JAPONI – Nagasaki përkujton 80-vjetorin e bombës bërthamore
TOKIO, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Qyteti japonez i Nagasakit përkujtoi sot viktimat e bombardimit atomik, 80 vjet më parë, ndërsa shqetësimet globale mbi kërcënimin e konfliktit bërthamor vazhdojnë të rriten.
Në një ceremoni që shënoi përvjetorin e bombardimit atomik amerikan të Nagasakit, kryebashkiaku Shiro Suzuki paralajmëroi për rrezikun në rritje të luftës bërthamore.
“Kjo krizë ekzistenciale e njerëzimit është bërë e pashmangshme për secilin prej nesh që jeton në Tokë”, tha Suzuki në një deklaratë paqeje të dhënë në ceremoninë vjetore përkujtimore.
Kryebashkiaku i bëri thirrje botës ”të mësojë nga historia dhe të sigurojë që Nagasaki të mbetet qyteti i fundit që pësoi një sulm bërthamor”.
Një moment heshtjeje u mbajt në ceremoni në orën 11:02 (02:02 GMT) për të shënuar kohën më 9 gusht 1945, kur bomba atomike “Fat Man” e hedhur nga SHBA-të shpërtheu mbi Nagasaki.
Vetëm në Nagasaki, rreth 70 000 njerëz u vranë nga ndikimi i drejtpërdrejtë, ndërsa 75 000 të tjerë u plagosën.
Tre ditë më parë, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të kishin shkatërruar Hiroshimën me një tjetër bombë atomike, duke shënuar përdorimin e parë të armëve bërthamore kundër qenieve njerëzore.
Japonia u dorëzua më 15 gusht 1945./ a.jor.
The post JAPONI – Nagasaki përkujton 80-vjetorin e bombës bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.