Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke nxitur reagim nga Serbia, e cila e dënoi vendimin.
Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të enjten pasdite.
Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së.
PZAP e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së muaj me parë për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në votime. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.
Duke folur në mbledhje, Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.
Kurteshi e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviçit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.
“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.
Millosheviç ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.
Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.
Ajo nuk dha arsye për këto shkarkime, në mesin e të cilëve ishin edhe Sasha Millosheiq, Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq i ngarkuar për komunën e Prishtinës, Goran Dançetoviç, kryetar i komunës së Obiliqit, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia, etj.
Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, tha se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq” dhe se ajo nuk lufton për interesat e serbëve të Kosovës.
“I lus kolegët e mi të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe”, tha ai.
Zyra e Partive Politike në KQZ – e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe.
Anëtarja e KQZ-së nga Lista Serbe, Gordana Llaban, tha se nëse zyrës i është thënë se të gjithë kanë kaluar filtrat dhe se të gjithë kandidatët janë të rregullt, atëherë duhet të certifikohen të gjithë kandidatët.
“Nëse ekzistojnë çfarëdo dëshmish, le të kryejnë institucionet punën e tyre. Mendoj se janë përdorur shumë fjalë të rënda. Duke ju dëgjuar juve si flisni, pas kësaj unë mendoj se asnjë serb më nuk do të mbetet serb, pa u quajtur terrorist apo kriminel. Më intereson nëse i keni kontrolluar kështu listat e çdo partie. A ka kriminelë në ndonjë parti tjetër, apo janë të gjithë vetëm në Listën Serbe? Nuk mund ta lejoj që populli serb në Kosovë të barazohet me një numër terroristësh apo kriminelësh. Organet që janë përgjegjëse për këtë, le t’i ndjekin kriminelët dhe le t’i arrestojnë, por nuk mund të barazohet i gjithë populli serb me kriminelët”, tha Llaban, duke iu drejtuar Kurteshit.
Kurteshi ia ktheu duke thënë se “nuk e cilësoj popullin serb terrorist, por mendoj se Lista Serbe ka të kaluar dhe të tashme terroriste”.
Anëtarët e partive të tjera politike në KQZ abstenuan nga votimi dhe thanë se institucionet e sigurisë duhet t’i verifikojnë pretendimet e Kurteshit dhe Krasniqit lidhur me historinë e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale, para se ata të hidhen përsëri në votim.
Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Vendimi u përshendet nga ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lista Serbe “në mënyrë të përsëritur ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës”.
Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së.
Serbia e dënoi fuqishëm vendimin, duke e cilësuar si “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, shkroi në Facebook se “duke refuzuar kandidaturat e dorëzuara në mënyrë të rregullt, të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë edhe një herë kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë – të heshtin zërin legjitim të serbëve në Kosovë dhe Metohi”.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shkroi në Facebook se vendimi i sotëm për të mos certifikuar Listën Serbe “nuk është gjë tjetër veçse një akt politik, i cili do të rrëzohet nga PZAP-ja”.
“Me këtë hap, KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në fushë që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë”, tha ai.
Sipas tij, përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale.
“Edhe sikur një vendim i tillë të merrej, ai do të ishte i kontestueshëm”, shkroi ai.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se një subjekti politik nuk mund t’i kufizohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje me vendim administrativ nga një organ administrativ në procedure administrative.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të aplikueshme në Kosovë dhe opinioneve të Komisionit të Venecias një partie politike mund t’i kufizohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje vetëm përmes nja procesi gjyqësor, duke e shpallur subjektin politik me vendim gjyqësor se ka cenuar rendin kushtetues te atij vendi”, shkroi Miftaraj në Facebook.
Në prag të mbledhjes së KQZ-së, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.
Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.
“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.
Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.
Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Lista Serbe ishte në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në nëntor të vitit 2022, kur mori vendim për t’u larguar nga institucionet në veri, për shkak të një kërkese të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me ato të Kosovës./REL/