TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda njoftoi sot se nisur nga situata e ndërtimeve pa leje në qendër të Thethit janë shkarkuar nga detyra drejtori i Drejtorisë Vendore Shkodër, Fatmir Lleshi, shefi i Komisariatit, Nik Nikolla si dhe është pezulluar nga detyra shefi i stacionit të policisë Theth.
Proda tha se, “kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të kryer një hetim të thelluar disiplinor, ku paraprakisht ju informoj se shefi i Stacionit të Policisë Theth është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedura disiplinore për shkelje të rëndë”.
Sipas Prodës, “ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu – pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia në Prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht për këtë rast në mënyrë të çuditshme prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi”.
“Gjithashtu, ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, të cilët po njësoj, nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, njoftoi Proda.
Proda bëri me dije po ashtu se “ka vendosur të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër”.
“Dua të jem shumë i qartë: Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në Prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje, mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy, dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh. Jo, kjo nuk do të ndodhë as në këtë rast dhe në asnjë rast të ngjashëm nëse do të ketë.
Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë”, tha Proda.
Proda shtoi se “ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti”.
Proda ftoi po ashtu qytetarët që çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë ta denoncojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
“Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë”, tha Proda.
Proda shtoi se “bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit”.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.
Proda nënvizoi se “shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura”.
/m.q/a.f/r.e/
The post Ndërtimet pa leje – Shkarkohet kreu i Policisë së Shkodrës, pezullohet shefi i Stacionit të Policisë në Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.