Ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit trajnon Forcat Ajrore
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një ekuipazh ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit (New Jersey) ishte në Shqipëri për të punuar me Forcat Ajrore në mirëmbajtjen e helikopterëve dhe për përgatitje për misione kërkimi dhe shpëtimi.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur sot se në kuadër të këtij bashkëpunimi ishte në Shqipëri oficeri Justin Blistyak, i cili fluturoi me helikopterin Black Hawk Tail Number 690 në operacionet e shpëtimit nga Uragani Sandy dhe misionet ajrore të zjarrfikjes në Nju-Xhersi.
“Forcat Ajrore Shqiptare përdorin të njëjtin model helikopteri për të luftuar zjarret dhe për të shpëtuar jetë në Shqipëri. Shkëmbime si ai i javës së kaluar ndihmojnë në sigurimin e një koordinimi të përsosur midis Aleatëve të NATO-s për mbrojtjen tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.
Justin Blistyak, piloti testues i mirëmbajtjes në Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit ndodhet në Shqipëri në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror për të ofruar mbështetje për programin e helikopterëve UH-60.
Blistyak vlerësoi se ky partneritet është një mundësi e shkëlqyer, pasi i lejon të punojnë së bashku dhe të ofrojnë ndihmë praktike dhe trajnim, si në procedurat e mirëmbajtjes, ashtu edhe në aspekte shtesë të përdorimit të pajisjeve të misionit, si pajisjet e shpëtimit.
“Ky helikopter ka pasur një rol të madh në fillimet e karrierës time në Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit. Ishte një nga helikoperët e parë me të cilët kam fluturuar deri në momentin kur u shit për përdorim ndërkombëtar në vitin 2019 dhe mbërriti këtu në Shqipëri rreth një vit e gjysmë më parë. Gjatë uraganit Sandy në vitin 2012 kam qenë shef ekuipazhi dhe kemi fluturuar me këtë helikopter për shumë orë në operacione për përballimin e fatkeqëpsive natyrore në zonat që nuk ishin të aksesueshsme me mjete pas stuhisë”, theksoi ai.
Oficeri i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit bëri të ditur se ky helikopter është përdorur gjithashtu disa herë në Nju-Xhersi për misione të shuarjes së zjarreve nga ajri dhe tani po përdoret për të njëjtin qëllim edhe këtu në Shqipëri.
“Ashtu siç bëri për ne atje, po kryen punë të jashtëzkaonshme në përmbushjen e misionit edhe këtu. Gjithashtu nga një këndvështrim i NATO-s ky helikopter i mundëson Forcave Ajrore shqiptare të ecin përpara duke marrë pjesë më me sukses në stërvitjet e NATO-s dhe duke qenë në të njëjtin nivel me shumë mjete të tjera ajrore të NATO-s që përdorin të njëjtin lloj sistem fluturimi”, shtoi ai.
/m.m/r.e/
The post Ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit trajnon Forcat Ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.