Emisioni Health O’Clock trajtoi në episodin e radhës sëmundjen e melanomës.
Për të folur në lidhje me këtë sëmundje ishte doktoresha Monika Fida, mjeke dermatologe në QSUT, e cila tha se diagnostikimi i hershëm shmang rrezikun e prognozave të këqija.
Ajo tregoi edhe shenjat që duhet të kuptojmë nëse kemi predispozicion për t’u prekur nga melanoma.
“Nëse vërejmë praninë e një lezione të ri pigmentuar në lëkurë, duhet t’i drejtohemi mjekut dermatolog për ta diagnostikuar këtë lezion. Një shenjë e re që shfaqet ose një shenjë që e kemi pasur, por ndryshon, p.sh. ngjyrën, kufijtë dhe dimensionet, duhet të kujdesemi që t’i kemi në konsideratë lezionet e reja ose ndryshimin e atyre që kemi. Duhet të bëhet menjëherë paraqitja tek mjeku dermatolog. Melanoma në fazat e hershme nuk dhemb, prandaj ka pacientë që drejtohen vonë te mjeku dermatolog”, tha mjekja.
Ajo theksoi se një herë në vit, me apo pa nishane, duhet kryer një kontroll rutinor tek dermatologu.
Gjithashtu, mjekja foli edhe për mbrojtjen gjatë stinës së verës në plazh dhe në pishina, ku dha këshillat e saj.
“Ekspozimi në diell është i mirë për organizmin dhe nuk duhet kurrsesi të shmanget ekspozimi në plazhe dhe pishina. Para ekspozimit, do të ishte mirë të bënim një konsultë me mjekun për të parë gjendjen e lëkurës sonë, për të kontrolluar gjendjen e nishaneve dhe sa të rrezikuara janë ato për të shfaqur melanoma, ose për të diagnostikuar sa më shpejt një melanoma të mundshme. Këshillohet që të frekuentojmë plazhet në mënyrë të zgjuar, duke përdorur krem mbrojtës, dhe ekspozimi në diell të jetë deri në orën 11:30, ndërsa nga ora 12 deri në 16 duhet shmangur”, tha mjekja Fida.
Doktoresha theksoi faktin se mbrojtja e lëkurës duhet të bëhet gjithsej 365 ditë të vitit.
“Çdo individ ka rrezik të lartë për të shfaqur melanoma gjatë jetës së tij, aq më tepër një individ që ka më shumë se 50 nishane në trupin e tij. Që të parandalojmë shfaqjen e melanomës ose që të realizojmë një kapje sa më të shpejtë të saj, rekomandohet kryerja e dermatoskopisë dhe mbajtja nën kontroll e nishaneve, ndërsa ekspozimi në diell është faktori më i madh rreziku që ndihmon në shfaqjen e melanomës, prandaj duhet të mbrohemi në ekspozimin në plazhe dhe pishina”, theksoi ajo.
LEXONI GJITHASHTU:
The post Melanoma dhe plazhi, këshillat e mjekes: Si të mbrojnë lëkurën gjatë verës appeared first on Euronews Albania.