DPT: Tregtarët ambulantë nuk kanë detyrim për faturë apo dokumentacion tatimor
TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.
Ky përjashtim parashikohet në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Gjithashtu, ligji “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë.
Detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë: të jetë mbi moshën 16 vjeç; të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga bashkia përkatëse; të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë rajonale Tatimore; të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; tarifën për zënien e hapësirës publike; taksat bashkiake të aplikueshme.
Administrata Tatimore thotë se mbetet e angazhuar në krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët, duke garantuar që çdo politikë tatimore të zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të kuptueshme për të gjithë. /j.p/
The post DPT: Tregtarët ambulantë nuk kanë detyrim për faturë apo dokumentacion tatimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.