Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Nezir Çoçaj i bashkohet Nismës Socialdemokrate: Prizreni ka nevojë për njerëz me duar të pastra

11 July 2025 at 23:48

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nezir Çoçaj, ka zyrtarizuar sot aderimin e tij në Nismën Socialdemokrate, duke shpallur synimin për të qenë pjesë e listës zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet lokale në Prizren.

Në një adresim publik drejtuar qytetarëve, Çoçaj shprehu zhgënjimin e tij ndaj qeverisjes aktuale komunale, duke përmendur padrejtësitë, mungesën e ndershmërisë dhe neglizhencën ndaj mirëqenies së qytetarëve.

“Nga sot, angazhimin tim politik do ta vazhdoj në Nismën Socialdemokrate. Prizreni nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për punë e për njerëz me duar të pastra”, theksoi ai.

Çoçaj ka qenë një prej figurave të njohura politike në Prizren, ndërsa mbështetësve të tij iu drejtua me fjalët:
“Edhe këtë herë, me ju. Unë jam gati”.

The post Nezir Çoçaj i bashkohet Nismës Socialdemokrate: Prizreni ka nevojë për njerëz me duar të pastra appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 11 July 2025Main stream

Deliu kritikon ashpër institucionet për heshtjen ndaj arrestimit të Arbnor Spahiut dhe rastit të Agon Zejnullahut

11 July 2025 at 11:46

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka ngritur zërin kundër, siç e quajti ajo, heshtjes së institucioneve të shtetit përballë ngjarjeve të rënda që kanë prekur qytetarët e Kosovës – arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu në Serbi dhe vdekjen tragjike të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.

Deliu nga foltorja e Kuvendit theksoi se rasti i Spahiut, i cili sipas saj po mbahet padrejtësisht në paraburgim nga autoritetet serbe, ka kaluar pa reagimin e duhur nga institucionet e vendit.

“Institucionet heshtin për ish-policin i cili mbahet padrejtësisht në institucionet e paraburgimit në Serbi. Heshtja, fatkeqësisht, po bëhet pjesë e politikës së jashtme, ndërkohë që qytetarët tanë janë gjithnjë e më të pambrojtur, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Kosovës”, deklaroi ajo.

Deputetja e PDK-së kritikoi ashpër edhe mënyrën se si u trajtua publikisht rasti i Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta në Lipjan.

Ajo u shpreh e indinjuar që asnjë zyrtar nuk ka marrë përgjegjësi, nuk ka pasur dorëheqje apo reflektim institucional.

“Në vend të ndjeshmërisë, pamë një ministër në largim që qesh përballë pyetjeve të gazetarëve, ndërkohë që një familje po përjeton dhembje të thellë për humbjen e një të riu. Ky është shteti i Albin Kurtit – ku një njeri i vetëm sillet si më i larti, më i rëndësishëm se Kushtetuta, më i vlefshëm se ligji dhe më i fuqishëm se vetë qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Në emër të PDK-së ajo i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të “zbresë në tokë” dhe të heqë dorë nga inatet personale.

“Të respektojë rendin kushtetues dhe demokratik, e të reflektojë njëherë e përgjithmonë”, përfundoi ajo. /Telegrafi/

The post Deliu kritikon ashpër institucionet për heshtjen ndaj arrestimit të Arbnor Spahiut dhe rastit të Agon Zejnullahut appeared first on Telegrafi.

Sot përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

11 July 2025 at 07:07

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 44 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. /Telegrafi/

 

 

The post Sot përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

9 July 2025 at 18:27

Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa heqja e mandateve të deputetëve – një opsion i përmendur në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – nuk konsiderohet e realizueshme.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky afat shkelet, vendi do të përballet me një krizë politike dhe juridike të panjohur më parë.

Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 26 korrikut – datë kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.

Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.

Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Në këtë atmosferë bllokade, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se barra e përgjegjësisë duhet të kalojë tani mbi presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrë kushtetuese të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Sipas saj, e para e shtetit duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike, dhe nëse kjo dështon, të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar hapat e ardhshëm.

“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e prerë rreth afatit që e ka përcaktuar dhe pasojave që vijnë pas këtij afati. Roli i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar ende”, thotë Mushkolaj.

Javën e kaluar, presidentja Osmani priti për dy ditë me radhë përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.

Pas takimeve, ajo u shpreh qartë se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është “detyrim e jo opsion” dhe u bëri thirrje partive që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidentes nëse po e shqyrton mundësinë për t’iu drejtuar Kushtetueses, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në një deklaratë për mediat më 30 qershor, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se “nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se konsensusi është e vetmja rrugë për të tejkaluar bllokadën dhe për të konstituuar Kuvendin deri më 26 korrik.

Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me një situatë të panjohur deri më tash, thotë Naim Jakaj nga ky institut.

“Kosova do të hyjë në një situatë të re juridike dhe politike, që nuk e ka përjetuar më herët. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në muajt e ardhshëm, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik”, thotë Jakaj.

A mund t’iu merret mandati deputetëve?

As Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka një përgjigje të qartë për zhvillimet që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Më 9 korrik, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha shkurt: “E paparashikuar”.

Dy ditë më parë, ajo përmendi mundësinë që të gjithë deputetët e Kuvendit të humbin mandatin, nëse nuk e konstituojnë institucionin brenda afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“…janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati, dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike”, tha Kusari-Lila.

Por, Mushkolaj shpjegon se mandatin e deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund ta marrë askush.

“Populli ua ka dhënë këtë mandat dhe populli ua merr mandatin. Vetëm nëse shkojmë në zgjedhje. Por, përsëri, duhet të konstituohet Kuvendi”, thotë profesoresha në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Jakaj, gjithashtu, nuk e sheh të mundshme heqjen e mandatit të deputetëve.

Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 70, përcakton qartë arsyet për përfundimin ose pavlefshmërinë e mandatit të deputetit.

Ato përfshijnë: mosbetimin, dorëheqjen, emërimin në qeveri, përfundimin e mandatit të kuvendit, mungesën prej gjashtë muajsh në seanca, dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vite burgim, ose vdekjen e deputetit.

“Në asnjë nga pikat e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese nuk i ka saktësuar pasojat kolektive apo individuale për deputetët, në rast të moskonstituimit brenda afatit prej 30 ditësh”, shton Jakaj.

Muhaxhiri: Nuk ka precedent për marrjen e mandateve

Edhe Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i politikës në Kosovë, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parashikon marrjen e mandateve nga deputetët, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit.

Për më tepër, thekson ai, në Kosovën e pasluftës nuk ka ndonjë precedent të ngjashëm.

Ai thotë se një hap i tillë do të kërkonte një vendim të ri të Gjykatës dhe ndryshime në mënyrën e zëvendësimit të deputetëve, por, prapëseprapë, nuk do të garantonte tejkalimin e bllokadës politike që po e pengon formimin e institucioneve.

“E para, ata deputetë që do të vinin, do të kishin më pak legjitimitet dhe pothuajse të gjithë do të ishin anonimë, pa përvojë politike. Vetë fakti që nuk janë zgjedhur, dëshmon se nuk kanë arritur sukses as në garën përbrenda partive të tyre”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se personat që do t’i zëvendësonin deputetët aktualë, do të vepronin nën udhëzimet e liderëve të partive të tyre, ndaj sjellja e tyre në procesin e konstituimit të Kuvendit do të ishte e njëjtë me atë të deputetëve aktualë.

“Do të ktheheshim në pikën ku jemi tash, por me një humbje të kohës dhe me një dëmtim të perspektivës së Kosovës dhe imazhit institucional në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.

Ku ka mbetur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës?

Deri më tani, deputetët kanë përfunduar vetëm dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.

Procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në disa runde votimi për t’u zgjedhur në këtë post.

Dy parti parlamentare, PDK-ja dhe AAK-ja, e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar.

LDK-ja thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për këtë pozitë.

E, Vetëvendosje këmbëngul tani që votimi për Haxhiun të bëhet në mënyrë të fshehtë, duke premtuar se nëse ajo nuk i merr 61 vota, do të propozojë një kandidat tjetër.

Por, kjo formë votimi kundërshtohet nga partitë e tjera, duke e futur situatën në një rreth vicioz.

Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit me afat 30 ditësh më 26 qershor, pas 37 tentativave të dështuara në këtë proces.

Megjithatë, ekspertët kushtetues dhe partitë politike e kanë kuptuar dhe interpretuar këtë vendim në mënyra të ndryshme.

Muhaxhiri thotë se për të tejkaluar bllokadën në Kuvend, është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë, raporton REL.

The post Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut appeared first on Telegrafi.

PDK çon kërkesë në Kushtetuese për vlerësimin e tri çështjeve në seancën konstituive

PRISHTINË, 3 korrik/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më njëzet e nëntë (29) qershor dhe vazhdimeve të saj më një (1) dhe tre (3) korrik dymijë e njëzet e pesë (2025).

Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston: Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; Hedhjen në votim të këtij Komisioni; Vetë votimin e Komisionit; Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që: Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë; Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive; Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.

“Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovë (LDK), ka paralajmëruar sot se do ta dërgojë lëndën në Kushtetuese lidhur me procesin e vazhdimit të seancës konstituive.

/Kosovapress/

The post PDK çon kërkesë në Kushtetuese për vlerësimin e tri çështjeve në seancën konstituive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngërçi politik në Kosovë/ Partitë politike, PDK dhe LDK do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

3 July 2025 at 16:58

Sipas Krasniqit tre seancat e fundit në parlament janë realizuar në shkelje të vetëdijshme të kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës, i cili siç thotë është instruktuar nga parta e tij. Për këtë arsye, sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në Gjykatë Kushtetuese”, theksoi Krasniqi.

Pas seancës së kësaj të enjteje Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit u shpreh me një aktgjykim ku kërkoi konstituimin e parlamentit brenda 30 ditëve, që rezulton me javën e fundit të Korrikut.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i LDK Alban Zogaj pas seancës së kësaj të enjteje, solli të njëjtat argumente si PDK, dukë thënë se LVV po shkel Kushtetutën dhe aktgjykimin e saj të para pak ditëve, ndaj do ti drejtohen sërish institucionit.

 

The post Ngërçi politik në Kosovë/ Partitë politike, PDK dhe LDK do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese appeared first on Sot News | Lajme.

Zyrtarët e PDK-së po i vizitojnë shpesh Thaçin e Veselin në Hagë për instruksione politike

2 July 2025 at 22:56

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e cilësuar atë si një “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara”.

Në një intervistë në Tëvë1, Kurti deklaroi se PDK nuk është reformuar dhe, sipas tij, brenda këtij subjekti politik ekzistojnë më shumë se një lider real.

Ai përmendi Memli Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Sami Lushtakun si figura me ndikim të drejtpërdrejtë në drejtimin e partisë.

“Unë prej përvojës politike, prej lajmeve e kam të qartë se Partia Demokratike e Kosovës nuk është reformuar. Në PDK ekzistojnë ose katër ose pesë kryetarë. Nuk e di a i ka katër a pesë, por jam i sigurt që si ka tre, as dy, as një. PDK nuk është parti, është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vesh pse ke fol me një person. Prandaj Enver Hoxhaj thotë diçka tjetër,” u shpreh Kurti.

Ai përmendi edhe deklaratat kontradiktore brenda vetë partisë, duke përmendur rastin e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kishte komentuar për Sami Lushtakun, të cilin Kurti e quajti “prindin politik” të një deputeti të PDK-së.

“Janë edhe dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh për instruksione politike,” shtoi ai, duke iu referuar Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Kurti po ashtu e akuzoi PDK-në për ndikim të thellë në sistemin e drejtësisë dhe në media, duke theksuar se me një subjekt të tillë nuk mund të ndërtohet një shtet demokratik.

The post Zyrtarët e PDK-së po i vizitojnë shpesh Thaçin e Veselin në Hagë për instruksione politike appeared first on Telegrafi.

“PDK-ja i jep 24 vota për 40 emra të LVV-së” – Abdixhiku thotë se ka parti me të cilat Kurti mund të bëjë kompromis

2 July 2025 at 16:30

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.

Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk po e kupton pragmatizmin politik se nuk është tragjedi të bësh kompromis, por është vlerë normale demokratike.

I pari i LDK-së tha se ka parti që po ia japin atë kompromis, duke thënë se PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra të LVV-së për kryeparlamentar.

“Ka parti që po ja japin atë kompromis, e kam thënë edhe herën e kaluar LDK-ja i ka 20 vota kundër për secilin emër, NISMA i ka 3 vota për një emër, PDK-ja i ka 24 vota për 40 emra, AAK-ja i ka 5 vota për tre emra. Pra kompromisi është i mundshëm, zgjedh e merr”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se nëse Kurti insiston në kushtet paraprake dhe thotë që ky është kompromisi i tij, atëherë ti e ngatërron kompromisin me imponimin.

“E këtu besoj se ka shkarje të rëndë logjike e besa edhe të inteligjencës”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/

The post “PDK-ja i jep 24 vota për 40 emra të LVV-së” – Abdixhiku thotë se ka parti me të cilat Kurti mund të bëjë kompromis appeared first on Telegrafi.

Krasniqi flet pas takimit me Osmanin, kërkon që LVV ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar dhe votimi të jetë i hapur

2 July 2025 at 14:52

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit që ka pasur me presidenten Vjosa Osmani.

Krasniqi para mediave ka thënë se PDK është e gatshme ta luajë rolin e saj në zgjidhjen e krizës politike, transmeton Telegrafi.

“Edhe në këtë takim e rikonfirmova qëndrimin e PDK-së për të luajtur rolin tonë në zgjidhjen e krizës politike, sidomos edhe tash që e kemi qartësimin nga Gjykata Kushtetuese, e cila i ka bërë të qartë rolet e secilit, në radhë të parë të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, ku e ka detyruar përveç tjerash edhe për gjetjen e kompromisit”, ka pohuar Krasniqi.

Kreu i PDK-së, tha që shpreson që konsultat me presidenten të jenë në funksion të gjetjes së një rrugëdaljes.

Ai potencoi se Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se nuk mund të ndryshohet mënyra e votimi gjatë nisjes së procesit.

Krasniqi po ashtu kërkoi nga LVV që votimi të jetë i hapur dhe të sjellë një propozim tjetër për kryeparlamentar që do të mund ta merr shumicën./Telegrafi/

The post Krasniqi flet pas takimit me Osmanin, kërkon që LVV ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar dhe votimi të jetë i hapur appeared first on Telegrafi.

Çitaku i reagon Hoxhajt: Jam pak e befasuar me mbështetjen që i dha koalicionit PDK-LVV

1 July 2025 at 22:20

Vetëm pak ditë më herët, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se do ta votonte një koalicion në mes të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo deklaratë e tij e ka befasuar Sekretaren e Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitakun.

Arsyeja për këtë befasi sipas saj vjen pasi në ditën e konventës së PDK-së është miratuar një deklaratë politike rreth qëndrimeve të partisë karshi qeverisë e koalicioneve të mundshme.

Thotë se këtë deklaratë e kishte votuar edhe vetë Hoxhaj, pa ndonjë kundërshtim.

“Për mua ka qenë pak befasi deklarata e Hoxhajt. Sepse është e vërtetë që shpeshherë edhe në mbledhje dhe diskutime ne kemi vlerësime dhe mendime të ndryshme, mirëpo deklarata e z.Hoxhaj erdhi pak kohë pas mbajtjes së konventës ku ne miratuam një deklaratë politike të PDK-së. Kjo deklaratë ishte shumë e qartë edhe në raport me qeverinë edhe në raport me koalicionet e mundshme dhe ajo deklaratë politike u votua me unanimitet të plotë. Edhe z. Hoxhaj e ka votuar. Si do që të jetë është një qëndrim i ri që nuk i bënë dëm shëndetit politik dhe demokratik. Zoti Hoxhaj ishte i qartë tha se do ta votoja një koalicion nëse do të kishte marrëveshje politike, nuk tha që e voton njëanshëm”, tha Çitaku në Rubikon të Klan Kosovës.

Deputetja Çitaku, nuk është pajtuar edhe me një deklaratë tjetër të Hoxhajt.

“Polarizimet mes VV-së dhe partive tjera nuk janë të rrejshme, këtu nuk pajtohem me Hoxhajn. Do të ishte më mirë sikur të ishin të rrejshme, do ishin të dëmshme por më lehtë të tejkalueshme”, tha më tej ajo.

The post Çitaku i reagon Hoxhajt: Jam pak e befasuar me mbështetjen që i dha koalicionit PDK-LVV appeared first on Telegrafi.

Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm me Vjosa Osmanin

1 July 2025 at 11:39

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka konfirmuar se ka pranuar ftesë për takim për nesër nga ana e presidentes Vjosa Osmani lidhur me situatën politike të krijuar tash e pesë muaj.

Krasniqi tha se do të jetë pjesë e takimit.

“Kam pranu ftesën dhe besoj nesër është takimi dhe unë do të jem aty. Qëndrimi i njëjtë që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që jemi duke munduar të gjejmë zgjidhje të ofrojmë kompromise për të dalë nga kjo situatë”, tha Krasniqi.

Ai u shpreh se shpreson që e njëjta gjë të ndodh siç nuk ka ndodh deri tash nga ana e LVV.

“Ne kemi pasur kërkesë edhe më herët që presidentja të merr rolin e saj dhe të involvohet. Kemi pasur edhe takimin që ka qenë para disa javësh, e shoh pozitiv në kuadër të angazhimit por nuk di çka të them për mundësinë e rezultatit sepse në fund të fundit bllokada është prodhim I kryeneçësisë së LVV-së”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

The post Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm me Vjosa Osmanin appeared first on Telegrafi.

Zyrtarizimi i kandidatëve për Ferizaj dhe Gjilan – nga kush do të sfidohen kryetarët aktualë Agim Aliu dhe Alban Hyseni

1 July 2025 at 11:31

Subjektet politike kanë nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke zyrtarizuar disa prej kandidatëve për kryetarë komunash.

Gara pritet të jetë veçanërisht interesante në komunë e Ferizajt dhe Gjilanit, ku kryetarët aktualë synojnë të sigurojnë një mandat të ri. Ndërkohë, kandidatët e rinj janë të vendosur të sfidojnë pushtetin aktual dhe të arrijnë fitoren në zgjedhjet që do të mbahen në vjeshtë, transmeton Telegrafi.

Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), do të garojë për një mandat të dytë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me Arbër Ismailin si kandidat, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Riad Rashiti. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur që në këtë garë të hyjë me kandidatin Nazim Gagica.

Kush ka udhëhequr deri tani me komunën e Gjilanit?

Komuna e Gjilanit ka qenë nën drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga viti 2014 deri në vitin 2021 me Lutfi Hazirin kryetar. Ndërsa, në vitin 2021, udhëheqjen e komunës e mori LVV, me Alban Hysenin, i cili aktualisht është në fund të mandatit të tij të parë, dhe po ashtu synon mandatin e dytë.

Gara për Ferizaj;

Ndërkohë, në Ferizaj, kryetari aktual Agim Aliu do të kërkojë një tjetër mandat, duke garuar sërish si kandidat i PDK-së. LDK do ta konfirmojë Visar Azemin si kandidatin e saj për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor, ndërsa AAK do të përfaqësohet nga kandidatja Xhemile Murati.

Kush ka udhëhequr deri tani me komunën e Ferizajt?

Në 10 vitet e fundit, Ferizajn e kanë drejtuar dy kryetarë: Muharrem Svarqa (LDK) deri më 2017, dhe Agim Aliu (PDK) prej 2017 e deri më sot (2025), aktualisht në fund të mandatit të dytë dhe në garë për të tretin.

Përgatitjet për zgjedhjet nga KQZ;

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.

Subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.

“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, ka deklaruar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin. /Telegrafi/

 

 

 

The post Zyrtarizimi i kandidatëve për Ferizaj dhe Gjilan – nga kush do të sfidohen kryetarët aktualë Agim Aliu dhe Alban Hyseni appeared first on Telegrafi.

Ramiz Lladrovci i bindur për fitore të thellë në Drenas

30 June 2025 at 21:40

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për kandidaturën e tij për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale të tetorit, duke shprehur bindje të plotë për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë komunë.

Lladrovci ka përmendur rezultatet e zgjedhjeve të fundit qendrore, ku, sipas tij, PDK-ja në Drenas ka fituar 74% të votave dhe ka shtuar se në zgjedhjet lokale pret një përqindje shumë të lartë.

“Unë i pres 70-72% të votave në zgjedhjet lokale,” ka deklaruar ai në Debat Plus.

I pyetur nëse në këto zgjedhje do të fitojë PDK-ja si subjekt apo Ramiz Lladrovci si figurë politike, ai është përgjigjur: “Partia Demokratike në krye me Ramiz Lladrovcin,” duke theksuar se partia duhet të jetë krenare me punën që ai ka bërë në Drenas.

Ai ka shprehur besim se kontributi dhe projektet e realizuara gjatë mandatit të tij do të vlerësohen nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

The post Ramiz Lladrovci i bindur për fitore të thellë në Drenas appeared first on Telegrafi.

Çitaku: Kurti kërkoi vetëm nënshtrim – pa kompromis, pa debat, pa demokraci

29 June 2025 at 11:10

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas takimit të tij me liderët e partive politike për tejkalimin e ngërçit institucional.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Kurti nuk ofroi as kompromis, as reflektim, e as zgjidhje për situatën, por kërkoi vetëm nënshtrim nga partitë e tjera.

“Sipas logjikës së Albin Kurtit, mjafton një takim që nënshtrimi dhe diktati të maskohen si kompromis. Në takimin me liderët politikë, Albin Kurti nuk ofroi as marrëveshje, as kompromis. Nuk ofroi as reflektim, as zgjidhje. Na kërkoi vetëm një gjë: t’i nënshtrohemi vullnetit të tij. Pa kushte. Pa debat. Pa demokraci. Kaq”, shkroi Çitaku.

Ajo vlerësoi se sjellja e Kurtit në këto negociata thellon edhe më shumë krizën politike, duke paralajmëruar mungesë të vullnetit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kritikën e saj e mbylli me theksin se “demokracia nuk funksionon me ultimatume, por me dialog dhe marrëveshje të sinqerta”.

The post Çitaku: Kurti kërkoi vetëm nënshtrim – pa kompromis, pa debat, pa demokraci appeared first on Telegrafi.

Sot takimi i liderëve partiakë, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit

28 June 2025 at 11:29

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka ftuar krerët e subjekteve politike për një takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në Kuvendin e Kosovës.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se këtë po e bën në përpjekje të konsensusit për konstituimin e Kuvendit.

“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, pjesëmarrja në takim është konfirmuar nga PDK, LDK, AAK e Nisma Socialdemokrate.

E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.

Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;

Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues. /Telegrafi/

The post Sot takimi i liderëve partiakë, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit appeared first on Telegrafi.

Intervistimi i Martin Berishaj nga Specialja, reagon Çitaku

26 June 2025 at 15:55

Pasi, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Berishaj nuk e ka hallin se në Kosovë iu rrezikohen vendet e punës rreth 140 mij punëtorëve, kjo pasi siç tha “Biznese të tëra, sidomos ato prodhuese, janë në prag të mbylljes, për shkak të shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike”.

“Rreth 140.000 punëtorëve u rrezikohen vendet e punës. Biznese të tëra, sidomos ato prodhuese, janë në prag të mbylljes, për shkak të shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike. Po e dini kush nuk e ka këtë hall? Martin Berishaj”, ka shkruar ajo.

Tutje Çitaku theksoi se pavarësisht dëshmive publike dhe aferave milionëshe, Berishaj vazhdon të jetë ambasador me fuqi të plotë.

“ Sepse i shërben liderit suprem. Një ditë në Prokurori, një ditë në Ambasadë. Marrëzia nuk paska kufi”, ka shkruar ndër të tjera Çitaku. /Telegrafi/

The post Intervistimi i Martin Berishaj nga Specialja, reagon Çitaku appeared first on Telegrafi.

Krasniqi: Hamza duhet të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër edhe në zgjedhjet e ardhshme

25 June 2025 at 21:58

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se Bedri Hamza duhet të jetë kandidat për kryeministër nga PDK edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Krasniqi ka thënë se për këtë është i bindur 100 për qind.

“Unë jam i bindur që Bedri Hamza duhet të jetë kryeministër i Kosovës në këtë fazë, 100% jam i bindur, sepse mendoj që kompetenca e tij, karakteri depolarizues, përvoja e tij sidomos në fushat ku sot ka nevojë me u implementu një program për me i rikuperu dëmet që ia ka shkaktu dëmet Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi në T7.

“Unë mendoj që Bedriu do të duhej të ishte kandidat për kryeministër edhe në zgjedhjet të cilat janë i bindur që kanë me u mbajtë shumë shpejt, sepse nuk ka ndryshu asgjë nga konteksti aktual”, ka thënë Krasniqi.

The post Krasniqi: Hamza duhet të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër edhe në zgjedhjet e ardhshme appeared first on Telegrafi.

Befason Hoxhaj: E mbështes një koalicion mes Vetëvendosjes dhe PDK-së

25 June 2025 at 21:39

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, ka deklaruar se e mbështet një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai nuk komentoi nëse do ta mbështeste një koalicion të tillë edhe me Albin Kurtin kryeministër.

“Nuk dua të lëshohem në një skenar të tillë, me Kurtin kryeministër apo me Bedri Hamzën kryeministër? Natyrisht se ne do ta pranojm me çdo kusht që Bedriu të jetë kryeministër, por këto janë tema që do t’i zgjidhim kur të ulemi në tavolinë”, tha Hoxhaj në Klan Kosova.

Hoxhaj tha edhe arsyet se pse do ta mbështeste një koalicion të tillë.

Derisa, situatën në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur “Krizë shtetërore”.

Sot për herën e 37-të ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

The post Befason Hoxhaj: E mbështes një koalicion mes Vetëvendosjes dhe PDK-së appeared first on Telegrafi.

Dr. Përparim Ramusa shpall kandidaturën për Kryetar të Komunës së Shtimes

25 June 2025 at 21:27

Me një fjalim të përzemërt dhe plot vendosmëri, Dr. Përparim Ramusa ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Komunës së Shtimes, duke hyrë kështu në garën zgjedhore me mbështetjen e Kryesisë së Degës së PDK-së në Shtime dhe një numri të madh qytetarësh të komunës.

Përparim Ramusa, ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga niveli qendror i Partisë Demokratike të Kosovës, duke marrë mbështetje nga të gjithë anëtarët e kryesisë në mënyrë unanime.

Ramusa është mjek specialist dhe bir i një minatori.

Ai ka theksuar se është i motivuar nga ndjenja e obligimit për të kthyer dijen dhe përkushtimin e tij në të mirë të qytetit që e ka rritur dhe formuar..

 

“Sot, me nder dhe përgjegjësi të plotë, shpall zyrtarisht kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Shtimes”, ka thënë Dr. Ramusa në deklaratën e tij, duke theksuar përkushtimin për t’u vënë në shërbim të qytetarëve, bazuar në përvojën e tij profesionale dhe vlerat familjare.

Ai falënderoi qytetarët që i kanë besuar këtë detyrë, duke thënë se gjithmonë ka dëgjuar zërin e tyre me përulësi dhe se këtë do ta bëjë edhe në rrugëtimin e tij politik

“Shtimja meriton një udhëheqje që dëgjon, që vepron me mendje të kthjellët dhe zemër të hapur. Unë jam gati, dhe bashkë me ju, DO TË FITOJMË!”, u shpreh kandidati i PDK-së, duke përmbyllur mesazhin e tij me moton: “Për Shtimen që e duam!”.

The post Dr. Përparim Ramusa shpall kandidaturën për Kryetar të Komunës së Shtimes appeared first on Telegrafi.

Përparim Ramusa, kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes

25 June 2025 at 21:18

Përparim Ramusa ka bërë të ditur se do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes.

Ramusa tha se kryesia e Degës së PDK-së, shumë votues dhe qytetarë të Shtimes kanë kërkuar që ai të jetë kandidat për kryetar.

“Si mjek specialist me përvojë dhe si bir i një minatori, ndiej për obligim që dijen, përkushtimin dhe integritetin tim t’i vë në shërbim të qytetarëve tanë. E si çdo herë, edhe kësaj radhe, do t’i dëgjoj me përulësi dhe vendosmëri”, shkroi ai.

Tutje, Ramusa tha se Shtimja meriton një udhëheqje që dëgjon dhe që vepron me mendje të kthjellët e zemër të hapur.

“Unë jam gati, dhe bashkë me ju, DO TË FITOJMË! Për Shtimen që e duam”, shkroi Ramusa.

The post Përparim Ramusa, kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes appeared first on Telegrafi.

❌
❌