Tetë vatra zjarri aktive, në terren helikopterë dhe mbi 290 efektivë
TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Deri në orët e pasdites të ditës së sotme janë raportuar gjithsej 18 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 10 janë shuar plotësisht, ndërsa 8 vazhdojnë të jenë aktive.
Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC.
Falë punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren është bërë e mundur izolimi dhe shuarja e disa prej vatrave të rrezikshme.
Në fshatin Poshnjë, njësia administrative Poshnjë, bashkia Dimal, zjarri që rrezikonte banesat dhe repartin ushtarak është vendosur plotësisht nën kontroll. Aktualisht, zona po kontrollohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
Janë shuar gjithashtu vatrat në fshatin Kotë, njësia administrative Kotë, bashkia Selenicë; në fshatin Vrion, njësia administrative Finiq, bashkia Finiq; në zonën e quajtur “Qafa e Laçit”, bashkia Vau-Dejës; në fshatin Mengël, njësia administrative Labinot-Fushë, bashkia Elbasan; në zonën e Liqenit të Thatë, njësia administrative Farkë, bashkia Tiranë; në rrugën “Haki Stërmilli”, njësia administrative Nr. 6, bashkia Tiranë; në lagjen Nr. 5, njësia administrative Kavajë, bashkia Kavajë; në fshatin Zagorë, njësia administrative Shkrel, bashkia Shkodër; dhe në fshatin Radanj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë.
Aktualisht, mbeten aktive tetë vatra në disa qarqe të vendit. Në qarkun Dibër, zjarri në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, brenda Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon të përhapet në një sipërfaqe me pisha dhe livadhe, ku deri më tani janë djegur rreth 200 hektarë. Në operacion janë angazhuar 30 forca operacionale dhe 30 ushtarë të Forcave të Armatosura.
Po në këtë qark, në malin e Peladhisë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, dy vatra zjarri mbeten aktive, duke u zhvilluar në drejtim të fshatrave Vlashaj dhe Krajkë, me pjesëmarrjen e rreth 35 forcave në terren.
Në qarkun Fier, një vatër e përhapur në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, është përhapur drejt fshatit Gorishovë në njësinë administrative Cakran, bashkia Fier. Terreni i thepisur dhe era e fortë kanë vështirësuar ndërhyrjet. Në operacion janë angazhuar 36 forca të MZSH Mallakastër, 40 trupa të FA, dy helikopterë dhe katër automjete zjarrfikëse.
Në qarkun Vlorë, një vatër zjarri është raportuar në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, në një zonë me pyje. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse të bashkisë me dy mjete dhe gjashtë efektivë.
Në qarkun Gjirokastër, një tjetër vatër aktive është në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet, në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në vendngjarje ndodhen dy mjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë të shërbimit zjarrfikës vendor.
Në qarkun Elbasan janë aktive tri vatra: në fshatin Gjevur, njësia administrative Përparim, bashkia Peqin; në fshatin Dufshan, njësia administrative Sult, bashkia Gramsh; dhe në njësinë administrative Hotolisht, bashkia Librazhd. Të gjitha këto përfshijnë sipërfaqe pyjore dhe po përballohen nga forcat zjarrfikëse vendore me mjete dhe efektivë të angazhuar në shuarjen e flakëve.
Në të gjitha operacionet janë përfshirë gjithsej 291 forca operacionale dhe 29 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kontribuojnë me dy helikopterë, 120 trupa dhe katër automjete zjarrfikëse, duke përforcuar kapacitetin e reagimit ndaj situatës së zjarreve që ka prekur disa qarqe të vendit.
Operacionet do të vijojnë sipas nevojës dhe situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.
/r.e//a.f/
The post Tetë vatra zjarri aktive, në terren helikopterë dhe mbi 290 efektivë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.