TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë një takimi në Tiranë me drejtues të pushtetit vendor dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, se procesi i integrimit europian ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi komunitetet vendore dhe lidhet ngushtë me qeverisjen vendore.
Rama theksoi se është thelbësore të mbahet parasysh që koha kalon shpejt dhe objektivi i vendosur është shumë ambicioz.
“Deri tani, gjërat kanë shkuar sipas parashikimit. Ne kemi bërë gjërat e duhura dhe Komisioni Europian ka reaguar me ritmin e duhur, bazuar në marrëveshjen dypalëshe që kemi për të përmbyllur procesin e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”, tha Rama.
Sipas tij, ka gjasa që në vjeshtë të hapen të gjithë kapitujt e negociatave, çka do të ishte një rekord historik për kohën në të gjithë procesin e integrimit.
“Por një gjë është t’i hapësh kapitujt dhe një tjetër t’i mbyllësh. Kjo kërkon përmbushjen e plotë të detyrimeve”, theksoi kryeministri.
Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve, veçanërisht në nivel vendor, të informohen dhe të përfshihen më shumë në këtë proces.
“Vlen shumë për të gjithë ata që nuk e njohin procesin nga brenda, që të informohen sa më shumë dhe të informohen sadopak, që anëtarësimi në BE është një çështje që lidhet me plotësimin e kritereve dhe kushteve të të qenurit i gatshëm për t’u bërë pjesë e asaj skuadre. Ashtu si një njeri që nuk di të luajë futboll, nuk mund të futet në një skuadër, edhe një shtet që nuk përmbush kriteret nuk mund të bëhet pjesë e BE-së, sado entuziast apo i përkushtuar të jetë”, u shpreh Rama.
Në këtë kuadër, ai theksoi nevojën që çdo bashki të krijojë një bërthamë të vogël njerëzish të dedikuar ndaj këtij procesi, në mënyrë që të nisë përshtatja institucionale dhe të gjitha nivelet të përfshihen në mënyrë aktive. Edhe këshillat bashkiakë, tha Rama, duhet të jenë pjesë e pandashme e kësaj përfshirjeje.
“Kemi kaluar nga faza kur thjesht dëshironim të afroheshim me BE-në, në fazën ku kemi derën e hapur dhe duhet të tregojmë se jemi gati, të stërvitur dhe të edukuar për të hyrë në atë derë dhe për t’u ulur në atë tryezë”, deklaroi Rama.
Ai vuri theksin te nevoja për kapacitete institucionale, kulturë bashkëjetese dhe ndërveprim të qëndrueshëm midis institucioneve shqiptare dhe atyre europiane, si një kusht themelor për integrimin e plotë në Bashkimin Europian.
“Kam parasysh edhe dukjen përmbajtësore të bashkëjetesëes në hapësirën publike, që është një gjë themelore, dhe kapacitet për të garantuar këtë marrëdhënie mes institucioneve dhe qytetarëve, institucioneve mes njëri-tjetrit dhe tërësisë së institucioneve tona me ato të BE-së”, deklaroi Rama.
/a.f//r.e/
The post Rama: Do të ngremë një rrjet pranë bashkive për të përshpejtuar integrimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.