Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rikonstruktohet shkolla “Gurrë e Madhe” në Klos, hap dyert në shtator me kushte moderne

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Gurrë e Madhe” në Klos do të mirëpresë nxënësit e saj në shtator me ambiente të reja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje se si është transformuar kjo shkollë.

“Nxënësit do të kenë klasa të reja, bibliotekë moderne, laboratorë bashkëkohorë dhe terrene sportive të standardeve të larta”, tha Manastriliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se “ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me bashkinë Klos garanton kushte dinjitoze dhe moderne jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë komunitetin”.

Investimet në infrastrukturën arsimore mbeten prioritet i qeverisë për kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit.

1 nga 5

/k.s//a.f/

The post Rikonstruktohet shkolla “Gurrë e Madhe” në Klos, hap dyert në shtator me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bektashizmi thesar kombëtar për Shqipërinë, gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar bektashizmin një thesar kombëtar për Shqipërinë theksoi se “është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë sepse ndryshe ata do të përballen me zhdukjen”.

Në një intervistë për gazetarin dhe fotoreporterin britanik, Robert Hackman, që ka përgatitur një dokumentar për Bektashizmin në Shqipëri, Rama tha se “bektashizmi është një urdhër shumë i veçantë dhe një thesar kombëtar për ne. Ndryshe nga komunitetet e tjera që janë pjesë e konstelacioneve më të mëdha dhe qe mund të mbështeten në zinxhirë të gjatë solidariteti dhe ndihme për edukimin e klerikëve të rinj, apo për ndërtimin e infrastrukturës së tyre bektashinjtë janë zotë të fatit të tyre dhe nuk i përkasin asnjë konstelacioni tjetër”.

“Prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për ti mbajtur ata gjallë  sepse ndryshe ata do të përballen me zhdukjen. Duke u dhënë atyre një status të veçantë jam i sigurt se do të ndihmojë që të krijojnë të ardhura më të mira dhe të kenë një vend që meritojnë përtej kufijve të vendit”, tha Rama.

Pyetjes se çfarë do të thotë një shtet i pavarur bektashi për popullin shqiptar dhe për Evropën, Rama iu përgjigj se “simbol i rëndësishëm edhe pse në përmasa modeste. Është vetëm një sipërfaqe e vogël toke, pak hektarë që ata tashmë e zotërojnë dhe kanë qendrën e tyre. Por për Shqipërinë është një pjesë shumë e çmuar e trashëgimisë kombëtare., ndërsa për komunitetin është një garanci që ai do të vazhdojë të ekzistojë pa u zhdukur”.

I pyetur se a do të ndihen komunitete e tjera fetare në Shqipëri të favorizuara apo të diskriminuara nga kjo iniciativë, Rama tha se “nuk ka asnjë arsye për këtë, Kjo nuk është një garë mes komuniteteve shqiptare ku dikush favorizohet e tjetri jo. Bektashinjtë janë një komunitet që mbështetet vetëm tek vetvetja, ndërsa myslimanët sunitë, ortodoksët dhe  katolikët i përkasin konstelacioneve shumë më të mëdha dhe kanë pika reference jashtë vendit si dhe shumë mundësi për të edukuar imamët apo priftërinjtë e rinj. Prandaj nuk shikoj arsye që ta të ndihen të trajtuar në mënyrë të pabarabartë”.

/k.s//a.f/

 

 

 

The post Rama: Bektashizmi thesar kombëtar për Shqipërinë, gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkencëtarët zbulojnë se kur u mbajtën për herë të parë macet si kafshë shtëpiake

13 July 2025 at 11:43

LONDËR, 13 korrik /ATSH/- Dy studime të reja kanë zbuluar të dhëna – rreth kohës dhe vendit ku macet u zbutën për herë të parë – të cilat na çojnë drejtpërdrejt ne Egjiptin e lashtë, sipas BBC.

Më herët, studiuesit besonin se zbutja e maceve kishte filluar kur macet e egra nisën të endeshin rreth fshatrave të para bujqësore më shumë se 9,000 vjet më parë.

Ndërsa rezervat e grurit tërhiqnin brejtësit, macet e egra të Afrikës së Veriut filluan të gjuanin parazitët, duke krijuar një marrëdhënie të dobishme reciproke – që përfundimisht çoi në zbutjen e tyre. Por ky model tani mbetet nën shqyrtim.

“Shpesh thuhet se paraardhësi i egër – i maces shtëpiake – macja e egër e Afrikës së Veriut – u zbut gjatë Neolitit”, tha Dr. Sean Doherty, një shkencëtar arkeologjik në Universitetin e Exeter dhe autor kryesor i studimit të parë.

“Studimi ynë e sfidon këtë teori – duke shqyrtuar provat osteologjike (të kockave), gjenetike dhe ikonografike në dispozicion. Ne sugjerojmë se zbutja e maceve filloi në Egjipt rreth mijëvjeçarit të dytë deri në mijëvjeçarin e parë para Krishtit”, shtoi ai.

Ekipi i Doherty përdori analiza zooarkeologjike, gjenetikë dhe datim radiokarbon për të rivlerësuar mbetjet e maceve të lashta nga vendet arkeologjike në të gjithë Evropën dhe Afrikën e Veriut – që datojnë nga lashtësia deri në kohët moderne.

Kockat e gjetura në një fshat bujqësor 9,500-vjeçar në Qipro, që dikur mendohej se tregonin zbutje të hershme, u zbulua se ngjanin më shumë me macet e egra.

“Disa gabime në datim mund të kenë ndodhur për shkak të faktit se kockat e maceve janë të vogla dhe mund të zhvendosen midis shtresave të tokës me kalimin e kohës”, tha Doherty.

“Ne përdorëm datimin radiokarbon për të konfirmuar datat e tyre – e cila tregoi se disa mace ishin dukshëm më të reja nga sa besohej”, shtoi ai.

E gjithë kjo sugjeron se afati kohor kur macet u zbutën është në të vërtetë më “i freskët” nga sa mendohej.

Studiuesit argumentojnë se, ndërsa kontrolli i brejtësve ka të ngjarë të ketë luajtur një rol në zbutjen e maceve, feja mund të ketë qenë më e rëndësishme.

Në Egjipt, macet u bënë të shenjta për perëndeshën Bastet dhe miliona prej tyre u rritën për sakrificë rituale.

“Lidhja midis maceve shtëpiake dhe perëndeshës egjiptiane Bastet arriti kulmin e saj në mijëvjeçarin e parë para Krishtit”, tha Doherty.

“Në tempujt kushtuar perëndeshës, gjejmë miliona mace të mumifikuara. Kishte aq shumë saqë në periudhën viktoriane, shumë prej tyre u dërguan sërish në Britani të Madhe për t’u bluar dhe përdorur për pleh”, tha ai.

Në procesin e mbarështimit të miliona maceve për vrasje rituale, tiparet që i bënin ato më të lehta për t’u trajtuar u përzgjodhën gradualisht – dhe ja ku lindi “macja shtëpiake”.

Një studim i dytë gjenomik, në të cilin Doherty është bashkautor, analizoi 87 gjenome macesh të lashta dhe moderne dhe nuk gjeti prova se macet shtëpiake hynë në Evropë me fermerët neolitikë.

Në vend të kësaj, ato mbërritën brenda 2,000 viteve të fundit – me shumë mundësi nga Afrika e Veriut.

“Mendoj se kjo tregon se afërsia midis njerëzve dhe maceve nuk është rezultat i kohëzgjatjes së marrëdhënies midis tyre, si me qenin”, tha Doherty.

Dhe duke pasur parasysh arsyen e zbutjes së tyre të hershme, nuk është çudi që macet ende sillen sikur të jenë perëndi. //a.i/

 

The post Shkencëtarët zbulojnë se kur u mbajtën për herë të parë macet si kafshë shtëpiake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj takon Ali Ahmetin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Gjatë vizitës njëditore në Ohër, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerëson kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si faktor vendimtar në proceset shtetformuese dhe në mbështetjen e kursit euroatlantik të vendit.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh dhe të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës euroatlantike të vendit, duke dëshmuar gjithmonë përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” shprehet Presidenti Begaj.

1 nga 3

/a.f/

The post Begaj takon Ali Ahmetin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar sot përmes një njoftimi për shtyp angazhimin e tij në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimit.

OSHEE shprehet i vendosur për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtesat që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Sipas OSHEE, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

“Nuk do të pranojmë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes së ndërtimit”, thuhet në deklaratë.

Sipas OSHEE-së, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të gjitha kërkesave për lidhje të reja me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thekson se mbetet i angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

/a.f/

The post OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 95 mijë vizitorë zbuluan historinë, artizanatin dhe bukuritë e Krujës

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Kruja vijon të mbetet ndër qytetet më të vizituara, ku edhe në këto ditë të nxehta korriku rrugët e saj gumëzhijnë nga turistët vendas e të huaj, që  zbulojnë historinë, artizanatin dhe bukuritë e qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga vizita e turistëve në Krujë. “Rrugicat me turistë, traditë dhe histori të Pazarit të Krujës”, shkruan Rama.

Qendra Muzeore e Krujës, ku përfshihen Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik ka shënuar një rritje të numrit të turistëve nga janari deri tani, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “mbi 95 mijë vizitorë është totali i vizitorëve në qendrën muzeore Krujë, ku 50% janë huaj”.

Sipas tij, numrin më të lartë të turistëve të huaj e përbëjnë vizitorët nga Polonia, Spanja, Azia, Franca etj”.

Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik.

Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.

1 nga 4

/k.s//a.f/

The post Mbi 95 mijë vizitorë zbuluan historinë, artizanatin dhe bukuritë e Krujës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër, siguri dhe kujdes shëndetësor për çdo vizitor

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Gjirokastra po mirëpret çdo ditë e më shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, që zgjedhin ta zbulojnë bukurinë e qytetit historik gjatë verës.

Me rritjen e turizmit, shtohet edhe përgjegjësia për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.

Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “ekipet tona mjekësore janë aty 24/7 për çdo nevojë. Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në funksion të plotë, ditë e natë, për të garantuar sigurinë dhe kujdesin shëndetësor për çdo vizitor”.

Almeda Kaluri, infermiere në këtë qendër shëndetësore verore tha se “është hera e parë që punoj në këtë qendër sikurse është hera e parë që kjo qendër është hapur në qytetin e Gjirokastrës kryesisht në zonën turistike dhe kalaja”.

“Këto ditë jemi hasur me raste të tilla si hipertension, pickime nga insektet dhe dehidratimi. Kemi dhënë ndihmën tonë të parë dhe patjetër këshillat që janë kryesorja. Këshillat tona për turistët sidomos për moshat e treta dhe gratë shtatzëna është të shmangin daljen në pikun e vapës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje”, tha Kaluri.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

1 nga 2

/k.s//a.f/

 

The post Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër, siguri dhe kujdes shëndetësor për çdo vizitor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE kritikon tarifat prej 30% të SHBA-së

13 July 2025 at 11:26

BRUKSEL, 13 korrik /ATSH/- Bashkimi Evropian dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim ndaj paralajmërimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur tarifa prej 30% ndaj importeve të tyre duke filluar nga 1 gushti, sipas BBC.

Meksika tha se kjo ishte një “marrëveshje e padrejtë” e Trump dhe këmbënguli se sovraniteti i saj ishte i panegociueshëm.

Ndërsa shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se do të ndërmerrte “kundërmasa proporcionale” nëse do të ishte e nevojshme.

Të dy vendet thanë se do të donin të vazhdonin negociatat me SHBA-në.

Trump ka paralajmëruar se do të vendosë taksa edhe më të larta ndaj importeve nëse ndonjëri prej partnerëve tregtarë të SHBA-së vendoste të hakmerrej.

Këtë javë Trump njoftoi gjithashtu tarifa të reja ndaj mallrave nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili – të cilat do të zbatohen duke nisur nga muaji i ardhshëm.

“Kemi vite që diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha dhe të vazhdueshme, të shkaktuara nga politikat tuaja tarifore dhe jo-tarifore dhe barrierat tregtare”, shkroi Trump në letrën që i dërgoi të premten presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke”, thuhej në letër.

Në letrat e tij drejtuar BE-së dhe Meksikës, Trump paralajmëroi se nëse ndonjë partner tregtar do të hakmerrej me detyrime importi kundër SHBA-së, ai do të kundërpërgjigjej duke rritur tarifat me një përqindje të ngjashme mbi 30%.

Në një intervistë për “Fox News”, dje në mbrëmje, presidenti Trump tha se disa vende ishin shumë të mërzitura, por ai këmbënguli se tarifat nënkuptonin “qindra miliarda dollarë” që po grumbulloheshin.

BE-ja ka qenë një objektiv i shpeshtë i kritikave të Trump. Më 2 prill, ai propozoi një tarifë prej 20% për mallrat nga blloku, si dhe dhjetëra partnerë të tjerë tregtarë.

Më pas ai kërcënoi se do të rriste taksat e importit të BE-së në 50%, ndërsa bisedimet tregtare ishin bllokuar.

Uashingtoni dhe Brukseli shpresonin të arrinin një marrëveshje para afatit të 9 korrikut, por nuk ka patur njoftime për progres.

“Në vitin 2024, deficiti tregtar i SHBA-së me bllokun ishte 235,6 miliardë dollarë (202 miliardë euro (174 miliardë paund)”, sipas zyrës së përfaqësuesit të tregtisë së SHBA-së.

Von der Leyen tha se BE-ja mbetej e gatshme të vazhdonte të punonte drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht.

“Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë miratimin e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme”, tha von der Leyen. //a.i/

 

The post BRUKSEL – BE kritikon tarifat prej 30% të SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hodhi mbeturina në Drinin e Zi, procedim penal dhe gjobë për 64-vjeçarin

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka reaguar sot në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetas i mitur duke hedhur mbeturina në lumin Drini i Zi.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kryen verifikimet përkatëse dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore, referuan materialet në Prokurori. Si rezultat, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, në ngarkim të shtetasit M. M., 64 vjeç, banues në fshatin Muhurr.

Policia bën me dije se M. M., gjatë punës në lokalin e tij, kishte lejuar një të mitur të hidhte mbeturina në ujërat e lumit Drini i Zi, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Për këtë shkelje, Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit ka vendosur ndaj shtetasit M. M. edhe një masë administrative në vlerën 13 milionë lekë.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të ligjit, duke garantuar reagim të menjëhershëm, të drejtë dhe të paanshëm.

/a.f/

The post Hodhi mbeturina në Drinin e Zi, procedim penal dhe gjobë për 64-vjeçarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SEUL – Koreja e Veriut rikonfirmon mbështetjen për luftën e Rusisë në Ukrainë

13 July 2025 at 11:06

SEUL, 13 korrik /ATSH/- Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha diplomatit më të lartë të Rusisë se vendi i tij ishte gati të “mbështeste pa kushte” të gjitha veprimet e ndërmarra nga Moska për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, raportoi sot media shtetërore, ndërsa të dy vendet zhvilluan bisedime strategjike të nivelit të lartë, sipas “Reuters”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ndodhet në një vizitë treditore në Korenë e Veriut, e cila ka siguruar trupa dhe armë për luftën e Rusisë.

Koreja e Veriut premtoi më shumë mbështetje ushtarake ndërsa Moska përpiqet të bëjë përparime në konflikt.

Kim u takua me Lavrov në qytetin bregdetar lindor të Wonsan, ku ministrat e Jashtëm të të dy vendeve zhvilluan dialogun e tyre të dytë strategjik – duke u zotuar për bashkëpunim të mëtejshëm – sipas një traktati partneriteti të nënshkruar vitin e kaluar që përfshin mbrojtjeje të ndërsjellë.

“Kim Jong Un rikonfirmoi se DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut) ishte gati të mbështeste pa kushte dhe të inkurajonte të gjitha masat e ndërmarra nga udhëheqja ruse në lidhje me trajtimin e shkakut rrënjësor të krizës ukrainase”, tha KCNA.

Lavrov, më herët zhvilloi bisedime me homologun e tij të Koresë së Veriut Choe Son Hui në Wonsan.

“Ata lëshuan një deklaratë të përbashkët duke premtuar mbështetje për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit”, tha KCNA.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë thelluar në mënyrë dramatike gjatë dy viteve të fundit të luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022.

Pheniani dislokoi më shumë se 10,000 trupa dhe armë në Rusi për të mbështetur fushatën ushtarake të Moskës.

Qeveria e Kim është zotuar të dërgojë rreth 6,000 inxhinierë dhe ndërtues ushtarakë për të ndihmuar në punën e rindërtimit në rajonin Kursk të Rusisë. //a.i/

The post SEUL – Koreja e Veriut rikonfirmon mbështetjen për luftën e Rusisë në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Spektakël delfinësh në bregdetin magjepsës të Himarës

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Në bregdetin e Himarës një grup delfinësh kanë dhuruar spektakël me lëvizjet e tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky moment i bukur në ujërat e detit Jon.

“Nga bregdeti magjepsës i Himarës, ku natyra dhuron edhe spektaklin e delfinëve”, shkruan Rama.

Delfinët duket se kanë mirëpritur praninë e pushuesve si dhe i kanë ururar mirëseardhjen duke ofruar një spektakël me kërcime në ujërat e detit Jon para turistëve që ishin duke lundruar me anije.

Nuk është hera e parë që delfinët dhurojnë spektakël në ujërat shqiptare.

Numri i delfinëve në ujërat e detit Jon dhe Adriatik është rritur ndjeshëm vitet e fundit, po ashtu janë vënë re edhe specie të tjera të rralla.

/k.s//a.f/

The post Rama: Spektakël delfinësh në bregdetin magjepsës të Himarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulimet arkeologjike në fshatin Lin, një udhëtim mes historisë dhe natyrës

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Në brigjet piktoreske të liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit, ndodhet fshati Lin, një nga destinacionet më të veçanta që ndërthur bukurinë natyrore me pasurinë historike.

Ky fshat i vogël, i vendosur mbi një gadishull që futet thellë në liqen, ofron një panoramë magjepsëse dhe një trashëgimi kulturore me vlera të jashtëzakonshme.

Një nga thesaret më të çmuara të Linit janë rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat.

Zbulimet arkeologjike të realizuara gjatë dekadave të fundit kanë nxjerrë në dritë një kishë të hershme që daton në shekujt V–VI pas Krishtit, e pasur me mozaikë të rrallë, zbukurime gjeometrike dhe simbole kristiane. Mozaikët janë të ruajtur në mënyrë mbresëlënëse, duke dëshmuar për një qendër të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të asaj kohe.

Një bashkëpunim katërvjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbylli me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër palafit në Evropë.

Po ashtu, konfirmohet që “Lin 3” mbulon 2000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6000 – 4000 para Krishtit.

Vizitorët që ngjiten në kodër, jo vetëm që përballen me historinë e lashtë të krishtërimit në rajon, por edhe me një pamje panoramike që të lë pa fjalë: Liqeni i Ohrit shtrihet i kaltër përpara, ndërsa kufiri me Maqedoninë e Veriut është vetëm pak minuta larg në horizont.

Fshati Lin është një atraksion më vete. Rrugicat e ngushta me kalldrëm, shtëpitë karakteristike me oborre të gjelbëruara, mikpritja e banorëve dhe traditat e ruajtura me përkushtim i japin këtij vendi një atmosferë të ngrohtë e autentike.

Shumë vizitorë ndalojnë për të provuar gatimet e zonës ose për të bërë një shëtitje buzë liqenit, aty ku koha duket sikur ndalon.

Lini është një nga ato vende ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Është një udhëtim që të çon njëkohësisht në rrënjët e qytetërimit dhe në thellësitë e qetësisë shpirtërore.

Për këdo që viziton Pogradecin, ndalesa në Lin është jo vetëm një rekomandim, por një përvojë e domosdoshme.

Zbulimet arkeologjike në fshatin Lin Foto: Florjan Abazaj
1 nga 16

/gj.m//r.e/

The post Zbulimet arkeologjike në fshatin Lin, një udhëtim mes historisë dhe natyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Seferanit, një ndër atraksionet natyrore më të vizituara në Belsh

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Liqeni i Seferanit në Belsh është kthyer në një nga atraksionet më të pëlqyera për turistët që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë së mesme.

I pozicionuar në fshatin me të njëjtin emër, ky monument natyre përfaqëson një liqen karstik me një sipërfaqe prej rreth 87.5 hektarësh dhe një ekosistem të pasur, që tërheq vëmendjen e vizitorëve të apasionuar pas natyrës, qetësisë dhe biodiversitetit.

Liqeni ofron mundësi për ecje përgjatë brigjeve, vëzhgim të florës dhe faunës vendase, si dhe aktivitete të lehta rekreative, duke e kthyer këtë zonë në një pikë referimi për turizmin rural dhe natyror në qarkun e Elbasanit.

Falë infrastrukturës së përmirësuar dhe promovimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, Belshi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shprehen të entuziazmuar nga peizazhi dhe mikpritja lokale.

Tashmë Belshi i rilindur tërësisht është një destinacion i rëndësishëm turistik në qarkun e Elbasanit.

Në përgjithësi është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene, midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese sidomos në pranverë. Disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujërat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorëve.

Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën.

Liqeni i Seferanit
1 nga 2

The post Liqeni i Seferanit, një ndër atraksionet natyrore më të vizituara në Belsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në rrugën e lashtë Egnatia, ku historia rilind dhe fshati frymon me turistë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Në verën përvëluese të Elbasanit, ka një cep ku koha duket se ka ndalur për të treguar histori që pak i njohin dhe më pak i vizitojnë.

Një monument i lashtë, një rrugë romake dhe një fshat që bashkon antikitetin me mikpritjen, ky është Bradasheshi. Vetëm disa hapa më tutje, Shijoni, fshati i kumbullave dhe fiqve, i manastirit të Shën Joan Vladimirit, të kujton se ndonjëherë, udhëtimet më të bukura ndodhin aty ku nuk i pret.

Ad Quintum, një stacion romak që rilindi nga pluhuri i kohës

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka përfunduar me sukses restaurimin e Stacionit Antik Ad Quintum, një nga ndalesat më të rëndësishme përgjatë rrugës romake Egnatia, arteria që dikur lidhte Durrësin me Bizantin, dhe përmes saj, Perëndimin me Lindjen.

I vendosur në fshatin Bradashesh, vetëm pak kilometra larg qytetit, Ad Quintumi ishte një vendpushim për udhëtarët dhe tregtarët e kohës së Perandorisë Romake. Sot, të ndalosh aty është si të prekësh një fragment të gjallë të historisë. Gurët e lashtë, rrënojat e pastruara, dhe forma arkitektonike e stacionit tregojnë një botë që ka ekzistuar shumë përpara nesh, dhe që ende ka diçka për të na mësuar.

Sipas specialistes së trashëgimisë kulturore, Albana Drenogllava, projekti ka pasur dy qëllime.

“Të ruajmë një monument të rrallë dhe t’i japim zonës një identitet të ri turistik. Kjo tashmë ka filluar të ndodhë.”

Shijoni, përballë historisë, në heshtje dhe dritë

Përballë stacionit, shtrihet fshati Shijon, një vend ku vera vjen me ngjyra frutash dhe zëra njerëzish të qeshur. Këtu kumbullat janë më të ëmbla, fiqtë të ngrohur nga dielli dhe banorët të gatshëm të tregojnë ndonjë histori.

“Kanë ardhur shumë të huaj këtë vit,” thotë një zonjë e moshuar te porta e shtëpisë së saj prej guri.

“Fotografojnë, pyesin, blejnë fiq, ndalojnë për ujë. Nuk jemi mësuar kështu”, shton ajo.

“Është si të zbulosh një botë të humbur,” shton një turist nga Holanda, duke u ndalur pranë rrënojave.

“Një bukuri e rrallë antike që nuk e ndesh shpesh. Dhe gjithçka këtu është autentike, nuk duket si atraksion i sajuar”, vë në dukje ai.

Ad Quintumi ka transformuar mënyrën se si Bradasheshi perceptohet nga të huajt, nga një emër që dikur lidhej me Metalurgjikun, sot është kthyer në fshatin që ruan historinë.

Kur koha nuk ikën, por të fton ta prekësh

Nëse ecën ngadalë midis rrënojave, mund të dëgjosh diçka më shumë se cicërima. Është si një zë i vjetër që të fton të ndalesh, të kuptosh, të shohësh përreth. Kjo është ndjesia që të jep Ad Quintum, një stacion pushimi për të shkuarën që sot mund të jetë pikënisje për të ardhmen.

Në një verë kur shumë ikin në bregdet, Bradashesh-Shijon është një destinacion që të kujton se historia është këtu pranë, dhe pret vetëm që ta zbulojmë.

Nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja, Elbasani ka nisur një politikë të re zhvillimi turistik, që synon të promovojë dhe lidhë atraksionet historike, kulturore dhe natyrore të rajonit.

“Ne po investojmë në infrastrukturë, sinjalistikë dhe promovim për të tërhequr turistë vendas e të huaj,” thekson Llatja në një nga deklaratat e tij të fundit.

Ai nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale, bizneseve dhe institucioneve kulturore për të krijuar një ofertë turistike të pasur dhe të qëndrueshme, ku fshatrat si Bradashesh dhe Shijon të jenë pjesë integrale e rrjetit turistik të Elbasanit.

Ndërsa Bradasheshi dhe Shijoni janë dy thesare që po marrin dritën e merituar, Elbasani ofron shumë më tepër për vizitorët, kalaja historike e qytetit, Gjinari, Funari, Busheku, Muzeu Etnografik, dhe zona të tjera të pasura me natyrë dhe kulturë.

Në këtë mozaik, secila pikë historike, çdo fshat dhe çdo rrugicë është një kapitull i vogël që pret të hapet. Dhe verë pas vere, më shumë njerëz po ndjekin këto gjurmë, duke u kthyer në zbulues të një Shqipërie të bukur dhe të shumëdimensionale.

/k.s//j.p//r.e/

The post Në rrugën e lashtë Egnatia, ku historia rilind dhe fshati frymon me turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Deputetët do të mblidhen sot për të 46 herë më radhë në tentativën e 46-të për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar si kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave ata kanë propozuar që votimi nga i hapur të kalojë në të fshehtë.

Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.

Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i dërgohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

/kosovapress/

The post Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/7/2025

BERLIN (Gjermani) – Kancelari Friedrich Merz merr pjesë në intervistën tradicionale verore në transmetuesin publik gjerman ARD.

PARIS (Francë) – Presidenti francez Emmanuel Macron mban një fjalim para autoriteteve më të larta ushtarake.

PARIS (Francë) – Reperët ”50 Cent” dhe ”Mary J Blige” performojnë së bashku.

VJENË (Austri) – 10-vjetori i Marrëveshjes Bërthamore të Vjenës.

CASTEL GANDOLFO (Itali) – Papa Leone XIV kremton Meshën në rezidencën verore Castel Gandolfo dhe në Kishën Angelus në Piazza della Liberta.

KIGALI (Ruanda) – Konferenca IAS mbi HIV-in.

JOHANNESBURG (Afrika e Jugut) – Presidenti Cyril Ramaphosa i drejtohet kombit mbi çështjet e sigurisë.

SHBA – Futboll – Kupa Botërore e Klubeve FIFA – Finale PSG-Chelsea.

SION – Futboll – Kampionati Evropian i Femrave./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E diel, 13 korrik, parashikohet mot i qëndrueshëm me vranësira të pakta

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Ditën e diel vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti sot parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, pa përjashtuar vranësira të pakta kalimtare, hera-herës deri mesatare nga orët e mesditës deri pasdite vonë, kryesisht në veri.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimore dhe zonave luginore era fiton shpejtësi 7-10 m/s.

Valëzimi në dete 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/35 Diell
Kukës 16/34 Diell
Lezhë 20/34 Diell
Dibër 15/33 Diell
Durrës 20/35 Diell
Tiranë 22/36 Diell
Elbasan 21/37 Diell
Berat 18/37 Diell re
Vlorë 20/35 Diell
Korçë 17/32 Diell
Gjirokastër 16/37 Diell
Sarandë 20/34 Diell

The post E diel, 13 korrik, parashikohet mot i qëndrueshëm me vranësira të pakta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Nata e dytë e MIK Festival, në Korçë, solli një mbrëmje të paharrueshme kushtuar Gaqo Çakos, një prej zërave më të mëdhenj që ka njohur muzika shqiptare.

Kreybashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha se “në 90-vjetorin e lindjes së Gaqo Çakos, Korça nderoi me dinjitet dhe krenari trashëgiminë e një emri të pavdekshëm të artit lirik”.

Filo u shpreh se nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe emra të njohur të skenës shqiptare si Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi dhe i ftuari special Tchako, sollën emocione të forta për publikun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Mbrëmja u moderua me finesë nga sopranoja Inva Mula, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij homazhi artistik.

Filo u shpreh se “Korça vazhdon të dëshmojë se është dhe do të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.

MIK Festival u rikthyer këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.

Bashkimi Evropian mbështeti mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, kushtuar artistit të ndjerë.

Nata e dytë e MIK Festival në Korçë
1 nga 10

/e.i//r.e/

The post MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prishja e ndërtimeve në Theth, Boçi dhe Spahia: Terror i paprecedentë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Sot është dita e gjashtë e aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit në fshatin turistik të Thethit, aty ku po vazhdon shembja e ndërtimeve pa leje.

Në sheshin ku po zhvillohet aksioni i IKMT-së, të pranishëm sot ishin edhe deputeti i PD-së, Luçiano Boçi dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia.

Boçi, në një prononcim për mediet, e konsideroi “masakër” atë që po ndodh në Theth këto ditë.

“Jam i revoltuar dhe jo i acaruar. Sepse të acaruar janë drejtuesit e policisë, janë në shkelje të ligjit, janë në një veprim terrori. Është një masakër që drejtohet ndaj qytetarëve të Thethit, por edhe ndaj turizmit familjar. Ndërkohë që janë këta që duhet t’i kishin mbrojtur dhe kanë ndërtuar shtëpiza, që janë në të drejtën e tyre”, tha Boçi.

Boçi u shpreh se Paketa e Maleve është arsyeja se pse, sipas tij, po ushtrohet ky terror te sipërmarrësit në Theth.

“Kjo është kriminale dhe që vjen me urdhër. ‘Kemi urdhër’ dhe nuk paraqesin asnjë lloj shkrese, këtu vepron dhe sundon një njeri”, pohoi ai.

Deputeti i zgjedhur demokrat, Bardh Spahia tha se është pranë banorëve dhe sipërmarrësve për t’i mbrojtur ata.

Është hera e parë që në gjithë këto vite Theth dhe dukagjini përballet me një dhunë të tillë, me një terror të paprecedentë, të paarsyeshëm, të paargumentuar. Pasi u dha fjalën se jo vetëm do t’i lejonte, madje i bëri thirrje të investonin emigrantët e shumtë të kësaj treve në këtë zonë, i dhunon sot dhe i hedh në lumë investimet dhe kursimet e një jete të tërë”, tha Spahia.

IKMT është shprehur e vendosur në zbatimin e ligjshmërisë dhe se do ta vijojë aksionin, me qëllim mbrojtjen e territorit dhe rikthimin e Thethit në gjendjen e tij natyrore, duke goditur çdo ndërtim pa leje.

/e.i//r.e/

The post Prishja e ndërtimeve në Theth, Boçi dhe Spahia: Terror i paprecedentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TENIS – Swiatek mposht Anisimovën duke fituar titullin e parë në Wimbledon

LONDER, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Tenistja polake, Iga Swiatek, fitoi titullin e saj të parë në Wimbledon për femra, duke mposhtur amerikanen, e renditur e 13-ta, Amanda Anisimova, me rezultatin 6-0, 6-0 në finale.

Ajo që duhet të kishte qenë kulmi i karrierës së saj u shndërrua në një makth për 23-vjeçaren Anisimova, por kjo shënon rikthimin e Swiatek në majë.

Ajo gjithashtu bëhet femra e parë polake që fitoi një titull të Wimbledon në njëshe në epokën e Hapur, 13 vjet pasi bashkëkombësja e saj Agnieszka Radwanska humbi ndaj Serena Williams në finale.   /os/

The post TENIS – Swiatek mposht Anisimovën duke fituar titullin e parë në Wimbledon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌