Kreshnik Loka, përzgjidhet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO
TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kreshnik Loka është përzgjedhur Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor).
Lajmin e dha ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila theksoi se, Loka ka mbi 10 vite përvojë në fushën e politikave rinore, bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të paqes.
Kreshnik Loka ka qenë një nga zërat më të qëndrueshëm dhe vizionarë të angazhimit rinor në rajon.
Si Drejtues i Zyrës Vendore të RYCO në Tiranë që prej vitit 2017, ai ka menaxhuar një portofol grantesh me mbi 35 projekte rajonale rinore, ka bashkëorganizuar mbi 100 aktivitete me aktorë nga i gjithë Ballkani, ka garantuar fonde deri në 1.5 milion €, ka ndërtuar partneritete të qëndrueshme me aktorë kombëtarë, rajonalë dhe europianë, ka përfaqësuar RYCO-n në tryeza ndërkombëtare për rininë, paqen dhe pajtimin.
Përtej rolit të tij në RYCO, ai ka kontribuar si ekspert për organizata ndërkombëtare, dhe ka qenë një nga nismëtarët e themelimit të vetë RYCO-s, përfaqësues i qeverisë shqiptare në grupin punues që e krijoi.
Kreshnik Loka mban një Master në të Drejtat e Njeriut nga London School of Economics, si dhe Master dhe Bachelor në Jurisprudencë nga Universiteti i Tiranës.
“RYCO forcohet edhe më shumë si një strukturë e pavarur rajonale që dëgjon, përfaqëson dhe fuqizon të rinjtë, dhe me Kreshnikun në këtë rol kyç, drejtimi është i sigurt”, thekson mw tej Muzhaqi.
/gj.m//a.f/
The post Kreshnik Loka, përzgjidhet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.