 140 kulla në Tiranë.

Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, favorizohen interesa private dhe klienteliste duke kufizuar më tej edhe të drejtën e zhvillimit.

Në letër, qeveria thotë se synon zhvillim të qëndrueshëm. Në praktikë, po mundohet të kontrollojë çdo rrugë investimi.

KKTU po zëvendëson pushtetin vendor dhe po përjashton qytetarët nga vendimmarrja. Në mungesë transparence, nuk ka garanci për interesin publik në planet e zhvillimit.

Qytetet dhe territori po drejtohen nga një institucion i vetëm: qeveria – me më shumë pushtet, por gjithnjë e më pak llogaridhënie.

Përballë kësaj qasjeje, nevojitet një trysni më e madhe politike nga opozita, shoqata e njësive vendore, ekspertët e ndërtimit, zhvillimit, administrimit urban si dhe shoqëria civile.

The post Qeveria centralizon më tej vendimmarrjen e zhvillimit urban appeared first on Citizens.al.

Investimet pa transparencë: Katet shtesë dhe 6 kullat e Kastratit te ish-Sheratoni

Në Tiranë, investimet madhore zhvillohen përmes lejeve jo-transparente që shfrytëzojnë agresivisht hapësirën urbane.

Rasti i ish-hotel Sheratonit, i kthyer në një projekt gjigand ndërtimi nga grupi Kastrati, është ilustrimi tipik i këtij modeli ku mungon transparenca.

Në vend të një zhvillimi në harmoni me Parkun e Liqenit, Kastrati gëzoi rritje intensiteti dhe kate shtesë në projektin që nuk pa asnjë herë leje ndërtimi të zbardhur dhe ndryshoi të paktën dy herë në dy vite.

Pamja e re e “projektit të vjetër”

Prej javësh, puna në kantierin e ish-hotel “Sheraton” mes “Arenës Kombëtare” dhe Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) është shtuar ndjeshëm.

Nga lart godina qendrore ka nisur të vishet me konceptin zigzag të fasadës së re modulare, konceptuar nga Marco Casamonti, arkitekti italian që “kullëzoi” ish-stadiumin “Qemal Stafa”.

Hoteli simbol i luksit të Tiranës së fillimviteve 2000 nuk do të ketë më fasadën prej xhami dhe do të rrethohet nga një kompleks prej gjashtë kullash të larta deri në 15 kate.

Në të gjitha anët e kantierit dallohen blloqe të mëdha me materialet e fasadave, të cilat janë ndryshe nga ato që reklamohen në renderat e projektit.

Fasada e re e ish-hotelit Sheraton/Citizens.al

Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2018 kur Leonardi, djali i sipërmarrësit Shefqet Kastrati, njoftoi në Instagram marrëveshjen për blerjen e ish-Sheratonit.

“Tashmë ish-hotel Sheraton i përket kompanisë Kastrati, sapo u mbyll transaksioni”, njoftoi ai.

Dy muaj përpara shitjes, kompania amerikane e hotelerisë “Sheraton” hoqi emrin nga hoteli i ”MAK Albania-s” duke zyrtarizuar largimin nga Shqipëria.

MAK Albania u themelua në vitin 1992 nga familja kuvajtiane Mohamed Abdulmohsin Al-Karafi, e cila siguroi nga qeveria e kohës troje dhe incentiva si “investitor strategjik” për zhvillime kompleksesh turistike në Tiranë, Dajt dhe bregdetin e Kavajës.

Pjesë e incentivës ishte dhe trualli buzë Parkut të Liqenit, krah UPT-ës. Familja Al-Karafi nisi ta ndërtojë hotelin në vitin 1993, por mundi ta përmbyllë si një filial të markës së njohur “Sheraton” vetëm në fillimvitet 2000.

Në vitin 2018 mediat raportuan se Kastrati e bleu MAK Albanian për 30 milionë euro. Por kontrata e shitjes tregon se objekti u ble për 18 milionë. Pjesa tjetër ishte garanci për të shlyer borxhet dhe huatë e marra ndër vite.

Bilanci i vitit 2017 tregon se MAK Albania kishte rreth 14.5 milionë euro detyrime, por një kapital prej rreth 95 milionë eurosh (rreth 12 miliardë lekë) asete, ndërtesa dhe troje.

Kjo situatë duket se krijoi mundësinë e një ujde për familjen Kastrati, e cila zuri vendin e oligarkëve kuvajtianë.

Në atë periudhë Kastrati hyri fuqimisht në sektorin e ndërtimeve në kryeqytet me projekte të tjera hotelerie, rezidenciash dhe zyrash, ku spikaste projekti “Downtown One” në rrugën e Elbasanit.

Planet aspak transparente të investimeve

Rreth një vit pas blerjes së ish-Sheratonit, Kastrati siguroi leje zhvillimi nga qeveria për një projekt madhor zgjerimi.

Studiot Archea (Marco Casamonti) dhe X-Plan (Ornela Muçaj) propozuan zgjerimin e hotelit ekzistues dhe ngritjen e gjashtë kullave 7-13 kate përreth.

Koncepti fillestar parashikonte 121 mijë m2 ndërtim (69 665 m2 mbi tokë) në 30,000 m2 truall me intensitet 2.32 dhe koeficient shfrytëzimi 44.3%. Projekti parashikonte parkim 3-4 kate nën tokë.

Leja e zhvillimit u sigurua më 8 nëntor 2019. Qeveria ia delegoi kompetencën e lejes së ndërtimit bashkisë Tiranë, e cila nuk i ka bërë asnjëherë publike këto dokumenta.

Sidoqoftë, ligji detyron ndërtuesin ta shfaqë lejen e marrë në një tabelë të dukshme në kantier. Në rastin e Kastratit, ajo nuk është parë kurrë, as pas datës 10 qershor 2021 kur përfitoi leje të re zhvillimi nga qeveria.

Koncepti i ri në lejen e dytë parashikonte shtimin me rreth 36% të sipërfaqes së ndërtimit mbi tokë (nga 69,665 m2 në 108,827 m2) duke shtuar intensitetin në 3.6, me lartësi deri në 15 kate dhe parkingje 5 kate nën tokë.

Nuk është e qartë se kur bashkia Tiranë ia dha lejen e parë të ndërtimit Kastratit – aq më shumë lejen e dytë – por pamjet satelitore dëshmojnë se në kompleksin e ish-“Sheratonit” vinçi ishte ngritur një muaj para se të jepej leja fillestare e zhvillimit nga qeveria: tetor 2019.

Bashkia e Tiranës, kompania Kastrat dhe studiot e arkitekturës nuk iu përgjigjën kërkesave për informim apo koment të Citizens.al rreth kësaj çështje.

Pamje satelitore ku shfaqet vinçi i ngritur në ish-Sheraton që para marrjes së lejes së zhvillimit/Citizens.al

Rasti është i ngjashëm me projektin “Downtown One” te rruga e Elbasanit, po nga Kastrati.

Leja e zhvillimit u dha nga qeveria më 14 prill 2017 për kullë 36 kate me 62,000 m2 sipërfaqe ndërtimi, intensitet 16.26 dhe koeficent shfrytëzimi trualli 45%. Dhënia e lejes së ndërtimit iu delegua bashkisë Tiranë, e cila nuk e bëri publike.

Ajo që dihet është se Kastrati nisi punën paralelisht me gërmimet, që u bënë te ish-parku “7 Xhuxhat” në kuadër të projektit për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik.

Projekti në fjalë nisi në janar 2018, rreth tetë muaj pasi Kastrati kishte marrë lejen e zhvillimit për kullën.

Në të njëjtën datë kur përfitoi leje të dytë zhvillimi për ish-Sheratonin, Kastrati përfitoi rishikim të lejes së zhvillimit për “Downtown One”.

Në lejen e re të datës 10 qershor 2021 struktura fitoi 4 kate lartësi, por shtoi vetëm 92 m2 sipërfaqe totale. Për këtë ndryshim Kastrati lëshoi rreth 5% koeficient shfrytëzimi të truallit për qëllime publike për një total prej 60.5%.

Nuk është e qartë se përse është dashur ky rishikim në leje, ku praktikisht nuk është përfituar ndonjë sipërfaqe ndërtimi. Por ka gjasa ajo mund të jetë bërë për të legjitimuar gërmimet jashtë kufirit të pronës në ndërtimin e parkingut të kullës.

Kastrati ka dalë me gërmime deri në rrugën “Fatmir Haxhiu”, pjesë për të cilën ditët e fundit po ripunohet me betonarme (foto 2023; foto 2025).

Brenda kantierit të Downtown One, ku po punohet me betonarme zona fundore/Citizens.al

Shkelje të mundshme konstatohen edhe te projekti i ish-Sheratonit.

Në fillim të vitit 2022 Kastrati rrethoi pjesën para duke vijuar punimet për parkingun nëntokësor.

Pamjet satelitore tregojnë se kompania rrethoi edhe rreth 1,800 metra katrorë përtej rrugës ekzistuese të hotelit. Kjo ndërhyrje nuk ishte parashikuar në asnjë nga dy lejet e zhvillimit – të vetmet dokumente publike.

Një rrugë e re u hap krah UPT-së në atë që hartat e Kadastrës tregojnë të jetë prona 7/18 e Zonës 8160. Kështu Kastrati u zgjerua nëntokë deri në kufi të pronës së tij dhe përfitoi një rrugë që i shkon direkt në hyrjen e parkingut.

Rruga e re dhe pjesa e shtuar e hotelit të Mak-Albanias/Citizens.al

Lëvizjet në hije të “investitorëve strategjikë”

Zhvillimi i ish-Sheratonit është nisur nga Kastrati në ortakëri me sipërmarrësin Samir Mane, por sot nuk kuptohet nëse vijon e njëjta ortakëri.

Leja e parë e zhvillimit për ish-Sheratonin përmendte si zhvillues kompanitë e grupit Kastrati (Kastrati Residences dhe Kastrati Hotels & Tower) dhe Mak Elite Offices (MEO) një kompani e themeluar në vitin 2017 nga Balkan Finance Investment Group (Balfin) e sipërmarrësit Mane.

Dokumentet tregojnë se në shkurt 2018 – pra, kur Kastrati bleu ish-Sheratonin – grupi bleu për 700 mijë lekë edhe 50% të aksioneve të Manes te projekti “Downtown One”, të cilat zotëroheshin nga BFI Invest – tjetër kompani e Balfin-it.

Nuk kuptohet qartë se si Balfin është tërhequr nga një projekt si “Downtown One” për kaq pak para, kur për më tepër kishin nisur punimet.

Nga ana tjetër, për MEO-n mund të themi se nuk ka pasur ecuri të gjatë. Kjo kompani e Balfinit rriti kapitalin me rreth 180 mijë euro në vitin 2020 dhe një vit më pas pezulloi dhe çregjistroi aktivitetin.

Balfin nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Citizens.al nëse vijonte të ishte e përfshirë në investimin te ish-Sheratoni, edhe pse në lejen e dytë të zhvillimit ajo nuk përmendet më.

Projekti i Kastratit u reklamua bujshëm nga kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj se do të tërhiqte si filiale markat ndërkombëtare të hoteleve Hyatt dhe Hilton. Në një njoftim në faqen e saj, Hilton thoshte se do të mund të niste punën në mjediset e reja nga fundi i vitit 2023.

Të dy markat ndërkombëtare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Citizens.al rreth arsyes së shtyrjes së këtij afati dhe periudhës se kur mund të mbarojnë punimet.

Por, rasti i ish-“Sheratonit” tregon se investimet në zemër të Tiranës nuk janë më çështje zhvillimi, por demonstrim influencash dhe pushteti.

Në një shtet ku ligji vepron selektivisht dhe informacioni mbahet i fshehur, fiton më shumë ai që ka akses te pushteti. Humb qyteti, humbin qytetarët.

The post Investimet pa transparencë: Katet shtesë dhe 6 kullat e Kastratit te ish-Sheratoni appeared first on Citizens.al.

Këshilli Bashkiak i hap rrugë “rijetëzimit” të Pallatit të Kongreseve

Këshilli Bashkiak i Tiranës i hapi sot rrugë projektit të “rijetëzimit të Pallatit të Kongreseve” duke i kaluar një parcelë toke Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH). Zona përfshin një lulishte publike që rrezikon të humbasë funksionin si hapësirë e gjelbër nga natyra e zhvillimit të propozuar.

Ngjashëm në diskutim është vënë edhe integriteti i godinës monument i trashëgimisë kulturore për vlerat arkitektonike që mbart.

Vendimi i marrë në mbledhjen e sotme parashikon kalimin e administrimit të 2261 m² truall nga bashkia te Korporata, e cila më parë ka marrë në administrim edhe truallin e Pallatit të Kongreseve.

Kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, theksoi gjatë mbledhjes së Këshillit se ndërtesa është pronë e Ministrisë së Kulturës, dhe se bëhej fjalë vetëm për një rrip lulishteje para, i cili “duhet për projektin rijetëzimit”.

“I duhet e gjithë prona në administrim,” theksoi ajo duke justifikuar kërkesën nga KISH, teksa këshilltarët opozitarë kundërshtuan kërkesën duke u shprehur se prona po kërkohet për t’iu kaluar privatëve për kulla.

“Ai rripi i vogël që po flisni ju, është 2261 m2 dhe a mund ta na qartësoni nëse aty do të ketë një kullë?”, tha në fjalën e tij Ilir Alimehmeti.

Znj. Ristani tha se nuk ishte në dijeni të projekteve ende, apo nëse do të ketë shembje apo ndërtim të një kulle.

“Kjo është në dorë të atyre që do bëjnë ekspertizën”, theksoi ajo.

Trualli me sipërfaqe 2261 m2 pas Pallatit te Kongreseve

Interesi për të rizhvilluar zonën e Pallatit të Kongreseve qe shprehur që në janar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Më 1 prill KISH publikoi në rubrikën “Thirrje të Ardhshme” njoftimin për “Rikonstruksionin e Pallatit të Kongreseve”. Por ky njoftim ishte i zbrazur, pa asnjë informacion.

Në muajin maj, teksa u prezantua projekti “Tirana Moons”, Kryeministri Edi Rama tha se për “Pallatin e Kongreseve” do të aplikohej e njëjta formulë si me stadiumin kombëtar, deklaratë e cila nënkupton zhvillimin me privatë të strukturave të larta.

AIC ka hapur thirrje të tjera më parë me të njëjtin model në prona shtetërore si Stadiumi “Selman Stërmasi”, apo “Pallati i Sportit Asllan Rusi”.

Korporata ka propozuar t’i japë në këmbim bashkisë një tjetër sipërfaqe 1,209 m², por jo në të njëjtin vend. Ky model “këmbimi” është përdorur më parë për të justifikuar projekte me kulla në prona publike.

Ligjërisht, ky kalim mbështetet nga VKM-të dhe ligji për Korporatën e Investimeve. Por praktika ka lënë vend për dyshime nga mungesa e transparencës, prioriteteve urbane dhe përfitimeve publike.

Në projektet e kaluara, KISH ka përdorur formulën e Partneritetit Publik-Privat për të nxitur ndërtime intensive në prona publike.

Rasti i Pallatit të Kongreseve ngre pikëpyetje mbi vizionin urban dhe mbrojtjen e hapësirave publike në Tiranë. Në mungesë transparence, qytetarët rrezikojnë të humbasin një tjetër hapësirë publike dhe ndërtesë historike nën logon e “modernizimit”.

Diskutimi për këtë truall duhet të zgjerohej, me kërkesë për garë të hapur, dokumentacion publik dhe mbikëqyrje qytetare.

The post Këshilli Bashkiak i hap rrugë “rijetëzimit” të Pallatit të Kongreseve appeared first on Citizens.al.

SPAK i komunikon akuzat Erion Veliajt

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka mbyllur hetimet për çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili dyshohet se me bashkëshorten, Ajola Xoxa, u përfshi në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash.

Të mërkurën SPAK i komunikoi akuzat kryebashkiakut në paraburgimin e Durrësit, atje ku qëndron prej rreth 165 ditësh. Pavarësisht kësaj periudhe larg zyrës, ai vijon ta mbajë formalisht mandatin.

Veliaj tashmë akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në burg – një celular që përdori për komunikime gjatë periudhës shkurt-mars. Njësoj akuza janë ngritur edhe për bashkëshorten Xoxa: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Përtej komunikimit të akuzave, SPAK siguroi nga gjykata edhe zgjatjen e afatit të hetimeve deri në muajin shtator.

Hetimet paraprake ndaj çiftit Veliaj-Xoxa kanë sugjeruar se ata mund të jenë përfshirë në një skemë korruptive me së paku gjashtë sipërmarrës.

Grupi i sipërmarrësve dyshohet se përfitoi leje ndërtimi apo tenderë publik nga bashkia dhe nga ana tjetër qarkulloi para të dyshuara si pagesa korruptive në kompani dhe organizata jofitimprurëse të kontrolluara apo lidhura me Xoxën.

Sipërmarrësi Elman Abule, ishte i pari të cilit iu paraqit akuza “pastrim parash”. Ai ka qenë në masën arrest shtëpie, teksa sipermarrësit e tjerë, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu janë hetuar në gjendje të lirë me detyrim paraqitje.

SPAK dyshon se çifti Veliaj-Xoxa përfitoi rreth 1 milionë euro nga kjo skemë.

Hetuesit zbuluan shpenzime të majme për veshje dhe bizhuteri të bëra nga bashkëshortja e kryebashkiakut si dhe një vilë në bregdet, e cila mendohet se është pronë e tyre pavarësisht se nuk është deklaruar. Çifti ka mohuae akuzat.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi SPAK provoi në gjykatë se ai dhe bashkëshortja kishin tentuar të intimidonin dëshmitarët dhe të prishnin provat.

Kryebashkiaku e kundërshtoi vendimin duke e cilësuar të motivuar politikisht. Ai këmbënguli se po arrestohej pa gjyq, pa akuza dhe pa prova.

Në rrjetet sociale ai sulmoi me fyerje të rënda prokurorët dhe një prej gjyqtarëve që u përfshinë në vendim. Por masa e arrestit u cilësua e justifikuar në të gjitha shkallët e drejtësisë. Ajo u konfirmua edhe në Gjykatë të Lartë.

Familja e Veliajt angazhoi dy studio ligjore ndërkombëtare të kushtueshme për mbrojtjen e tij si dhe një kompani “PR”-i me seli në Londër dhe Nju Jork.

Teksa kompetencat e Veliajt si kryetar Bashkie i janë deleguar Anuela Ristanit, ai vijon të mbetet formalisht “në detyrë”, kjo së paku deri në një vendim të formës së prerë, shkarkim nga Kryeministri, apo Këshilli Bashkiak.

Lexoni gjithashtu:

The post SPAK i komunikon akuzat Erion Veliajt appeared first on Citizens.al.

Shtetet e Ballkanit përballen me sfida mjedisore të përbashkëta

Nga Serbia në Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfidat të shumta mjedisore, që shpesh janë të përbashkëta. 

Shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve natyrore, ndotja industriale dhe projektet e diskutueshme të “zhvillimit” po kërcënojnë biodiversitetin, shëndetin publik dhe të ardhmen e vendeve të Ballkanit, duke vënë në pikëpyetje edhe antarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. 

Serbia përballet me presione lokale dhe ndërkombëtare 

Në Serbi, lufta kundër projektit të minierës së litiumit “Jadar” nga kompania Rio Tinto është kthyer në simbol të rezistencës qytetare. Sipas Iskra Krstic nga Polekol/Right to Water Initiative,  “kjo përpjekje tregon se nuk është kurrë vonë për të kundërshtuar padrejtësinë.” 

“Në vitin 2019, kur shoqëria civile mësoi për projektin e minierës së litiumit “Jadar” të Rio Tinto-s dhe popullsia lokale mësoi për shkallën e këtij projekti, mina ishte shumë pranë marrjes së të gjitha lejeve të nevojshme për zbatim”, kujton Krstic.

Por pavarësisht se projekti kishte marrë mbështetje të fuqishme nga qeveria dhe ishte pranë përfundimit të procedurave, protestat masive dhe mobilizimi i shoqërisë civile e ndaluan përkohësisht. 

Megjithatë, pasiviteti i institucioneve dhe mbështetja e BE-së për projektin në emër të “tranzicionit të gjelbër” po rrezikojnë rikthimin e tij.

Krstic thekson se “suksesi lind aty ku ekziston një mobilizim i fuqishëm dhe i bashkuar,” duke nënvizuar rolin kyç të informimit dhe edukimit për të përballuar propagandën zyrtare dhe mediat e kapura. 

Ndërkohë, aktivistët serbë janë të vetëdijshëm se presioni ndërkombëtar, sidomos nga BE, mund të ketë dy anë të medaljes, mund të forcojë mbrojtjen e mjedisit, por edhe ta minojë atë.

Në vitet e fundit, zyrtarët e Komisionit Evropian kanë shfaqur dëshirë për të nxitur minierat e litiumit në Serbi për hir të tranzicionit të gjelbër të BE-së, duke shpërfillur rreziqet dhe vullnetin e popullsisë lokale.

“Lista e projekteve strategjike e BE-së, ku u fut edhe “Jadar”, është në përputhje me Aktin për Lëndët e Para Kritike (CRMA), i kritikuar për minimin e përpjekjeve mjedisore dhe shkeljen e të drejtave të komuniteteve lokale”, thotë aktivistja, por ajo shton se BE ka shprehur gatishmëri për të mbyllur sytë ndaj rënies së sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në këmbim të burimeve të çmuara.

Megjithatë, Parlamenti Evropian është heterogjen, thotë Krstic. “Eurodeputetët e gjelbër dhe të majtë kanë qenë mbështetës të hapur të luftës lokale, vizitojnë Serbinë, dëgjojnë komunitetet dhe i bëjnë thirrje publikut evropian. Tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe vërtet i gjelbër, jo thjesht në emër”, thotë ajo.

Përtej çështjes së “Jadarit,” Serbia përballet me një model zhvillimi që privilegjon interesat industriale dhe minierat në dëm të komuniteteve dhe natyrës. Bashkëpunimi rajonal përmes rrjeteve si “Le të mbrojmë lumenjtë e Ballkanit” apo “ZBOR” ka krijuar ura mes aktivistëve në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe më gjerë, duke forcuar frymën e solidaritetit ndërkufitar.

“Luftërat mjedisore në Serbi (dhe Ballkan) shërbejnë si shembull se si rajonet dhe popullsitë e varfra, që kanë shumë pak faj për krizën klimatike dhe ndotjen, ndëshkohen dyfish”, thotë ajo.

Krstic nënvizon se Ballkani Perëndimor është një nga rajonet që po ngrohet më shpejt në një kontinent. “Rajoni tashmë përjeton thatësira hidrologjike dhe ndryshime të thella klimatike që rrezikojnë bujqësinë”, shton ajo.

Pengesat kryesore me të cilat përballet Serbia janë presionet lokale dhe ndërkombëtare për të sakrifikuar pyjet, lumenjtë, gurët dhe mineralet për interesat financiare. “Është thelbësore të investohet në ruajtjen e ujërave, pyjeve dhe tokës për të minimizuar dëmet dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe të ujit”, shprehet aktivsitja mjedisore.

“Në Shqipëri nuk është më ndryshe”

Në Shqipëri situata nuk është më ndryshe kur vjen fjala tek shrytëzimi i resurseve natyrore dhe dëmtimi i mjedisit. 

Sfidat mjedisore në Shqipëri lidhen kryesisht me shfrytëzimin e lumenjve për hidrocentrale dhe devijime të ujërave. Komunitetet lokale, ashtu si në Serbi kanë bërë përpjekje për të mbrojtur mjedisin, në disa raste me sukses e në disa të tjera jo, por e ajo që është e rëndësishme për aktivistët mjedisor është që komunitet e kuptojnë rëndësinë e natyrës. 

Besjana Guri nga Eco Albania thekson se “Vjosa dhe Shushica janë simbole të rezistencës mjedisore në vend, ku komunitetet janë vetëorganizuar dhe kanë marrë mbështetje të fortë nga organizatat mjedisore.”

Përmes fushatave si Save the Blue Heart of Europe, Shqipëria ka treguar se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për të ruajtur lumenjtë e fundit të egër të Europës. 

“Ne jemi pjesë e një rrjeti të gjerë aktivistësh dhe organizatash që punojnë për të njëjtat kauza dhe që janë pjesë e fushatës “Save the Blue Heart of Europe”. Megjithatë, bashkëpunimi shtrihet edhe përtej këtij rrjeti, pasi shpesh bashkërendojmë forcat me organizata të tjera në rajon për nisma të përbashkëta dhe ndërkufitare”, thotë Guri. 

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha për Shqipërinë. Guri sjell në vëmendje planet për ndërtime të reja hidrocentralesh, shfrytëzimin komercial të burimeve ujore dhe zhvillimin urbanistik pa kontroll të cilat po kërcënojnë pasuritë natyrore.

Sa i përket rolit të BE-së, Guri thekson se mund të luajë një rol vendimtar, por presioni duhet të jetë më i fortë dhe më i qëndrueshëm. 

“Ne kemi nevojë për një tranzicion të gjelbër që nuk sakrifikon natyrën për përfitime afatshkurtra ekonomike,” thotë ajo, duke vënë theksin te nevoja për ndalimin e investimeve ndotëse dhe forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës.

Për aktivisten Besjana Guri, e ardhmja mjedisore e Shqipërisë do të varet nga sa seriozisht do ta marrin insititucionet shqitpare tranzicionin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. 

“Objektivat klimatike të BE-së për 2035 nuk janë thjesht një angazhim ndërkombëtar por një mundësi për Shqipërinë të modernizojë ekonominë, të rrisë sigurinë energjetike dhe të mbrojë pasuritë natyrore”, shprehet ajo, duke shtuar se tani duhet të ndalojnë investimet në sektorë ndotës, të përshpejtohet integrimi i burimeve të rinovueshme si dhe të frocohenligjet për mbrojtjen e natyrës.

Kosova përballet me një krizë të shumëfishtë

Në Kosovë, mjedisi përballet me një krizë të shumëfishtë, si ndotja e ajrit nga termocentralet e vjetra, degradimi i lumenjve dhe pyjeve, dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve. Besnik Boletini, gazetar investigativ në organizatën ÇOHU!, thekson se “institucionet kanë dështuar në zbatimin e ligjeve mjedisore dhe degradimi ka marrë përmasa alarmante.”

“Gjendja e mjedisit në Kosovë vazhdon të jetë e keqe në disa aspekte, ndërkaq nuk ka ndonjë angazhim të duhur nga institucionet përkatëse për të përmirësuar situatën”, thotë Boletini.

Ai sjell në vëmendje një sërë probelmesh mejdisore me të cilat përballet Kosova, si bdotja e ajrit nga termocentralet e KEK-ut, për shkak të vjetërisë së dy termocentraleve. Po ashtu, situata me lumenjtë ka një përkeqësim të vazhdueshëm.

 “Lumenjtë vazhdimisht po degradohen nga operuesit ilegalë, ndërkaq ndotja e tyre vazhdon të jetë po ashtu e vazhdueshme përmes derdhjes së kanalizimeve në lumë, por edhe hedhjes së mbeturinave të ndryshme në lumenj dhe buzë lumenjve”, thotë gazetari. 

Një tjetër problem shqetësues mbetet dhe prerja ilegale dhe djegia e pyjeve. “Pandëshkueshmëria në këtë aspekt, veçanërisht të lëndët e pyjeve është e madhe. Më së shumti lëndë janë parashkruar për rastet që kanë të bëjnë me prerjen e pyjeve”, shprehet Boletini.

Megjithatë, reagimi qytetar ka qenë i pranishëm, protestat dhe aktivizmi lokal kanë arritur të ndalojnë projekte të caktuara apo të shtyjnë autoritetet të veprojnë, edhe pse sfidat mbeten.

“Ka pasur protesta të kohë pakohshme, varësisht nga zhvillimet. P.sh kur e patëm publikuar një hulumtim se si Ferronikeli po e ndotë ujin, ajrin dhe tokën, një  grup i qytetarëve nga Drenasi patën organizuar protesta para ministrisë dhe si rezultat ishte gjobitur kompania”, sjell në vëmendje gazetari. 

Organizimet më të mëdha janë bërë nga qytetarët që janë prekur nga ndërtimi i hidrocentraleve, veçanërisht në komunën e Shterpcës.

Ai thekson se mungesa e bashkëpunimit rajonal për çështjet mjedisore është një pengesë e madhe. “Ndotja nuk njeh kufij, dhe mungesa e një strategjie të përbashkët e bën problemin më të madh“, thotë ai. 

Teksa sa i takon antarëasimit të vendit në BE, gazetari vlerëson se politikat janë të harmonizuara me BE, por zbatimi është i dobët dhe mjedisi vazhdon të mos jetë prioritet në agjendën institucionale.

Natyra e Ballkanit po kërcënohet nga modele të gabuara zhvillimi, mungesë transparence dhe mungesë të zbatimit të ligjeve ekzistuese. Bashkëpunimi ndërkufitar, ndonëse i pranishëm në disa raste, mbetet ende i fragmentuar dhe i pamjaftueshëm për të përballuar krizën mjedisore rajonale.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian mbetet një aktor kyç, nëse do të jetë një forcë për mbrojtjen e mjedisit apo një promotor i projekteve që e dëmtojnë atë, “kjo mbetet për t’u parë”, sipas aktivistëve dhe gazetarëve që raportojnë çështjet mjedisore.  

Nëse procesi i integrimit do të jetë i ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit dhe nëse do të kërkojë standarde të vërteta e jo fasadë, Ballkani mund të ketë një të ardhme më të gjelbër.

Lexoni gjithashtu:

The post Shtetet e Ballkanit përballen me sfida mjedisore të përbashkëta appeared first on Citizens.al.

AlbChrome përballet me protesta: Minatorët e Bulqizës kërkojnë rritje pagash

Prej disa ditësh minatorët e Bulqizës në kompaninë Albchrome po protestojnë për rritjen e pagës. Atyre u është premtuar rritje pagash që prej muajit janar, por kjo nuk ka ndodhur. Për këtë ata bojkotuan punën në mars.

Kompania u kërkoi më tepër kohë dhe tani, në muajin korrik, minatorët gjenden sërish përballë së njëjtës situatë.

Përgjatë këtyre muajve, ata janë ulur disa herë në bisedime me kompaninë, por, sikurse shprehen për Citizens.al: muajt kaluan dhe asgjë nuk po bëhej.

Minatorët kërkojnë plotësimin e premtimit për një rritje page me 10%, teksa kompania Albchrome u ka njoftuar punëtorëve se do të aplikojë një rritje page në masën 5%. Sipas tyre, kjo rritje është e pamjaftueshme.

Javën e kaluar, të mërkurën, një përfaqësi minatorësh u ulën sërish në bisedime me kompaninë për të gjetur një zgjidhje dhe dolën me një vendim për t’i dhënë kohë deri në fund të korrikut. Por ky afat i dakordësuar mes palëve ka tensionuar situatën mes punëtorëve të tjerë që nuk ishin pjesë e mbledhjes.

Mes tensionit, minatori Altin Kola e ka grisur këtë shkresë, dhe kjo ka bërë që ai të pushohet nga puna.

Përmes një shkrese, të firmosur nga administratori turk, Cemil Acar, minatorit iu bë me dije se është pushuar nga puna pasi ka “dëmtuar materiale zyrtare të kompanisë duke ndikuar në përshkallëzimin e marrëdhënieve me punëmarrësit”.

Pushimi nga puna i minatorit Kola ka intimiduar minatorët. Njëri prej tyre i tha Citizens se janë të frikësuar të flasin në këto momente, pasi mund t’i heqin edhe ata nga puna.

“Jemi pjesa më e madhe me kredi, dhe kompania na ka marrë firma me presion për të shkuar në punë, për të mos e vazhduar grevën [protestën]. Kush nuk firmoste, nuk pranohej më në punë”, tha një prej minatorëve për Citizens, i cili kërkoi të mos përmendej me emër.

Ai u shpreh se këtë shkresë të kompanisë e kanë firmosur, pasi “shumica mezi mbyllin muajin, janë me borxhe”.

Një tjetër minator u shpreh përmes një bisede telefonike se kërkesa e tyre është minimale.

“Kërkojmë një rritje page me 10%, çmimet janë rritur dhe nuk i përballojmë dot me rrogat tona, kushte më të sigurta në punë dhe pagesën për ditët e pushimit kemi kërkuar”, u shpreh minatori.

Ai tha se janë ende në bisedime me kompaninë, dhe i kanë dhënë afat deri në fund të muajit.

Kompania Albchrome është kritikuar shpesh për kushte të vështira pune dhe mungesë sigurie, gjë që ka sjellë aksidente, disa edhe fatale.

Minierat e Bulqizës janë ndër burimet më të mëdha të kromit në Shqipëri. Ato u gërmuan gjerësisht pas vitit 1948, duke u lidhur me uzinat e pasurimit dhe ferro-kromit në Burrel e Elbasan, por me rrëzimin e diktaturës dhe vështirësitë ekonomike të viteve 1990-2000, ato u dhanë me koncesion.

Minierat dhe uzinat iu dhanë fillimisht grupit italian Darfo, më pas një grupi austriako-rus, – DCM Deco-Metal dhe Terwngo – grupit Balfin e më tej kompanisë turke të Yildirim International Mining (YIM).

Protestat e fundit tregojnë se problemet për punonjësit e minierave të Bulqizës nuk janë zgjidhur.

Lexoni gjithashtu:

The post AlbChrome përballet me protesta: Minatorët e Bulqizës kërkojnë rritje pagash appeared first on Citizens.al.

Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Pas një seance që zgjati rreth dy orë, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili, me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe gjashtë sipërmarrës, dyshohet të jetë përfshirë në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash.

Trupa e Kolegjit Penal, e udhëhequr nga gjyqtarja Albana Boksi, mori vendimin pasi dëgjoi argumentet e Veliajt dhe të akuzuarve të tjerë.

Gjykata rrëzoi kështu pretendimet e kryebashkiakut se po mbahet padrejtësisht në paraburgim.

Prej datës 10 shkurt në profilet personale të Veliajt në rrjetet sociale, janë botuar me dhjetëra postime, përmes të cilave ka sulmuar prokurorët dhe gjyqatrët, duke pretenduar së është i pafajshëm.

Po ashtu ai angazhoi dy studio ligjore ndërkombëtare të kushtueshme për mbrojtjen e tij si dhe kompani PR me seli në Londër dhe në Nju Jork.

Përveç kësaj, pavarësisht se është në paraburgim, Veliaj u përfshi në të paktën dy emisione të politikës duke përcjellë në redaksitë e mediave “versionin e tij të burgosjes pa gjyq”.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dyshon se ai dhe bashkëshortja Xoxa, gjithashtu nën hetim, përfituan të paktën 1.1 milionë euro përmes skemave korruptive.

Hetimet tregojnë se paratë qarkulluan nga kompani dhe organizata jofitimprurëse të kontrolluara apo lidhura me Xoxën.

SPAK kërkoi arrestimin e Veliajt dhe bashkëshortes Xoxa pasi ata rezultuan jobashkëpunues dhe me përpjekje për të prishur provat e çështjes duke intimiduar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimeve.

Për faktin se ishte prind i një fëmije të mitur, Xoxa u la fillimisht në arrest shtëpie, më pas në detyrim paraqitje.

Masa e arrestit ndaj Veliajt u vlerësua e drejtë edhe në Apelin e Gjykatës së Posaçme.

Aktualisht në paraburgim qëndron vetëm kryebashkiaku, teksa të tjerët (Xoxa dhe sipërmarrësit Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi) janë në detyrim paraqitje.

Lexoni gjithashtu:

The post Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn appeared first on Citizens.al.

Përqendrimi i pronësisë rrezikon lirinë e medias në Shqipëri, thotë raporti

Raporti i pluralizmit mediatik në Shqipëri, i përgatitur nga  Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias (CMPF), e rendit Shqipërinë tek vendet me rrezik të lartë.

CMPF është një qendër kërkimore me seli në Institutin e Universitetit Evropian në Firence të Italisë.

Në raportin e fundit të CMPF-së, Shqipëria thuhet se ka shënuar pak përparim në përmirësimin e lirisë së medias dhe garantimin e pluralizmit mediatik gjatë vitit 2024, pavarësisht hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas raportit, vendi ynë vijon të përballet me sfida të mëdha në katër fusha kryesore: Mbrojtja themelore e lirisë së shprehjes, pluralizmi i tregut, pavarësia politike dhe përfshirja sociale.

Edhe pse liria e shprehjes është e garantuar nga Kushtetuta, në praktikë ajo kufizohet për shkak të presioneve politike, interesave të pronarëve të medias dhe krimit të organizuar. 

“Edhe pse dënohet me gjobë, shpifja mbetet pjesërisht e kriminalizuar në Shqipëri, ndërsa vendi nuk ka bërë asnjë përparim në miratimin e një legjislacioni specifik kundër padive SLAPP”, thuhet në raport. 

Raporti përmend se gazetarët në Shqipëri gjatë vitit 2024 u përballën me mungesë sigurie, kërcënime dhe kushte të dobëta pune, ndërsa autoritetet shpesh refuzuan në mënyrë arbitrare aksesin në informacion publik.

Sa i përket pluralizmit të tregut, raporti përmend se kjo është dhe zona më e rrezikuar, pasi pronësia në Shqipëri është e përqëndruar në duart e pak familjeve dhe ka një mungesë transparence sidomos për median online. 

“Nuk ekzistojnë masa për të ndaluar përqendrimin e pronësisë apo për të kontrolluar ndikimin komercial mbi vijën editoriale”, thuhet në raport. 

Sa i përket pavarësisë politike, raporti nënvizon se shumë media janë të lidhura me aktorë politikë ose pronarë që përfitojnë nga kontrata publike, gjë që ndikon direkt në pavarësinë editoriale. 

“Emërimet dhe shkarkimet në median publike janë thellësisht të politizuara, ndërsa mbulimi i fushatave elektorale vazhdon të favorizojë partitë kryesore duke lënë jashtë aktorët e vegjël politikë”, thuhet më tej.

Shqipëria vijon të ketë probleme me përfshirjen sociale, pasi aksesi në media për komunitetet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar apo grupet etnike vijon të jetë i cunguar. 

Sipas raportit, gratë janë të nënpërfaqësuara si në përmbajtje ashtu edhe në pozitat drejtuese në media. Politikat për edukimin mediatik janë të dobëta dhe mungon integrimi i tyre në sistemin arsimor.

Raporti thekson se për të avancuar në përputhje me standardet e BE-së, Shqipëria duhet të bëjë përparime në disa fusha, si dekrminalizimi i shpifjes dhe miratimi i ligjit kundër padive SLAPP. 

Po ashtu rekomandohet të forcohet pavarësia e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe të përmirëoshen procedurat e emërimeve. Të garantohet transparencë në pronësinë e të gjitha mediave, përfshirë dhe ato online.

Shqipëria ka bërë disa hapa drejt përputhjes me standardet evropiane, me hapjen e negoacitave, por megjithatë raporti vlerëson se mungesa e vullnetit politik, përqendrimi i pushtetit mediatik dhe ndërhyrjet e papërshtatshme në punën e gazetarëve vijojnë të mbeten pengesë serioze për një mjedis të lirë dhe pluralist të medias.

The post Përqendrimi i pronësisë rrezikon lirinë e medias në Shqipëri, thotë raporti appeared first on Citizens.al.

Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz

Qeveria ka hapur kompaninë, e cila pritet të bëjë marrëveshje me Jared Kushner për të zhvilluar resort në Sazan. Projekti parashikon ta shndërrojë ishullin nga një ish-bazë ushtarake me site të mbrojtura në resort privat luksoz.

Korporata e Investimeve Shqiptare, (KIS) regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) kompaninë “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE). Ajo ka kapital 50 milionë lekë (rreth 500 mijë euro) dhe administor Julian Adilin, drejtor ligjor pranë KIS.

Ekstrakti tregon se ASDRE u themelua më 9 qershor, pra rreth 2 javë e gjysmë më parë.

ASDRE thuhet se do të planifikojë dhe zbatojë projekte ndërtimi në pronësi ose administrim shtetëror. Kjo lë të kuptohet se mund të menaxhojë dhe projekte dhe prona të tjera.

Qëllimi i saj thuhet të jetë menaxhimi dhe transparenca në përdorimin e pasurive publike.

Gjithashtu, si qëllim i ASDRE, ka dhe përfaqësimin e shtetit në partneritete strategjike. Këtu përmendet konkretisht resorti turistik “Ishulli i Sazanit”.

Këtë projekt e ka paraqitur si ofertë të pakërkuar “Affinity Partners” e përfaqësuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.

Në janar Kushner mori statusin “investitor strategjik”. Ai ka thënë se ideja i lindi pas një vizite turistike në Shqipëri gjatë vitit 2021.

Kushner e vizitoi Shqipërinë edhe në vitin 2023, ku u shoqërua personalisht edhe nga Kryeministri Rama. Pesë muaj më vonë, në dhjetor 2023, paraqiti zyrtarisht kërkesën për zhvillimin e Sazanit.

Por projekti u bë me dije vetëm në vitin 2024 kur Kushner foli për mediat amerikane.

Njësoj si atëherë, zhvillimi i radhës ndodh pas një vizite turistike të dhëndrit të Trump-it. Kjo nënkupton se vizitat e tij janë “vizita pune”.

Një fotografi e çiftit Kushner me Sazanin në sfond u botua të enjten nga kuzhinieri Aldo Mehmeti në Instagram.

Faksemile e postimit të kuzhinierit Aldo Mehmeti, i cili priti familjen Kushner këtë javë në Vlorë.

Resorti në Sazan do të zërë 8% të sipërfaqes së ishullit – 45 hektarë nga 562 e totalit. Investimi thuhet të jetë prej rreth 1.4 miliardë eurosh dhe zotohet të punësojë rreth 1 mijë persona gjatë ndërtimit dhe funksionimit.

Kritika për transparencën dhe ndikimin mjedisor

Projekti i Kushnerit ka shkaktuar reagime për mungesën e transparencës dhe rrezikun ndaj mjedisit. Fillimisht në vitin 2024, institucionet dhanë qëndrime kontradiktore për statusin juridik të Sazanit.

Ministria e Mbrojtjes e konsideroi pjesë të planit të vendosjes së Forcave të Armatosura. Ndërsa Ministria e Turizmit deklaroi se nuk kishte kërkesë për zhvillim të zonës.

Aktivistët mjedisorë theksuan se zona është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Ky park përfshin specie të rralla detare dhe është zonë e mbrojtur që nga viti 2010.

Por, qeveria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar zhvillime në këto territore. Në të njëjtën kohë, KKT mori kompetenca të zgjeruara si Këshill Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Parlamenti shtyu gjithashtu ligjin për investimet strategjike deri në vitin 2026. Të gjitha këto veprime ngrenë shqetësime për llogaridhënie dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.

Kushner ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se nuk ka përfituar trajtim preferencial apo ekstraligjor. Megjithatë qasja e qeverisë shqiptare mbetet jotransparente, çka lë të kuptohet për të kundërtën.

Prej janarit, kur Kushneri mori statusin e investitorit, parashikohej që të zhvilloheshin negociata për mënyrën e investimit. Do të ishte me partneritet publik-privat, koncesion, apo mekanizëm tjetër.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i tha Citizens.al se “aktualisht palët janë në proces negocimi”. Deklarata u bë më 25 qershor, një ditë para se KIS të regjistronte ASDRE-n.

Nga ana tjetër institucionet nuk kanë bërë transparencë për propozimin e Kushner në Zvërnec.

Citizens.al iu drejtua për informacion edhe agjencive të planifikimit dhe zhvillimit të territorit (AZHT, AKPT) për propozimin, ku kërkoi të dinte nëse ka pasur aplikime për leje zhvillimi për zonën e Sazanit dhe Zvërnecit. Por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati përgjigje.

Lexo gjithashtu:

The post Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz appeared first on Citizens.al.

Strategjia e dezinformimit pritet me kritika nga eskpertët dhe opozita

Projektligji për “Strategjinë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit” ka ngjallur kritika nga opozita dhe ekspertët e komunikimit.

Strategjia 2025-2030 ka kaluar në komisionet parlamentare nga shumica socialiste, sipas së cilës është realizuar në rekomandime nga Bashkimi Evropian.

Deputeti socialist Erion Braçe, i cili kryesoi Komisionin e Posaçëm që hartoi strategjinë, tha se fokusi ka qenë te forcimi i lirisë së shprehjes dhe ndërgjegjësimit për dezinformimi. Ai tha se strategjia e re vendos këtë çështje si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas Braçes, siguria kibernetike është komponent tjetër kyç i strategjisë së sigurisë. Por opozita, nga ana tjetër, e kritikoi dokumentin duke ngritur dyshime për qëllimin e real të tij.

Përmes deputetit Asllan Dogjani, opozita ngriti dyshimet se projektligji për strategjinë kombëtare kundër dezinformimit synon në të vërtetë kontrollin politik mbi median. Sipas tij, nëse keqpërdoret ky projektligj rrezikon pluralizmin dhe lirinë e shprehjes në vend.

Skeptik duken edhe ekspertët e komunikimit. Pedagogu i gazetarisë, njëherësh drejtues i qendrës “Media Look”, Elvin Luku, e cilësoi strategjinë e propozuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar si “instrumentalizim të dezinformimit për kontroll”.

Luku kujtoi përpjekjet e shkuara të qeverisë socialiste për të miratuar të ashtuquajturën “paketë antishpifje”. Ai theksoi se termi “dezinformim” po përdoret si pretekst për të kufizuar median.

Sipas Lukut, edhe kjo nismë vijon logjikën e “paketës antishpifje” që dështoi më parë. Pedagogu tregoi për Citizens.al se një vit më parë qendra që ai drejton i kishte dërguar Kuvendit një analizë kritike ndaj draftit.

Për pedagogun e gazetarisë Erlis Çela një shqetësim më vete ka qenë procesi i ndjekur për hartimin e kësaj strategjie, që sipas tij ka qenë pa transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Ai kujtoi se raportet ndërkombëtare evidentojnë presione mbi median në Shqipëri dhe përqendrim pronësie te një grusht njerëzish.

“Çdo ndërhyrje ligjore që nuk vjen si rezultat i një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe me garanci të forta kushtetuese, krijon dyshime të arsyeshme për qëllimet dhe efektet reale të saj”, tha Çela për Citizens.

Ai kritikoi edhe opozitën për qëndrimin pasiv dhe bojkotues në komisionin parlamentar. Sipas Çelës, mungesa e debatit publik dhe përfshirja e kufizuar e aktorëve të pavarur është problematike.

“Lufta kundër dezinformimit nuk duhet të jetë pretekst për kontroll politik të informacionit,” theksoi pedagogu i gazetarisë.

Çela shtoi se plani i veprimit të strategjisë së propozuar mbetet i paqartë dhe pa qartësi mbi aktet nënligjore. Edhe ai përmendi si precedent “paketën antishpifje” për të argumentuar shqetësimet e tij.

“Mungesa e një debati të gjerë publik dhe përfshirja e kufizuar e aktorëve të pavarur, siç janë gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e medias dhe universitetet, ngre dyshime se kjo strategji mund të shërbejë më shumë si një mekanizëm për të ndëshkuar zërat kritikë sesa për të mbrojtur qytetarët nga dezinformimi me origjinë nga shtetet e huaja,” theksoi Çela.

Komisioni i posaçëm kundër dezinformimit u formua me qëllim rishikimin e kuadrit ligjir për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike në vend. 

Por opozita e bojkotoi punën e komisionit pasi ishte kundër propozimit të qeverisë. Pavarësisht kësaj komisioni vijoi punën në mënyrë të njëanshme. 

Duke e kthyer në një strategji kombëtare, qeveria krijoi një plan-veprimi përmes së cilit angazhohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve ligjore që bëjnë të mundur zbatimit e strategjisë.

Strategjia është e fokusuar te parandalimi i ndërhyrjeve të huaja në fushata zgjedhore, procese demokratike si dhe financimi politik i partive.

The post Strategjia e dezinformimit pritet me kritika nga eskpertët dhe opozita appeared first on Citizens.al.

Gara e kullave: 10 gjigandët e betonit që po pushtojnë Tiranën

Citizens publikoi hartën e kullave të Tiranës me 140 projekte që pritet t’i shtohen qytetit me bekimin e qeverisë shqiptare.

Më shumë se gjysma e këtyre projekteve po zhvillohen në kushte të transparencës së cunguar, pasi gjenden vetëm në rendin e ditës së mbledhjeve të KKTU. Pavarësisht kërkesave të vazhueshme për informim institucionet kanë injoruar detyrën për të dhënë informacion nëse këto ndërtime do të realizohen, refuzohen apo ndryshohen.

Ekspertët argumentojnë se kjo është bërë e mundur përmes një përdorimi selektiv të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të kryeqytetit, që lejon “zonifikim të përzier” në shumë zona.

Por cilat janë kullat më të larta në kryeqytet? 

Citizens ka listuar projektet që arrijnë nga 50-100 kate, ose thënë ndryshe nga 200-300 m lartësi.

1. Bond Tower – 200 metra e lartë

Një projekt i ideuar nga studio e arkitekturës OODA Architecture dhe investitor Nova Construction. Kjo kullë është 200 metër e lartë rreth 55 kate lartësi. Bond Tower është me vendodhje në Rrugën “Dritan Hoxha. 

2. Barcelona Tower – 202 metra

Ky projekt do të jetë  50 kate mbi tokë dhe 6 të tjera nën tokë, me një lartësi 202 metër. Kjo ndërtesë do të zërë vendin e Bankës Kombëtare Tregtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve. Ndërtuesi i kësaj kulle është kompania “Bami Holding” e biznesmenit Besnik Bami. Studio që ka ideuar projektin është RBTA – Ricardo Bofill Taller de Arquitectura.

3. Lana Riverside Residences – 204 metra

Ky projekt është e pozicionuar në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-Universiteti i Tiranës. Ndërtesa do të jetë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nën tokë, me një lartësi prej 204.5 metra, në formën e cilindrit.  Kulla është pjesë e një kompleksi dhe do të ndërtohet nga “Forever Construcion”, në pronësi të Lefter Sota, i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit. Kjo kullë është projektuar nga studio  e arkitekturës Marco Casamonti & Partners, X-Plan Studio.

4. Mount Tirana – 205 metra

Kjo kullë është e  vendosur në Rrugën e Barrikadave, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është 58 kate e lartë, ose 205 metër e lartë, me ndërtues Nova Construction – 2012 . Studio që ka ideuar projektin është CEBRA Architects. Kjo kullë po ngrihet në një hapësirë që më herët shërbente si lulishte, shkaktoi dhe një sërë protestash.

5. Papuli Tower – 205 metra

Kjo kullë  është e vendosurnë rrugën e Kavajës, 58 kate e lartë ose 205 metër, me zhvillues shoqërinë Classic  S & J sh.p.k. Studio e arkitekturës që ka ideuar projektin është RBTA – Ricardo Bofill Taller de Arquitectura

6. Mixed-use Tower – 245 metra

Ky projekt është me vendodhje në Bulevardin e Ri dhe  është 65 kate e lartë ose 245 metër e lartë me zhvillues shoqërinë Klar shpk. Studio e arkitekturës që ka ideuar projektin është Herzog and de Meuron.

7. Piano Nobile Tower – 250 metra

Kjo kullë do të ndërtohet mbi 17,000 m2 truall në qendër të Tiranës, ku aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit Metropol dhe “Info-Point” i bashkisë. Kjo kullë do të jetë 250 metër e lartë ose rreth 66 kate. Investitori është Veliaj Construction në pronësi të Astrit Veliaj. 

8. Kastrati Tower – 265 metra

Kjo kullë do të jetë 265 metër e lartë ose ndryshe 70 katë. Investitori i këtij projekti është Kastrati Group.  Kjo kullë u prezantua për herë të parë në festivalin “Bread and Heart” nga arkitekti  Steven Hall, i cili ekspozoi për herë të parë kullën “Kastrati Toëer” nga “Kastrati Group” – dy herë më masive se “Donëtoën One”, e cila parashikohet të ngrihet përballë, krah Katedrales Katolike Shën Pali.

9. Grand Park Skyline – 268 metra

Ky është një tjetër projekt ndërtimi po sfidon horizontin urbanistik të Tiranës duke synuar qiellin. Parashikon tre kulla 40, 51 dhe 71 kate për apartamente,  hotel dhe qendër tregtare në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Projekti është konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati me porosi të kompanisë “X One”, parashikon rreth 145 mijë metra katrorë ndërtim.

10. Tirana Society Tower – 300 metra

Përmes një konkursi që u zhvillua më 29 korrik 2024, juria përzgjodhi si fituese projektin “Tirana Society Towers”  i arkitektit kilian Alejandro Aravena me studion Elemental.Ndërsa kompanitë që do e ndërtojnë janë shqiptare, Delta në pronësi të Luan Meçës dhe Techno Alb në pronësi të Daljan Avdiajt. Nuk ka ende një leje të zbardhur për këtë kullë, por pritet të miratohet në vijim.

The post Gara e kullave: 10 gjigandët e betonit që po pushtojnë Tiranën appeared first on Citizens.al.

Rijetëzimi i “Asllan Rusit” për sport apo kulla?

Qeveria ka hapur garën për rindërtimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në partneritet me privatin. Thirrja, e ngjashme me atë që u ndoq për stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërthur filozofinë e investimeve në sport përmes dhënies në favor të privatëve të mundësisë për ndërtim dhe zhvillim tregtar. Përvoja me “Arenën Kombëtare” dhe “Selman Stërmasin” ngjall shqetësime se edhe në këtë rast do të ketë një stadium me kullë.

Oferta për privatët: Sport dhe beton

I ndërtuar në vitin 1963 për të pritur një turne ndërkombëtar volejbolli të klubit “Partizani”, Pallati i Sportit “Asllan Rusi” është simbol për sportin shqiptar, veçanërisht për lojërat me dorë.

Prej vitit 1996, impianti mban emrin e “Volejbollistit të Shekullit” Asllan Rusi, i cili la gjurmë me ekipet e Dinamos (1960-75) dhe Studentit (75-76). Rusi u nda nga jeta në moshën 38-vjeçare (1983) nga një sëmundje e pashërueshme.

Me kapacitet prej 4 mijë spektatorësh, ky pallat sporti ka pritur për dekada aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, duke ushqyer kujtesën sportive të brezave. Por sot, ndërtesa gjendet në një gjendje të degraduar, pa investime domethënëse dhe nën administrimin e një shoqërie publike të Bashkisë Tiranë, “Qendra Sportive”, që raporton humbje të vazhdueshme.

Nën këtë dinamikë “premtimi i vazhdueshëm” nga qeveria dhe drejtuesit e Bashkisë Tiranë ka qenë rindërtimi i Pallatit të Sportit, tashmë sipas formulës së Arenës Kombëtare: një impiant i bërë nga privati për një gjysmë-funksion publik, sportin.

Më 13 qershor, Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) – një organ nën varësi të qeverisë – shpalli thirrjen për pranimin e ofertave arkitekturore dhe ekonomike për rijetëzimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Afati i pranimit të ofertave është data 13 korrik.

Sipas dokumentacionit të AIC, investitori privat duhet të ketë kapacitet financiar minimal prej 12 milionë euro dhe përvojë në projekte të ngjashme nga ai, ortakë apo nënkontraktorë.

Zona e konkursit dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” qe do te jene pjese e rijetezimit

Projekti i ri do të përfshijë një arenë sportive multifunksionale me rreth 6 mijë spektatorë, ambiente VIP, zyra për media, hapësira për trajtime mjekësore dhe salla trajnimi për federatat e ndryshme sportive si basketbolli, volejbolli, hendbolli, peshëngritja, mundja, gjimnastika, pingpongu, boksi dhe taekwondo-ja.

Por përveç kësaj, synohet zhvillimi i një sipërfaqeje prej 26,500 metrash katrorë ndërtimi me “funksion të përzier” në 14,095 metra katrorë truall. Procedura parashikon që minimalisht 40% e sipërfaqes duhet t’i jepet shtetit – përkatësisht Korporatës.

Kjo formulë është e njëjtë me modelin e ndjekur në projektin e stadiumit “Selman Stërmasi”, fituar nga konsorciumi i sipërmarrësve Nikolin Jaka (Diagonal Projektim & Zbatim) dhe Alban Peza (Albanian Investment Construction) me studiot arkitekturore OMA (Office for Metropolitan Architecture) dhe LOLA Landscape.

Edhe atje, përveç stadiumit lihej hapësirë për ndërtim kullash dhe ndërtesash tregtare – rreth 57 mijë metra katrorë truall me potencial 120 mijë metra katrorë ndërtim mbi tokë.

Citizens.al raportoi për këtë projekt në dhjetor dhe prill, duke ngjallur debat mbi mënyrën si prona publike po jepet për zhvillim privat pa garanci për përfitime të qarta sociale. Sipas ofertës së paraqitur nga Jaka dhe Peza autoriteteve publike i garantohej 46.5% e sipërfaqes që do të zhvillohet në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Një formulë e kontestuar

Sikurse Citizens.al ka raportuar, Korporata e Investimeve nuk shërben transparencë dhe procedura të qarta konkurrimi.

Modeli i zhvillimit ku një sipërfaqe publike i jepet investitorëve në këmbim të një përqindjeje të ndërtimit, shpesh pa konsultime të thelluara me komunitetin apo grupeve të interesit – në këtë rast sportistëve apo klubeve – i jep pak vend llogaridhënies.

Në rastin e “Asllan Rusit”, edhe pse përmendet roli i Komitetit Olimpik, Bashkisë dhe ministrive, vendimmarrja reale mbetet e centralizuar në AIC.

Kriteri i përzgjedhjes për kontratën është ai i përqindjes më të lartë të sipërfaqes së dhënë shtetit, duke privilegjuar ofertat që maksimizojnë sipërfaqen ndërtimore – jo domosdoshmërisht përmbajtjen apo cilësinë publike të projektit.

Në këtë pikë mund të themi se “sporti është hedhur si karrem në tregun imobiliar”.

Pavarësisht synimit për të sjellë efikasitet, qasje multifunksionale dhe aktivitet të qëndrueshëm, projektet e tilla rrezikojnë të përfundojnë si simbole të urbanizmit pa frymë publike.

Pyetjet thelbësore ngrihen mbi përdorimin real të impiantit: a do të jetë një qendër për komunitetin sportiv të Tiranës, për federatat, për të rinjtë dhe sportistët e qytetit, apo një tjetër hapësirë që do shfrytëzohet për evente privatë dhe sipërmarrje tregtare.

Në mungesë të një bilanci të qartë mes sportit dhe interesave të ndërtuesve, rrezikohet që “Asllan Rusi” të përfundojë më shumë si një kullë tjetër në horizontin e Tiranës sesa një vend për zhvillimin e sportit.

The post Rijetëzimi i “Asllan Rusit” për sport apo kulla? appeared first on Citizens.al.

Harta e kullave: Si qeveria po rishkruan brutalisht Tiranën

Xhafer Lila banon në një prej pallateve pas shkollës Emin Duraku në Tiranë. Ai dhe një grup banorësh po protestojnë prej muajsh, pasi mësuan se në hapësirën mes pallateve dhe oborrit të shkollës do të ndërtohet një kullë 16 katëshe.

Nuk e di si mund të lejohet një katrahurë e tillë, për më tepër ngjitur me një shkollë ku mësojnë me qindra nxënës, i zë dritën e syve fëmijëve”, thotë i revoltuar Xhaferi, i cili ka një lidhje të ngushtë me shkollën pasi është mësues.

Kulla që nxiti protestën e banorëve nuk është një rast i izoluar, por shembull konkret i një modeli zhvillimi që po përshkon të gjithë Tiranën

Citizens.al analizoi lejet e shqyrtuaranga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) dhe Komiteti i Investimeve Strategjike (AIDA)* në periudhën 2015-2025, duke zbuluar se ky organ kolegjial i ka hapur rrugën ndërtimit të të paktën 139 kullave në kryeqytet.

KKTU drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, me fuqi të jashtëzakonshme ligjore, të cilën e ka përdorur rregullisht për të miratuar leje ndërtimi që thyejnë kriteret e planit urbanistik të qytetit.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), e cila kryen rolin e sekretariatit mbi vendimet e KKTU-së, në jo pak raste ka dështuar të bëjë transparencë për zbardhjen e vendimeve për lejet zhvillimit dhe ndërtimit për kullat, duke bërë publike vetëm 65 nga 139 vendimet e shqyrtuara nga KKTU për objekte me lartësi nga 8 deri në 100 kate.

Janë plot 72 projekte që gjenden vetëm në rendin e ditës së mbledhjeve të KKT, për të cilat institucionet kanë injoruar detyrën për të informuar publikun nëse këto ndërtime do të realizohen, refuzohen apo ndryshohen.

Citizens.al i është drejtuar AZHT-së me disa kërkesa për informacion, duke kërkuar transparencë mbi vendimet e pa zbardhura. Agjencia u përgjigj zyrtarisht se vendimet gjenden në faqen e AZHT-së, bashkë me hartat e planvendosjes që tregojnë ku do të ndërtohen kullat.

Për të provuar se kjo është e pavërtetë, mjafton të shqyrtojmë një nga mbledhjet e fundit të KKTU-së, atë të datës 27 shkurt 2025, ku janë shqyrtuar 59 leje ndërtimi dhe zhvillimi, nga të cilat në faqen e AZHT-së janë zbardhur vetëm 9 , ndërsa 50 të tjerat mbeten jo-transparente, në shkelje të afatit ligjor prej 90- ditësh.  

Në një tjetër rast, AZHT-së iu deshën 8 muaj për të zbardhur vendimin e kullës 33-katëshe që po ndërtohet pas Teatrit Kombëtar.

“Kullat lartësohen, transparenca ulet”

Duke analizuar të dhënat e lejeve të publikuara në 15 vitet e fundit, Citizens.al ka krijuar një hartë të vendodhjes së kullave në kryeqytet. Të dhënat tregojnë një rritje progresive e lartësisë dhe intensiteit të ndërtimeve.

Në përgjithësi, 139 kullat (65 me vendime të zbardhura) kanë një lartësi mesatare prej 26 katesh. Gjysma e këtyre objekteve shkojnë me lartësi nga 24 (mediana) deri në 100 kate.

“Ajo që po ndodh është ‘kullëzim’ i qëndrës nën arsyetimin e rigjenerimit urban apo modernizimit,” thotë urbanistja Doriana Musai për Citizens. Ajo nënvizon se në asnjë kryeqytet europian nuk lejohet ndërtimi i 30-katëshëve pranë monumenteve të shek. XVIII–XIX.

Zonat më të prekura janë ato pranë Sahatit, ish-Teatrit Kombëtar, Bankës Kombëtare dhe stadiumit “Arena Kombëtare”, ku janë ndërtuar ose janë në proces projekte si “Eyes of Tirana”, “InterContinental Hotel Tirana”, “Mount Tirana”, “Book Building”, “Downtown One”, etj.

Në horizont, pas Operas, është shpallur projekti fitues për qiellgërvishtësin e parë që pritet të shkojë në 300 metra lartësi “Tirana Society Towers”.

Ekspertët argumentojnë se kjo është bërë e mundur përmes një përdorimi selektiv të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të kryeqytetit, që lejon “zonifikim të përzier” në shumë zona.

Zona e ish-Bllokut, është një shembull i qartë se si vendimet e KKTU-së kanë thyer kriteret e lartësisë dhe intensitetit të ndërtimit, të përcaktuara në planin urbanistik. Bashkia Tiranë parashikonte zhvillimin e zonës me godina nga 5 deri në 9 kate, ndërsa KKTU miratoi 12 lejet ndërtimi kullash me intensitet më të lartë.

Lartësia dominuese e ndërtimit në Tiranë ka ndryshuar sipas viteve, në periudhën 2000-2009, ndërtimi ishte kryesisht i kufizuar, me ndërtesa që rrallë e kalonin pragun e 10-kateve. Midis viteve 2010-2014, filloi të vërehej prirje drejt ndërtimeve më të larta, me objekte që shkonin deri në 15-kate, megjithatë me kufizime të qarta në zonat qendrore.

Ndryshimi i vërtetë ndodhi pas vitit 2015, kur Tirana përjetoi një “boom” kullash, me projekte që tejkalojnë 40-katet, duke përfshirë ndërtimet masive edhe në zona historike apo pranë monumenteve të mbrojtura.

KKTU: Më shumë fuqi, më pak kontroll dhe standarde      

Që nga ndryshimet ligjore të vitit 2014, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) është shndërruar në një instrument qendror të vendimmarrjes për zhvillimin urban në vend.

Ky organ ka marrë kompetenca të shtuara që kapërcejnë planifikimin urban tradicional dhe përfshijnë edhe administrimin e burimeve ujore – duke u emërtuar së fundmi si Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujërave (KKTU).

Sipas urbanistes Doriana Musai, përbërja aktuale e KKTU-së – e dominuar nga ministra dhe përfaqësues të qeverisë – ka zëvendësuar modelin më të balancuar që ekzistonte më parë, duke dobësuar ndjeshëm mekanizmat e transparencës dhe kontrollit.

Përmes pesë ndryshimeve në Ligjin 107/2014 dhe dhjetë vendimeve të Këshillit të Ministrave, ky institucion ka përqendruar në mënyrë të pazakontë vendimmarrjen për ndërtimet strategjike, shpesh duke anashkaluar pushtetin vendor dhe institucionet mbikëqyrëse.

Një shembull domethënës është projekti “Hora Vertikale” – një kullë 41-katëshe pranë Universitetit të Sporteve – e cila bie ndesh me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV), që lejon ndërtime deri në 9 kate.

Ndërtimi është planifikuar mbi një fushë sportive publike, ndërsa Bashkia e Tiranës ndryshoi destinacionin e tokës me një vendim të fundvitit 2023, duke hapur rrugën për këtë zhvillim. Ky model është kundërshtuar nga arkitektë, aktivistë dhe qytetarë, duke ngritur shqetësime edhe për raste të shpronësimeve të debatueshme që shoqërojnë projekte të ngjashme.

Musai vë në dukje gjithashtu përplasjen e praktikave aktuale me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore (nr. 27/2018), i cili parashikon që çdo ndërhyrje pranë monumenteve të marrë vlerësim paraprak nga institucionet përkatëse. Në realitet, këto vlerësime shpesh merren “post-factum” – pasi projekti është miratuar politikisht – ose anashkalohen tërësisht përmes vendimeve të veçanta të KKT-së që e justifikojnë ndërtimin si “interes kombëtar”.

Ajo thekson se mungon një sistem funksional monitorimi për ndikimin vizual dhe estetik të kullave në hapësirat historike.


*Mes listës së kullave përfshihet edhe projekti “The Cliffs” – një propozim i pakërkuar që parashikon tre kulla 18-23-30-katëshe në truall publik pranë “Bulevardit të Ri”. Një rast atipik i kaluar nga AIDA dhe i papërmendur në rendet e ditës në mbledhjet e KKTU-së. Ai ka zënë vendin e projektit të grupit saudit Al Shiddi, që parashikonte gjithashtu një kullë të lartë. I paraqitur nga kompania Adriatic Resorts (me pronarë përfitues Steven Merrill Gallaway dhe Engjëll Pasha) “The Cliffs” mori statusin e investimit strategjik në vitin 2024 dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion nëse ka leje zhvillimi apo leje ndërtimi të miratuar.

The post Harta e kullave: Si qeveria po rishkruan brutalisht Tiranën appeared first on Citizens.al.

Emigracioni po zbraz shkollat dhe universitetet shqiptare

Mimoza Rexhvelaj, mësuese me mbi 20 vite përvojë, nuk ndan vetëm dije në klasën e saj kolektive në Malësinë e Madhe, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë në zonat malore të Shqipërisë. Prej vitit 2015, ajo jep mësim në shkollën 9-vjeçare “Linaj”, të cilën aktualisht e ndjekin vetëm 10 nxënës nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

“Kam 90 minuta për të shpjeguar tetë tema për katër klasa të ndryshme. Shpesh ndjej se nuk po i jap fëmijëve atë që meritojnë,” rrëfen ajo për Citizens.al.

Mimoza përballet me një realitet të ashpër: rrugët e paasfaltuara, mungesa e investimeve dhe braktisja graduale e komunitetit.

Ajo kujton se transferimi në këtë shkollë, në një zonë të izoluar, ndodhi për arsye politike. Për shtatë vite, e përshkonte çdo ditë në këmbë rrugën e gjatë, ndërsa sot, ndërron tre autobusë për të mbërritur në vendin e punës.

Shkollat po mbyllen, nxënësit po largohen

Vetëm në qarkun e Shkodrës, në pesë vitet e fundit janë mbyllur 10 shkolla. Emigrimi është ndër faktorët kryesorë, që nxitet prej mungesës së investimeve dhe pamundësisë për një jetë të denjë.

Rexhvelaj tregon se emigrimi ka prekur dhe familjen e saj ku vajza, pasi kreu studimet për mjekësi, është larguar nga vendi.

“Nëse as unë nuk mund t’i mbaj fëmijët e mi këtu, çfarë mund t’u them nxënësve?” ngre si pyetje retorike mësuesja e shkollës “Linaj”.

Shkolla 9-vjeçare në Linaj, Malësi e Madhe/Facebook.

Zyrtarisht në qarkun e Shkodrës 229 klasa janë kthyer në klasa kolektive. Në nivel kombëtar, për vitin shkollor 2024–2025, numërohen plot 18,641 nxënës në 2,320 klasa kolektive (link tabela e zonave) – një simptomë e qartë e emigrimit masiv dhe rënies së lindshmërisë.

Në Kukës, situata është edhe më dramatike. Mësuesi Besmir Muslia, nga shkolla “Hamdi Pelivani” në Orgjost, tregon se fshati po zbrazet. Emigracioni për shkak të kushteve të vështira, mungesa e martesave dhe rënia e lindjeve janë faktorët kryesorë që po e tkurrin sistemin arsimor lokal.

Zona është e banuar kryesisht nga pakica kombëtare bullgare, njohur zyrtarisht në vitin 2017.

“Shumë familje këtu aplikojnë për pasaporta bullgare për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe punësimit në BE,” thotë Muslia duke konfirmuar dëshpërimin për një jetë më të mirë.

Aktualisht në Kukës numërohen 214 klasa kolektive dhe dhjetëra shkolla të mbyllura. Zyrtarisht ministria e Arsimit thotë se në 10 vitet e fundit janë mbyllur 22% e shkollave 9-vjeçare.

Si mësues që po edukon një brez, i cili i ka sytë larg vendit, Muslia thotë se kjo e bën të ndihet i zhgënjyer.

“Përfaqësoj një brez që u rrit me shpresa pas diktaturës dhe si brez i ri besuam dhe menduam se ky vend do të bëhej,” shprehet ai.

Besmir Muslia, mësues biologjie në shkollën “Hamdi Pelivani”

Nga shkollat e zbrazura te universitetet në rënie

Problemi përhapet si zinxhir. Universitetet publike në rrethe po përballen me mungesë drastike të studentëve. Sipas një raporti të Qëndresës Qytetare, 49.22% e programeve të studimit rrezikojnë të mbyllen.

Universiteti i Gjirokastrës ndodhet në një situatë alarmante: 80.95% e programeve kanë më pak se 10 studentë të regjistruar dhe me këtë prirje, njohësit e sistemit arsimor paralajmërojnë se mungesa e vizionit dhe investimeve rrezikon ta shndërrojë arsimin e lartë në një strukturë të pashpresë.

Raporti tregon se në krahasim me një vit më parë, numri i programeve në rrezik është rritur me 23.16%. Me këtë prirje, deri në vitin 2028 universitetet në rrethe mund të mbyllen për mungesë studentësh.

Përballë kësaj situate si politikë arsimore që u mendua se do ta frenonte këtë prirje ishte aplikimi i bursave për programet prioritare. Mirëpo sipas raportit, kjo politikë ka dështuar, pasi aktualisht 87.5% e programeve prioritare mbeten në rrezik mbylljeje – nga 24.5% që ishte një vit më parë.

Të dhënat e Censit dhe Institutit të Statistikave nuk janë shpresëdhënëse. Vitin e shkuar, pati një rënie me 6.8% të numrit të studentëve (nga 38,618 në 36,151) ndërsa popullsia në tërësi rezulton të jetë tkurrur me rreth 400 mijë njerëz gjatë periudhës 2011-2023 duke shkuar në 2.4 milionë banorë.

Një e ardhme “pa arsim

Aleko Miho, pedagog në Universitetin e Tiranës që prej vitit 1985, e përshkruan situatën si rrënuese. Ai sjell një reflektim të thelluar për transformimin e arsimit të lartë dhe thekson se pas viteve ’90-të, liberalizimi pa planifikim afatgjatë, solli një orientim drejt disa degëve dhe braktisje të degëve të tjera.

Miho thotë se degë si biologjia, që dikur kanë qenë themeli i zhvillimit shkencor, aktualisht po braktisen. Në vitin 2024 pati vetëm 33 të regjistruar (2021, 90).

“Numri i studentëve në degët e shkencave natyrore është ulur tre herë krahasuar me pesë vite më parë. Po humbasim profesionistë në fusha kyçe ndërkohë që konkurrenca me arsimin privat thellon pabarazinë,” thekson ai.

Përballë kësaj situate Miho bën thirrje për rishikim dhe reformim të sistemit duke përfshirë kuotat e universiteteve. Ai sugjeron mbështetje më të madhe financiare dhe orientim më të qartë drejt nevojave për zhvillim kombëtar.

Për njohësin e politikave arsimore, Kolindo Vjerdha, njëherësh aktivist i “Qëndresës Qytetare” kjo është një krizë që kapërcen shifrat.

“Arsimi po prodhon diploma që nuk gjejnë vend në tregun vendas të punës. Kjo e bën gjithë sistemin jofunksional,” shprehet ai.

Sipas tij ministria e Arsimit ka mungesë vizioni dhe qasje të fragmentuar sa i përket shërbimit të një zgjidhje. Në këtë pikë ai tregon si shembull faktin se të rinjtë po orientohen drejt degëve që ofrojnë punë jashtë vendit.

“Nuk është vetëm dëshirë për profesion, por strategji emigrimi,” thekson Vjerdha.

Me një buxhet prej vetëm 2.54% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për investimet në arsim.

Ekspertët e çështjes së arsimiit vlerësojnë se rënia e ndjeshme e numrit të nxënësve dhe studentëve, është pasojë direkte e emigracionit masiv. Majlinda Keta, eksperte në fushën e arsimit shprehet se ky emigracion është një kërcënim ekzistencial për shqiptarët në tërësi. 

“Shkaku i këtij emigracioni janë modelet jo efektive të zhvillimit të vendit dhe mungesa e një politike strategjike efektive dhe besimofruese për zhvillim e mirëqeverisje nga dy partitë e mëdha në vend për të rinjtë dhe familjet e reja”, u shpreh për Citizens Keta.

Sipas saj, shumë të rinj dhe familjet e tyre shfrytëzojnë dëshirën për të studiuar jashtë si një instrument për të siguruar një emigracion të ligjshëm. Keta thekson se, ndonëse jo të gjithë përfundojnë studimet universitare, ata përfitojnë nga mundësitë për qëndrim dhe punësim në vendet pritëse, ku më pas ndërtojnë edhe familjet e tyre të reja.

Në këtë dinamikë, vëmendje të veçantë merr fakti që elita e ardhshme shqiptare, nxënësit e shkëlqyer, tashmë përzgjidhen nga universitete të njohura ndërkombëtare dhe përfitojnë bursa mbështetëse për studime. 

Në këtë kontekst, Majlinda Keta mbron idenë se nuk duhet fajsuar vetëm Ministria e Arsimit për këtë situatë, duke theksuar se “ajo është pjesë e zgjidhjes”. Për të ndaluar këtë trend negativ, ajo apelon për një politikë gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat që prekin jetën e të rinjve: rinore, shëndetësore, sociale, arsimore, të sipërmarrjes dhe karrierës.

“Arsimi si një nga punëofruesit më të mëdhenj duhet të prodhojë jo thjesht arsim cilësor në shkolla dhe universitete, por edhe të jetë modeli ku karriera dhe protagonizmi në lidership të bazohet në meritë, drejtësi dhe vlerësim mbi standarde”, përfundon ajo.

The post Emigracioni po zbraz shkollat dhe universitetet shqiptare appeared first on Citizens.al.

Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri

Gjykata Kushtetuese ka pranuar ta marrë në shqyrtim vendimin e kontestuar të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok. Ajo ka vendosur ta shqyrtojë me seancë plenare publike, një vendim që u përshëndet nga organizatat e medias dhe shoqërisë civile si një fitore e përkohshme për lirinë e shprehjes.

Një grup organizatash dorëzuan në muajin mars ankesën për shpalljen si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave që ndalon qasjen në platformën TikTok në Shqipëri.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), një nga organizatat që pati dorëzuar ankesën, deklaroi përmes një postimi në Facebook se ky është një hap kyç për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

“Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend”, u tha në reagimin e AGSH-së.

Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ta pezullojë vendimin e qeverisë, por megjithatë vendimi për të kaluar çështjen në shqyrtim të thelluar dhe publik është konsideruar si tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që ka për rendin kushtetues.

“Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat”, thuhet më tej në deklaratë. 

Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Asambleja e Përgjithshme e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) ka miratuar një rezolutë të propozuar nga AGSH, që dënon ndalimin e TikTok në Shqipëri dhe e cilëson atë si një kërcënim ndaj lirisë së shprehjes në mbarë rajonin.

Kjo rezolutë […] thekson se ndalesa e TikTok, […] përbën një precedent të rrezikshëm për censurimin e rrjeteve sociale në të ardhmen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe më gjerë në Evropë”, tha AGSH në një reagim.

Vendimi i qeverisë për të mbyllur TikTok u kundërshtua nga mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile, duke e cilësuar një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.

Organizatat argumentojnë se mbyllja mund të krijojë precedentë shqetësues për Shqipërinë dhe rajonin. Ky veprim rrezikon t’i hapë rrugën kufizimeve të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e shprehjes dhe qasjes në internet në mënyrë më të gjerë.

The post Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri appeared first on Citizens.al.

5 vite pa Teatër Kombëtar

Në orët e para të 17 majit 2020, teksa vendi ishte nën diktatin e kufizimeve nga pandemia e COVID-19, Tirana u trondit nga një ndërhyrje e dhunshme shtetërore, gjurmët e së cilës mbeten ende në kujtesën e protagonistëve të asaj nate, por jo vetëm.

Rreth 800 forca të policisë, të shoqëruar me një njësi të ndërhyrjeve speciale, rrethuan një nga godinat më popullore të asaj periudhe në qendër: Teatrin Kombëtar.

Të thirrur nga Policia Bashkiake dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ndërhynë për të nxjerrë forcërisht dhjetëra qytetarë, aktivistë dhe artistë, të cilët ishin ngujuar në ndërtesën e Teatrit në shenjë proteste kundër projektit që parashikonte shembjen e tij.

Dhuna policore pasoi ndërhyrjen e IKMT-së, e cila shembi teatrin, bashkë me rekuizitat dhe sendet që protestuesit kishin brenda. Pamjet e momentit ku fasada kryesore rrëzohej përdhe u shpërnda në mediat kryesore mëngjesin e saj dite.

Pas më shumë se dy vitesh protesta, teatri, kthyer në simbol të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, rezistencës kundër autoritarizmit dhe mungesës së transparencës, ishte shembur.

Protesta e mëngjesit thirrur nga një pjesë e aktivistëve dhe opozita nuk ndryshoi asgjë, veçse shfaqi të tjera skena dhune nga policia.

Teatri Kombëtar u përdor politikisht gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit 2021, ku socialistët premtuan nisjen e ndërtimit të teatrit të ri me arkitekturë moderne brenda atij viti.

Në korrik, Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetuese aktet që mundësuan kalimin e pronësisë nga qeveria te bashkia Tiranë. Ligji foli në vonesë – kryesisht për shkak se reforma në drejtësi kishte nxjerrë jashtë funksioni gjykatën – dhe godina ishte shembur tashmë.

Ajo që nisi si një projekt në partneritet publik-privat u shoqërua me mungesë transparence, shtyrje afatesh dhe dyshime mbi qëllimet e vërteta të ndërhyrjes: zhvillimi i një projekti kullash prapa teatrit.

Shoqëria civile nuk u tërhoq. Ajo dhe një pjesë e artistëve dhe opinionit publik kërkuan vazhdimisht llogari ndaj autoriteteve duke e konsideruar projektin e ri një formë “fshirjeje historike”.

Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.

“5 vite më vonë pa godinë, si u rikthye plani i kullave”

Sot bëhen pesë vite nga dita e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ndërtuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté në një stil të arkitekturës moderne italiane. Godina u rikonceptua pas Luftës së Dytë Botërore me ndërhyrje nga arkitektë si Anton Lufi, Semih Pashallari etj.

Por “urgjenca” për të shembur teatrin nuk u reflektua në urgjencë për të ndërtuar godinën e re, edhe pse kjo u premtua disa herë nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili sot ndodhet në paraburgim nën hetime si i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Më 21 dhjetor 2022 në një ceremoni të mbyllur për publikun dhe median, Veliaj së bashku me kryeministrin Rama, përfaqësues të qeverisë dhe artistë të pozicionuar “pro” tyre, përuruan nisjen e punimeve për teatrin e ri.

U deshën dy vite për të inaguruar punimet e godinës, por tre vite sërish ishin të pamajftueshme për të përfunduar atë.

Përpos premtimeve të përvitshme për të ndërtuar godinën e re, prej 5 vitesh hapësira ku qendronte teatri mbeti bosh, e rrethuar dhe pa të drejtën e shfrytëzimit si një pronë publike nga qytetarët. 

U hapën dy tenderë për ndërtimin dhe një për projektimin e Teatrit Kombëtar (megjithëse nga qeveria dhe bashkia këmbëngulej se projekti i Bjarke Ingels ishte gati, i dhuruar nga kompania “Fusha shpk” e sipërmarrësit Shkëlqim Fusha pas tërheqjes nga partneriteti publik-privat), të cilët kushtuan 1.85 miliardë lekë pa TVSH.

Tenderët patën mungesë konkurrence, pasi u skualifikua oferta më e ulët dhe u kateogrizuan me flamur të kuq nga “Open Data Albania” (ODA).

Trualli i Teatrit Kombëtar pastruar nga inertet pas shembjes/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.

Sipas të dhënave të analizuara nga ODA, projekti për ndërtimin e godinës së TK, ishte investimi i dytë publik me peshën më të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022.

Parashikimet në letër, e projektonin Teatrin e ri Kombëtar të përfunduar brenda periudhës 2022-2024, edhe pse zyrtarisht nisja e punimeve u shpall në ditet e fundit të vitit 2022 dhe puna nuk nisi deri në maj të 2023.

Pasi dështuan të realizojnë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar dhe kullave pas tij, sipërmarrësi Fusha dhe qeveria hartuan një plan të ri.

Një kullë 33 katëshe do të ngrihet pas Teatrit Kombëtar, mbi një sipërfaqe publike prej 1,266 m2, të cilën bashkia Tiranë e “dhuroi” përmes një marrëveshjeje ku do të marrë në këmbim sipërfaqe ndërtimi.

Kompania “Fusha” ishte ofruar që në vitin 2018 për ndërtimin “falas” të teatrit në këmbim të një sipërfaqeje trualli të bashkisë për të ngritur një kompleks prej 6 kullash. Aktualisht, teatri po ndërtohet nga fondet publike dhe megjithatë sipërmarrësi Fusha po e realizon ambicien për të ndërtuar mbi tokë publike në zemër të kryeqytetit.

Për të realizuar këtë plan u shembën dhe një sërë barësh dhe restorantesh popullore që ndodhesin në pedonale duke shkërmoqur të tjera vende të rëndësishme për kujtesën.

Premtimet për ndërtimin e godinës u ndryshuan disa herë, afatet janë shkelur po ashtu disa herë brenda këtyre 5 viteve, teksa kryetari i bashkisë ndodhet në burg, afati përfundimtar i teatrit mbetet për “shfaqjen tjetër politike”.

The post 5 vite pa Teatër Kombëtar appeared first on Citizens.al.

Zgjedhjet 2025, si ndahen mandatet?

Shqipëria përdor një sistem proporcional me lista gjysmë-të hapura, të ndarë në 12 qarqe.

Kjo do të thotë se vota ka dy efekte:


E para mund të përcaktojë sa mandate merr një parti në një qark

dhe e dyta mund të çojë në parlament kandidatët e listës së hapur.

Por jo të gjitha votat kthehen automatikisht në mandate. Ato kalojnë përmes një formule matematikore të quajtur D’Hondte e cila favorizon partinë që del shumicë.

Funksionon kështu: Votat totale të çdo partie pjesëtohen me 1, 2, 3, 4… aq mandate sa ka një zonë zgjedhore. Më pas, rezultatet e pjesëtimeve radhiten në një tabelë nga numri më i madh te më i vogli, dhe partia që merr mandatin është ajo që ka numrin më të lartë në secilën kolonë. Për shembull, qarku i Gjirokastrës ka katër mandate.

Në vitin 2021 LSI mori mbi 5,700 vota në Gjirokastër, por ato nuk prodhuan dot mandat deputeti pasi mandati i tretë që i kaloi partisë socialiste u mor me 6,133 vota që janë rezultat i totalit, pjesëtuar për 3. Ndërsa PD mori vetëm një mandat edhe pse grumbulloi 13,971 vota.
Votat e të gjitha partive të tjera quhen të djegura. Por nuk është tamam kështu, pasi votat që digjen ndihmojnë partinë shumicë të marrë një mandat më shumë.

Nëse Partia Demokratike do të garonte më një listë me LSI në Gjirokastër në vitin 2021, mandatet do të ndaheshin 2 me 2.

Formula në fjalë ishte shpjegimi se përse LSI mori vetëm 4 mandate në vitin 2021, pavarësisht se 108 mijë qytetarë votuan për të.

Në zgjedhjet aktuale këtë rezultat rrezikojnë të marrin disa nga partitë e reja, që po grumbullojnë më shumë se 50 mijë vota dhe vetëm një mandat.

The post Zgjedhjet 2025, si ndahen mandatet? appeared first on Citizens.al.

Ekspertet e teknologjisë në Shqipëri dhe Itali: Midis meritokracisë dhe stereotipeve gjinore

Brenda dhe jashtë kufirit, gratë që zgjedhin të studiojnë në shkenë janë të pakta, por të vendosura. 

Shembuj të grave shqiptare dhe italine, tregojnë se pavarësisht stigmatizimeve të thella, ekziston një brez i ri vajzash të guximshme të cilat e ndjekin këtë rrugë pavarësisht pengesave.

Marta Abbà, Itali; Arbjona Çibuku, Shqipëri.

Po çfarë i shtyn këto grua të bëhen inxhiniere në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit?

E thënë me zë të lartë ose e menduar në heshtje, kjo pyetje përsëritet si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. 

Edhe pse të dyja vendet renditen përkatësisht në vendin e katërt dhe të nëntë në Europë për përqindjen më të lartë të studenteve në fushat STEM, ato mbeten të lidhura nga stigmat e forta kulturore që e shndërrojnë këtë rrugë të premtuar në rrugë pa krye, ose, në rastin më të mirë, në një rrugëtim të vështirë, të lodhshëm dhe ndonjëhërë pa të pashpërblyer, sidomos në aspektin ekonomik.

Kjo është veçanërisht e dukshme në sektorin e inxhinierisë së telekomunikacionit.

Pak gra studiojnë TIK, një fat i keq dhe i keqpaguar

Në Itali, vetëm 22.9% e të regjistruarve në këtë program inxhinierik janë gra, dhe në nivel master kjo përqindje bie në 13.7%. Të dhënat nga Fondacioni Kombëtar i Inxhinierëve tregojnë se kjo është një nga fushat më pak të përzgjedhura, sidomos krahasuar me inxhinierinë civile dhe atë biomjekësore. Gratë e pakta që diplomohen më pas “dënohen” me rrugë karriere më të ndërlikuara sesa kolegët e tyre meshkuj dhe me paga sistematikisht më të ulëta. 

Sipas të dhënave më të fundit të “Inarcassa”, të ardhurat mesatare bien nga 44,459 euro në 26,083 euro në varësi të gjinisë, me një hendek gjinor page prej pothuajse 48% në disfavor të grave. Nëse jetojnë në Italinë e Jugut, rreziku i papunësisë rritet me 15 pikë përqindje krahasuar me veriut (burimi: Qendra Kombëtare e Inxhinierëve).

Në Shqipëri, me më pak dallime gjeografike, panorama është e ngjashme: sektori i TIK dominohet nga meshkujt (58.5%), ashtu si edhe shërbimet (68.8%) dhe fushat e inxhinierisë së lidhur me prodhimin dhe ndërtimin (62.5%).
Nga këndvështrimi i pagave, sektori TIK në Shqipëri pasqyron, në një shkallë më të vogël, dinamikat e një tregu pune kombëtar ku hendeku gjinor në pagesë për profesionistë me arsim të lartë është 17.7%. Ky është një tregues i përgjithshëm, por të dhënat e INSTAT tregojnë se TIK është ndër fushat ku kjo pabarazi është e dukshme.

Stereotipe të ngjashme, të mbartura por ende aktuale

Në të dy vendet, Shqipëri dhe Itali, ka nisma dhe thirrje, disa të zjarrta dhe të sinqerta, por deri më tani pa rezultate të dukshme.


“Sfidat më të mëdha vijnë nga stereotipe dhe paragjykime të thella gjinore, si të brendshme ashtu edhe të jashtme,” thotë Orkidea Xhaferraj, eksperte pranë SciDev. Në Shqipëri, shprehje si “Shkencat e forta nuk janë për gratë” dhe “Burrat janë më të mirë në shkencë” janë, sipas saj, “perceptime me origjinë të lashtë që vazhdojnë të ndikojnë të tashmen, duke penguar aksesin dhe përparimin e grave në STEM dhe duke ngadalësuar karrierat e tyre.” Ndërsa “gratë përgjithësisht kanë më pak vetëbesim se burrat,” Xhaferraj thekson se në inxhinieri kjo tendencë rrezikon të përkeqësohet për shkak të mungesës së modeleve femërore në rolet e shkencëtareve, shpikëseve dhe novatoreve.

Duke analizuar arsyet e pabarazive gjinore, Barbara De Micheli, eksperte për barazi gjinore në Fondacionin G. Brodolini, vëren të njëjtin problem: “Stereotipet për fushat ‘femërore’ dhe ‘mashkullore’ janë ende shumë të forta, dhe karrierat në startup-e dhe teknologjitë e reja përshkruhen ende si botë ekskluzivisht mashkullore,” shpjegon ajo. Edhe në Itali, “matematika nuk është për vajzat,” dhe gratë që diplomohen në fushat si inxhinieria kompjuterike dhe telekomunikacioni—të konsideruara “ekstremisht mashkullore”—nuk e kanë të vështirë të diplomohen, por hasin vështirësi për të gjetur punë. Dhe kur e gjejnë, thotë De Micheli, “duhet të mësojnë të lundrojnë në struktura organizative që janë ende larg barazisë gjinore. Bordet drejtuese janë ende të mbushura me burra.”

Në Itali, “Gjinia është pushtet,” sipas një raporti të fundit nga Info.Nodes dhe onData. Megjithëse ekziston një certifikatë gjinore, De Micheli e quan atë “një masë hibride.” Kjo certifikatë cilësore, me fokus te proceset, ka merita në ndërgjegjësim, por mund të ishte më efektive nëse kriteret e barazisë gjinore përfshiheshin në thirrjet për financime, duke përdorur stimuj ekonomikë. Megjithatë, sipas saj, mungon një planifikim strategjik i qartë dhe i thellë për të mbështetur startup-et dhe sipërmarrjen femërore në përgjithësi.

Në Shqipëri, përpjekjet zyrtare për të rritur përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në STEM ekzistojnë. Gjurmë të tyre gjenden në Strategjinë e Arsimit 2021-2026 dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2021-2030. Por, Xhaferraj thekson se “të gjitha këto kuadro strategjike duhet të përkthehen në masa praktike dhe të zbatohen në mënyrë efektive: kjo mbetet një sfidë në një shoqëri ende e ndikuar nga normat dhe perceptimet kulturore që i disfavorizojnë gratë dhe paraqesin pengesa të mëtejshme për karrierat e tyre shkencore. Këto sfida nuk i shoh të izoluara,” përfundon ajo. “Janë sistemike, të ndërlidhura dhe e forcojnë njëra-tjetrën.”

Arti i mësimdhënies së STEM-it për të gjithë

Për të kuptuar detajet duhet të dëgjojmë ata që i përjetojnë sfidat çdo ditë. Salvina Pëllumbi e bën këtë duke dhënë mësim matematikë në një shkollë në Elbasan, rreth 50 km nga Tirana. Ajo e zgjodhi këtë lëndë sepse pati “mësuese gra shumë të forta që ia dilnin gjithkund—me familje dhe karrierë”—duke i treguar se nuk kishte pse të zgjidhte mes të dyjave. Ajo e di që ka qenë me fat, pasi “në përgjithësi, nënat shqiptare paraqesin figurën e gruas që i përkushtohet vetëm familjes.”

Në punën e saj, ajo takon “vajza shumë të zgjuara dhe punëtore shqiptare që kanë nevojë për motivim, për t’u treguar tregun e punës, mundësitë e punësimit dhe perspektivat e pagave në fushat STEM.” Këtë e bën si mentore në projektin “Albanian Girls in ICT Academy” dhe përmes iniciativave të saj, ku përfshin laboratorë virtualë tërheqës që nxisin të menduarit kritik për botën. Ajo thekson se duhen ndërhyrje sistemike—si seanca të këshillimit të karrierës, më shumë modele femërore dhe fushata ndërgjegjësimi në rrjete sociale. Por problemet më të mëdha, thotë ajo, lindin pas universitetit, “kur rruga e karrierës bëhet më e vështirë, sepse në kulturën shqiptare pritet që nënat të kujdesen për gjithë shtëpinë dhe vetëm nëse kanë kohë, të ndjekin studimet apo kërkimin shkencor.”

Rrjete inkurajimi: Nuk jemi pak

Në këtë fazë, vajzat shqiptare që hyjnë në tregun e punës STEM mund të mbështeten te Rrjeti i Grave Shqiptare në STEM (NAW-STEM). Xhaferraj e themeloi atë “për të kontribuar në emancipimin ekonomik dhe shoqëror të grave, duke rritur përfaqësimin e tyre në sektorin STEM, si në industri ashtu edhe në akademi.” Ky rrjet përballet drejtpërdrejt me stereotipet dhe paragjykimet përmes serisë së podkasteve STEMspresso, duke përfshirë edhe gra shqiptare nga diaspora, sepse një rrjet i vërtetë nuk njeh kufij.

Në Itali, një tjetër rrjet ekskluziv për inxhiniere dhe arkitekte është AIDIA. Themeluar në vitin 1957, aktualisht ka mbi 450 profesioniste të regjistruara. Tre prej tyre ndanë përvojat e tyre, të cilat, megjithëse të ndryshme, japin një panoramë të plotë të situatës në Itali.

Giovanna Iannuzzi është një sipërmarrëse e konsoliduar në sektorin kimik-farmaceutik të teknologjisë së informacionit, por ka arritur aty ku është falë mbështetjes së familjes, që e ndihmoi të përballonte lindjen e binjakëve. Ajo vijoi punën e saj dhe nuk u ndal edhe pse shpesh kolegët meshkuj ia marrin promovimet thjesht sepse janë burra. 

“Ende është e vështirë të sigurosh pozicione menaxhimi projektesh apo kontrata të mëdha; si gra, ne perceptohemi si një rrezik,” thotë ajo. “Vazhdohet të jetë e vështirë të arrish pozicione të shpërblyera me perspektivë rritjeje: gjithmonë duhet të luftosh me dhëmbë e thonj, dhe nuk i merr gjithmonë ato që meriton.” Ndonëse shpesh ftohet të flasë në evente, ndodh shpesh të jetë e vetmja grua.  

“Shpeshherë jam gruaja e vetme në takimet ku jam ftuar, por e di që nuk jam gruaja e vetme në këtë fushë,” kujton ajo.

Nga bota akademike ku ajo u rrit, Antonia Russo vëren “një turp që i ngërthen vajzat; ato hezitojnë të dalin në pah.” Ajo thotë se duhet ta tejkalojmë këtë prirje, të ndajmë historitë tona dhe të bashkohemi. Rrjetet janë thelbësore për të fuqizuar këto zëra dhe për të ndarë përvojat e grave të tjera. “Ne nuk jemi të pakta në STEM, por shpesh heshtim,” thotë ajo. 

Në përfundim, Russo pohon: “Jam e bindur që aftësitë nuk kanë gjini.” E njëjta frazë u shpreh edhe nga studenta e re nga Shqipëria, Hygerta T. 

Ajo tregon se është “krejtësisht e vetëdijshme për ekzistencën e pabarazive gjinore në fushën që ka zgjedhur, ashtu si edhe në shumë të tjera, por nuk dua që ky realitet të më pengojë apo të më kufizojë.” Pas universitetit, Hygerta T. dëshiron të krijojë zgjidhje të dobishme, veçanërisht në epokën ku teknologjia po përparon me ritme të shpejta, por fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) e zgjodhi sepse “është një nga fushat më të kërkuara për programuesit dhe ofron paga konkuruese,” shpjegon ajo. Për të siguruar që paga e saj të përshtatet me atë të kolegëve meshkuj, ajo tashmë e di se do t’i duhet “të punoj edhe më shumë për të zhvilluar aftësitë e mia dhe për të gjetur vendin tim në tregun e punës, pavarësisht që jam grua.”

Ky “pavarësisht që jam grua” e shoqëroi edhe Gaiën Bertolinon gjatë studimeve të saj pothuajse të përfunduara në inxhinieri kompjuterike. Ajo guxoi të ndiqte këtë rrugë ndërsa banonte në jug të Italisë, një rajon me hendekun gjinor dhe hendekun më të madh të pagave.

Ambienti shoqëror dhe akademik nuk e ndanë të njëjtën pikëpamje, por Bertolino gjeti vetë rrugën dhe hartoi një strategji: “Për të kompensuar supozimin e mungesës së aftësive teknologjike që na atribuohet neve si gra, duhet të përqendrohemi edhe në aftësitë e buta dhe në komunikim,” shpjegon ajo. 

Ajo dhe koleget e saj femra në universitet po përgatiten t’i futen tregut të punës me këtë mentalitet: “Ne jemi të pakta, por shumë të motivuara, ambicioze dhe të vendosura — ndryshe nga shumë prej kolegëve tanë meshkuj, të cilët shpeshherë janë më pak të motivuar, pasi janë regjistruar në TIK pas valës së lulëzimit të sektorit ose nën ndikimin e stereotipeve.” Ndonjëherë, stereotipat bien edhe mbi to.

Ky artikull është prodhuar brenda Iniciativës për Gazetari Kollaborative dhe Hulumtuese (CIJI), një projekt i financuar pjesërisht nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e vetëm e Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

The post Ekspertet e teknologjisë në Shqipëri dhe Itali: Midis meritokracisë dhe stereotipeve gjinore appeared first on Citizens.al.

❌