Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës
TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat turistike të vendit vijojnë të ofrojnë kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët.
Një ndër këto qendra është edhe ajo në Tamarë të Shkodrës, ku mjekët dhe infermierët ofrojnë ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.
Në një postim në rrjetet sociale Agjencia për Median dhe Informacionin (MIA), bën të ditur se “kjo qendër është e hapur 24/7 për të garantuar kujdesin shëndetësor gjatë gjithë sezonit turistik”.
Stafi mjekësor i qendrës është i pranishëm çdo ditë për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët dhe turistët.
Esmerina Zekaj, infermiere në këtë qendër tha se “rritja e temperaturave ka bërë që fluksi të jetë mjaft i madh, pacientët vijnë për matjen e tensionit arterial, si dhe parametrave vitalë dhe për çdo shërbim që ata kanë nevojë”.
Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
/k.s//a.f/
The post Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.